Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 January 2026Main stream

Topi i Champions-it 25 vjet histori! Versioni i 2026-ës prezantohet nga Zidane, Messi e Yamal

By: admin
12 January 2026 at 13:00

Rikthim në të kaluarën për të celebruar 25 vitet e topit më të famshëm në botë. Sfera e ëndrrave të Champions League, në fusha nga 2001-shi, do të hapë një kapitull të ri, me ridizenjimin modern të origjinalit Adidas FINALE 1.

Rikthim në të kaluarën me grafikën dhe ngjyrat që njihen tashmë prej një çerek shekulli, por edhe me një efekt modern, me sfumatura të zeza dhe vjollcë, që ndryshojnë.

Topi do të përdoret gjatë dy javëve të fundit të fazës së kampionatit 2025/26 të Champions League, që starton të martën e 20 janarit.

Yjet e futbollit janë gjithmonë në fokus. Në spotin zyrtar të Adidas marrin pjesë disa nga lojtarët që kanë lënë shenjë në rrugëtimin e kupës me veshë të mëdhenj gjatë 25 viteve të fundit: Zinedine Zidane, Lionel Messi, Toni Kroos, Mo Salah, Ousmane Dembele dhe Lamine Yamal.

The post Topi i Champions-it 25 vjet histori! Versioni i 2026-ës prezantohet nga Zidane, Messi e Yamal appeared first on Albeu.com.

Before yesterdayMain stream

Zinedine Zidane ka këto dy kërkesa për ta zëvendësuar Ruben Amorim tek Man United

7 January 2026 at 18:49


Zinedine Zidane ka dy “kërkesa” nëse do të pranonte të zëvendësonte Ruben Amorim në postin e trajnerit të Manchester United.

Amorim u shkarkua nga posti i trajnerit të United të hënën, pas 14 muajsh në krye të skuadrës. Ai u largua nga “Old Trafford” me ish-ekipin e tij të renditur në vendin e gjashtë në tabelën e Ligës Premier.

Pas barazimit 1-1 të së dielës në transfertë ndaj rivalëve të Leeds, Amorim u tha gazetarëve se kishte rënë dakord të ishte “menaxher, jo trajner” kur iu bashkua fillimisht United.

Megjithatë, në deklaratën zyrtare të klubit që konfirmonte largimin e tij, United iu referua atij si trajner i pare, titull që ai e ka mbajtur që nga marrja e detyrës.

Oliver Glasner, Enzo Maresca dhe Gareth Southgate janë ndër favoritët për ta zëvendësuar Amorim në mënyrë të përhershme.

Një alternativë tjetër mund të jetë Zidane, i cili është pa punë që prej largimit nga Real Madrid për herë të dytë në vitin 2021.

Zidane ka deklaruar më parë se mungesa e zotërimit të mirë të gjuhës angleze do ta pengonte të drejtonte në Ligën Premier, megjithëse miku i tij i ngushtë dhe ish-shoku i skuadrës te Franca, Emmanuel Petit, kishte pohuar në vitin 2021 se ai po e mësonte gjuhën.

Në tetor të vitit 2024, Petit deklaroi se Zidane do t’i parashtronte dy kërkesa Manchester United nëse do t’i afrohej për postin e trajnerit.

“Për momentin, ambienti te Manchester United prej vitesh nuk ka qenë i mirë. Stabiliteti në stol, niveli i lojtarëve gjithashtu, pritshmëritë e klubit nuk janë të njëjta si më pare”.

“United është ende një klub i madh, por jo më në fushë. Dhe Zizou është shumë i ndërgjegjshëm dhe shumë i kujdesshëm për këtë, për cilësinë e lojtarëve”.

“Nëse ai e merr detyrën te Manchester United, kjo do të thotë se ka zgjidhje”, ka deklaruar Petit./Telegrafi/

Kush mund të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester United?

5 January 2026 at 22:17


Kërkimi për trajnerin e ri të Manchester United ka nisur zyrtarisht. Pas vetëm 14 muajsh në krye të skuadrës, Ruben Amorim u shkarkua të hënën, pas kritikave të tij të fundit ndaj hierarkisë së klubit në "Old Trafford".

United aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në Liga Premier dhe mbetet në garë për një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Sipas “BBC Sport”, Darren Fletcher do ta drejtojë ekipin për disa ndeshje, përpara se klubi të emërojë një trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit.

Por pyetja kryesore mbetet: kush do ta marrë drejtimin e “Djajve të Kuq” në mënyrë të përhershme gjatë verës?

Trajnerë me përvojë në Liga Premier

Pas dështimeve të njëpasnjëshme me Erik ten Hag, Ralf Rangnick dhe së fundmi Amorim, në “Old Trafford” po shtrohet dilema nëse duhet zgjedhur një trajner i provuar në Liga Premier.

Unai Emery është një nga emrat më të përfolur. Spanjolli ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Aston Villën, duke e nxjerrë klubin nga lufta për mbijetesë dhe duke e kthyer në pretendente për zonën e Evropës dhe madje për titull. Villa ndodhet aktualisht e treta në tabelë, vetëm gjashtë pikë pas Arsenalit kryesues. Megjithatë, periudha e tij e përzier te Arsenali mund të shihet si një pengesë.

Një tjetër emër interesant është Andoni Iraola. Ai ka tërhequr vëmendjen pas sezonit të kaluar me Bournemouth, të cilët përfunduan në vendin e nëntë. Edhe pse “Cherries” janë aktualisht në një seri prej 11 ndeshjesh pa fitore, do të ishte e vështirë për Iraolën ta refuzonte një ofertë nga Manchester United.

Oliver Glasner, i cili i skadon kontrata me Crystal Palace gjatë verës, fitoi FA Cup sezonin e kaluar, ndërsa Eddie Howe i dha fund pritjes së gjatë të Newcastle për një trofe madhor duke fituar Carabao Cup. Të dy mund të tundohen nga një sfidë e re në “Old Trafford”.

Zgjidhje nga brenda klubit?

Një tjetër mundësi është një emërim i brendshëm. Darren Fletcher, ish-mesfushori i United dhe aktualisht trajner i ekipit U-18, është 41 vjeç dhe ka kaluar 11 vite si lojtar nën drejtimin e Sir Alex Ferguson.

Një tjetër kandidat i natyrshëm është Michael Carrick. Ish-mesfushori i United është i papunë që nga shkarkimi nga Middlesbrough në qershor. Carrick, tani 44 vjeç, zhvilloi 463 ndeshje me fanellën e United gjatë 12 viteve, duke fituar 17 trofe para se të tërhiqej në vitin 2018. Mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë ende pa punë deri në verë.

Kieran McKenna, trajneri i Ipswich Town, është një tjetër emër me lidhje me United. 39-vjeçari, ish-asistent në ekipin e parë të United, ka impresionuar në rolin e tij të parë si trajner kryesor. Ai i ngjiti Ipswich në Liga Premier përmes dy promovimeve radhazi dhe, pas rënies nga elita sezonin e kaluar, tani i ka çuar në vendin e tretë në Championship. Një tjetër promovim do ta forconte ndjeshëm kandidaturën e tij.

Po një rikthim i Ole Gunnar Solskjaer? Edhe pse duket pak i mundshëm, norvegjezi mbetet i lirë dhe ende shumë i dashur për tifozët. Periudha e tij mes viteve 2018 dhe 2021 përfundoi me zhgënjim, por a meriton ai më shumë vlerësim? Vetëm pak më shumë se katër vite më parë, United përfundoi i dyti në Liga Premier nën drejtimin e tij, duke shënuar 73 gola, më shumë se në çdo sezon që nga largimi i Fergusonit në vitin 2013.

Emra të mëdhenj nga Evropa

Nga kontinenti, opsionet nuk mungojnë. Mauricio Pochettino, aktualisht trajner i SHBA-së, ka qenë vazhdimisht i lidhur me United. Me Botërorin që zhvillohet këtë verë në SHBA, pritja e United për një emërim të përhershëm mund t’i përshtatet atij.

Xavi, ish-trajneri i Barcelonës, është i papunë që nga viti 2024 dhe një aventurë në Liga Premier do të ishte padyshim joshëse për të. Luis Enrique, i cili fitoi Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germain si pjesë e tripletës sezonin e kaluar, vazhdon të jetë në krye të klubit francez, por ka fituar gjithçka në Paris.

Zinedine Zidane është ende pa punë katër vite pas largimit nga Real Madridi, por mbetet dilemë nëse ai po pret ende një ditë drejtimin e Francës. Roberto De Zerbi, që ka përvojë në Angli nga periudha te Brighton, po bën një punë mbresëlënëse te Marseille. Megjithatë, sinqeriteti i tij i drejtpërdrejtë mund të shihet si problem për hierarkinë e United.

Gareth Southgate ka qenë prej kohësh i lidhur me United, por e kishte përjashtuar veten para emërimit të Amorim, duke deklaruar se nuk do të rikthehej në trajnim për të paktën një vit pas largimit nga Anglia. Tani, pas një periudhe pa punë që nga korriku 2024, a mund të jetë gati për rikthim?

Ai drejtoi Anglinë për 102 ndeshje në tetë vite, duke i çuar në dy finale të Kampionatit Evropian dhe një gjysmëfinale Botërori. Bashkëpronari i United, Sir Jim Ratcliffe, dihet se është admirues i tij, por Southgate nuk ka drejtuar një klub që nga largimi nga Middlesbrough para 16 vitesh.

Një tjetër emër në dispozicion është Enzo Maresca, i shkarkuar nga Chelsea javën e kaluar. Ai është i lirë dhe, ashtu si Southgate, mund të jetë një opsion si për afat të shkurtër, ashtu edhe për projekt afatgjatë.

Vendimi përfundimtar do të jetë jetik për të ardhmen e Manchester United, i cili kërkon stabilitet dhe rikthim në majat e futbollit anglez dhe evropian./Telegrafi

Frank Leboeuf: Mbappe nuk mund të krahasohet me Zidanen për futbollin francez

25 December 2025 at 15:28


Në një intervistë me Goal, fituesi i Kupës së Botës në vitin 1998, Frank Leboeuf, vlerësoi vendin e Kylian Mbappe në historinë e futbollit francez, duke këmbëngulur se ylli i Real Madridit "nuk mund të krahasohet" me Zinedine Zidane.

Mbappe po katapultohet çdo ditë si një legjendë e Francës, por për një emër të njohur si Lebouf, sulmuesi i Real Madridit është ende larg nivelit apo vendit të Zidane.

“Absolutisht jo. Ai nuk mund të krahasohet. Është e vështirë të krahasosh karrierat dhe kohët gjithashtu. Por ajo që Zizou është i aftë të bëjë, përveç të qenit një lojtar i shkëlqyer, mënyra se si u soll - edhe nëse kishte gabimet e vitit 2006 - njerëzit e duan atë”, ka thënë fillimisht Leboeuf.

Ai shtoi se ndërsa Mbappe është një golashënues i jashtëzakonshëm dhe lojtar i zgjuar, polemikat në jetën e tij private kanë ndikuar në reputacionin e tij në Francë.

“Ai kurrë nuk do ta arrijë aty ku është Zidane, dhe ndoshta askush nuk do ta arrijë. Michel Platini, si në atë kohë dhe Raymond Kopa para tij, ata lojtarë janë ikona. Vetëm në fund të karrierës së tij do të shohim nëse Mbappe mund të vihet në të njëjtin nivel”.

Leboeuf vlerësoi aftësinë e Mbappes në përfundimin e aksioneve dhe kontributet e tij te Real Madridi, por gjithashtu e sfidoi 27-vjeçarin të bënte më shumë në mbrojtje.

“Unë ende kam nevojë të shoh prej tij, pak më shumë - kur humbet topin, për shembull, të tërhiqet pak, vetëm pak dhe të tregojë se ai dëshiron t'i ndihmojë shokët e tij të ekipit. Në kohët moderne, gjithçka ka të bëjë me statistikat, sa gola shënon, sa pasime ke bërë, sa vrapime bën, dhe për mua Kylian Mbappe është shembulli më i mirë i asaj që është futbolli modern tani", përfundoi francezi. /Telegrafi/

Zidane arrin një marrëveshje në parim, merr drejtimin e Francës pas Kupës së Botës

24 December 2025 at 09:36


Një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit në histori, Zinedine Zidane, ka arritur një marrëveshje në parim për t'u bërë trajneri i ri i Kombëtares së Francës, por vetëm pas Kupës së Botës vitin e ardhshëm.

Zidane, puna e fundit e të cilit si trajner ishte në vitin 2021, kur u largua nga Real Madridi për herë të dytë në karrierën e tij, do të pasojë kështu Didier Deschamps në stolin e "Trikolorëve".

Si lojtar, Zidane e kishte fituar titullin botëror në vitin 1998, dhe tani do të përpiqet të arrijë të njëjtin qëllim si trajner, duke e udhëhequr brezin e ri të Francës drejt majave globale.

Sipas mediumit le10sport, Federata Franceze e Futbollit duhet të ngutet ta zyrtarizoj tani Zidanen, pasi Real Madridi është kthyer në garë dhe mund të ndodh ndonjë befasi e minutave të fundit.

Ju kujtojmë se Deschamps është në pozicionin e trajnerit që nga viti 2012, dhe ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2018 në Rusi, vetëm për t'u mposhtur nga Argjentina në finalen tre vjet më parë. /Telegrafi/

Mbappe është pyetur nga Perez për trajner të ri: Ai refuzoi Kloppin, por kërkoi një të "pamundur"

15 December 2025 at 22:30


Real Madridi arriti të mposhtë Alavesin me rezultatin 2-1, por kjo fitore nuk ishte aspak e bindshme, dhe Xabi Alonso ende nuk mund të ketë qetësi.

Ende ka diskutime për një shkarkim të mundshëm të Xabi Alonsos, trajnerit që u emërua në stolin e Real Madridit këtë verë.

Sipas El Nacional, Kylian Mbappe e mbështet fuqishëm Alonson dhe dëshiron që ai të vazhdojë drejtimin e ekipit, duke vlerësuar stilin dhe udhëheqjen e tij.

Nëse do të ndodhë një ndarje me Xabi Alonson, Mbappe ka bërë të qartë për klubin preferencën e tij për një zëvendësues – bashkëkombësin e tij, Zinedine Zidane.

Megjithatë, rikthimi i “Zizu” në stolin e Real Madridit duket i vështirë, pasi ai ka një marrëveshje verbale për të marrë drejtimin e kombëtares franceze pas Kupës së Botës 2026.

Florentino Perez ka një trajner të preferuar, Jurgen Klopp, por Mbappe ka bërë të qartë në diskutime private se nuk dëshiron të punojë me gjermanin.

Ky qëndrim i lojtarit spanjoll i citon burimet nga El Nacional, duke treguar tensionin mes dëshirës së klubit dhe preferencave të yllit francez.

Në këtë situatë, Real Madrid duhet të balancojë midis vendimeve të klubit dhe dëshirës së Mbappé, lojtarit kryesor që po mban ekipin këtë sezon. /Telegrafi/

Zinedine Zidane trajner i Real Madridit? Fabrizio Romano zbulon të ardhmen e francezit

13 December 2025 at 19:37


Gazetari italian Fabrizio Romano ka hedhur poshtë zërat që lidhnin Zinedine Zidane me një rikthim të mundshëm në stolin e Real Madridit, duke sqaruar situatën aktuale rreth klubit madrilen.

Eksperti i transferimeve theksoi se në këtë moment nuk ka asnjë bisedë, kontakt apo negociatë mes Real Madridit dhe Zidane. Sipas Romanos, emri i francezit po qarkullon vetëm në nivel spekulimesh mediatike, pa bazë konkrete.

Këto thashetheme janë shtuar ndjeshëm për shkak të presionit në rritje ndaj trajnerit aktual, Xabi Alonso, pas një serie rezultatesh zhgënjyese. Real Madridi ka arritur të fitojë vetëm dy nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, një bilanc që ka ngritur shqetësime brenda klubit.

Raportimet nga Spanja sugjerojnë se pozicioni i Alonsos mund të rishikohet nëse skuadra nuk arrin fitore në ndeshjen e ardhshme të La Ligës. Ajo përballje do të luhet në udhëtim ndaj Alavesit dhe tashmë konsiderohet si shumë vendimtare për të ardhmen e trajnerit.

Megjithatë, për momentin drejtuesit e Real Madridit vazhdojnë ta mbështesin Xabi Alonson. Pavarësisht kësaj, sipas burimeve pranë klubit, durimi po pakësohet dhe çdo rezultat negativ i radhës mund ta përshpejtojë një vendim të rëndësishëm./Telegrafi

Nuk është Jurgen Klopp, Reali gjen pasuesin e Xabi Alonsos

11 December 2025 at 22:33


Real Madridi e ka vendosur Zinedine Zidanen në krye të listës së zëvendësuesve të mundshëm për Xabi Alonson, në rast se trajneri aktual largohet nga “Santiago Bernabeu”.

Rikthimi i legjendës franceze në kryeqytetin spanjoll po konsiderohet seriozisht nga presidenti Florentino Perez, i cili ka ruajtur gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera me të.

Zidane nuk ka marrë drejtimin e asnjë skuadre që prej vitit 2021, kur u largua nga Real Madridi duke iu referuar mungesës së mbështetjes nga drejtuesit e klubit. Gjatë dy periudhave të tij si trajner madrilen, ai shkroi histori duke udhëhequr “Los Blancos” drejt tre titujve radhazi të Ligës së Kampionëve, një arritje e papërsëritshme në futbollin modern.

Raporti thekson se Zidane vazhdon të gëzojë besimin absolut të Perezit, i cili e konsideron figurën e tij si një kombinim ideal mes autoritetit, karizmës dhe njohjes së thellë të klubit. Ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes ka qenë gjithmonë i fuqishëm, ndërsa shumë prej yjeve aktualë të Madridit kanë punuar më herët nën urdhrat e tij.

Megjithatë, situata nuk është plotësisht e qartë. Zidane prej vitesh shihet si trajneri i ardhshëm i Francës dhe pritshmëritë janë që ai të marrë drejtimin e kombëtares në verën e vitit 2026. Federata Franceze e Futbollit prej kohësh e ka konsideruar atë pasuesin ideal të Didier Deschamps.

Sidoqoftë, Real Madridi po mban të hapura të gjitha opsionet. Jurgen Klopp është një tjetër emër i pëlqyer nga drejtuesit e klubit. Edhe pse trajneri gjerman është aktualisht në pushim, profili i tij modern dhe personaliteti i fortë pëlqehen shumë në Bernabeu.

Ndërkohë, brenda klubit ekziston edhe një opsion i tretë: trajneri i Castillas, Alvaro Arbeloa, i cili vlerësohet lart nga struktura sportive e Real Madridit. Arbeloa është në pritje të zhvillimeve dhe konsiderohet një kandidat i brendshëm për postin, në rast se klubi vendos të investojë te kontinuiteti dhe zhvillimi i projekteve afatgjata.

E ardhmja e stolit të Real Madridit do të varet kryesisht nga vendimi i Xabi Alonsos, i cili vazhdon të jetë nën vëzhgim nga klube të tjera të mëdha të Evropës. Në momentin që ai largohet, Zidane mbetet emri i parë në listë./Telegrafi/

Real Madridi drejt shkarkimit të Xabi Alonsos, Zidane i thotë jo rikthimit

9 December 2025 at 09:20


Te Real Madridi po zhvillohet një krizë e plotë në stol dhe shkarkimi i Xabi Alonsos duket çështje ditësh.

Florentino Perez ka tentuar një lëvizje të papritur duke i ofruar Zinedine Zidane një rikthim të përkohshëm deri në fund të sezonit, por francezi e ka refuzuar pasi thuhet se ka një marrëveshje verbale për të marrë drejtimin e Kombëtares së Francës pas Botërorit 2026.

Pakënaqësia me Alonson është rritur ndjeshëm pas humbjes së fundit, ndërsa drejtuesit e akuzojnë për mungesë autoriteti në dhomën e zhveshjes, tolerim ndaj yjeve dhe ulje të intensitetit në përgatitjet taktike.

Florentino Perez raportohet të jetë shumë i zhgënjyer, por nuk deshi të prishte moralin e ekipit para ndeshjes së Ligës të Kampionëve kundër Manchester Cityt.

Edhe Jurgen Klopp është hequr nga lista, pasi nuk është i gatshëm të marrë drejtimin e Real Madridit.

Me të dy alternativat e mëdha jashtë loje, klubi është drejtuar nga opsioni më i realizueshëm: Alvaro Arbeloa.

Trajneri i akademisë pritet të marrë detyrën e trajnerit të parë si zgjidhje e përkohshme menjëherë pas largimit të Alonsos.

Sipas burimeve nga klubi, drejtuesit po përgatisin edhe një ristrukturim të thellë të skuadrës për muajt e ardhshëm.

Disa lojtarë të rëndësishëm që nuk kanë bindur këtë sezon mund të largohen, ndërsa Real Madrid synon të rikthejë disiplinën, intensitetin dhe identitetin kompetitiv që thuhet se janë dobësuar nën drejtimin e Xabi Alonsos.

Real Madridi po hyn në një fazë delikate, ku çdo vendim do të ndikojë drejtpërdrejt në garën për trofetë. /Telegrafi/

Përballja me Man Cityn vulos të ardhmen e Xabi Alonsos, Reali konsideron dy opsione për ta zëvendësuar teknikun spanjoll

8 December 2025 at 11:58


Real Madridi i ka kërkuar trajnerit Xabi Alonso të fitojë me patjetër ndaj Manchester Cityt në “Santiago Bernabeu” në rast që dëshiron të vazhdojë në krye.

Situata te “Los Blancos” është shumë e tensionuar, sidomos pas humbjes nga Celta Vigo, ku gjiganti spanjoll ka vetëm dy fitore në shtatë ndeshjet e fundit.

Siç raporton “El Mundo”, ka pasur një takim të hënën në mëngjes te Real Madridi, ku drejtuesit e klubit u mblodhën për të vendosur nëse tekniku spanjoll duhet të vazhdojë ose jo.

Nga takimi, që u zgjat përtej orës një pas mesnate, doli një përfundim i qartë: Ndeshja ndaj Manchester Cityt është shansi i fundit për Alonson.

Raporti mes dhomës së zhveshjes dhe trajnerit konsiderohet i pariparueshëm, ndërsa Real Madridi tashmë ka nisur të shikojë tregun e trajnerëve për zëvendësuesin e tij. Në listën e favoritëve janë dy emra: Zinedine Zidane dhe Jurgen Klopp.

Raporti me dhomën e zhveshjes, i prishur

Në fund, pas ndarjes së mendimeve në kupolën e klubit, fitoi ideja që Alonso të mbahej të paktën deri të mërkurën, por që nga ajo orë e parë e mëngjesit ka nisur paralelisht sondimi i tregut të trajnerëve.

Të gjithë janë të vetëdijshëm se një pjesë e madhe e dhomës së zhveshjes është kundër trajnerit, diçka e paqëndrueshme për funksionimin e Real Madridit.

Edhe konferenca për shtyp e trajnerit nuk ndihmoi për të qetësuar tensionet në zyrat drejtuese.

Alonso e përdori edhe lëndimin e Militaos si një nga arsyet për paraqitjen e dobët në orën e parë të lojës. “Na kushtoi shumë ta rimerrnim veten emocionalisht pas kësaj”. Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga drejtuesit.

I pyetur nëse ndihej me forcë për të vazhduar, Alonso u përgjigj shkurt. “Sigurisht”./Telegrafi

Real Madridi po e vëzhgon me vëmendje Zidanen

17 November 2025 at 10:24


Real Madridi po monitoron me kujdes situatën rreth Xabi Alonsos, teksa tensionet po rriten. Edhe pse drejtuesit zyrtarisht mbështesin trajnerin, disa lojtarë shprehin shqetësime për strategjitë dhe marrëdhëniet personale, duke sugjeruar se projekti mund të kërkojë një ndryshim.

Zinedine Zidane vazhdon të shihet si një alternativë e besueshme në rast se situata e Alonsos ndërlikohet.

Ish-trajneri francez ka lënë të kuptohet se mund të rikthehet në pankinë, një sinjal që është interpretuar si mundësi për një ndërhyrje të shpejtë në klub.

Drejtuesit e klubit dëshirojnë të ruajnë vazhdimësinë, por nuk e përjashtojnë një ndryshim të mundshëm nëse situata sportive kërkon veprime urgjente.

Lojtarët e rinj shohin te Alonso një figurë moderne dhe me ide për të ardhmen, por disa të tjerë kanë hasur vështirësi në përshtatjen me metodat e tij.

Zidane gëzon konsensus të gjerë brenda klubit dhe njohja e tij me strukturën, presionin dhe dhomën e zhveshjes e bëjnë atë kandidatin ideal për një tranzicion të natyrshme në pankinë.

Marrëdhënia e tij e mirë me Florentino Perez mbetet një faktor kyç në rast nevoje për një ndryshim të shpejtë.

Në prag të ndeshjeve vendimtare, rezultatet dhe harmonizimi i brendshëm do të përcaktojnë ritmin dhe vendimet për trajnerin.

Ndërkohë, Zidane qëndron i vëmendshëm, duke pritur një moment që mund ta rikthejë në rolin e liderit të klubit. /Telegrafi/

“Djali im quhet Zidane” – Arben Zeqiri tregon se si vendosi t’ia lë këtë emër

16 November 2025 at 10:25


Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, mysafir është ish futbollisti i njohur Arben Zeqiri. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.

Mes temave të diskutuara, Zeqiri ka zbuluar edhe një prapaskenë, se si vendosi t’ia linte emrin djalit të tij, Zidane.

“E kam dëgjuar intervistën e parë të Zidanes që e ka pas idhull Enzo Francescolin dhe djalit të tij ia ka lënë emrin Enzo. Në vitin 1997 i kemi lexuar revista sportive”.

“Iu pata thanë nëse ndodh ndonjëherë me u martu, me pas fëmijë, djalit ia lë emrin Zidane. S’kanë besuar dhe kur ka lind, para katër viteve më kanë thënë “A ke me mbajt fjalën”, as që u diskutu ajo”, tregon ai ndër të tjera.



Episodin e plotë me Arben Zeqirin. mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit./Telegrafi/


"Së shpejti", Zidane njofton rikthimin e tij si trajner

11 November 2025 at 08:22


Legjenda franceze dhe ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka zbuluar se rikthimi i tij si trajner do të ndodhë shumë shpejt.

Zidane ka qenë në pushim që nga koha e tij e fundit me Madridin në vitin 2021. Gjatë viteve, ai u lidh me disa pozicione menaxheriale, por asnjëra nuk u realizua.

Mbetet për t’u parë nëse ai do të konsiderohet si kandidati kryesor për rolin e trajnerit të ekipit kombëtar të Francës, një pozicion me të cilin është lidhur shpesh.

Trajneri në detyrë, Didier Deschamps, nuk do ta rinovojë kontratën e tij pas Kupës së Botës FIFA 2026, kështu që “Les Bleus” duhet të rekrutojnë një trajner të klasit të lartë për të çuar përpara trashëgiminë e ekipit.

🚨 Zinedine Zidane when asked about coaching a new team: “It will happen soon, very soon”. pic.twitter.com/IBQoOKT9DH
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) November 10, 2025

Zidane, sigurisht, pyetet vazhdimisht se kur do të kthehet. Dhe të hënën në mbrëmje, në një ndeshje bamirësie në Toulon, ai dha një aludim të vogël: "Do të ndodhë së shpejti, shumë shpejt".

Heroi i Kupës së Botës 1998 nuk ka qenë kurrë më i hapur kur është pyetur për një rikthim të mundshëm si trajner, dhe ky rast nuk ishte ndryshe.

Ndryshe, gjatë dy periudhave të tij te Real Madridi - e vetmja skuadër që ai ka drejtuar në karrierën e tij të shkurtër - Zidane i udhëhoqi gjigantët spanjollë drejt tre titujve të Ligës së Kampionëve, dy titujve të La Ligës dhe disa trofeve tjerë. /Telegrafi/

Modric zbulon pesë lojtarët e tij të preferuar, në listë nuk ka vend për dyshen Messi - Ronaldo

3 November 2025 at 15:50


Njëri nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, Luka Modric, ka zbuluar pesë futbollistët e tij të preferuar, që ai i konsideron si më të mirët në histori.

Në një intervistë për mediumin spanjoll AS, kroati befasoi opinionin publik me përzgjedhjet e tij, duke lënë jashtë dyshen ikonike Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të cilët prej vitesh kanë dominuar futbollin botëror.

Modric, i cili aktualisht është kapiten i Kroacisë dhe lojtar i Milanit, filloi listën e tij me legjendën argjentinase Diego Armando Maradona, duke e cilësuar atë si simbol të pasionit dhe artit në futboll.

“Është gjithashtu Francesco Totti, braziliani Ronaldo, Zvonimir Boban i cili ishte idhulli im dhe sigurisht Zinedine Zidane", u shpreh Modric për gazetën AS.

Lista e tij reflekton më shumë emocionin dhe ndikimin personal që kanë pasur këta futbollistë te ai gjatë viteve, sesa thjesht statistikat apo trofetë e fituar.

Modric u largua nga Real Madridi këtë verë pas 12 sezoneve të lavdishme, gjatë të cilave fitoi gjithçka që mund të fitohej në futbollin evropian, përfshirë pesë tituj të Ligës së Kampionëve dhe Topin e Artë në vitin 2018.

Ai më pas u transferua te Milani, ku po tregon ende nivel të lartë performance.

Në Itali, 38-vjeçari është votuar si lojtari më i mirë i muajit shtator në Serie A, duke dëshmuar se klasa dhe ndikimi i tij në fushë mbeten të paprekura, pavarësisht moshës. /Telegrafi/

Xabi Alonso vesh kostumin e Zinedine Zidanes

26 October 2025 at 23:51


Në vitet e fundit, ka pasur shumë lojtarë të rinj në stolin e Real Madridit, të cilët janë dërguar në El Clasico që nga fillimi. Ka pasur shumë trajnerë të Real Madridit që kanë dështuar në provën e tyre të parë kundër katalanasve.

Disa madje e kanë parë projektin e tyre në krye të të bardhëve të dështojë për shkak të një El Clasico të parë të dështuar.

Ky nuk do të jetë rasti për Xabi Alonson, i cili del triumfues nga ndeshja e tij e parë kokë më kokë kundër Barcelonës dhe i bashkohet Zidanes në historinë e kohëve të fundit, i cili deri më tani ishte i vetmi trajner i Real Madridit në 16 vitet e fundit që kishte fituar El Clasicon e parë nën drejtimin e tij.

Mallkimi i fillestarëve

Duhet të kthehemi në vitin 2009 për të gjetur fillimin e këtij 'mallkimi', me Manuel Pellegrinin si protagonist. Trajneri po testonte projektin e ri luksoz me të cilin Florentino Pérez u rikthye në presidencë kundër Barçës. Dhe ai humbi me diferencë shumë të vogël, në Camp Nou, me një gol nga Ibrahimovic. Që nga ajo kohë, do të shfaqeshin çarjet e para në epokën e Pellegrinit që përfundoi para kohe në fund të sezonit.

Pellegrini

‘Dora e vogël’ për Mourinhon

Më pas mbërriti Mourinho, i mbështetur nga tripleta e tij historike me Interin dhe i etiketuar si "bisha e zezë" e Barcelonës. Madridi i besoi portugezit të luftonin kundër mbretërimit të Guardiolës dhe Messit. Vetëm pak muaj pasi bëri histori me Interin në Camp Nou, Mourinho u kthye në Barcelonë për t'u përballur me El Clasicon e tij të parë si trajner i Real Madridit. Ai humbi me një humbje të dhimbshme (5-0), duke thelluar makthin e El Clasicos për trajnerët debutues.

mourinho varane Mouriho telegrafi.com

Debutimi i Ancelottit

Më 26 tetor 2013, Carlo Ancelotti debutoi në El Clasico kundër Barcelonës. Ishte java e dhjetë e La Ligës dhe ata humbën 2-1 në Camp Nou. Për Ancelottin, kjo ishte sfidë pas disa rezultateve negative më parë, por dy gabimet nuk e ndalën sezonin e suksesshëm që përfundoi me fitimin e La Décima.

ancelotti Ancelotti telegrafi.com

Dramat e Benitez dhe Lopetegui

Pasoja më e keqe erdhi për Rafa Benítez, i cili humbi 4-0 ndaj Barçës në debutimin e tij në Bernabéu, duke çuar në shkarkimin e tij. Julen Lopetegui përjetoi një humbje shkatërruese 5-1 në debutimin e tij kundër Barcelonës në vitin 2018 dhe u shkarkua menjëherë. Solari mori stolin disa ditë më vonë për ndeshjet e Kupës së Mbretit.

Xabi Alonso vesh rolin e Zidanes

Argjentinasi, i cili do të qëndronte në stol deri në kthimin e Zidanes në mars, pati mundësinë të kalonte provën e El Clasicos së parë si trajner dhe nuk dështoi.

Ai arriti një barazim të vlefshëm në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës në Camp Nou.

Gjashtë vjet pas Solarit, Xabi Alonso i dha fund “mallkimit” të debutuesve në El Clasico, duke e veshur rolin si Zidane dhe rikthyer suksesin në stolin e Real Madridit. /Telegrafi/

Ku ishte më i mirë Zidane – te Juventusi apo te Real Madridi? Një krahasim i dy epokave të legjendës franceze

23 October 2025 at 19:17


Zinedine Zidane është një nga ata futbollistë që e tejkaluan kohën, stilin dhe fanellën. Por në cilin version ishte më i mirë — Zidane i Juventusit apo Zidane i Real Madridit?

Kjo nuk është një garë për pasime, teknikë apo driblime — sepse në këto elemente Zidane pothuajse nuk ndryshoi. Krahasimi fokusohet në periudhën kur shkëlqeu më shumë, vazhdimësinë e paraqitjeve, kushtet për shprehje, ndikimin në ekip, sukseset kolektive dhe statusin e tij në kulturën e futbollit.

Forma më e mirë

Juventus – 10

Real Madrid – 9.5

Zidane luajti për Juventusin nga mosha 24 deri në 29 vjeç, ndërsa për Real Madridin nga 29 deri në 34. Si lojtar që mbështetej në inteligjencë dhe vizion, ai nuk pësoi rënie të ndjeshme me kalimin e viteve. Megjithatë, versioni “torinez” i Zidane ishte më dominues, më i plotë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në lojë.

Në Torino, ai e ngrinte nivelin e çdo bashkëlojtari me çdo prekje, krijonte hapësira aty ku nuk kishte, dhe i jepte lojës një dimension artistik. Piku i tij absolut u arrit midis viteve 1998 dhe 2000, kur ai ishte figura qendrore e futbollit botëror.

Në këtë periudhë fitoi Topin e Artë (1998) dhe u rendit tre herë në top-treshen e botës – diçka që nuk ndodhi më vonë në Madrid.


Vazhdimësia

Juventus – 6

Real Madrid – 6.5

Zidane shpesh kritikohej për mungesë vazhdimësie. Në Spanjë, ai ruante një nivel të mirë, por pa shpërthime të mëdha; në Itali, ai alternonte mes ndeshjeve madhështore dhe periudhave të dobëta.

Sezoni më i qëndrueshëm i tij erdhi me Juventusin në 2000–01, pas një vere spektakolare në Euro 2000, ku u shpall lojtari më i mirë i turneut. Megjithatë, kartonët e kuq në Ligën e Kampionëve e zbehën sezonin që mund të kishte qenë më i madhi në karrierën e tij.


Kushtet për shprehje personale

Juventus – 8.5

Real Madrid – 9

Në Madrid, Zidane kishte më shumë liri. Futbolli spanjoll i ofronte hapësirë, kohë dhe tolerancë ndaj stilit të tij meditativ, që nganjëherë ngadalësonte ritmin e ndeshjes.

Në Itali, kërkohej saktësi taktike dhe vendimmarrje e shpejtë — një futboll që nuk përshtatej plotësisht me karakterin e tij. Zidane vetë kishte thënë: “Markimi i ngushtë më detyron të luaj me një prekje. Unë dua të krijoj diçka më shumë”.

Në Spanjë, ai kishte bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Ronaldon Fenomenin, me të cilin shkëmbeu më shumë asiste se me çdo lojtar tjetër, përfshirë Del Pieron.


Ndikimi në lojë

Juventus – 9

Real Madrid – 8

Te Juventusi, Zidane ishte truri i ekipit — një “numër dhjetë” që ndërtonte çdo aksion. Në Madrid, roli i tij ishte më i kufizuar në zonën ofensive.

Kur Del Piero mungoi në sezonin 2000–01, Zidane mori përsipër gjithçka. Ai ishte dirigjenti i çdo sulmi, ndonëse ndonjëherë i mungonte instinkti lider që tifozët kërkonin prej tij.


Sukseset me ekipin

Juventus – 8.5

Real Madrid – 8

Te Juventusi: dy tituj kampion në Serie A dhe dy finale të Ligës së Kampionëve (të dyja të humbura).

Te Real Madridi: një titull në La Liga dhe një Ligë e Kampionëve e fituar.

Në fund të viteve ’90, Juventusi ishte ekipi më i fortë në Evropë — konstant, taktikisht perfekt dhe fizikisht dominues. Zidane ishte thelbësor në këtë makineri.

Në Madrid, suksesi ishte më spektakolar, por më i shkurtër. Galaktikët fituan Championsin e vitit 2002, por më pas u përfshinë në kaos. Zidane e përshkroi më mirë se kushdo tjetër situatën: “Pse të shtosh një shtresë ari mbi Bentley kur po i humbet motori?” — duke iu referuar largimit të Claude Makelele.


Statusi kulturor dhe trashëgimia

Juventus – 7.5

Real Madrid – 9

Edhe pse kaloi pesë vite në secilin klub, Zidane identifikohet më shumë me Real Madridin. Imazhi i tij i përjetshëm është ai vole i famshëm kundër Bayer Leverkusen në finalen e Championsit 2002.

Filmat dokumentarë dhe roli i tij si trajner më vonë e forcuan këtë lidhje. Zidane në fanellën e bardhë u bë simboli global i elegancës në futboll.


/Telegrafi/

Zidane kishte një kontratë të rrallë me Real Madridin që iu dha vetëm tre lojtarëve të tjerë

21 October 2025 at 20:15


Zinedine Zidane thuhet se kishte një klauzolë të veçantë në kontratën e tij me Real Madridin, e cila u është dhënë vetëm edhe tre lojtarëve të tjerë.

Zidane dhe Real Madridi janë të lidhur ngushtë për shkak të suksesit të francezit si lojtar dhe trajner gjatë periudhave të ndryshme në kryeqytetin spanjoll.

Në vitin 2001, “Los Blancos” e transferuan fituesin e Kupës së Botës 1998 nga Juventusi për një shumë rekord në atë kohë prej 77.5 milionë euro.

Gjatë pesë sezoneve të tij si lojtar i Real Madridit, ‘Zizou’ ndihmoi klubin të fitonte gjashtë trofe të mëdhenj – një Ligë të Kampionëve, një Kupë Ndërkontinentale, një Superkupë Europe, një titull të La Ligës dhe dy Superkupa të Spanjës, përpara se të pensionohej në vitin 2006.

Ai ishte pjesë e skuadrës legjendare të njohur si “Galaktikët”, e ndërtuar gjatë mandatit të parë të presidentit Florentino Perez (2000–2006).

Zinedine Zidane

Sipas The Guardian, Zidane do të fitonte rreth 4.1 milionë euro në vit pas taksave, ose afërsisht 1.3 milionë euro në muaj.

Një vit më parë, Luis Figo kaloi nga Barcelona te Real Madridi në një nga transferimet më të diskutueshme në histori. Deri në vitin 2002, Ronaldo Nazario, dy herë fitues i Topit të Artë, kaloi nga Inter te Real Madridi, ndërsa David Beckham iu bashkua nga Manchester United në vitin 2003.

Sipas një raporti nga Marca, i përcjellë nga The Guardian, të katër këta lojtarë – Zidane, Figo, Ronaldo dhe Beckham, kishin një klauzolë të rrallë për të drejtat e imazhit në kontratat e tyre.

Klauzola u garantonte atyre 40 për qind të të ardhurave nga çdo marrëveshje reklamimi, ndërsa klubi mbante 60 për qind.

Sipas firmës ligjore Brabners, të drejtat e imazhit janë marrëveshje komerciale që mbrojnë të drejtën e një lojtari për të kontrolluar, licencuar dhe shfrytëzuar aspektet që lidhen me pamjen, personalitetin dhe emrin e tij, si dhe për të ndaluar përdorimin e paautorizuar nga palë të treta./Telegrafi/

Harry Kane ka krijuar skuadrën e tij ideale - super yje, formacion bombastik

21 October 2025 at 18:35


Sulmuesi i Bayern Munich dhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka zbuluar formacionin ideal të lojtarëve me të cilët ka luajtur dhe kundër tyre gjatë karrierës së tij.

Sipas Kane, formacioni duket kështu: Manuel Neuer; Marcelo, John Terry, Giorgio Chiellini, Kyle Walker – Zinedine Zidane, Sergio Busquets – Lionel Messi, Andres Iniesta, Cristiano Ronaldo – Ronaldo.

Zgjedhja e Kyle Walker si mbrojtës i djathtë ka shkaktuar reagime të ndryshme nga tifozët, pasi Walker, aktualisht te Burnley, ka pasur një karrierë të shkëlqyer, por rrallë është konsideruar si mbrojtësi më i mirë në botë në këtë pozicion.

ULTIMATE XI with Harry Kane 🤩👀 Train Like The Pros. You can purchase STATSports Academy now via https://t.co/LqSARE3Pqw pic.twitter.com/jmp7VejxIL
— Daily Mail Sport (@MailSport) October 18, 2025

Për Kane, zgjedhja është e kuptueshme: ai ka kaluar shtatë sezone së bashku me Walker te Tottenham dhe kanë luajtur gjatë edhe për ekipin kombëtar të Anglisë.

Ata kanë arritur finalet e dy Kampionateve Evropiane, edhe pse i kanë humbur të dyja.

Walker njihet për karakteristikat e tij fizike dhe shpejtësinë, që e bën një mbrojtës të vështirë për sulmuesit më të shpejtë, dhe është një bashkëlojtari i vlerësuar gjatë gjithë karrierës së Kane. /Telegrafi/

Kur babë e bir luajnë për të njëjtin klub të madh evropian - 10 raste fantastike

21 October 2025 at 00:35


Për shumë futbollistë, është një ëndërr që fëmijët e tyre të ndjekin hapat e tyre dhe të luajnë për klube të njohura, duke vazhduar trashëgiminë në futboll.

Jo çdo fëmijë i një futbollisti të madh arrin të bëjë karrierë të shquar, por ka pasur shumë raste kur fëmijët e yjeve të futbollit kanë bërë ndikim në lojë.

Në këto raste, genet dhe talenti natyror kanë luajtur rol, duke mundësuar që djali i futbollistit të trashëgojë cilësitë e babait dhe të mbajë emrin e familjes të shkëlqejë në fushë.

Ja 10 nga çiftet më të njohura babë-djalë që kanë luajtur për të njëjtin klub, që konsiderohen si prej më të mëdhenjëve evropianë.

10. Zinedine Zidane dhe Enzo Zidane

Zinedine Zidane pati një karrierë të jashtëzakonshme, veçanërisht te Real Madrid, ku luajti një rol kyç në fitimin e Ligës së Kampionëve 2001/02.

Djali i tij, Enzo Zidane, debutoi te Real Madrid në sezonin 2015/16, por nuk arriti të bëjë karrierë të suksesshme dhe u tërhoq nga futbolli në 2023.

9. George Weah dhe Timothy Weah

George Weah është i vetmi afrikan që ka fituar Topin e Artë dhe ka luajtur për PSG, Marseille dhe AC Milan. Djali i tij, Timothy Weah, debutoi te PSG në sezonin 2017/18 dhe tani luan për Marseille, duke ndjekur hapat e babait. Dy klubet të njëjta për dyshen Weah.

8. Danny Blind dhe Daley Blind

Danny Blind ishte një nga mbrojtësit më të mirë të kohës së tij te Ajax. Djali i tij, Daley Blind, u rrit në akademinë e Ajax dhe ka luajtur për Manchester United, duke rikthyer më pas te Ajax dhe aktualisht te Girona.

7. Frank Lampard Sr dhe Frank Lampard

Frank Lampard është një nga mesfushorët më të mëdhenj të Ligës Premier, ndërsa babai i tij, Frank Lampard Sr, luajti mbi 600 ndeshje për West Ham United. Të dy kanë luajtur te West Ham, por Frank Jr pati sukses të madh te Chelsea.

6. Carles Busquets dhe Sergio Busquets

Carles Busquets luajti për Barcelona dhe ishte një nga të preferuarit e Johan Cruyff. Djali i tij, Sergio Busquets, e tejkaloi babain me suksese, duke fituar La Liga, Ligë të Kampionëve dhe Kupën e Botës me Spanjën.

5. Diego Simeone dhe Giuliano Simeone

Diego Simeone është i njohur për lidhjen e gjatë me Atletico Madrid si lojtar dhe trajner. Djali i tij, Giuliano Simeone, ka luajtur për Atletico që nga 2022, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e ekipit.

4. Lilian Thuram dhe Khephren Thuram

Lillian Thuram ishte një mbrojtës inteligjent dhe i fortë për Francën dhe klubet si Juventus dhe Barcelona. Djali i tij, Khephren, luan te Juventus dhe po përpiqet të vazhdojë trashëgiminë e familjes në futboll.

3. Alf-Inge Haaland dhe Erling Haaland

Alf-Inge Haaland luajti për Leeds United dhe Man City, ndërsa djali i tij, Erling Haaland, u bë një fenomen te Manchester City, duke fituar dy tituj Ligës Premier dhe Ligën e Kampionve dhe duke 96 gola në 105 ndeshje Ligën Premier deri tani.

2. Johan Cruyff dhe Jordi Cruyff

Johan Cruyff është legjendë holandeze dhe pionier i futbollit total. Djali i tij, Jordi, debutoi te Barcelona nën drejtimin e babait të tij dhe luajti për klubin, megjithëse nuk arriti të arrijë nivelin e pabesueshëm të Johan.

1. Cesare Maldini dhe Paolo Maldini

Cesare Maldini ishte një mbrojtës i madh për AC Milan dhe fitues i Ligës së Kampionëve. Djali i tij, Paolo Maldini, pati një karrierë legjendare 25-vjeçare te AC Milan, duke fituar shtatë tituj Serie A dhe pesë Liga të Kampionëve.

Trashëgimia e familjes Maldini vazhdoi me Daniel Maldini, i cili aktualisht luan për Atalanta. /Telegrafi/

Zidane do ta drejtoj Francën, por thotë se një ditë do të jetë trajner i gjigantit italian

13 October 2025 at 15:19


Që nga mbyllja e periudhës së tij të dytë te Real Madridi në qershor të vitit 2021, emri i Zinedine Zidane është përmendur pothuajse çdo herë që ndonjë klub i madh evropian ka kërkuar trajner të ri.

Mes shumë klubeve që e kanë pasur në radar, më së shumti është përfolur Juventusi, por legjenda franceze ka qëndruar gjithmonë i rezervuar, duke ruajtur qartësinë për qëllimin e tij të vërtetë: drejtimin e ekipit kombëtar të Francës.

Në Festival Dello Sport, të organizuar nga gazeta italiane La Gazzetta dello Sport, Zidane foli hapur për planet e tij.

“Patjetër që do të kthehem si trajner. Unë te Juventusi? Nuk e di pse nuk ndodhi. Ende e kam në zemër atë klub. Më vonë, nuk e di. Por një nga qëllimet e mia është të stërvit ekipin kombëtar francez. Do ta shohim kur të vijë koha", tha Zidane.

Këto deklarata e përforcojnë edhe më shumë dëshirën e Zidanes për të marrë drejtimin e Francës, ashtu siç kishte lënë të kuptohej edhe më herët, në maj të këtij viti.

“Ndihem mjaftueshëm i sigurt për të marrë drejtimin e kombëtares franceze, ku kam luajtur për 12, 13, ndoshta 14 vjet. Sigurisht, është një ëndërr e imja dhe mezi pres ta realizoj. Kur të vijë koha, do të jetë një kënaqësi e madhe nëse më jepet mundësia. E kam lënë karrierën time në pritje për pak kohë, por ende ndihem si trajner", deklaroi Zidane.

Skenari për një kalim të mundshëm të Zidane në stolin e “Les Bleus” duket tashmë i shkruar. Arsyeja është e qartë: Didier Deschamps, aktualisht në krye të Francës dhe një ish-shok i Zidane te Juventusi dhe kombëtarja, ka paralajmëruar se do të tërhiqet pas Kupës së Botës 2026.

Nëse kjo ndodh, Zinedine Zidane duket kandidati më natyral dhe më i pëlqyer për ta trashëguar stolin e Francës, duke nisur një epokë të re me një nga figurat më ikonike në historinë e futbollit francez. /Telegrafi/

❌
❌