Plani sektorial i ndërtimit: Nga 15 janari, kontrolle në terren për nëndeklarimin e pagave
Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore njofton se, pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar, do të nisin kontrollet në terren.
Kontrollet do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.
Fokus i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.
Bëjmë me dije se çdo tatimpagues, që deklaron paga nën nivelin e pagave indikative, apo që ndryshon profesionin e punonjësve me qëllim shmangien e deklarimit real të pagave, duke rrezikuar pagesën e kontributeve shoqërore dhe pensionin do të konsiderohet me risk dhe si i tillë do i nënshtrohet kontrollit nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin e saktë të pagave të punonjësve, me qëllim shmangien e masave administrative dhe ligjore.
Më poshtë mesazhi elektronik, që u është dërguar tatimpaguesve të identifikuar me risk në sektorin e Ndërtimit, datë 15.12.2025
Administrata Tatimore ka filluar zbatimin e planit në Sektorin e Ndërtimit (Procesi i ndërtimit dhe aktiviteteve ndihmëse të tij), me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve, por edhe masat për deklarim real dhe në kohë të detyrimeve tatimore.
Administrata Tatimore disponon të dhëna për Ju, të marra nga APT, Organet e qeverisjes vendore, Agjencitë imobilare, deklaratat tatimore, listëpagesat mujore, faturat e fiskalizuara të vetëdeklaruara, ajo që furnitorët tuaj deklarojnë për furnizime mallrash dhe shërbimesh ndaj jush, etj.
Administrata Tatimore ju nxit të përmbushni detyrimin në lidhje me:
- Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar
- Deklarimin real të pagave mbi bazën e profesionit dhe tregut të Punës *
- Për cdo shitje/transaksion të kryer nga ana juaj lëshimin e faturave te fiskalizuara me NIVF/ NSLF (përfshirë edhe parapagimet)
- Blerjen e çdo malli/shërbimi me faturë të rregullt tatimore
- Deklarimin me saktësi e të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit
- Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambjenteve
- Përdorimin vetëm të softëare-ve të çertifikuara të fiskalizimit
Mospërmbushja e pikave të mësipërme dhe çdo sjellje mospërmbushëse me qëllim shmangien tatimore që vihet re në analizat e Administratës Tatimore, Ju kategorizon si subjekt me risk, ndaj do të ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese nga ana e strukturave te Aministratës Tatimore.
Ndërsa mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese.
Mbetemi me besimin se Ju do ta vlerësoni dhe mirëkuptoni këtë thirrje, e cila ka si qëllim jo vetëm uljen e informalitetit në ekonomi, por gjithashtu për të vendosur drejtësinë sociale ndaj punonjësve tuaj.
Tatimet publikojnë pagat referencë për sektorin e ndërtimit, jo më pak se…
The post Plani sektorial i ndërtimit: Nga 15 janari, kontrolle në terren për nëndeklarimin e pagave appeared first on Revista Monitor.


