Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Nëse vjen Neymar, dua të vij edhe unë”, Thiago Silva zbulon si Kylian Mbappe e kërkoi kalimin te PSG-ja



Thiago Silva ka zbuluar prapaskenat e ardhjes së Kylian Mbappe te Paris Saint-Germain, duke folur edhe për mënyrën se si më vonë u përkeqësua marrëdhënia mes tij dhe Neymarit.

Në një intervistë për Ligue1+, ish-kapiteni i klubit parisien kujtoi momentin kur sulmuesi francez shprehu dëshirën për t’iu bashkuar projektit të PSG-së.

“Më kujtohet shumë mirë Superkupa e Francës kundër Monacos së Mbappes, të cilën e fituam 2-1. Në fund të ndeshjes ai erdhi tek unë dhe më tha: ‘Nëse vjen Neymari, dua të vij edhe unë’.

“‘Mund të flasësh me presidentin. Edhe unë dua të jem pjesë e këtij ekipi’. Neymari nënshkroi dhe më pas erdhi edhe Mbappe. Që nga fillimi u krijua një miqësi e jashtëzakonshme”, tregoi Silva, duke theksuar kiminë e hershme mes dy yjeve.

Ai shtoi se më vonë gjërat ndryshuan mes tyre.

“Më pas, disa vite më vonë, ndodhi ajo që ndodhi. Jam pak i zhgënjyer me mënyrën se si përfundoi gjithçka. Duhej të kishte shkuar ndryshe”, përfundoi braziliani.

Neymar dhe Mbappe fituan gjithçka në Francë, megjithatë dështuan ta fitojnë Ligën e Kampionëve me PSG-në. Klubi francez e fitoi trofeun më të madh në botë, vetëm kur të dy u larguan nga klubi./Telegrafi

Alvaro Arbeloa rikthen në vëmendje rastin “Negreira”: Skandali më i madh në historinë e futbollit ende i pazgjidhur



Trajneri Alvaro Arbeloa ka rikthyer vëmendjen në rastin “Negreira”, duke e cilësuar si skandalin më të madh në historinë e futbollit, që çuditërisht nuk është zgjidhur.

Arbeloa tashmë është nën presion te gjiganti madrilen, sidomos që kur dështoi ndaj Benficas, ku “Los Blancos” tani duhet ta eliminojnë skuadrën portugeze në play-off për të avancuar në raundin e 16-të.

“Rasti Negreira? Askush nuk e kupton pse, deri më sot, skandali më i madh në historinë e futbollit spanjoll mbetet i pazgjidhur. Kjo është diçka që i prek të gjithë”.

Më pas ai u ndal te përballja ndaj Valencias, ku tha se pret një sfidë jo të lehtë.

“Ndihemi të dashur nga tifozët e Real Madridit dhe atmosfera është gjithmonë fantastike. Për çdo skuadër, mposhtja e Real Madridit është një nga sfidat më të rëndësishme të vitit. E njëjta gjë do të jetë edhe për Valencian dhe vështirësia do të jetë e jashtëzakonshme”.

“Pushimi i lojtarëve? E konsideroj planifikimin si një proces organizativ për t’i përgatitur sa më mirë lojtarët gjatë javës. Antonio Pintus është shumë i rëndësishëm për ne dhe askush nuk i vë në dyshim këto plane. Që nga momenti kur mora drejtimin e skuadrës deri te ndeshja kundër Rayo Vallecanos, ata kanë pasur vetëm dy ditë pushim”.

Kujtojmë, përballja mes Realit e Valencias do të nis më fillim prej orës 21:00./Telegrafi

Moment i veçantë: Granit Xhaka rikthehet në “Emirates” dhe përqafohet me Mikel Artetan



Kapiteni i Sunderlandit Granit Xhaka është përqafuar me trajnerin Mikel Arteta pas fitores së Arsenalit 3-0 në “Emirates”.

Xhaka shkoi për ta mbështetur Sunderlandin te skuadra londineze, pavarësisht që nuk luante si pasojë e lëndimit.

Arsenali e dominoi bindshëm tërë përballjen për të fituar me rezultat 3-0, si dhe mbajtur pozitën e parë në Ligën Premier.

Megjithatë, ajo që ra në sy pas ndeshjes ishte takimi i ngrohtë mes Xhakës dhe Artetas, të cilët kanë lidhje fantastike që prej kohës kur ylli shqiptar ishte te “Topçinjtë”.

Granit Xhaka and Mikel Arteta were catching up after Arsenal vs. Sunderland 🤗 pic.twitter.com/PiRmDrmReU
— B/R Football (@brfootball) February 7, 2026

Faktikisht, Xhaka qëndroi te Arsenali vetëm shkaku i Artetas, i cili e bindi se do ta ndryshonte situatën me tifozët, gjë që ndodhi – me lojtarin që tashmë shihet si legjendë e klubit londinez.

Përndryshe, Arsenali aktualisht është plot nëntë pikë para Man Cityt, me këta të fundit që i pret një sfidë e vështirë në udhëtim te Liverpooli të dielën./Telegrafi

Ernest Muçi sërish protagonist te Trabzonspor, shënon dhe asiston në fitoren ndaj Samsunspor



Sulmuesi Ernest Muçi ka shkëlqyer sërish te Trabzonspori, ku shënoi dhe asistoi ndaj Samsunsporit.

Ylli shqiptar po kalon formën më të mirë të karrierës që kur iu bashkua Trabzonsporit, ndërsa ishte protagonisti kryesor në fitoren 0-3.

Fillimisht, dhuroi një asistim të bukur për Onuachon, duke e vendosur para portierit me një harkim fantastik, me këtë të fundit që e finalizoi për mrekulli për ta zhbllokuar epërsinë (23’).

Ndërsa, në kohën shtesë shënoi nga pika e bardhë për ta vulosur fitoren prej 0-3 (90+1’).

GOL | Samsunspor 0-3 Trabzonspor ⚽️ 90+1’ Muçi pic.twitter.com/TYCPlMPDp8
— Anlık Goller - Süper Lig (@golsuperlig96) February 7, 2026

Me këtë fitore të madhe, Trabzonspor qëndron në pozitën e tretë në tabelë me 45 pikë, katër më pak se lideri Galatasaray.

Kurse, Muçi në anën tjetër që aktualisht është lojtari më në formë i Shqipërisë ka shënuar nëntë gola në Superligën Turke, si dhe kompletuar dy asistime në proces./Telegrafi

Trepça regjistron fitore të madhe ndaj Borës në “1 Tetori”



Në palestrën “1 Tetori”, Trepça fitoi si mysafir ndaj Borës 88‑71 në kuadër të ProCredit Superligës së Kosovës.

Mitrovicasit u futën në ndeshje me ritëm të lartë, duke e fituar çerekun e parë 20‑15 falë gjuajtjeve të sakta të Jones.

Në çerekun e dytë, mysafirët vazhduan të zgjerojnë epërsinë; Tmusic realizoi tre gjuajtje të njëpasnjëshme për tri pikë, ndërsa Amzil dominoi në kërcime, duke I çuar shifrat në 44‑34 në pushim.

Pas kthimit nga pushimi, Trepça bëri seri prej 13‑0, duke shënuar gjuajtje të sakta nga jashtë harkut përmes Tmusic dhe JaCori Payne-it. Çereku i tretë përfundoi 30‑9, duke sjellë diferencën në mbi 20 pikë.

Bora u mundua të reagojë në çerekun e fundit me gjuajtje të Amin Hot,duke e fituar periodën e katërt 28‑14, por epërsia e krijuar më herët ishte e pakapërcyeshme.

Skuadra mitrovicase kësisoj vazhdon si lider me 16 fitore dhe vetëm tre humbje, kurse Bora renditet e trat me një rekord prej nëntë fitoreve dhe 10 humbjeve./Telegrafi

PSG alarmohet nga interesimi i Real Madridit për Luis Enriquen, synon ta “blindojë” me kontratë afatgjatë



Paris Saint-Germain ka nisur zyrtarisht bisedimet për ta zgjatur kontratën e Luis Enrique, me mundësinë që trajneri spanjoll të qëndrojë në klub deri në vitin 2030.

55-vjeçari, i cili ndodhet në krye të skuadrës prej rreth dy vitesh e gjysmë, është shndërruar në figurën qendrore të projektit sportiv të PSG-së, duke pasur kontroll të plotë mbi vendimet futbollistike.

Klubi parisien synon që marrëveshja e re të finalizohet para përfundimit të sezonit, në mënyrë që Enrique të mos ekspozohet ndaj interesimit nga klube të tjera, si Real Madridi dhe veçanërisht nga Anglia, ku vazhdon të vlerësohet shumë. Burimet bëjnë të ditur se bisedimet po zhvillohen qetësisht dhe sipas planit, me PSG-në që është e bindur se marrëveshja do të arrihet.

Enrique ka shprehur edhe publikisht dëshirën e tij për të qëndruar për një periudhë të gjatë në Paris.

“Shpresoj të qëndroj 10 vite, por realisht është shumë e vështirë të qëndrosh kaq gjatë në një klub të nivelit më të lartë. Këtu është një projekt krejtësisht ndryshe. Ndihem shumë mirë, shumë rehat. Do të ishte fantastike nëse aventura ime këtu zgjat dhjetë vite”, deklaroi ai në janar të vitit 2025.

Nëse zgjatja e kontratës kompletohet, Enrique do të bëhet trajneri i parë i PSG-së që qëndron më shumë se tre sezone në krye të skuadrës. Ai gjithashtu mund të thyejë që këtë sezon rekordin e Laurent Blanc prej 173 ndeshjesh nën këtë pronësi./Telegrafi

“Grand Slami i Parisit flet shqip, Kosova mbi të gjitha”, Driton Kuka reagon pasi Distria Krasniqi u stolis me të artën



Trajneri Driton Kuka e ka uruar xhudisten Distria Krasniqi që e fitoi medaljen e artë në Grand Slam të Parisit.

Në më pak se 10 sekonda, Krasniqi arriti të fitonte në finale ndaj spanjolles për ta siguruar medaljen e artë.

Kjo ishte e nënta herë në aq tentime, që Krasniqi e siguron të artën midis Parisit. Ndër urimet e shumta nuk ka munguar i trajnerit Kuka, i cili e vlerësoi si ndjenjë të veçantë.

“Rrafsh 9 copa të arta. Grand Slam Paris prapë flet shqip. Ndjenjë e veçantë Parisi”.

“Plot 9 herë shijova të artat në zemër të Bercy Arena. Medaljet i fitojmë vetë, s’mundet kërkush me na i ndalë. Kosova mbi të gjitha miq”, shkroi ai.

Ndërkohë, këtë herë asnjë xhudistë tjetër përpos Krasniqit fatkeqësisht nuk ia doli të sigurojë medalje./Telegrafi

Amir Rrahmani rikthehet si protagonist te Napoli, asiston te supergoli i McTominay



Mbrojtësi Amir Rrahmani ka kontribuar te goli i dytë i Napolit ndaj Genoas.

Pasi humbi tre ndeshje si pasojë e lëndimit, ylli i Kosovës ka dhuruar një asistim te goli i mesfushorit Scott McTominay.

Rrahmani pasoi te skocezi, i cili me një goditje të fuqishme nga distanca u sigurua ta përmbysë epërsinë (21’).

🚨🚨| GOAL: SCOTT MCTOMINAY WITH A STUNNER!!!

Genoa 1-2 Napoli

pic.twitter.com/XHSzgnx11B
— CentreGoals. (@centregoals) February 7, 2026

Ndërkohë, Napoli aktualisht po fiton me rezultat të ngushtë 1-2./Telegrafi

Barcelona bindshëm ndaj Mallorcas



Barcelona ka shënuar fitore bindëse në shtëpi ndaj Mallorcas, në kuadër të xhiros së 23-të në La Liga.

Katalunasit triumfuan me rezultat bindës 3-0, sfidë që e dominuan nga fillimi.

Mallorca e nisi më mirë, si dhe kishte një mundësi të mirë shënimi përmes Vedat Muriqit, por ylli i Kosovës ishte i pafat për të dështuar nga afërsia.

Robert Lewandowski e zhbllokoi epërsinë pas asistimit të Dani Olmos (29’).

Ndërsa, ishte Lamine Yamal që realizoi një supergol pas një tjetër asistimi të Olmos (61’).

Kurse, talenti Bernal e vulosi fitoren pas bashkëpunimit me Fermin Lopez (83’).

Barcelona kësisoj vazhdon si lider në kampionatin spanjoll me 58 pikë ndërsa Mallorca zë pozitën e 15-të me 24 sosh./Telegrafi

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë nga Parisi



Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë për t’i mposhtur xhudistet më të mira sërish në kategorinë e saj, kësisoj me plot meritë u stolis më të artën.

Në më pak se 10 sekonda, Krasniqi me Ippon e rrëzoi spanjollen Ariane Toro Soler.

Rrugëtimi i Distria Krasniqit drejt medaljes së artë

Shkaku i renditjes botërore, Krasniqi e kaloi raundin e parë si zakonisht pa lojë. Në raundin e dytë, e “rrahu” francezen Alicia Marques, ku dominoi qysh nga fillimi.

Në çerekfinale, Krasniqi kishte punë me brazilianen Larissa Pimenta, përballje që rezultoi të jetë mjaftë e vështirë. Sidoqoftë, xhudistja jonë fitoi pikë në kohën shtesë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, Krasniqi ishte larg më e mirë se francezja Amandine Buchard, ku mori një pikë të hershme për ta ruajtur rezultatin deri në fund, ose ndryshe siç njihet “Yuko” në xhudo.

Pasi i siguroi medalje Kosovës, Krasniqi u sigurua të jetë e artë duke e mposhtur në finale spanjollen Ariane Toro Soler.

Kësisoj, Distria i gëzohet medaljes së nëntë të Grand Slamit të Parisit.

Ndërkohë, Kosova nuk ka pasur shumë fat me xhudistët e tjerë të cilët u eliminuan. Më së afërmi ishte Fationa Kasapi, e cila humbi në repesazh nga xhudistja e Koresë së Jugut Seyun Jang.

Përpos saj, një vendim i rrallë i ndodhi Laura Fazliut, e cila u diskualifikua së bashku me kundërshtaren Gili Sharir nga Izraeli, shkaku që shfaqën pasivitet.

As Akil Gjakova nuk arriti të lërë gjurmë pasi në raundin e dytë humbi nga italiani Manuel Lombardo. Shkaku i tre dënimeve, xhudisiti kosovar u diskualifikua.

Ndërkohë, e pafat ishte edhe Erza Muminoviq që humbi në raundin e dytë nga spanjollja Eva Soler./Telegrafi

Te Man Utd të “dashuruar” me Michael Carrick, Fernandes: Ka sjellë diçka të veçantë në skuadër



Bruno Fernandes beson se Michael Carrick ka sjellë “diçka të veçantë” te Manchester United pas fitores 2-0 ndaj Tottenhamit të shtunën.

United regjistroi fitoren e katërt radhazi në Ligën Premier nën drejtimin e Carrick, pasi ndeshja në “Old Trafford” mori kthesë të hershme kur Cristian Romero u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Casemiros pas vetëm 29 minutash lojë.

Bryan Mbeumo kaloi vendasit në epërsi para pushimit, duke finalizuar një skemë të zgjuar nga goditja e shkurtër e këndit, ndërsa Fernandes vulosi tri pikët kur devijoi në rrjetë krosimin e Diogo Dalotit në këndin e poshtëm të djathtë.

Djajtë e Kuq tani janë në serinë e tyre më të gjatë të fitoreve në elitë që nga shkurti i vitit 2024, si dhe në një ecuri prej tetë ndeshjesh pa humbje – diçka që nuk e kishin arritur që nga shkurti i vitit 2022.

Fernandes, i cili regjistroi kontributin e tij të 200-të në gola për United në paraqitjen e 314-të në të gjitha garat, nuk i kurseu lavdërimet për Carrick.

“Ky është futbolli. Ai ndryshon nga një ndeshje në tjetrën. Carrick erdhi me idetë e duhura, duke u dhënë lojtarëve përgjegjësi dhe liri në fushë”, deklaroi ai për TNT Sports.

“Është shumë mirë. Isha i sigurt se do të ishte një trajner i madh dhe ai po e tregon këtë. Shpresojmë që mund ta ndihmojmë edhe më shumë”.

“Të gjithë e kuptojnë presionin e të luajturit për këtë klub, të gjithë i dinë pritshmëritë që e rrethojnë. Ai e di çfarë do të thotë për këtë klub të fitojë. Kjo i shton diçka të veçantë ekipit”.

“Kemi pasur momente kur nuk kemi qenë të mirë, por tifozët kanë qenë sërish kështu. Energjia është ndryshe sepse fitojmë, gjithçka duket më e ndritshme”.

Duke folur për BBC, portugezi shtoi se skuadra duhet të mbetet e përqendruar për të mos humbur ritmin pozitiv.

“Është shumë e rëndësishme për ne të ruajmë fokusin dhe të mos e teprojmë tani. Kjo është shumë mirë dhe shumë bukur, por duhet të vazhdojmë.

“Nëse nuk fiton ndeshjen tjetër dhe tjetrën pas saj, rikthehesh në të njëjtin vend ku nuk ndihesh rehat, humb besimin dhe e ke të vështirë të besosh në gjithçka që ke bërë deri tani.

“Deri më tani kemi bërë shumë mirë duke realizuar gjithçka që Michael dhe stafi kanë kërkuar nga ne, dhe kemi qenë shumë të guximshëm duke marrë përgjegjësi në disa momente të lojës për të luajtur dhe për të bërë gjithçka që duhet për të fituar ndeshjen.

“Fokusi kryesor është ndeshja e radhës. Janë katër fitore radhazi. Kjo është e bukur, por tani duhet ta bëjmë pesë”./Telegrafi

Tension te Barcelona: Hansi Flick e konfirmon se Robert Lewandowski nuk është i kënaqur



Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka zbuluar se Robert Lewandowski i ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij lidhur me rolin që ka këtë sezon në skuadër.

Sulmuesi polak, i cili ndodhet në gjashtë muajt e fundit të kontratës me klubin katalanas, ka nisur vetëm tetë ndeshje në La Liga këtë edicion, me Flick që shpesh ka preferuar Ferran Torresin si qendërsulmues, për shkak të fleksibilitetit dhe formës së mirë.

“Kemi folur për situatën e tij, sezoni ende nuk ka përfunduar, ai duhet të qëndrojë i fokusuar dhe ta shijojë atë”.

“E di që dëshiron më shumë minuta, por ai po bën gjërat siç duhet dhe shpresoj ta shijojë situatën aktuale dhe klubin. Tani nuk është momenti për të folur për këtë dhe të gjithë e dimë situatën e klubit, por unë jam i qetë sepse po punojmë mirë”, ka deklaruar Flick.

Aftësia e Lewandowskit për të shënuar gola nuk vihet në dyshim. Edhe pse ka përfunduar shpesh në rolin e rezervistit, veterani ka realizuar 12 gola në 27 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar mesatarisht një gol çdo 117.8 minuta. Nga ana tjetër, Ferran Torres shënon mesatarisht çdo 107.8 minuta.

Shqetësimet kryesore lidhen me aspektin fizik dhe qëndrueshmërinë e Lewandowskit. Edhe pse ai është në formë shumë të mirë për moshën e tij, nuk arrin më të krahasohet plotësisht me lojtarë më të rinj si Ferran. Pikërisht për këtë arsye, Flick ka zgjedhur shpesh alternativa të tjera këtë sezon.

Sipas ESPN, Barcelona është e hapur t’i ofrojë polakut një zgjatje njëvjeçare të kontratës, por vetëm nëse ai pranon uljen e pagës dhe një rol rotacioni, e jo më statusin e titullarit të padiskutueshëm./Telegrafi

Nisin hetimet në Lojërat Olimpike? Pse atletët po injektojnë acid në organin gjenital dhe cilat janë rreziqet shëndetësore?



Në ndjekje të medaljes së artë olimpike, atletët profesionistë shpesh i nënshtrohen sakrificave që për shumicën e njerëzve duken të paimagjinueshme. Por a shkojnë këto përpjekje deri aty sa kërcyesit e skive të injektojnë organin gjenital me acid hialuronik për të fluturuar më larg?

Kjo është pyetja që Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) pritet ta hetojë, pasi akuza tronditëse dolën fillimisht në gazetën gjermane Bild, në një histori që tashmë është pagëzuar si “Penisgate”.

Sipas “Bild”, disa atletë dyshohet se kanë injektuar acid hialuronik në organin gjenital për të manipuluar procesin e matjeve për kostumet e kërcimit, të cilat rregullohen në mënyrë shumë strikte për të parandaluar çdo avantazh aerodinamik të padrejtë.

Ndërsa rezultatet e hetimit ende priten, lindin disa pyetje të tjera: pse një kërcyes skiash do të ndërhynte në këtë mënyrë në trupin e tij, a është e sigurt kjo praktikë dhe çfarë lidhje ka madhësia e organit gjenital me aerodinamikën?

Çfarë bën injektimi i acidit hialuronik në organin gjenital?

Acidi hialuronik është një mbushës i përdorur gjerësisht në kirurgjinë estetike dhe, sipas profesor Eric Chung, kirurg urolog, ai përdoret edhe në procedura për rritjen e perimetrit të organit gjenital.

Injektimi i acidit hialuronik do ta bënte organin gjenital më të madh në trashësi, por për një efekt të dukshëm do të nevojitej një sasi e konsiderueshme e këtij materiali, shpjegon Chung, i cili më parë ka qenë drejtues i grupit këshillues të andrologjisë në Shoqatën Urologjike të Australisë dhe Zelandës së Re.

Efekti i acidit hialuronik është i përkohshëm dhe kërkon ripërsëritje çdo gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj, në varësi të mënyrës se si trupi e përthith ose si migrojnë grimcat, shton ai.

Si ndikon madhësia e organit gjenital në kërcimin me ski?

Para fillimit të sezonit, kërcyesit me ski duhet të matin trupin e tyre për prodhimin e kostumit, bazuar në gjatësinë trupore, përfshirë lartësinë e ijëve. Këto matje kryhen me një skaner 3D të miratuar nga FIS, në prani të një mjeku, me atletët të veshur vetëm me të brendshme dhe me kërkesa shumë specifike për qëndrimin e trupit.

Përmasat e kostumit rregullohen rreptësisht, sepse madhësia totale e tij ka një ndikim të madh në sasinë e ngritjes aerodinamike që mund të gjenerohet, gjë që lejon kërcime më të gjata, shpjegon profesori i asociuar Dan Dwyer nga Universiteti Deakin.

Rritja artificiale e organit gjenital me acid hialuronik mund t’i japë atletit një avantazh gjatë procesit të matjes standarde, pasi dimensionet e trupit të regjistruara do të ishin më të mëdha sesa në kushte normale. Kjo, sipas Dwyer, do t’i lejonte atletit të përdorte një kostum pak më të madh.

“Ky kostum pak më i madh ka një sipërfaqe më të madhe dhe mund të gjenerojë një sasi shtesë të vogël ngritjeje aerodinamike”, shpjegon ai.

Drejtori i garave për meshkuj në Federatën Ndërkombëtare të Skive (FIS), Sandro Pertile, thekson se çdo detaj ka rëndësi.

“Çdo centimetër shtesë në kostum ka vlerë. Nëse kostumi yt ka 5 për qind më shumë sipërfaqe, ti fluturon më larg. Është një sport shumë konkurrues dhe të gjithë janë në limit të rregullave, sepse të gjithë duan të fitojnë.”

Cilat janë rreziqet shëndetësore?

Profesori Chung paralajmëron se injektimi i acidit hialuronik në organin gjenital mbart rreziqe serioze, si afatshkurtra ashtu edhe afatgjata.

Teknika e gabuar e injektimit ose doza e pasaktë mund të shkaktojë dhimbje, probleme estetike dhe deformime, infeksione, inflamacion, ndryshime ndjeshmërie dhe çrregullime të funksionit seksual.

Në raste të rralla, infeksioni mund të përhapet më tej dhe të shkaktojë gangrenë, nekrozë të indeve dhe madje humbjen e organit gjenital./Telegrafi

“Nuk jam sulmues që krahasohem me Lewan, por faleminderit”, Vedat Muriqi i reagon Barcelonës



Sulmuesi Vedat Muriqi e ka falënderuar Barcelonën për krahasimin me Robert Lewandowskin, por është treguar modest duke thënë se nuk është në nivel me polakun.

Barcelona befasoi të gjithë para disa orëve kur publikoi një foto të Lewandowskit, ndërsa në mbishkrim shkroi “Lewy kundër Muriqit”.

Pra, thënë më thjeshtë, një krahasim mes dy qendërsulmuesve që kanë shënuar shumë gola këtë edicion në La Liga.

Tani, ka reaguar edhe Muriqi i cili ka deklaruar se nuk është në nivel të Lewas, por e ka falënderuar klubin katalunas për postimin.

“Janë pak sulmues që mund të garojnë me Lewy... dhe unë nuk jam një prej tyre, por faleminderit”, shkroi ai.

Hay pocos delanteros que compitan con Lewy...Y yo no soy uno de ellos 😅😂 pero gracias 🤝 https://t.co/USOIudL6Si
— Vedat Muriqi (@MuriqiVedat) February 6, 2026

Ndërkohë, edhe Mallorca e ka ripostuar postimin e Lewas duke vendosur një foto të Muriqit në stërvitje.

Kujtojmë, përballja mes Barcelonës dhe Mallorcas do të zhvillohet të shtunën me fillim prej orës 16:15./Telegrafi

Lewy vs Muriqi https://t.co/yY9indHhLc pic.twitter.com/ooDVIBLE4Z
— RCD Mallorca (@RCD_Mallorca) February 6, 2026

Thiago Motta afër rikthimit te Bologna, Juventusi do të përfitojë financiarisht



Zërat e fundit në Itali sugjerojnë se Thiago Motta mund të rikthehet te Bologna, në rast se klubi rossoblu vendos të ndahet nga trajneri aktual, Vincenzo Italiano. Një lëvizje e tillë nuk do të kishte rëndësi vetëm për Bolognën, por edhe për Juventusin, i cili do të përfitonte financiarisht nga largimi përfundimtar i Mottas.

Thiago Motta është pa punë që nga marsi i vitit të kaluar, kur u shkarkua nga posti i trajnerit të Juventusit. 43-vjeçari qëndroi më pak se një vit në krye të “Zonjës së Vjetër”, pasi ishte emëruar si pasues i Massimiliano Allegrit për sezonin 2024/25.

Që prej asaj kohe, Motta është përfolur për disa vende të lira në stol, përfshirë Real Sociedadin, AS Monacon, Bayer Leverkusenin dhe Spartak Moskën. Megjithatë, sipas “Calciomercato.com”, ai nuk është me nxitim për t’u rikthyer në trajnim dhe dëshiron të marrë sa më shumë kohë për të vlerësuar hapin e radhës, në mënyrë që zgjedhja e tij e ardhshme të jetë e duhura.

Ditët e fundit janë shtuar zërat se Motta mund të rikthehet te Bologna, klubi ku kishte lënë gjurmë pozitive, nëse drejtuesit vendosin të ndahen nga Vincenzo Italiano.

Ky i fundit e udhëhoqi Bolognën drejt triumfit historik në Kupën e Italisë sezonin e kaluar, trofeu i parë pas 51 vitesh, duke siguruar edhe kualifikimin në Ligën e Evropës. Megjithatë, këtë sezon skuadra po kalon një periudhë të vështirë, me vetëm një fitore në Serie A që nga fillimi i dhjetorit.

Aktualisht, Bologna renditet në vendin e 10-të në tabelë dhe rrezikon të bjerë në gjysmën e poshtme të renditjes nëse nuk arrin të mposhtë Parmën në fundjavë. Nëse klubi vendos të shkarkojë Italianon, Motta pritet të jetë një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar.

Edhe pse u largua nga Juventusi në mars, Motta nuk e ka ndërprerë ende kontratën me klubin torinez, çka do të thotë se ai vazhdon të përfitojë pagë deri në skadimin e marrëveshjes, në verën e vitit 2027.

Ai përfiton rreth 3 milionë euro neto në sezon nga Juventusi, një shifër që i kushton klubit rreth 5.5 milionë euro bruto në vit.

Në rast se Motta merr drejtimin e Bolognës, kjo pagë do të hiqej menjëherë nga bilanci i Juventusit, duke i kursyer klubit torinez një shpenzim të konsiderueshëm financiar për vitet e mbetura të kontratës./Telegrafi

Lumbardh Dellova shënon supergol për CSKA Sofian



Qendërmbrojtësi i Kosovës Lumbardh Dellova ka shënuar një gol të bukur për CSKA Sofian.

Dellova shënoi gjatë fitores 3-1 kundër Arda, ku realizoi golin e dytë të ndeshjes.

Pas një topi të kthyer nga rivëndja këndore, Dellova goditi fuqishëm në portën kundërshtare, duke mos i dhënë asnjë shans portierit mysafir as për të reaguar.

Për ta për golin: VIDEO

Kujtojmë, Dellova thuhet se e ka refuzuar rinovimin e kontratës kësisoj në verë pritet të bëhet me klub të ri.

Ndërkohë, Sofia mbetet në garë për titull, por është plot 10 pikë prapa liderit Levski./Telegrafi

Mac Allister te Real Madridi? Agjenti thyen heshtjen për të ardhmen e yllit argjentinas



Real Madridi po planifikon të përforcojë mesfushën në verën e ardhshme dhe një nga objektivat kryesorë të “Los Blancos” është Alexis Mac Allister.

Presidenti Florentino Perez e admiron mesfushorin argjentinas dhe dëshiron ta sjellë atë në “Santiago Bernabeu”. Po ashtu, paraqitjet e Mac Allister këtë sezon nuk kanë arritur nivelin e shkëlqyer që tregoi edicionin e kaluar, çka ka shtuar spekulimet se ai mund të largohet nga Liverpooli drejt kryeqytetit spanjoll.

Megjithatë, agjenti dhe njëkohësisht babai i lojtarit, Carlos Mac Allister, ka reaguar ndaj zërave që e lidhin djalin e tij me Real Madridin.

Në një prononcim për “winwin”, Carlos Mac Allister ka theksuar se djali i tij mbetet i përqendruar te Liverpooli dhe sezoni aktual.

“Ajo që mund të them për momentin është se Alexis është i fokusuar te Liverpooli dhe sezoni aktual. Alexis është shumë i lumtur dhe ndihet shumë rehat te Liverpooli”.

Duhet theksuar se Mac Allister nuk është i vetmi mesfushor në listën e madrilenëve, pasi ata po monitorojnë edhe emra si Enzo Fernandez, Vitinha dhe Joao Neves.

Ndërkohë, disa nga objektivat e tjerë të Real Madridit kanë situata kontraktuale të ndërlikuara. Vitinha së fundmi ka rinovuar kontratën me Paris Saint-Germain deri në vitin 2029, ndërsa Enzo Fernandez është i lidhur me Chelsean deri në vitin 2032, duke e bërë çdo lëvizje për ta jashtëzakonisht të shtrenjtë.

Në anën tjetër, kontrata e Mac Allister me Liverpoolin do të hyjë në dy vitet e fundit në fund të këtij sezoni, një detaj që klubi anglez e ka parasysh. Në moshën 27-vjeçare, argjentinasi po hyn në një fazë vendimtare të karrierës së tij, gjë që e bën të ardhmen e tij edhe më interesante për t’u ndjekur./Telegrafi

“Duhet të kemi fokus të veçantë ndaj Vedat Muriqit”, Hansi Flick paralajmëron Barcelonën për yllin kosovar



Trajneri Hansi Flick thotë se Barcelona duhet të ketë kujdes të veçantë për Vedat Muriqin.

Katalunasit do të përballen me Mallorcan në vikend, ndërsa në konferencë për media – tekniku gjerman e ka paralajmëruar klubin se duhet të kenë kujdes të shtuar ndaj yllit të Kosovës.

Flick e përmendi faktin se Muriqi ka shënuar plot 14 gola në La Liga, prandaj mund të jetë i rrezikshëm për portën e tyre.

“Ndonjëherë është më lehtë kur shënon gola, por jam në përgjithësi i kënaqur me stilin e lojës. Duhet të fokusohemi t’i përfundojmë sulmet tona”.

“Ekipi është në nivel të mirë. Mallorca e fitoi ndeshjen e fundit me rezultat 4-1 dhe Muriqi po kalon një sezon fantastik me 14 gola në La Liga. Duhet të kemi kujdes të veçantë ndaj tij”.

Përndryshe, përballja mes Barcelonës dhe Mallorcas zhvillohet të shtunën prej orës 16:15./Telegrafi

Arsenali i gatshëm “ta thyejë bankën” për yllin e Atletico Madridit



Arsenali po shqyrton mundësinë e një goditjeje të madhe në afatin kalimtar të verës për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, me “Topçinjtë” që janë të gatshëm të hyjnë në garë me Chelsean dhe Barcelonën për firmën e tij.

Ish-sulmuesi i Manchester Cityt ka lënë përshtypje shumë të mira në futbollin spanjoll, duke shënuar 40 gola në 88 paraqitje që nga transferimi i tij te Atletico Madridi. Këto paraqitje kanë bërë që klubi madrilen ta vlerësojë argjentinasin rreth 87 milionë funte.

Edhe pse Barcelona besohet se është destinacioni i preferuar i Alvarezit, problemet e vazhdueshme financiare të katalanasve mund t’u hapin rrugë klubeve të Ligës Premier për të tentuar transferimin e tij.

Arsenali e di se rikthimi i reprezentuesit argjentinas në Angli nuk do të jetë i lehtë, por sheh një mundësi reale nëse Atletico Madridi qëndron i palëkundur në çmimin e kërkuar, në një kohë kur interesimi për lojtarin është i madh nga e gjithë Evropa.

Sipas raportimeve, drejtuesit e Arsenalit nuk do ta kishin problem të shpenzonin një shifër të tillë për të siguruar shërbimet e një sulmuesi të nivelit të Julian Alvarez, duke e parë atë si profilin ideal për të forcuar repartin ofensiv në sezonet e ardhshme./Telegrafi

“Merr 400 mijë euro në ditë dhe hynë në grevë”, ish futbollisti ‘shpërthen’ kundër Cristiano Ronaldos



Ish-sulmuesi i Anglisë, Alan Shearer ka kritikuar sjelljen e Cristiano Ronaldos, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme për nivelin dhe statusin e tij.

Më herët, sulmuesi portugez mungoi në ndeshjen e kampionatit ndaj Al-Riyadh, të cilën skuadra e tij e fitoi 1-0. Po ashtu, u raportua se ai nuk mori pjesë as në stërvitje pas kësaj përballjeje.

Para kësaj, u bë e ditur se Ronaldo është i pakënaqur me mënyrën se si Fondi Sovran i Arabisë Saudite (PIF) po e menaxhon klubin e tij, krahasuar me rivalët, veçanërisht Al-Hilal. Gjithashtu, kishte raportime se portugezi ishte kundër transferimit të Karim Benzemas te Al-Hilal, duke e konsideruar atë si “dëm për konkurrencën”.

Për zhvillimet në Ligën Saudite ka reaguar edhe Shearer, i cili kritikoi Ronaldon që paguhet tepër dhe vendosë të hyjë në “grevë”.

“Jo shumë njerëz fitojnë më shumë se 400 mijë euro në ditë dhe vendosin të hyjnë në grevë. Duhet të jetë bukur të thuash se nuk do të shkosh në punë, pavarësisht parave që fiton”.

“Kur e mendon mirë, kjo duket e çuditshme. Ai është një superyll, por një grevë në atë nivel duket keq”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Ronaldo ka refuzuar të luajë edhe ndaj Al Ittihad, kurse nuk dihet për sa kohë do ta vazhdojë këtë qëndrim./Telegrafi

❌