Operacioni “Ora e fundit”, Policia kapë 20 mijë tableta ekstazi në vlerë 200 mijë euro afër fshatit Trudë, një i arrestuar
Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë sekuestruar 20 mijë Tableta Ekstazi me vlerë rreth 200 mijë Euro.
Në njoftim thuhet se pas një pune intensive hetimore që ka zgjatur rreth një muaj, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ora e Fundit”, duke goditur një rast të rëndë të trafikimit të narkotikëve.
Komunikata e plotë:
“Ora e Fundit” për Trafikantët – Policia e Kosovës sekuestron 20 mijë Tableta Ekstazi me vlerë rreth 200 mijë Euro
Prishtinë, 31 dhjetor 2025
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një pune intensive hetimore që ka zgjatur rreth një muaj, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ora e Fundit”, duke goditur një rast të rëndë të trafikimit të narkotikëve.
Me datë 31.12.2025, rreth orës 19:00, në magjistralen Podujevë–Prishtinë, në afërsi të fshatit Trudë, njësitet policore kanë ndaluar një veturë me targa vendore, e cila drejtohej nga një mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrollit policor, bazuar në dyshime të arsyeshme, në veturë është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme prej rreth 20 mijë tabletash narkotike të llojit Ekstazi (MDMA). Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kjo sasi e substancës narkotike është futur ilegalisht nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të shpërndarjes në tregun e brendshëm.
Si rezultat i veprimeve policore janë realizuar këto masa:
Është arrestuar një (1) person i dyshuar;
Janë sekuestruar prova të shumta materiale, përfshirë:
Shtatë (7) paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit Ekstazi (MDMA);
Një veturë Daimler Chrysler E320 CDI, ngjyrë e zezë, me targa vendore.
Po ashtu, është bastisur banesa e të dyshuarit në Prishtinë, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar tri (3) qese najloni të vogla me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Vlera e përafërt e substancës narkotike të sekuestruar në tregun e zi vlerësohet rreth 200,000 (dyqind mijë) euro.
Me urdhër të Prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti po trajtohet si vepër penale e trafikimit të narkotikëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës përmes njësiteve të antidrogës, në bashkëpunim me institucionet dhe agjencitë e tjera relevante, mbetet e përkushtuar fuqishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e shpërndarjes së substancave narkotike, me qëllim të garantimit të sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Operacioni “Ora e fundit”, Policia kapë 20 mijë tableta ekstazi në vlerë 200 mijë euro afër fshatit Trudë, një i arrestuar appeared first on Sinjali.
