Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Interi dominon Italinë, fiton edhe Kupën ndaj Lazios



Interi është fituesi i Kupës së Italisë, pasi në finalen e luajtur ndaj Lazios në 'Stadio Olimpico' triumfoi me rezultat 2-0.

Nerazzurrët e nisën ndeshjen me presion dhe e gjetën shpejt avantazhin. Në minutën e 14-të, Lazio u ndëshkua nga një gabim fatal, kur Adam Marusic, i çorientuar në mbrojtje, devijoi topin me kokë në portën e vet për 0-1.

Interi vazhdoi ta kontrollojë ritmin dhe e dyfishoi epërsinë në minutën e 35-të, kur Lautaro Martinez u shërbye në mënyrë perfekte, doli “një kundër një” me portierin dhe finalizoi saktë në këndin e majtë të poshtëm për 0-2.

Lazio tentoi të rikthehej në lojë me goditje nga distanca dhe aksione në zonë, por pa efikasitet. Isaksen (45’) dhe Noslin (58’) provuan nga jashtë zonës, por të dy tentimet shkuan jashtë.

Një nga momentet më të spikatura të pjesës së dytë ishte pritja vendimtare e Josep Martinez në minutën e 76’, kur Boulaye Dia gjuajti në drejtim të këndit të poshtëm të djathtë, por portieri i Interit reagoi shkëlqyeshëm dhe ruajti portën e paprekur.


Nga ana tjetër, Interi ishte pranë golit të tretë me Zielinskin, në minutën e 82’, kur gjuajtja e tij kaloi pranë shtyllës së djathtë.

Me këtë fitore 2-0 në finale, Interi ngre lart trofeun e Kupës së Italisë, pasi titullit kampion. /Telegrafi/

Finalja e Kupës së Italisë, Lazio - Inter: Sarri dhe Chivu me më të mirët



Fituesi i edicionit të 79-të të Kupës së Italisë (Coppa Italia) do të përcaktohet sonte pas 90 minutave, ndërsa nëse rezultati mbetet i barabartë, ndeshja do të shkojë në vazhdime dhe, nëse është e nevojshme, edhe në penallti.

Interi e sheh këtë finale si mundësi për të kompletuar “dopietën”, pas triumfit në Serie A dhe fitimit të Scudettos. Në anën tjetër, Lazio synon trofeun, por edhe një objektiv po aq të rëndësishëm: sigurimin e një bilete për në Ligën e Evropës.

Skuadrat vijnë në këtë përballje vetëm një javë pas ndeshjes në kampionat, ku Nerazzurrët fituan bindshëm 3-0, megjithëse kjo finale luhet në terren neutral.

Tonight's the night! 🏆
The #CoppaItaliaFrecciarossa Final awaits 🤩 pic.twitter.com/10eKmV0Ne4
— Lega Serie A (@SerieA_EN) May 13, 2026


Për Lazion, i gjithë sezoni varet nga kjo ndeshje, pasi në Serie A skuadra po lufton dhe ka vështirësi edhe për të siguruar një pozitë brenda 10-shes së parë.

Maurizio Sarri dhe Cristian Chivu kanë zbuluar formacionet zyrtare.

Lazio: Motta; Marusic, Gila, Romagnoli, Nuno Tavares; Basic, Patric, Taylor; Isaksen, Noslin, Zaccagni.

Inter: J. Martinez; Bisseck, Akanji, Bastoni; Dumfries, Barella, Zielinski, Sucic, Dimarco; Thuram, Lautaro Martinez.

/Telegrafi/

Çfarë e bën mesfushën e Interit një nga më të balancuarat në Evropë aktualisht



Për herë të tretë në gjashtë sezonet e fundit, Interi u shpall kampion i Serie A. Fitorja 2-0 ndaj Parmës, e kombinuar me barazimin 0-0 të Napolit (rivali kryesor për titull) kundër Comos dhe humbjen 0-2 të Milanit në transfertë ndaj Sassuolos, bëri që “zikaltërit” ta sigurojnë titullin e 21-të kampion të Italisë me tri ndeshje pa u luajtur.

Edhe pse u eliminuan në mënyrë befasuese nga Ligën e Kampionëve në raundin “play-offit” nga norvegjezët e Bodo/Glimt, Interi mund ta mbyllë sezonin me dopietë nëse e mposht Lazion në finalen e Kupës së Italisë më 13 maj.

Gjatë gjithë sezonit, Interi është shtyrë përpara nga golat e dyshes sulmuese Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram, të cilët së bashku kanë shënuar 38 gola.

Megjithatë, një pjesë e madhe e suksesit këtë sezon (dhe në sezonet e fundit) lidhet me një mesfushë që e përzien punën e madhe me kreativitetin, duke e lidhur mbrojtjen me sulmin dhe duke krijuar vazhdimisht raste për Martinez dhe Thuram. Si te çdo skuadër elitare në futbollin evropian, mesfusha është “motori” i ekipit. Por çfarë e bën mesfushën e Interit kaq të balancuar?

Përvojë dhe fitues të mëdhenj

Bërthama e mesfushës së Interit ndër vite është ndërtuar mbi lojtarë me përvojë dhe mentalitet fituesi. Me Hakan Çalhanoğlu (32) dhe Henrikh Mkhitaryan (37), kampionët e Italisë kanë dy “shtylla” me CV të pasur. Sidomos Mkhitaryan ka luajtur për klube të mëdha evropiane dhe ka fituar Ligën e Evropës me Manchester United dhe Liga e Konferencës me Romën.

Edhe pse është 37 vjeç, Mkhitaryan ka luajtur mbi 1800 minuta në sezonin e titullit. Pavarësisht moshës, ai – me Davide Frattesi (26) si zëvendësues shumë të aftë – i jep Interit këmbëngulje, agresivitet dhe cilësi me topin, duke e ndihmuar skuadrën ta kontrollojë betejën në mesfushë.

Kjo u jep hapësirë lojtarëve si Çalhanoglu, Piotr Zielinski dhe i riu Petar Sucic (22) që ta shfaqin kreativitetin e tyre, për t’i ushqyer sulmuesit në krye. Këta mesfushorë kanë dhënë kontribut të madh në gola dhe asistime, ndërsa punojnë pa u kursyer edhe në fazën mbrojtëse.

Nëse merren parasysh edhe shifrat e krahëve (anësorëve) Federico Dimarco dhe Denzel Dumfries, del edhe më qartë sa i fortë është “pesëshi” i mesfushës në skemën fluide 3-5-2.

“Diamanti” i mesfushës: Nicolo Barella

Edhe pse Interi ka shumë cilësi në mesfushë, ylli kryesor konsiderohet zëvendëskapiteni Nicolò Barella. 29-vjeçari iu bashkua Interit nga Cagliari në korrik 2019 për 32.5 milionë euro dhe që atëherë ka qenë thuajse gjithmonë ndër emrat e parë në formacion.

Barella i kombinon në mënyrë ideale presionin e pandalshëm ndaj kundërshtarit, pasimet vendimtare dhe kontributin në të dyja fazat e lojës.

Ai është bërë i pazëvendësueshëm jo vetëm për Interin, por edhe për Italinë, ku ka 70 paraqitje. Përveç përvojës, ai ka edhe inteligjencën për ta “marrë ndeshjen në dorë” kur skuadra ka nevojë.

Pikërisht ky kombinim i punës së madhe dhe kreativitetit – që e ofron Barella bashkë me shokët e tij – është arsyeja pse Interi e ka atë balancë në mesfushë që i lejon ta kontrollojë lojën në çdo fazë.

Edhe pse në Evropë kanë mbetur prapa pritshmërive vitet e fundit, në Itali Interi mbetet skuadra që duhet mposhtur. Dhe edhe pse Mkhitaryan e Çalhanoğlu po hyjnë në fazën e fundit të karrierës, Interi duket se ka mjaftueshëm cilësi për ta ruajtur këtë ekuilibër që është shndërruar në çelësin e suksesit. /Telegrafi/

Inter, prova për finalen e kupës/ Lazio shkatërrohet brenda në Romë, zikaltërit fitojnë 3-0

Titulli është fituar e duket se kjo po ndihmon. Interi bëhet gati për finalen e Kupës së Italisë që do ta luajë të mërkurën e ardhshme ndaj Lacios në stadiumin “Olimpiko” të Romës, dhe përballja e kësaj fundjave në Serinë A ishte pikërisht një provë gjenerale përpara saj.

Kundërshtari ishte vetë Lacio, dhe arena ishte stadiumi “Olimpiko” I kryeqytetit.

Trajneri Kristian Kivu mori padyshim përgjigjet që deshi, në një fitore të thellë 3-0, që u arrit madje pa shkëlqyer aq shumë, dhe pa u sforcuar.

ZIkaltërit shënuan shpejt, që në 6’, me kapitenin Lautaro Martinez, dhe e mbyllën pjesën e parë në epërsi 2-0 kur shtoi gol edhe kroati I ri, Sucic.

Për Lacion vendase gjithçka mori fund sidomos pas kartonit të kuq të mbrojtësit Romanjoli, edhe pse nuk dukej se bardhekaltrit mund të bënin diçka me 11 lojtarë në fushë.

Veterani nga Armenia, Mkitarian, mbylli llogaritë 14 minuta para fundit, dhe Interi duket në formë shumë të mirë, plus që është tepër I qetë.

Skuadra nga Lombardia arriti në 85 pikë këtë kampionat të Serisë A, dy javë para fundit, 15 pikë mbi Napolin e vendit të dytë, ndërsa Juventus apo Milan janë shumë më prapa.

Mbetet të mbyllet siç duhet sezoni me fitoren e trofeut të dytë kombëtar, Kupës së Italisë, ndonëse Lacio pritet të japë një betejë krejt tjetër.

Interi triumfon bindshëm ndaj Lazios



Interi ka shënuar fitore bindëse në udhëtim te Lazio, sfidë e vlefshme për xhiron e 36-të në Serie A.

“Neurazzurët” vazhduan me rezultate pozitive pavarësisht që fituan titullin një xhiro më parë, për të triumfuar me rezultat 0-3.

Lautaro Martinez përfitoi nga një top i kthyer për t’i dhënë Interit një epërsi të hershme (6’).

Ndërsa, ishte Petar Sucic që shënoi një superogl nga distanca për ta lënë portierin plotësisht të shtangur duke dyfishuar epërsinë (39’).

Situata për Lazion veçse u përkeqësua kur Alessio Romagnoli u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje (59’).

Fitoren e Interit pastaj e vulosi Ange-Yoan Bonny me një gol të bukur pas asistimit të Mkhitaryan (76’).

Interi kësisoj mbledh 85 pikë ndërsa Lazio qëndron në pozitën e tetë me 51 sosh./Telegrafi/

Ylli i Interit ndërron kombëtaren përpara Kupës së Botës 2026



Sulmuesi i Interit, Ange-Yoan Bonny, ka përfunduar me sukses ndërrimin e kombësisë dhe do të jetë i disponueshëm për t'u përzgjedhur nga Bregu i Fildishtë kur të shpallë skuadrën e tyre për Kupën e Botës 2026.

Kërkesa e Bonnyt të lindur në Francë për të ndryshuar kombësinë e tij futbollistike nga Franca, për të cilën luajti për ekipin U-21 dy vjet më parë, u miratua nga organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA.

Njoftimi zyrtar për pranimin e kërkesës erdhi gjatë ditës së premte, ku ylli i Interit u prit nga ambsadaroi i Bregut të Fildishtë në Itali, me fanellën e kësaj kombëtare.

𝐎𝐟𝐟𝐢𝐜𝐢𝐚𝐥:

Ange-Yoan Bonny has committed his international future to the Ivory Coast national team. 🇨🇮

After representing France at youth level, the Inter Milan striker will now represent the Elephants on the international stage.#AfricanFootball pic.twitter.com/gxYXj1liTK
— Micky Jnr (@MickyJnr__) May 8, 2026

Bonny, 22 vjeç, është me prejardhje nga Bregu i Fildishtë dhe pritet të përfshihet në skuadrën prej 26 lojtarësh për Kupën e Botës 2026.

Ai ndihmoi Interin të fitonte titullin e Serie A këtë sezon, duke dëshmuar se ishte një zëvendësues i shkëlqyer për klubin italian me pesë gola në ligë.

Bregu i Fildishtë është në Grupin E të Kupës së Botës me kombëtaren e Ekuadorit, atë të Gjermanisë dhe Kuraçaon.

Bonny mund të debutojë para turneut kur vendasit e Bregut të Fildishtë do të përballen me Francën në Lens më 4 qershor në një ndeshje miqësore. /Telegrafi/

Studimi i ri ‘trazon’ Italinë: këto janë tri klubet më të qëndrueshme financiarisht – rezultatet befasuese



Raporti i dytë “Global State of Football” tregon se Fiorentina, Atalanta dhe Napoli kanë qenë klubet më të qëndrueshme financiarisht në Serie A gjatë sezonit 2024-25, ndërsa Gian Piero Gasperini është vlerësuar si trajneri më efikas në elitën e futbollit italian.

Studimi, i realizuar nga teknologjia kryesuese botërore e inteligjencës artificiale PLAIER dhe Universiteti i St. Gallen, ka analizuar 226 klube në 14 liga gjatë sezonit 2024-25, duke vlerësuar faktorë si cilësia e skuadrës, performanca e drejtorit sportiv, efektiviteti i trajnerit dhe stabiliteti financiar.

Raporti nuk nxjerr në pah vetëm se cilat klube patën sukses, por edhe se si e arritën atë sukses dhe me çfarë kostoje financiare.

Fiorentina doli klubi më i qëndrueshëm financiarisht në Serie A, duke regjistruar një raport kapitali prej 72%, e ndjekur nga Atalanta dhe Napoli në vendin e dytë dhe të tretë.

Como u vlerësua me departamentin sportiv më efikas, duke sjellë rezultatet më të forta në raport me burimet që kishte në dispozicion.

Napoli, që fitoi titullin sezonin e kaluar, u rendit i treti, ndërsa Interi nënkampion, u pozicionua vetëm në vendin e 14-të.

Në skajin tjetër të renditjes, Parma shënoi performancën më të dobët të departamentit sportiv në kampionat, duke dështuar ta shndërrojë investimin financiar në rezultate konkrete në fushë./Telegrafi/

Top 10 skuadrat që kanë mbajtur më së shumti portën e paprekur - gjashtë janë nga Serie A



Sezonet në top ligat evropiane të futbollit janë drejt fundit dhe skuadrat po luftojnë për t'i arritur objektivat e tyre.

Të gjithë thonë se në futboll mbrojtja ta fiton titullin dhe për Interin kjo gjë ka funskionuar, por duket se njësoj do të funskionojë edhe për PSG-në dhe Arsenalin që janë afër ta fitojnë titullin kampion.

SofaScore ka publikuar listën me 10 skuadrat që kanë mbajtur portën e paprekur më së shumti në top pesë ligat evropiane.

Arsenali, Como dhe Interi kanë arritur ta mbajnë portën e paprekur nga 17 herë në 35 ndeshje të zhvilluara këtë edicion.

Ndërkohë PSG është e katërta me 16 porta të paprekura në 31 ndeshje.

Nga 15 herë portën e paprekur e kanë mbajtur skuadrat si Lyon në Ligue 1 si dhe Roma, Lazio, Milan dhe Juventusi në Serie A. Top 10-shja mbyllet me gjigantin gjerman Borussia Dortmund që ka mbajtur 14 herë portën e paprekur.

Interesant është fakti se nga kjo top 10-she gjashtë skuadra janë italiane, duke treguar edhe njëherë se në Serie A i kushtohet shumë rëndësi repartit defensivë. /Telegrafi/

Zbulohet arsyeja pse Barcelona po tërhiqet nga gara për Bastonin



Raportimet në Itali pretendojnë se Barcelona ka mbetur e “zhgënjyer” nga fakti se një marrëveshje e mundshme për Alessandro Bastonin e Interit duket se po zbehet, por ka edhe sugjerime se gjigantët e La Ligës që po përballen me vështirësi financiare, duhet t’i japin përparësi transfeirmit të një sulmuesi të ri, e jo një mbrojtësi.

Për disa javë me radhë, raportime nga Spanja dhe Italia e kanë lidhur Barcelonën me një lëvizje verore për reprezentuesin italian Bastoni, i cili ishte pjesë e skuadrës që festoi titullin e 21-të të Interit në Serie A gjatë fundjavës.

Presidenti i “Nerazzurrëve”, Beppe Marotta, e ka pranuar së fundmi: “Nuk do ta mohoj se ka interesim nga Barcelona (për Bastonin), por ende nuk ka asgjë konkrete”.

Megjithatë, sipas përditësimeve më të fundit nga Gazzetta dello Sport, interesimi i Barcelonës për mbrojtësin e majtë tashmë ka nisur të venitet.

Ka disa arsye për këtë, por ndoshta më e rëndësishmja lidhet me hezitimin e vetë lojtarit për t’u larguar nga “San Siro” këtë verë.

Gazzetta dello Sport raporton se Interi e vlerëson Bastonin rreth 70 milionë euro, ndërsa Barcelona kishte besuar se do të mund të negocionte një shifër më të ulët, afër 50 milionë eurove.

Që kjo të ndodhte, katalanasit do të kishin pasur nevojë që Bastoni të shprehte dëshirën e tij për t’u transferuar te Barcelona, duke e vënë Interin nën presion për ta shitur.

Sipas Gazzetta dello Sport, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe “Nerazzurrët” nuk kanë asnjë synim ta lënë Bastonin të largohet me një çmim të reduktuar.

Qoftë 50 milionë apo 70 milionë euro, gjithsesi bëhet fjalë për një investim të konsiderueshëm për një klub që vazhdon të ndiejë ndikimin e rregullave të rrepta financiare të LaLigës.

Nico Paz është dhurata e titullit, Interi me një strategji për ta transferuar argjentinasin



Interi ka nisur të mendojë menjëherë për të ardhmen pas fitimit të titullit të 21-të në Serie A, dhe drejtuesit zikaltër po planifikojnë një goditje të madhe në merkato.

Sipas “Tuttosport”, objektivi kryesor i klubit për verën është talenti argjentinas Nico Paz, aktualisht pjesë e Comos, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij në dy sezonet e fundit dhe konsiderohet një nga emrat më premtues në futbollin evropian.

Interi raportohet se do të ketë një buxhet prej 40 deri në 45 milionë euro për merkato, ndërsa një pjesë e këtyre fondeve mund të vijë nga shitjet e mundshme të lojtarëve, përfshirë edhe Alessandro Bastonin, i cili është lidhur me një kalim te Barcelona.

Megjithatë, situata e Paz mbetet komplekse për shkak të interesit të Real Madrid, që sipas raportimeve ka një opsion rikthimi pothuajse të sigurt për lojtarin. E ardhmja e tij do të varet nga vendimet e trajnerit të ri në “Santiago Bernabeu”.

Pavarësisht kësaj, Interi beson se mund t’i ofrojë argjentinasit një rol më të rëndësishëm dhe më të qëndrueshëm në skuadër, duke e bërë atë një figurë qendrore të projektit të ri sportiv.

Zikaltërit po shqyrtojnë një ofertë në vlerën 45 deri në 50 milionë euro, me shpresën për të bindur si lojtarin ashtu edhe klubet e përfshira në këtë operacion kompleks.

E ardhmja e Nico Paz pritet të jetë një nga sagat më interesante të merkatos së verës./Telegrafi/

Interi i vendosur: Bastoni nuk lëvizë pa 70 milionë euro



Interi ka vendosur një çmim të qartë për Alessandro Bastonin, duke e bërë të vështirë çdo përpjekje të mundshme të Barcelonës për ta transferuar mbrojtësin italian këtë verë.

Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, klubi zikaltër nuk është i gatshëm të negociojë nën shifrën prej 70 milionë eurosh për kartonin e qendërmbrojtësit, i cili është një nga shtyllat kryesore të skuadrës.

Interi do të lejonte largimin e tij vetëm në rast se lojtari paraqet kërkesë zyrtare për transferim, por deri më tani Bastoni nuk ka shprehur dëshirë të tillë, pavarësisht interesimit nga Barcelona.

Nga ana tjetër, situata financiare e Barcelonës mund ta komplikojë edhe më shumë një marrëveshje të tillë, duke e bërë transferimin një objektiv të vështirë për këtë afat kalimtar.

telegrafi.com

Klubi katalanas është në kërkim të një qendërmbrojtësi të nivelit të lartë për të forcuar repartin defensivë, dhe Bastoni është në krye të listës së dëshirave. Megjithatë, si alternativa janë përmendur edhe Jon Martin i Real Sociedad dhe Cristian Romero i Tottenham Hotspur.

E ardhmja e Bastonit mbetet e hapur, por për momentin Interi duket i vendosur ta mbajë nën kontroll situatën dhe të mos lejojë largimin e tij pa një ofertë të madhe financiare. /Telegrafi/

Si e ktheu Interi zhgënjimin e sezonit të shkuar në forcë drejt trofeve



Interi e vulosi titullin e kampionit në Serie A pas fitores 2-0 ndaj Parmës të dielën, duke e rikthyer Scudetton në Milano tri xhiro para përfundimit të kampionatit. “Nerazzurrët” tashmë kanë 12 pikë më shumë se Napoli në renditje.

Skuadra e Cristian Chivut mund ta mbyllë sezonin me dy trofe vendorë, nëse triumfon edhe në finalen e Kupës së Italisë ndaj Lazios më 13 maj.

Herën e fundit kur Interi i fitoi të dy trofetë në Itali ishte në epokën e Jose Mourinhos, në vitin 2010, kur klubi arriti edhe tripletën historike.

Nga “dëshpërimi i trefishtë” te rikthimi i fuqishëm

Festa e së dielës ishte në kontrast të plotë me zhgënjimin e hidhur të sezonit të kaluar, kur një edicion premtues përfundoi pa asnjë trofe.

Një muaj para fundit të kampionatit të kaluar, Interi ishte në garë për tre trofe të mëdhenj, por në fund mbeti një pikë prapa Napolit në Serie A, u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe pësoi humbje të rëndë 5-0 nga PSG-ja në finalen e Ligës së Kampionëve.

Stamattina caffè e orgoglio nerazzurro 🖤💙 pic.twitter.com/V8amBy6hqN
— Inter ⭐⭐ (@Inter) May 4, 2026


Ndryshimi i trajnerit dhe dilemat fillestare

Largimi i Simone Inzaghit në fund të sezonit të kaluar nuk u konsiderua befasi e madhe, sidomos në një klimë ku për javë të tëra ishte përfolur për ndarjen, para se trajneri italian të pranonte një kontratë të majme në Arabinë Saudite, te Al-Hilal.

Megjithatë, emërimi i Cristian Chivut – një trajner me përvojë të kufizuar në nivelin më të lartë – ngriti dilema. Chivu e kishte drejtuar Parman vetëm në 13 ndeshje në Serie A, pasi kishte marrë detyrën në shkurtin e vitit të kaluar dhe i kishte dhënë ekipit më shumë siguri.

Rumuni e njihte mirë Interin, pasi shtatë vitet e fundit kishte punuar me grupmoshat e klubit. Si lojtar, ai e kishte mbyllur karrierën te Interi në vitin 2014 dhe ishte pjesë e ekipit legjendar që fitoi tripletën në vitin 2010. Chivu kontribuoi edhe në dy tituj të tjerë kampioni me “nerazzurrët”.

🫂🖤💙 pic.twitter.com/0qMVVOt7gK
— Inter ⭐⭐ (@Inter) May 4, 2026


Ide të reja, agresivitet dhe harmoni

Qasja e Chivut dhe idetë e tij të reja e rigjallëruan Interin. E bëri skuadrën më agresive, riktheu harmoninë në dhomën e zhveshjes dhe integroi edhe talente nga akademia, si Pio Esposito.

Ai solli gjithashtu metoda të reja stërvitore me synim rritjen e nivelit fizik të ekipit, një aspekt që i kishte kushtuar shumë Interit në sezonin e kaluar për shkak të lëndimeve të shumta.

Këtë sezon, me përjashtim të Denzel Dumfries dhe Hakan Çalhanoglut, shumica e lojtarëve kyç shmangën mungesat e gjata. Ndryshe ndodhi te rivalët, sidomos te Napoli, që u përball me probleme të vazhdueshme me lëndime gjatë gjithë edicionit – madje që para nisjes së sezonit.

2️⃣1️⃣🖤💙 pic.twitter.com/Ei5G9PCu66
— Inter ⭐⭐ (@Inter) May 3, 2026


Luhatje në mes të sezonit dhe rikthimi vendimtar

Në një fazë të sezonit dukej se Interi mund të përsëriste rënien e vitit të kaluar. U eliminua nga Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve, por reagoi shpejt me fitore ndaj Genoas në Serie A dhe u shkëput deri në 13 pikë.

Më pas erdhi një periudhë e vështirë: vetëm dy fitore në tetë ndeshje, çka bëri që diferenca të zbriste në gjashtë pikë. Seria negative u ndërpre me fitoren spektakolare 5:3 ndaj Romës dhe prej asaj pike Interi nuk u kthye më prapa.

Skuadra e mbajti epërsinë deri në fund, e siguroi titullin dhe tani e ka vëmendjen te finalja e Kupës së Italisë, ku synon ta kompletojë sezonin me një tjetër trofe. /Telegrafi/

Presidenti i Interit e konfirmon interesimin e Barcelonës për yllin e tyre



Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka konfirmuar interesimin e Barcelonës për mbrojtësin Alessandro Bastoni, duke theksuar se lojtari mbetet i kënaqur te klubi zikaltër.

Duke folur për “Radio Anch’Io Sport”, Marotta pranoi se ekziston admirim për reprezentuesin italian, por nënvizoi se nuk ka ende ndonjë ofertë konkrete.

“Është një talent i madh”, deklaroi Marotta.

“Nuk do ta mohoj se ka interes nga Barcelona, por deri tani asgjë konkrete. Një lojtar largohet vetëm nëse shpreh dëshirën për t’u larguar. Aktualisht, ai është i lumtur me ne dhe ne jemi të kënaqur me të”.

Bastoni, një figurë kyçe në strukturën mbrojtëse të Interit, ka qenë pjesë e pandashme e ekipit në sukseset e fundit në arenën vendase, përfshirë triumfin e fundit në kampionat.

“Italia prodhon talente. Ne duam të ndërtojmë një bërthamë të fortë lojtarësh italianë… Për të fituar titullin, duhet një grup që e kupton futbollin italian”, shtoi ai.

Në fund, Marotta theksoi ambiciet e klubit në arenën evropiane, duke përmendur dështimet e mëparshme në finale:

“Kam arritur në katër finale dhe fatkeqësisht i kam humbur të gjitha. Është diçka që ende dua ta arrij”, u shpreh ai, duke nënvizuar fokusin e vazhdueshëm të klubit për të fituar Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/

Liga e Kampionëve për sezonin e ardhshëm: 12 skuadrat që kanë siguruar fazën e ligës



Sipas portalit analitik Football Meets Data, tashmë janë konfirmuar 12 skuadra që kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e Ligës në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Në këtë listë bëjnë pjesë disa nga klubet më të mëdha të futbollit evropian, të cilat kanë siguruar matematikisht vendin e tyre në fazën e ligës, përfshirë Barcelonën, Real Madrid dhe Villarreal nga Spanja, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund nga Gjermania, PSV Eindhoven nga Holanda, Arsenal, Manchester City dhe Manchester United nga Anglia, si dhe Inter nga Italia, Paris Saint-Germain nga Franca dhe Porto nga Portugalia.

Kualifikimi i këtyre skuadrave vjen pas një sezoni të fortë në kampionatet përkatëse, ku performancat në ligat vendase kanë vendosur tashmë një pjesë të madhe të pjesëmarrësve të sezonit të ardhshëm në kompeticionin më prestigjioz për klube në Evropë.


Ndërkohë, lista nuk është ende e plotë, pasi shumë vende të tjera do të përcaktohen në javët e fundit të kampionateve evropiane dhe përmes renditjeve të mbetura në ligat përkatëse.

Në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, faza e ligës do të përbëhet nga 36 skuadra gjithsej. Deri tani janë konfirmuar 12 prej tyre, ndërsa 24 skuadrat e tjera pritet të mësohen në tre javët e ardhshme, teksa garat në kampionatet kryesore evropiane po shkojnë drejt fundit. /Telegrafi/

Thuram rikrijon foton ikonike të Kobe Bryant gjatë festimeve të Interit



Sulmuesi i Interit, Marcus Thuram, i ka bërë homazh legjendës së NBA-së, Kobe Bryant, përmes një postimi në Instagram gjatë festimeve për titullin e 21-të kampion të Serie A-së nga “Nerazzurrët”.

Thuram ka rikrijuar një nga fotografitë ikonike të Bryant, duke pozuar në dhomën e zhveshjes me dy trofe të “Scudetto”-s, teksa Interi po festonte suksesin e madh të sezonit.

Sulmuesi francez kishte shënuar golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Parma Calcio 1913, rezultat që i siguroi Interit titullin kampion tre ndeshje para përfundimit të kampionatit.

Menjëherë pas ndeshjes, ai publikoi imazhin në rrjete sociale, duke imituar një fotografi të famshme të Bryant të realizuar në qershor të vitit 2001, pas fitores së Los Angeles Lakers ndaj Philadelphia 76ers në finalen e NBA-së.

📲🚨 𝗡𝗘𝗪: Marcus Thuram pays tribute to the great Kobe Bryant via IG. pic.twitter.com/KgT4o9Ks9H
— The Touchline | 𝐓 (@TouchlineX) May 3, 2026

Postimi u interpretua si një dedikim simbolik për legjendën amerikane dhe për suksesin historik të Interit këtë sezon. /Telegrafi/

Inter feston titullin: Nga hoteli luksoz në Piazza Duomo, një natë e paharrueshme me tifozët

Inter ka festuar titullin e 21-të të Serisë A në hotelin Sheraton San Siro, duke përsëritur një traditë të vendosur dy sezone më parë, kur klubi festoi yllin e dytë pas derbit të fituar. Kjo natë e re triumfi, pas fitores ndaj Parmës, pa skuadrën të mblidhej në të njëjtin hotel, rreth një kilometër larg stadiumit, për të ngritur dolli për suksesin e fundit. Festimet u zhvilluan në një sallë…

Source

Marotta deklaron se titulli i kampionit si president i Interit është ëndërr e bërë realitet



Presidenti i Interit, Beppe Marotta, e cilësoi titullin e 21-të në Serie A si një “ëndërr të bërë realitet”, pasi fitorja vendimtare ndaj Parmës e vulosi matematikisht kampionatin për Nerazzurrët.

Në prononcimin e tij për DAZN, Marotta foli për triumfin e parë të tij në kampionat si president i Interit, duke nderuar gjithashtu drejtuesit që kanë lënë gjurmë në historinë e klubit.

“Një lidhje me numrin 21? Është një shenjë që nuk mund të fshihet. Titulli i parë si president? Është ëndërr e bërë realitet. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta fitoja një kampionat si president, e aq më pak si president i Interit – kjo është diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Marotta falënderoi presidentët e mëparshëm të klubit, duke përmendur Massimo Morattin, Giacinto Facchettin, Ernesto Pellegrinin, Angelo Fraizzolin, si dhe Steven Zhangun, ndërsa theksoi se merita kryesore e këtij suksesi i takon trajnerit Cristian Chivu dhe skuadrës.

“Falënderimet e mia shkojnë për presidentët që më kanë paraprirë, shumë më të denjë se unë. Pellegrini, Moratti, Facchetti, Fraizzoli dhe edhe Steven Zhang. Por ky titull i takon Chivus dhe ekipit; falënderoj edhe pronësinë që na ka mundësuar të punojmë me qetësi të madhe”, u shpreh ai.

Ai zbuloi edhe se ndërrimi në stol nga Simone Inzaghi te Cristian Chivu ishte bërë shumë shpejt, duke vlerësuar vendimmarrjen e klubit.

“Ashtu siç shpjegoi Inzaghi, ndërprerja e kontratës ndodhi të hënën dhe të martën ne e kishim zgjedhur tashmë Chivun. Ishte një zgjedhje e guximshme. Chivu e ka fituar Tripletën, ka qenë kapiten i Ajaxit në moshën 21-vjeçare dhe e ka fituar kampionatin Primavera me Interin. E vetmja gjë që i mungonte ishte përvoja, por ai ka cilësi të jashtëzakonshme dhe duhet të qëndrojë te Interi për shumë vite,” theksoi Marotta.

Marotta mbrojti edhe qasjen e klubit për stabilitet, sidomos në një fillim të vështirë të sezonit, duke insistuar se besimi te projekti nuk u lëkund.

“Unë nuk e kam shkarkuar kurrë një trajner; nuk besoj se faji është gjithmonë i trajnerit. Trajneri është themelor, duhet të mbështetet. Disa veprojnë me instinkt, por kjo nuk është rruga jonë – ne mendojmë ndryshe,” deklaroi ai.

2️⃣1️⃣🖤💙 pic.twitter.com/Ei5G9PCu66
— Inter ⭐⭐ (@Inter) May 3, 2026


Në fund, Marotta nënvizoi ambicien e Interit për të ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme pas një sezoni kampion, ku – sipas tij – vendimtare ishin uniteti dhe planifikimi. /Telegrafi/

Scudetto i 21-të për Interin, tifozët ndezin festën me mesazhin enigmatik “14” dhe “+7”



Tifozët e Interit shfaqën dy banderola misterioze vetëm pak sekonda pas përfundimit të ndeshjes së së dielës në shtëpi kundër Parmës, e cila i siguroi Nerazzurrëve titullin e 21-të.

Interi e konfirmoi matematikisht titullin pas fitores 2-0 ndaj Parmës në “San Siro”. Festimet kishin nisur që para fishkëllimës së parë, pasi skuadrës i mjaftonte edhe një barazim për ta vulosur kampionatin me tri ndeshje të mbetura.

Menjëherë pas mbylljes së takimit, tifozët e Interit në Curva Sud, përballë Curva Nord të ultrasve, shpalosën dy banderola që ngjallën kureshtje.

Banderola kryesore shfaqte një numër të madh “14” në sfondin e “Tricolore”, ndërsa banderola poshtë kishte mbishkrimin: “+7 kundër gjithçkaje dhe të gjithëve”.

Sipas interpretimit të tifozëve, mesazhi lidhet me historinë e titujve të fituar nga Interi, duke iu referuar shtatë kampionateve të mëparshme të fituara në rrethana që ata i konsiderojnë sfiduese dhe të shoqëruara me polemika.

Tifozët e Interit në Curva Sud festuan kështu Scudetton e 21-të, duke e shoqëruar triumfin me mesazhin “14+7” në banderola. /Telegrafi/

Interi mposht Parman dhe shpallet kampion i Italisë



Interi e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit në Serie A, pasi mposhti Parmën me rezultat 2-0 në ndeshjen e javës së 35-të, duke e bërë të pakapshëm në krye të tabelës.

Zikaltrit e nisën ndeshjen me ritëm dhe krijuan raste që në fillim. Nicolo Barella ishte pranë golit në minutën e 25-të, por goditja e tij u ndal nga traversa, ndërsa edhe Denzel Dumfries rrezikoi me kokë.

Goli i epërsisë erdhi në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 45+1’, Marcus Thuram u gjet në pozicion të mirë pas një pasimi në thellësi nga Piotr Zielinski dhe realizoi saktë për 1-0.

Në pjesën e dytë, Interi e menaxhoi lojën me qetësi, duke mos lejuar shumë hapësira për Parmën.

Trajneri Cristian Chivu bëri disa zëvendësime për ta freskuar skuadrën, ndërsa Lautaro Martinez hyri në lojë në minutën e 67-të dhe u bë vendimtar.

Në minutën e 80-të, Lautaro asistoi bukur për Henrikh Mkhitaryan, i cili nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 2-0, duke e vulosur fitoren.

2️⃣1️⃣🖤💙 pic.twitter.com/Ei5G9PCu66
— Inter ⭐⭐ (@Inter) May 3, 2026


Me këtë triumf, Interi shkon në 82 pikë pas 35 ndeshjeve dhe shpallet matematikisht kampion i Italisë, duke kurorëzuar një sezon dominues në Serie A. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Interi bëhet gati për festën që priti për 37 vite, Lautaro kërkon të luajë ndeshjen historike

Interi luan sot ndaj Parmës në kampionat një ndeshje e cila pritet të sjellë titullin e 21-të në historinë e ekipit zikaltër.

Falë barazimit të djeshëm të Napolit, zikaltrit janë tashmë vetëm 1 pikë larg sigurisë matematikore të titullit dhe duan ta mbyllin çdo llogari përballë tifozëve të tyre, në një ngjarje të rrallë që mungon prej 37 vitesh. Ishte viti i largët 1989 kur Interi siguronte për të herë të fundit matematikisht titullin në “San Siro” si pritës, ndaj të gjithë po bëhen gati për një mbrëmje të veçantë.

Stadiumi është mbushur pasi janë shitur të gjitha biletat dhe do të jenë mbi 75 mijë persona të pranishëm, me koreografi speciale të përgatitur për një mbrëmje që pritet të jetë e veçantë. Klubi ka prenotuar një lokal për të grumbulluar skuadrën pas ndeshjes, ndërsa pas dy javësh, në sfidën ndaj Veronës në shtëpi, do të bëhet edhe festa “zyrtare” me trofeun që do t’i dorëzohet ekipit.

Ndërkohë, sot pritet të jetë në fushë edhe Lautaro Martinez, i cili ka kërkuar specifikisht që të ketë disa minuta në dispozicion në fund të takimit, për të shijuar atmosferën te vërshëllima finale që dekreton suksesin e radhës të tij me fanellën zikaltër.

The post Interi bëhet gati për festën që priti për 37 vite, Lautaro kërkon të luajë ndeshjen historike appeared first on Albeu.com.

❌