Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

By: S M
18 December 2025 at 23:08

Nga Skënder Minxhozi/

Dje ish-presidenti Ilir Meta është ofruar të japë informacione në lidhje me ngjarjen e 21 janarit, të cilat sipas avokatit të tij, përfshijnë të dhëna që ai ka marrë në prag të protestës së opozitës nga burime të huaja. Meta pretendon se shërbime të huaja i paskan thënë se protesta do të jetë e dhunshme dhe se nuk përjashtohej skenari i vrasjeve. Është hera e parë që ish-presidenti e thotë diçka të tillë. Nuk e tha në momentin kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit, as kur ndodhën vrasjet dhe as më vonë kur shumica e djathtë nisi hetimin e atij që u quajt grushti i shtetit i 21 janarit.

Që njëri ndër protagonistët tashmë në burg të 21 janarit të dalë pas 15 vitesh e të ofrohet për “informacione të reja” në lidhje me ngjarjen, ky është një fakt që tingëllon më shumë si një goditje me efekt e tij për të tërhequr vëmendjen publike nga izolimi ku ndodhet, sesa si një kontribut i ri në dosjen e trashë të vrasjeve në bulevard. Tragjedia e 21 janarit është një ndër ngjarjet më të mediatizuara, më të diskutuara e debatuara e më të analizuara. Ashtu siç është një ndër ngjarjet më pak të hetuara.

Ky hendek mes interesit të lartë publik dhe shurdhërisë së qëllimshme të drejtësisë e politikës për të zbardhur përgjegjësit e vrasjes makabre të katër njerëzve të paarmatosur nga shteti i kohës, është ndër kontrastet më therëse që ka prodhuar tranzicioni shqiptar në 35 vite.

Shembulli i kësaj shurdhërie është bërë sot edhe drejtësia e re, saktësisht SPAK, i cili në fillim refuzoi të merrte në dorëzim hetimin për provat e reja për 21 janarin, e më pas ka nisur një hetim “me pjekje të ngadaltë”, të cilit nuk i shihet fundi. Zvarritja e kësaj dosjeje e fut drejtësinë e re në të njëjtën kamare turpi me drejtësinë e plepave e cila de facto e bllokoi gjetjen e përgjegjësve të 21 janarit.

Në këtë mes futja “skiç” e Ilir Metës vetëm sa risjell edhe një herë në skenë hipokrizinë e qeverisësve të 21 janarit të cilët edhe sot vijojnë të përtypin argumenta që nuk i besojnë as vetë, si këto të skenareve me vrasje dhe me shërbime të huaja.

Ka një nerv të zbuluar 21 janari, kur vjen puna për të kuptuar indirekt se kush e mban përgjegjësinë për vrasjet në bulevard. Pak orë pas ngjarjes shumica qeverisëse e kohës, nën piskamën e Berishës rreth grushtit të shtetit, ju fut me shumë zell hetimit të ngjarjes. Qëllimi madhor: të gjejmë rrënjët e puçit, autorët, nxitësit, skenaristët, regjizorët dhe aktorët bashkë me figurantët më të parëndësishëm. Me një fjalë të zbulojmë para shqiptarëve mynxyrën që ishte përgatitur, makinat me dinamit të parku Rinia, çadrat pistoletë, thikat me helm dhe natyrisht edhe një grusht gazetarësh puçistë anash, për ta bërë edhe më të besueshme teoremën komike të Doktorit.

Punoi dy vite ky komision duke marrë në pyetje gjithë hierarkinë e shtetit, minus “Presidentin-horr” dhe “Kryeprokuroren-lavire”. Parakaluan në komision Berisha, Topalli, Basha dhe një dyzinë tjetër zyrtarësh të lartë. Pas vitit të parë të hetimit, pra në 2021, komisionit në fjalë ju zgjat edhe me një vit tjetër mandati i hetimit. Javët e muajt kalonin dhe ajo zyrë me deputetë, të gjithë juristë e disa edhe ish-ministra drejtësie, nuk filtronte asgjë e re. Merreshin honorare për të zbardhur puçin, por puç nuk dukej askund. Retorika politike ndërkohë nxirrte flakë dhe akuzat shkëmbeheshin sa në një anë në tjetrën.

Megjithatë, në fund të dy viteve ky grusht burrash plot dije nga jurisprudenca dhe me kartvizita për t’u pasur zili, nuk qullosi dot gjë. Në podiumin e Kuvendit s’u lexua asnjë raport mbi gjetjet e komisionit, rast unik ky që nga viti ’91. Deputetët që për dy vite morën paratë për të zbuluar komplotin e lartë kundër shtetit, nuk denjuan as të kthejnë honoraret për punën e munguar.

Zbrazëtia e hetimit parlamentar rreth puçit të 21 janarit është nervi i zbuluar i 21 janarit. Kush mendon se demokratët mblodhën informacione e gjetën fakte për përgjegjësinë e opozitës në vrasjet e asaj dite dhe nuk i publikuan ato në vitet që pasuan, thjesht gënjen veten. Jo të tjerët.

Zgjedhjet e 2013 erdhën dhe puçi i harrua. E mbajti mend vetëm Berisha i cili ka hallin që ta mbajë gjallë këtë fjalë si justifikim mekanik, sa herë që e pyesin gazetarët. E harroi madje edhe Edi Rama me të vetët 21 janarin, e mesa duket, meqë qenka sëmundje ngjitëse, u mundua të bënte sikur e kishte harruar atë histori edhe SPAKU vite më vonë.

Të gjithë hoqën duart nga patatja ende e nxehtë e 21 janarit, të cilën nuk mund ta nxjerrë nga zjarri as Ilir Meta me kujtimet e papritura që i erdhën në burg për atë ditë fatale, kur shteti vrau qytetarët e vet dhe askush nuk u dënua. Turp për të gjithë ata që mundeshin dhe ende munden, por nuk e bëjnë!

The post Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush first appeared on JavaNews.al.

Klodian Braho, kreu i ri i SPAK/ Minxhozi: Të katër kandidatët kishin kreditë të mjaftueshme, partitë të baraslarguara

By: Rovena
11 December 2025 at 20:22

Sot, Klodian Braho u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK, një zhvillim që ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe mediatike.

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, e cilësoi procesin si të drejtë dhe të barazvlefshëm mes katër kandidatëve me integritet të lartë, duke theksuar se fokusi kombëtar është zhvendosur qartësisht drejt drejtësisë.

Sipas tij, gara këtë herë u zhvillua larg presioneve politike, ndërsa ndërhyrjet diplomatike dhe tensionet e krijuara ishin të panevojshme, pasi kandidatët kishin kredenciale të mjaftueshme për një proces të qetë dhe transparent.

“Ka pasur një zhvendosje për të treguar se ku qëndron pika e gravitetit në të gjitha ngjarjes shqiptare. Sot e gjithë vëmendja e medias nuk ishte paratë, por tek drejtësia dhe te SPA dhe kjo është simbolika për të kuptuat vëmendjen dhe fokusi që ka marrë ky institucion. Ishte një proces i drejtë dhe i kërkuar.

Personalisht unë e kam kuptuar se cili ishte kandidati që kishte shanse më shumë për t’u zgjedhur, që nga fotoja e Ambasadës Amerikane. Nëse në zgjedhjen e Atlin Dumanit ka pasur fjalë për një presion politik për kreun e ri të SPAK dhe ka ndërhyrë ambasadorja e amerikane, kjo fushatë dhe ky aplikim i figurave që të katërta me integritet dhe me stazh ishte e barasvlershme.  Në momentin që biem dakord dhe ka dakordësi që mbi kreun e SPAK nuk ka pasur presion.

Kësaj here të katërta figurat ishin të barasvlershme dhe me kredite të mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetari i kësaj strukture. Pra nuk kuptohet stresi dhe tendosja e segmentit diplomatik që e luajti lojën sikur këtu ndodheshin para mundësi për trukim letrash, ndërkohë që politikat ishin të larguar. Ka qenë një garë që duhet të lihej të rridhte pa atë lloj stresi dhe parade”, tha Minxhozi./abcnews.al

Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm

By: S M
8 December 2025 at 21:58

Nga Skënder Minxhozi/

Dikush tha më te drejtë në njërën nga ditët e protestave të 35 viteve më parë në Qytetin Studenti: gjak nuk provokoi ky revolucion po baltë prodhoi me shumicë. E thënë në atë moment shprehja qe spontane dhe jo mbartëse apo parashikuese e diçkaje të keqe. Balta identifikohej me motin me shi, e jo labirinthin e errët ku do të hynte vendi në vitet që pasuan. Pakkush mendonte keq në atë moment, në vrullin e romantizmit që kishte kapluar të gjithë ambjentin ku lindi pluralizmi shqiptar. Ishim të varfër, të frikësuar, të paqartë mbi të gjitha, por mendonim “vetëm për mirë”.

“Do e shihni që do bëhemi Evropë brenda tre vjetëve”, ishte një ndër batutat që dëgjoje më shpesh në atë kohë. Koncepti i hyrjes në Evropë artikulohej “do bëhemi Evropë”! “Do bjerë shi jeshil dollarësh, do zbarkojnë amerikanët të na ushqejnë e të na veshin”, ja priste tjetri. Në skamjen e komunizmit fundor të gjitha këto tingëllonin profetike, paçka se në thelb ishin dhe janë akoma dhe më shumë sot, thjesht parashikime naive dhe fëminore. Çka pasoi nuk ishte as shiu i dollarëve dhe as bashkimi me Evropën.

Sot, 35 vite më pas ngjarjet e dhjetorit ’90 kanë më së shumti vlerë për të analizuar kurbën e daljes së Shqipërisë nga sistemi totalitar komunist dhe tranzitimin e ngadaltë e plot gropa, kthesa e të përpjeta, drejt një shoqërie demokratike normale. Objektiv të cilin nuk e kemi arritur as pas tre dekadash e gjysëm hallakatjeje nëpër kallamishtet e tranzicionit.

Dekada e parë e tranzicionit, vitet 1991-2000, është ana tjetër e medaljes iluzive të rënies së komunizmit. Është ana e errët e një historie shprese dhe zhgënjimi. Qyteti Studenti u zbraz shpejt në dhjetor ’90 nga idealistët dhe vendin e tyre e zunë të rastësishmit dhe llogaritarët e pushtetit. Aq e vërtetë është kjo saqë teksa vendos përballë fotot e atyre ditëve, studentët dhe njerëzit e thjeshtë që gëzonin, me galerinë e fytyrave të pushtetit që u ndërtua mbi baltën e Qytetit Studenti, kupton sesa i rastësishëm, joprofesional dhe disa herë keqdashës e abuzues ka qenë shteti i ri që mori formë në fillimet e demokracisë shqiptare.

Në fakt teksa bën këtë fluturim në kohë, kupton të vërtetën e madhe se PD, si fryti madhor i lëvizjes studentore, qe një jo-projekt i lindur me nxitim për shkak të krizës së regjimit që po binte, e jo si rezultat i një kulture të konsoliduar demokratike. Karrieristë dhe të dështuar e të pakënaqur të regjimit komunist u kthyen në materien bazë që krijoi shtetin e të ardhmes. I cili kishte brenda shumëçka nga praktikat, fryma dhe konceptet bazë të shtetit të së shkuarës. Nuk pati një telajo sado të vagullt për të hedhur themelet e shtetit post-komunist, nuk pati traditë pluralizmi, nuk pati as organizata apo organizime të çfarëdo që të mbartnin mendimin alternativ. Ndërtuam mbi rërë dhe e pamë veten përtokë në tërmetin më të parë (kupto piramidat dhe vitin e mbrapshtë ’97)!

Përtej asaj që studentët dhe qytetarët e tjerë shpalosën në ato ditë dhjetori, ajo që pasoi më pas nisi si një histori e stisur keq qysh në krye të herët. Tamam si ajo këmisha të cilën e mbërthen keq në kopsën e parë dhe të shtrëngon në fyt në kopsën e fundit.

Pasi hoqëm qafe komunizmin, ju kthyem të heqim qafe gjithçka që trashëguam prej tij. Një operacion natyrisht i lëvdueshëm për pjesën e çmontimit të regjimit represiv, instalimin e ekonominë se tregut dhe hapjen e vendit ndaj botës, por jo në mënyrën sesi u sollëm me shtetin, administratën, drejtësinë, infrastrukturat, natyrën, me fenomene sociale si urbanizimi apo me dërgimin për skrap të thuajse gjithçkaje që breza shqiptarësh kishin ndërtuar me mund e djersë.

Asnjë studim paraprak, asnjë model ekonomik e zhvillimor, asnjë vetëfrenim i arsyeshëm për hapat që po hidhnim në errësirë. Thjesht pranim i thatë dhe mekanik i formulave shpesh idiote që vinin nga organizmat ndërkombëtare, ku burokratë të panjohur eksperimentonin me vendet lindore si me minjtë në një vazo qelqi.

Me qetësinë dhe kthjelltësinë që kemi sot, nuk na duhet shumë për të kuptuar sesa amatore, inatçore dhe e mbarsur me ideologji e propogandë boshe ka qenë dekada e parë e pluralizmit që erdhi pas Dhjetorit ’90. Një brez drejtuesish me kostume antikomuniste, që vepronin në mjaft raste pikë për pikë si aparatçikët e regjimit të saporrëzuar.

Dhe rezultantja e kësaj linje politike i dha frytet e saj të hidhura. Shqipëria e filloi epokën e pluralizmit politik duke parë të futej në burg kryetari i opozitës. Ajo qe këmbana e parë e deformimit demokratik që po pësonte vendi. Më pas erdhi demarshi për të instaluar një kushtetutë ku të gjitha pushtetet t’i kishte një dorë e vetme, Sali Berisha. Më pas pasuan piramidat dhe në fund, “qershia” mbi tortë, erdhi 97-ta e frikshme megjithë bilancin e saj tragjik. Shembja e shtetit dhe rrënimi deri në qelizë i gjithçkaje ishte ndërtuar. Ekuacioni i dekadës së parë të pluralizmit u mbyt në gjakun e derdhur pa e ditur pse dhe pa e marrë vesh për çfarë. Marrëzi kolektive për një vend që vegjentonte në një gjendje thuajse natyrore.

Të gjitha këto qëndrojnë pas atij shansi të humbur të vitit 1990, kur largimin e komunizmit dhe hapësirën e oportunitetet që sillte me vete ajo ngjarje, i deformuam duke ja vënë shtetin në dorë batakçinjve politikë dhe tregtarëve të paskrupullt të flamujve.

Një ëndërr e bukur u kthye gradualisht në makth, aq sa edhe sot askush nuk është në gjendje ta shpjegojë, fjala vjen,se përse kur ra sistemi komunist në dhjetor ’90 nuk u derdh asnjë pikë gjaku, por ama kur erdhi puna për të parin rotacion të pushtetit brenda sistemit të ri demokratik, u vranë nja 2 apo 3 mijë njerëz! Këtë paradoks sot nuk e shpjegon dot askush, përveçse me faktin se në vitin ’90 komunizmit i kishin rënë patkonjtë dhe shqiptarët donin lirinë, kurse në 1997 kur puna qe për ndarjen e pushtetit mes një klase politike të vradzhtë dhe përjashtuese (shto dhe fajdet), gara për pushtet u kthye në faturë gjaku.

Prandaj është mirë të përkujtohet e mbi të gjitha të studiohet Dhjetori ’90 me të gjitha efektet që prodhoi. Pa ditirambet e shëmtuara e glorifikimin grotesk që vërehet rëndom kur afrohet data, por me koshiencën se nga largësia e 35 viteve ka ardhur më në fund momenti për të pasur një refleksion mbi atë që shkoi mirë, por mbi të gjitha dhe kryesisht mbi atë që shkoi keq në atë moment ngjizjeje të vetëdijes sonë demokratike. Dhjetorin ’90 duhet ta kujtojmë për atë që fituam, por më shumë dhe më shpesh për atë që humbëm.

Sepse humbëm shansin për të vënë themelet e një shteti normal, një demokracie funksionale të rregulluar nga shteti ligjor dhe një vendi që të mban, jo që të përze 35 vjet rresht! Kishim shansin historik të ndërtojmë mbi rrënojat e komunizmit një shoqëri humane, e jo një kazan grykësish që abuzojnë me shtetin dhe me pushtetin. Për këto ja vlen vërtetë të kujtohet Dhjetori ’90!

The post Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm first appeared on JavaNews.al.

Lëvizja për pluralizëm/ Minxhozi: Grupi që shkoi te Ramiz Alia ishte i papërgatitur. E kishte filtruar informacionin

By: Rovena
8 December 2025 at 20:29

Këtë të hënë shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Në një rrëfim të detajuar në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi theksoi se grupi i studentëve dhe pedagogëve që u nisën drejt takimit me Ramiz Alinë “ishte i papërgatitur për madhësinë e momentit”, ndërsa udhëtimi drejt Presidiumit zhvillohej mes pasigurie dhe frike reale. Minxhozi tregoi se Alia kishte “filtruar informacionin” duke lënë të kuptohej se kishte shkarkuar disa figura të Byrosë Politike dhe ishte gati të shpallte pluralizmin politik, një lëvizje që, sipas tij, shoi tensionin e saposhfaqur dhe shënoi kthesën vendimtare drejt pluralizmit në Shqipëri.

“Ishte një grup i papërgatitur, po objektiv në punë. Sot edhe 35 vite larg, edhe dokumentet sekrete nuk janë më sekrete. Duhet të thuhet diçka, sepse koha ka bërë të vetën. Ai grup që shkoi te Ramiz Alia ishte i papërgatitur për momentin e madh për të cilin po shkonte. Ishte moment historik. Ka një detaj mendoj unë, që në Tiranë u hap lajmi që Alija kishte filtruar si informacion, kishte shkarkuar disa anëtarë të Byrosë politike.

 Pjesën e tij e menaxhoi shumë me takt, sepse ne shkuam për të kërkuar pluralizëm politik. Dhe na tha dy gjëra: kam shkarkuar më shumë se gjysmën e figurave komuniste, dhe e dyta shpall pluralizmin politik. Me pak fjalë solli makinën e zjarrfikëses në një zjarr që sapo kishte filluar të ndizej. Pjesa tjetër e takimit mbeti praktikisht bosh, sepse objektivi ishte arritur dhe çfarë do të flisnim. Por, kur ka ardhur ai autobusi i famshëm për të na marrë, ishte ndjesia se gjërat kishin shkuar atje ku duhej. Por ajo frika, ishte shumë e vërtetë, sepse realisht shkoje drejt një të panjohure. Ushtarë çdo 20 metra, me kallashnikov, ishte një derë e madhe, ne hymë në ato sixhade, që për ne na dukej një pallat perandorak”, tha Minxhozi./abcnews.al

Mund të tallesh me kafen po jo me krizën

28 November 2025 at 22:52

Nga Skënder Minxhozi

Mesazhi ishte i qartë. E bënte të qartë formati i “kafes”. Ishin ftuar të gjithë ata që kishin marrë më shumë vota në listat e hapura në 11 maj. Pra, fokusi ishte tek fenomene si Tabaku-Alimehmeti në qarkun e Tiranës, në antitezë të qartë me pjesët e mbyllura të listave, sektorin burokratik të grupit parlamentar të PD në Kuvend.

Organizatori Ervin Salianji ishte kujdesur t’i hidhte edhe benzinën përkatëse zjarrit mediatik që mori hov sapo takimi i mbajtur në një nga hotelet e Tiranës u bë i njohur për publikun. Diskutimet kishin prekur Kodin Zgjedhor, thirrjen e Këshillit Kombëtar të pambledhur prej kohësh që s’mbahen mend dhe në përgjithësi “kërkimi i një riorganizimi dhe riformimi të partisë, me qëllim forcimin e strukturave të saj, reformimin me qëllim fitoren dhe kthimin në qeverisje”, si deklaroi Aulon Kalaja, pjesëmarrës në kafenë fraksioniste.

Në kohën kur protestat tkurren në foltore dhe kur kandidatët e partisë në zgjedhje kombëtare zëvendësohen nga emra të panjohurish që doroviten nga palë të treta, ndodh që edhe një kafe mes njëzet a tridhjetë vetash kthehet me ose pa të drejtë në ngjarje për një parti politike. Dhe jo një parti nga këto që kanë një furgon vota e militantë, por një forcë politike që ka qeverisur Shqipërinë në rreth 40% të tranzicionit postkomunist.

Në kushtet ku ndodhet sot PD nuk ka gjë më normale që diçka e tillë të ndodhë, madje edhe në një mjedis ku prej 34 vitesh kriteri i vetëm i egzistencës ka qenë besnikëria ndaj kryetarit. Mesa duket, si çdo gjë që e ka një fund, edhe urtësia e demokratëve përballë humbjeve kilometrike elektorale që nga viti 2013, mund ta ketë një fund. Dhe ky fund duket se po merr më në fund trajta të shqueshme pas humbjeve turpëruese të këij viti kalendarik, secila më e ububushme se tjetra në natyrën edhe pigmentin e vet.

Partia Demokratike nuk e ka bërë ende analizën e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, megjithëse praktikisht ndodhemi në dhjetor. Sali Berisha ja arriti ta ruajë postin e kreut të partisë duke shpikur, sipas mjeshtrisë së vjetër, një diversiv. Ishte farsë tha Doktori dhe kaq mjaftoi që asgjë të mos ndryshojë në PD. Madje të mos hidhet as edhe një fjalë sa për të thënë rreth zgjedhjeve.

Kafeja kinse klandestine e Ervin Salianjit me një grup zyrtarësh të partisë është një gjest në dukje i ndrojtur e i pafajshëm. Dhe mbi të gjitha i padëmshëm. Mund të rezultojë fare mirë kështu, sepse historia e PD është e gjitha e mbushur me premisa fraksionesh, tentativa skizmash apo ëndrra të pavarurish. Që të gjithë të hedhur në kosh nga vullneti shtypës i kryetarit historik.

Gjendja ku vegjeton sot kjo parti dikur e madhe është më së paku depresive. Në fakt është një prelud shpërbërjeje të pakthyeshme, një tretje në ujë nga qëndrimi i stërzgjatur në opozitë, si rezultat i dëshirës maniakale të Sali Berishës për ta lidhur partinë pas qerres së fatit të vet. Këta 30 burra që guxuan të pinë kafe pa marrë lejen e Doktorit morën vërtet shpërfilljen e tij (takimet në kafe s’ja vlejnë të komentohen, tha Berisha), por nuk duhet harruar se PD ndodhet në një situatë kur edhe ajo zonja e Kamzës që u sherros me Flamur Nokën dhemb nëse largohet nga strukturat në bazë.

Megjithatë kafja mbetet kafe dhe me të nuk bën dot as gosti dhe as dasëm. Salianji, Alimehmeti dhe Aulon Kalaja kanë dhënë sinjale se nuk janë dakord me statu quonë e serialit të humbjeve të pafundme, por kjo është shumë pak në një seli ku ja kanë harruar shijen dhe ngjyrën fitores. Tani ata mund të mos i ngjajnë fraksionistëve të dikurshëm brenda PD sepse as kafja e tyre nuk ngjan fare me bodrumin e Gramoz Pashkos prej nga dolën mocionistët 30 vjet më parë. Por gjesti simbolik i tyre është padyshim një ndër indikatorët se dominimi i Berishës mbi partinë është një gjendje e thatë dhe mekanike që PD vazhdon ta zbatojë si një inerci e së shkuarës, e jo si vizion i së ardhmes.

Me ose pa Salianjin, me ose pa ata që pranuan të pinë një kafe me të për të hedhur në tryezë disa teza politike, kjo gjendje është aty dhe i ngjan një morti politik në konsumim e sipër. Shpotia e Doktorit për tryezën e kafes fraksioniste nuk e fsheh aspak shqetësimin se Berisha aktual është një politikan pa projekt, por vetëm me dëshirën obsesive për të ecur përpara edhe pa votues, edhe pa ushtarë, edhe pa gjeneralë, madje edhe pa ushtri fare. Dhe këtë rrënojë politike dikur sfiduese për të majtën, nuk ka ironi kafesh që e mbulon. Salianji e të tjerët mund të jenë vërtetë duke bërë një vrimë në ujë, Berisha mund të vijojë i pashqetësuar ta mbajë PD nën thundër edhe për shumë kohë akoma, por kriza mbetet aty. E madhe, e palëvizshme, e pakthyeshme.

The post Mund të tallesh me kafen po jo me krizën first appeared on JavaNews.al.

Balluku, shkon në Kushtetuese padia e qeverisë/ Minxhozi: Qeveria kërkon të ruhet pavarësia e drejtësisë

21 November 2025 at 15:38

Këtë të premte qeveria dërgoi në Kushtetuese ankimimin për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë në “News Hour” në ABC News u shpreh se është krijuar një situatë ‘atipike’, ndërsa shtoi se qeveria kërkon që të ruhet pavarësia e drejtësisë.

Gjatë intervistës, Minxhozi theksoi se panorama që parashtroi kryeministri Rama për këtë situatë ‘ka sens në funksion të ushtrimit të qeverisje nga ana e mazhorancës që ka fituar zgjedhjet’.

“Është një situatë atipike edhe kjo e sotmja. Nga njëra anë SPAK që thotë se pezullimi vjen si pasojë e një procesi hetimor ndaj saj. Ndërsa Rama sot parashtroi atë që mendonte për rastin Balluku dhe besoj e bëri në një ambient kuptimplotë në Samitin me Komisioneren e Zgjerimit. Pra nga njëra anë drejtësia pretendon të vijojë hetimet dhe të marrë masa dhe në anën tjetër qeveria kërkon që të ruhet pavarësia e saj. Panorama që ndërton Rama ka sens në funksion të ushtrimit të qeverisje nga ana e mazhorancës që ka fituar zgjedhjet. Ai thotë se nëse krijohen situata të tilla i bie që qeveritë mjafton vendime gjykatash që t’ju presin krahët këtyre lloj pushtetesh që me thënë të drejtën janë me rëndësi se burojnë nga një votim popullor. Ndodhemi në kushte kur zonja Balluku ka vendosur të ndjekë rrugën juridike dhe të përfaqësimit politik dhe kjo nuk do të thotë se nga ana e pushteteve të tjera të ketë një lexim të kujdesshëm të situatës. Pasi janë si të thuash situata të reja dhe nuk mendoj se ka një derë më të mirë se Kushtetuesja për të zgjidhur këtë ngërç. Pra them se fakti që qeveria kërkon që duke çuar rastin Balluku në Kushtetuese të interpretojë një situatë që në fakt është një ngërç kushtetues me një pushtet tjetër mendoj që është një lëvizje e duhur. Pra ndodhemi në tryezën e duhur dhe natyrisht afatet e Kushtetueses janë ato që janë, por mendoj që lëvizja e Ramës për të mos e dubluar Ballukun me një zëvendëskryeministër tjetër, ka të bëjë edhe me presionin që qeveria kërkon të vendosë edhe mbi Kushtetuese”, tha ai.

Më tej Minxhozi tha se qëndrimi i Marta Kos ishte një qëndrim i ekuilibruar, duke shtuar se Komisionerja për Zgjerim gjithashtu nënvizoi edhe suksesin që Shqipëria ka arritur duke ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur.

“Në fakt qëndrimi i Kos është një qëndrim i ekuilibruar dhe nënvizon suksesin që Shqipëria ka arritur dukë ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur dhe shton në fund se ky sistem ku jetojmë sot ndërtohet mbi të drejta dhe liri të individit”, tha mes të tjerash ai.

/abcnews.al/

“Procedura vlen edhe për SPAK”/ Minxhozi: Ky super pushtet i drejtësisë së re në funksion të gjyqit popullor, nuk duhet ‘mbi-duartrokitur’

20 November 2025 at 21:22

Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News tha se personi i hetuar duhet të ketë të drejta dhe t’i respektohen.

Minxhozi nënvizoi se është shumë e rëndësishme të respektohet procedura, kjo shtoi ai vlen edhe për SPAK.

“Në këtë rast kur ndodhemi përballë hetimesh dhe kanë një rezonancë publike të jashtëzakonshme…natyrisht duhet të kemi parasysh atë që duhet diskriminim pozitiv në fushën e të drejtave të standardit. Pra personi i hetuar të ketë të drejta që t’i respektohen. Duhet të respektohet procedura dhe shteti të vijë në procedurë. Në këtë pikë ku ndodhemi , para se të hyjmë në Evropë si shtet, ne duhet të hyjmë në procedurë. Kjo vlen për pushtetin qendror dhe pushtetin vendor, dhe me hyrjen në procedurë, nënkuptoj respektimin e të gjitha ligjeve, si edhe të kreut të shtetit, të institucioneve të tjera të pavarura… Ky super pushtet i drejtësisë së re sot në funksion të gjyqit popullor është diçka që duhet duartrokitur, por jo mbi-duartrokitur kur nuk është zhvilluar ende hallka e fundit. Pra nëse duam të hyjnë në Evropë duhet të jemi Evropë, para se të hyjmë në BE duhet të hyjmë pak në procedurë”, tha Minxhozi.

/abcnews.al/

 

Masat e sigurisë së GJKKO/ Kalaja: SPAK me dy standarde, Veliaj në burg… Meçe: Ka 13 akuza penale

By: Rovena
20 November 2025 at 21:11

GJKKO caktoi këtë të enjte dy masa sigurie, për kreun 2 të qeverisë Belinda Balluku. Kanidati i PD Aulon Kalaja i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News tha se SPAK është duke hetuar me dy standarde. Ai krahasoi veprimet e organit të drejtësisë me dosjen e Erion Veliajt dhe atë të Belinda Ballukut.

Aulon Kalaja: Po të shikosh standardin që SPAK ka përdorur ndaj Veliajt dhe Ballukun, për Veliajn ka zgjedhur burg dhe për Belinda Ballukun pezullim nga detyra. Ligji në këtë rast e pezullon për një mënyrë të shkurtër, 2-3 muaj si zëvendëskryeministre. Ka dy standarde. Unë gjykoj që masa e sigurisë ishte domosdoshmëri, pasi ka pushtet dhe në çdo moment mund të ketë aftësi të prishë provat. Natyrës së zëvendëskryeministres ka dy rreziqe, ka për të prishur provat, një rrezik për kryer një vepër penale adekuate ose më të madhe.

Nga ana tjetër analistët Skënder Minxhozi dhe Arben Meçen thanë se Veliaj mbahet në burg, pasi mbi të rëndojnë 13 akuza penale, dhe akuzohet për korrupsion me vlerë 90 mijë euro.

Skënder Minxhozi: Veliajt i janë mbyllur të gjitha tapat e hetimit dhe nuk e ushtron dot detyrën as për të ardhur në Këshillin Bashkiak. Çfarë standardi është ky?!

Arben Meçe: Veliaj ka 13 akuza. Ne e kemi penalizuar Erion Veliaj, 90 mijë euro që akuzohet Veliaj.

Të gjithë e dinë që Spak ka thirrur Berishën, përveç Berishës!

By: Re Nato
16 November 2025 at 17:22

Nga Skënder Minxhozi

Novela e famshme e Gabriel Garcia Markezit “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” është bërë e tillë, pra e famshme, pasi e gjithë fabula e saj ndërtohet mbi një absurd. I gjithë fshati e dinte se personazhi kryesor Santiago Nasari do të vritej, përveç vetë viktimës. Kjo mosdije mban gjallë lexuesin nga fillimi deri në fund.

I zhvendosur në ngjarjet e këtyre orëve në Shqipëri, realizmi magjik i Markezit i shkon fare mirë asaj që po ndodh mes Sali Berishën dhe SPAK. Fatmirësisht askush nuk po kërkon ta vrasë Doktorin, por thjesht t’i bëjë të ditur se duhet të para

qitet për një dëshmi në prokurori. Por në një sjellje që ka brenda mungesë totale serioziteti Berisha deklaron se po digjet nga dëshira për të dalë para prokurorëve për 21 janarin, por shton se këta s’e kanë njoftuar!

Nga ana e tij SPAK ka bërë të qartë se e ka njoftuar Berishën në disa adresa njëherësh, në parti, në banesën private dhe në parlament. Asnjëri nga demarshet nuk ka rezultuar i frytshëm. Çuditërisht të gjithë e morën vesh që Spak kërkonte Berishën me fletëthirrje në dorë, po vetëm ky i fundit kërkon të bindë mijëra shqiptarët që e shohin në televizor e media se ai ende nuk di gjë për kërkesën e prokurorëve të posaçëm.

Kjo që ndodh me 21 janarin i ngjan një tjetër dosjeje të vjetër në kohë, shumë kilometra larg Shqipërisë. Një krim i një natyre tjetër, që po tentohet të mbulohet. Është në fakt e njëjta situatë absurde. Këto orë presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të shtyjë anëtarët republikanë të Kongresit që të shmangin hapjen e dosjes së famshme Epstein, në të cilën ndodhen mbi 23 mijë emaile të miliarderit hebre të vetëvrarë Xhefri Epstein, ku Trump shfaqet si frekuentues i ambjenteve ku trafikoheshin vajza minorene dhe prostituta gjithfarësh.

Megjithëse një pjesë e madhe e opinionit publik amerikan e ka të qartë lidhjen e Trump me Epstein, kreu i Shtëpisë së Bardhë, ashtu si ish-kryeministri shqiptar në Tiranë me 21 janarin, bën të paditurin, përbetohet se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë lidhje me ato që përfliten.

Për t’u kthyer në Shqipëri, katërmbëdhjetë vjet më parë shteti vrau njerëz të pafajshëm dhe të paarmatosur në dyert e zyrave të tij. Dihet kush i vrau, dihet si u vranë. Është shumë vonë sot për të vendosur drejtësi për ata që humbën jetën e u plagosën nga plumbat e shtetit, por nuk duhet humbur asnjë mundësi sado e vogël për ta vendosur atë edhe sot pas 14 vitesh.

Sali Berisha thotë se ka kërkuar hetime qysh në orët e para pas masakrës në bulevard. Ai thotë se protestuesit i solli Edi Rama tek kryeministria “mish për top”, siç deklaroi vetë. Të paktën e pranon që protestën e opozitës e ka pritur me top! Përtej batutës, nëse Doktori është kaq i sigurt se s’ka bërë asgjë të keqe atë ditë, le të shkojë e të dëshmojë ato që di rreth asaj ndodhie të përgjakur. Le të provojë e të mohojë se i pengoi hetimet dhe ndali fletë-arrestet për gardistët e akuzuar për vrasje. Le të shpjegojë përse mallkoi presidentin e kryeprokuroren me fjalët më të ulëta vetëm për të trembur hetimet.

Le të provojë më pas t’i gjejë një shpjegim faktit flagrant dhe tejet skandaloz të fshirjes së serverave të Kryeministrisë nga të gjitha pamjet e 21 janarit, natën pas tragjedisë. Le të provojë të shpjegojë sesi ndërtoi një teoremë grushti shteti, të cilën nuk arriti ta vërtetojë dot as me ajkën e jurisprudencës së partisë së tij gjatë dy viteve hetime të komisionit të posaçëm parlamentar që ngriti me piskamë dhe urgjencë kur gjaku në bulevard nuk ishte tharë ende. Le të shpjegojë përse ky komision hetimor është i vetmi këto 34 vite që nuk ka prodhuar një raport final, pas dy vitesh punë për të gjetur fajtorët dhe provuar grushtin e shtetit!

Berisha ka rastin që të gjitha këto njolla të errëta t’i heqë nga vetja dhe t’ja faturojë mbi shpinë Edi Ramës, nëse vërtetë është ashtu siç ka pretenduar këto 14 vjet nëpër media e konferenca shtypi. Të shkojë e t’i provojë në të vetmin vend ku këto nuk quhen justifikime, propogandë politike apo fjalë pazari, por dëshmi zyrtare e marrë nga drejtësia shqiptare. Të pastrojë emrin e tij nga 21 janari dhe të bëjë pis atë të kundërshtarit, prandaj të shkojë një orë e më parë e të mos luajë me fletëthirrjet.

E ka kot që fshihet si në kohët kur Lulzim Basha, për t’i bërë bisht gjyqit për Rrugën e Kombit, njoftonte gjyqtarët se ndodhej herë në SHBA, herë në Bruksel e herë në Argjentinë. Sepse “askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e vet”, thotë diku Oscar Wilde.

21 janari është një vdekje ende e pakryer në ritin e saj, një tragjedi e pashpaguar me drejtësi, një gjakderdhje që kërkon arsye dhe autor. Dhe paqe padyshim. Prandaj edhe pas 14 viteve ajo kthehet e rikthehet në skenë, jo si një diversiv për të mbuluar të tjera ngjarje, por si një piketë tragjike e tranzicionit shqiptar, sqarimi i të cilës vazhdon të jetë imperativ i drejtësisë. Edhe i kësaj të resë, që u soll me 21 janarin me përtesë dhe pasivitet, derisa e detyruan të hapte letrat e të niste punën.

 

Humbja historike e PD/ Minxhozi: Partitë e reja po kaq humbëse sa Berisha. Leka: Dështim i madh i opozitës

By: Rovena
12 November 2025 at 20:20

Rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme lokale në pesë bashki të vendit Mat, Vlorë, Berat, Cërrik dhe Tepelenë ku Partia Socialiste siguroi fitore në të pesta, kanë sjellë reagime dhe analiza të shumta në arenën politike. Në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi dhe gazetari Martin Leka komentuan mbi domethënien politike të këtyre rezultateve, duke i konsideruar ato si një humbje të thellë për opozitën dhe veçanërisht për Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Minxhozi e cilësoi rezultatin si “një humbje të madhe” për Berishën dhe për partitë e reja opozitare, të cilat sipas tij “nuk duhet të ndihen mirë me këtë nivel mbështetjeje”, ndërsa Leka theksoi se partitë e vogla janë në bashkëfajësi me opozitën, pasi kanë mbështetur kandidatët e PD-së, duke shtuar se diferenca e madhe në vota nuk tregon thjesht një dështim elektoral, por krizën më të madhe të vetë PD-së dhe lidershipit të saj.

Skënder Minxhozi: Unë mendoj se është një humbje e madhe e Berishës dhe u bë e disata në fushatë elektorale, por që ka brenda edhe një element të fshehur, që unë e besoj. Nuk e di nëse ka qenë lojë, apo ka qenë e qëllimshme, por unë dot që edhe partitë e reja opozitare po kaq humbëse sa Berisha, në këtë rast. Sepse ata eksperimentuar. Nëse futim Tiranën në këtë logjikë që nuk pati zgjedhje, por edhe atje pati një fillim fushate edhe atje pati një hapje krahu nga një figurë që vinte nga arti, kishte të gjitha lidhjet e besueshme me PD, kishin dhe dy parti të tjera, Lapajn dhe Shehajn. Unë them që nëse s’ka qenë një lojë edhe për partitë e reja se çfarë duhet të bëjnë. Unë mendoj që edhe ato nuk duhet të ndjehen shumë mirë me këtë nivel. PD është kryesorja.

Martin Leka: Partitë e vogla, përjashto partinë e Qorit janë në bashkëfajësi me opozitën dhe PD, sepse kanë mbështetur kandidatët e PD. Kjo tregon që janë të dominuara nga pjesa më e dobët e PD, si partia kryesore. Po ta analizojmë më tej, unë mendoj që ka plot shkaqe, që unë nuk do e quaja si dështim të politikës, por si dështimin më të madh të PD-së dhe kryetarit të saj, Sali Berisha, më pas të partive të vogla. Është e frikshme sepse në këto bashki diferenca nuk bëhet në përqindje, por në 55%, në Tepelenë në favor të partisë fituese, më pas në Berat e Vlorë. Kur del Berisha dhe thotë që këto ishin farsë…Imagjinoni se çfarë impenjimi sjell PD në zgjedhje, e cila vazhdon me avazin se është farsë./abcnews.al

PS fitoi në 5 bashki/ Minxhozi: Dihej fituesi dhe humbësi! Zgjedhjet të dominuara nga saga juridike e Tiranës

By: Rovena
12 November 2025 at 20:14

Të dielën, më 9 nëntor, në vend u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashki: Mat, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Vlorë, ku Partia Socialiste arriti fitore në të gjitha garat. Megjithatë, procesi u karakterizua nga një pjesëmarrje shumë e ulët e votuesve dhe mungesë gare të mirëfilltë politike.

Sipas analistit Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, këto zgjedhje ishin më shumë një procedurë burokratike sesa një garë elektorale reale, pasi fituesi dhe humbësi njiheshin paraprakisht.

Ai vlerësoi se rezultati reflekton lodhjen e qytetarëve ndaj politikës dhe shkëputjen në rritje të elektoratit nga proceset zgjedhore, ndërsa fushata u zbeh nga debati juridik dhe politik për zgjedhjet në Tiranë.

“Vazhdoj të mendoj se në një palë zgjedhje, ashtu edhe në shprehjen e famshme të tangos, për të kërcyer duhen dy veta. Mendoj që nëse Sparta qan, Athina nuk qesh, që do të thotë se pjesëmarrja është e ulët dhe është e ulët përgjithësisht. Që do të thotë se alibitë dhe shkaqet, justifikohet janë. Ishin zgjedhje për rreth një vit e gjysmë mandat të mbetur, pa këshilla. Ishin zgjedhje që zhvilloheshin gjithashtu në klimën kur dihej fituesi, dihej dhe humbësi. Ishte një procedurë burokratike.

 Mendoj që edhe përmasat e fitores vlejnë deri diku që të realizohen. Sa i takon përshtypjes që të jepnin, të ngjallnin të njëjtin emocion që të ngjall siguracioni i rinovimit të makinës, pra ishte si një ditë votimi. Nuk kishte votim praktikisht. Për ta vënë në kontekst ishte 334 mijë votues në pesë bashki, nga të cilët votuan më pak se 60 mijë. Ndërkohë që Tirana në 2023-in ka pasur në listë 699 mijë votues, pra kanë qenë zgjedhje që u kryhen se duheshin kryer.

Vihet re mes rreshtash që ka një lodhje ndaj politikës, ka një shkëputje të qytetarit ndaj politikës. Këto ishin zgjedhje që edhe për shkak të sherrit procedural të Tiranës, kandidatët të të gjitha krahëve nuk patën fare pothuajse hapësirë për të shpalosur sado pak programin e tyre dhe për të bërë sado pak fushatë. Ka qenë e dominuar nga saga juridike, politike dhe kushtetuese e Tiranës, dhe kjo e dëmtoi disi pjesëmarrjen, hutoi votuesin dhe humbi rëndësinë e bashkive të tjera në garë”, tha Minxhozi./abcnews.al

Gara për Vlorën/ Minxhozi: Qeveria garon me vetveten. Dorëheqja e Leskajt? Dëmton PD, sinjal i fuqishëm politik

By: xhir jeta
9 November 2025 at 11:51

Në maratonën zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme vendore në 5 bashki të vendit, analisti Skënder Minxhozi komentoi edhe dorëheqjen e Bujar Leskaj vetëm 6 ditë para procesit zgjedhor.
Minxhozi tha se dorëheqja është një mesazh për kreun e PD, dhe jo një sobotazh për garën e Vlorës.

“Dredha largohet ndërsa Leskaj është një ngjarje politike, lidhet me një analizë të pakryer rreth asaj që ndodhi në 11 maj. Është një gjest i fortë i një politikani me përvojë si Leskaj, e djathta merr një goditje nga një person me impakt të caktuar në terren dhe jo të vogël. Pra, në Vlorë qeveria garon me vetveten më shumë risk shoh ndoshta konsumin e qeverisë në pushtet të së majtës, se sa e djathta.

Veprimi i Leskajt vjen më shumë si reagim i selisë qendrore, ka qenë drejtues zyrtar i lartë i shtetit. Ka qenë një mesazh për Berishën, nuk u larguar për të sabotuar garën e Vlorës. Kishte kohë që jepte sinjale se dicka nuk shkon mirë në PD.

Është një gjeneratë në PD që është e ndarë në dy grupime, një pjesë fanatikë të verbër që shkojnë pas Berishës, një pjesë që kërkon analizë cfarë nuk shkoi mirë. Largimi i Leskajt dëmton PD në e Vlorës por është sinjal i fuqishëm politik edhe për PD kombëtare,” -u shpreh Minxhozi./abcnews.al

Balotazh në Kosovë/ Nura: Prishtina, fillimi i fundit të Kurtit/ Minxhozi: Kurti izoloi Kosovën, po luan me të ardhmen

By: Rovena
9 November 2025 at 11:06

Në Kosovë po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët në 18 komuna pritet të zgjedhin kryetarët e rinj. Këto zgjedhje po mbahen në një klimë të ngarkuar politike dhe shihen si një test i rëndësishëm për forcën e lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

Analistët politikë Artur Nura dhe Skënder Minxhozi vlerësojnë se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të shënojë një pikë kthese për Kurtin. Sipas Nurës, Prishtina mund të jetë “fillimi i fundit” për kryeministrin, të cilin e cilëson si një lider populist dhe të papjekur, ndërsa Minxhozi thekson se rënia e mbështetjes për Vetëvendosjen tregon për izolimin politik të Kosovës dhe për ndikimin e humbur të faktorit ndërkombëtar.

Artur Nura: Prishtina është fillimi i fundit të Albin Kurtit. Kurti është një politikan populist, e cila rrezikon stabilitetin. Ai është një lider arrogant dhe i papjekur.

Skënder Minxhozi: Këtu ka shumë faktorë për të gjykuar rreth fundit. Kurti natën që fitoi zgjedhjet i quajti hajvanë kundërshtarët e tij politike. Në këto kushte krize, ku Kosova po lufton për të krijuar qeverinë, zgjedhjet lokale po marrin më shumë peshë. Gara që tregojnë gjithmonë diçka. Kemi një rënie të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Kurti ia doli që të izolojë Kosovën. Sot Kurtin e gjejmë me dyer të mbyllura në Europë, Britani dhe SHBA. Këtu lidhet me gjithçka që Kosova ndjehet e shkëputur. Nuk po luhet vetëm një lojë politike, por edhe e ardhmja e Kosovës. I kanë hequr faktorin kryesor, që e bënë për të atë që është sot, faktorin ndërkombëtar. Zgjedhjet e sotme influencohen nga situatë e mbarsur. Kanë një vlerë shumë konkrete./abcnews.al

“Europianët janë optimistë”/ Minxhozi: Berisha s’po e përtyp dot faktin që Shqipëria po bëhet gati të hapë grupkapitullin për BE

By: Rovena
6 November 2025 at 13:32

Analisti politik Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Neës Line” në ABC Neës, ka komentuar zhvillimet politike në prag të zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se nuk pret surpriza apo ngjarje të veçanta në këtë proces.

Sipas tij, rezultati pritet të sjellë vetëm një rikonfirmim të votave për Partinë Socialiste, ndërsa zgjedhjet do të shërbejnë kryesisht për plotësimin e disa pozicioneve të mbetura bosh. Minxhozi u shpreh gjithashtu se reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk lidhet me çështjen e barazisë gjinore, por me pakënaqësinë ndaj procesit të integrimit europian, në një kohë kur Brukseli po shfaq optimizëm për hapjen e grupkapitujve me Shqipërinë.

“Nuk shikoj ngjarje ditën e diel. Shikoj vetëm një rikonfirmim të votave të Partisë Socialiste. Nuk pres surpriza. Ju si gazetarë e keni prezent faktin që i vetmja gjë që bëri lajm ishte Tirana. Përtej bashkisë Tiranë nuk është se kishte ngjarje. Janë zgjedhje personash, jo zgjedhjesh ekipesh. Do të ndryshohen vetëm disa persona në zyrat që kishin ngelur bosh. Do kapin zgjedhjet.

Unë nuk mendoj se goditja e Berishës kishte të bënte me barazinë gjinore. Unë po e shikoj që Berisha s’po e përtyp dot faktin që Shqipëria po bëhet gati të hapë grupkapitullin për BE. Europianët janë shumë optimistë për këtë gjë, sa po na habisin edhe ne shqiptarët. Po reflekton mllefin që ka me Bashkimin Europian, këtë e reflektoi edhe në Kuvend. Lëvizja e barazisë gjinore nuk është një lëvizje fort e mençur, por mbetet për t’u theksuar se ata po shfrytëzojnë mundësinë”, tha Skënder Minxhozi.

Minxhozi: Vendimi për Veliajn, i shëndetshëm. Drejtësia e trajtoi atë si terrorist!

By: S M
3 November 2025 at 21:51

Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin për shkarkimin e Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë, ndërkohë që pezullon zgjedhjet për bashkinë më të madhe në vend. Analisti Skënder Minxhozi tha për ‘Real Story’ se Gjykata Kushtetuese i ‘tha qeverisë se duhet të futet në procedurë”.

Sipas tij, vendimi është i shëndetshëm dhe i bën mirë klimës politike. ‘Më pëlqen kur Gjykatat Kushtetuese kundërshtojnë qeveritë. Shembuj kemi pasur plot dhe këto raste i bëjnë mirë një demokracie. Vendim për Veliajn është i shëndetshëm pasi korrekton qëndrimin e qeverisë në rastin konkret. Gjithashtu i thotë Ramës je i fuqishëm por futu në procedurë.

Ajo që ka ndodhur me Veliajn është realisht e rëndë. Ai nuk u thirr të dëgjohet as në “qendrën e tij të punës”, imagjinoni. Në këtë qytet nuk ka një territor ku duhet të kishte më shumë empati dhe mirëkuptim për kreun e bashkisë Tiranë, sesa vetë godina e bashkisë. Ata nuk e ftuan dhe këtu luajti rol presioni i qeverisë. Në anën tjetër edhe kjo drejtësi është sjellë përtej rreshtave me Veliajn, e ka trajtuar atë si një terrorist. Trajtimi i tij nga shkurti pa akuzë, ka fshirë brutalisht konceptin e prezumimit të pafajësisë, duke e kthyer kreun e bashkisë në një shënjestër sulmesh ndërkohë që nuk ka nisur ende procesi gjyqësor për akuzat e ngritura ndaj tij. Erion Veliaj është trajtuar si një tabelë qitjeje duke na kujtuar situatat e vjetra me armiqtë e shtetit e partisë, të cilët masakroheshin publikisht ende pa u shpallur fajtorë nga gjykatat. Vendimi i sotëm i bën mirë klimës që është krijuar, pasi vendos një piketë të rëndësishme procedurale që lidhet me mandatin e kreut të bashkisë më të madhe në vend.

Me vendimin e sotëm bllokohet demarshi për ta çuar Tiranën në zgjedhje të parakohshme. Gjykata Kushtetuese në thotë se për ta bërë këtë duhet të kalohet nga neni 115 i Kushtetutës dhe kjo e bën të pacënueshme pozitën e Veliajt në raport me postin që mban”, tha Minxhozi.

The post Minxhozi: Vendimi për Veliajn, i shëndetshëm. Drejtësia e trajtoi atë si terrorist! first appeared on JavaNews.al.

Fatos Nano, lideri i pakopjueshëm i tranzicionit

1 November 2025 at 14:47

Nga Skënder Minxhozi

Shqipëria po ndahet këto orë me Fatos Nanon. Po i thotë lamtumirë njërit prej politikanëve më të rëndësishëm të saj, me habinë dhe paradoksin se kanë shumë vite që as e shohin rregullisht në ekrane e media, as e dëgjojnë nëpër debate e diskutime parlamentare dhe as ju duhet të merren me fanatikë të tij që ja përmendin emrin orë e çast në internet. Iku si një person dikur shumë i pushtetshëm, që kishte vendosur prej 20 vitesh të rrinte me çdo kusht larg zulmës së pushtetit dhe politikës. Fatos Nano ikën nga kjo botë si lideri politik që dha dorëheqjen nga politika aktive qysh në moshën 53 vjeç, duke ua përplasur derën në fytyrë atyre që kanë vendosur të vdesin në zyrën e kryetarit të partisë apo në poltronat e parlamentit. Mbetet i pakopjueshëm në sjelljen e tij politike, sepse bëri atë që askush para dhe pas tij s’e ka bërë dot.

Sot nga e shkuara e Fatos Nanos mbetet hipoteka e tij prej politikani liberal, mbetet profili i një kryeministri e partiaku që s’ka zot t’ja thyejë kush rekordin e dorëheqjeve nga maja e shtetit dhe pushtetit, sa herë që e nuhaste se “ishte tepër, më tej nuk shkohej”. Mbetet kujtimi i njeriut që duroi burgun e padrejtë, pa u tentuar në hakmarrje e shpagim.

Nano vendosi në mesin e barbarisë së viteve ’90, mu në zemër të epokës tonë më të vrazhdtë si popull, standartin e liderit politik që jo vetëm di të luftojë për postin, por di gjithashtu edhe ta zhveshë karrierën e tij personale nga etja për sukses me çdo rrugë e mjet dhe këmbëngulja për t’u gozhduar në karriget e larta në të cilat e uli momenti historik dhe aftësia e tij një kokë mbi të tjerët. E zhveshi politikën nga fetishi i suksesit me çdo kusht dhe nga fitorja personale e ndërtuar jo rrallë edhe mbi tragjedi kombëtare dhe gjak të pafajshëm. I dha formë institucionit të dorëheqjes në mesin e një elite ku ende sot është e ndaluar të heqësh dorë.

Ishtë një mrekulli e vogël politike fjala vjen, që ne të kemi pasur në momentet e kërleshjes tonë më të ashpër politike, një politikan i cili pasi bënte burg të padrejtë disavjeçar me dorën e kundërshtarit të tij, ulej me këtë të fundit e vendosnin për të zgjidhur presidentin dhe kryeprokurorin bashkarisht. E kemi pasur këtë standart falë Fatosit 25 vite më parë, ndërsa sot gjithçka ngjan flu dhe e pakapshme nën tam-tamin e partive të kthyera në arenën vetjake të kryetarit përkatës. Po hyjmë në Evropë, por këtë standart të 20 viteve më parë nuk dihet se kur do e arrijmë. Teksa shihje lehtësinë me të cilën ai largohej në momente tendosjesh politike, të vinte të pyesje se pse ulej me aq lehtësi të fliste me Berishën që e burgosi, nëse posti dhe pushteti fundja nuk ishin kaq të rëndësishme për të?!

I dyti kontribut i madh dhe emancipues politik që ai na la trashëgim, por që s’po mundemi ta klonojmë dhe as ta zbatojmë në epokën e Diellës e të Profesor Pilinçit, është stoicizmi me të cilin Fatos Nano kultivoi lirinë e debatit dhe përplasjes së ideve brenda partisë që drejtonte.

Nano e dinte mirë se çdo ditë dera e zyrës përballë në selinë e PS e mallkonte fund e krye. E dinte që e shanin edhe ata që e përshëndetnin korridoreve, e dinte se këtë bënte një listë e gjatë bashkëpunëtorësh të tij të vjetër e të rinj. Por çuditërisht, në një mjedis ku fjala vjen partia rivale gati sa nuk i rrihte ata që guxonin të kundërshtonin Berishën, në PS-në e Nanos ishte e lejueshme që të shihje me përçmim kryetarin, pa rrezikuar karrierën apo edhe lëkurën.

Periudha e Nanos në krye të PS përbën të vetmin eksperiment partiak në Shqipëri ku toleranca e mendimit ndryshe brenda një force të madhe politike mori formë konkrete dhe u zbatua për një kohë të gjatë.

Fatos Nano nuk pati as dëshirën dhe as u investua që ta shkelë me këmbë tranzicionin shqiptar nga pozita e kreut të partisë më të madhe, për ta dominuar atë. Siç kërkoi me çdo kusht ta bëjë Sali Berisha, megjithëse kishte rregullisht nja njëqind mijë vota më pak se Nano sa herë që votohej. Fatos Nano e shoqëroi këtë periudhë historikisht të komplikuar për shqiptarët me elegancë dhe me vetëdijen e empatisë politike që kërkonte momenti, me qëllim që të dilej nga tuneli i errët i dekadës së parë të pluralizmit.

Qeveritë e Nanos ishin një tentativë e lavdërueshme për një telajo kombëtare të daljes nga kriza identitare ku kishte hyrë Shqipëria pas rënies së komunizmit dhe cunamit të piramidave. E tillë ishte edhe qasja e tij ndaj temave madhore të ndarjes nga e shkuara, zhvillimi ekonomik, politika e jashtme dhe bashkëjetesa që duhej ndërtuar me kundërshtarët politikë pas një dhjetëvjeçari kacafytjesh.

Ironikisht Nano e ndoqi me insisitim këtë qasje shtensionuese, megjithëse qe lideri politik që provoi mbi lëkurën e tij persekutimin, heqjen e lirisë dhe gjithfarë privimesh që të sillte statusi i të qenit kundërshtari numër 1 i shtetit të Doktor Berishës së parë, ku rrugët ishin plot pluhur, banaqet e piramidave prisnin e përcillnin hallexhinj me tufa lekësh gjithë ditën dhe ku për një fjalë gojë gazetat digjeshin në mes të Tiranës.

Falë Fatos Nanos ne e dimë sot se një kryeministër apo kryetar partie në Shqipëri mund edhe të japë dorëheqjen kur humbet garën e radhës. E jo si krerët partiakë të tranzicionit që janë kapur me thonj pas poltronave edhe kur kanë humbur. Dinjiteti përballë humbjes, bashkë me tolerancën dhe hapjen e partisë socialiste janë meritat më të mëdha të këtij politikani race në një skenë politike ku asgje nuk zhduket por vetëm ndërron formë.

Sot emri i tij nuk ka më nevojë për asgjë që e lidh me këtë botë nga e cila u distancua njëzet vjet më parë. E pati parashikuar që historia do t’i vinte pas dhe kjo po provohet edhe këto orë të para pas vdekjes. Mjafton të lexosh çfarë shkruajnë për të edhe ata që dikur e donin të mbyllur përjetësisht në malet e Tepelenës.

The post Fatos Nano, lideri i pakopjueshëm i tranzicionit first appeared on JavaNews.al.

Zgjedhjet e majit nuk fitohen me raporte në tetor

By: S M
25 October 2025 at 14:31

Nga skënder Minxhozi/

E fundit herë që e majta dhe e djathta në këtë vend kanë ndarë një garë të vërtetë elektorale, ka qenë katër vjet më parë. Berisha asokohe ishte vetëm një pensionist luksi që luante gurët pas shpinës së Lulzim Bashës. Ilir Meta ishte president e jo i burgosur, ndërkohë që Monika Kryemadhi luftonte për vota siç vetëm ajo di të bëjë. Qeveria e pa veten atë vit në një konkurencë të vërtetë zgjedhore, e cila po të kishte brenda elementin e krijimit të koalicioneve, do të kishte shkaktuar edhe më tepër kokëçarje për Ramën në finishin e garës.

Krahasuar me ato zgjedhje, ku opozita ju afrua rrezikshëm shifrave të qeverisë në votë popullore, këto të 11 majit ishin thjesht një provë e dytë e pafuqisë politike të Sali Berishës. Prova e parë, ajo e zgjedhjeve lokale të vitit 2023 bëri që opozita të merrte vetëm 7 nga 61 bashkitë e vendit. Ra Shkodra dhe Bajram Curri, sa për të cituar dy fortesa të të djathtës. Edhe në vitin 2021 Basha e të tjerët kishin përballë të njëjtin kundërshtar me të njëjtat qasje e kapacitete për të akumuluar vota, por rezultati doli ndryshe. Rënia e PD nuk gjendet vetëm tek babëzia e socialistëve për të vjedhur zgjedhjet, por mbi të gjitha tek cikli i shprishur politik në kokën e partisë, ku Basha e Berisha luajtën vallen e shpatave duke bërë lëmsh lidershipin e momentit dhe para gjithçkaje tjetër, të ardhmen e PD.

Raporti i vëzhguesve të OSBE-ODIHR nuk e shkarkoi opozitën nga faji i 50 mandateve, duke ja faturuar humbjen katastrofike (13 deputetë më pak se viti 2021) vetëm abuzimit me pushtetin nga ana e qeverisë. Zgjedhjet ishin konkuruese thotë raporti. Gjithçka që del përtej këtij koncepti është pjesë e leximit të rezultatit të zgjedhjeve, jo vetë leximi. Dhe një pozicionim i tillë i vëzhguesve ndërkombëtarë ka qenë një standarte e të gjitha proceseve zgjedhore në Shqipëri qyshse ato mbahen mend. Dikur thuhej “parregullsitë nuk prekën thelbin e rezultatit”, kurse më pas me kalimin e viteve ky formulim është zëvendësuar me togëfjalëshin “zgjedhje konkuruese”.

Parregullsitë e vëna re në përdorimin e aseteve qeveritare në procesin elektoral janë një sëmundje bashkëshoqëruese e tranzicionit shqiptar. Kushdo që ka pasur pushtetin, është munduar ta përdorë për të gjeneruar vota. Ka pasur fjala vjen nga ata që inauguronin tunele autostradash pak orë para votës dhe që sot skandalizohen nga përdorimi i parasë publike për vota partiake.

Opozita e dinte qysh para zgjedhjeve se në lojë në 11 maj nuk ishte çeshtja e pushtetit, por përmasa e humbjes. Dhe humbja erdhi në dimensione të ngjashme me zgjedhjet lokale. Këtu bashkitë e humbura u zëvendësuan me mandate parlamentare të lëna rrugëve, diku në favor të partive të reja, diku tjetër në favor të qeverisë.

Në thellësinë dhe hendekun që kanë krijuar me palën kundështare, humbjet e dy votimeve të fundit nga opozitës rikonfirmuan, nëse ka pasur nevojë ta bëjnë, diagnozën tashmë të qartë që e mban opozitën të lidhur pas karros së humbësit. Lidhja e fatit personal të Berishës me partinë e tij krijon jo vetëm stanjacion dhe lidhje këmbësh me zinxhir për PD, por ndalon edhe të gjithë procesin politik që lidhet me rotacionin e lidershipit në pjesën tjetër të spektrit politik. Sa të jetë aty Berisha, aty do të jenë edhe krerët e tjerë partiakë që datojnë nga dekada e parë apo e dytë e pluralizmit.

Insistimi i Doktorit këto orë për të rikandiduar për kreun e partisë në pranverën e ardhshme, teksa kundërshtari i tij historik i dalë nga politika para 20 vjetësh (dhe 9 vjet më i ri se ai) lufton me jetën në një spital të Tiranës, është ironia e madhe që mban sot lidhur opozitën dhe fatin e saj elektoral. Sa herë që në horizont shfaqen një palë zgjedhje, siç ka ndodhur në dy vitet e fundit. Sa herë që në PD dikush hap si pa dashje temën e rotacionit të elitës më lartë drejtuese. PD kokën e ka në vitet ’90, kurse trupi lufton e përpëlitet në dekadën e tretë të viteve 2000. Ky Frankenshtajn politik është ende sot rrethana parësore e garancisë për fitore e socialistëve të konsumuar nga 12 vite pushteti.

Në këtë sens raporti i fundit mbi zgjedhjet e 11 majit nuk është as Grali i shenjtë dhe as sfera e kristalit për të korrigjuar një situatë fatalisht të bllokuar në kokën e Partisë Demokratike. Përveç vitit 1996, kur opozita fillimisht u vodh masivisht në ditën e zgjedhjeve, e dy ditë më pas hëngri edhe një dru kolektiv në sheshin Skënderbej në sytë e vëzhguesve të tmerruar pas xhamave të Hotel Tiranës – pra përtej këtij rasti ekstrem, asnjë mision vëzhgimi nuk ka dhënë opinion refuzues dhe skualifikues për zgjedhjet shqiptare.

Duke mos e ribërë nga e para fabulën e zgjedhjeve dhe duke mos vënë në pikëpyetje rezultatin final, raporti i OSBE-ODIHR e le elitën partiake të vendit në listën e saj të sëmundjeve endemike. Zgjidhja për humbjen nuk gjendet tek raportet e ndërkombëtarëve, por kryesisht brenda mureve të partisë humbëse. Natyrisht të një partie që ka fuqi dhe vullnet ta shohë krizën në sy, e jo të duartrokasë për kryetarin edhe në mes të qametit.

The post Zgjedhjet e majit nuk fitohen me raporte në tetor first appeared on JavaNews.al.

Raporti i ODIHR për zgjedhjet/ Minxhozi: Berisha humbi 13 deputetë, “shpik” farsën

23 October 2025 at 20:25

OSBE-ODHIR publikoi raportin me gjetjet final të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku në tërësi raporti thotë se fushata u zhvillua e qetë por polarizimi citohet nuk u shmang. Megjithatë shqiptarët, sipas OSBE- ODIHR patën mundësi zgjedhjeje mes disa alternativave më 11 maj.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi, teksa komentoi raportin final, u shpreh se asetet e administratës i ka përdorur edhe ish-kryeministri Berisha.

Gjatë analizës së tij Minxhozi solli në vëmendje disa nga fenomenet që sipas tij janë ende problematike, duke thënë se prej tyre vazhdon të jetë shitblerja e votës dhe po ashtu financat e fushatës.

“Në një analizë politike të shpejtë do të thoja që nëse krahasojmë 2025 me 2021, Berisha në krahasim me zotin Basha ka humbur 13 deputetë. Por i mëshon idesë së tij të një farse elektorale dhe aty mund të humbasë lehtë dhe të gënjehesh lehtë. Nëse qeveria ka mundësi të tilla që i japin rol predominand ndaj palës tjetër, kjo nuk ka të bëjë me këto zgjedhje, por me të gjitha zgjedhjet. Sepse kemi parë edhe kur Berisha bënte inaugurime…Që të vijmë tek gjetjet, unë do të kisha… unë do fokusohesha realisht, përdorimi i administratës do të duhet të ishte më i paktë dhe më i kontrolluar nuk di mjetet që mund të përdoret, por duhet të ketë reflektim për këtë, edhe financat. Infiltrime financiare në procesin zgjedhor dhe në garë ne e dimë që vazhdojnë të jenë të konsiderueshme. Edhe SPAK që me ju pat edhe një raport të shkruar…nuk e di çfarë ka prodhuar, por kaloi gjithë vera dhe nuk kemi parë njeri që të goditet për shitblerjen e votës…Edhe depolitizimi i Komisioneve që për mua tashmë është akut dhe nuk duron më”, tha Minxhozi.

“Viktima po shitet për agresor”/ Minxhozi: Baltoset lufta e UÇK, Haga nuk po bën drejtësi

By: Re Nato
17 October 2025 at 18:45

Analisti Skënder Minxhozi thotë se Haga nuk po bën drejtësi, teksa po baltoset lufta e UÇK.

Në një intervistë për ABC News, Minxhozi u shpreh se viktima, që është Kosova, po shitet për agresor dhe kjo nuk mund të qëndrojë.

Minxhozi shtoi se ndaj ish krerëve të UÇK në Hagë, rëndojnë akuza të fabrikuara.

“Procesi disa vjeçar ndaj krerëve ka arritur në një pikë delikate, ku gjithçka ka peshë. Kjo protestë e sotme, me mesazhet që dha, është pikë e rëndësishme që influencon në opinion bërje.

Ke shurdhëria dhe verbëria e dhomave speciale, në sensin negativ, kryesisht mbi baltën që janë munduar të provojnë, në tërësi, mbi imazhin dhe prestigjin e shtetit të Kosovës, baltoset edhe vetë funksioni që kanë persona kanë mbajtur, i janë atyre një peshë, jo të një individi të zakonshëm.

Këtu ka disa elementë që ndërthuren. Këtu kemi të bëjmë me gjeopolitikë, interesa shtetesh, kompleksi të madh, që Perëndimi filloi të dëshmojë kundër Serbisë.

Meqë në Hagë ka pasur kriminelë lufte, duhet të kemi edhe kriminelë shqiptarë të luftës. Viktima po shitet për agresor. Kjo është një e vërtetë që nuk mund të rrëzohet nga provat e fabrikuara.”, theksoi ai./abcews.al

Në Hagë ndodhet Kosova, jo Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexhepi

By: S M
16 October 2025 at 20:47

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ata që duan të fshihen pas gishtit, në lidhje me procesin disavjeçar që po mbahet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të lirë ta bëjnë këtë edhe nesër kur në Tiranë do të mbahet një protestë mbarëkombëtare ndaj kësaj tragjikomedie që po luhet nga Dhomat Speciale të Kosovës. Fundja është vetëm një zgjatim i një lufte të pistë politike që e ka mbajtur në ngërç Kosovën edhe para këtij procesi. Vetëm se në këtë rast, me kalimin e viteve, ky është tashmë një konflikt politik me një faturë të kripur jo për të akuzuarit, por për të gjithë popullin e Kosovës. Madje edhe për vetë projektin e Kosovës shtet i pavarur, demokratik e multietnik.

Hashim Thaçi dhe tre ish-zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit e të UÇK, përfaqësues të një epoke heroike për Kosovën, ndodhen sot përballë një procesi të montuar i cili po përbalt prej vitesh të gjithë Kosovën. Paraqet të shkuarën e saj të dhimbshme si një aferë trafiqesh njerëzore, shbën luftën e saj në krah të Perëndimit duke e paraqitur si një histori të pisët lufte civile me vrasje pas shpine brenda llojit dhe me abuzime të cilat si padashje, si rastësisht dhe ashtu spontanisht na afrojnë ne shqiptarëve me sojin më të keq të kriminelëve të luftës së ish-Jugosllavisë, që ka kaluar nëpër kalvarin ndëshkimor të Hagës.

Kosova është ulur sot me duart e një grupi të frustruar e të kompleksuar ndërkombëtarësh në të njëjtën karrige ku dikur rrinte Millosheviçi. Hiç më pak se kaq. Është e ulur aty edhe me duart dhe mendjen e mbrapshtë të një numri shqiptarësh, të cilët urrejtjen politike e personale e vendosin mbi çdo kalkulim tjetër shumë më sublim dhe afatgjatë që lidhet me imazhin, prestigjin dhe vetëdijen e Kosovës së re të pasluftës. Eshtë bashkuar në një baltosja ndërshqiptare me interesat dhe mendjet antishqiptare.

Pas luftës së vitit 1999, në Perëndim nisi një proces i gjatë, i cili vijon ende, për të shbërë historinë dhe rikthyer pas e ridimensionuar fushatën më të madhe humanitare të pasluftës së Dytë Botërore – atë të goditjes së regjimit kriminal serb që shfarosi, shpërnguli dhe dhunoi qindra mijë shqiptarë. Prej kohësh që tashmë s’mbahen mend Serbisë aktuale, e cila drejtohet në postet më të larta institucionale nga zgjatimet e dikurshme të Sllobodan Millosheviçit, i falet gjithçka, i jepen mundësi pas mundësish, i ofrohet me insistim një vend në tryezën e klubit perëndimor paçka se flirton hapur e në mënyrë të përsëritur me të gjithë ata që Perëndimi i konsideron si armiqtë e tij kryesorë. Aleate e Rusisë e Kinës, por edhe e mikluara e Evropës e Amerikës. Një alkimi që mund t’i tolerohet vetëm Beogradit.

Ndaj Serbisë ka një trajtim indulgjent e dorëlëshuar, teksa zëra gjithnjë e më insistues e shohin fushatën e NATO-s mbi Serbi si një “luftë kundër një populli kristian”. I fundit që e bëri këtë koment racist ishte djali i presidentit Trump, Don Junior gjatë një vizite në Beograd.

Në të njëjtin drejtim shtyjnë sot dhe një pjesë shqiptarësh që urrejnë UÇK, PDK dhe të gjitha siglat e tjera të cilat në një mënyrë a një tjetër e lidhin memorien kolektive me luftën e vitit 1999. Në një tjetër kontekst kjo do të ishte një luftë e ulët politike të cilën do ta zgjidhte vota e radhës. Por kjo që ndodh me Gjykatën Speciale të Hagës nuk zgjidhet me zgjedhjet e radhës. Kjo është një damkë e cila po u zyrtarizua, do ta regjistrojë përjetësisht lidershipin kosovar në listën e zezë të Mlladiçëve dhe Karaxhiçëve, sipas parimit “kanë kryer edhe shqiptarët krime, jo vetëm serbët, boshnjakët e kroatët”!

Pak ditë më parë një përfaqësuese e Vetëvendosjes bënte sherr me të gjithë të ftuarit në një studio debati në Tiranë, duke mbrojtur idenë se në Hagë nuk ndodhet Kosova, por individët Thaçi, Selimi, Krasniqi e Veseli. Nuk ka qasje më naive, keqdashëse e dritëshkurtër. Janë po ata që e lenë sot Kosovën pa qeveri, vetëm sepse vendosin arrogancën politike mbi interesin e vendit.

Në Hagë ndodhet Kosova, jo Thaçi e të tjerët. Po u sanksionua fajësia e tyre për krime të cilat kanë brenda shëmtinë e raporteve të Dick Martit për shtëpinë e verdhë apo për akuza që synojnë ta transformojnë luftën e UÇK në një konflikt civil bandash, dëmtohet jo vetëm e shkuara, por edhe ardhmja e Kosovës, ashtu siç e njohim sot. Ata që kanë futur në tharkun e gjykimit krerët e luftës së Kosovës kërkojnë ta fusin edhe këtë pjesë të Ballkanit në listën gri të krimeve e abuzimeve të luftës shfarosëse në ish-Jugosllavi. Ky është një projekt ndëshkimor për mbarë një popull, jo për katër burra që janë simboli i atij momenti kur Kosova formësoi pavarësinë e vet. Kush kujton se i shpëton kësaj të vërtete të thjeshtë, po gënjen veten. Dhe ata që e ndjekin.

The post Në Hagë ndodhet Kosova, jo Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexhepi first appeared on JavaNews.al.

❌
❌