Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një rast të vrasjes në tentativë në bashkëkryerje, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar në Prishtinë.
Sipas njoftimit, rasti kishte ndodhur më 2 mars 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Fatime Sokoli”. Pas veprimeve hetimore, më 25 dhjetor 2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 4.3 gramë, si dhe gjashtë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 66.58 gramë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/
Nga 1 janari sipas ligjit të ri do të nisë të zbatohet norma progresive e tatimit në pronë. Në bazë të ligjit pritet që pronave komerciale t’u rritet tatimi, siç thuhet, deri 300%. Në këtë situatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, përmend ambientin e rënduar në Kosovës për bizneset.
“Mes shumë sfidave që ka kaluar biznesi, sfidë e rradhës është edhe kjo, ligji i ri për tatimin në pronë që rrezikon bizneseve tu rritet tatimi në pronë deri në 200-300%…”, tha Rafuna për RTV21.
Qeveria në vitin 2024 përmes ligjit për buxhetin kishte prolonguar ligjin e ri për tatimin në pronë për janarin e viti 2026. Arsyetimi i ministrisë për shtyrjen e zbatimit të këtij ligji lidhet mos funksionalizimin e sistemit që bënë përllogaritjet e reja. Ndërkohë, në këtë situatë ish-ministri i financave Haki Shatri përmend sfidat që ka shtyrja e serishme e këtij ligji.
“Këta atë vit e shtynë ligjin përmes ligjit për buxhetin, dihet që atëherë kanë pasur 51% dhe ajo arroganca e numrave edhe ndodhi qysh ndodhi u prolongua. Tash prap përmes ligjit për buxhetin në një nen të veçant kanë vendosë me e shty, por, zvarritja që bënë në mosfromimin e institucioneve dhe shkuarja sërish në zgjedhje rrezikon që bizneset kësti i parë i tatimit në pronë t’i prekë me dyfish apo trefish më shtrenjtë bizneset…”, tha Shatri.
Aktualisht shkalla tatimore për pronat komerciale është 0.17% e vlerës së pronës. Në bazë të shkallës tatimore progresive komunat kanë hapësirë që të tatimojnë një pronë prej 0.10% të vlerës së saj deri në 1%. Në këtë mënyrë nëse vlera e një prone biznesore është 7 milionë euro dhe e njëjta me ligjin aktual ka paguar tatim rreth 12 mijë euro me shkallën tatimore progresive i bie të paguaj tatim mbi 26 mijë euro. Ndërkohë për pronat me vlerë mbi 100 milionë euro, bizneset do të paguajnë tatim minimalisht rreth 600 mijë euro. Në gjithë situatën e krijuar, shqetësimi kryesor për bizneset mbetet mos formimi i institucioneve të cilat do të mund të adresonin sfidën e rradhës që i pret bizneset për këtë çështje.
“Rreziku është që ska institucione dhe ligji do të hyjë në fuqi pa pasur mundësi të ndërrohet…”, tha Kushtrim Ahemti nga dhoma e tregtisë.
Taksa progresive e tatimit në pronë e cila shtrenjton tatimin në pronë për bizneset deri në 200% u tha se ndikon negativisht edhe tek investitorët e huaj për të cilët vlerësohet se Kosova ka nevojë të madhe.
Një person është arrestuar nën dyshimin për vjedhje të rëndë, pasi dyshohet se ka thyer disa vetura në parkingun e një objekti në Fushë Kosovë.
Sipas raportit policor, rreth orës 02:45 është raportuar se janë thyer gjithsej shtatë vetura, nga të cilat janë vjedhur gjësende të ndryshme, kryesisht vegla pune.
Njësitë e hetuesisë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, mashkull kosovar, dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar shumica e gjësendeve të raportuara si të vjedhura.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/
Evidencat e Sistemit të Menaxhimit të Integruar, flasin për rreth 500 mijë hyrje të qytetarëve të Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore. Ndërkohë një fluks i shtuar shihet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Policisë, të nxjerra nga Sistemi i Menaxhimit të Integruar dhe raportimet nga rajonet përkatëse, gjatë javës së kaluar janë regjistruar rreth 500 mijë hyrje të qytetarëve të Kosovës përmes pikëkalimeve kufitare tokësore dhe ajrore.
Zyrtar për informim në ANP ” Adem Jashari ” në Prishtinë bëjnë të ditur që festat e fund vitit janë duke i sjellur shumë bashkëkombës tonë, ndërkohë që linjat tona me vende tjerë të BE-ë janë ato të cilat po krijohen që të ketë qarkullim sa më të lirë e të mundshëm për qytetar të vendit tonë.
Kulmi i hyrjeve është shënuar gjatë fundjavës, ndërkohë krahasuar me vitin e kaluar është regjistruar një rritje prej 8 për qind në udhëtimet ajrore.
“Që nga 1 dhjetori deri më tani kemi procesuar rreth 270 mijë qytetarë. Nëse marrim totalin e udhëtarëve për vitin 2025, shohim një trend të vazhdueshëm rritjeje, me rreth 8% më shumë udhëtarë krahasuar me vitin 2024”, tha Valentina Gara, zyrtare për komunikim me publikun në ANP.
Aeroporti ka realizuar edhe avancime teknologjike për përmirësimin e shërbimeve.
“Shërbimet e reja, të mundësuara nga digjitalizimi dhe avancimet teknologjike, i lejojnë udhëtarët të kryejnë proceset e tyre, përfshirë regjistrimin e valixheve, pa pritur gjatë në radhë”, tha Gara për televizionin publik.
Investimet në teknologji bashkëkohore, shtimi i stafit dhe linjat e reja ndërkombëtare po mundësojnë kursimin e kohës dhe afrimin e bashkëkombësve me atdheun, duke mbështetur lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Gjilani përmes një komunikate zyrtare ka bërë të ditur se ka përfunduar bashkëpunimi me futbollistin Aridon Bllaca, me kërkesë të vet lojtarit.
Bllaca, i cili ishte pjesë e klubit që nga viti 2016, ka kaluar të gjitha fazat e zhvillimit brenda Gjilanit, nga shkolla e futbollit deri te ekipi i parë, ku për disa sezone ka qenë pjesë e rregullt e skuadrës.
Njoftimi i plotë i Gjilanit:
Sport Club Gjilani njofton opinionin publik dhe gjithë tifozët se, me kërkesë të vet futbollistit, është mbyllur bashkëpunimi me Aridon Bllacën.
Aridon Bllaca ka qenë pjesë e pandashme e Sport Club Gjilani që nga viti 2016, kur hapi hapat e parë të karrierës së tij futbollistike në Shkollën e Futbollit të klubit.
Përmes përkushtimit, disiplinës dhe punës së vazhdueshme, ai arriti të rritej profesionalisht dhe të bëhej pjesë e rëndësishme e ekipit të parë, duke mbajtur me krenari fanellën kuqebardhë për disa sezone me radhë.
Gjatë gjithë rrugëtimit të tij në klub, Bllaca u dallua për angazhimin dhe korrektësinë e treguar brenda dhe jashtë fushës së lojës, duke qenë shembull i një futbollisti që u formua dhe u zhvillua brenda familjes "kuqebardh".
Sport Club Gjilani shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Aridon Bllacës për kontributin e dhënë ndër vite dhe i uron atij shëndet, suksese dhe arritje të reja në vazhdimin e karrierës së tij sportive, si dhe në çdo sfidë që e pret në të ardhmen./Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka identifikuar drejtuesin e automjetit që më 23 dhjetor 2025 goditi një fëmijë 13-vjeçar në rrugën “Ali Aliu Kelmendi” në Prishtinë dhe iku nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka ndërmarrë veprime hetimore për të identifikuar personin e dyshuar.
Pas intervistimit, ndaj tij kanë filluar procedurat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia ka theksuar se aksidenti përfshinte një automjet dhe një këmbësor dhe se drejtuesi i automjetit ishte larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe përgjegjësive në trafik.
Një 21-vjeçar është arrestuar në Fushë Kosovë, i dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas policisë, rastet kanë ndodhur kryesisht në rajonin e Fushë Kosovës, ku nga tetë automjete të ndryshme janë vjedhur mjete pune dhe gjësende të tjera.
Gjatë bastisjes në vendbanimin e të dyshuarit, E.H., hetuesit policorë kanë gjetur dhe sekuestruar mjete pune dhe sende të vjedhura, të cilat më pas u janë kthyer pronarëve të tyre.
Personi i dyshuar, mashkull 21-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me këto raste po vazhdojnë.
Policia ka bërë të ditur se po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rasteve.
Me rastin e kremtimit të festës së Krishtlindjes, Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë Dodë Gjergji ka organizuar sonte pritje solemne, ku mori pjesë edhe e para e vendit Vjosa Osmani.
Gjatë fjalimit të tij, Dodë Gjergji tha se çdo shoqëri në këtë botë sot ka nevojë për paqe, dashuri e mirëkuptim.
“Festa e Krishtlindjes është festë e jona. Krishti, mbreti i paqes është për të gjithë, si çdo njeri dhe familje, vendi ynë dhe çdo shoqëri në këtë botë ka nevojë më së shumti sot për paqe dhe dashuri, mirëkuptim dhe gëzim ne zemrën e vet, sepse Krishti është drita që shndrin errësirën jo vetëm të natës së festës, por edhe të menduarit, ngjarjeve të cilat i jetojmë dhe që kanë kapluar në zemrën e njeriut një shoqëri apo familje. Le të jetë Krishti drita që shkëlqen në zemrën e secilit. Le të vazhdojmë së bashku për të lutur në këtë natë të shenjtë për secilin prej nesh për të gjitha besimet”, tha Dodë Gjergji.
Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se duhet të ndiqet shembulli i humanistes së madhe shqiptare Shën Nënë Terezës për të shprehur solidaritet me të gjithë ata që kërkojnë dhe kanë nevojë për ndihmë.
Ajo shpalosi edhe detaje nga vizita e saj në Vatikan, ku u takua me Papa Leonin e 14-të, me të cilin ka biseduar për rolin e Kosovës si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare.
Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për të avancuar miqësinë historike.
“Përtej dritave që vezullojnë dhe simbolizojnë shpresën, reflektojmë mbi bujarinë solidaritetin dhe bashkimin tonë si komb dhe shoqëri. Krishtlindja është frymëzim që na kujton se edhe përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa… sipas shembullit të Shën Terezës le të kujdesemi jo vetëm sonte por gjatë gjithë vitit që vjen për ata që presin ndihmën tonë dhe kanë nevojë për ngrohtësi njerëzore… Kam pasur nderin të pritem ditë më parë në audiencë private nga Papa Leoni i 14-të. Gjatë këtij takimi përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimet e misionit të tij dhe ftesën e përzemërt për një vizitë në Kosovë. Në këtë frymë biseduam edhe për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndër-fetare, me përvojën historike të qëndresës, sakrificës dhe mbijetesës sonë. Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për të avancuar miqësinë tonë historike duke udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë, paqja, dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe respekti”, tha Osmani. /KP/
Gjatë muajit nëntor, vlera e mallrave të cilat i prodhuam i shitëm në shtetet tjera, e mbuloi vetëm 15.7% të vlerës së mallrave që importuam nga vendet tjera.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave deficiti tregtar ishte fiks 469.9 milionë euro, pra eksportuam 87.7 milionë euro mallra, ndërsma importuam ose blemë nga shtet të tjera mallra në vlerë 557.6 milionë euro.
Sikurse çdo vit e muaj pas luftës, edhe gjatë nëntorit 2025 ekonomia vendore ka vazhduar të operojë me deficit, pra shumëfish më shumë kemi blerë mallra sesa që kemi prodhuar dhe shitur në vendet tjera.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se diferenca negative në favor të importit është pothuajse 470 milionë euro.
Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2025 kishte vlerën 87,7 milion Euro, ndërsa importi 557,6 milion Euro. Eksporti ka shënuar rënie për 9,5%, ndërsa edhe importi është ulur për 1,6%, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Eksporti e mbulon importin vetëm me 15.7%, pra gati 85% është diferenca negative e raportit eksport-import.
Metalet bazë e përbëjnë mbi 20% të eksportit, ndërkaq tek importi makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike e përbëjnë mbi 13% të sasisë.
Mbi 30% e eksportit shkon në Bashkimin Europian, e po ashtu mbi 43% të importit gjatë nëntorit erdhi nga 27 vendet anëtare të Unionit Europian.
Oda Ekonomike e Kosovës e ka pritur me shqetësin këtë raport duke vlerësuar se është pasqyrues i qartë për gjendjen e keqe në të cilën ndodhet ekonomia dhe prodhuesit vendor.
“Në qoftë se i shohim të dhënat e 11 mujorshit të vitit të kaluar me 11 mujorshin të këtij vitit shohim se importi po rritet, ndërsa eksporti ka ra dhe psh. mbulueshmëria është vetëëm 13%, e deficitit tregtar kurse në vlera e kemi mbi 5 miliardë deficitin tani që nuk e mbulojmë me eksportin”, ka deklaruar Lulzim Rafuna – Kryetar i Odës Ekonomike.
Sipas kryetarit të Odës Ekonmike përkundër parashikimeve shumë optimiste nga institucionet vendore mesatarja reale e rritjes ekonomike për këto 11 muaj është rreth 3.4%.
Sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, inflacioni për muajin nëntor ka arritur në 5.3%. /RTVD/
Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Ferizaj ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, i dyshuari F.A., 29 vjeç, dyshohet se më 9 dhjetor 2025, rreth orës 18:30, ka depërtuar me forcë në objektin fetar “Xhamia e Vogël”, ku ka vjedhur një shumë parash nga arka e bamirësisë.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar dy palë atlete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Policia Rajonale e Ferizajt thekson përkushtimin e saj për parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe garantimin e sigurisë për qytetarët dhe institucionet fetare.
Llapi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje të dyanshme me mesfushorin Kushtrim Shabani për përfundimin e bashkëpunimit.
Vendimi është marrë me mirëkuptim të ndërsjellë, pavarësisht se klubi llogariste në shërbimet e lojtarit edhe për vazhdimësinë.
Megjithatë, drejtuesit e KF Llapit kanë respektuar dëshirën e Shabanit për të ndërruar ambient dhe për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Kushtrim Shabani ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës ndër vite, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm me fanellën e KF Llapit. Së fundmi, ai arriti shifrën e 200 ndeshjeve zyrtare me klubin, një tregues i qartë i përkushtimit dhe profesionalizmit të tij.
KF Llapi e falënderon Shabanin për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në vazhdim të karrierës së tij. /Telegrafi/
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka prezantuar arritjet kryesore të vitit 2025, duke theksuar përparime të rëndësishme në rritjen e sigurisë, rehabilitimin e personave të privuar nga liria, profesionalizimin e stafit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Gjatë vitit 2025, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar përparime të rëndësishme në rritjen e sigurisë, rehabilitimin e personave të privuar nga liria, profesionalizimin e stafit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Një nga arritjet më të rëndësishme të këtij viti është vlerësimi ndërkombëtar i institucionit.
ShKK bën të ditur se është nderuar me çmimin prestigjioz “ICPA Award of Excellence” nga International Corrections and Prisons Association për projektin “Comprehensive Rehabilitation and Health Care”, i cili, sipas njoftimit, “dëshmon përkushtimin ndaj trajtimit human dhe rehabilitimit efektiv të personave të privuar nga liria”.
Po gjatë vitit 2025, Shërbimi Korrektues i Kosovës është bërë anëtar i EuroPris, rrjetit evropian të shërbimeve korrektuese. Sipas njoftimit, ky anëtarësim “hap rrugë të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim të praktikave më të mira në fushën korrektuese”.
Institucioni thekson se vëmendje e veçantë i është kushtuar rehabilitimit dhe risocializimit, ku “rreth 1300 të dënuar u përfshinë në programe rehabilituese, aftësim profesional dhe programe të punës”, me qëllim të rritjes së mundësive për riintegrim të suksesshëm në shoqëri.
Në aspektin e sigurisë, ShKK njofton se janë arritur rezultate konkrete në parandalimin e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese, duke garantuar “rend, disiplinë dhe një nivel më të lartë sigurie për të gjithë”.
Gjithashtu, gjatë vitit 2025 është investuar në ngritjen profesionale të stafit.
“Një numër i konsiderueshëm i oficerëve korrektues përfunduan trajnime të avancuara brenda dhe jashtë vendit ndërsa 15 oficerë korrektues kanë përfunduar me sukses trajnimin në Danimarkë në kuadër të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve në Qendrën Korrektuese në Gjilan", thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se drejtuesit e Shërbimit Korrektues kanë marrë pjesë aktive në forume dhe konferenca ndërkombëtare, ku kanë prezantuar reformat dhe përvojat e Kosovës, duke rritur dukshmërinë dhe besueshmërinë e institucionit.
Po ashtu, ShKK thekson se gjatë vitit 2025 ka avancuar zbatimin e standardeve evropiane, përfshirë metodologjitë e Këshillit të Evropës për menaxhimin e personave të dënuar për ekstremizëm të dhunshëm, me fokus në siguri, parandalim dhe shëndet mendor.
“Viti 2025 përfaqëson një periudhë të rëndësishme konsolidimi dhe zhvillimi për Shërbimin Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim, duke e cilësuar institucionin si “të besueshëm, profesional dhe të orientuar drejt sigurisë publike dhe rehabilitimit”. /Telegrafi/
Është mbyllur stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës me ndeshjen Drita - Prishtina që përfundoi 2-0 në të mirë të vendasve.
E pas 18 xhirove të zhvilluara, Ballkani është kampion vjeshtor dhe dimëron si lider. Skuadra nga Suhareka ka përfunduar pjesën e parë të kampionatit me 33 pikë, duke regjistruar 9 fitore, 6 barazime dhe vetëm 3 humbje, me golaverazh mbresëlënës 38:18, sulmi më i mirë në ligë deri tani.
Pas tyre renditet Prishtina me 30 pikë, e cila megjithëse ka të njëjtin numër fitoreje sa Ballkani (9), ka pësuar më shumë humbje dhe ka një golaverazh dukshëm më modest (32:26). Forma e fundit e kryeqytetasve ka qenë luhatëse, çka i ka kushtuar me humbjen e kreut.
Në vendet pasuese, Dukagjini dhe Drita ndajnë nga 29 pikë secila, duke qëndruar shumë pranë zonës së kreut dhe duke mbajtur gjallë ambiciet për titull.
Malisheva (27 pikë) dhe Gjilani (26 pikë) janë gjithashtu në garë për zonën e Evropës, falë një serie rezultatesh pozitive në javët e fundit.
Në pjesën e poshtme të tabelës, Llapi me 21 pikë ende nuk është i qetë, ndërsa presioni është shumë më i madh për Drenicën (20 pikë), Ferizajn (19 pikë) dhe Prishtinën e Re, e cila mbyll tabelën me vetëm 15 pikë dhe golaverazh -11.
Lufta për mbijetesë pritet të jetë tejet e ashpër në pranverë.
Skuadrat tani do të shfrytëzojnë pushimin dimëror për rikuperim dhe përforcime, por një gjë është e qartë: Ballkani e mbyll vjeshtën në maje dhe do të hyjë në gjysmën e dytë të sezonit me epërsi, por edhe me presionin e madh për ta mbrojtur pozitën e parë. /Telegrafi/
Drita ka triumfuar ndaj Prishtinës në ndeshjen e mbetur të xhiros së 13-të në Albi Mall Superligë me rezultat të pastër 2-0.
Kampioni në fuqi i Kosovës kreu punën në pjesën e parë, duke shënuar dy gola të shpejtë në minutat e 26-të dhe të 28-të.
Ishte minuta e 26-të e ndeshjes, kur Besnik Krasniqi harkoi bukur në zonë për të asistuar te Jorgo Pëllumbi i cili shënoi për 1-0.
Tre minuta më vonë, Besnik Krasniqi me një tjetër super asistim shërbeu Raddy Ovoukan i cili shënoi për 2-0.
Deri në fund të ndeshjes, Drita menaxhoi mirë rezultatin dhe u rikthye te fitorja pas katër ndeshjeve në Superligë.
Kësisoj gjilanasit e mbyllin me fitore stinorin vjeshtor dhe në pozitën e tretë me 29 pikë, një më pak se Prishtina që është e dyta dhe katër më pak se lideri Ballkani. /Telegrafi/
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) sot ka mbajtur një protestë në sheshin “Nënë Terezë”, saktësisht para zyrave qendrore të ndërmarrjes.
Protesta u mbajt me kërkesën për rritje pagash, ku punëtorët kërkojnë trajtim më të drejtë dhe përmirësim të kushteve ekonomike në përputhje me përgjegjësitë dhe rrezikun e punës së tyre.
Më poshtë mund t’i shihni fotografitë nga protesta.
Dogana e Kosovës gjatë vitit 2025 ka mbledhur 1 miliard e 968 milionë euro, tha drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu.
Llugaliu në një konferencë për media tha se kjo shumë është 135 milionë euro më shumë sesa në vitin 2024 dhe 75 milionë euro më shumë sesa në projeksionin e bërë në fillim të vitit 2025.
“Deri në ditën e fundit të këtij viti ne do të arrijmë të mbledhim 1 miliard e 968 milionë euro. Kjo shumë përmban 135 milionë euro më shumë sesa viti paraprak dhe tejkalon projeksionin prej 75 milionë eurosh. Ne vlerësojmë se janë disa faktorë kryesorë që kanë ndikuar në suksesin në të hyra, duke përfshirë rritjen ekonomike të gjithëmbarshme, mirëpo edhe gatishmërinë e bizneseve që të jenë të gatshme që t’iu përmbahen ligjeve sa i përket pagesës së tatimeve. Kjo është edhe më e theksuar kur kemi parasysh faktin se afër 98 për qind të hyrave deklarohen përmes deklarimit vullnetar”, tha ai, raporton kp.
Llugaliu tregoi edhe bilancet tregtare gjatë vitit 2025, ku Kosova gjatë këtij viti ka eksportuar mallra në vlerë 929 milionë euro.
Kosova ka eksportuar më së shumti në Shqipëri me 157 milionë euro, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 136 milionë euro.
Ndërkaq, Kosova ka importuar më së shumti nga Gjermania në vitin 2025, plot 965 milionë euro.
“Eksporti deri më 21 dhjetor është 929 milionë euro, krahas 942 sa ka qenë tërë viti i kaluar. Eksportet kryesore që kemi pasur janë Shqipëria me 157 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 136 milionë, Gjermania 106 milionë, Zvicra 100 milionë, Serbia 60 milionë. Ndërkaq, sa i përket importeve e kemi Gjermaninë me 965 milionë, Turqinë me 903 milionë, Kinën 892 milionë, Italinë 359 milionë, ndërkaq Maqedonia e Veriut 344 milionë euro”, tha ai.
Ai shtoi se Dogana e Kosovës gjatë vitit 2025 ka pasur përmirësim të vazhdueshëm në luftimin e ekonomisë joformale.
“Dogana ka pasur një përmirësim të vazhdueshëm në luftimin e ekonomisë joformale, duke qenë se kemi 18.6 milionë euro vlerë të mallrave që kanë qenë subjekt i zbulimit, ndalimit, sekuestrimit apo konfiskimit. Po ashtu, edhe me veprimet administrative kemi pasur një rritje të theksuar te impakti i drejtpërdrejtë i luftimit të ekonomisë joformale. Këtë vit arritëm në vlerën 42 milionë, krahas 32 sa ka qenë në vitin paraprak. Padyshim pjesa e veriut ka qenë problem i pazgjidhur një kohë të gjatë dhe është përdorur si strehë jo vetëm nga pjesa e kontrabandës, por edhe e formave të tjera të krimit. Ne kemi pasur rastin e hetimit për kontrabandë dhe kemi gjetur se ajo pjesë është përdorur edhe për trafikim të qenieve njerëzore”, shtoi ai.
Pjesë e konferencës ishte edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili përgëzoi Doganën e Kosovës për performancë pozitive, derisa tha se vendi po i afrohet shifrës rreth 1 miliard euro eksporte.
“Në pesë vitet e fundit, kishte vazhdimisht tejkalim të projeksioneve, në raport me atë se çka ishte projektuar në fillim të vitit sa i përket të hyrave të mbledhura deri në fund të vitit. Kjo tregon për një sukses të vazhdueshëm në rritje dhe kjo i bie se edhe ne projeksionet tona duhet të fillojmë t’i përshtatim me tempin e ri të doganës. U pa suksesi edhe sa i përket rritjes së eksporteve. Paraqitet një trend i theksuar këto pesë vitet e fundit në raport me pesë vitet paraprake, ku tashmë jemi afruar shifrës prej 1 miliard euro”, theksoi ai.
Produktet që më së shumti po eksporton Kosova janë mobiliet, produktet e ndryshme të plastikës, mineralet, xehet, pijet dhe ushqimet e ndryshme. /
Policia e Kosovës në prag të festave të fundvitit ka bërë apel që festat të kalohen qetë dhe pa përdorim të mjeteve pirotenike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në një mesazh drejtuar qytetarëve bën të ditur se kanë hartuar planet policore të cilat parashohin masat dhe shtimin e prezencës policore.
“Tani jemi në prag të festave të fundvitit. Në emër të Policisë së Kosovës ju urojmë festat e fundvitit, me urimin që ju dhe familjet tuaja të gëzoni shëndet dhe mbarësi në jetë.
Si çdo vit edhe këtë vit, pritet të organizohen manifestime të ndryshme, si në ambiente familjare, në ambiente të hapura, po ashtu edhe në sheshe e lokacione të mbyllura.
Për të kaluar festat sa më qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës ka hartuar me kohë planet policore të cilat parashohin masat dhe shtimin e prezencës policore.
Mirëpo, një kontribut të madh dhe të pamohueshëm në siguri dhe parandalim të incidenteve mund të jepni edhe ju qytetarë të dashur dhe këtë më së miri mund ta bëni duke festuar në mënyrë të qetë e të drejtë, pa përdorim të mjeteve të rrezikshme, e sidomos pa përdorimin e tyre nga fëmijët.
Andaj, të festojmë dhe të kontribuojmë së bashku, që këto festa të kalojnë të qeta dhe pa incidente”.
Kosova ka shënuar përparim në Indeksin e Pasaportave Henley, një renditje ndërkombëtare që mat fuqinë e pasaportave, duke u renditur tani në vendin e 62-të globalisht.
Sipas këtij indeksi, qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë pa vizë në 81 vende të botës, shkruan Telegrafi.
Ky është një përmirësim krahasuar me vitin 2024, kur pasaporta kosovare ishte në vendin e 68-të, derisa matjet e fundit janë kryer më 10 dhjetor.
Foto: henleyglobal.com
Rritja reflekton përpjekjet diplomatike të Kosovës dhe avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare që lehtësojnë lëvizshmërinë e qytetarëve.
Në rajon, Kroacia vazhdon të mbetet lider, duke zënë vendin e shtatë me 184 vende të aksesueshme pa vizë, në të njëjtin nivel me vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Singapori vazhdon të kryesojë listën me 193 vende, duke ruajtur pozitën e tij si pasaporta më e fuqishme në botë, falë lidhjeve të forta diplomatike dhe fuqisë ekonomike.
Ky përparim i pasaportës kosovare konsiderohet një lajm i mirë për qytetarët, duke i mundësuar udhëtime më të lehta dhe zhvillim të mundësive të reja për biznes, arsim dhe turizëm. /Telegrafi/