Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Lajme Shqiperi

Groenlanda kurrë nuk ka qenë amerikane, historia reale dhe mitet e Donald Trump

By: e xh
22 January 2026 at 16:31

Deklaratat e Donald Trump në Davos, sipas të cilave Groenlanda ka qenë dikur territor amerikan, kanë ringjallur një debat të vjetër, por të mbushur me keqinterpretime historike. Në realitet, sovraniteti i Danimarkës mbi ishullin më të madh në botë nuk është vënë kurrë seriozisht në diskutim nga Shtetet e Bashkuara, pavarësisht pranisë së tyre ushtarake gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Trump pretendoi se, pasi Danimarka u mposht nga Gjermania naziste brenda pak orësh, SHBA-të u detyruan të dërgonin trupa në Groenlandë dhe se pas përfundimit të luftës ia kthyen ishullin Kopenhagenit, një veprim që ai e quajti “budallallëk”. Por faktet historike tregojnë një histori tjetër, shkruan “La Repubblica”.

Në prill të vitit 1941, kur SHBA-të ishin ende zyrtarisht neutrale, Uashingtoni nënshkroi një “marrëveshje mbrojtjeje” për Groenlandën, me qëllim parandalimin e një pushtimi të mundshëm nazist. Marrëveshja u firmos nga ambasadori danez në SHBA, në emër të Mbretit, pasi Danimarka ishte nën okupim gjerman. Në asnjë moment kjo nuk përbënte transferim sovraniteti.

Interesi amerikan ishte kryesisht strategjik dhe ekonomik. Groenlanda strehonte të vetmin burim në botë të kriolitit, një mineral jetik për prodhimin e aluminit, të nevojshëm për motorët dhe avionët luftarakë. Trupat e para amerikane u vendosën përreth minierës së Ivittuut-it dhe deri në vitin 1945 u ndërtuan rreth 15 instalime ushtarake.

Kushtet ekstreme klimatike, i ftohti polar dhe erërat e pamëshirshme, e bënë të pamundur shndërrimin e Groenlandës në bazë ajrore për shoqërimin e anijeve drejt Britanisë së Madhe. Megjithatë, ishulli u përdor si pikë kyçe tranziti për transferimin e mijëra bombarduesve dhe avionëve luftarakë përtej Atlantikut.

Nga ana tjetër, forcat naziste ngritën stacione të vogla radioje dhe meteorologjike për të ndihmuar operacionet e nëndetëseve. Disa prej tyre transmetonin edhe sinjale mashtruese për të çorientuar pilotët amerikanë, duke shkaktuar raste dramatike, përfshirë uljen e detyruar të një skuadriljeje në akullnajë.

Neutralizimi i këtyre postacioneve iu besua “Greenland Patrol”, një njësi e Rojës Bregdetare amerikane, por përplasjet e drejtpërdrejta u zhvilluan kryesisht nga një repart danez, me vullnetarë groenlandezë dhe norvegjezë, që lëviznin me slita të tërhequra nga qenët. Ata përballuan marshime ekstreme, deri në 500 kilometra, në temperatura nën -20 gradë Celsius, një provë e jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike.

Pas luftës, rëndësia e Groenlandës u rrit edhe më shumë me nisjen e Luftës së Ftohtë. Në vitin 1946, SHBA-të tentuan ta blinin ishullin nga Danimarka për 100 milionë dollarë, por oferta u refuzua. Megjithatë, amerikanët nuk u larguan. Pas anëtarësimit të Danimarkës në NATO, në vitin 1951 u nënshkrua një traktat që lejonte SHBA-të të mbanin dhe të ndërtonin baza ushtarake për nevojat e Aleancës Atlantike.

Kështu lindi baza ajrore e Thule-s, ende sot një nga instalimet më të rëndësishme ushtarake amerikane në Arktik. Madje, gjatë kulmit të përplasjes bërthamore me Bashkimin Sovjetik, u ndërtua edhe Camp Century, një bazë futuriste 30 metra nën akull, e furnizuar me reaktor bërthamor, pjesë e projektit sekret “Iceworm”, që synonte vendosjen e raketave ndërkontinentale nën akull. Projekti dështoi kur u kuptua se nxehtësia e raketave do të shkrinte strukturat e akullit.

Pas rënies së Murit të Berlinit, prania ushtarake amerikane u reduktua ndjeshëm, duke mbetur kryesisht në Thule. Sot, baza është nën administrimin e Space Force, forcës hapësinore të krijuar nga vetë Trump, e përfshirë në projektin ende teorik “Golden Dome” për mbrojtjen antiraketore nga hapësira.

Por një gjë mbetet e qartë: as historia dhe as realiteti strategjik nuk justifikojnë pretendimin se Groenlanda ka qenë ndonjëherë territor amerikan. Ajo ka qenë dhe mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, pavarësisht interesave dhe pranisë ushtarake të fuqive të mëdha.

Zelensky në Davos: Europa duket e ndarë dhe e humbur përballë Trumpit

By: e xh
22 January 2026 at 16:19

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar ashpër Evropën gjatë fjalës së tij në Forumin e Davos, duke thënë se ajo duket “e përçarë” dhe “e humbur përballë presidentit Donald Trump”.

Zelensky deklaroi se nga Kievi këshillohet të mos flitet me amerikanët për raketat Tomahawk, “për të mos prishur atmosferën”. Ai shtoi se i është thënë gjithashtu të mos flasë për raketat Taurus dhe të shmangë çdo deklaratë që mund të ofendojë një vend evropian apo një tjetër.

Në fjalimin e tij, presidenti ukrainas theksoi se Evropa nuk duhet të pranojë të jetë “thjesht një sallatë e fuqive të vogla dhe të mesme e spërkatur me erëza nga   armiqtë e Evropës”.

Sipas Zelenskyt, vetëm bashkimi e bën kontinentin të fortë. Ai nënvizoi se kur Evropa është e bashkuar, ajo është “vërtet e pathyeshme” dhe se duhet të jetë një forcë globale që përcakton të ardhmen, e jo një forcë që reagon me vonesë.

Moti i keq në Greqi, reshjet e 6 muajve në një ditë shkaktojnë 2 viktima

By: e xh
22 January 2026 at 16:18

Sasia e reshjeve të 6 muajve, u shënua në më pak se një ditë në kryeqytetin grek Athinë, i goditur nga një stuhi vdekjeprurëse këtë javë. Të paktën 2 persona humbën jetën të mërkurën, ndërsa ekipet e emergjencës kaluan të enjten duke pastruar mbeturinat dhe dëmet.

Ekspertët thanë se fenomeni ekstrem i motit, solli deri në 170 milimetra reshje shiu mbi kryeqytet, 40 përqind e sasisë vjetore që bie zakonisht në kryeqytet.

Një grua 56-vjeçare humbi jetën të mërkurën në mbrëmje pasi u rrëmbye vërshimi I ujit, dhe u bllokua nën një makinë në lagjen kodrinore të Athinës, Ano Glifada.

Disa orë më vonë, një roje bregdetare 53-vjeçar u plagos për vdekje, për shkak të dallgëve të mëdha, teksa përpiqej të ndihmonte banorët vendas të siguronin varkat në qytetin port te Astros, në rajonin e Peloponezit.

Stuhia që po lëvizte drejt lindjes nëpër Greqi, solli erëra që kaluan 100 kilometra në orë, duke detyruar autoritetet në Athinë, si në perëndim e jug të vendit, të mbyllnin shkollat.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis anuloi një udhëtim të planifikuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Kuvendi miraton aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me përfaqësues Ramën

By: e xh
22 January 2026 at 16:15

Parlamenti miraton në tërësi me 110 vota pro aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me përfaqësues kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në votim.

Me 79 vota kundër parlamenti rrëzoi amendamentet e PD-së, e cila kërkoi që të hiqet nga projektligji emri i Edi Ramës dhe Shqipëria të përfaqësohej nga Presidenti i Republikës ose me autorizimin e tij nga kryeministri i Shqipërisë.

“Nuk jam si Veliaj, të marr me vete”/ Balliu tregon bisedat Rama-Balluku –

By: 27
22 January 2026 at 16:46

Deputeti demokrat, Klevis Balliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te seanca e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin, kërkesë e kundërshtuar nga Kryeministria.

I ftuar në News24, Balliu u shpreh se qeveria po përdor çdo mjet për të mbrojtur Ballukun dhe për të fshehur, sipas tij, provat e vjedhjeve.

 “Bëjnë çdo artificë që Lubia të vijojë vjedhjet dhe të fshehë provat e vjedhjeve që ka bërë. Paratë që ka vjedhur ajo mund të ishin përdorur për spitale, që njerëzit të mos vdesin nga mungesa e dritave apo e ilaçeve. Në vend që qeveria të kujdeset për qytetarët, ajo kujdeset për Ballukun”, deklaroi deputeti demokrat.

Sipas Balliut, mbrojtja që i bëhet zv/kryeministres nuk lidhet me të personalisht, por me kryeministrin Edi Rama. Sipas Balliut, Balluku i ka thënë Ramës se “unë nuk jam si Veliaj, të marr me vete”.

“Balluku është spektatore. Rama tërhoqi Belindën te turqit, ai bëri projektin e Llogarasë Ai mund të heqi Lubinë dhe vjen Ogerta. Lubia ia bëri të qartë se nuk jam si Veliaj, unë të marr me vete. Po testohet Shqipëria. Nuk mund të kemi pse pranojmë popullin më të varfër në Europë dhe pushtetarët më të pasur në Europë. Nuk ka një pushtetar me 300 apartamente, sfidoj këdo. Ky është një test për shoqërinë tani, çfarë do bëjë?”,- tha Balliu.

Apeli për korrupsionin prish vendimin për dosjen e call centerave, çështja kthehet për gjykim të ri –

By: 27
22 January 2026 at 16:30

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka njoftuar këtë të enjte se ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të dhënë më 17 qershor 2025, duke rikthyer çështjen për gjykim me një tjetër trupë gjykuese.

Bëhet fjalë për dosjen e njohur të call centerave, ku të pandehuritJusel Mici dhe Mendim Domi akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 15 milionë euro përmes mashtrimeve kompjuterike. Përveç dënimeve me burg, ndaj tyre janë sekuestruar dhe konfiskuar dhjetëra pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare.

Gjykata shpalli fajtor Jusel Micin për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Fillimisht ai u dënua me një total prej 12 vitesh burg, por pas aplikimit të uljes së dënimit me 1/3, ai do të vuajë përfundimisht 8 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë.

Edhe Mendim Domi u shpall fajtor për të njëjtat akuza. Ai u dënua fillimisht me 11 vite burg, por pas uljes së dënimit me 1/3, do të vuajë 7 vite e 4 muaj burgim, po ashtu në një burg të sigurisë së lartë.

Gjykata vendosi konfiskimin e një sërë pasurish të paluajtshme, përfshirë apartamente dhe toka bujqësore me sipërfaqe të konsiderueshme, si dhe disa llogari bankare me shuma të mëdha në euro dhe lekë. Pasuritë e sekuestruara do të kalojnë në pronësi të shtetit, ndërsa një pjesë e tyre iu kthye pronarëve të ligjshëm.

Gjykata e Apelit vendosi prishjen e vendimit të mëparshëm dhe dërgimin e akteve për gjykim në një trupë tjetër të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 20 ditëve nga dita e njoftimit.

 

McGonigal/ PD kërkon komision hetimor, Kushtetuesja vendos seanca plenare –

By: 27
22 January 2026 at 16:16

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike, ankimin e PD për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen e McGonigal, që u refuzua nga mazhoranca socialiste.

Në kërkesën e tyre, deputetët kërkonin që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.

Opozita pretendon për lidhje të kryeministrit Edi Rama dhe eksponentëve të qeverisë së tij me një raport privat të paligjshëm të ish-agjentit të FBI-së, McGonigal, i cili është i dënuar nga drejtësia amerikane.

Kërkesa për ngritjen e komisionit, u rrëzua nga mazhoranca në seancën e 30 tetorit të vitit të kaluar. Pas këtij refuzimi demokratët bënë ankim në Kushtetuese e cila ka vendosur ta kalojë çështjen sërish në seancë plenare.

Policia zbulon lokale me drogë dhe poker ilegal, 4 persona në pranga –

By: 27
22 January 2026 at 16:00

Në 24 orë, goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike (Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa), si dhe zbulohen 2 subjekte ku shiteshin lëndë narkotike dhe luheshin lojëra fati.

Identifikohen 7 shtetas të përfshirë në këto veprimtari kriminale. Vihen në pranga 4 prej tyre.

Sekuestrohen sasi dhe doza lëndësh narkotike, si dhe tavolina për lojën “Poker”, celularë dhe automjet.

Si rezultat i zbatimit të një sërë masash, në të gjithë territorin e kryeqytetit, që nëpërmjet punës operative dhe kontrolleve, synuan goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, struktura në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Masive”. Në kuadër të këtij operacioni:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, arrestuan shtetasit E. A., 37 vjeç, R. Gj., 29 vjeç dhe A. Th., 34 vjeç, sepse shtetasit E. A. iu gjetën në automjet dhe në banesë, sasi të lëndëve narkotike Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen, ndërsa 2 të arrestuarit e tjerë, dyshohet se pavarësisht pasjes dijeni, nuk e kanë kallëzuar përfshirjen e 37-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin O. Xh., 21 vjeç, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. L. dhe E. B., si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. P., 33 vjeç, sepse në njërin subjekt (lokal) në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim, u gjetën tavolina për lojën “Poker”, ndërsa në subjektin tjetër (bilardo) në pronësi të tij, u kap 21-vjeçari me doza Cannabisi (të gatshme për shitje) me vete. 2 të proceduarit dyshohet se kanë patur dijeni për përshtatjen e ambientit të parë, për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe nuk kanë kallëzuar në polici. Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit A. P.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Treni aksidentohet me një vinç, aksidenti i tretë hekurudhor në Spanjë brenda javës –

By: 27
22 January 2026 at 15:46

Tre persona mbetën të lënduar në një aksident hekurudhor në Cartagena, sot me 22 janar, duke shënuar aksidentin e tretë në Spanjë në më pak se një javë.

Treni i pasagjerëve në linjën Cartagena – Los Nietos u përplas me një vinç në Alumbres, Murcia, raportojnë mediat e huaja. Të paktën tre pasagjerë mbetën të lënduar lehtë, por bilanci zyrtar ende nuk është konfirmuar. Aksidenti ndodhi rreth orës 12:00, mes Alumbres dhe La Union.

Të dielën mbrëma, një tren doli nga shinat duke u përplasur me një tjetër, ku humbën jetën 43 pasagjerë. Dy ditë më vonë, një mur mbajtës u shemb mbi një tren rajonal, duke shkaktuar daljen nga shinat dhe vdekjen e makinistit.

Sipas mediave lokale, banorët e zonës kishin paralajmëruar më parë rrezikun në këtë pjesë të linjës, ku ndodhi aksdenti sot, ku njoftimi për mbërritjen e trenave shpesh mungon.

Një botë ku vetëm pushteti vlen është një vend i rrezikshëm! –

By: 27
22 January 2026 at 15:30

Fjalimi i Kancelarit gjerman, Friedrich Merz në Davos të enjten u prit me shumë interes, pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe mosmarrëveshjeve për Groenlandën.

Merz u ka bërë thirrje evropianëve që të përshtaten shpejt me dinamikën e ndryshuar të fuqisë politike në botë. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një epokë të re, një epokë që shtrihet shumë përtej kësaj lufte agresioni, tha Kancelari në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) sheh një ndryshim rrënjësor edhe në politikën e jashtme të aleatit më të rëndësishëm Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara. Bota aktualisht po dëshmon një “riorganizim rrënjësor të politikës së jashtme dhe të sigurisë së SHBA-së”, tha Merz të enjten në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.  Një botë e re fuqish të mëdha po lind, “bazuar në pushtet, në forcë dhe – nëse vjen puna deri këtu – edhe në dhunë”, shtoi ai. “Një botë ku vetëm pushteti vlen është një vend i rrezikshëm”. Kjo vlen “së pari për shtetet e vogla, pastaj për fuqitë e mesme dhe në fund të fundit për ato të mëdha”.

Kancelari bëri thirrje që të merret fati në dorë dhe të mos lejohet të bëhemi shah i fuqive të mëdha. “Ne nuk jemi të pafuqishëm në mëshirën e këtij rendi të ri botëror”, theksoi Merz. “Ne kemi një zgjedhje”. Merz foli për rolin e Gjermanisë në këtë epokë të re, duke theksuar, se Gjermania dëshiron të luajë një “rol kyç” në mbrojtjen e një rendi botëror të bazuar në rregulla.

Ndryshimi i kursit të Trump – “rruga e duhur”

Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) përshëndeti ndryshimin e kursit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në mosmarrëveshjen për Groenlandën. Ndryshimi i kursit të Trump në mosmarrëveshjen për Groenlandën është “rruga e duhur”, tha Merz të enjten në një fjalimin e mbajtur në anglisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. “Çdo kërcënim për të pushtuar territorin evropian me forcë do të ishte i papranueshëm” dhe tarifat e reja do të “minonin më tej themelet e marrëdhënieve transatlantike”, shtoi Merz. Nëse ato do të zbatoheshin, “përgjigjja e Evropës do të ishte e bashkuar, e qetë, e përshtatshme dhe e fortë”, paralajmëroi kancelari gjerman. Merz theksoi se Gjermania ndan pikëpamjen se partnerët evropianë të NATO-s duhet të bëjnë më shumë për sigurinë në Arktik, duke theksuar këtu rëndësinë e NATO-s. “Gjermania tashmë po e bën këtë.” Merz theksoi, se Groenlanda duhet të të mbrohet nga “kërcënimet nga Rusia”.

Merz kërkon partneritet të barabartë me SHBA

Në fjalën e tij, kancelari gjerman, një transatlantist i bindur, iu referua edhe marrëdhënies transatlantike. Ai u shpreh, se partneriteti midis SHBA-së dhe Evropës duhet të bazohet në barazi: “Autokracitë mund të kenë të nënshtruar, demokracitë kanë partnerë dhe miq të besueshëm”. Forca më e madhe rrjedh nga aftësia për të formuar partneritete dhe aleanca të ndërtuara mbi besimin dhe respektin e ndërsjellë, theksoi Merz pa e përmendur drejtpërdrejt vendin për të cilin po i referohej me kritikat e tij. Kancelari Friedrich Merz i ka paralajmëruar SHBA-të se duhet të bashkëpunojnë më drejt me partnerët e tyre evropianë. Por “pavarësisht gjithë frustrimit dhe zemërimit të muajve të fundit, le të mos heqim dorë para kohe nga partneriteti transatlantik”, tha ai. Në dritën e tensioneve në rritje me SHBA-në, Kancelari Friedrich Merz (CDU) ka bërë thirrje për shpëtimin e partneritetit transatlantik./ DW

Reshjet e dëborës paralizojnë disa akse rrugore në Gjirokastër –

By: 27
22 January 2026 at 15:16

Reshjet e dëborës në Qarkun e Gjirokastrës kanë shkaktuar probleme duke bllokuar segmente rrugore në zonat malore.

Sipas strukturave të emergjencave civile në Bashkinë Libohovë, në Njësinë Administrative Zagori aksi rrugor Çajup – Zhej është i bllokuar për shkak të borës. Në Bashkinë Përmet aksi rrugor për në Njësinë Administrative Frashër kalohet me zinxhirrë.

Në Bashkinë Tepelenë në aksin rrugor Salari-Nivicë është punuar me mjete të rënda për largimin e dëborës dhe më pas është hedhur kripë duke e bërë këtë aks të qarkullueshëm.

Mjetet e Forcave të Armatosura bënë të munduar hapjen e rrugës së fshatit Sheper, Gjirokastër.

Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës

22 January 2026 at 16:34

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Ushtarët nga Batalioni RC-E Maneuver, që veprojnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, zhvilluan një ecje të komandës së incidentit, e cila shërbeu për provimin e procedurave dhe metodave të koordinuara për të siguruar gatishmëri të lartë operacionale dhe reagim efektiv ndaj çdo sfide të sigurisë.

Sipas KFOR-IT, ky aktivitet stërvitor synon të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional midis KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke rritur kapacitetin për të menaxhuar incidente dhe situata emergjente.

Stërvitjet e tilla mbështesin misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efikas në çdo rast që lidhet me sigurinë publike. /Kosovapress/

The post Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Përfundon takimi me dyer të mbyllura Trump-Zelensky

22 January 2026 at 16:30

DAVOS, 22 janar /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takuan sot me dyer të mbyllura në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, sipas “New York Post”.

Të dy udhëheqësit nuk u morën në pyetje nga gazetarët dhe as nuk pozuan për mediat përpara takimit njëorësh.

Në përfundim të takimit, presidenti Trump doli shkurtimisht për të folur me gazetarët.

“Mendoj se takimi ishte i mirë”, tha presidenti amerikan, duke përsëritur bindjen e tij se lufta pothuajse katërvjeçare midis Rusisë dhe Ukrainës duhej të merrte fund.

“Shpresojmë se kjo luftë do të marrë fund”, tha Trump.

Zëdhënësi i Zelensky, Serhii Nykyforov, vuri në dukje se Trump dhe Zelensky kishin zhvilluar një bisedë të shkurtër “kokë më kokë” pas përfundimit të takimit zyrtar.

I dërguari special i Trump, Steve Witkoff dhe dhëndri presidencial, Jared Kushner, kanë planifikuar të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin nesër në Moskë, ndërsa përpiqen të rifillojnë përpjekjet e zbehta për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Witkoff këmbënguli sot në një takim në Davos se ishte bërë “progres”, mbi të ardhmen e Ukrainës por çështja kishte mbetur e pazgjidhur.

“Nëse të dyja palët duan ta zgjidhin këtë, ne do ta zgjidhim”, tha ai.

Fundjavën e kaluar, zyrtarët ukrainas udhëtuan në Miami për t’u takuar me Witkoff dhe Kushner për të sqaruar detajet e garancive të sigurisë që synojnë të pengojnë agresionin e ardhshëm rus.

Muajin e kaluar, Zelensky njoftoi se do të binte dakord për krijimin e një “zone të lirë ekonomike” të demilitarizuar në rajonin lindor të Donbasit, zemrën industriale të Ukrainës, në këmbim të Rusisë që pranonte të ndalonte pushtimin e saj.

Ky plan do të përjashtonte mundësinë që Kievi të njihte zyrtarisht çdo tokë ukrainase si ruse.

Dhe do të duhej miratimi i Moskës, si dhe i votuesve ukrainas, të cilëve do t’u kërkohej miratimi i tyre nëpërmjet një referendumi.

SHBA-ja shpreson gjithashtu të arrijë një marrëveshje për t’u dhënë kompanive amerikane akses preferencial në mineralet e Ukrainës.

Zelensky ka akuzuar Putinin për pengimin e përpjekjeve për paqe, ndërsa forcat ruse kanë nisur sulme të përsëritura që synojnë rrjetin energjetik të Ukrainës në mes të dimrit. //a.i/

 

The post DAVOS – Përfundon takimi me dyer të mbyllura Trump-Zelensky appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA dhe Danimarka rinegociojnë marrëveshjen e mbrojtjes së 1951 për Groenlandën

22 January 2026 at 16:00

DAVOS, 22 janar /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka do të rinegociojnë marrëveshjen e tyre të mbrojtjes që daton nga viti 1951 për Groenlandën, bëri të ditur të sot një burim pranë diskutimeve që u zhvilluan një ditë më parë në Davos midis presidentit Donald Trump dhe kreut të NATO-s, Mark Rutte.

Sipas këtij burimi, siguria në Arktik do të forcohet dhe vendet evropiane të NATO-s do të kontribuojnë, duke shtuar se gjatë këtyre bisedimeve nuk ishte diskutuar ideja e vendosjes së bazave amerikane në Groenlandë nën sovranitetin e SHBA-së.

Që nga viti 1951, një marrëveshje mbrojtjeje, e përditësuar në 2004, i ka dhënë pothuajse dorë të lirë forcave të armatosura amerikane në territorin e Groenlandës, edhe pse ato duhet të njoftojnë autoritetet para veprimeve.

Disa vende të NATO-s po diskutojnë mënyrat për të forcuar praninë e tyre në Groenlandë dhe kanë dërguar atje një kontingjent të parë për të verifikuar kushtet për këtë forcim.

Gjermania, Franca, Norvegjia dhe Britania e Madhe kanë dërguar këta ushtarë për të përgatitur një mision të mundshëm të NATO-s, të ngjashëm me ato të zhvilluara në detin Baltik ose në frontin lindor të Aleancës, për të përballuar më mirë kërcënimin rus.

Pas javësh deklaratash agresive, Donald Trump njoftoi papritur dje  në Davos “kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme” për Groenlandën, e cila mbetet ende shumë e paqartë në detaje.

Presidenti amerikan refuzoi të sqarojë nëse kompromisi në diskutim do t’u jepte SHBA-ve posedimin e territorit autonom danez, siç kishte kërkuar disa herë më parë, me qëllim, sipas tij, të sigurojë mbrojtjen ndaj Rusisë dhe Kinës./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA dhe Danimarka rinegociojnë marrëveshjen e mbrojtjes së 1951 për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla – Berishës: Nuk tërhiqemi pa u zbardhur përgjegjësia jote për “21 Janarin”

22 January 2026 at 15:44

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në seancën e sotme plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se kryeministri Edi Rama do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, si mik i presidentit Donald Trump, për të firmosur autorizimin që do t’i japë sot Parlamenti.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai u shpreh se, “sipas porosisë, por edhe sipas vlerës dhe rëndësisë, kokën poshtë, dorën lart dhe votoni marrëveshjen”.

Duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Balla tha se “ne, pa u zbardhur përgjegjësia jote sa i përket urdhrave për vrasjen e katër shqiptarëve më 21 Janar, kjo forcë politike nuk ka për t’u tërhequr kurrë. Këtë ngulite mirë në mendje”.

Balla theksoi se, “kjo nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me katër dëshmorë apo me shumë të plagosur të tjerë, por ka të bëjë me një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e këtij vendi, e cila erdhi, në fakt, si një ripërsëritje e një përpjekjeje tjetër tënden për të qëlluar mbi popullin: në vitin 1997, kur urdhërove avionët të qëllonin mbi popullin e Jugut, dhe në vitin 2011, kur urdhërove të qëllohej mbi popullin opozitar në shesh”.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Balla – Berishës: Nuk tërhiqemi pa u zbardhur përgjegjësia jote për “21 Janarin” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi miraton me 110 vota pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes

22 January 2026 at 15:42

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kuvendi miratoi në parim me 110 vota pro, zero abstenim e asnjë kundër ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.

Ratifikimi i marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes u votua pas diskutimeve dhe debateve të sotme mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.

Në sallë të pranishëm ishin 110 deputetë. Në parim u votua me 113 vota, pro ratifikimit të kësaj marrëveshje. Abstenimi erdhi nga deputeti i Partisë Lëvizja Bashkë, Redi Muçi.

Kujtojmë që sot në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua seanca për ratifikimin e marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes. Kjo marrëveshje u miratua në Komisionin e Jashtëm me 13 vota pro dhe asnjë kundër.

Më herët Kuvendi miratoi në seancën plenare, me 80 vota pro dhe 22 vota kundër, kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.

Ligji i miratuar sot synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ushtrojë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Votimi i Bordit të Paqes, foto: Florian Abazaj
1 nga 3

/e.i/a.f/r.e/

The post Kuvendi miraton me 110 vota pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama – opozitës: Me votën tuaj do të shkoj në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes

22 January 2026 at 15:40

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot opozitës gjatë seancës plenare, ku tha se ai nuk tallet asnjëherë me “fitoret” e tyre.

“Tani, më e mira do të kishte qenë që për një herë të vetme të pushonte avazi i të gjitha herëve dhe pse kjo e sotmja është një herë e ndryshme nga shumë herë për këtë vend dhe për këtë Kuvend. Po si duket humbësit kronikë nuk duan ta humbasin as këtë rast për të bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më mirë se kushdo tjetër në botë, të humbin, të humbin përsëri rastin, duke vazhduar t’i bindin shqiptarët se nuk vlejnë për asgjë tjetër përveç se për të përfaqësuar dhe mishëruar humbjen në të gjitha format dhe në të gjitha dimensionet e saj”, tha Rama.

“Është vërtetë për të ardhur keq po të mendosh se sot në fakt ju kishit mundësinë të deklaronit fitoren. Fitoren tuaj më domethënëse sepse në fakt, si gjithmonë, ju prapë fituat. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë që Amerika do të më bënte mua gjyqin e ëndërruar prej jush për t’ju kthyer ju në ato karrige, ku nuk do ktheheni kurrë po s’dolët nga poshtë karriges ku qëndrojnë hijerënda të ndenjurat e stërgjyshit tuaj”, pohoi Rama.

Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha se ata paralajmëruan popullin se Kryeministri i Shqipërisë do të thirrej në Amerikë në datën 20 janar.

“Por, ky ishte lapsus për t’u paraqitur në Prokurorinë Federale. Madje ju e vulosët fitoren kur festuat rrëmbimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe iu thatë shqiptarëve se ajo ishte vetëm një provë gjenerale e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga ajo zyra në Kryeministri – që e keni fiksim 12 vjet – dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Xhulietë të vetme”, pohoi ai.

Rama tha në Kuvend, se opozita paralajmëroi popullin shqiptar që ShBA do t’i bënin atij gjyqin.

“Sot ju do votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta detyroj ushtrinë amerikane t’i bashkohet protestës suaj nga tarraca e Kryeministrisë se do të dorëzohem vetë, paqësisht, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane që do të vijnë në aeroport në Uashington dhe do më marrin me eskortë për të më çuar në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes”, tha Rama.

“Ka vetëm një nuancë në dështimin tuaj. Ju prisnit të fitonit me helikopterët e ushtrisë amerikane dhe nuk e prisnit që unë do dorëzohesha vetë. Kjo është fitorja juaj! Fituat edhe këtë herë dhe falë jush që mbushët dynjanë duke thënë se nuk ka ftesë; kur doli ftesa, thatë po këtë e ka gjithë bota; tani thoni, nuk je te Bordi”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se ka një organigramë në mënyrën sesi strukturohen grupet ndërkombëtare.

“Rëndësi ka që do të ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe mua si përfaqësues i Bordit të Paqes në Shtëpinë e Bardhë”, pohoi Rama.

/e.i/a.f/r.e/

The post Rama – opozitës: Me votën tuaj do të shkoj në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha për Bordin e Paqes: Mbështesim iniciativën e Trump, Rama po e personalizon

22 January 2026 at 15:37

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në Kuvend, se seanca e ditës së sotme duhet të dëshmojë qëndrimin e vendit tonë në çështjet e sigurisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Berisha pohoi se seanca duhet të shprehë vlerësimin maksimal për njërën nga paqet më të vështira në historinë e paqes, siç ishte armëpushimi dhe ndërprerja e luftimeve në Gaza.

“Ne jemi këtu për të dëshmuar mbështetjen tonë të plotë dhe të palëkundshme në politikat e sigurisë të SHBA. Në qëndrimin tonë pa ekuivok në mbështetje të këtyre politikave pasi SHBA janë aksionari më kryesor i paqes dhe sigurisë në botë. Ne mbështesim plotësisht këtë iniciativë të presidentit Donald Trump edhe për faktin se në dallim nga shumë kombe të tjera, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se sa SHBA, veçanërisht në dekadat e fundit me çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe mbështetjen e saj”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se “në këtë kohë, për sa kohë SHBA qëndrojnë në zotimet e tyre për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne qëndrojmë në çdo problem sigurie pa mëdyshje në anën e SHBA”.

“Bordi i Paqes ngrihet për një nga aktet më të jashtëzakonshme, ndërprerjen e luftës në Gaza dhe këtu presidenti i SHBA ka një meritë historike, jashtëzakonisht të rëndësishme.
Bordi është i mbështetur në dokumentin e OKB. Pra, nuk e nxjerrin këta. Bordi ka mbështetje në rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe është një hap tjetër drejt konsolidimit të paqes në atë rajon”, deklaroi Berisha.

Por sipas tij, Rama po personalizon në marrëveshje dhe një ftesë e cila nënkupton në mënyrë absolute Republikën e Shqipërisë.

“Seanca merr një karakter të paimagjinueshëm vetëm e vetëm për shkak të përpjekjes primitive të një njeriu që tani po i vjen fundi që ta personalizojë këtë. Çfarë do u thoni zgjedhësve tuaj që personalizoni një akt ndërkombëtar të rëndësishëm me emrin të nxirë të një njeriu”, u shpreh Berisha në Kuvend.

Kuvendi është mbledhur në seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

/e.i/r.e/

The post Berisha për Bordin e Paqes: Mbështesim iniciativën e Trump, Rama po e personalizon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla prezanton Gjylametin në krye të AKU: Siguria ushqimore, pjesë kyçe e integrimit në BE

22 January 2026 at 15:30

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot drejtoreshën e re të përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, në një takim me ekipin drejtues të institucionit.

Gjatë prezantimit, ministri Salla vuri theksin te rëndësia e drejtimit dhe menaxhimit efikas të institucionit, si dhe te roli kyç i sigurisë ushqimore në procesin e integrimit europian.

“Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural theksoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në funksion të qytetarëve dhe biznesit. “AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut dhe rolin e tij kyç në garantimin e ushqimit të sigurt dhe cilësor, përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesit”, theksoi Salla.

Në përfundim, ministri Salla shprehu mirënjohjen për drejtuesin e deritanishëm të institucionit dhe e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e dhënë, si dhe i uroi suksese në detyrën e re drejtoreshës së përgjithshme, Blerina Gjylameti.

1 nga 4
Blerina Gjylameti, Drejtoresha e AKU
Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

/a.f/r.e/

The post Salla prezanton Gjylametin në krye të AKU: Siguria ushqimore, pjesë kyçe e integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gazheli takim me përfaqësues të biznesit francez

22 January 2026 at 15:30

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli dhe përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri (CCIFA) zhvilluan një takim me përfaqësues të biznesit francez, me fokus te forcimi i dialogut institucional dhe bashkëpunimi me komunitetin e biznesit.

Dogana Shqiptare informoi se ky forum shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e mendimeve dhe adresimin e çështjeve që lidhen me procedurat dhe shërbimet doganore.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli theksoi se ky është takimi i parë zyrtar me CCIFA, i cili do të pasohet nga të tjerë, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit Doganë–Biznes. Ai ftoi bizneset e pranishme të aplikojnë për statusin Operator Ekonomik i Autorizuar (OEA), si një mundësi konkrete për lehtësim procedurash dhe përfitime të shtuara.

Gjithashtu, u riafirmuan marrëdhëniet shumë të mira mes autoriteteve doganore shqiptare dhe franceze, si dhe angazhimi për mbështetje dhe asistencë maksimale për bizneset anëtare të CCIFA.

/e.i/r.e/a.f/

The post Gazheli takim me përfaqësues të biznesit francez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌