Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Hetim ndaj postave private për evazion fiskal, sekuestrohen 13 milionë lekë

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës, ka urdhëruar hetime ndaj disa subjekteve që ofrojnë shërbime postare, ku janë sekuestruar 13 milionë lekë për shkak të shitjeve pa fatura, në dyshimet për evazion fiskal.

Në një njoftim zyrtar, prokuoria thotë se pas lejimit nga gjykata, me kërkesë të organit procedues, u ushtruan kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet.

Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues.

Sipas prokurorisë, këto prova, tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.

The post Hetim ndaj postave private për evazion fiskal, sekuestrohen 13 milionë lekë appeared first on Gazeta Si.

Dënohet me 24 vite burg Ilir Beqaraj, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjes

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës dënon me 24 vite burg Ilir Beqarajn, i akuzuar si bashkëpunëtor për vrasjen e Gentian Bejtjes në shtëpinë e tij në fshatin Larushk në mars 2024.

Beqaraj, i njohur edhe me mbiemrat Brahimi apo Mançellari, ka pasur rolin e ndhmësit në ngjarje. Në 17 nëntor 2025, Prokuroria kërkoi fajësinë e tij me 23 vite burg për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas hetimeve të prokurorisë, Beqaraj ka ndihmuar ekzekutorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas në 15 mars 2024 në Larushk të Fushë Krujës të largohen nga vendi i ngjarjes në fshatin Hasan, ku edhe kanë djegur makinën. Po ashtu, Beqaraj dyshohet se ka vëzhguar në kohë të ndryshme viktimën në afërsi të banesës së tij.

Bashkëpunëtorët e Beqarajt, kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës dhe qëlluan disa herë me armë zjarri drejt Bejtjes, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij.

Hetimet kanë treguar gjithashtu se Beqaraj ka qenë disa herë pranë banesës së viktimës përpara ngjarjes, sipas të dhënave të GPS-it të automjetit të tij, të marrë me qira.

Ekspertiza e ADN-së ka lidhur Beqarajn së bashku me dy persona të tjerë, me automjetin tip “Volkswagen Golf”, të përdorur për largimin menjëherë pas djegies së “Land Rover”-it.

Në lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjes janë arrestuar më herët Edison Haxhiu, ndërsa Flodian Plaku i njohur edhe me emrat Flodian Serjani dhe Flodian Memo, i cili kishte rolin e qitësit, është ende në kërkim nga policia.

Ilir Beqaraj, i njohur ndryshe dhe si Ilir Brahimi apo Mançellari, mbërriti me makinën “Golf” pa targa vetëm pak sekonda pasi atentatorët kishin ardhur në fshatin Hasan dhe po digjnin automjetin. Pas kësaj, të pestë u nisën në drejtim të Bubqit për t’u arratisur. 

Makina tip “Golf 7” e përdorur nga Ilir Beqaraj, ishte në pronësi të 30-vjeçarit Edison Haxhiu, i cili sipas hetimeve rezulton se ka mbajtur të fshehur për disa ditë automjetin e tij. Ish-polici i Burgjeve, Gentian Bejtja u qëllua në banesën e tij me 15 mars 2024, në Larushk të Fushë Krujës.

42-vjeçari ndodhej brenda në serë bashkë me bashkëshorten dhe njërin prej djemve kur u vra. Dyshimet e para janë që ai i ka parë autorët.

Bejtja ka tentuar të largohet pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme.

Ai i kishte shpëtuar 3 atentateve të ndryshme. Më datë 4 korrik të vitit 2023, atij iu bë një atentat, jashtë ambienteve të banesës.

Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan L. Sino 29 vjeç, dhe u plagosën dy djemtë e Gentjan Bejtjas, A.Bejtja 13 vjeç dhe djali tjetër 10 vjeç.

Më 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.

Gentjan Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në shtator të vitit 2016 kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë.

Për atentatin e ndodhur më datë 4 korrik të vitit 2023 policia dyshoi tek Valter Bami, ish-miku i viktimës për të cilin me gjithë kërkimet u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje.

Ky i fundit, i cili u shoqërua edhe pas vrasjes së Bejtjes, qëndroi në burg për 6 muaj dhe u la i lirë me “arrest shtëpie” më datë 18 janar 2024.

The post Dënohet me 24 vite burg Ilir Beqaraj, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjes appeared first on Gazeta Si.

“Zhduken” mijëra faqe për Epstein/ U zbulua identiteti i viktimave, Departamenti i Drejtësisë i heq nga faqja

Departamenti amerikan i Drejtësëisë ka hequr nga faqja e tij e internetit mijëra dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, pasi viktimat thanë se ishte cenuar identiteti i tyre. Avokatët e viktimave të Epstein thanë se redaktimet me të meta në dosjet e publikuara së fundmi kishin ndikuar jetën e gati 100 të mbijetuarve.

Adresat e email-it dhe fotot nudo në të cilat mund të identifikoheshin emrat dhe fytyrat e viktimave të mundshme u përfshinë faqet e publikuara. Të mbijetuarit lëshuan një deklaratë duke e quajtur rastin skandaloz dhe thanë se ata nuk duhet të emërtohen, shqyrtohen dhe ritraumatizohen.

Departamenti i Drejtësisë tha se i kishte hequr të gjitha dosjet në fjalë dhe se gabimet ishin teknike ose njerëzore. Ndërkohë disa nga të mbijetuarat thanë se departamenti i drejtësisë ka shkaktuar dëm të madh me një ekspozim të tillë, ndërsa janë shprehur të pakënaqura me rezultatet e publikimit.

Nderkohe presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër një gazetare të CNN për pyetjet e saj në lidhje me dosjet Epstein, duke i thënë se se eshte reporterja me e keqe dhe duke kërkuar që vendi “të merrej me diçka tjetër”.

Miliona dosje që lidhen me Epstein janë publikuar nga Departamenti i Drejtësisë që kur një ligj urdhëroi publikimin e tyre vitin e kaluar, duke përfshirë tre milionë faqe, 180,000 imazhe dhe 2,000 video të premten e kaluar.

Në to përmenden emra të njohur si Elon Musk, Bill Gates, apo ish princi Andreë, i cili ka humbur tashmë çdo titull dhe privilegj mbretëror. Së fundmi Andrew është zhvendosur nga prona mbretërore,  shtëpia e tij në Ëindsor në Sandringham Estate në Norfolk.

Buckingham Palace kishte thënë se zhvendosja do të ndodhte në fillim të vitit 2026, por pasojat nga publikimi i fundit i dosjeve të Jeffrey Epstein duket se e kanë përshpejtuar largimin e tij. Në dokumente përmendet edhe ish bashkëshortja e Andrew, Sarah Ferguson, e cila në një shkëmbim emailesh lë të kuptohet se Epstein mund të ketë qenë baba i një fëmije sekret./abcnews.al

Shoqata e Prokurorëve, në krah të gjyqtarëve për paga më të larta

Gazeta Si – Pas video-mesazhit të publikuar nga kryeministri Edi Rama, ku kritikoi kërkesën e dy shoqatave për rritje të pagave të gjyqtarëve, ka reaguar publikisht Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, duke iu bashkuar së njëjtës kërkesë.

“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.“, thuhet në njoftimin e publikuar për mediat.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shprehet se e konsideroi të domosdoshme të mbante një qëndrim zyrtar në lidhje me debatin e ditëve të fundit, duke shtuar se “debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës”.

Duke vënë theksin tek pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë, shoqata e prokurorëve bën thirrje që “gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik”.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë e konsideron Gjykatën Kushtetuese si autoritetin e vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces.

Një ditë më parë Shoqata e Gjyqtarëve i konsideroi reagimet e përsëritura të kryeministrit kundër betejës së gjyqtarëve në Kushtetuese për çështjen e pagave të tyre, si një “fushatë spekulimesh”.

Sipas Shoqatës, që nga viti 2016 kur u hartua projektligji për statusin e magjistratëve dhe deri në vitin 2023 kur u miratuan ndryshimet që rregullojnë sot pagën e gjyqtarëve, qeveria dhe shumica në pushtet ka vepruar në “keqbesim dhe mungesë sinqeriteti” dhe se ndërhyrjet kanë qenë antikushtetuese.

The post Shoqata e Prokurorëve, në krah të gjyqtarëve për paga më të larta appeared first on Gazeta Si.

Rama çdo ditë çon një sinjal për Kushtetuesen

Nga Boldnews.al Me syzet skeletkuqe, që vetë ai a ndonjë tjetër ia ka shtënë në mendjen e mbushur plot se i shkojnë dhe ngjan si “akademik politik”, kryeministri Edi Rama nisi një monolog të përhershëm. U ndal në kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve që në referencë të ligjeve dhe VKM-së kërkojnë rritje page. “Jemi në […]

The post Rama çdo ditë çon një sinjal për Kushtetuesen appeared first on BoldNews.al.

‘I vrasim të dy’ / Henrik Hoxhaj zbardh skemat e vrasjeve me pagesë në Durrës

Gazeta Si – Henrik Hoxhaj, ish-bashkëpunëtori i drejtësisë, të cilit iu hoq statusi nga SPAK, ka rrëfyer me detaje dy atentate që ndodhën në Durrës në vitin 2020 brenda një kohe të shkurtër, duke lënë pas 4 viktima.  

Në seancën e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, ai fillimisht zbërtheu vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në 2 mars 2020 në zonën e Nishtullës në Durrës gjatë kohës të pandemisë.

Ai sqaroi se këtë “punë” ia kishte propozuar i penduari tjetër i drejtësisë Nuredin Dumani dhe tregoi se çfarë ndodhi atë ditë.

Më pas zbërtheu skemën e atentatit në vrasjen e vëllezërve Haxhia në autostradë, ku objektivi kryesor ishte Besmiri, por për fat të keq atë ditë në makinë me të ndodhej edhe Viktori.

Sipas Hoxhajt, ky krim u organizua nga Nuredin Dumani, i cili përmes këaj vrasjeje, synonte të eliminonte edhe Altin Ndocin (i arratisuri nga Spitalit i Durrësit), kur ky i fundit do t’i shkonte në varrim.

Njohja me Dumanin

Rrëfimi i Hoxhajt nis me si u njoh me Dumanin në vitin 2020: “Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat. Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefona të kriptuar. Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po”.

Pas këtij propozimi për “punë”, Hoxhaj hyn më në detaje. Ai tregon se porosia ishte për dy vrasje nga Erjon Alibej, i cili në këtë rrëfim përmendet me pseudonimin “Krymi”.

Ata do merrnin 70 mijë euro. Hoxhaj tregon se ishte periudhë e pandemisë dhe ndonëse kishin dalë pa leje, kishin zbatuar të gjitha rregullat e qarkullimit për të mos rënë në sy.

“Nuredimi më tha për dy vrasje që do bëheshin në Durrës. Në fillim qe si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë. Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer qe Elio Bitri, elbasanlli. Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi”.

Armët e bllokuara

Ai shtoi se ditën e ngjarjes ka shkuar në Durrës, ku u takua tek shtëpia e Nuredinit. “Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio Bitri në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro tek servisi. Kur kaluam njëherë nuk ishte prezent. Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona i shoqëruar. Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë mu bllokua, përdora tjetrën”, tregon Hoxhaj.

Më pas ai tregon dhe një ndërveprim që pati me Shkozën, për t’u siguruar që ishte vërtet ai, para se ta vriste.

Pas ngjarjes, Hoxhaj thekson se paratë për kryerjen e kësaj “pune”, një shumë prej 70 mijë eurosh, i ndau me bashkëpunëtorin. Pas krimit, Hoxhaj ka jetuar i qetë në Tiranë, pa u fshehur.

“Ti je Doriani!”

Hoxhaj tregoi në gjykatë se në momentin që kishte hapur zjarr ndaj Shkozës e kishte pyetur këtë të fundit nëse quhej Dorian dhe ai e kishte mohuar. Por pasi ishte siguruar duke pyetur Bitrin, atëherë e kishte qëlluar sërish duke e lënë të vdekur.

“Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo. Pyeta Elio Bitrin, a ky është. Po më tha ai. Edhe e godita. Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli. Pas vrasjes hipa në makinë. Në ikje e sipër, i thashë, mua më lër tek Plepat, ku kisha lënë një makinë. Unë hipa tek ajo me duar në xhepa. Ndërsa makina tjetër iku u dogj tek Bishti i Zhurit. Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha, o kusho, doli shumë mirë. Pagesën e mora për ngjarjen. Por ajo 70-shja u nda mes meje e Elios. 35 mora. Nuk e di sa i dha Elios. Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk fshihesha. Lekët Nuredini më tha se i merrte nga Krymi”, tha Hoxhaj.

Vëllezërit Haxhia

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se një km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm.

Duke rrëfyer skemën e vrasjes në Shënavlash, Hoxhaj pranoi gjatë seancës se kishte folur me Nuredin Dumanin për Altin Ndocin.

Sipas tij, arsyeja ishte se Nuredini thoshte që Ndoci dhe Talo Çela donin t’ia ngjisnin atij ngjarjet e tyre.

“Ishte kohë pandemie, Tirana ishte bosh. Ndoci e kishte shtëpinë në ‘Misto Mame’, por aty binte shumë në sy dhe nuk e gjeje dot. Atëherë u vendos të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që Ndoci të vinte në varrim dhe më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën. Objektivi ishte Besmir Haxhia. Do ishte edhe Nuredini. Më duket se më ka sjellë edhe një foto. Unë isha bashkë me Nuredinin. Shofer ishte Klevis Alla. Për këtë ngjarje kam qëndruar dy ditë në shtëpinë e Nuredinit”, – dëshmon Hoxhaj.

Vendimi i Nuredin Dumanit!

I dyshuari shpjegon se për ngjarjen u përdorën tre kallashnikovë dhe një armë brezi. “Ekzekutorë do ishim unë dhe Nuredini. Ai donte ta bënim te një lokal bastesh, ta thërriste aty. Unë nuk pranova, sepse kishte shumë njerëz dhe mund të vriteshin persona të pafajshëm. Më pas u nisëm me një ‘Toyota’ me portobagazh. Unë mbaja kallashnikovin në dorë dhe kisha edhe një armë të shkurtër pranë. Veshjet i kishim uniforma OFL. Kishim edhe maska silikoni, por unë nuk e vura”.

Sipas Hoxhajt, njëri nga vëllezërit është vrarë aksidentalisht, pasi Nuredin Dumani vendosi që të eliminoheshin të dy.

“Në Shënavlash, kur kaloi makina e tij, shoferi ynë pa që ishte me vëllanë. Ia tha Nuredinit dhe ai u përgjigj: ‘Mirë, i vrasim të dy’. I ndoqëm për pak, por ata ecnin shpejt. Më pas u bllokuan në trafik. U dolëm nga një rrugë anësore dhe hapëm zjarr. Qëllova edhe unë edhe Nuredini, – vazhdon Henrik Hoxhaj. – Nuredini zbriti nga makina. I thashë pse po zbriste kot, se i kishim neutralizuar. Ai qëlloi, por arma iu bllokua, pastaj iu bllokua edhe tjetra. Atëherë mora unë armën, zbrita dhe godita disa herë. Unë godita shoferin”.

Për këtë ngjarje, Hoxhaj zhulon, “mora edhe 35 mijë euro. Unë nuk kam pasur komunikim me Krymin (Erion Alibej). Kur mora vesh se ishte arrestuar Klevis Alla, i thashë Nuredinit: ‘Çfarë bën, na more në qafë’. Ai më tha: ‘Mos u shqetëso’. Kur u kap ai, ka thënë se pas ngjarjes qëndronin Altin Ndoci dhe Talo Çela. Unë u habita dhe thashë: ‘Çfarë thotë ky?'”.

The post ‘I vrasim të dy’ / Henrik Hoxhaj zbardh skemat e vrasjeve me pagesë në Durrës appeared first on Gazeta Si.

Porositi një vrasje për gjakmarrje, dënohet me 25 vite burg 34-vjeçari

Gazeta Si – Gjykata e Fierit ka dënuar Laert Hasallën me 25 vite burg nën akuzën e porositjes së vrasjes së mbetur në tentativë të kushëririt të tij, Marius Hasalla.

Ngjarja ndodhur në mars të vitit 2023 kur ndaj të riut u organizua një atentat, i cili fatmirësisht nuk u finalizua, por shkaktoi plagosjen e hallës së tij Bajame Sejena e cila ndodhej në një automjet me të.

Si ekzekutor ishte porositur Mariglen Matjani, ndërsa urdhri ishte dhënë nga Laert Hasalla. Ky i fundit donte vdekjen e Marius Hasallës, sepse në vitin 2021, i ati i Mariusit, kishte vrarë Romeo Hasallën, vëllanë e Laert Hasallës.

Gjithçka ka nisur për një konflikt toke prej 2 hektarësh që është kthyer mollë sherri mes dy familjeve Hasalla.

Përplasjet mes tyre kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tyre, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin, Romeo Hasalla dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën.

Për ngjarjen u arrestua edhe Afrim Hasalla, por më pas u la i lirë, pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici duke pranuar krimin. Ai është dënuar me 35 vite burg.

The post Porositi një vrasje për gjakmarrje, dënohet me 25 vite burg 34-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Debate në seancën paraprake të dosjes ‘Veliaj’, vendimi më 9 shkurt

Gazeta Si – Më 9 shkurt në orën 12:00, GJKKO do të vendosë nëse dosja në ngarkim të Erion Veliajt do të kalojë ose jo për gjykim.

Seanca e kësaj të hëne u zhvillua mes debateve të forta mes trupës gjykuese dhe kryebashkiakut, i cili braktisi sallën me pretendimin se argumentet e tij nuk u dëgjuan.

Avokatja e caktuar ng shteti, Valentina Teodoresku ka kërkuar shtyrje të seancës, pasi nuk ka arritur që të konsultojë me Veliajn të gjitha aktet hetimore.

Këtë kërkesë avokatja e argumentoi duke thënë se taksia e priti vetëm 1 orë në qendrën e paraburgimit në Durrës dhe nuk pati më shumë kohë në dispozicion.

Kërkesa nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja e çështjes, Etleva Deda, ndërsa Veliaj ka kërkuar përjashtimin e saj pasi i mohoi të drejtën të mbrohej efektivisht. Pas largimit të Veliajt seanca vijoji deri sa palët përfunduan dhënien e konkluzioneve.

Seanca e radhës është caktuar më datë 9 shkurt në orën 12:00 ku pritet të jepet vendimi për çështjen e Veliajt, nëse do të kalojë ose jo për gjykim.

Sakaq, do të vendoset nëse kërkesa e Veliaj për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda do të pranohet ose jo. Në rast se pranohet, kërkesa do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtare.

Ndërkohë një ditë më parë, GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e dy prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado se masa duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.

Çështja e masës së sigurisë ndaj Veliajt është duke u shqyrtuar ndërkohë edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila më 3 nëntor vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrë, pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.

Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

The post Debate në seancën paraprake të dosjes ‘Veliaj’, vendimi më 9 shkurt appeared first on Gazeta Si.

GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryetarit të Bashkisë Tropojë dhe zëvendësit të tij

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme vendosi kalimin në gjyq themeli të dosjes në ngarkim të kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij, nënkryetarit Abedin Kërnaja, të akuzuar për shpërdorim detyre për prerjen e paligjshme të pyjeve.

Sipas prokurorisë, drejtuesi i bashkisë gjatë procesit për hapjen e rrugës me gjatës 3.2 kilometra, e cila në pjesën dërrmuese kalonte nëpër rrugën këmbësore ekzistuese, duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës.

Prokuroria thotë së “Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës, për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit”.

Nga këto veprime dhe mosveprime, sipas SPAK është shkaktuar një dëm prej mbi 277 milionë lekë.

Byberi e Kërrnaja prej gushtit të vitit të kaluar u liruan edhe nga masa e “arrestit shtëpiak”, duke u lënë në “detyrim paraqitje”.

The post GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryetarit të Bashkisë Tropojë dhe zëvendësit të tij appeared first on Gazeta Si.

Akuzat ndaj Irena Gjokës, Berisha: Hynte dhe dilte në zyrën mafioze të Ergys Agasit

Gazeta Si – Nga SPAK, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Sali Berisha, vazhdoi akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka dhe komentoi vendimin e KLGJ, që nuk pranoi të shqyrtonte çështjen e gjyqtares së posaçme, e cila rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh.

Berisha, teksa i lexoi me emra anëtarët e KLGJ që votuan të mos pranojnë kërkesën për nisjen e procedurave, i konsideroi ata më kriminelë sesa Irena Gjoka.

“KLGJ me votat e Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koça, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreut të tij Ilir Rusi me 6 vota vendosën mos pranimin e nisjes së procedurave për verifikimin dhe shpalljen e papajtueshmërisë së mandatit me famozen Irena Gjoka. Këta janë me kriminelë se vetë Irena, këta janë turpi i zyrtarit. Janë skllevër të këtij regjimi dhe të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Po ashtu ai denoncoi se Irena Gjoka është e përfshirë në dosjen e Ergys Agasit, ku sipas tij, ajo ka hyrë e ka dalë në zyrën e tij.

“Sa për dijeni Irena me 5 mbiemra është një shoqe në shpirt me Lindën e Surrelit, përveç se këshilltare e Ergys Agasit. Besoj i keni parë videot në dosjet e Ergys Agasit, sesi serbezja hyn dhe del në zyrën mafioze të Agasit”, deklaroi ndër të tjera Berisha.

Sipas Berishës, Irena Gjoka me 5 mbiemra, është, “njeriu që amnistoi krimin zgjedhor, si mercenar i Partisë Shtet, i rikujtoj se drejtësia vonon por nuk harron. Kush e do këtë ta ketë në arkivën e vet të denoncimit të një delikuenti, të narkoshtetit shqiptar. Tani e kuptoni vetë ju që këtu, nuk mund të ketë çështje tjetër përveç faktit, vendimit të të famshmit KLGJ, por para se të ndalem në këtë vendim, e kuptoj se ju prisni t’ju rrëfej se çfarë pashë brenda unë gjatë këtij kalimi të shkurtër”.

The post Akuzat ndaj Irena Gjokës, Berisha: Hynte dhe dilte në zyrën mafioze të Ergys Agasit appeared first on Gazeta Si.

Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën, ish-presidenti: Drejtësi me regji!

Gazeta Si – Apeli i GJKKO rrëzoi sot kërkesën e Ilir Metës, për zbutjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’. Në burg prej tetorit 2024, Meta kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë me një tjetër masë më të butë sigurie, por kjo kërkesë u rrëzua.

Pas vendimit, ish-presidenti reagoi në rrjetet ociale, duke u shprehur se “po manipulohet gjykata për zgjatjen e paraburgimit të tim”

“Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.

U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë tërësisht të paligjshme paraburgimin tim. Për më shumë komunikojmë nesër”, shkroi Meta nga qelia.

Ish-presidenti i Shqipërisë po hetohet për 3 çështje aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

The post Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën, ish-presidenti: Drejtësi me regji! appeared first on Gazeta Si.

Lamallari në mbrotje të Ballukut: Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, doli sot në një konferencë për shtyp për të komentuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në vend që të mbështeste transparencën dhe pavarësinë e drejtësisë, Lamallari u përqendrua në interpretimin e imunitetit kushtetues, duke theksuar se “ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve”. Në një kohë kur opinioni […]

The post Lamallari në mbrotje të Ballukut: Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve appeared first on BoldNews.al.

“Drejtësinë transparente, dhe llogaridhënëse para qytetarëve”, Lamallari: Të flasim me standarde

Lamallari: Vijon puna për reformën në drejtësi, me gjithë punën e mirë në këto vite. Për herë të parë në Shqipëri kur nuk mendohej se do kishim shembjen e pandëshkueshmërisë, kjo është bërë e mundur falë PS e bashkëpunimit ndërkombëtar. Me rëndësi të theksojmë drejtësinë transparente, dhe llogaridhënëse para qytetarëve. Bashkëpunim efektiv me pushtete të ndryshme që përkthehet në më shumë liri e të drejta për qytetarët që do të jenë të zbatueshme në përditshmëri.

Me rëndësi procesi për ndryshimin e politikës penale, është e rëndësishme të udhëhiqemi në frymë e përmbajtje nga standardet ndërkombëtare. Faza e parë e luftës kundër krimit dhe korrupsionit është shënuar me sukses, por jemi në një fazë të re, atë të standardeve.

Mos mjaftohemi vetëm nga lajmi i ditës. Ai që duhet lajm për dikë për dikë tjetër është cënim i një procesi ligjor, drejtësia duhet të flasë me standarde. Duhet të jemi koshient që 2027 mos përkojë vetëm me mbylljen e negociatave teknike, por të dëshmojmë se jemi dinjitoz në tryezën e Brukselit. Nuk duhet të presim të jemi vetëm subjekt i padrejtësisë. Kjo ka të bëjë me forcimin e shtetit të së drejtës, dhe me integritetin e institucioneve, një shërbim që u ofrohet qytetarëve.

Dënimi në Greqi i gjyqtares Irena Gjoka, KLGJ ia kalon çështjen ILD-së

Gazeta Si – KLGJ vendosi që me shumicë votash të mos pranojë nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme se nuk kishte deklaruar në formular një dënim në vitin 2005 në Greqi për falsifikim vize.

Shumica e anëtarëve u shprehën se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për hetim të mëtejshëm.

Prokuroria ka kryer hetime të thelluara mbi vendimin penal të Gjokës në Greqi dhe konstatoi se dokumenti i dënimit është i saktë dhe i vlefshëm për t’u shqyrtuar në kuadër të procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares.

Para pak ditësh, organi i akuzës ia konfirmoi KLGJ-së këtë fakt dhe i kërkoi institucionit që të shqyrtojë çështjen.

Shqyrtimi i sotëm i KLGJ ishte planifikuar për të analizuar dokumentacionin dhe për të vlerësuar nëse gjyqtarja plotëson kriteret ligjore për të vijuar detyrën në sistemin gjyqësor shqiptar.

Megjithatë, me shumicë votash, anëtarët e KLGJ vendosën që shqyrtimi i mëtejshëm të bëhet nga ILD, duke argumentuar se diskutimi mbi papërshtatshmërinë e gjyqtares lind, pasi ajo ka marrë tashmë statusin e magjistrates.

Sipas vendimit, ILD do të kryejë hetimin fillestar, dhe më pas do të vlerësohet nëse çështja duhet të kthehet tek KLGJ për të marrë në konsideratë ndërprerjen e statusit të gjyqtares.

Një javë më parë, Gjoka, në një letër dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor parashtronte argumentet kundër verifikimit të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas së cilës, vendimi i gjykatës greke në vitin 2005 për të është autentik. Ajo insiston se nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.

Rrëfimin e saj për këtë përplasje, Gjoka e nis që nga viti 2002, ku asaj i është refuzuar hyrja në territorin grek për dy herë radhazi, për ta kaluar më pas në procesin gjyqësor në Janinë në vitin 2005.

“Nuk jam njoftuar asnjëherë për procesin hetimor të zhvilluar ndaj meje. Nuk më është njoftuar akuza, nuk jam marrë kurrë në pyetje as në prokurori, as në polici, nuk jam njohur me përfundimin e hetimit apo me kërkesën për gjykim dhe me asnjë akt apo vendim tjetër të kryer gjatë procesit hetimor ndaj meje”, lexohet në letrën e Gjokës.

Verifikimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka që ka mbajtur edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku nisën më 8 maj 2024, me kërkesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas denoncimeve publike të ish-kryeministrit Sali Berisha.

The post Dënimi në Greqi i gjyqtares Irena Gjoka, KLGJ ia kalon çështjen ILD-së appeared first on Gazeta Si.

Seanca ‘maratonë’ në GJKKO, Ilir Meta përplaset me prokurorin e SPAK

Gazeta Si – Pas rreth 8 orësh debate dhe tension, ka përfunduar rreth orës 18:00 të mbrëmjes së kësaj të enjteje seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta dhe të tjerët, ku SPAK nuk ka arritur të lexojë të gjithë parashtrimet e kërkesës për kalimin e dosjes në gjykim.

Gjatë seancës, SPAK ka arritur të lexojë rreth 130 faqe nga materiali i prezantuar, ndërsa mbeten edhe rreth 100 faqe të tjera që do të shqyrtohen në seancën e ardhshme.

Procesi i gjatë po zhvillohet në prani të avokatëve të mbrojtjes dhe të pandehurve, si pjesë e hetimeve për çështjet që lidhen me aktivitetin e ish-presidentit.

Më herët, avokati mbrojtës i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, për mediat ka bërë me dije për një përplasje mes Metës dhe prokurorit të Posaçëm Sotir Kllapi, me pretendimin se ky i fundit nuk ka qenë i saktë në ato që ka relatuar.

Cakrani tha se do të kërkohet pushimi i dy çështjeve, ajo e lobimit dhe CEZ-DIA, ndërsa akuzat për deklarim të rremë të pasurisë apo mosdeklarimi, i ka marrë përsipër Monika Kryemadhi.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Për Monika Kryemadhin është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

The post Seanca ‘maratonë’ në GJKKO, Ilir Meta përplaset me prokurorin e SPAK appeared first on Gazeta Si.

‘Të dënojnë për 1 dozë hashashi, por…/ Teliti: Drejtësia e re amniston vjedhjet me miliona euro të tenderave

Kreu i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashki, Dorian Teliti, ka folur ndaj vendimeve të fundit të drejtësisë, duke i cilësuar ato si një goditje të rëndë për besimin publik dhe një ditë të trishtë për drejtësinë e re. I ftuar në emisionin “Task-Forcë” në Syri TV, Teliti denoncoi faktin se zyrtarë të kapur në […]

The post ‘Të dënojnë për 1 dozë hashashi, por…/ Teliti: Drejtësia e re amniston vjedhjet me miliona euro të tenderave appeared first on BoldNews.al.

Balluku kundërshton në Gjykatën e Lartë bllokimin e pasaportës nga GJKKO

Gazeta Si – Zv.kryeministrja, Belinda Balluku, ka kundërshtuar masën e “ndalimit të daljes nga shteti” në Gjykatën e Lartë, duke ankimuar vendimin e Apelit të GJKKO-së, që la në fuqi këtë masë.

Po ashtu bëhet e ditur se për masën e “pezullimit nga detyra”, zv.kryeministrja duket se nuk ka ngritur pretendime, për shkak se Apeli nuk vendosi për këtë masë, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Këto dy masa ishin vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të hetimeve ndaj Ballukut lidhur me tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe.

Por pas padisë së Kryeministrit Edi Rama, Gjykata Kushtetuese e riktheu zëvendëskryeministren në detyrë. Më 16 dhjetor, SPAK, kërkoi leje nga Kuvendi për ta arrestuar Ballukun, me elementë të rinj hetimor ndaj saj, duke vënë në dijeni deputetët se është në hetim për 7 lote të Unazës së Tiranës dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.

Kërkesa e SPAK për arrestimin e numrit 2 të qeverisë ka mbetur ende pezull në sirtarët e Kuvendit. Ditën e mërkurë, 28 janar, në orën 12:00 ishte parashikuar që të mblidhej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK, por Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes pa afat.

Kjo lëvizje vjen ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim për rastin Balluku, pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë. Kushtetuesja është shprehur se i duhet më shumë kohë për të marrë një vendim.

Sipas qeverisë, kjo masë ka shkaktuar mosmarrëveshje të kompentencave mes ekzekutivit dhe prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme dhe kërkon zgjidhjen nga Gjykata Kushtetuese.

The post Balluku kundërshton në Gjykatën e Lartë bllokimin e pasaportës nga GJKKO appeared first on Gazeta Si.

Lamallari me ekspertët e KiE: Paraburgimi në Shqipëri, në nivelet më të larta në Europë

Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari vazhdon ta shikojë si të tepruar ashpërsinë penale në Shqipëri, duke i cilësuar nivelet e paraburgimit si më të lartat në Europë.

Në konferencën me temë “E drejta për liri dhe siguri personale-nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, Lamallari u shpreh se gjysma e të personave që ndodhen në paraburgim, nuk kanë vendim të formës së prerë.

Sips tij, kjo situatë përbën një problem serioz të të drejtave të njeriut dhe të prezumimit të pafajësisë. Lamallari përmendi se rreth 58% e personave janë ende të paraburgosur, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në Shqipëri arrin në 253 ditë, shumë më e lartë se mesatarja evropiane.

“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur”, tha ministri Lamallari.

Sipas ministrit, vendi duhet të ndahet nga politika e ashpër e trashëguar nga sistemi i shkuar dhe pështatet me legjislacionin që përkon me standardet e Bashkimit Evropian.

The post Lamallari me ekspertët e KiE: Paraburgimi në Shqipëri, në nivelet më të larta në Europë appeared first on Gazeta Si.

Trafik droge e grup kriminal, Moisi Habilaj (në arrati) dhe Nezar Seiti dënohen me 18 vite burg

Gazeta Si – Edhe pse vijon të jetë në arrati, Moisi Habilaj është dënuar në mungesë me 10 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për dy akuza për trafik droge nga Shqipëria në Itali dhe një akuzë për grup të strukturuar kriminal.

Për dy akuzat e para u dënua me nga 12 vite burg, ndërsa për të tretën me 4 vite. Në total, Habilaj u dënua me 15 vite burg, por në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 10 vite.

Gjykata vendosi që ai ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë në momentin që do të arrestohet, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Fajtor u shpall edhe Nezar Seiti, i cili u dënua me 12 vjet burgim, por për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 8 vite burg.

Gjykata gjithashtu shpalli të pafajshëm dy të pandehur të tjerë në këtë çështje, Fatmir Minaj dhe Maridian Sulajn.

Habilaj u arrestua në vitin 2017 nga policia italiane së bashku me 11 persona të tjerë, të cilët kryenin transportin e drogës nga Shqipëria në Siçili.

Moisi Habilaj, është në arrati, ndërsa është i dënuar edhe në Itali me 15 vite e 5 muaj burg, vendim i lënë në fuqi edhe nga Apeli atje, por ky vendim nuk u ekzekutua, pasi ai u arratis nga banesa ku qëndronte në Katania me masë sigurie nga banesa e një familjari të tij.

Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj akuzohet se ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane të akuzuar për trafikimin e 4 tonë kanabis në vite, me një vlerë rreth 300 milionë euro.

Bisedat e përgjuara dhe të bëra publike nga Prokuroria e Katanias, treguan se trafikantët e drogës kalonin kanabis dhe armë në anën tjetër të kufirit.

Bashkë me ta u dënuan edhe disa zyrtarë të lartë të policisë, të cilët gjykata i cilësoi si bashkëpunëtorë dhe pjesë të grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë hetimeve dhe përgjimeve, u evidentua edhe emri i Saimir Tahirit, por ish-ministri i Brendshëm u dënua vetëm për shpërdorim detyre.

The post Trafik droge e grup kriminal, Moisi Habilaj (në arrati) dhe Nezar Seiti dënohen me 18 vite burg appeared first on Gazeta Si.

Në burg që në tetor 2024, Meta ankimon masën e sigurisë në Apelin e GJKKO

Gazeta Si – Ish-presidenti Ilir Meta në burg prej tetorit 2024, ka depozituar një ankimim në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër vendimit të 5 janarit, që caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ankimi është regjistruar në Apelin e Posaçëm më 26 janar, ndërsa Meta kërkon që vendimi i Shkallës së Parë të rishikohet dhe të lejohet lirimi i tij, me ose pa masa alternative.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme, i marrë më 5 janar, e detyroi kreun e Partisë së Lirisë të qëndronte në “arrest me burg”, në kuadër të hetimeve për akuza për korrupsion.

Meta dhe avokatët e tij argumentojnë se masa e sigurisë ishte e tepruar dhe se ai nuk paraqet rrezik as për arratisje e as për pengim të hetimeve.

Avokatët e Metës kanë deklaruar se ankimi në Apel do të shqyrtojë në detaje arsyetimin e vendimit të shkallës së parë, duke përfshirë procedurat e ndjekura nga gjykata dhe bazën ligjore të masës së sigurisë.

Meta po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë, përfshirë përfitime të dyshuara nga kontrata publike dhe lobime jashtë vendit.

Ndërkohë, ish‑bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi po hetohet gjithashtu nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ajo është lënë me masë sigurie “detyrim paraqitjeje”.

The post Në burg që në tetor 2024, Meta ankimon masën e sigurisë në Apelin e GJKKO appeared first on Gazeta Si.

❌