31 vite në shërbim të komunitetit, vlerësohet për kontributin në Policinë e Shtetit Inspektor Serri Memetaj
TIRANË, 13 maj /ATSH/ Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u zhvillua ceremonia e daljes në pension të Inspektor Serri Memetaj, një prej figurave me kontribute të spikatura në strukturat e Policisë së Shtetit.
Pas rreth 31 vitesh në shërbim, Memetaj përmbylli karrierën e tij profesionale, gjatë së cilës ka ushtruar detyra të rëndësishme si ndihmës specialist, agjent gjyqësor në Seksionin për Hetimin e Krimeve, pjesë e trupës operacionale “Delta Force”, si dhe për një periudhë të gjatë ndihmës specialist SPZ në Seksionin e Policimit në Komunitet.
Në shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe profesionalizmin ndër vite, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, i dorëzoi “Certifikatën e Karrierës”, akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë, Çela vlerësoi figurën dhe kontributin e Inspektor Memetajt, duke theksuar se ai ndërtoi një karrierë të gjatë e dinjitoze, të mbështetur mbi korrektësinë, integritetin dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
“Për më shumë se tre dekada ai ka shërbyer me profesionalizëm në struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit, duke fituar respektin e kolegëve, drejtuesve dhe komunitetit”, u shpreh Çela.
Nga ana e tij, mes emocionesh dhe mirënjohjeje, Inspektor Memetaj falënderoi kolegët dhe drejtuesit për mbështetjen dhe vlerësimin e treguar ndër vite.
“Policia ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe një familje e dytë. Largohem krenar për detyrat e përmbushura dhe për çdo sfidë të kaluar në shërbim të qytetarëve”, tha ai.
Në përfundim të ceremonisë, stafi i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë i uroi shëndet dhe mbarësi në etapën e re të jetës, duke e falënderuar për shembullin profesional dhe kontributin e vyer në radhët e Policisë së Shtetit.
/gj.m/a.f/
The post 31 vite në shërbim të komunitetit, vlerësohet për kontributin në Policinë e Shtetit Inspektor Serri Memetaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

