GJKKO e pezulloi nga detyra, Gjykata Kushtetuese merr sot vendimin për Ballukun, SPAK kërkon ta arrestojë për abuzimet me tenderat
Ditën e sotme, në Gjykatën Kushtetuese zhvillohet seancë në lidhje me masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendës kryeministres Belinda Balluku, “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme Anitkorrupsion.
Seanca nis në orën 10:00 dhe mbahet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se me vendimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër.
“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin dhe me vetë jetën politike do krijonte precedent unikal, të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit nëpërmjet procesve penale, do ndodhte diçka që është e panjohur në Europë”, ëhstë shprehur më parë kreu i qeverisë.
Rama e ka justifikuar ankimin në Kushtetuese, si një betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe mbrojtjen e kompetencave kryeministrore.
Gjykata e Posaçme, vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Ndërkohë vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut.
Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.
Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.
The post GJKKO e pezulloi nga detyra, Gjykata Kushtetuese merr sot vendimin për Ballukun, SPAK kërkon ta arrestojë për abuzimet me tenderat appeared first on Albeu.com.


