Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Detyrim paraqitje” për 19 të arrestuarit për dhunë në protestën e opozitës

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Gjykata e Tiranës caktoi masën “detyrim paraqitje” për 19 protestues të arrestuar gjatë tubimit të opozitës mbrëmjen e 24 janarit, raportojnë mediet.

Ata dyshohet se hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të Kryeministrisë dhe më pas qëlluan me gurë dhe sende të forta drejt Kuvendit, ku për pasojë mbetën të plagosur 11 efektivë.

Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar masën e arrestit në burg për 5 persona, arrest shtëpie për 5 të tjerë dhe detyrim paraqitje për 9 protestues.

Të pranishëm jashtë ambienteve të gjykatës, ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilin ishin në mbështetje të protestuesve.

Deputeti Klevis Balliu i quajti akuzat shpifje, ndërsa deklaroi se, policia do të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.

“Arrestimi i patolerueshëm, kriminal, terrorist, i një 10 vjeçari i cili u mor zvarrë nga 5 narkopolicë të Ilir Prodës, që është një turp për Policinë e Shtetit dhe gjithë shtetin, faktoi përfundimisht se këta të kapur nga frika që i ka pllakosur, nuk dinë më çfarë bëjnë aq sa shoqëruan dhe arrestuan edhe një njeri të vetin, që ishte pjesë e strukturave të PS-së. Sepse këta nën frikën e sovranit nuk shikojnë më nga sytë. I garantoj se për dhunën dhe gazin e hedhur në rrugët e Tiranës, ata do të mbajnë përgjegjësi direkte”, deklaroi Balliu.

Avokatja Eda Grimçi tha se nuk kishte asnjë provë specifike që faktonte veprimet penale për asnjërin prej tyre.

“Pasi u njohëm me dosjet, pamë që nuk kishte asnjë provë ndaj tyre. Bëhej fjalë për prova të marra nga pamje filmike, që nuk kishin lidhje me të arrestuarit. Por edhe kjo ishte vetëm për 5 raste, për 14 raste të tjera nuk kishte as pamje filmike, as foto, por kishte vetëm një raport shërbimi ku në një rast firmosin 4 oficerë policie dhe në një rast 7 vetë dhe këto konsideroheshin si provë. Por këto nuk mund të konsiderohen të tilla, pasi në një vendim të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut kundër Shqipërisë, ka saktësuar se masat nuk duhet të tejkalojë faktin dhe në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e ligjshme, dhe nuk mund të kërkohet ‘arrest me burg’ kur nuk ka asnjë provë që fakton veprimin konkret. Bëhej fjalë për dyshime’, theksoi ajo.

/m.q/

The post “Detyrim paraqitje” për 19 të arrestuarit për dhunë në protestën e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Policia u sulmua me molotov gjatë protestës së opozitës, veproi sipas ligjit

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu tha sot se Policia e Shtetit veproi në përputhje me ligjin gjatë protestës së organizuar nga opozita më 24 janar.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për dhunë ndaj protestuesve, nga foltorja e Kuvendit, Koçiu nënvizoi se Policia e Shteti kreu detyrën e saj më së miri dhe me përpikëri dhe se nuk ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

“Ajo që ndodhi ishte se policia u përball me dhunën gjatë tubimit politik të thirrur nga opozita. Punonjësit e policisë së shtetit u sulmuan me molotov, me lëndë piroteknike dhe sende të forta në zemër të kryeqytetit para institucioneve publike të rëndësishme dhe si pasojë e këtyre akteve pati edhe lëndime, ku  11 punonjës të policisë së shtetit u lënduan dhe u trajtuan pranë strukturave spitalore”, theksoi ministrja e Brendshme.

“Policia e Shtetit ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave të ligjit të standardeve të profesionalizmit ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e  karakterit paqësor të protestës dhe vetëm pasi këto thirre u shpërfillën dhe rreziku për jetën e punonjësve e të policisë u bë evident, atëherë institucionet dhe qytetarët gjithashtu ndihen të kërcënuar në këtë situatë, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës sipas parashikimeve ligjore”, tha ajo.

Koçiu shtoi se akuza se policia ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pavërteta dhe të pabazuara.

Sipas saj çdo veprim është kryer mbi parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë ashtu siç e kërkon ligji.

“E drejta për protestë është një e drejtë kushtetuese dhe pacenueshme për këdo, por dhuna nuk është një e drejtë politike. Hedhja e molotovëve sulmi ndaj policisë dhe institucioneve nuk është protestë pro shkelje e ligjit dhe e cenimit të rendit demokratik”, tha ajo.

Koçiu shtoi se opozita duhet të dënojë dhunën e ushtruar dhe jo të mbrojë autorët.

“Sot duhet të kemi të gjithë guximin politik për të dënuar dhunën dhe mbrojtur rendin dhe sigurinë publike dhe jo të mbrohen autorët e dhunës apo të hodhën akuza ndaj punonjësve të policisë që kryen detyrën e tyre”, tha ajo.

Ministrja u ndal edhe tek shoqërimi i një të mituri në komisariat, ku sqaroi se ai është trajtuar siç e parashikon ligji për trajtimin e të miturve.

“Faktet janë këto, gjatë veprimeve të Policisë së Shtetit, siç edhe është njoftuar, shërbimet kanë konstatuar një të mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të policisë së shtetit, për këtë arsye për të mbrojtur jetën e efektivëve, por edhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikim ashtu siç e parashikon ligji”, informoi ministrja.

“I mituri nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshëm apo çnjerëzore, nuk është marrë në ambiente të përbashkëta me persona të rritur, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm për ta trajtuar me kujdes të plotë, në përputhje me garancinë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor i mituri është lënë i lirë”, tha Koçiu.

Ajo shtoi se “askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Të gjithë biem dakord që demokracia nuk ndërtohet me molotov, kush nxit dhe përdor dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë rendin e sigurinë dhe të mbrojë jetën e qytetarëve”.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, reagoi pas fjalës së Koçiut duke i konsideruar  të pavërteta deklaratat e ministres.

“Kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar rrezikon shëndetin publik dhe është kundër konventave ndërkombëtare. Duhet të jeni të shqetësuar ku rrezikoni të helmoni njerëz, kur çoni në qeli e burgut minorenë”, tha ajo.

“Qytetarët atje kanë goditur një institucion që është institucioni më i korruptuar në vend siç është Kryeministria, dhe nuk kanë goditur policë të Policisë së Shtetit që ju me detyrimin tuaj i përdorët ndaj qytetarëve”, tha Zhupa.

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Policia u sulmua me molotov gjatë protestës së opozitës, veproi sipas ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha në Strasburg: Situata në Shqipëri, rrezik për sigurinë e Evropës

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë debatit në grupin parlamentar të EPP-së në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri, paraqiti situatën në vend si një rrezik serioz për sigurinë e Evropës, duke e cilësuar atë si “narkoshtet”.

Berisha u shpreh se, kartele të drogës, të lidhura me qeverinë, dominojnë tregjet e drogës në Evropë dhe se Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.

“Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Evropës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale”, tha Berisha.

Gjithashtu Berisha foli edhe mbi “terapinë konvertuese”, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve. Sipas kryetarit të PD-së, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë.

“Kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Evropë e botë”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se, ndonëse debatet mbi këtë çështje ishin të ndara, në audiencë pati rezerva të mëdha ndaj raportit, i cili sipas tij tentonte të legjitimonte “terapinë konvertuese” ndaj fëmijëve.

/m.q/j.p/

The post Berisha në Strasburg: Situata në Shqipëri, rrezik për sigurinë e Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në fuqi konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, la në fuqi vendimin e GJKKO të marrë në prill të vitit të kaluar, për konfiskimin e një apartamenti të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Vendimi u mor sot nga apeli i GJKKO me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), të cilët lanë në fuqi vendimin e GJKKO-së për konfiskimin e “pasurisë të paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 60 m2 dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.

GJKKO ka dënuar ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja me 6 muaj burg për fshehje e deklarim të rremë të pasurisë dhe konvertimin e masës me shërbim prove.

Hetimet ndaj Dedjas u nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

/m.q/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Kuvendi po pengon drejtësinë për Ballukun

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se Kuvendi u kthye në bunker për mbrojtjen e korrupsionit duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se Kuvendi dështoi që të mbrojë pushtetin nga drejtësia.

“Ky parlament e ka nisur këtë sesion me një heshtje të qëllimshëm që ka si funksion të vetin të mbrojë  pushtetin nga drejtësia. Sot kemi një mazhorancë të ngritur mbi paratë e pista të korrupsionit dhe karteleve të drogës që në vend të detyrës ka zgjedhur friken në vend të ligjit ka zgjedhur nënshtrimin ndaj Kryeministri. Sot përballemi me një pyetje shumë të thjeshtë është Kuvendi i Shqipërisë një institucion i ligjit apo një mburojë politike për korrupsionin dhe kundër drejtësisë”, tha Bardhi.

Sipas tij, që prej 19 dhjetorit Kuvendi kishte një detyrim shumë të qartë, të panegocueshëm, të vendoste pa vonesë për pranimin e SPAK për heqjen e  imunitetit të Belinda Ballukut.

“Kishte një detyrë të vetme të mos i fshihej drejtësisë, por Kuvendi dështoi që ta përmbushë këtë detyrim. Zëvendëskryeministrja e pandehur vazhdon detyrën sikur asgjë nuk ka ndodhur e akuzuar dhe nën hetim aktiv për 11 procedura prokurimi dhe koncesioni me vlerë totale 1.1 miliard euro”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, Kuvendi heshti ndaj kërkesë së prokurorisë, pari kryetari i Kuvendit nuk zbatoi ligjin por iu nënshtrua urdhrit politik të Kryeministrit.

“Bazuar në këtë dosje, kërkesa jonë ka qenë një dhe vetëm një mbledhja e Këshillit të Mandateve, për t’i hapur rrugë Kuvendit, për të vendosur mbi kërkesën e SPAK. Kërkuam këtë mbledhje 5 herë për kryetari i Kuvendit heshti, pasi kryeministri kishte shpallur injorimin e kërkesë së SPAK dhe të drejtësisë”, u shpreh Bardhi.

“Një kryetar Kuvendi ka vetëm një detyrë t’i shërbejë ligjit dhe jo Kryeministrit. Kur kryetari i Kuvendit nuk përgjigjet ndaj kërkesave zyrtare të Kuvendit, heshtja e tij shndërrohet në mburojë politike, jo për qytetarët, por për korrupsionin. Ky Kuvend është kthyer në bunker të korrupsionit, jo sepse mungojnë provat por se këtu bllokohet drejtësia me urdhër të Kryeministrit”, tha Bardhi.

Bardhi tha se mazhoranca nuk ka mbrojtur Kushtetutën, “por e ka vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit”.

“Nuk kam asnjë iluzion që do të jepni dorëheqjen se integriteti kërkon pavarësi dhe liri. Për të mbrojtur karrigen, keni zgjedhur që të mbroni paligjshmërinë”, u shpreh Bardhi, teksa iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Florian Abazaj
1 nga 9

/m.q/j.p/

The post Bardhi: Kuvendi po pengon drejtësinë për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Dita e Kujtesës për viktimat e Holokaustit të shërbejë si thirrje për të jetuar me dinjitet dhe në paqe

TIRANË, 27 janar /ATSh/ Sot, në Ditën e Kujtesës për viktimat e Holokaustit, presidenti Bajram Begaj, përcolli një mesazh ku thekson rëndësinë e impenjimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët për mbrojtjen e dinjitetit të patjetërsueshëm njerëzor dhe të drejtat universale për të jetuar në paqe.

”Dita e Kujtesës duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive për të mbrojtur me humanizëm dhe përgjegjësi të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet dhe në paqe, sepse të gjithë i kemi parë pasojat e tmerrshme të urrejtjes etnike, racore, fetare dhe të antisemitizmit”, u shpreh kreu i shtetit.

Në këtë mesazh, Begaj vlerëson tolerancën dhe humanizmin e shqiptarëve në mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve përgjatë ditëve të errëta të nazizmit.

“Kjo ditë sjell në vëmendje humanizmin, guximin dhe shpirtin solidar të popullit shqiptar, që gjatë Luftës së Dytë Botërore mikpriti në besë dhe mbrojti me dinjitet të gjithë hebrenjtë që u strehuan në vendin tonë për t’i shpëtuar shfarosjes naziste”, shkruan Begaj.

/m.q/j.p/

The post Begaj: Dita e Kujtesës për viktimat e Holokaustit të shërbejë si thirrje për të jetuar me dinjitet dhe në paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori i Shqipërisë në BE: Brenda gjashtëmujorit të parë mbyllim disa kapituj me BE

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ferit Hoxha theksoi se brenda gjashtëmujorit të parë do të mbyllen disa kapituj, në kuadër të procesit të integrimit.

Hoxha u shpreh gjatë një interviste në “Tv Klan”, se kjo vjen si pjesë e një plani që është dakordësuar me Komisionin Evropian.

“Në vitin 2026, presim jo vetëm mbylljen e një kapitulli, por një numri të konsiderueshëm kapitujsh. Ne kemi një plan pune. Ne nuk po ecim as qorrazi dhe as me dëshirën tonë. Ne po ecim me një plan pune që kemi dakordësuar me KE-në dhe aty janë të përfshirë edhe afatet që mendojmë se janë realistë për mbylljen e kapitujve. Brenda gjashtëmujorit të parë ju siguroj se do të mbyllen disa kapituj”, tha Hoxha.

Megjithatë çdo gjë, sqaroi ambasadori, do të varet nga ecuria e procesit.

“Gjithmonë në këtë proces do të jenë tre komponentë të rëndësishëm, është gjithë pala shqiptare me aktorët e saj, është gjithë Komisioni Evropian që negocion në emër të BE-së dhe vendet anëtare që vlerësojnë dhe marrin vendimin”, shtoi ai.

I pyetur nëse ka ndryshuar qëndrimi i Bashkimit Evropian për Shqipërinë në lidhje me planin për zgjerimin, ambasadori Hoxha tha se asgjë nuk ka ndryshuar, por tashmë jemi në proces pas hapjes së të gjithë grupkapitujve.

“Tani kemi kaluar në procesin tjetër. Ne jemi në një proces që është i veçantë dhe specifik me metodologjinë e re të zgjerimit që ka të bëjë me atë që quhet “piketat e ndërmjetme”. Ato janë 24 kërkesa specifike të përcaktuara në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare që është mbajtur kur është hapur grupkapitulli i parë dhe gjatë së cilës Shqipëria ka marrë një numër angazhimesh. Këto angazhime duhet të plotësohen në mënyrë që pasi të quhen të plotësuara kënaqshëm dhe kjo do verifikohet nga KE dhe vendet anëtare, atëherë Shqipëria do të fillojë të mbyllë kapitujt. Pra është një etapë e ndërmjetme, jashtëzakonisht e rëndësishme, i cili është duke u bërë”, tha ambasadori për Tv Klan, gjatë një interviste me gazetarin Bes Jacaj.

Ai bëri me dije se gjatë muajit shkurt në Shqipëri do të vijë një delegacion i veçantë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të PE-së. Sipas Hoxhës, ky delegacion do të takohet me aktorët politikë shqiptarë brenda dhe jashtë parlamentit, me qeverinë si dhe institucionet e tjera për të parë se ku ndodhet Shqipëria në ecurinë e procesit dhe çfarë duhet bërë në vijim.

/m.q/a.f/r.e/

The post Ambasadori i Shqipërisë në BE: Brenda gjashtëmujorit të parë mbyllim disa kapituj me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shqipëria, nga të parat në Evropë me ligj kundër antisemitizmit dhe edukim për Holokaustin në shkolla

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para në Evropë që ka miratuar legjislacion kundër antisemitizmit dhe ka integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat e shkollave.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi historik në Parlamentin e Izraelit, ku foli ndër të tjera për rolin e Shqipërisë në ruajtjen e vlerave njerëzore dhe solidaritetin ndërkombëtar.

Duke i referuar periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kryeministri Rama tha kujtoi se “kur të tjerët dorëzonin fqinjët e tyre hebrenj tek autoritetet, shqiptarët i ruanin në siguri”.  Ai shtoi se “gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë”, duke shpëtuar jetë njerëzish në një kohë kur shumë kombe heshtën ndaj mizorive.

“Tragjedia e Holokaustit nuk ishte vetëm mizoria e pak vetëve, po pasiviteti i shumëkujt. Por në një vend të vogël, në vendin tonë, ndodhi e kundërta. Populli ynë ishte i varfër, nuk kishte  pushtet, nuk kishte ushtri apo kufij strategjikë. Por zotëronte diçka pafundësisht më të çmuar për atë moment të historisë: aftësinë për të parë një fytyrë njerëzore dhe për të njohur në të, një detyrim moral. Kur të tjerët dorëzonin fqinjët e tyre hebrenj tek autoritetet, shqiptarët i ruanin në siguri. Kur nënshtrimi u bë aleati i heshtur i së keqes, gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë. Dhe duke bërë këtë, ata e ruajtën këtë cep të Evropës njerëzor, në një kohë kur njerëzorja po zhdukej dita-ditës.

“Kjo histori nuk është një dekor për të mbresuar të tjerët. Është busulla që duhet ndjekur nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na është dhënë nga i njëjti Zot, dhe për të bërë diçka të denjë me atë dhuratë në këtë tokë, që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk patëm guximin ta përballim sot apo nuk e nxorrëm mësim nga dje.

“Prandaj Shqipëria ishte ndër vendet e para në Europë që miratoi legjislacion të ri kundër antisemitizmit, prandaj kemi integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat tona shkollore, dhe prandaj po ndërtojmë në këtë moment, në zemër të Europës, dy hapësira të veçanta kulturore të frymëzuara nga forca tërheqëse e shembujve ndriçues të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetë hebreje”, tha Rama.

Rama theksoi angazhimin e Shqipërisë për të mbrojtur ata që janë të përjashtuar apo të kërcënuar, teksa përmendi faktin që vendi ynë i ka ofruar mbrojtje opozitës iraniane si dhe afganëve të larguar nga mullahët e Kabulit.

“Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë. Ka të bëjë me njerëzimin. Dhe jo me njerëzimin si një fjalë e përgjithshme, po me njerëzillëkun tonë. Për këtë arsye, prej shumë vitesh tashmë, Shqipëria ka ofruar mbrojtje për disa mijëra qytetarë iranianë, opozita e të cilëve ndaj kasapëve të Teheranit ua vuri jetën në rrezik të madh. Nuk ishte pa rrezik as për ne, dhe nuk është pa rrezik as edhe sot. Të mbetesh njerëzor kur e njerëzishmja jote vihet nën presion, nuk është kurrë pa rrezik. Përkundrazi. Dhe pikërisht sepse e morëm përsipër atë rrezik, disa vite më parë Shqipëria pësoi një sulm masiv kibernetik të drejtuar nga Irani, që synonte shkatërrimin e gjithë infrastrukturës sonë publike digjitale. Ne rezistuam. Ata nuk ia dolën.

“Na u tha nga miq të fuqishëm të mos reagonim shumë ndaj Iranit, sepse ata janë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Por ne i dhamë personelit të ambasadës iraniane njëzet e katër orë për të lënë vendin dhe e këputëm edhe fijen krejt të hollë të lidhjes që kishim me Republikën Khomeiniste, të cilën nuk do ta quaj kurrë islamike, sepse Islami është dashuri dhe përulësi, ndërsa khomeinizmi është urrejtje dhe vdekje.

“Dhe nuk është e shkruar këtu, por thjeshtë dua të bëj atë çfarë Bibi bën gjatë gjithë kohës, të dalë nga fjala e shkruar dhe të them sa vijon: Një mike e jona, bashkëshorti i të cilës është iranian, më tha që pak ditë më parë në një treg në Teheran, njerëzit ishin të pranishëm dhe ndërkohë u vu zjarri dhe tregu u rrethua nga vrasësit. Njerëzit kishin dy zgjedhje: ose të digjeshin nga flakët brenda tregut, ose të vriteshin në dyert e tregut. Por pyetja ime është kjo: Si është e mundur?! Që ndërkohë që media globale flet për 30 mijë njerëz të vrarë për tri ditë, nuk ka mbledhje në asnjë shesh të botës kundër ajatollahëve për të bërë thirrje për fundin e këtij regjimi. Natyrisht është një pyetje që nuk kërkon përgjigje prej jush. Ju e dini përgjigjen. Dhe siç ofruam mbrojtje për ata që u vunë në shënjestër nga mullahët e Teheranit, Shqipëria u bë gjithashtu strehë për disa mijëra të tjerë të shënjestruar nga mullahët e Kabulit, gjatë kaosit që krijoi tërheqja e çrregullt e forcave të koalicionit nga Afganistani”, tha Rama.

Rama përshëndeti solidaritetin ndërkombëtar të qytetarëve në ShBA si dhe kryeministrit të Katarit për rolin e tyre kyç në strehimin e afganëve, duke mundësuar shpëtimin e mijëra jetëve.

“Kur shumë të tjerë, më të mëdhenj dhe më të pasur, kthyen shpinën, pasi kishin qenë atje, pasi i kishin premtuar atyre njerëzve liri, demokraci, të drejta për të gjithë e pasi i kishin marrë që të pastronin makinat e tyre, shtëpitë e tyre u zhdukën, ndoshta sepse më të mirët dhe më të ndriturit e shoqërisë së Kabulit nuk ishin mjaftueshëm të bardhë apo ishin tepër myslimanë për ta, por ne patëm bekimin të përfshihemi në rrjetin më të jashtëzakonshëm të solidaritetit që kam parë ndonjëherë. Financimi, logjistika dhe lidhjet u mblodhën jashtë vendit si uragan. Dhe nuk ishte qeveria e ShBA që e organizoi. Ishin qytetarë amerikanë nga çdo shtresë e fushë e jetës dhe përtej ndarjeve politike, të cilët mobilizuan njerëzillëkun e tyre për të shpëtuar jetë përmes një zinxhiri të jashtëzakonshëm duarsh, që formuan një trekëndësh mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Katarit, ku ministri i Jashtëm i Katarit i asaj kohe, sot Kryeministër, Mohammed bin Abdulrahman, u shndërrua në një lloj kulle kontrolli të shpresës dhe e ktheu aeroportin e Dohas në një rrugë shpëtimi drejt jetës, për mijëra njerëz që u pritën me dhembshuri në Shqipëri”, tha Rama.

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama: Shqipëria, nga të parat në Evropë me ligj kundër antisemitizmit dhe edukim për Holokaustin në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lindja e Mesme po kalon në një “Firence të re” për transformimin dhe modernizimin

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama iu adresua sot Knessetit, Parlamentit të Izraelit, me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e kërkimit të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Rama shprehu besimin e tij se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk duhet të varen nga e kaluara e përgjakshme, por nga një e ardhme e shndritshme dhe e mundshme për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Ai shtoi se kërkimi i paqes nuk ka të bëjë me gjykimin e të keqes së tjetrit, por me qëndrimin ndaj vlerave të tij.

“Më lini t’ju siguroj se nuk jam këtu, larg qoftë, për t’i dhënë leksione kujt. Jo vetëm sepse vende të vogla si i imi nuk japin leksione, por marrin leksione gjatë gjithë kohës, por edhe sepse besoj se ata që i japin leksione Izraelit nga larg, rrezikojnë seriozisht të jenë, jo vetëm të jenë pa drejtpeshuar, por thellësisht të padrejtë.

“Megjithatë, besoj fort se kërkimi i paqes nuk ka të bëjë kurrë me sa e keqe apo jo e besueshme ka qenë ana tjetër, por me sa besnik zgjedh të mbetesh ndaj vlerave të tua. Marrëveshja mahnitëse e paqes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në të cilën një udhëheqës botëror i rrallë si Sheikh Mohammed bin Zayed theu epoka të gjata konflikti dhe i mësoi botës me shembull se, nëse kujtojmë se Zoti është në anën tone, por gjithashtu edhe në anën e tjetrit, dhe jemi mjaftueshëm të guximshëm për të kuptuar se nën syrin e qiellit jemi të gjithë në të njëjtën anë të paqes, atëherë paqja nuk është thjesht një rrugë e mundshme drejt së ardhmes, por e vetmja rrugë e mundshme e së ardhmes”, tha Rama.

Rama e cilësoi momentin e aktual për Lindjen e Mesme si “një Firence të re” për transformimin dhe modernizimin e rajonit. Ai theksoi se Izraeli, së bashku me vendet arabe, është në rrugën drejt një të ardhmeje të ndritur.

“Më shumë se kaq, besoj fort se ajo që e bën unike këtë dritare të re mundësie është momenti i Firences në Lindjen e Mesme. Ajo që po ndodh këtu pranë në rajonin tuaj ngjan, në sytë e mi, me atë që ndodhi në Evropë kur udhëheqje vizionare, të frymëzuara nga moderniteti dhe bukuria, e shndërruan Firencen në djepin e Rilindjes. Izraeli nuk është më i vetëm në kërkimin e transformimit, inovacionit dhe lidershipit global të së ardhmes në këtë pjesë të botës.

“Nga rrugët e Riadit, tek oazet e gjelbra të Abu-Dabit dhe brigjet plot jetë të Dohas, ndihet një erë magjepsëse ndryshimi, që ka pak të bëjë me karikaturën e vjetër të spektaklit të ngjyer me ar në shkretëtirë. Arabia Saudite, nën udhëheqjen e udhëheqësit të ri me iniciativë, të vendosur dhe vizionar, tiparet e së cilës kujtojnë Lorencon e Madhërishëm të Firences, po ndryshon me një shpejtësi marramendëse. Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendosur në pararojë të lidershipit global në agjendën e gjelbër, e gjithashtu të përgjegjësisë sociale përtej kufijve, përtej ngjyrës së lëkurës, përtej dallimeve, ndërkohë që Katari, i udhëhequr për më shumë se një dekadë nga Emiri i tij i ri dhe largpamës, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm në skenën botërore dhe, falë po kështu edhe një gruaje aktive, motrës së tij, Sheikha Al Mayassa, po shndërrohet në një laborator të madh të transformimit urban dhe të stilit të jetesës së një rruge të re”, tha Rama.

Sipas Ramës, “emëruesi i përbashkët sot mes fqinjëve tuaj arabë është një shtysë për modernizim në çdo drejtim dhe për zbukurim në çdo hap, dhe së bashku ata po e bëjnë këndin e vjetër dhe të mrekullueshëm të Evropës të duket papritur i zymtë dhe i zbehtë. Po ka një pikëpyetje që kokëfortë ngrihet mbi gjithë këtë”.

“Si mund të bashkëjetojë kjo histori e jashtëzakonshme e një të ardhmeje të ndritur, e shkruar me fuqinë e çliruar të shpresave dhe ëndrrave në shkretëtirë, me plagën e madhe të hapur të një konflikti që ka sjellë vuajtje dhe shkatërrim kaq të zgjatur, një plagë që ende qëndron në zemër të Lindjes së Mesme si një kurth i aftë të përpijë në errësirën e vet çdo ëndërr madhështie që po ndërtohet përreth këtij rajoni”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se është e pamundur, nuk ka asnjë shans që të dyja të rrinë së bashku për gjatë.

“Ndaj uroj fort që marrëveshjet abrahamike do të vazhdojnë dhe uroj që ndodhte duke hedhur sytë nga e shkuara e përgjakshme me sytë e një ardhmeje të shndritshme dhe jo anasjelltas, ky rajon në tërësi mundet, ashtu siç Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ndonjë tjetër, ka bërë tashmë të zbulojë jo vetëm se paqja është e mundur, por se paqja mund t’i ngrejë të gjitha vendet paqebërëse pothuajse si një mrekulli, lart në hapësirën e besimeve abrahamike.

“Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin ashtu edhe vendet arabe, ndër miqtë e saj të ngushtë. Edhe Turqinë meqë ra fjala. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë, turq dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza”, tha Rama.

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama: Lindja e Mesme po kalon në një “Firence të re” për transformimin dhe modernizimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Xhelati i Gazës është Hamasi, nuk ka paqe derisa të çmontohet

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama, mbajtoi sot një fjalim historik në Knesset, parlamenti i Izraelit, në një seancën plenare speciale.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek situata në Gaza, ku theksoi se Hamasi është “xhelati i Gazës” dhe se deri “sa të çmontohet plotësisht, 2 milionë të burgosurit e tij nuk do të jenë kurrë të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jetë dot jetëgjatë”.

Rama deklaroi më tej se Shqipëria është bërë Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes, një nismë e mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump, me synim arritjen e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve në vendet e përfshira nga lufta.

“Askush më mirë sesa Shqipëria nuk mund të dëshmojë një të vërtetë të thjeshtë, se qenia mysliman dhe antihebre njëkohësisht, nuk vjen nga besimi në Zot, por nga tradhtia më neveritshme ndaj Zotit. Nuk ka nder më të madh dhe as përgjegjësi më të rëndë, sesa të dëshmosh këtë të vërtetë, këtu në zemër të Izraelit, në një moment kur lufta e dhimbshme në Gazë, përmes vuajtjes së padurueshme të familjeve të pafajshëm si izraelite ashtu dhe palestineze ka hapur një dritare të re mundësie që përpjekjet për ndërtimin e paqes të kenë sukses.

“Nuk ka dyshim, një pjesë e këtij nderi të madh për mua lidhet me faktin se vij pak ditë pasi parlamenti shqiptar ratifikoi vendimin për t’iu bashkuar presidentit Trump, në përpjekjen e tij për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve dhe për ta bërë Shqipërinë Anëtare Themeluese të Bordit të Paqes, ku do të kontribuojmë me përulësi në detyrën monumentale për ta kthyer këtë dritare të re mundësie në një horizont të ri shprese e begatie për popullin e Gazës dhe Rajonit”, tha Rama.

Në fjalimin e tij, Rama bëri një paralelizëm mes Gazës dhe historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri, duke përmendur tunelet e ndërtuara nga sistemi komunist në Tiranë për të “torturuar armiqtë”, që sot janë kthyer në muze. Kryeministri tha se Hamasi mban peng popullin palestinez.

“Ka një tunel në zemër të Tiranës. U ndërtua për të torturuar të ashtuquajturit “armiqtë e popullit” dhe më së fundmi për t’i bërë ballë një sulmi nga ShBA apo Bashkimi Sovjetik, paranoja e derdhur nga një regjim që kishte frikë nga çdo rreze lirie dhe e mbante popullin e vet peng në një burg në qiell të hapur. Kjo kujtesë e gjallë më ka bërë gjithmonë të ndjej keqardhje për figura apo organizata ndërkombëtare, të respektuara me qëllime të mira që me të drejtë e kanë përshkruar Gazën si një burg në qiell të hapur, por kanë dështuar që të identifikojnë autorin e vërtetë të burgosjes së popullit të Gazës.

“Ata kanë ngatërruar gishtin me atë që gishti tregon, dhe kësisoj, duke bërë këtë, dështuan që të thonë se xhelati i Gazës është Hamasi, askush tjetër përveç Hamasit. Ideologjia e tij e terrorit kundër vetë popullit të vet, më së pari, dhe kundër kombit hebre, dogma e tij totalitare se asnjë jetë palestineze nuk vlen të jetohet derisa shteti i Izraelit të asgjësohet, derisa hebreu i fundit të zhduket nga Toka e Shenjtë, derisa Hamasi të çmontohet e shpërbëhet plotësisht, 2 milionë të burgosurit e tij, nuk do të jenë kurrë të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jetë dot jetëgjatë”, tha Rama.

Rama iu referua tuneleve të ndërtuara nga Hamasi dhe krimeve të 7 tetorit 2023, duke propozuar që disa prej tyre të ruhen si dëshmi historike. Kreu i qeverisë shtoi se vetëm duke zhdukur në rrënjë shkaqet e terrorit, mund të parandalohet përsëritja e tmerreve të tilla.

“Sot ai tunel në Tiranë është shndërruar në një hapësirë që u kushtohet viktimave të atyre që e ndërtuan fillimisht këtë tunel dhe uroj me gjithë zemër që disa nga tunelet e panumërta të terrorit që Hamasi ndërtoi, ku pengjet e rrëmbyera të 7 tetorit u vranë, u përdhunuan, u torturuan dhe u katandisën në kapje njerëzore të shekullit të 21-të të burgosurve të kampeve naziste shfarosëse, të ruhen si pjesë e planit të ri të rindërtimit të Gazës dhe më pas si një dëshmi përcaktuese në favor të paqes së qëndrueshme midis dy shteteve në të ardhmen.

“Ato duhet të qëndrojnë si tunele të kujtesës kolektive dhe të shërimit të përbashkët, ku si vuajtja prej ferrit e pengjeve, ashtu edhe humbja e jashtëzakonshme e jetëve palestineze, të shndërruara në lëndën e parë të trupave njerëzore për sistemin më djallëzor të mbrojtjes të ndërtuar ndonjëherë nga mendja e ligë njerëzore, si një lëndë e parë, gurët e të cilëve kanë qenë trupat njerëzorë, të shërbejnë si qirinj të ndezur përjetësisht të faljes pa harrim dhe si thirrje e përhershme për të gjithë, që tmerre të tilla të mos ndodhin më kurrë e që kjo të ndodhë, shkaqet që çojnë këtu duhet të zhduken nga rrënjët”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama në Parlamentin e Izraelit
1 nga 11
Kryeministri Edi Rama në parlamentin e Izraelit - Foto: Kryeministria

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama: Xhelati i Gazës është Hamasi, nuk ka paqe derisa të çmontohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në parlamentin izraelit: Do të hapim muze në Vlorë kushtuar mbrojtjes së hebrenjve

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama mbajtoi sot një fjalim historik në Knesset, parlamenti i Izraelit, në një seancën plenare të veçantë.

Në qendër të fjalës së tij kryeministri Rama vuri marrëdhëniet mes dy vendeve, harmoninë fetare shqiptare dhe rolin unik të Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se në Vlorë do të hapet muzeu i parë kushtuar mbrojtjes së hebrenjve.

Kryeministri kujtoi edhe vizitën historike të presidentit izraelit Isaac Herzog në Tiranë, si kreu i parë i shtetit izraelit që vizitoi Shqipërinë, gjatë së cilës vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit.

Duke u ndalur te toleranca fetare, Rama theksoi se në shumë familje shqiptare ndodh që të jenë edhe të feve të ndryshme, ndërsa bëhen së bashku për të festuar ditët e tyre të rëndësishme.

“E njëjta gjë vlen për të katër komunitet tona fetare, të cilët festojnë ditët e rëndësishme të njëri-tjetrit dhe për krerët e tyre të cilët mblidhen rregullisht, ashtu siç u mblodhën për të shoqëruar presidentin Herzog, kur ai vendosi një kurorë në Memorialin tonë të Holokasutit në Tiranë gjatë vizitës së tij historike si kreu i parë i shtetit izraelit që zbriti në tokën shqiptare”, tha Rama.

Rama theksoi se Shqipëria krenohet me 73 shqiptarë të të gjitha besimeve, të njohur si “Të drejtë midis kombeve”, emrat e të cilëve janë përjetësuar në Yad Vashem.

“Është një shpirt i farkëtuar përgjatë shekujsh vështirësish, pushtimesh e varfërie. Ishte i njëjti shpirt që i nxori shqiptarët e të gjitha besimeve në rrugë, për të pritur e përshëndetur papa Françeskun dhe me zërin tij korrigjoi termin që ne përdorim shpesh: “Jo, – tha Ati i Shenjtë, – juaja nuk është tolerancë fetare, është vëllazëri fetare, sepse nuk mbështetet te durimi, por te bindja e qetë se besimi nuk dobësohet nga prania e një besimi tjetër, por hapet prej tij”. Atij shpirti ne i detyrojmë krenarinë e njërit prej nderimeve më të mëdha morale, 73 shqiptarë të të gjitha besimeve, të njohur si “Të drejtë mes kombesh”, kujtimi i të cilëve ndriçon brenda mureve të dinjitetit njerëzor në Yad Vashem”.

“Me të njëjtën krenari së shpejti do të hapim muzeun tonë të parë kushtuar mbrojtjes e shpëtimit të hebrenjve, në qytetin e Vlorës, dikur qyteti më i madh mesjetar në Shqipëri, ku, pa gjejeni, në shekullin e 16-të hebrenjtë që iknin nga persekutimi në Perëndim përbënin më shumë se gjysmën e popullsisë së tij”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “të rinjtë tanë dhe vizitorët e shumtë që vijnë nga e gjithë bota të vizitojnë vendin tonë, ku numri i turistëve izraelitë u rrit shumë më shumë se çdo vend tjetër, do të shohin me sytë e tyre dhe do të dëgjojnë me veshët e tyre sesi Shqipëria e vogël ka qenë një strehë e sigurt për hebrenjtë shumë kohë më parë, se si shqiptarët e zakonshëm e bënë këtë vend shumë të vogël të vetmin vend në hartën e Evropës që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj seç kishte kur hyri në të”.

Rama nënvizoi se “askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një faqe kaq të pastër historie, pa asnjë hebre, pa as edhe një hebre të dorëzuar”.

Kryeministri Edi Rama në Parlamentin e Izraelit
1 nga 11
Kryeministri Edi Rama në parlamentin e Izraelit - Foto: Kryeministria

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama në parlamentin izraelit: Do të hapim muze në Vlorë kushtuar mbrojtjes së hebrenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA rikthen në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) riktheu në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj, i cili ishte shkarkuar nga Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) më 7 tetor 2024.

Vendimi u shpall sot nga trupi i gjykues i KPA i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe konfirmimin në detyrë të prokurorit Xhemal Saliaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Saliaj u shkarkua pasi sipas KPK-së u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

/m.q/a.f/

The post KPA rikthen në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Libri “Brenga e Prokurorit” i Ahmet Prençit botohet në italisht

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Libri i shkrimtarit Ahmet Prençi me titull “Brenga e Prokurorit” është botuar edhe italisht, me titull “Dentro la note di Martin Guri”. Njoftimi u bë nga shtëpia botuese “Rubbettino” në Itali dhe promovimi i librit do të bëhet më 3 shkurt në librarinë “Feltrinelli” në Kozenca (Cosenza).

Në njoftimin e shtëpisë botuese konfirmohet data e promovimit zyrtar me shënimin: “Në një kryeqytet të mbytur nga dimri dhe korrupsioni, ministri publik Martin Guri është gati të jetojë pasditen e fundit “normale” të ekzistencës së tij. Një takim i papritur me një grua enigmatike dhe magnetike shpërthen një të vërtetë të varrosur prej tridhjetë vjetësh, ndërsa në tavolinën e saj grumbullohen letrat e një bosi të fuqishëm të krimit të organizuar. Që nga ai moment, çdo siguri shkatërrohet.

Midis kërcënimeve, kujtimeve flakëruese dhe një dashurie absolute që rrezikon të shembet, Martini detyrohet të zgjedhë: t’i bindet ligjit ose të shpëtojë veten. Konflikti i tij bëhet ai i një shoqërie të tërë, ku kufiri midis drejtësisë dhe hakmarrjes është aq i hollë sa një frymëmarrje”.

Më tej, shkruan shtëpia botuese, “me librin “Brenda natës së Martin Gurit”, Ahmet Prençi nënshkruan një roman psikologjik dhe politik me intensitet të madh. Vizionar, i tensionuar, thellësisht njerëzor, stili i tij e ka bërë atë një nga autorët më të vlerësuar të vendit të tij, të arritshëm për traditën më të mirë të noir-it evropian dhe amerikanojugor. Një libër që gërmon në kujtesë, vë në pikëpyetje pushtetin dhe ekspozon brishtësinë e së vërtetës”.

Edhe autori Ahmet Prençi kërkon që këtë sukses ta ndajë me miq dhe të njohur, të cilët i fton të jenë të pranishëm në promovimin e librit.

/m.q/r.e/a.f/

The post Libri “Brenga e Prokurorit” i Ahmet Prençit botohet në italisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtoria e Burgjeve jep detaje për transferimin e 142 të dënuarve në burgjet e Peqinit dhe Durrësit

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Në kuadër të procesit të rikonstruksionit të IEVP Fushë-Krujë , Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se ka realizuar me sukses transferimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve “gjatë këtij operacioni të mirëorganizuar janë transferuar gjithsej 142 persona, konkretisht 85 drejt IEVP Peqin dhe 57 drejt IEVP Durrës. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie , me angazhimin e forcave operacionale dhe speciale , punonjësve të specializuar dhe përdorimin e automjeteve të dedikuara”.

“Në këtë operacion janë përfshirë 340 punonjës policie dhe 48 automjete. Operacioni u realizua me përdorimin e teknologjisë bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore , sisteme anti-dron dhe sisteme komunikimi dixhital individual për çdo punonjës të përfshirë”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve nënvizoi se kamerat e trupit dhe ato të automjeteve transmetuan pamje live, duke garantuar transparencë, kontroll dhe siguri maksimale .

“Gjithashtu, operacioni u koordinua në kohë reale me të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjatë itinerarit të lëvizjes, përfshirë Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës , si dhe komisariatet përkatëse, duke siguruar një bashkëpunim efikas ndërinstitucional”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

Të dyja autokolonat, sipas drejtorisë së Burgjeve, mbërritën pa asnjë incident në destinacionet përkatëse, ku u zbatuan procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe akomodimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi .

“Ky operacion dëshmon angazhimin maksimal të Sistemit të Burgjeve për garantimin e sigurisë, investimin në infrastrukturë moderne, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe respektimin me rigorozitet të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Sistemi penitenciar shqiptar vijon të jetë i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor, transparent dhe të sigurt, në funksion të rendit, ligjit dhe dinjitetit njerëzor”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

/m.q/ /a.g/

The post Drejtoria e Burgjeve jep detaje për transferimin e 142 të dënuarve në burgjet e Peqinit dhe Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta e arriti qëllimin, të lirohen 25 protestuesit

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përfundimit të protestës, nga selia e PD  theksoi se policia “sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaze helmuese, me topa uji dhe me mjete të tjera”. Berisha tha se kryeministri Edi Rama kërkoi përleshje me protestuesit.

“Përkundrejt qëndrimit qytetar e guximtar të protestuesve, narkopolicia përdori në agresivitet absolut mjetet e dhunës, sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaze helmuese, me topa uji dhe me mjete të tjera.Rama kërkonte përleshjen e demonstruesve me policinë. E garantoj që demonstruesit do të përleshen me Edi Ramën. Dhe t’i them këtu: mos ndërse policinë kundër protestuesve”, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje efektivëve të policisë që mos të bëhen ushtarë e shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj as moral.

“Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që çdo tullë të shtëpisë së vet e ka të vjedhur. Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptari”, tha Berisha.

Berisha kërkoi lirimin e 25 protestuesve, të cilët sipas tij nuk kanë kryer asnjë akt dhune.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të cilët në mënyrë absolute me të gjithë dokumentacionin, nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty vetëm si akt urrejtje me urdhër të Edi Ramës. U kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë. Të mos zbatojnë asnjë urdhër që vjen në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, tha Berisha.

Sipas tij protesta e sotme e arriti qëllimin, ndërsa shtoi se do të njoftojë protestën e radhës dhe variantet e saj.

/m.q/r.e/  /a.g/

The post Berisha: Protesta e arriti qëllimin, të lirohen 25 protestuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protestuesit e opozitës hedhin molotov para Kryeministrisë, përplasje me policinë edhe para Kuvendit

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Dhjetëra kokteje molotov u hodhën në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë, gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita.

Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ndodhej në podium gjatë kohës që hidheshin koktejet me molotovë, të cilat rrezikuan forcat e rendit që ishin mbledhur kordon, në ruajtje të institucionit.

Gjithashtu protestuesit hodhën në drejtim të godinës së Kryeministrisë edhe një mori me fishekzjarrë.

Në përgjigje të lëndëve piroteknike të hedhura nga protestuesit, policia reagoi duke hedhur gaz lotësjellës si dhe ujë me presion përmes një autoboti, për të shpërndarë protestuesit.

Pas këtyre momenteve të tensionuara, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në drejtim të Kuvendit.

Pasi mbërritën para ambienteve të Kuvendit, pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, mes tyre edhe deputetë të PD-së si Luciano Boçi, Flamur Noka dhe Besart Xhaferri. Gjatë tensioneve, policia hodhi sërish gaz lotësjellës duke bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i bëri thirrje policisë që mos të prekë qytetarët.

“Mos merrni urdhra për të mbrojtur kartelet e drogës dhe korrupsionit, por bëhuni besnikë të qytetarëve dhe të ligjit dhe Kushtetutës. Çdo shërbim ndaj narkoshtetit është shërbim kundër shtetit. I bëj thirrje të bëjnë kujdes, mos të prekin asnjë qytetarë kjo është një protestë qytetare, është një revoltë qytetare. Arrestimet dhe shoqërimet tregojnë panik”, tha Noka.

Protesta e thirrur nga opozita përfundoi pas rreth tre orêsh ku pati edhe të shoqëruar nga policia pas akteve të dhunës.

Kjo ishte protesta e dytë kombëtare e PD-së në të cilën opozita kërkon largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

/m.q/r.e/ /a.g/

The post Protestuesit e opozitës hedhin molotov para Kryeministrisë, përplasje me policinë edhe para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të përmbysim këtë qeveri dhe të krijojmë një qeveri teknike

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e dytë kombëtare para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se po protestojnë për ndërgjegjen kombëtare si shqiptarë pasi “nuk duam që Shqipëria vithiset në honet e historisë, të shpopullohet dhe të ecë e sigurt drejt shkretimit nga banorët e saj”.

“Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor, se nuk mund të pranojmë kurrë që për karrigen e krimit të Edi Ramës, zgjedhjet tona të shndërrohen në opozitë”, tha Berisha.

Berisha shtoi se opozita proteston “se nuk mund të pranojmë kurrë që pasuritë publike, taksat e shqiptarëve, të plaçkiten nga një grup qeveritarësh, kurse shqiptarët të zhyten çdo ditë e me thellë në varfëri dhe mjerim”.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të përmbysin këtë qeverisë për të krijuar një qeveri teknike.

“Prandaj të dashur qytetarë dhe qytetare, sonte është thirrja e madhe, është ora jonë, të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja dhe të ndershme, për një vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për dinjitetin e tyre, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare, për ëndrrën e të rinjve shqiptarë në Shqipëri, për ligjin dhe Kushtetutën dhe barazinë para tyre.

“Për luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Për Shqipërinë që ecën e sigurt drejt integrimit në Evropë. Edhe njëherë u ftoj të bashkohemi, të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë rrugën në kilometrin e fundit, kilometrin e fitores”, tha ai në mbyllje të fjalës së tij gjatë protestës.

/m.q/r.e/

The post Berisha: Të përmbysim këtë qeveri dhe të krijojmë një qeveri teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Jemi në kilometrin e fundit, asgjë nuk na ndal drejt fitores

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e dytë kombëtare para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë fjalës së tij kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se sot opozita është në kilometrat e fundit dhe se asgjë nuk i ndal drejt fitores.

“Mesazhi im është ky, sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria”, tha Berisha.

Berisha i cilësoi vitet në opozitë si një “maratonë jo e lehtë”.

“Thuaj një kalvar-maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i Shqipërisë pa opozitë apo kallp-opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm për çdo çmim.

“Në këtë udhëtim ne u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe nga izolimi më i thellë arritëm në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët dhe partitë simotra në mbarë botën. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve.

“Ndaj dhe njëherë të dashur demokrate e demokratë, nuk jemi kurrë aty ku ishim, nuk jemi më në rrugë pa krye, nuk jemi në mjegullnajë, por jemi në kilometrin e fundit, jemi në agun e triumfit tonë.

“Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Edi Rama nuk ikën me farsë zgjedhore.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se diktatura nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore”, tha Berisha.

/m.q/r.e/

Protesta e PD, foto: Florian Abazaj & Andrin Hoxha
1 nga 6

The post Berisha: Jemi në kilometrin e fundit, asgjë nuk na ndal drejt fitores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kreu i KLGj-së vizitë studimore në KiE dhe GjEDNj në Strasburg

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, mori pjesë në një vizitë studimore të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg (Francë), në datat 20-22 janar. Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte marrja e përvojës lidhur me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjet mjedisore dhe zbatimin e vendimeve të GjEDNj-së që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë vizitës, Rusi zhvilloi takime me presidentin e Seksionit të Tretë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili mbulon çështjet për Shqipërinë, Ioannis Ktistakis, me kancelaren e kësaj gjykate, Marialena Tsirli, si dhe me gjyqtarin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Darian Pavli.

Gjithashtu, Rusi pati një takim me drejtorin e Divizionit të Programeve për Bashkëpunim të Këshillit të Evropës, Giovanni Battista Celiento.

Çështjet e diskutuara në këto takime ishin adresimi i gjetjeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, roli dhe marrja e masave nga KLGj-ja për uljen e çështjeve të prapambetura, si edhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore në Shqipëri.

Gjithashtu, gjatë vizitës, Rusi mori pjesë në një seancë gjyqësore në Dhomën e Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo vizitë studimore, ndër të tjera, shërbeu edhe për njohjen dhe shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë.

1 nga 2

/m.q/r.e/

The post Kreu i KLGj-së vizitë studimore në KiE dhe GjEDNj në Strasburg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD protestë kombëtare para Kryeministrisë

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e dytë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Një pjesë e protestuesve u grumbulluan tek selia e PD-së dhe së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, iu bashkuan protestës duke marshuar drejt bulevardit.

Përballë godinës së qeverisë, në podiumin e ngritur për protestën, eksponentë të PD-së mbajtën fjalimet para qytetarëve, pasi u luajt edhe himni kombëtar.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij tha se po protestojnë sepse “Shqipëria nuk e duron dot faktin të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe pronë të bandave të krimit të organizuar dhe që tallet me fatet e shqiptarëve”.

“Duhet ta shembim këtë pushtet, aty nuk është vendi i qeverisë, po i hajnisë që kafshon paratë e shqiptarëve. Shembja e tyre është detyra para historisë dhe vendit. Jemi këtu me një numër të madh protestuesish për të shprehur këtë revoltë dhe zemërim”, tha ai.

Deputeti demokrat tha se “kryeministri Edi Rama është armiku i shqiptarëve”. Sipas tij vendi ka një alternativë dhe ajo është Partia Demokratike. Boçi nënvizoi se fitorja e PD-së nuk vjen nga qielli, as nga ndërkombëtarët dhe as nga drejtësia hibride, por nga rezistenca.

“Nga këmbëngulja jonë, nga lufta jonë dhe qëllimi i kësaj lufte për ta çuar deri në fund. Historia ndryshohet nga njerëzit që luftojnë”, tha ai.

Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se kërkojnë liri, demokraci dhe një shtet ligjor me drejtësi të barabartë për të gjithë.

“Ky regjim që mbron interesat mafioze të pakicës, nuk mund të përfaqësojë më Republikën e Shqipërisë, ne do t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Sot jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politik. Duhet ta kthejmë lirinë në misionin tonë kombëtar”, tha ai.

Në tubim e morën fjalën edhe aktivistja Eva Metaj, aktorja Juli Emiri dhe kreu i departamentin Brain Gain Tedi Kopliku.

Gjatë ditës së sotme, pati prani të shtuar të policisë dhe ndërprerje të trafikut në disa rrugë kryesore të Tiranës. Sipas medieve, 1350 efektivë janë në terren.

Për të garantuar rendin publik dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit, policia ka ndërmarrë masa, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore.

(Vijon…)

/m.q/r.e/

The post PD protestë kombëtare para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌