Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 31 December 2025Main stream

Pesë njerëz që pushtuan ballinat botërore më 2025

31 December 2025 at 08:03


Nga xhihadisti i shndërruar në burrë shteti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, te Virginia Giuffre, akuzuesja e amerikanit të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein: këto janë pesë figura që definuan vitin 2025.

Ahmed al-Sharaa

Nga një ish-xhihadist i njohur si Abu Mohammed al-Jolani në president të përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm qëkurse sundimtari i kamotshëm, Bashar al-Assad, u rrëzua nga pushteti.

Më 8 dhjetor 2024, Sharaa hyri në Damask pasi udhëhoqi ofensivën e rrufeshme të aleancës së tij islamiste nga bastioni i tyre në veriperëndim të Sirisë, duke i dhënë fund luftës civile që zgjati gati 14 vjet.

Duke e shkurtuar mjekrën dhe duke ndërruar uniformat ushtarake me kostume, Sharaa u vendos në pallatin presidencial ku Assadi - i cili u arratis në Rusi - dhe dinastia e familjes së tij sunduan për dekada.

Sharaa e mbërtheu shpejt pushtetin: ai u emërua president për një periudhë kalimtare pesëvjeçare dhe formoi një qeveri në të cilën aleatët e tij mbajnë poste kyç, megjithëse disa pjesë të vendit mbeten ende jashtë kontrollit të tyre.

Komuniteti ndërkombëtar e ka pritur kryesisht me krahë hapur, pavarësisht episodeve të dhunës sektare kundër pakicave alavite dhe druze gjatë këtij viti.

Shtetet e Gjirit, aleati kryesor Turqia dhe Franca janë ndër vendet që e kanë pritur Sharaan, i cili iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

Vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë në nëntor ishte njohja kulmore për një njeri, për të cilin dikur jepej shpërblim prej 10 milionë dollarësh për ta kapur.

MrBeast

Në vitin 2025, krijuesi më me ndikim i përmbajtjes online në botë ndërmori projekte të reja ekstravagante, nga një park argëtimi, një serial i animuar, deri te një markë lodrash.

Në vendin e parë në YouTube me mbi 450 milionë ndjekës, Jimmy Donaldson - ose MrBeast - drejton një perandori të ndërtuar rreth personalitetit të tij, e cila përfshin një markë çokollate, një zinxhir restorantesh dhe madje edhe një serial në Amazon Prime.

Krijuesi amerikan 27-vjeçar u pozicionua madje si një pretendent për blerjen e rrjetit social TikTok në Shtetet e Bashkuara.

Duke filluar me video udhëtimesh ose shakash, marka e tij dalluese tani është bërë gara popullore me çmime që shpesh arrijnë shifra shtatëshifrore. Në një rast, ai riprodhoi konceptin e serialit televiziv të suksesshëm “Squid Game”.

Në shtator, videoja e tij “A do ta rrezikoje jetën për 500.000 dollarë?”, që përfshinte një kaskader në një ndërtesë që digjej, u dënua nga disa, pasi kritikët e akuzuan e vuri në rrezik jetën e njerëzve për argëtim.

I shpallur në vitin 2023 nga revista Time si një nga njerëzit më me ndikim në botë, MrBeast ka një pasuri prej rreth gjysmë miliardi dollarësh, sipas Forbes.

Maria Corina Machado

Udhëheqësja e opozitës venezuelase e fshehur, Maria Corina Machado, është sfiduese e guximshme e një qeverie me dorë të hekurt. Ky rol ia siguroi asaj Çmimin Nobel për Paqen 2025.

Pra, 58-vjeçarja nuk ka hequr dorë kurrë nga kritikat ndaj presidentit Nicolas Maduro - i cili akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve të njëpasnjëshme për të qëndruar në pushtet dhe për burgosjen e kundërshtarëve - apo ndaj paraardhësit të tij socialist, Hugo Chavez.

Megjithatë, ajo është kritikuar për për lidhjet e saj me të djathtën ekstreme në Evropë.

Inxhiniere me profesion, Machado gëzon një popullaritet të ngjashëm me atë të yjeve të muzikës dhe një aftësi për të mbledhur turma të mëdha me fjalime entuziaste.

Ajo ishte kandidate e opozitës për zgjedhjet presidenciale në Venezuelë në vitin 2024, por ia ndalua pjesëmarrja.

Në vend që të tërhiqej në heshtje, ajo bëri fushatë pa u lodhur për zëvendësuesin e saj: ish-diplomatin pak të njohur Edmundo Gonzalez Urrutia.

Maduro shpalli fitoren zgjedhore, por vetëm një grusht vendesh e njohën rezultatin e tij.

Gonzalez Urrutia iku në mërgim në Spanjë, por Machado mbeti për të udhëhequr rezistencën nga fshehja.

“Do të jem aty ku mund të jem më e dobishme për vendin tonë”, i tha ajo AFP-së në tetor.

Oleksandr Usyk

Ukrainasi Oleksandr Usyk u bë njëri nga boksierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në vitin 2025.

Në moshën 38-vjeçare, Usyk u bë kampion i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë për herë të dytë në korrik, pasi nokautoi Daniel Duboisin në stadiumin Wembley.

Ai thotë se lavdia nuk është për veten e tij, por për kombin e tij të goditur nga lufta, Ukrainën, dhe për ata që e mbrojnë atë kundër forcave ruse.

“Dua ta falënderoj të gjithë Ukrainën, djemtë që po mbrojnë vendin tonë. Kam marrë mesazhe të panumërta nga ushtarë… aktualisht në vijën e frontit”, tha ai. “Djem, ju jeni të jashtëzakonshëm; ju ma mundësoni të jem këtu sot”.

Usyk, i cili ka fituar të gjitha 24 ndeshjet e tij profesionale, ka valëvitur flamurin e Ukrainës, qoftë duke mbledhur fonde apo duke folur publikisht, pasi u bind të mos i kapte vetë armët në dorë.

Ai përdori gjithashtu fonde për të rindërtuar shtëpinë e Oleksiy Dzhunkivskyi, një mik dhe ish-bashkëlojtar që u vra nga forcat ruse në Irpin, një periferi e Kievit.

“Gjatë tri vjetëve të fundit, fondacioni im ka mbledhur miliona euro nga donatorë të ndryshëm për të mbështetur ushtrinë, përpjekjet e rindërtimit dhe projektet humanitare”, i tha ai AFP-së në mars.

Virginia Giuffre

Virginia Giuffre - e cila ishte ndër gratë kryesore që i akuzuan të dënuarit për abuzime seksuale, Jeffrey Epsteinin dhe ish-princin britanik Andrew - i dha fund jetës së vet në prill në moshën 41-vjeçare.

Për gati 15 vjet, ajo foli për përdhunimin nga financieri kur ishte e mitur dhe pretendoi se ishte shfrytëzuar seksualisht nga disa prej miqve të fuqishëm të Epsteinit, përfshirë princin e atëhershëm Andrew.

Epstein vdiq në një qeli burgu në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.

Bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell, po vuan një dënim me 20 vjet burgim, dhe Andrew i janë hequr të gjithë titujt mbretërorë.

Giuffre krijoi një familje në Australi dhe themeloi “Speak Out, Act, Reclaim”, një grup mbështetës për viktimat e trafikimit seksual dhe abuzimit seksual. Kujtimet e saj u botuan së fundmi pas vdekjes.

Before yesterdayMain stream

Siria prezanton kartëmonedha të reja, heqin imazhet e al-Assadit

30 December 2025 at 18:45


Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, zbuloi kartëmonedhat e reja të vendit në një ceremoni në Damask të hënën, duke hequr imazhet e udhëheqësit të rrëzuar Bashar al-Assad dhe babait të tij Hafez al-Assad, në një ndarje simbolike me të kaluarën.

Monedha e re, e cila hyn në qarkullim më 1 janar, përmban prerje 10, 25, 50, 100, 200 dhe 500 funte siriane pas heqjes së dy zerove nga kartëmonedhat ekzistuese, transmeton Telegrafi.

Kartmonedhat e ridizajnuara shfaqin simbole bujqësore, duke përfshirë trëndafila, grurë, ullinj, portokallë dhe manash për të cilat njihet Siria, duke zëvendësuar imazhet politike.

Al-Shara tha se monedha e re shënon "fundin e një faze të mëparshme, dhe fillimin e një faze të re që populli sirian aspiron", sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Sirisë, SANA.

"Dizajni i ri i monedhës është një shprehje e identitetit të ri kombëtar dhe një largim nga nderimi i individëve", shtoi ai.

- YouTube www.youtube.com

Guvernatori i Bankës Qendrore, Abdul Qader Hosriya njoftoi se procesi i këmbimit valutor do të përfundojë brenda 90 ditëve, me një zgjatje të mundshme.

Një dekret presidencial i vitit 2025 i jep bankës qendrore autoritetin për të përcaktuar afatet dhe vendet për këmbimin e kartëmonedhave të vjetra.

Al-Sharaa theksoi se heqja e zeros nga kartëmonedhat do të lehtësojë transaksionet ditore, por në vetvete nuk do të thotë rimëkëmbje ekonomike.

"Ndryshimi i zeros dhe heqja e dy zeros nga monedha e vjetër në monedhën e re nuk do të thotë përmirësim i ekonomisë, por përkundrazi është më e lehtë të merresh me monedhën", tha ai.

"Përmirësimi i ekonomisë varet nga rritja e shkallës së prodhimit dhe ulja e shkallës së papunësisë në Siri, dhe një nga bazat e arritjes së rritjes ekonomike është përmirësimi i situatës bankare sepse bankat janë si arterie për ekonominë", shtoi ai.

Ai theksoi se faza e tranzicionit është "e ndjeshme" dhe "delikate", duke i kërkuar publikut të qëndrojë i qetë dhe të shmangë nxitimin për të shkëmbyer kartëmonedha të vjetra. /Telegrafi/


New Syrian banknotes issued by their Central Bank for the first time in over 5 decades do not feature any of the Asad’s family members on them and have a nice colored design with various plants native to Syria pic.twitter.com/v7RYR3w9ok
— Michael Elgort (@just_whatever) December 30, 2025

Trump paralajmëron Izraelin 'të mos ndërhyjë' në Siri

1 December 2025 at 20:12


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e paralajmëroi Izraelin të hënën kundër destabilizimit të Sirisë dhe udhëheqjes së saj të re, disa ditë pas një operacioni vdekjeprurës nga forcat izraelite në jug të vendit.

"Është shumë e rëndësishme që Izraeli të mbajë një dialog të fortë dhe të vërtetë me Sirinë dhe të mos ndodhë asgjë që do të ndërhyjë në evolucionin e Sirisë në një shtet të begatë", tha Trump në platformën e tij "Truth Social".

Menjëherë pas postimit të Trump në mediat sociale, zyra e Benjamin Netanyahut tha se kryeministri izraelit zhvilloi një telefonatë me presidentin e SHBA-së.

Trump theksoi se ishte "shumë i kënaqur" me performancën e Sirisë nën drejtimin e presidentit Ahmed al-Sharaa, i cili bëri një vizitë historike në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

Trump ka kërkuar një pakt sigurie midis Izraelit dhe Sirisë që kur koalicioni i al-Sharaa rrëzoi sundimtarin e hershëm Bashar al-Assad një vit më parë.

Por tensionet janë rritur për shkak të qindra sulmeve nga Izraeli në Siri.

Në operacionin më vdekjeprurës deri më tani, forcat izraelite vranë 13 persona të premten në një operacion në Sirinë jugore, duke thënë se ata kishin në shënjestër një grup militant.

Trump tha se al-Sharaa “po punon me zell për t’u siguruar që të ndodhin gjëra të mira dhe që Siria dhe Izraeli të kenë një marrëdhënie të gjatë dhe të begatë së bashku”.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “po bëjnë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u siguruar që Qeveria e Sirisë të vazhdojë të bëjë atë që ishte menduar” për të rindërtuar vendin e shkatërruar nga lufta.

Marrëdhëniet e mira midis Sirisë dhe Izraelit do t’i shtojnë përpjekjet e tij për një paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme pas armëpushimit të brishtë në Gaza në tetor, shtoi Trump. /Telegrafi/

Standard i ri në mjekësi/ Rama: Kryhet me sukses rikonstruksioni i Ligamentit Cruciat Posterior në Spitalin Memorial të Fierit

27 November 2025 at 15:11

FIER- Në Spitalin Memorial të Fierit, është kryer me sukses rikonstruksioni i Ligamentit Cruciat Posterior (PCL Reconstruction),  e para ndërhyrje e këtij lloji në një spital publik në vend.

Lajmi u bë publik nga kryeministri Edi Rama, me anë të një shënimi në rrjetet e tij sociale.


“Në Spitalin Memorial të Fierit, është kryer me sukses rikonstruksioni i Ligamentit Cruciat Posterior (PCL Reconstruction), e para ndërhyrje e këtij lloji në një spital publik në vend.

Kjo ndërhyrje përfaqëson një standard të ri të teknologjisë së avancuar, të mundësuar falë përdorimit të artroskopit. Mirënjohje ekipit shqiptaro–turk:mjekëve kirurgë ortopedë Dr. Gökhan Sayer, Dr. Arsel Dizdari dhe Dr. Mehmet Ali Yayla, si edhe ekipit anesteziologjik të drejtuar nga Dr. Edison Taraj, infermierit Renato Zeneli dhe teknikës së anestezisë Migena Danaj.”, shkruan Rama.

“Sa gra ke?”: Momenti interesant mes Trumpit dhe presidentit sirian në Shtëpinë e Bardhë

12 November 2025 at 20:57


Presidenti Donald Trump priti presidentin sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë të hënën duke i dhuruar dy shishe me parfumin e tij karakteristik "Victory 45-47", përfshirë një për gruan e udhëheqësit sirian, ndërsa pyeti "sa gra kishte”.

Takimi shënoi vizitën e parë në Zyrën Ovale nga një kryetar shteti sirian që nga pavarësia e vendit në vitin 1946.

Al-Sharaa, 43 vjeç, një ish-komandant rebel dikur i ndjekur nga SHBA-të me një shpërblim prej 10 milionë dollarësh, mori pushtetin pas përmbysjes së Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar.

Dhe në një klip në Zyrën Ovale që qarkulloi në internet të mërkurën, presidenti i dhuroi al-Sharaa një shishe me kolonjën e tij, duke e spërkatur atë në qafën e udhëheqësit sirian, përcjell Telegrafi.

A clearer video: Trump spraying Jolani with cologne and asking, “How many wives do you have? Just one? You never know….”

Never a dull moment. pic.twitter.com/FPYce56qjZ
— Open Source Intel (@Osint613) November 12, 2025

"Është aroma më e mirë", këmbënguli Trump, duke vazhduar të spërkasë edhe një anëtar të kabinetit sirian.

“Merre vetëm atë, tjetra është për gruan tënde”, tha Trump, sipas një ndihmësi të pranishëm në shkëmbim. “Sa gra ke?”

Dhe Al-Sharaa qeshi duke thënë: “Një!”

Trump tha me shaka: “Me ju djema, nuk e di kurrë. Apo jo?”.

SHBA-të votuan së fundmi për të hequr sanksionet ndaj qeverisë së al-Sharaa, duke sinjalizuar “një shkrirje” në marrëdhëniet pas viteve të izolimit. /Telegrafi/

VIDEO/ Pas takimit me Trumpin, Sharaa flet për luftën që ka bërë kundër amerikanëve

By: D Marku
12 November 2025 at 13:50

Pas vizitës historike të parë të një presidenti sirian në Shtëpinë e Bardhë, Ahmed al‑Sharaa, ish‑luftëtar në Siri dhe Irak, dha një intervistë ekskluzive për The Washington Post, në të cilën foli për rivendosjen e marrëdhënieve midis Damaskut dhe Uashingtonit, bisedimet me Izraelin, sanksionet amerikane, zhdukjen e gazetarit Austin Tice dhe rrugëtimin e tij nga rebelimi deri te kreu i shtetit.

Sharaa, i cili foli me ndihmën e një përkthyesi, theksoi se qëllimi i tij kryesor ishte të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat, sipas tij, “që njëqind vjet janë në anë të kundërta të historisë”.

“Qëllimi më i rëndësishëm këtë herë ishte ndërtimi i marrëdhënieve midis Sirisë dhe Shteteve të Bashkuara, sepse gjatë 100 viteve të fundit ato nuk kanë qenë të mira. Kërkuam interesa të përbashkëta dhe i gjetëm, nga siguria te ekonomia. Stabiliteti i Sirisë ndikon në të gjithë rajonin, po ashtu edhe paqëndrueshmëria e saj”, tha Sharaa.

Duke folur për sanksionet amerikane, ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti lidhen drejtpërdrejt me heqjen e tyre. “Për këto çështje po bisedojmë prej muajsh dhe kemi arritur rezultate të mira, por presim vendimin përfundimtar”, tha ai.

Kur u pyet për fatin e gazetarit amerikan Austin Tice, i cili është zhdukur në Siri, Sharaa tha se “gjatë luftës që regjimi i mëparshëm zhvilloi kundër popullit të vetë u zhdukën qindra mijëra njerëz, përfshirë të huajt”.

The post VIDEO/ Pas takimit me Trumpin, Sharaa flet për luftën që ka bërë kundër amerikanëve appeared first on Albeu.com.

Trump zotohet të mbështesë udhëheqjen siriane pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin al-Sharaa

11 November 2025 at 09:57


Presidenti amerikan Donald Trump u zotua të "bëjë gjithçka që mundet për ta bërë Sirinë të suksesshme", pas një takimi të parë të këtij lloji në Shtëpinë e Bardhë me presidentin sirian Ahmad al-Sharaa të hënën.

Takimi në Zyrën Ovale ishte i mbyllur për shtypin dhe al-Sharaa hyri në ndërtesë përmes West Executive Avenue, ngjitur me Shtëpinë e Bardhë, në vend që të përdorej në rrugën e hyrjes West Wing që përdoret normalisht për mbërritjet e udhëheqësve të huaj, transmeton Telegrafi.

Ai doli nga Shtëpia e Bardhë rreth dy orë më vonë dhe përshëndeti një turmë mbështetësish të mbledhur jashtë para se të hipte në veturën e tij.

Pas takimit, Trump tha për al-Sharaa se "ka besim se ai do të jetë në gjendje ta bëjë punën", duke shtuar më vonë në një postim në mediat sociale se planifikon të takohet dhe të flasë përsëri me udhëheqësin sirian.

Siria konfirmoi zyrtarisht se do t'i bashkohej koalicionit global kundër grupit të Shtetit Islamik gjatë vizitës së al-Sharaa, duke u bërë anëtari i 90-të i saj, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.

SHBA-të do të lejojnë gjithashtu që Siria të rifillojë operacionet në ambasadën e saj në Uashington, në mënyrë që të dy vendet të mund të koordinohen më mirë në luftën kundër terrorizmit, sigurisë dhe çështjeve ekonomike, tha zyrtari.

Ministria e Jashtme e Sirisë, në një deklaratë, e përshkroi takimin si "miqësor dhe konstruktiv" dhe tha se Trump "riafirmoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ofruar mbështetjen që i nevojitet udhëheqjes siriane për të siguruar suksesin e procesit të rindërtimit dhe zhvillimit".

Al-Sharaa, në një intervistë në Fox News, tha se ai dhe Trump biseduan për mundësitë e investimit në Siri në të ardhmen, "në mënyrë që Siria të mos shihet më si një kërcënim për sigurinë. Tani shihet si një aleat gjeopolitik. Dhe është një vend ku Shtetet e Bashkuara mund të kenë investime të mëdha, veçanërisht në nxjerrjen e gazit".

Vizita e Al-Sharaa ishte e para në Shtëpinë e Bardhë nga një kryetar shteti sirian, që kur vendi i Lindjes së Mesme fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1946.

Kjo vjen pasi SHBA-të hoqën sanksionet e vendosura ndaj Sirisë gjatë dekadave kur vendi u sundua nga familja Assad.

Al-Sharaa udhëhoqi forcat rebele që rrëzuan presidentin sirian Bashar Assad dhjetorin e kaluar, dhe u emërua udhëheqës i përkohshëm i vendit në janar.

Ai dikur kishte lidhje me al-Kaedën dhe kishte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh nga SHBA-ja për kokën e tij.

Para mbërritjes së al-Sharaa në SHBA, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi për të hequr sanksionet ndaj presidentit sirian dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, një veprim që ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, e quajti një shenjë të fortë se Siria është në një epokë të re që nga rënia e Assadit.

Al-Sharaa erdhi në takim me prioritetet e tij. Ai dëshiron një shfuqizim të përhershëm të sanksioneve që ndëshkuan Sirinë për akuzat e përhapura për shkelje të të drejtave të njeriut nga qeveria e Assadit dhe forcat e sigurisë.

Ndërsa sanksionet e Aktit të Cezarit aktualisht hiqen nga Trump, një shfuqizim i përhershëm do të kërkonte që Kongresi të vepronte.

Një opsion është një propozim nga Senatorja Jeanne Shaheen e New Hampshire, demokratja më e lartë në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, që do t'i jepte fund sanksioneve pa asnjë kusht.

Tjetri u hartua nga senatori Lindsey Graham, një aleat i ashpër i Trump, i cili dëshiron të vendosë kushte për një shfuqizim të sanksioneve që do të rishikohej çdo gjashtë muaj.

Por avokatët argumentojnë se çdo shfuqizim me kushte do t'i pengonte kompanitë të investonin në Siri, sepse ato do të kishin frikë se mund të sanksionoheshin.

Mouaz Moustafa, drejtor ekzekutiv i Task Forcës Siriane të Emergjencave, e krahasoi atë me një "hije të varur që paralizon çdo iniciativë për vendin tonë".

Departamenti i Thesarit tha të hënën se heqja dorë nga Akti i Cezarit u zgjat për 180 ditë të tjera. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com


Trump pret presidentin sirian al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë, SHBA lehtëson sanksionet ndaj Sirisë

10 November 2025 at 21:44


Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa u takua me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të hënën, i fundit në një seri momentesh dikur të paimagjinueshme për vendin e tij dhe një tjetër ndalesë e papritur në udhëtimin personal të ish-militantit.

Dikur i burgosur nga forcat amerikane në Irak, Sharaa vazhdoi të drejtonte degën e al-Kaedës në Siri dhe tani, si kreu i përkohshëm i shtetit, shfaqet në foto të qeshura me presidentë dhe kryeministra anembanë botës, ndërsa kërkon ndihmën e tyre ndërsa Siria del nga dekada diktaturë dhe luftë.

Të hënën, pas një udhëtimi historik të parë në Shtëpinë e Bardhë nga një udhëheqës sirian, Sharaa doli nga autokolona e tij dhe përshëndeti një turmë mbështetësish që brohorisnin të mbledhur jashtë, shumë prej të cilëve valëvitnin flamuj sirianë, transmeton Telegrafi.

Që kur Sharaa, 43 vjeç, udhëhoqi forcat rebele që rrëzuan diktatorin sirian Bashar al-Assad në dhjetor, Trump është bërë një nga mbështetësit më entuziastë globalë të udhëheqësit të ri, një lidhje e rrënjosur në perceptimet e SHBA-së për rëndësinë strategjike të vendit, por edhe në respektin e dukshëm personal të Trump.

"Djalë i fortë, shumë i fortë. Luftëtar ", tha Trump për Sharaa pasi të dy burrat u takuan për herë të parë në maj.

Ndërsa vizitonte Uashingtonin, Sharaa po kërkonte të thellonte një partneritet me Shtetet e Bashkuara që tashmë ka dhënë fryte, duke përfshirë heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj qeverisë së Assadit dhe ndërmjetësimin e SHBA-së me rivalët e Sharaa-s, brenda dhe jashtë vendit, mes sfidave të përsëritura ndaj sundimit të udhëheqësit sirian.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së lëshoi të hënën një urdhër të ri që pezullon sanksionet e rrepta ndaj Sirisë sipas asaj që njihet si Akti i Cezarit, për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Urdhri zgjati një pezullim të mëparshëm, të lëshuar në maj, por nuk arriti të përmbushë kërkesat siriane që sanksionet të shfuqizohen plotësisht.

Sharaa, i cili u hoq nga një listë sanksionesh e Kombeve të Bashkuara javën e kaluar, pritet gjithashtu të bashkohet me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të që lufton grupin militant të Shtetit Islamik, i cili ende kërcënon Sirinë.

Grupi militant islamik që Sharaa dikur drejtonte, i quajtur Hay’at Tahrir al-Sham, i ndërpreu lidhjet me al-Kaedën në vitin 2017.

Të premten, Departamenti i Shtetit tha se Sharaa - i njohur më parë me nofkën e tij të luftës, Abu Mohammed al-Jolani - dhe Ministri i Brendshëm sirian Anas Khattab do të hiqen nga një listë e terroristëve të përcaktuar globalisht, "në njohje të progresit të demonstruar nga udhëheqja siriane pas largimit të Bashar al-Assad".

Administrata Trump hoqi sanksionet e epokës së Assadit pas takimit me Sharaa në maj në Arabinë Saudite - një hap kritik ndërsa Siria po përpiqet të rindërtohet pas shkatërrimit të madh të shkaktuar nga lufta e saj civile, një përpjekje që vlerësohet të kushtojë 216 miliardë dollarë, sipas Bankës Botërore, e cila e quajti atë shumë një "vlerësim konservator".

Lehtësimi i sanksioneve do t'i lejojë Sirisë të hyjë në financat ndërkombëtare, të rilidhet me sistemin bankar global dhe të importojë mallra për të ndihmuar në rindërtimin e sistemit të saj të shkatërrur të kujdesit shëndetësor dhe sektorëve të tjerë.

Qeveria e Sharaa-s po kërkon gjithashtu shfuqizimin e përhershëm nga Kongresi të Aktit të Mbrojtjes Civile të Sirisë Caesar, një grup sanksionesh ndëshkuese të vendosura në vitin 2019, të emëruara sipas një informatori që publikoi fotografi të mijëra njerëzve të vrarë nga qeveria e Asadit.

Pavarësisht pezullimit të Caesar nga administrata Trump, kërcënimi se sanksionet mund të rivendosen është një pengesë për kompanitë amerikane që kërkojnë të bëjnë biznes në Siri, tha Mouaz Moustafa i Task Forcës Siriane të Emergjencave, një organizatë jofitimprurëse që udhëhoqi përpjekjet për të vendosur sanksionet e Caesar.

Që atëherë ato janë bërë "një hije e varur që paralizon çdo iniciativë" dhe kërcënon rimëkëmbjen e Sirisë, tha ai.

Skeptikët e qeverisë së Sharaa-s kanë përmendur episode alarmante të dhunës sektare në Siri gjatë vitit të kaluar, që kanë vrarë mijëra njerëz dhe kanë minuar premtimet e përsëritura të presidentit të ri për të mbrojtur pakicat dhe për të sunduar në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

Në dy nga shpërthimet më të këqija të dhunës, në rajonin bregdetar të Sirisë dhe në jug, forcat e sigurisë nën komandën e Sharaa-s u përfshinë drejtpërdrejt në masakra. Qeveria, e cila premtoi t’i mbante autorët përgjegjës, filloi të ndiqte penalisht disa nga anëtarët e sigurisë nën komandën e shtetit disa muaj më parë, sipas gjyqtarëve në Damask.

Dhuna sektare përbënte një sfidë “të rrezikshme” për tranzicionin e Sirisë dhe do ta bënte të vështirë “ruajtjen e vullnetit të mirë ndërkombëtar nëse ata nuk janë të kujdesshëm në këtë front”, tha Michael Hanna, drejtor i programit amerikan në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, një organizatë ndërkombëtare kërkimore. /Telegrafi/

Presidenti i Sirisë, al-Sharaa, do të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë - pak ditë pasi Uashingtoni e hoqi nga lista e sanksioneve

10 November 2025 at 07:42


Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, do të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të hënën për bisedime të paprecedentë, vetëm disa ditë pasi Uashingtoni e hoqi atë nga lista e sanksioneve.

Sharaa, forcat e të cilit opozitare rrëzuan sundimtarin e hershëm Bashar al-Assad në fund të vitit të kaluar, do të jetë udhëheqësi i parë sirian që viziton Shtëpinë e Bardhë që nga pavarësia e vendit në vitin 1946, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Vizita e Sharaa në Shtëpinë e Bardhë është "një moment jashtëzakonisht simbolik për udhëheqësin e ri të vendit", tha Michael Hanna, drejtor i programit amerikan në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Presidenti u takua me Trump për herë të parë në Arabinë Saudite gjatë turneut rajonal të udhëheqësit amerikan në maj.

Pas mbërritjes së tij në Uashington, Sharaa gjatë fundjavës u takua me shefen e FMN-së, Kristalina Georgieva, mbi ndihmën e mundshme për vendin e shkatërruar nga lufta, si dhe me përfaqësues nga organizatat siriane.

I dërguari i Uashingtonit në Siri, Tom Barrack, tha më parë këtë muaj se Sharaa mund të nënshkruajë të hënën një marrëveshje për t'u bashkuar me aleancën ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA-ja kundër ISIS-it.

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të krijojnë një bazë ushtarake pranë Damaskut "për të koordinuar ndihmën humanitare dhe për të vëzhguar zhvillimet midis Sirisë dhe Izraelit", tha një burim diplomatik në Siri për AFP-në.

Vendimi i Departamentit të Shtetit të premten për të hequr Sharaa nga lista e zezë pritej gjerësisht.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, theksoi se qeveria e Sharaa kishte përmbushur kërkesat e SHBA-së për të punuar për të gjetur amerikanët e zhdukur dhe për të eliminuar çdo armë kimike të mbetur.

"Këto veprime po ndërmerren në njohje të progresit të demonstruar nga udhëheqja siriane pas largimit të Bashar al-Assad dhe më shumë se 50 viteve shtypje nën regjimin e Asadit", tha Pigott.

Të shtunën, ministria e brendshme siriane njoftoi se kishte kryer 61 bastisje dhe kishte bërë 71 arrestime në një "fushatë proaktive për të neutralizuar kërcënimin" e ISIS-it, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve SANA.

Ajo tha se bastisjet kishin në shënjestër vendet ku mbeten “qelizat e fjetura” të ISIS-it, duke përfshirë Aleppon, Idlibin, Hamën, Homsin, Deir ez-Zorin, Rakën dhe Damaskun.

Udhëtimi i Sharaa-s në Uashington vjen pasi ai vizitoi Kombet e Bashkuara në shtator - hera e tij e parë në tokën amerikane - ku ai u bë presidenti i parë sirian në dekada që iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Ndërkohë, javën e kaluar Uashingtoni udhëhoqi një votim nga Këshilli i Sigurimit për të hequr sanksionet e OKB-së kundër tij.

Sharaa pritet të kërkojë fonde amerikane për Sirinë, e cila përballet me sfida të rëndësishme në rindërtimin pas 13 vitesh lufte civile.

Në tetor, Banka Botërore vendosi një "vlerësim më të mirë konservator" të kostos së rindërtimit të Sirisë në 216 miliardë dollarë. /Telegrafi/

Presidenti i Sirisë shijon ndeshjen e basketbollit me komandantët amerikanë

9 November 2025 at 11:45


Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa dhe diplomati i tij më i lartë u panë duke luajtur basketboll me komandantët më të lartë ushtarakë amerikanë.

Al-Sharaa dhe Ministri i Jashtëm Sirian, Asaad al-Shaibani, luajtën basketboll me komandantin e CENTCOM, Brad Cooper, dhe Kevin Lambert, kreun e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS.

Videoja u nda nga al-Shaibani në Instagram me mbishkrimin: "Punoni shumë, luani më shumë. Duke bërë disa lëvizje në fushë me Admiralin Brad Cooper dhe Gjeneralin Kevin Lambert."



Ai nuk e zbuloi vendndodhjen, por al-Shaibani e ndau videon ndërsa al-Sharaa mbërriti në SHBA për një vizitë historike gjatë së cilës do të takohet me presidentin Amerikan Donald Trump.

Al-Sharaa ishte takuar më parë me Cooper në Damask.

I dërguari i SHBA-së në Siri, Tom Barrack, tha më parë këtë muaj se shpresojnë që al-Sharaa të nënshkruajë një marrëveshje për t'u bashkuar me aleancën ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA kundër grupit ISIS. /Telegrafi/

Siria nis operacionin kundër ISIS, arrestime masive

9 November 2025 at 09:40


Siria ka kryer operacione parandaluese që synojnë qelizat e Shtetit Islamik - duke arrestuar 71 persona gjatë 61 bastisjeve.

U sekuestruan eksplozivë dhe armë, ndërsa ministria e brendshme zbuloi se po punonin mbi informacione "të sakta" të inteligjencës.

Shumë nga të ndaluarit ishin kriminelë të kërkuar, dhe forcat policore morën prova që i lidhnin ata me aktivitete terroriste.

Një deklaratë shtoi se operacioni ishte pjesë e "përpjekjeve të vazhdueshme kombëtare për të luftuar terrorizmin dhe për t'u përballur me komplotet që synojnë sigurinë e vendit dhe qytetarët".

Bastisjet vijnë ndërsa presidenti sirian Ahmed al Sharaa udhëton për në Uashington për një takim me Donald Trumpin, ku ai do të bashkohet me një koalicion kundër ISIS-it.

Ndërkohë, SHBA-të po përgatiten të krijojnë një prani ushtarake në Damask për të mundësuar një pakt sigurie që po ndërmjetësohet midis Sirisë dhe Izraelit.

Ndryshe, ish-presidenti Bashar al-Assad u rrëzua nga pushteti në fund të vitit të kaluar pas 25 vitesh në pushtet dhe iku në Rusi pasi regjimi i tij mori fund.

QQë atëherë, administrata kalimtare e al Sharaa është përpjekur të rivendosë sigurinë, të zbatojë reforma ekonomike dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë. /Telegrafi/

Presidenti sirian shkel Amerikën pas heqjes së statusit si terrorist

9 November 2025 at 08:04


Presidenti sirian Ahmed Sharaa ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi SHBA-të ia revokuan zyrtarisht statusin e tij si terrorist global.

Ish-militanti islamik do të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, njëmbëdhjetë muaj pasi aleanca e tij rebele rrëzoi Bashar al-Assad-in.

Disa orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin amerikan, u njoftua se shërbimet siriane të sigurisë kishin ndaluar dhjetëra anëtarë të dyshuar të të ashtuquajturit grup Shteti Islamik.

Përpjekjet e përbashkëta për të luftuar atë që ka mbetur nga grupi në Siri pritet të jenë në krye të agjendës gjatë bisedimeve të Sharaas me Trumpin.

Autoritetet siriane thanë se 71 anëtarë të dyshuar të grupit u arrestuan, si dhe u sekuestruan armë dhe eksplozivë.

Bëhet e ditur se që kur mori pushtetin, Sharaa është përpjekur të rivendosë praninë e Sirisë në skenën botërore pas dekadash izolimi nën regjimin e Assadit dhe 13 vitesh luftë civile.

Ai udhëtoi për në SHBA në shtator për t'iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku tha se Siria po "rimerrte vendin e saj të merituar midis kombeve të botës" dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të heqë sanksionet.

Më herët këtë javë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbështeti një rezolutë të SHBA-së për të hequr masat , gjë që përkoi me vazhdimin e një procesi disamujor të lehtësimit gradual të sanksioneve ndaj Sirisë dhe udhëheqësve të saj të rinj nga Uashingtoni.

Sharaa dhe ministri i tij i brendshëm, Anas Hasan Khattab, u hoqën nga një regjistër amerikan i individëve të dyshuar për mbështetje ose financim të grupeve ekstremiste, një vendim që Departamenti i Thesarit tha se ishte "në njohje të progresit të demonstruar nga udhëheqja siriane".

Sharaa ishte listuar nën emrin Muhammad al-Jawlani, pseudonimin që ai përdorte si udhëheqës i Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

Grupi ishte i lidhur me al-Kaedan deri në vitin 2016, kur Sharaa i ndërpreu lidhjet.

Përpara se të drejtonte HTS-në, Sharaa luftoi për al-Kaedan në Irak dhe për një kohë u burgos nga forcat amerikane.

Ai ishte gjithashtu subjekt i një shpërblimi amerikan prej 10 milionë dollarësh.

SHBA-të hoqën sanksionet ndaj HTS-së në fillim të këtij viti.

Ndryshe, Trump u takua më parë me Sharaa në maj gjatë një vizite në Riad, ku e përshkroi atë si një "djalë të ashpër, me të kaluar shumë të fortë".

Pavarësisht prejardhjes së tij, Sharaa ka marrë mbështetje nga qeveritë që kundërshtuan regjimin e Assadit duke u zotuar të udhëheqë një qeveri të moderuar e cila mund të fitojë mbështetje nga grupet dhe fraksionet e ndryshme etnike të Sirisë.

Më herët këtë vit, ai u zotua të çrrënjosë elementët e forcave të tij të sigurisë të cilët u akuzuan për ekzekutimin e anëtarëve të pakicës alevite të Sirisë .

Dhuna vdekjeprurëse ka shpërthyer gjithashtu në muajt e fundit midis luftëtarëve fisnorë beduinë sunitë dhe milicive druze, duke ngritur pyetje nëse qeveria e udhëhequr nga HTS mund të rivendosë stabilitetin në një vend të përcaktuar nga lufta për më shumë se një dekadë. /Telegrafi/

SHBA-të heqin sanksionet ndaj Al-Sharaas para takimit me Trumpin

8 November 2025 at 09:54


Presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, pak para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, iu hoqën sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë luftës civile në Siri.

Heqja e sanksioneve erdhi një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara bëri të njëjtën gjë.

Sanksionet kundër tij datonin nga periudha kur ai udhëhiqte krahun e HTS-së gjatë luftës civile në Siri.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, nga emri i al-Sharaas është hequr etiketa “terrorist global”.

E njëjta etiketë është hequr edhe për ministrin sirian të Punëve të Brendshme, Anas Khattab, raporton reuters.

Kujtojmë se Departamenti i Thesarit të SHBA-së kishte lëshuar që në maj një leje të përgjithshme që autorizon transaksionet që përfshijnë qeverinë e përkohshme siriane të udhëhequr nga presidenti, Ahmed al-Sharaa, si dhe bankën qendrore dhe ndërmarrjet shtetërore.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po ashtu në maj kishte dhënë një përjashtim 180-ditor për të siguruar që sanksionet të mos pengonin investimet dhe për të mundësuar furnizimin me energji elektrike, energji, ujë dhe shërbime sanitare, si dhe për të lehtësuar përpjekjet humanitare. /Telegrafi/

Pak ditë para takimit me Trump, SHBA heq sanksionet ndaj presidentit sirian Ahmed al-Sharaa

By: M C
7 November 2025 at 22:29

Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet ndaj presidentit sirian Ahmed al-Sharaa, një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara bëri të njëjtën gjë përpara takimit të tij me Donald Trump javën e ardhshme. Sipas një njoftimi në faqen e internetit të departamentit të thesarit të SHBA-së, Shtetet e Bashkuara hoqën etiketimet si Terroristë Globalë të Caktuar Specialisht për al-Sharaa dhe ministrin e Brendshëm të Sirisë, Anas Khattab.

Vizita e Al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë të hënën do të jetë një vizitë historike e para nga një president sirian dhe do të jetë takimi i tij i dytë me Trump. Përpara takimit të tyre të parë në maj, i pari midis një presidenti amerikan dhe një siriani për 25 vjet, Trump njoftoi një ndryshim të madh në politikën amerikane kur tha se do të hiqte sanksionet amerikane ndaj Sirisë.

“Mendoj se ai po bën një punë shumë të mirë”, tha Trump dje për udhëheqësin sirian.

“Është një lagje e vështirë dhe ai është një djalë i ashpër, por unë kam shkuar shumë mirë me të. Dhe është bërë shumë përparim me Sirinë. Ne i hoqëm sanksionet Sirisë në mënyrë që t’i jepnim një shans për të luftuar”, shtoi ai.

The post Pak ditë para takimit me Trump, SHBA heq sanksionet ndaj presidentit sirian Ahmed al-Sharaa appeared first on Albeu.com.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së voton për heqjen e sanksioneve ndaj presidentit sirian

6 November 2025 at 22:58


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi të enjten në favor të një rezolute të SHBA-së për heqjen e sanksioneve ndaj presidentit sirian Ahmed al-Sharaa, përpara vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme.

"(Këshilli) vendos që Ahmed al-Sharaa... dhe (Ministri i Brendshëm) Anas Hasan Khattab të hiqen nga Lista e Sanksioneve (ISIS) dhe al-Kaedës", tha rezoluta, e miratuar nga 14 anëtarë të këshillit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Kina abstenoi.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi më parë këtë javë se presidenti i SHBA-së Donald Trump do të takohej me al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani bëri të ditur se al-Sharaa do të diskutonte çështje duke përfshirë heqjen e sanksioneve të mbetura, rindërtimin dhe luftën kundër terrorizmit kur të bëhet udhëheqësi i parë i vendit që do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Uashington.

Të shtunën, i dërguari i SHBA-së në Siri Tom Barrack tha se al-Sharaa po shkonte në Uashington "me shpresë" për të nënshkruar një marrëveshje për t'u bashkuar me aleancën ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA-ja kundër ISIS.

Edhe pse kjo do të jetë vizita e parë e al-Sharaa në Uashington, do të jetë e dyta e tij në SHBA pas një udhëtimi historik në OKB në shtator, ku ai u bë presidenti i parë sirian në dekada që i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Në maj, al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat e armatosura të opozitës që rrëzuan sundimtarin e gjatë Bashar al-Assad në fund të vitit të kaluar, u takua me Trump për herë të parë në Riad gjatë një vizite historike që çoi në zotimin e udhëheqësit amerikan për të hequr sanksionet ekonomike ndaj Sirisë. /Telegrafi/

Ushtria amerikane do të vendosë praninë në bazën ajrore të Damaskut

6 November 2025 at 13:32


Shtetet e Bashkuara po përgatiten të krijojnë një prani ushtarake në një bazë ajrore në Damask për të ndihmuar në mundësimin e një pakti sigurie që Uashingtoni po ndërmjetëson midis Sirisë dhe Izraelit, thanë për Reuters gjashtë burime të njohura me çështjen.

Planet e SHBA-së për praninë në kryeqytetin sirian, të cilat nuk janë raportuar më parë, do të ishin një shenjë e riorganizimit strategjik të Sirisë me SHBA-në pas rënies vitin e kaluar të udhëheqësit të hershëm Bashar al-Assad, një aleat i Iranit.

Baza ndodhet në portën hyrëse të pjesëve të Sirisë jugore që pritet të përbëjnë një zonë të çmilitarizuar si pjesë e një pakti jo-agresioni midis Izraelit dhe Sirisë.

Kjo marrëveshje po ndërmjetësohet nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, transmeton Telegrafi.

Trump do të takohet me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë të hënën, vizita e parë e tillë nga një kryetar shteti sirian.

Reuters foli me gjashtë burime të njohura me përgatitjet në bazë, përfshirë dy zyrtarë perëndimorë dhe një zyrtar të mbrojtjes sirian, të cilët konfirmuan se SHBA-të po planifikonin të përdornin bazën për të ndihmuar në monitorimin e një marrëveshjeje të mundshme Izrael-Siri.

Një zyrtar i administratës amerikane tha se SHBA-të "po vlerësojnë vazhdimisht qëndrimin tonë të nevojshëm në Siri për të luftuar në mënyrë efektive ISIS-in (Shtetin Islamik) dhe (ne) nuk komentojmë mbi vendndodhjet ose vendet e mundshme të (ku) veprojnë forcat".

Zyrtari kërkoi që emri dhe vendndodhja e bazës të hiqen për arsye sigurie operacionale. Reuters ka rënë dakord të mos zbulojë vendndodhjen e saktë.

Një zyrtar ushtarak perëndimor tha se Pentagoni kishte përshpejtuar planet e tij gjatë dy muajve të fundit me disa misione zbulimi në bazë. Këto misione arritën në përfundimin se pista e gjatë e bazës ishte gati për përdorim të menjëhershëm.

Dy burime ushtarake siriane thanë se bisedimet teknike janë përqendruar në përdorimin e bazës për logjistikë, mbikëqyrje, furnizim me karburant dhe operacione humanitare, ndërsa Siria do të ruante sovranitetin e plotë mbi objektin.

Një zyrtar i mbrojtjes siriane tha se SHBA-të kishin fluturuar në bazë me avionë transporti ushtarak C-130 për t'u siguruar që pista ishte e përdorshme.

Një roje sigurie në njërën nga hyrjet e bazës i tha Reuters se aeroplanët amerikanë po uleshin atje si pjesë e "testeve".

Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të dërgohej personeli ushtarak amerikan në bazë.

Planet e reja të SHBA-së duket se pasqyrojnë dy prani të tjera të reja ushtarake amerikane në rajon që monitorojnë marrëveshjet e ndërprerjes së armiqësive: një në Liban, i cili ndjek nga afër armëpushimin e vitit të kaluar midis grupit të armatosur libanez Hezbollah dhe Izraelit, dhe një në Izrael që monitoron armëpushimin e epokës Trump midis grupit ushtarak palestinez Hamas dhe Izraelit.

SHBA-të tashmë kanë trupa të stacionuara në verilindje të Sirisë, si pjesë e një përpjekjeje dhjetëvjeçare për të ndihmuar një forcë të udhëhequr nga kurdët atje të luftojë Shtetin Islamik. Në prill, Pentagoni tha se do ta përgjysmonte numrin e trupave atje në 1,000.

Sharaa ka thënë se çdo prani e trupave amerikane duhet të bihet dakord me shtetin e ri sirian. Siria është gati të bashkohet menjëherë me koalicionin global anti-ISIS të udhëhequr nga SHBA-të, thonë zyrtarët amerikanë dhe sirianë.

Një person i njohur me bisedimet mbi bazën tha se masa u diskutua gjatë një udhëtimi të Admiralit Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), në Damask më 12 shtator.

Një deklaratë e CENTCOM në atë kohë tha se Cooper dhe i dërguari i SHBA-së në Siri, Thomas Barrack, ishin takuar me Sharaa-n dhe e falënderuan atë për kontributin në luftën kundër ISIS-it në Siri, gjë që tha se mund të ndihmonte në përmbushjen e "vizionit të Trump për një Lindje të Mesme të begatë dhe një Siri të qëndrueshme në paqe me veten dhe fqinjët e saj". Deklarata nuk e përmendi Izraelin.

SHBA-të kanë punuar për muaj të tërë për të arritur një pakt sigurie midis Izraelit dhe Sirisë, dy armiq të hershëm. Kishte shpresuar të njoftonte një marrëveshje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, por bisedimet hasën në një pengesë të minutës së fundit.

Një burim sirian i njohur me bisedimet i tha Reuters, se Uashingtoni po ushtronte presion mbi Sirinë për të arritur një marrëveshje para fundit të vitit dhe ndoshta para udhëtimit të Sharaa-s në Uashington. /Telegrafi/

Dëbimi i sirianëve nga Gjermania/ Merz fton Al Sharaa: Lufta ka mbaruar, nuk ka më arsye për azil!

3 November 2025 at 23:23

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ftuar presidentin sirian Ahmed al Sharaa në Gjermani për të diskutuar deportimin e qytetarëve sirianë me precedentë penalë nga vendi.

Merz tha për gazetarët se plani është që të vazhdojë dëbimi i kriminelëve dhe tashmë do të fillojë zbatimi në mënyrë shumë konkrete.

Kancelari tha gjithashtu se Gjermania dëshiron që të ndihmojë në stabilizimin e Sirisë, duke shtuar se synon që të diskutojë me Al Sharaa, mënyrat si situata mund të zgjidhet.

Paraardhësja e Merz, Angela Merkel, ndoqi një politikë historike të dyerve të hapura ndaj refugjatëve gati 10 vite më parë, duke mirëpritur rreth 1 milion emigrantë në Gjermani, shumë prej të cilëve sirianë që iknin nga lufta civile.

Por shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë. Mbështetja për të djathtën ekstreme anti emigracion është rritur ndjeshëm dhe konservatorët e Merz kanë qenë nën presion për të ndryshuar qasjen në lidhje me këtë çështje.

Politikat që ata kanë ndjekur kanë qenë më të ashpra sa i përket sigurisë kufitare dhe migracionit dhe kancelari është zotuar të përshpejtojë deportimet.

“Do ta them përsëri: lufta civile në Siri ka mbaruar. Tani nuk ka më arsye për azil në Gjermani”, tha Merz.

Që kur mori pushtetin nga ish-Presidenti Bashar al-Assad në dhjetor 2024, Sharaa ka bërë një sërë udhëtimesh jashtë vendit, ndërsa qeveria e tij kalimtare kërkon të rivendosë lidhjet e Sirisë me fuqitë botërore që e kishin shmangur Damaskun gjatë sundimit të Asad.

/abcnews.al/

Pas 80 vitesh, një president sirian rikthehet në Shtëpinë e Bardhë

3 November 2025 at 07:35


Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, në një vizitë historike për të ndihmuar në hapjen e një "kapitulli të ri" në marrëdhëniet midis Damaskut dhe Uashingtonit, njoftoi Ministri i Jashtëm sirian.

“Presidenti Ahmad al-Sharaa do të jetë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të nëntorit”, tha Asaad al-Shaibani në një fjalim në shtetin e Gjirit të Bahreinit.

“Sigurisht, kjo është një vizitë historike. Është vizita e parë e një presidenti sirian në Shtëpinë e Bardhë në më shumë se 80 vjet”, shtoi Shaibani.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Tom Barrack, i cili shërben gjithashtu si ambasador i SHBA-së në Turqi, tha se vizita do të zhvillohet në javën e dytë të muajit.

Vizita pritet të trajtojë disa tema, me fokus të rëndësishëm në heqjen e sanksioneve ekonomike dhe rindërtimin e Sirisë së pasluftës.

Delegacioni sirian do të trajtojë gjithashtu përpjekjet kundër ISIS-it me Shtëpinë e Bardhë, pasi kjo nuk është "përgjegjësi e vetme e Sirisë", por më tepër "një kërcënim ndërkombëtar që nuk mund të trajtohet vetëm nga qeveria siriane".

Ministri i Jashtëm theksoi se Siria kërkon të hapë "një kapitull të ri" dhe të krijojë "marrëdhënie të mira" me SHBA-në.

Lidhur me sulmet izraelite ndaj Sirisë, Shaibani vuri në dukje se mbi 1,000 bastisje ndërkufitare janë regjistruar që nga 8 dhjetori sipas një politike ekspansioniste të ndjekur nga Tel Avivi, e cila "nuk është e pranueshme dhe nuk mund të justifikohet". /Telegrafi/

SHBA konfirmon vizitën, presidenti sirian Ahmed Sharaa do të udhëtojë drejt Uashingtonit

By: armand
2 November 2025 at 14:39

Presidenti sirian Ahmed Sharaa do të vizitojë Uashingtonin në muajin nëntor. Kjo është vizita e parë e një kreu shteti sirian në kryeqytetin e SHBA-së. Lajmi është onfirmuar për Reuters nga i dërguari special i SHBA-së në Siri Tom Barrack, në atë që do të jetë vizita e parë e një kreu shteti sirian në […]

The post SHBA konfirmon vizitën, presidenti sirian Ahmed Sharaa do të udhëtojë drejt Uashingtonit appeared first on BoldNews.al.

Siria po mban zgjedhjet e para që nga koha e Assadit, por jo në të gjitha provincat

5 October 2025 at 10:20


Siria do të mbajë zgjedhjet e para parlamentare sot që nga rënia e Bashar al-Assad, mes shqetësimeve për përfshirjen dhe vonesave të njëpasnjëshme.

Nuk do të ketë votim të drejtpërdrejtë për Asamblenë Popullore, e cila do të jetë përgjegjëse për legjislacionin gjatë një periudhe kalimtare, shkruan BBC.

Në vend të kësaj, "kolegjet zgjedhore" do të zgjedhin përfaqësuesit për dy të tretat e 210 vendeve. Presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa do të emërojë pjesën tjetër.

Ish-presidenti Bashar al-Assad, i cili ka qenë prej kohësh, u rrëzua nga forcat e Sharaa-s 10 muaj më parë pas një lufte civile 13-vjeçare, transmeton Telegrafi.

Autoritetet thonë se kanë shtyrë zgjedhjet për arsye sigurie në dy provinca të kontrolluara nga kurdët, dhe në një të tretë që pati luftime vdekjeprurëse midis forcave qeveritare dhe milicive Druze.

Përplasjet, në korrik, shënuan shpërthimin e fundit të dhunës sektare në Siri që nga rrëzimi i Assadit.

Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e kaluar - i pari nga një president sirian në 60 vjet - Sharaa premtoi të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për gjakderdhjen, si dhe ata që kryen mizori nën Assadin.

Ai u zotua gjithashtu se Siria tani po "rindërton veten duke krijuar një shtet të ri, duke ndërtuar institucione dhe ligje që garantojnë të drejtat e të gjithëve pa përjashtim".

Zgjedhjet e sotme po mbikëqyren nga Komiteti i Lartë për Zgjedhjet e Asamblesë Popullore Siriane, 11 anëtarët e të cilit u zgjodhën nga presidenti në qershor.

Numri i vendeve të ndara në secilin prej 60 distrikteve bazohet në të dhënat e regjistrimit të mbledhura në vitin 2010 - viti para se vendi të zhytej në një luftë civile që vrau më shumë se 600,000 njerëz dhe zhvendosi 12 milionë të tjerë.

Shtyrja e zgjedhjeve në tre provincat - Raka, Hassakeh dhe Suweida - do të thotë që kolegjet zgjedhore në vetëm 50 nga 60 distriktet do të zgjedhin përfaqësues për rreth 120 vende të dielën.

Do të ketë më shumë se 1,500 kandidatë, të cilët duhet të jenë gjithashtu anëtarë të kolegjit zgjedhor. Mbështetësit e "regjimit të mëparshëm ose organizatave terroriste" u ndaluan nga anëtarësimi, si dhe avokatët e "shkëputjes, ndarjes ose kërkimit të ndërhyrjes së huaj".

Të paktën 20% e anëtarëve të kolegjit zgjedhor kërkohej të ishin gra. Por nuk kishte kuota minimale për ligjvënëset femra, as për ato nga shumë pakica etnike dhe fetare të vendit.

Presidenti do të zgjedhë përfaqësuese për 70 vende nga jashtë kolegjeve zgjedhore.

Muajin e kaluar, 14 grupe të shoqërisë civile siriane shprehën shqetësim se kjo do të thoshte se ai do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi përbërjen e parlamentit. /Telegrafi/

❌
❌