Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Komoran–Carralevë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se rreth orës 19:30 Policia ka pranuar informatën për një aksident trafiku me pasoja fatale, ku ishin të përfshira dy automjete.
Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë mbetur të lënduar, njëri prej të cilëve nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra. Vdekja e viktimës, mashkull, është konstatuar nga ekipi mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit në Komoran.
Të lënduarit e tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit janë në vazhdim./Telegrafi/
Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Kavajës, ku një automjet ka përplasur disa mjete të parkuara anës rrugës.
Sipas informacioneve, rreth orës 19:30, në rrugën “Josif Budo”, shtetasi F. K., 24 vjeç, banues në Kavajë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit që po drejtonte.
Si pasojë, ai ka goditur katër automjete të parkuara.
Nga aksidenti, drejtuesi i mjetit ka pësuar lëndime të lehta dhe është transportuar në spital për kontroll mjekësor, ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes ka dalë grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Policia britanike i tha gabimisht një familjeje se djali i tyre kishte vdekur në një aksident me makinë, kur në fakt ai kishte mbijetuar.
Policia e South Yorkshire informoi familjen e Trevor Wynn, 17 vjeç, se ai kishte ndërruar jetë, së bashku me një vajzë të së njëjtës moshë, pas një përplasjeje të rëndë në Todwick në Rotherham, më 13 dhjetor.
Në atë kohë, mendohej se Joshua Johnson, 18 vjeç, ishte nën qetësues në spital pasi ishte lënduar, transmeton Telegrafi.
SYP tha se "informacione të reja dolën në dritë" të dielën, të cilat kishin nxitur ndërmarrjen e proceseve të mëtejshme të identifikimit.
Kontrollet e mëtejshme u kryen pasi adoleshenti - që më parë mendohej të ishte Johnson - u zgjua në spital dhe tha se ishte Wynn, tha korrespondentja e Sky News, Emma Birchley.
Testet konfirmuan se Wynn ishte i riu i lënduar rëndë në spital që po merrte trajtim, dhe Johnson ishte personi që vdiq.
"Gabimi i habitshëm" kishte bërë që familja e Wynn të kalonte Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me bindjen se ai kishte vdekur, ndërsa familja e Johnson besonte se ai ishte plagosur në spital, tha Birchley.
"Po raportohet se ky informacion, në fakt, ishte pacienti që zgjohej dhe thoshte: 'Unë jam Trevor'", tha ajo.
"Në atë pikë, bëhen kontrolle, teste mjeko-ligjore. Dhe është konfirmuar se, në fakt, është Trevor në shtratin e spitalit. Dhe me të vërtetë për fat të keq, është Joshua ai që ka vdeku", shtoi ajo.
Familjeve të të dy adoleshentëve do t'u ofrohet mbështetja e shërbimeve të specializuara, tha policia.
Ndihmës shefi i policisë Colin McFarlane tha se kjo erdhi si "një tronditje e madhe për të gjithë, dhe ne e pranojmë traumën shtesë që kjo mund të shkaktojë.
"Ne po e mbështesim Trevorin dhe të gjitha familjet gjatë kësaj dhe kemi angazhuar agjenci të specializuara për të ndihmuar në ofrimin e kësaj mbështetjeje", shtoi McFarlane
"Gjithashtu kam ofruar të takohem me të dy palët e prindërve, pasi jam i sigurt se ata do të kenë shumë pyetje, shumicën e të cilave nuk jemi në gjendje t'u përgjigjemi ende, por jemi absolutisht të përkushtuar për të kuptuar se si ndodhi kjo në mënyrë që të mos ndodhë përsëri. Kemi marrë vendimin për t'ia referuar veten zyrës së pavarur për sjelljen e policisë”, theksoi ndër tjera.
Një 18-vjeçar u arrestua me dyshimin për shkaktim vdekjeje nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit, dhe një 19-vjeçar u mbajt i ndaluar me dyshimin për prishje të drejtësisë. Të dy janë liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme. /Telegrafi/
NJU JORK, 6 janar /ATSH-ANSA/ – Tashmë qyteti i Nju Jorkut pritet të ketë ajër më të pastër dhe 27 milionë makina më pak në rrugët e qytetit.
Ky rezultat vjen si pasojë e vendosjes së tarifave mbi automjetet që hyjnë në Manhattan nga Midtown, d.m.th., ana lindore e Rrugës së 60-të.
Kostoja për makinat është 9 dollarë në ditë gjatë orës së pikut, ndërsa natën bie në 2.25 dollarë. Për autobusët dhe kamionët, varion nga 14.40 dollarë në 21.60 dollarë gjatë orës së pikut, varësisht nga madhësia e tyre.
Sipas raporteve të mediave amerikane që citojnë MTA-në (agjencinë e transportit të qytetit), afërsisht 11% më pak makina hynë në Qendrën e Biznesit (CBD), ekuivalente me afërsisht 73,000 automjete në ditë.
Ndotja në zonë u ul me 22% dhe pati 17% më pak ankesa për zhurmën. Taksa i ka sjellë dobi edhe sistemit të metrosë, me rritjen e udhëtarëve me 7%.
“Rezultatet janë të jashtëzakonshme përtej të gjitha pritjeve. Prezidenti Donald Trump, nga ana tjetër, është kundër programit; presidenti është përpjekur vazhdimisht ta anulojë atë, por deri më tani pa sukses’’, deklaroi guvernatorja e New York-ut, Cathy Hochul. /os/
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pak pas mesnatës në Prishtinë, tek udhëkryqi i konvikteve,
Në këtë aksident janë përfshirë një veturë e Policisë së Kosovës dhe një veturë taksi.
Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes, shihet se të dyja veturat kanë pësuar dëme të mëdha materiale.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana.
Pllana bëri të ditur se katër persona janë lënduar.
“Rreth orës 00:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku melëndime në rrugën “Xhevë Lladrovci në Prishtinë. Në aksident janmë përfshirë dy vetura, si pasojë lëndime kanë pësuar katër persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë Pllana.
Ai ka shtuar se me rastin po merret trafiku i kryeqytetit. /Telegrafi/
Me më shumë se 17,000 aksidente trafiku dhe mbi 27,000 viktima në katër vjet, statistikat shtetërore tregojnë se Maqedonia ka një rritje të vazhdueshme të rreziqeve në trafik.
Në këtë kontekst, po lançohet edhe sistemi më i gjerë automatik i kontrollit të trafikut - "Qyteti i Sigurt", i cili ka regjistruar dhjetëra mijëra shkelje në ditë gjatë periudhës së testimit, duke ngritur pyetjen nëse teknologjia e përparuar mund ta ndalë ciklin në rritje të aksidenteve të trafikut.
Numri i aksidenteve të trafikut, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, i cili në vitin 2021 arriti në 4,069, u ul pak në 3,952 në vitin 2022. Megjithatë, në vend që të vazhdojë trendin në rënie, vitin pasardhës numri rritet përsëri në 4,274, dhe në vitin 2024 arrin në 4,526 aksidente.
Paralelisht me rritjen e aksidenteve, rritet edhe numri i viktimave. Pas një rënieje të ndjeshme në vitin 2022, kur u regjistruan 6,420 viktima, ka një rritje tjetër - 7,105 në vitin 2023 dhe 7,298 në vitin 2024. Krahasuar me pikën më të ulët në vitin 2022, kjo është një rritje prej gati 900 personash në vetëm dy vjet.
Rritja e numrit të vdekjeve është veçanërisht alarmante.
Ndërsa 116 persona vdiqën në vitin 2021, në vitin 2022 numri rritet në 124, në vitin 2023 arrin në 127, dhe në vitin 2024 shënon vlerën më të lartë - 142 viktima.
Shumica e vdekjeve në vitin 2024 janë shoferë, gjithsej 85, të ndjekura nga 33 pasagjerë dhe 24 këmbësorë.
Edhe pse numri i vdekjeve të këmbësorëve ka rënë pak, humbja e jetës midis shoferëve është më e larta në katër vitet e fundit.
Lëndimet janë gjithashtu në rritje. Numri i personave të lënduar rëndë dhe lehtë, i cili ishte 6,659 në vitin 2021, zvogëlohet në 6,296 në vitin 2022, por rritet në 6,978 në vitin 2023 dhe arrin në 7,156 të lënduar në vitin 2024.
Në përmbledhje, dy vitet e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme dhe të qartë të numrit të aksidenteve, numrit të të lënduarve dhe numrit të vdekjeve.
Në të njëjtën kohë, shteti po lançon sistemin më kompleks për kontrollin automatik të trafikut - "Qyteti i Sigurt". Sistemi përfshin një rrjet kamerash stacionare dhe mobile, radarë, integrim me bazat e të dhënave dhe krijim automatik të raporteve. Shkeljet (shpejtësi, kalim i semaforit të kuq, automjete të paregjistruara, parkim i paligjshëm) dokumentohen në mënyrë dixhitale, dhe njoftimet dhe urdhër-pagesat do të dërgohen elektronikisht, me një zbritje për pagesën në kohë.
Periudha e provës së sistemit "Qytet i Sigurt" filloi më 1 dhjetor 2025 dhe sipas informacionit nga Ministria e Punëve të Brendshme, në periudhën e parë të provës u regjistruan 110 mijë shkelje në 24 orë, ndërsa të nesërmen, më 2 dhjetor, u regjistruan gjithsej 50,652 shkelje, që përfaqëson një përgjysmim të numrit të shkeljeve të regjistruara. Nga këto, 48,861 janë shkelje të shpejtësisë, 1,366 për semaforë të kuq dhe 425 për automjete të paregjistruara.
Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Slivovë të Graçanicës.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 03 janar 2026, rreth orës 14:33, kur një vozitëse, duke drejtuar veturën nga pakujdesia, ka shkaktuar vetëaksident.
Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar vozitësja, si dhe dy pasagjerë të mitur, një mashkull dhe një femër, të dy shtetas të Kosovës. Të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. /Telegrafi/
Aksi rrugor Elbasan – Librazhd është përballur sërish ditët e fundit me trafik të rënduar dhe radhë të gjata automjetesh, duke kthyer një nga rrugët kryesore lidhëse të qarkullimit lindje – perëndim në një burim stresi dhe lodhjeje për drejtuesit e mjeteve.
Shkak kryesor mbeten punimet në rrugë, sidomos në zonën e Murrashit, ku po ndërtohen edhe dy tunele, puna e të cilëve nuk ka një afat të qartë përfundimi.
Shoferët raportojnë vonesa që shkojnë nga 30 minuta deri në disa orë, sidomos gjatë kësaj fundjave ku për shkak edhe të fluksit të festave qytetarët kanë pritur me orë të tëra në trafik në temperatura minus.
Për banorët e zonës dhe transportuesit, kjo rrugë është kthyer së fundmi në një provë durimi. Mungesa e sinjalistikës, mungesa e një By Pass-i dhe menaxhimi efikas i trafikut nga ana e policisë e përkeqëson edhe më tej situatën.
Përpos deklaratave periodike për përmirësimin e infrastrukturës, qytetarët kërkojnë një plan konkret për lehtësimin e trafikut dhe një përgjigje të qartë se kur do të përfundojnë këto punime që janë kthyer tashmë në një makth të përditshëm.
Deri atëherë, aksi Elbasan–Librazhd mbetet simbol i një problemi të përsëritur në infrastrukturë, ndërsa nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky hall që i ka zënë shoferët dhe qytetarët që u duhet të lëvizin në këtë zonë.
Pas një situate tejet problematike që zgjati nga orët e para të mëngjesit deri rreth orës 23:00 të ditës së djeshme, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd–Prrenjas, i është rikthyer normalitetit.
Kaosi rrugor, i shkaktuar nga ngricat tejet të mëdha dhe reshjet e dëborës, la të bllokuara mijëra automjete dhe dhjetëra mijëra pasagjerë, të cilët u detyruan të kalojnë orë të tëra në rrugë, në kushte të vështira atmosferike.
Situata u përkeqësua ndjeshëm në segmentet më problematike të këtij aksi, të njohura për prezencën e shpeshtë të ngricave, si “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku mungesa e ndërhyrjes në kohë bëri që qarkullimi të paralizohej pothuajse totalisht.
Automjetet u rreshtuan në kolona të gjata, të cilat në disa raste arritën deri në dhjetëra kilometra nga Fushë Labinot i Elbasanit deri te Ura e Bushtricës në bashkinë e Prrenjasit, duke krijuar një situatë e paprecedentë për këtë aks kombëtar.
Sipas burimeve nga terreni, nëse firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e këtyre segmenteve rrugore do të kishin qenë në gadishmëri dhe do të kishin ndërhyrë në kohë me hedhjen e kripës në zonat problematike, situata nuk do të kishte dalë jashtë kontrollit.
Mungesa e masave parandaluese dhe vonesa në reagim u kthyen në faktorë kyç që çuan në bllokimin masiv të qarkullimit.
Vetëm pas ndërhyrjes shumë të vonuar dhe përmirësimit gradual të kushteve atmosferike, qarkullimi nisi të normalizohej, duke i dhënë fund një dite të gjatë dhe tejet të vështirë për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.
Ndërkohë, kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze dhe kërkesa për përgjegjësi dhe planifikim më të mirë nga institucionet dhe subjektet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Dy persona nga Gostivari kanë ndërruar jetë pasi kanë rënë me veturë në lumin Radika.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën rajonale Mavrovë-Dibër, teksa arsye e aksidentit sipas informatave zyrtare të policisë është humbja e kontrollit të veturës.
"Sot (02.01.2026) në ora 15:50 në SPB Gostivar është raportuar një aksident komunikacioni në rrugën rajonale Mavrovë-Dibër, në të cilin automjeti i udhëtarëve "Volkswagen Bora" me targa të Gostivarit, ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumin Radika. Nga aksidenti kanë humbur jetën A.F. dhe M.F. nga fshati Vidushë e Gostivarit. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik, automjeti do të ndalohet në Stacionin Policor të Gostivarit për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, ndërsa trupat e të vdekurve do të dërgohen për obduksion", informuan nga MPB.
Po ndërmerren masa për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në zonën e Bypass-it.
Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka ndodhur rreth orës 03:18 mes dy automjeteve që lëviznin në këtë segment rrugor.
Mjetet drejtoheshin nga dy të rinj, 25 dhe 24 vjeç, të dy banues në Tepelenë.
Përplasja rezultoi fatale për të dy drejtuesit e automjeteve, si edhe për një pasagjer 27-vjeçar që udhëtonte në njërin prej mjeteve.
Ndërkohë, një vajzë 19-vjeçare ka mbetur e plagosur dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Si pasojë, qarkullimi i automjeteve në këtë aks është zhvilluar me vështirësi për disa orë./euronews/
Pamjet tronditëse të kamerave të sigurisë kanë kapur momentin kur një makinë u përplas në oborrin e një shtëpie në Nevada, duke u përplasur në çatinë e një shtëpie me pishinë, ndërsa shoferi i dyshuar i dëmtuar u nxor nga makina dhe ra në një pishinë aty pranë.
Pamjet nga shtëpia e Cletis Reed në Laughlin treguan Chevrolet-in e bardhë duke thyer një mur me blloqe në një kënd pothuajse 90 gradë, pak para orës 23:00 më 15 dhjetor.
Më pas mund të shihej duke u përplasur disa herë në ajër, përpara se të godiste çatinë e shtëpisë me pishinë. Ndërkohë, një spërkatje e madhe mund të shihej që vinte nga pishina, transmeton Telegrafi.
Në fund, automjeti i shkatërruar shihet duke u ndalur sipër rrënojave me çatinë e tij të shqyer, ndërsa një person mund të shihej duke notuar në pishinë.
Autoritetet tani thonë se shoferja e paidentifikuar po ecte me shpejtësi në rrugë dhe 'nuk arriti të ndalet' përpara se të përplasej në murin me blloqe, raporton Fox 5 Vegas.
Shoferja u gjet më pas në cekëtinën e saj, të cilën Reed tha se është vetëm deri në bel. Ai tha se si ai ashtu edhe shoferja tani janë me fat që janë gjallë.
“Ajo ishte e bekuar dhe unë isha e bekuar”, tha Reed, duke përshkruar se si ishte gati të hynte në vaskën e tij të nxehtë - e cila ndodhej pikërisht pranë murit që ishte shkatërruar - kur makina u përplas brenda.
Por për shkak të vendimit të tij të minutës së fundit për të folur me gruan e tij, Reed tha se ishte brenda kur dëgjoi përplasjen, e cila tha se “tingëllonte si një tren mallrash”.
“Mendova se diçka ndodhi në rrugë dhe dola për të parë të gjithë oborrin tim të shkatërruar. Dua të them, gjithçka ishte hedhur në erë. Veranda është përtokë, zonja po noton në pishinën time”, u ankua ai.
Pavarësisht zemërimit të tij për atë që kishte ndodhur, Reed e nxori gruan nga pishina e tij, pasi të tjerë mund të shiheshin në pamjet e tij të sigurisë duke parë përmes vrimës së hapur në murin e oborrit të tij.
Pronari i shtëpisë tani po negocion me kompaninë e tij të sigurimeve për të përcaktuar se sa do të duhet të shpenzojë për riparimet, të cilat ai vlerëson se do të kushtojnë gati 300,000 dollarë.
Ai i kishte investuar kursimet e tij të pensionit në oazën e oborrit të shtëpisë, e cila përfshinte vaskën e nxehtë dhe një pishinë në stilin e resortit. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka identifikuar drejtuesin e automjetit që më 23 dhjetor 2025 goditi një fëmijë 13-vjeçar në rrugën “Ali Aliu Kelmendi” në Prishtinë dhe iku nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka ndërmarrë veprime hetimore për të identifikuar personin e dyshuar.
Pas intervistimit, ndaj tij kanë filluar procedurat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia ka theksuar se aksidenti përfshinte një automjet dhe një këmbësor dhe se drejtuesi i automjetit ishte larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe përgjegjësive në trafik.
Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 20:10 në hyrje të autostradës “Arbën Xhafetri” në Kaçanik, ku një person ka pësuar lëndime.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura prej të cilave njëra me targa të huaja.
“Si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime të lehta trupore”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e trafikut rrugor të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë hetuar rrethanat e aksidentit. /Telegrafi/
Waymo, kompania që udhëheq garën e robotaksive në SHBA, u përball me një dështim të dukshëm pas një ndërprerjeje të madhe të energjisë elektrike në San Francisko.
Zjarri në një nënstacion të PG&E la pa energji deri në 130 mijë konsumatorë, duke nxjerrë jashtë funksionit semaforët dhe duke shkaktuar kaos në trafik.
Gjatë kësaj kohe, disa automjete autonome të Waymo u panë të ndaluara në mes të rrugës për orë të tëra, duke bllokuar qarkullimin, përcjell Telegrafi.
Waymo's self-driving cars were put on pause by the company on Saturday in San Francisco after the autonomous vehicles were baffled by the lack of traffic signals due to a widespread power outage in the city. https://t.co/t6NgkBCTe7pic.twitter.com/cXoK0yuvTw — ABC News (@ABC) December 21, 2025
Banorët raportuan se robotaksitë “thjesht ndalonin pa asnjë reagim”.
Waymo pranoi se shkalla e ndërprerjes e mbingarkoi logjikën e sistemit, i cili nuk arriti të menaxhonte situatën si një ndalesë katërkahëshe.
Si pasojë, kompania pezulloi përkohësisht shërbimin dhe tërhoqi automjetet në parking.
Ndërkohë, Elon Musk pretendoi se robotaksitë e Tesla-s nuk u prekën nga situata, por këto automjete ende operojnë me shofer njerëzor dhe nuk janë plotësisht autonome. /Telegrafi/
Një makinë u përplas me një turmë në Elburgerweg në Nunspeet, Holandë, duke lënduar disa persona të hënën në mbrëmje, sipas faqes rajonale holandeze të lajmeve GelreNieuws.
Përplasja ndodhi rreth orës 7 të mbrëmjes, me sa duket gjatë një parade me qirinj, dhe shumë autoambulanca dhe helikopterë përgjigjën ndërsa autoritetet punuan për të siguruar zonën.
Detajet mbeten të kufizuara ndërsa hetuesit vazhdojnë të shqyrtojnë rrethanat dhe numrin e të lënduarve, transmeton Telegrafi.
🚨🇳🇱 Al menos 10 personas resultaron heridas luego de que un conductor embistiera con su vehículo a una multitud en Nunspeet, Países Bajos, informaron autoridades.
Servicios de emergencia atendieron a los lesionados mientras la policía investiga las causas hoy mismo!!! pic.twitter.com/qwsdSqkuBo — Global Network News 🌎 (@iluminnatii) December 22, 2025
Nunspeet është një komunë e vogël në Holandën qendrore, e vendosur në provincën e Gelderland në buzë të Veluwe, një nga rezervatet më të mëdha natyrore pyjore të vendit.
Shtëpi e rreth 27,000 banorëve, është e njohur për mjedisin e saj të pyllëzuar, rrugët e çiklizmit dhe afërsinë me liqenin Veluwe, duke e bërë atë një destinacion popullor për rekreacion dhe turizëm në natyrë.
Qyteti ka një karakter kryesisht banimi, me një qendër historike fshati dhe disa fshatra përreth, dhe është i lidhur mirë me rrugë dhe hekurudhë me qytete më të mëdha si Zwolle dhe Amersfoort. /Telegrafi/
Nga janari i këtij viti e deri në muajin nëntor, 101 persona kanë vdekur nga aksidentet në komunikacion.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, është shënuar numër më i madh i viktimave në aksidente, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Njohës të komunikacionit u bëjnë thirrje institucioneve që të marrin masa parandaluese, në mënyrë që të kemi ulje të numrit të aksidenteve në trafik.
Vetëm brenda periudhës janar–nëntor të këtij viti, 101 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Ky numër është më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 92 viktima.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, duke u bazuar në këto shifra, u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa preventive për parandalimin dhe uljen e numrit të aksidenteve në trafik.
“Sivjet kemi një numër shumë të madh të aksidenteve në komunikacionin rrugor. Me rritjen e numrit të aksidenteve, është rritur edhe numri i personave të vdekur, si dhe i lëndimeve të rënda trupore”, tha ai për RTK-në.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 42 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa janë shqiptuar 1.454 tiketa trafiku.
Dy persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi herët në mëngjes në autostradën Beograd – Nish në Serbi.
Sipas informacioneve nga mediat serbe, që i përcjellë Shenja, aksidenti ndodhi pranë daljeve të Umçarit, pasi vetura e markës “Seat” me targa gjermane ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës.
Raportohet se nga makina e aksidentuar u nxorën trupat e një burri dhe një gruaje, të cilët u konfirmuan se janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Sipas raportimeve, në automjet ndodhej edhe një person tjetër, pasagjer, i cili mbijetoi përplasjen, por pësoi lëndime të rënda trupore dhe u dërgua urgjent në spital për trajtim mjekësor.
Të paktën 16 persona humbën jetën dhe 20 lënduan, pasi një autobus shkolle që mbante fëmijë dhe të rritur u rrëzua nga një shkëmb në Kolumbinë veriore.
Në një postim në X të dielën, guvernatori i Antioquia-s, Andres Julian, tha se autobusi po udhëtonte nga qyteti i Karaibeve, Tolu për në Medellin pas një ekskursioni shkollor dhe po mbante nxënës nga shkolla e mesme Liceo Antioqueño.
"Deri më tani, më shumë se një dhjetëra personash raportohen të vdekur dhe 20 të lënduar. I gjithë rrjeti spitalor është aktivizuar për të marrë pjesë dhe për të mbështetur këtë emergjencë", tha Julian.
Aksidenti ndodhi rreth orës 5:40 të mëngjesit në një rrugë që lidh Remedios dhe Zaragoza, në zonën El Chispero, sipas El Colombiano.
Raportet fillestare tregojnë se automjeti, i cili kishte mbajtur 45 pasagjerë, u rrokullis afërsisht 80 metra poshtë një përroi, për arsye që janë ende nën hetim.
Shkolla ka sqaruar se shëtitja nuk ishte një aktivitet zyrtar shkollor dhe u organizua direkt nga nxënësit.
Midis viktimave ishte edhe shoferi i autobusit, i identifikuar në nivel lokal si Johnatan Taborda Cocacolo, i cili punonte për kompaninë e transportit turistik Precultur.
Anëtarët e rrjetit turistik të Antioquia-s e vajtuan vdekjen e tij dhe shprehën ngushëllimet e tyre familjes, miqve dhe kolegëve të tij. /Telegrafi/
Si pasojë e përplasjes, dy gra kosovare kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit kompetent, drejtuesja e dyshuar si shkaktare e aksidentit është dërguar në mbajtje.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/