Ndërkohë, Al Nassr po i afrohet liderit Al Hilal në kampionat, derisa Ronaldo po vazhdon objektivin për t’u bërë futbollisti i parë që shkon në kuotën e 1 mijë golave në karrierën profesionale./Telegrafi
Besiktas e ka konfirmuar huazimin e mesfushorit Kristjan Asllani nga Interi me opsion blerje.
Ylli shqiptar e ndërpreu bashkëpunimin me Torinon si pasojë e minutazhës së ulët, ndërsa Besiktasi arriti ta bindë për të ndryshuar kampionat.
Përmes një komunikate zyrtare, gjiganti turk e prezantoi mesfushorin “Kuq e Zi”.
“Mirë se vjen Kristjan Asllani te Besitkasi. Marrëveshja është arritur me Interin për transferimin e futbollistit Kristjan Asllani deri në fundin e sezonit 2025/26”.
“Sipas marrëveshjes, ekziston një opsion blerje nga klubi. I urojmë suksese Kristjan Asllanit në uniformën tonë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Ndërkohë, te Besiktasi Asllani do të jetë bashkëlojtar me futbollistin e Kosovës Milot Rashica./Telegrafi
Ylli i Mallorcas Vedat Muriqi është shpallur lojtari më i mirë i muajit në La Liga.
Ky muaj ka qenë i shkëlqyer për lojtarin nga Prizreni, i cili shënoi pesë gola.
Fillimisht, shënoi gol ndaj Gironas, pastaj në barazimin e Rayo Vallacanos. Pas këtyre, Muriqi e kompletoi het-trikun në fitoren 3-2 ndaj Athletic Bilbaos.
Kësisoj, për herë të parë në histori – një lojtar i Kosovës e fiton çmimin “Lojtari më i mirë i muajit” në kampionatin spanjoll.
“Pirati. Vedat Muriqi nga Mallorca është lojtari më i mirë i muajit janar në La Liga”, shkroi ndër të tjera faqja zyrtare.
Përndryshe, Muriqi është golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin spanjoll me 14 gola, pas vetëm Kylian Mbappes./Telegrafi
Sulmuesi Emir Sahiti e ka kompletuar huazimin te skuadra izraelite Maccabi Tel Aviv nga klubin gjerman Hamburg.
Përfaqësuesi kosovar nuk ishte në planet e skuadrës gjermane kësisoj ka gjetur klub të ri, të cilët e kanë huazuar me opsion blerje.
“Emir Sahiti i bashkohet Maccabi nga Hamburg pasi marrëveshja mes dy klubeve u arrit për huazimin e 27-vjeçarit deri në fundin e sezonit 2025/26, me opsion blerje”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Sahiti që ka shënuar tre gola në fanellën e Hamburgut deklaroi se mezi pret të luajë para tifozëve izraelitë.
“Jam shumë i lumtur dhe emocionuar që i bashkohem Maccabi Tel Aviv, klub me histori të pastër dhe tifozë të devotshëm. Nga bisedat e para, e ndjeva vizionin e klubit dhe e dija që ishte hapi i duhur”.
“Jam i uritur, motivuar dhe gati që të jap gjithçka, ta ndihmoj skuadrën të fitojë trofe dhe t’i sjellë krenari tifozëve. Mezi pres ta ndjej atmosferën në Bloomfield Stadium”, deklaroi ai.
Kujtojmë, që prej vitit 2024, Sahiti ka zhvilluar 26 paraqitje në fanellën e Hamburgut./Telegrafi/
Juventusi dhe Bologna janë duke zhvilluar bisedime për një marrëveshje shkëmbimi që përfshin dy mbrojtësit e krahut të djathtë, Joao Mario dhe Emil Holm.
Sipas “Sky Sport Italia”, negociatat mes dy klubeve janë në vazhdim dhe, pavarësisht kohës së kufizuar për të finalizuar marrëveshjen, palët po punojnë ende për të gjetur një kompromis.
Joao Mario ka pasur vështirësi të gjejë hapësira te Juventusi, duke regjistruar vetëm një asist në 13 paraqitje në të gjitha garat. Portugezi ka grumbulluar gjithsej 373 minuta lojë në Torino në sezonin 2025/26, por vetëm 46 minuta nën drejtimin e trajnerit të ri, Luciano Spalletti.
Në anën tjetër, Emil Holm ka qenë shumë më aktiv te Bologna. Suedezi ka luajtur 1.240 minuta këtë sezon, duke kontribuar me pesë asiste dhe një gol në 19 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Ndërkohë, Juventusi ka arritur edhe një marrëveshje me mbrojtësin e Celta Vigos, Oscar Mingueza, por transferimi i tij mbetet i ndërlikuar.
Edhe pse spanjollit i kanë mbetur më pak se gjashtë muaj kontratë, klubi galician vazhdon të kërkojë 20 milionë euro, për shkak se Barcelona zotëron një klauzolë prej 50 për qind nga shitja e ardhshme e lojtarit./Telegrafi
Sigurimi i minutave të rregullta për çdo lojtar te Manchester City është pothuajse i pamundur dhe, si rrjedhojë, çdo sezon ka futbollistë që mbeten të pakënaqur me hapësirat që marrin.
Këtë janar, pas afrimeve të reja në skuadër, situata është bërë edhe më e ndërlikuar për disa emra në repartin ofensiv. Njëri prej tyre ka tërhequr vëmendjen e Diego Simeones, i cili po këmbëngul që Atletico Madrid të bëjë një ofertë konkrete për sulmuesin e Cityt.
“Los Colchoneros” janë në kërkim të një sulmuesi që mund t’i shtojë gola dhe vazhdimësi repartit ofensiv, ndërsa zgjidhjen e mundshme e kanë identifikuar te sulmuesi i Manchester Cityt, Omar Marmoush. Reprezentuesi egjiptian e ka pasur të vështirë të gjejë hapësira te “Etihad Stadium”, pavarësisht pritshmërive të mëdha me të cilat u transferua.
Nën drejtimin e Pep Guardiolës, roli i Marmoushit ka mbetur i kufizuar, çka ka bindur Atleticon se ekziston mundësia për të negociuar një largim të përkohshëm. Sipas “Fichajes”, klubi madrilen po shqyrton një huazim me opsion blerjeje prej 55 milionë eurosh, si dhe 15 milionë euro të tjera në formë bonusesh.
Një strukturë e tillë do ta çonte vlerën totale shumë pranë shumës që Manchester City investoi për ta transferuar Marmoushin vitin e kaluar, rreth 75 milionë euro. Megjithatë, sulmuesi nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari të rregullt.
Atletico Madrid nuk është i vetmi klub i interesuar, pasi Marmoush monitorohet edhe nga Tottenham Hotspur dhe Aston Villa./Telegrafi
Arsenali po mahnitë këtë edicion, ku përpos si lider në Ligën Premier e kanë mbyllur edhe në vendin e parë në fazën e ligës të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, ekziston një emër i madh që mund të largohet nga “Emirates” gjatë verës së ardhshme dhe, nëse një marrëveshje e tillë realizohet, do të ishte një surprizë e madhe për të gjithë.
Verën e kaluar, Arsenali shpenzoi rreth 255 milionë funte, një shumë që ishte edhe më e madhe se ajo e Liverpoolit. Për këtë arsye, klubi ka nevojë të balancojë financat dhe të respektojë rregullat e fitimit dhe qëndrueshmërisë.
Kjo do të thotë se, edhe pse me hezitim, "Topçinjtë" mund të detyrohen të ndahen me një nga mesfushorët më me ndikim të skuadrës.
Situata ka vënë në alarm disa nga gjigantët e futbollit të Evropës. Sipas raportimeve të “Hooligan Soccer”, Bayern Munich dhe Inter janë duke përgatitur një lëvizje për kapitenin e Arsenalit, Martin Odegaard.
Norvegjezi ka qenë një nga lojtarët kyç të ekipit dhe një figurë qendrore në projektin e Artetës. Megjithatë, drejtuesit e klubit janë të detyruar të respektojnë rregullat financiare, gjë që mund t’i shtyjë të ulen në tavolinë në rast se vjen një ofertë e konsiderueshme.
Odegaard, i cili është 27 vjeç, ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2028, por vera e ardhshme mund të jetë vendimtare nëse klubi dëshiron të përfitojë një shumë të madhe për një lojtar të këtij niveli.
Si rrjedhojë, nëse Bayern Munich ose Inter paraqesin një ofertë të fortë, ekziston mundësia reale që kapiteni i Arsenalit të mos jetë më pjesë e skuadrës në Emirates sezonin e ardhshëm./Telegrafi
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco ka shpjeguar arsyet pse transferimi i Vitor Roque te klubi katalunas nuk rezultoi i suksesshëm.
Sipas tij, nga aspekti i cilësisë nuk është bërë ndonjë gabim, pasi ideja e klubit ishte të siguronte një pasardhës afatgjatë për Robert Lewandowskin.
Megjithatë, rrethanat e transferimit ndikuan negativisht në përshtatjen e sulmuesit brazilian.
“Nga pikëpamja e cilësisë, nuk mendoj se kemi bërë një gabim. Plani ynë ishte të nënshkruanim me një pasardhës të ardhshëm të Robert Lewandowskit. Vitor Roque ishte zgjedhja perfekte, por u detyruam ta sillnim në janar, shumë më herët sesa ishte planifikuar fillimisht”.
“Ai u transferua në një vend të ri dhe iu bashkua një klubi të madh, duke u përballur me presion të madh, ndërsa nuk mori minuta të mjaftueshme loje për t’u përshtatur siç duhet”.
Deco foli edhe për huazimin e lojtarit te Real Betis, duke pranuar se as ajo aventurë nuk shkoi sipas pritshmërive. Më pas, Barcelona mori një ofertë konkrete nga Palmeiras për blerjen e kartonit të tij, çka e shtyu klubin të merrte një vendim përfundimtar.
“Huazimi i tij te Betis nuk shkoi ashtu siç shpresonim dhe më pas morëm një ofertë nga Palmeiras për ta blerë. Vendosëm se kjo ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë”.
“Nuk e humbëm investimin për të ardhmen, përkundrazi e rikuperuam vlerën e tij. Shikoni Endrickun – edhe ai po kalon vështirësi. Kjo është diçka normale për lojtarët e rinj në një klub të madh evropian”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Roque së shpejti pritet të rikthehet në Evropë, ku disa klube italiane dhe angleze kanë shprehur interesim./Telegrafi
Trajneri i Marseille, Roberto De Zerbi ka dorëzuar dorëheqjen pas eliminimit të turpshëm nga Liga e Kampionëve.
Sipas “Foot Mercato”, italiani ka kërkuar të lirohet nga detyra të mërkurën. Skuadra franceze u mposhtë 3-0 nga Club Brugge dhe u përjashtuan plotësisht nga kompeticioni, pasi rezultatet në ndeshjet e tjera nuk shkuan në favor të tyre.
Më herët gjatë ditës së sotme, RMC Sport raportoi se Roberto De Zerbi po rrezikonte shkarkimin, duke qenë se ai nuk drejtoi seancën stërvitore të ekipit në Clairefontaine, aty ku Marseille po përgatitet për ndeshjen e radhës në Ligue 1 ndaj Paris FC, që do të luhet të shtunën në udhëtim.
Bisedimet thuhet se janë duke u zhvilluar mes të gjitha palëve për të vendosur nëse dorëheqja e De Zerbit do të pranohet apo jo.
De Zerbi iu bashkua Marseille në vitin 2024, ndërsa kontrata e tij ishte e vlefshme deri në vitin 2027.
Për dallim nga Liga e Kampionëve, Marseille mbetet në garë për titull në Francë, duke zënë pozitën e tretë me 38 pikë, shtatë më pak se lideri PSG./Telegrafi
Drejtori sportiv, Luis Campos, ishte personi i ngarkuar me gjetjen e një trajneri të ri për PSG-në pas largimit të Mauricio Pochettinos.
Campos ka zbuluar në një intervistë për Marca se si kontaktoi disa trajnerë përpara se të lidhej përfundimisht me Luis Enrique.
“A ishte e lehtë ta bindja Nasser Al Khelaifin se Luis Enrique ishte njeriu i duhur për PSG-në? Po, ishte shumë e lehtë”.
“Emiri i Katarit, i cili është një tifoz i madh i futbollit dhe ka shumë njohuri për lojën, mori gjithashtu pjesë në ato takime. Ai ndonjëherë më flet për lojtarë për të cilët unë vetë kam frikë se nuk jam mjaftueshëm i informuar”.
“Ai është jashtëzakonisht i apasionuar pas sportit, e di ku ndodhen talentet më të mëdha, ka Wyscoutin dhe një kuptim shumë të thellë të futbollit”.
“Këto ishin takime shumë të rëndësishme, sepse nisëm duke analizuar një sërë trajnerësh që ishin propozuar dhe i vlerësuam sipas 25 kritereve të ndryshme, gjithçka për të kuptuar se kush ishte personi i duhur”.
“Përfundimisht patëm një intervistë me Luis Enriquen në shtëpinë e tij, ku kimia ishte aq e fortë sa brenda dhjetë minutash ai na kishte thënë gjithçka që donim të dëgjonim”.
“Pas atij takimi, e telefonova Nasserin dhe i thashë: ‘President, ky është njeriu ynë’. Brenda dy ditësh gjithçka u mbyll. Ndjeva një energji jashtëzakonisht pozitive dhe një dëshirë shumë të fortë për të fituar, saqë i thashë vetes ‘Ky është i duhuri’”.
Që prej asaj kohe, Luis Enrique ka rezultuar një sukses i jashtëzakonshëm për PSG-në, duke e ndihmuar klubin të fitojë disa trofe, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve, trofeun e shumëkërkuar nga parisienët./Telegrafi
Presidenti i Federatës Sllovake të Futbollit Jan Kovacik thotë se Sllovakia ka abstenuar kur Kosova kishte kërkuar të bëhej pjesë e UEFA-s, ndërsa e ka vlerësuar përballjen si një sfidë mjaftë të rrezikshme.
“Dardanët” do të jenë mysafir i Sllovakisë në gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës 2026, ndërsa kjo ndeshje ka filluar t’i frikësojë sllovakët meqenëse edhe janë favorit.
Kovacik në një intervistë së fundmi për “sportnet” ka kujtuar kohën kur ishte i pranishëm në kongresin, që Kosova u pranua në UEFA.
“Isha pjesëmarrës kur Kosova ishte pranuar si anëtar i UEFA-s. E diskutuam sitautën me përfaqësuesit e shtetit sepse nuk dëshironim të votonim ndryshe nga politikat tona. Komunikuam me Ministrinë e Jashtme atë kohë dhe vendosëm të abstenojmë. Nuk votuam as pro as kundër”.
Ai ndër të tjera premtoi se do të parandalojë çdo problem që nuk lidhet me futbollin, me shpresën që Sllovakia ta eliminojë Kosovën.
“E shohim këtë sfidë si shumë të rrezikshme. Nuk isha aspak i lumtur kur mësova se me cilin kundërshtar do të përballemi në play-off. Përveç faktit që është një kundërshtar i zgjuar në futboll, e kuptova që në momentin e parë se çfarë problemesh të tjera na presin dhe çfarë mund të ndodhë. Mendoj se në një masë të madhe duhet ta marrim parasysh këtë”.
“Do të bëjmë çmos për të parandaluar çdo problem jo-futbollistik që mund të lindë në stadium. Gjithashtu po konsultohemi me njerëz me përvojë nga Ministria e Punëve të Jashtme, me njerëz që kanë punuar në Ballkan. Shpresoj se do të kemi sukses”, deklaroi ai.
Kujtojmë, përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 26 mars prej orës 21:00./Telegrafi
Fut ka shënuar fitore të rëndësishme në kuadër të “IEM Krakow” që po zhvillohet në Poloni, për ta eliminuar skuadrën braziliane Legacy.
Fut edhe pse s’ishte favorit, fitoi me rezultat 0-2 në mape, ku dominoi plotësisht nga fillimi.
Fillimisht në “de_dust2”, Fut fitoi me rezultat 13-7, sfidë ku dominuan si “t-site”, pasi morën plot shtatë raunde, ku Legacy arriti vetëm një sosh meqenëse “pjesa e parë” kishte përfunduar me rezutlat 6-6.
Dymtro “dem0n” Myrosnychenko ishte i pandalshëm me plot 22 eliminime.
Ndërkohë, në “de_ancient”, Fut shënoi një përmbysje pasi humbën pjesën e parë me rezultat 8-4, por në fund triumfuan 10-13. Pas “dem0n” me 23 eliminime, shqiptari Aulon “krabeni” Fazlija e ndihmoi me 22 sosh.
Kësisoj, Fut shënon një fitore të madhe drejt fazës tjetër ndërsa të premten i duhet të mposhtë humbësin e përballjes Liquid – G2 për t’u kualifikuar tutje./Telegrafi
Sulmuesi Meriton Korenica pritet që të largohet nga CFR Cluj brenda këtij afati dimëror, ndërsa thuhet se agjentët e tij po negociojnë me skuadrën e Superligës Turke, Konyaspor.
Lojtari me prejardhje nga Rahoveci deri vonë ishte në negociata me DC United, por duket se skuadra amerikane nuk do t’i plotësojë kërkesat e rumunëve prej 4.5 milionë dollarë për ta liruar kosovarin.
Megjithatë, tani në “radarin” e Korenicës është edhe skuadra turke. Sipas asaj që raporton “Ajansspor”, 29-vjeçari i është ofruar Konyasporit, klub ky që po kërkon një anësor të ri.
Konyaspori e vlerëson lartë Korenicën edhe për faktin se mund të luajë në disa pozita të ndryshme, gjë që mund t’i hyjë në përdorim trajnerit në rast mungesash.
Korenica e njeh mjaftë mirë futbollin turk, meqenëse për gjashtë muaj ka qenë pjesë e Manisas, aty ku shënoi një gol në 11 paraqitje.
Këtë edicion, ylli kosovar ka qenë ndër më të mirët për Clujin, ku shënoi shtatë gola si dhe dhuroi gjashtë asistime në 31 paraqitje.
Një afrim i tillë mund t’i ndihmojë shumë Konyasporit, skuadër kjo që po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit turk, pasi zënë pozitën e 13-të me 19 pikë, vetëm tre më shumë se Eyuspori./Telegrafi
Presidenti i Besiktasit Serdal Adali e ka konfirmuar transferimin e mesfushorit Kristjan Asllani nga Interi.
Ylli shqiptar nuk arriti të zërë vend te Torino, kësisoj do ta ndërpresë huazimin për vetëm gjashtë muaj dhe do të ndryshojë kampionat, për t’iu bashkuar turqve.
Adali ka konfirmuar transferimin e Asllanit, duke dhënë detaje se lojtari do të arrijë të enjten mbrëma.
“Kristjan Asllani po vjen. Kemi arritur marrëveshje me Interin dhe lojtarin. Ka një proces ndërprerje bashkëpunimi mes Interit dhe Torinos. Ai do të arrijë këtë mbrëmje”, deklaroi ai.
Detajet e marrëveshjes
Asllani do t’i bashkohet skuadrës turke në formë huazimi me opsion blerje, pak a shumë e ngjashme si marrëveshja që kishte Interi me Torinon për 23-vjeçarin.
Megjithatë, Besiktasi nuk do të paguajë asnjë cent për huazimin e lojtarit, vetëm tërë pagën e lojtarit.
Ekziston një klauzolë blerje, por nuk ka ndonjë kriterë që e bënë këtë blerje të obligueshme përpos nëse Besiktasi vendos ta blejë kartonin në verë.
Largimi i Asllanit për në Turqi është lajm i papritur meqenëse thuhej se preferonte qëndrimin në Itali, ku si pasojë edhe refuzoi disa oferta të skuadrave spanjolle./Telegrafi
Sulmuesi anësor i Barcelonës, Raphinha, ka deklaruar se çmimet individuale duhet të pasqyrojnë kryesisht arritjet personale dhe jo suksesin e skuadrës.
Ai në një intervistë së fundmi publikisht ka deklaruar se e meritonte Topin e Artë 2026 para Ousmane Dembele.
“Në mendimin tim, e meritoja Topin e Artë. Besoj se trofetë individualë nuk duhet të bazohen në rezultatet kolektive. Por, duke qenë se ndodh kështu, atëherë çmimi me të drejtë i shkon Dembeles”.
Pastaj ai kritikoi edhe kriteret, ku ndër të tjera shtoi se nëse jo trofeun atëherë e meritonte së paku një vend në top tre.
“Isha i zhgënjyer. Prisja diçka më shumë. Të paktën mendoja se do të isha në mesin e tre më të mirëve. E dija se shanset e mia për ta fituar ishin shumë të vogla, pasi Liga e Kampionëve ka një ndikim të madh në këtë çmim. Megjithatë, renditja ime ishte zhgënjyese për mua”, nënvizoi braziliani.
Përndryshe, Ousmane Dembele e fitoi Topin e Artë për vitin 2026, kurse pas tij u renditen Lamine Yamal dhe Vitinha./Telegrafi
Sulmuesi i krahut Emir Sahiti është rrugës për në Izrael, ku do të nënshkruajë me skuadrën e famshme Maccabi Tel Aviv.
Marrëveshja do të jetë vetëm në formë huazimi, ndërsa ende nuk dihet nëse klubi izraelit do të ketë ndonjë opsion blerje për futbollistin, i cili ka kontratë deri në fundin e vitit 2027 me Hamburgun.
Trajneri i Hamburgut Merlin Polzin ia ka bërë të qartë skuadrës gjermane se nuk i dëshiron “lojtarët që nuk japin 100 për qind për klubin”, ndërsa pjesë e kësaj liste raportohet të jetë edhe Sahiti.
Siç raporton mediumi pranë klubit “Hamburger Abedblatt”, marrëveshja është praktikisht e kryer, pasi Sahiti s’është në planet e trajnerit që kur humbi vendin e titullarit në humbjen e derbit të qytetit kundër St.Pauli.
“Maccabi Tel Aviv do të nënshkruajë me Emir Sahitin në formë huazimi. 27-vjeçari është rrugës për në Izrael”.
“Sahiti ka kontratë deri më 2027, ndërsa do të jetë largimi i katërt për këtë afat dimëror. Ai u transferua për 1.2 milionë euro por anësori kurrë nuk u bë lojtar i padiskutueshëm në formacion. Pas promovimit, ai luftoi për vendin titullar kundër Rayan Philippe, por e humbi në derbin e qytetit ndaj St. Pauli”, raporton mediumi gjerman.
Përndryshe, Sahiti nuk i ka punët mirë as me përzgjedhësin Franco Foda shkaku që e refuzoi ftesën e Kosovës në muajin qershor duke u ankuar se në formacionin e “Dardanëve” po luajnë lojtarë që nuk e meritojnë./Telegrafi
Ajax mbetet optimist për përfundimin e transferimit përfundimtar të Oleksandr Zinchenko nga Arsenali për shumën prej 1.5 milionë eurosh, por marrëveshja varet nga arritja e një dakordësie mes klubit londinez dhe ukrainasit për pagën e mbetur.
Sipas “De Telegraaf”, Ajax dëshiron qartësi “sot”, teksa afati kalimtar po i afrohet mbylljes.
Edhe pse agjenti i Zinchenkos, Jorge Mendes, ka rënë dakord me Ajaxin për kushtet personale të lojtarit, duke përfshirë një kontratë deri në verën e vitit 2026, Arsenali dhe futbollisti ende nuk kanë finalizuar marrëveshjen për pagën.
Kontrata aktuale e Zinchenkos me Topçinjtë është e vlefshme deri në vitin 2026 dhe raportet e mëparshme kishin bërë të ditur se Arsenali ia kishte mbuluar plotësisht pagën gjatë huazimit të tij te Nottingham Forest.
Tani, me Zinchenkon të gatshëm për t’u larguar, Arsenali po kërkon një ulje page që shkon përtej asaj që lojtari është i gatshëm të pranojë. Të dyja palët duket se kanë ngurtësuar qëndrimet e tyre, duke e lënë Ajaxin në pritje prej disa ditësh.
Drejtuesit e Ajaxit nuk janë të gatshëm ta mbulojnë vetë diferencën, pasi klubi tashmë do të paguante 260 mijë euro në paga për Zinchenkon, përveç tarifës prej 1.5 milionë eurosh të transferimit, për të përmbushur kërkesat për lejen e punës për lojtarë jashtë BE-së.
Për momentin, Ajax mbetet i bindur se Zinchenko do të mbërrijë në Amsterdam, por koha po mbaron dhe dështimi për të zgjidhur mosmarrëveshjen për pagën mund të çojë në prishjen e plotë të marrëveshjes./Telegrafi
“La Gazzetta dello Sport” raporton se Randal Kolo Muani është i hapur për një rikthim te Juventusi në afatin kalimtar të janarit, ndaj “Zonja e Vjetër” shpreson të gjejë një marrëveshje me Tottenhamin dhe PSG-në.
Kolo Muani, aktualisht i huazuar te Tottenham, do të ishte i lumtur të kthehej në Torino, kështu që Juventusi do të vazhdojë negociatat me Spurs dhe PSG-në, me shpresën për ta rikthyer francezin në “Allianz Stadium” vetëm gjashtë muaj pas largimit të tij.
Sipas gazetës italiane, Juventusi shpreson që dëshira e vetë lojtarit të luajë një rol kyç në bisedimet me klubin francez dhe atë anglez. Kolo Muani është i huazuar te Tottenham, por kartoni i tij zotërohet nga PSG-ja.
Francezi luajti pjesën e dytë të sezonit 2024-25 si i huazuar te Juventusi, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë tri asistime në 20 paraqitje në Serie A, Kupën e Italisë dhe Kupën e Botës për Klube.
Drejtori i skuadrës italiane, Giorgio Chiellini, deklaroi të mërkurën: “Kolo ishte shumë i lumtur me ne sezonin e kaluar, por tani ai nuk është lojtar i Juventusit. Do të shohim, të gjithë duan ta forcojnë grupin dhe t’i japin trajnerit disa opsione më shumë për të zgjedhur, por nuk mund t’ju jap përqindje për lojtarë të caktuar”.
Vera e kaluar pa dështimin e bardhezinjve për të arritur një marrëveshje për ta mbajtur Kolo Muanin edhe për sezonin 2025-26, duke zgjedhur përfundimisht Lois Openda, vendim që irritoi PSG-në, e cila e dërgoi Kolo Muanin te Tottenham si i huazuar në ditën e fundit të merkatos.
Tottenhami në anën tjetër janë të gatshëm ta ndërpresin para kohe huazimin e Kolo Muani, por kanë frikë se mos iu lëndohet ndokush nga sulmuesit aktual në pjesën e mbetur të sezonit./Telegrafi