Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Leku: Çështjet pronësore vazhdojnë të jenë ndër më të ndërlikuarat, mungesa e të dhënave kadastrale mbetet problem kyç

26 December 2025 at 11:02


Çështjet pronësore dhe trashëgimore vazhdojnë të mbeten ndër temat më të ndjeshme dhe më komplekse për sistemin gjyqësor të Kosovës, ndërsa mungesa e dokumentacionit kadastral dhe rrethanat historike vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve gjyqësore.

Kështu ka deklaruar gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Zenel Leku, në podcastin për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, ku ka theksuar se këto raste kërkojnë trajtim të veçantë dhe profesionalizëm të lartë.

“Çështjet pronësore janë çështje të ndërlikuara. Vendimmarrja shpeshherë komplikohet për shkak të mungesës së të dhënave kadastrale, pasi dihet që gjatë luftës ato janë marrë dhe janë dërguar në Serbi, gjë që edhe sot paraqet problem serioz në vendimmarrje”, ka thënë Leku.

Sipas tij, përkundër përpjekjeve për trajtim më efikas, gjykatat përballen me ngarkesë të madhe të lëndëve, sidomos në vitet e fundit për shkak të kontesteve të natyrës tjetër, siç janë ato të punës.

Gjyqtari Zenel Leku gjatë podcastit në Telegrafi.com /Foto:Ridvan Slivova

“Vërehet një qasje më pozitive dhe trajtim më i shpejtë i këtyre rasteve, por ngarkesa e madhe me lëndë të tjera, sidomos kontestet e punës, ndikon drejtpërdrejt edhe në zvarritjen e çështjeve pronësore”, ka shtuar ai.

Gjyqtari i Gjykatës Supreme ka bërë të ditur se mesatarja e trajtimit të çështjeve pronësore në Kosovë sillet rreth pesë vjet, duke theksuar se po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të përputhet me standardet evropiane.

“Sipas studimeve, çështjet pronësore zgjasin mesatarisht rreth pesë vjet. Po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të jetë brenda standardeve që kërkohen edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar Leku.

Ai ka përmendur gjithashtu se mungesa e komunikimit procedural me Serbinë mbetet një nga faktorët kryesorë që pamundëson trajtimin e disa rasteve.



“Ligji përcakton mënyrën e komunikimit me palët në procedurë. Kur komunikimi është i pamundur, gjykata detyrohet të ndërpresë ose të pushojë gjykimin”, ka sqaruar ai.

Duke folur për të drejtat e grave në trashëgimi, Leku ka vlerësuar se ka një trend pozitiv sa i përket vetëdijesimit dhe paraqitjes së rasteve nga gratë në gjykatë, megjithatë sfidat mbeten të pranishme.

“Vërehet një trend pozitiv i paraqitjes së rasteve nga gratë që kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre nga trashëgimia ose pasuria e përbashkët e bashkëshortëve”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se përjashtimi nga trashëgimia përbën shkelje serioze dhe në disa raste edhe vepër penale.

“Ka raste kur trashëgimia hapet pa u njoftuar trashëgimtarët, kryesisht gratë, dhe kjo përbën shkelje serioze. Trashëgimtari nuk mbetet pa pjesën e tij dhe ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës”, ka deklaruar Leku.

Gjyqtari Zenel Leku gjatë podcastit në Telegrafi.com /Foto:Ridvan Slivova

Leku ka nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të praktikës unike gjyqësore, duke përmendur mendimet juridike të Gjykatës Supreme si instrument kyç për sigurinë juridike të qytetarëve.

“Ndërtimi i praktikës unike është shumë i rëndësishëm për sigurinë juridike të qytetarëve. Vendimmarrje të ndryshme për rrethana të njëjta krijojnë pabarazi dhe pasiguri”, ka thënë ai.

Në fund, gjyqtari i Gjykatës Supreme u ka bërë thirrje qytetarëve që të besojnë në sistemin gjyqësor.

“Mesazhi im është që qytetarët të besojnë në sistemin gjyqësor. Ne jemi këtu për të bërë të gjitha përpjekjet që të realizohen të drejtat e tyre”, ka përfunduar Leku. /Telegrafi/

Ky publikim është prodhuar nga Telegrafi në kuadër të projektit PIAKOS, zbatuar nga ATRC dhe financuar nga Banka Botërore – Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ATRC-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtimin, apo Telegrafit.

Dyshohet si pjesëmarrës në masakrën e Malishevës, Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim

19 December 2025 at 17:15


Gjykata Supreme e ka kthyer në rivendosje çështjen e paraburgimit për të akuzuarin për krime lufte në Malishevë, Ramadan Morina, dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit për paraburgim ndaj tij.

Megjithëkëtë Supremja ka vendosur që Morina të qëndrojë në paraburgim derisa Gjykata Themelore të marrë vendim për këtë çështje në rivendosje.

Më 6 nëntor Themelorja ia kishe vazhduar paraburgimin Morinës për dy muaj, ndërkohë që Apeli, e kishte vërtetuar këtë vendim më 2 dhjetor.

Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina, avokati Arianit Koci. Ai ka pretenduar se ka shkelje të dispozitave të procedurës penale që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor dhe ka propozuar që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me një masë më të butë.

Sipas pretendimeve të Kocit, kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i është dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e mbrojtësit të pandehurit janë të bazuara. Siç del nga shkresat e lëndës, mbrojtësi i të pandehurit, edhe më herët ka parashtruar pretendimin se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i është dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të KPP-së”, thuhet në vendimin e Supremes.

Prokuroria Speciale të enjten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morina, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Aprovohet padia e KDI-së, shfuqizohet kufizimi në kohë i të drejtës për kompensimin e udhëtimeve zyrtare

18 December 2025 at 13:42


Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e paraqitur kundër të paditurës, Qeveria e Kosovës.

Në njoftim të Gjykatës është bërë i ditur se është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 6 paragraf 6 i Rregullores (QRK) nr.06/2023 për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

“Paditësi KDI, në Gjykatën Supreme të Kosovës, ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores (QRK) nr. 06/2023 Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi, në muajin korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendosë kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj.

“Por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë”, thuhet tutje.

“Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon thelbin e së drejtës së garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Si përfundim, Gjykata Supreme, shfuqizoi këtë nen të paligjshëm”, thuhet më tej. /Telegrafi/

Vendimi i Supremes në favor të ushtarëve të FSK-së, ndryshohet rregullorja e udhëtimeve zyrtare

17 December 2025 at 15:43


Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar kërkesën e KDI-së për anulimin e një pjese të Rregullores për kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook të KDI-së.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se një grup ushtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë drejtuar KDI-së për të kërkuar ndihmë ligjore pasi nuk po kompensoheshin për udhëtimet jashtë vendit kur shërbenin më shumë se një muaj.

“Pas shqyrtimit të rastit, #KDI ka gjetur se rregullorja në fuqi i vendoste ata në një pozitë të padrejtë. Gjykata Supreme tani e ka vërtetuar këtë, duke konfirmuar se rregullorja kishte tejkaluar ligjin dhe duhej ndryshuar. Ky vendim është një hap i rëndësishëm për drejtësi dhe trajtim të drejtë të ushtarëve tanë, dhe një dëshmi e ndikimit që mund të ketë raportimi i qytetarëve dhe puna jonë për llogaridhënie”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


​Pensionistët nuk detyrohen më të paraqiten për të vërtetuar se janë gjallë

17 December 2025 at 15:00


Pensionistët nuk do të jenë më të detyruar të paraqiten çdo gjashtë muaj pranë autoriteteve shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, për të vazhduar marrjen e pensionit.

Ky vendim vjen nga Gjykata Supreme, e cila shpalli të paligjshëm udhëzimin administrativ që parashikonte këtë rregull. Vendimi u bazua në padinë e E.Sh.

Në vendim theksohet se Ministria ka përgjegjësinë për të monitoruar nëse pensionisti është gjallë, duke u përjashtuar qytetarët nga kjo detyrë. Për pasojë, pensionistët nuk mund të penalizohen nëse nuk paraqiten pranë autoriteteve.

Për më shumë lexoni vendimin e Gjykatës Supreme të plotë:

Gjykata Supreme e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit E.Sh., e paraqitur kundër të paditurës Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) - Departamenti i Pensioneve.

Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi.

Paditësi E.Sh., ka parashtruar padi kundër të paditurës, MFPT, për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ - Udhëzimin Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk janë në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm.

Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se aktet nënligjore vlejnë vetëm sa kohë janë në pajtim me ligjin, ndërsa një rregullim i tillë nënligjor, i cili prek në mënyrë materiale të drejtat e qytetarëve, siç trajtohet pensioni, mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me akt nënligjor.

Kompetenca e Ministrisë, kufizohet vetëm në rregullimin e mënyrës teknike të suspendimit nga pagesa, dhe assesi në krijimin e detyrimeve, afateve apo pasojave materiale që nuk i parasheh ligji.

Ligji Nr. 04/L-131 Për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nuk përmban asnjë element që do t’i jepte Ministrisë kompetencë të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast mos-lajmërimi.

Suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit, dhe jo e para. Për këtë arsye, Gjykata Supreme konstaton se dispozitat e UA nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë mos-lajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme.

Supremja rrëzon shkarkimin e Besim Kelmendit, e quan vendim të kundërligjshëm

17 December 2025 at 11:19


Gjykata Supreme e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke e anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e tij nga detyra.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se vendimi KPK.nr.1056/2025, i datës 20 nëntor 2025, është marrë në kundërshtim me ligjin, duke e kthyer lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje në KPK.

“Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmend dhe ka anuluar vendimin si të kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas Gjykatës Supreme, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore dhe në mbështetje të nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, është konstatuar se përfundimi juridik i KPK-së nuk është i drejtë.

“Qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm”, vlerëson Gjykata, duke shtuar se vendimi për shkarkim është i përfshirë në “shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës” të ligjit përkatës dhe të Kodit të Etikës Profesionale për Prokurorë.

Vendimi për shkarkim ishte bazuar në pretendimet se Kelmendi, përmes deklarimeve në Këshill dhe në media, kishte shprehur qëndrime të njëanshme që, sipas KPK-së, kishin cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial.

Megjithatë, Gjykata Supreme ka konstatuar se këto pretendime nuk janë trajtuar në mënyrë të ligjshme dhe procedurale.

Në arsyetim theksohet se vendimi është “i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë”, duke qenë se është kontradiktor në vetvete dhe i mbështetur në dispozita që “nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar KPK-ja".

Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se e gjithë procedura, duke përfshirë rendin e ditës, votimin, procedimin dhe rihapjen e mbledhjeve, ka qenë e pambështetur në ligj.

“Është procedurë e pa mbështetur në ligj deri te vendimi i atakuar për shkarkim”, thuhet në njoftim.

Me këtë vendim, çështja e Besim Kelmendit kthehet për rishqyrtim në Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili obligohet të veprojë në përputhje me gjetjet dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme. /Telegrafi/

Gjykata Supreme refuzon ankesën e LVV-së lidhur me qendrat e votimit jashtë Kosovës

8 December 2025 at 18:31


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) rreth vendimit të PZAP-së për ndalimin e votimit të bashkatdhetarëve në qendrat e votimit të identifikuara përmes përfaqësive diplomatike.

Gjykata Supreme ka thënë se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i datës 30.11.2025 është vërtetuar.

“PZAP, me vendimin ZP.Anr.3/2025, të datës 30.11.2025, ka pranuar si të bazuar ankesën ZP.A.nr.3/2025, e datës 27.11.2025, e parashtruar nga Subjekti Politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe ka ndryshuar vendimin Nr.01/3438-2025, të datës 26.11.2025, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit, ashtu që si Qendra të Votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës nga shqyrtimi i shkresave erdhi në përfundim se ankesa e ankuesit është e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm

“Gjykata Supreme mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës”- thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Paneli me të drejtë vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë”.

Lëvizja Vetëvendosje më 03.12.2025 ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së për ndalimin e votimit të bashkatdhetarëve në qendrat e votimit të identifikuara përmes përfaqësive diplomatike.


Gjykata Supreme refuzon shumicën e ankesave për zgjedhjet lokale - 7 pranohen, 32 hidhen poshtë

3 December 2025 at 15:58


Gjykata Supreme e Kosovës ka finalizuar shqyrtimin e të gjitha ankesave administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë procesit të Zgjedhjeve Lokale 2025.

Sipas njoftimit, gjithsej 42 ankesa janë trajtuar nga kandidatët për kryetarë komunash, kandidatët për asamble komunale, subjektet politike si dhe qytetarët me të drejtë vote. Prej tyre, 7 ankesa janë pranuar si të bazuara, 32 janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa 2 ankesa janë hedhur si të papranueshme.

Vendimi i fundit i këtij procesi u mor sot, në lëndën që kishte paraqitur kandidati për asamblist në komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Me aktgjykimin AA.nr.126/2025, Gjykata Supreme e ka refuzuar këtë ankesë si të pabazuar.

Për shkak të natyrës së ngjashme të çështjeve, dy ankesa – AA.nr.116/2025 dhe AA.nr.117/2025 – janë bashkuar dhe janë trajtuar përmes një vendimi të vetëm, nën shenjën AA.nr.116/2025. Kjo ka bërë që nga 43 ankesa të pranuara fillimisht, numri përfundimtar i vendimeve të jetë 42.

Gjykata Supreme theksoi se të gjitha vendimet janë marrë brenda afateve ligjore dhe se është garantuar zbatimi i drejtë i ligjit dhe trajtimi i barabartë i të gjithë ankuesve në këtë proces zgjedhor.

Vendimet janë publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Supreme. /Telegrafi/

OEK i jep ZRRE-së 5 ditë afat: Zbatoni vendimin e Supremes ose do të dorëzojmë kallëzim penal

1 December 2025 at 14:44


Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025 dhe duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të këtij institucioni, nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh.

Në njoftimin e saj, OEK thekson se Gjykata Supreme ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit.

Sipas OEK-ut, vendimi i Supremes është “i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm”.

Oda kritikon ashpër komunikatën e ZRRE-së të datës 18 nëntor, duke e cilësuar si tentim për të “relativizuar këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme”.

Në reagim thuhet se: “Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.”

Sipas OEK-ut, bizneset janë dëmtuar rëndë nga procesi i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm, duke u përballur me rritje çmimesh, kontrata të imponuara dhe depozita të pajustifikuara.

OEK kërkon nga ZRRE që brenda pesë ditësh kalendarikë të ndërmarrë hapat e detyrueshëm.

“Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm dhe të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Nëse këto veprime nuk ndërmerren brenda afatit, OEK paralajmëron se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së, si përgjegjës për pengimin e zbatimit të një vendimi të formës së prerë.

Sipas njoftimit, moszbatimi i vendimit dëmton rëndë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore, besueshmërinë e investitorëve, stabilitetin ekonomik, sigurinë juridike në sektorin energjetik dhe imazhin e vendit si destinacion për investime.

OEK shton se procesi i paligjshëm ka “krijuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka pamundësuar investime të reja, duke rrezikuar mijëra vende pune”.

Në fund të njoftimit, OEK garanton se do të vazhdojë mbrojtjen juridike të bizneseve të prekura, dhe se nuk do të lejojë që vendimet e formës së prerë të injorohen.

“Shteti ligjor funksionon vetëm kur vendimet e gjykatave zbatohen. Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë mbi ligjin,” përfundon njoftimi i OEK-ut. /Telegrafi/

Supremja udhëzon PZAP-në që të ketë rinumërim në disa vendvotime në Istog

20 November 2025 at 17:17


Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e kthyer çështjen për rivendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Gashi ishte ankuar fillimisht në PZAP, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialit zgjedhor në disa vendvotime të caktuara, mirëpo ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar më 14 nëntor. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Supreme.

Supremja konstatoi se PZAP nuk ka vepruar në përputhje me vërejtjet e mëparshme të gjykatës dhe nuk ka respektuar nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep PZAP-së kompetencë për të urdhëruar rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor si pjesë e hetimeve.

Sipas Gjykatës Supreme, rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të garantuar saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe integritetin e procesit, në pajtim me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës.

PZAP tani obligohet që, në rivendosje, të shqyrtojë përsëri të gjitha pretendimet e ankuesit, provat e dorëzuara dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme, duke siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe të mos devijohet vullneti i qytetarëve./Telegrafi/

Supremja refuzon ankesën e PDK-së: Nuk ka rivotim në Mitrovicë

20 November 2025 at 16:55


Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkonte përsëritjen e votimit të balotazhit për kryetar të Mitrovicës.

Më 14 nëntor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte vendosur që të mos ketë rivotim, pasi e kishte cilësuar të pabazë ankesën e PDK-së për fletëvotime të përziera ndërmjet klasave dhe për probleme me shfaqjen e numrit serik.

PZAP kishte theksuar se nuk ishin prezantuar prova që do të dëshmonin parregullsi.

PDK më pas kishte dërguar ankesë në Gjykatën Supreme, por instanca më e lartë e gjyqësorit të enjten njoftoi se e ka refuzuar vendimin e kërkuar, duke e vërtetuar qëndrimin e PZAP-së.

Në njoftim thuhet se gjatë shqyrtimit të lëndës, “asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar”, duke theksuar se nuk ka bazë ligjore që dëshmon shkelje substanciale që do të ndikonin në integritetin e procesit zgjedhor ose rezultatin përfundimtar. Prandaj, sipas Supremes, dëshmitë e paraqitura “nuk krijojnë bazë të mjaftueshme” për të urdhëruar rivotim.

Në balotazhin për kryetar të Mitrovicës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, e kishte mposhtur kandidatin e PDK-së, Arian Tahirin.

Shpallet e paligjshme dhe shfuqizohet Rregullorja për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ndërmarrjen Publike “Termokos”

20 November 2025 at 14:16


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses A.U.-F., e paraqitur kundër të paditurës: Ndërmarrja Publike “Termokos” Sh.A.

Në njoftim e Gjykatës thuhet se është shpallur e paligjshme dhe është shfuqizuar Rregullorja nr.1450/1, e datës 08.08.2024 për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ndërmarrjen Publike “Termokos”.

“Gjykata, pasi ka caktuar dhe mbajtur seancën e shqyrtimit gjyqësor me datë 12.11.2025, e ka shqyrtuar këtë konflikt administrativ në pajtim me nenin 58 dhe 59 të Ligji Nr. 08/L-182 Për Konfliktet Administrative, në praninë e palëve ndërgjyqëse.

Gjykata Supreme e Kosovës, ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore, përmbajtjen, formën dhe procedurën për miratimin, shpalljen dhe hyrjen në fuqi të aktit nënligjor normativ të kontestuar dhe ka vlerësuar se i njëjti është nxjerr në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe plotësim - ndryshimet e tij”, thuhet në reagim.

Nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, rezulton se Ndërmarrja Publike “Termokos”, ka nxjerrë Rregulloren nr. 1450/1, e cila është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes, i cili nuk është person i autorizuar në kuptim të dispozitave ligjore për miratimin e akteve nënligjore normative që përfshijnë organizimin dhe sistematizimin e brendshëm të vendeve të punës.

Gjykata thekson se padia është e bazuar në ligj ndërsa akti nënligjorë i kontestuar është i nxjerrë pa kompetencë ligjore dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë. /Telegrafi/

ZRrE mirëpret aktgjykimin e Supremes, thotë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon

18 November 2025 at 15:24


Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) përmes një komunikate drejtuar mediave thotë se mirëpret Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës P.A.nr.18/2025 lidhur me implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji për Energjinë Elektrike.

Në njoftim thuhet se bazuar në pikën IV të Aktgjykimit është hudhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, poashtu është hudhur poshtë edhe kërkesëpadia për korrigjimin e faturave, si dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave individuale për konsumatorët jofamiljar, si të palejueshme.

ZRre thekson se "Rrjedhimisht, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi".

"Poashtu Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017-2019 pasi që ka konstatuar se ato nuk janë të harmonizuara me legjislacionin e energjisë. ZRrE është duke ndjekur procedurat e brendshme ligjore për shfuqizimin e këtyre dispozitave", vijon njoftimi.

Ndër të tjera thuhet se sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtën për furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara e gëzojnë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal.

"E drejta e furnizimit me tarifa të rregulluara nga ZRrE, në bazë të vendimit të ZRrE-së për tarifa me pakicë për vitin 2025 – që është konsideruar i ligjshëm nga Gjykata – nuk është bazuar në dispozitat e shfuqizuara të Udhëzuesit", vijon njoftimi.

Më tej, thuhet se Gjykata ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, që është në përputhje të plotë me Vendimin e Bordit të ZRrE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC.

"ZRrE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal. Rrjedhimisht, Ligji për Energjinë Elektrike përcakton që këta konsumatorë duhet të furnizohen në treg të hapur. Furnizimi me energji elektrike në treg të hapur i këtyre konsumatorëve është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRrE-së", bëhet e ditur në komunikatë./Telegrafi/

Gara për Mitrovicën, Supremja thotë se brenda pesë ditësh do të vendosë për ankesën e PDK-së

18 November 2025 at 11:19


Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte refuzuar kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Latifi, tha për Telegrafin se ankesa është pranuar sot dhe se brenda një afati prej pesë ditësh pritet të merret vendimi për këtë çështje.

"Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës – PDK, e ushtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa - PZAP, është pranuar sot (18.11.2025) në Gjykatë Supreme, përmes postës. Për këtë çështje do të vendoset brenda afatit ligjor, prej pesë ditësh", ka thënë ajo.

Ndryshe, PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.

Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.

PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.

Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.

“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën e votave./Telegrafi/

PDK insiston për rivotim në Mitrovicë, ankohet në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së

16 November 2025 at 14:03



Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Komunën e Mitrovicës.

PDK e konsideron të gabuar këtë vendim, duke theksuar se ai nuk reflekton realitetin e parregullsive të evidentuara gjatë procesit zgjedhor në këtë komunë.

“Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar përmes postës zyrtare ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë. PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.

Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.

PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.

Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.

“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Gjykata Supreme refuzon pesë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së

14 November 2025 at 16:08


Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar pesë ankesa të paraqitura ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke konfirmuar kështu vlefshmërinë e vendimeve të këtij institucioni për çështjet e ngritura nga kandidatët për asamble komunale në disa komuna të vendit.

Në secilin rast, kolegjet e Gjykatës Supreme vlerësuan se ankesat ishin të pabazuara.

Rasti i parë (AA.nr.113/2025): Është refuzuar ankesa e Ardian Elshanit, kandidatit të PDK-së për Asamblenë e Fushë Kosovës, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.393/2025 të datës 07.11.2025.

Rasti i dytë (AA.nr.114/2025): Është refuzuar ankesa e Besart Lokajt të LDK-së, kandidat në Komunën e Deçanit, kundër vendimit ZL.Anr.372/2025 të datës 05.11.2025.

Rasti i tretë (AA.nr.115/2025): Është refuzuar ankesa e Vegim Ymerit të Nismës Socialdemokrate, kandidat në Komunën e Vitisë, kundër vendimit ZL.Anr.414/2025 të datës 07.11.2025.

Rasti i katërt (AA.nr.116/2025): Është refuzuar ankesa e kandidatëve të PDK-së në Gllogoc, Bekim Lestrani dhe Besnike Fazliu, kundër vendimit ZL.Anr.416/2025 të datës 10.11.2025.

Rasti i pestë (AA.nr.118/2025): Është refuzuar ankesa e Labinot Halilajt, kandidat i subjektit “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, kundër vendimit ZL.Anr.410/2025 të datës 07.11.2025.

Me këto vendime, Gjykata Supreme ka vulosur qëndrimin e saj se vendimet e PZAP-së në këto raste janë të drejta dhe në përputhje me legjislacionin zgjedhor në fuqi.

Seanca e Supremes për padinë e OEK-ut ndaj ZRrE-së lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë zhvillohet me ndërprerje të rrymës

5 November 2025 at 13:56


Në Gjykatën Supreme të mërkurën është mbajtur seanca lidhur me padinë që Oda Ekonimike e Kosovës (OEK) ka paraqitur kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Kjo seancë është zhvilluar me ndërprerje të energjisë elektrike herë pas here, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përfaqësuesi i paditëses OEK, avokati Ekrem Hoxha tha se komuniteti i bizneseve ka qenë i papërgatitur për një ndryshim kaq të madh dhe se procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Sipas avokatit Hoxha, konkurrenca reale në treg nuk ekziston, me arsyetimin se operatorët tjerë nuk garantojnë furnizim me energji elektrike.

“Vetë Ligji për energji elektrike në hyrje të tij potencon se është në përputhje të pjesshme me direktivat e BE-së dhe thirrja e paditurës se liberalizimi është detyrim nga këto direktiva është vetëm një referim i zbehtë për të arsyetuar një vendimmarrje të marrë nga ZRrE,” shtoi ai.

Ndërkaq përfaqësuesi i ZRrE-së, Ymeridin Misini e kundërshtoi në tërësi padinë duke e cilësuar si të pabazuar në ligj. Tha se ZRrE-ja ka vepruar bazuar në parimet e transparencës dhe Kushtetutës.

Sipas Misinit, tashmë Gjykata Supreme e ka konstatuar si të palejuar kërkesën për masë të përkohshme me arsyetimin se nuk cenohet ndonjë pasojë e pariparueshme pas vendimit të Zyrës.

Misini ka shtuar se liberalizimi është obligim ndërkombëtar.

Në fund të seancës u bë e ditur se brenda afatit ligjor palët do ta pranojnë vendimin e Gjykatës.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) më 19 gusht 2025 kishte dorëzuar padi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në Gjykatën Supreme për çështjen se daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë.

Ndryshe, vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, me të cilin të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur. Kurse, më pas nisi shkyçja e bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji. /BetimipërDrejtësi/

Refuzohet ankesa e Elton Xhemajlit të PDK-së për rinumërim votash në Pejë

31 October 2025 at 17:31


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për Kuvendin e Komunës së Pejës, nga radhët e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Elton Xhemajli, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të datës 24.10.2025.

“Pasi, PZAP kishte refuzuar ankesën e Elton Xhemajlit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën i konteston rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve, gjegjësisht pretendon se në qendrën komunale të numërimit, në disa vendvotime të Komunës së Pejës janë evidentuar mospërputhje ndërmjet formularëve dhe rezultateve të subjekteve (FRS), dhe propozon që Gjykata Supreme të urdhërojë rihapjen dhe numërimin e votave në QNR për kandidatët e Subjektit Politik PDK në Komunën e Pejës”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Më tej thueht se Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, lidhur me refuzimin e ankesës së kandidatit Elton Xhemajli, pasi rezulton se shkeljet e pretenduara për parregullsi në procesin e votimit në Komunën e Pejës, janë të pabazuara.

Gjykata Supreme refuzon padinë për mbulesën islame në shkolla, konfirmon kompetencën e MASHTI për rregullat e uniformës

29 October 2025 at 14:12


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditëses: Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, e paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me të cilën ka kërkuar që të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014 (MASHT) Kodi i Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për Nxënës të Shkollave të Mesme të Larta.

Paditësja pretendon se me Udhëzimin Administrativ nr.06/2014, që është një akt administrativ i përgjithshëm, nuk mund të ndalohet ushtrimi i të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë shaminë e kokës (mbulesën islame).

"E njëjta ka theksuar se me neni 55.1 të Kushtetutës, saktësohet qartë se “të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”, duke shtuar se në katër vitet e fundit kanë pranuar ankesa të shumta nga vajzat që janë përjashtuar nga shkollat publike ose të cilave u është pezulluar vijimi i rregullt i procesit mësimor për shkak të bartjes së shamisë në kokë", thuhet në njoftimin e Supremes.

Tutje, thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës, ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore të aktit nënligjor normativ të kontestuar, përkatësisht Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014, dhe ka vlerësuar se dispozita nga neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13, gjen mbështetje në Ligjin nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në Ligjin nr. 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

"Nga këto dispozita rezulton se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen - uniformën. Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet", vijon njoftimi.

Gjykata është kufizuar në arsyetimin e pretendimeve, përkitazi me nenin 55 paragraf 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht për kufizimin e lirisë së besimit dhe fesë, si një ndër të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndërlidhur me këtë, Gjykata rikujton se, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me aktvendimin nr. KI 36/11, të datës 30 shtator 2011, në interpretim të drejtave dhe lirive themelore në pajtim me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në pikën 76 të aktvendimit të saj ka theksuar se: liria fetare është kryesisht një çështje e ndërgjegjes individuale dhe përfshin edhe manifestimin e fesë në mënyrë private dhe publike, por nuk mbulon çdo veprim të motivuar nga feja.

"Në një shoqëri demokratike ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, kjo liri mund të kufizohet për të ruajtur harmoninë dhe respektin për besimet e të gjithë qytetarëve, duke theksuar rolin neutral dhe të paanshëm të shtetit si garant i tolerancës fetare. Gjykata ka vënë në dukje se rregullat lidhur me bartjen e simboleve fetare në institucionet arsimore ndryshojnë nga vendi në vend, duke u bazuar në traditat kombëtare dhe nevojën për mbrojtjen e të drejtave dhe rendit publik", thuhet në komunikatë.

Gjykata rikujton po ashtu se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në shumë raste është përballur me ankesa që pretendonin se një individ i është nënshtruar trajtimit diskriminues në bazë të fesë apo besimit.

Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se ligjdhënësi, në mënyrë të tërthortë por të qartë, ka përcaktuar kufizime të pranueshme në lidhje me veshjen e nxënësve, duke i lënë në kompetencë të ministrisë përkatëse caktimin e këtyre rregullave nëpërmjet akteve nënligjore.

Gjykata Supreme çmon se rregullat e miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore, janë në përputhje me ligjin dhe me kompetencën e deleguar ligjore, dhe si të tilla nuk përbëjnë tejkalim të autorizimeve të dhëna nga ligjdhënësi./Telegrafi/


Gjykata Supreme e Kosovës shfuqizon nenin që kufizonte të drejtën e veteranëve të UÇK-së për përfitimin e pensionit

By: M C
28 October 2025 at 22:07

Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar të martën një nen të një udhëzimi administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paraqisnin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni.

Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2025 i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) kishte vendosur si kusht që veteranët, për të përfituar kompensim financiar, duhet të dëshmonin me dokument nga Administrata Tatimore e Kosovës se nuk janë të punësuar.

Gjykata Supreme ka vendosur se ky kusht është i paligjshëm, sepse ligji në fuqi, neni 16A, paragrafi 5, nuk ua ndalon veteranëve që janë të punësuar në sektorin privat të përfitojnë nga pensioni.

Sipas ligjit, vetëm ata që janë të punësuar në institucione publike ose ndërmarrje publike, pra që paguhen nga buxheti i shtetit, përjashtohen nga përfitimi. Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së, e cila e kishte paditur Ministrinë për këtë udhëzim, e përshëndet vendimin e Supremes në një shkrim në Facebook.

“Ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve”, tha kjo organizatë.

Supremja tha se, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një “paqartësi dhe konfuzion juridik” në lidhje me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

“Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në vendim.

Gjykata vendosi se e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës, pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

Ajo i kërkoi Ministrisë ta shfuqizojë ose harmonizojë me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar të vitit 2017 udhëzimin administrativ të vitit 2015, në lidhje me kushtin që një veteran të mos jetë në marrëdhënie pune për përfitimin e kompensimit.

Veteranët e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilët janë të papunësuar, marrin pension mujor që nga viti 2015. Sipas të dhënave shtetërore, nga rreth 46 mijë veteranë të regjistruar, rreth 37 mijë përfitojnë një pension prej 204 eurosh.

Sipas Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, ekzistojnë gjashtë kategori veteranësh: invalidi i luftës, veterani luftëtar, i internuari, pjesëtari, pjesëmarrësi i luftës dhe ushtari i zhdukur i UÇK-së. Po sipas të njëjtit ligj, vetëm ata që e kanë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së kanë të drejtë në pension dhe përfitime shtesë, ndërsa kategoritë tjera vetëm në përfitime të parapara me ligj./REL

The post Gjykata Supreme e Kosovës shfuqizon nenin që kufizonte të drejtën e veteranëve të UÇK-së për përfitimin e pensionit appeared first on Albeu.com.

❌
❌