Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Katër të vrarë dhe 19 të plagosur pas një sulmi masiv rus

Të paktën katër persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën në Kiev, pasi Rusia ndërmori një sulm masiv me raketa dhe dronë në mbarë Ukrainën gjatë natës, njoftuan sot autoritetet.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Kliçko, tha se mes viktimave ishte edhe një mjek, ndërsa katër punonjës shëndetësorë mbetën të plagosur.

”Infrastruktura kritike u godit gjatë sulmit dhe disa zona të qytetit mbetën pa energji elektrike ose pa ujë”, shkroi Kliçko.

Në perëndim të vendit, Komanda Perëndimore e Forcave Ajrore të Ukrainës bëri të ditur se një sulm rus ndaj qytetit të Lvivit u krye me një raketë balistike të paidentifikuar.

Sipas ushtrisë ukrainase, raketa u lëshua nga zona e testimit ”Kapustin Jar” në Rusi, një pikë e njohur lëshimi për raketat balistike “Oreshnik”.

Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi tha se aktualisht nuk dihet nëse bëhej fjalë për një raketë “Oreshnik”.

EMRAT/ Pjesë të grupit kriminal të trafikut të drogës, SPAK dërgon për gjykim dy të pandehur

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, më 8.1.2026, kërkesën për gjykimin e procedimit penal, nr.296 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurve, Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku.

Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Procedimi penal nisi mbështetur në kërkesën e autoriteteve gjyqësore italiane, konkretisht Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Drejtoria e Distriktit Antimafia.

Sipas kërkesës, kjo prokurori po hetonte për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, aktivitet që drejtohej nga një grup kriminal, ku bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë, të cilët vepronin në Shqipëri (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador dhe Panama), Itali (provinca e Pizës, Piemontes dhe Trevizos).

Procedimi penal në Itali nisi pas një kontrolli të kryer nga Guardia di Finanza i Livornos, në periudhën 7-9 mars 2021, gjatë të cilës u identifikuan shtetas me origjinë shqiptarë, të kapur në flagrancë gjatë operacioneve për nxjerrjen e një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine, në portin e afërt të Labronikos (Livorno).

Veprimet hetimore

Përmes veprimeve të fshehta me mjete teknike (pergjimeve telefonike dhe ambientale dhe gjurmimit gjeografik GPS), si dhe hetimeve tradicionale (vëzhgimeve, kontrolleve, ndjekjes, rregjistrimeve video, monitorimit të mjeteve të transportit dhe shkëmbimeve të informacioneve) – u bë e mundur identifikimi i veprimtarisë kriminale të grupit dhe personave të përfshirë.

Hetimet në Itali u kryen në kuadët të Skuadrës së Përbashkët Hetimore dhe verifikimeve, vëzhgimeve, përgjimeve të përsonave të përfshirë në këtë veprimtari, të cilit hynin dhe dilnin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga këto hetime u mblodhën prova që vërtetonin ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal, qëllimi i të cilit ishte importi dhe shpërndarja e kokainës në tregun italian.

Anëtarë të grupit janë shtetasit shqiptarë dhe italianë:

Albert Turja, Roland Turja, Alfred Veshti, Klodian Veshti, Maksim Ndoci, Luca Koci, Aurel Zhupa, Ionut Pislariu, Errico D’Ambrosio, Vincenzo Di Corso, Mario Spiritoso, Fabio Consale.

Ata kishin organizuar një strukturë kriminale duke marrë ngarkesa të konsiderueshme kokaine në portin e Livornos, të cilat vinin nga porti i Guayaquilit në Ekuador. Ndërsa sasia blihej në Kolumbi dhe ishte destinuar për anëtarë të grupeve të shumta kriminale, me anëtarë, kryesisht shqiptarë, rumunë dhe italianë.

Episodet e sekuestrimit të lëndës narkotik

19.7. 2021, në magazinën Interpair në Guasticce (LI), – rreth 28 kg kokainë neto (pesha bruto 33.8 kg);
24.8.2021, në portin e Livornos (LI), – mb 70 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 84 kg);
22.11.2021,në kufirin tokësor të Gaggiolo (VA) – rreth 11.7 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 12 kg). Këtu u krye edhe arrestimi i korrierit të drogës Alberto Brandi, (i cili u ndoq penalisht veçmas);
2.3.2022, mbi 140 kg kokainë (pesha bruto mbi 158.5kg) në magazinën Reefer në portin e Livornos (LI).
5.4.2022, në Frattamaggiore (NA) – mbi 400 kg kokainë (pesha bruto mbi 489kg).
16.4.2022, në Guidonia (Romë) – mbi 84.5 kg kokainë neto (me një peshë bruto prej 1,110.5 kg);
30.6.2022, në Ostia – mbi 4 kg kokainë neto, pjesë e një dërgese prej 32 kg.
9.3.2022, në Guabo, një qytet pranë portit të Guayaquilit në Ekuador – 150 kg kokainë neto (mbi 169 kg bruto).

Përgjegjësia penale e të pandehurve

Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, autoritetet italiane kanë kërkuar ndjekjen penale në Shqipëri për shtetasit Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, për të cilët çështja është dërguar për gjykim më datë 8.1.2026.

Për të pandehurin Maksim Ndoci, provohet përfshirja në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto, të sekuestruar më 2.3.2022 në portin e Livornos, si dhe roli i tij i rëndësishëm në rekuperimin e një sasie prej rreth 120 kg kokainë bruto, të ardhur nga Ekuadori më 11.1.2022.

Për të pandehurin Juljan Kollçaku, provohet përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të ardhur në portin e Livornos më 14.3.2022, e sekuestruar më 5.4.2022 në Frattamaggiore (Napoli), si dhe në importimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kg neto më 30.6.2022 në Ostia.

Përmbytjet/ Çupi: Menaxhim i mirë i situatës nga qeveria. Akuzat e opozitës? “Ngre veshët” në kohën e fatkeqësive

Analisti Frrok Çupi komentoi në “NewsLine” në ABC News, situatën e përmbytjeve në vend. Sipas tij qeveria ka bërë një menaxhim të mirë të situatës, ndërsa theksoi se kushtet atmosferike ishin shumë të vështira.

Më tej nënvizoi se shteti ishte aty për qytetarët, si edhe  ministrat ishin në zonat më problematike.

“Menaxhimi ka pasur disa cilësi ndryshe nga herët e tjera të përmbytjeve. Reshjet qenë shumë më të larta kushtet atmosferike ishin në disfavor. U ndodhëm thuajse para mëkateve tona. Ky ishte problemi më i madh që doli në pah. Sigurisht që do ketë edhe mbështetje nga qeveria. Mbaj mend për përmbytjet në 2012 te përmbytjet në Shkodër, ka qëndruar edhe dy muaj më pas në ujë. Këtë herë shteti u përball domosdoshmërisht me ndihmën ndaj shtetasve të vet. Forcat e natyrës vendosën ligjin këtë herë”, tha ai.

Po ashtu tha se është koha për të bërë një ndryshim rrënjësor që situata të tilla të jenë të menaxhueshme dhe se të jemi përballë kësaj situate sa herë bie shi.

“Është koha për të bërë një ndryshim rrënjësor për mbrojtjen e qytetarëve”, tha ai.

Sa i përket akuzave të opozitës, Çupi tha se shfrytëzoi situatës dhe se ka për qëllim të përfitojë politikisht.

“Është zakon i kësaj pjese të politikës që gjithë kohës i ka ngritur veshët në kohën e fatkeqësive. Kemi parasysh këtu edhe tërmetin. Proporcionaliteti është shuar në këtë rast, proporcionaliteti në mungesë, praktikisht opozitarit po i mungon opozita. Pra qytetarit i mungon alternativa pavarësisht se voton qeverinë”, tha më tej Çupi.

/abcnews.al/

Stjuardesa që sfidoi veten dhe u rikthye në skenë. Rrëfimi i Blerina Matrakut pas 14 vitesh heshtje

E ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Blerina Matraku u rikthye me një histori frymëzuese për rrugëtimin e saj mes muzikës, punës dhe zgjedhjeve personale. Ajo tregoi se këngën e ka nisur që e vogël, në koncertet modeste që zhvilloheshin në Krujë. Studimet e larta i ka kryer në Elbasan, ku hodhi edhe hapat e parë në skenën e Teatrit “Skampa”.

Pas ardhjes në Tiranë, nevoja për një punë të qëndrueshme e çoi drejt profesionit të stjuardesës. Blerina rrëfeu se kënga ka qenë gjithmonë profesioni i saj i parë, por për ta mbështetur ka bërë edhe punë të dyta. Për katër vite ajo punoi si stjuardesë, një eksperiencë të vështirë, por që e ka dashur shumë. Paralelisht, ajo u formua si përkthyese e gjuhës franceze, profesion për të cilin ka përfunduar studimet. Edhe pse ka kënduar në frëngjisht, ajo pranon se vetvetja e saj artistike është në gjuhën shqipe. Duke folur për jetën personale, Blerina u shpreh se është mirë me veten e saj dhe nuk e sheh beqarinë si problem.

Pas 14 vitesh pauzë nga garat muzikore, ajo u rikthye në “Kënga Magjike” me këngën “Mama”. Vendimi për pjesëmarrjen erdhi falë mbështetjes së familjes dhe veçanërisht vëllait të saj. Ky rikthim, sipas saj, ishte një revolucion personal dhe artistik.

Blerina pranoi se ishte stilisti Joni Peçi ai që e ndihmoi të guxojë më shumë edhe në pamje. Ajo u tërhoq për vite me radhë nga skena, sepse ndjente se po përsëriste veten dhe kishte nevojë të kuptonte çfarë mund të sillte ndryshe. Rikthimi i saj sot vjen si një kapitull i ri, më i pjekur dhe më i sinqertë se kurrë.

Gëzuar 2026-ën me zogjtë e Shqipërisë, kalendari që lidh artin me natyrën

I ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Ilir Ciko fotograf i botës së egër dhe ekspert ekonomie, prezantoi një projekt të veçantë që i dedikohet zogjve të rrallë mbi qiellin shqiptar.

Ai ka përgatitur një kalendar për vitin 2026 me fotografi të shkrepura ekskluzivisht në Shqipëri, në mbështetje të Shoqatës Mjedisore për Shpendët. Të gjitha të ardhurat nga kalendari, kanë shkuar për AOS, ndërsa shpenzimet i ka mbuluar vetë autori.

Ciko tregoi se fotografimi i shpendëve në fluturim është një nga teknikat më të vështira, por edhe më emocionueset. Sipas tij, shpendët e tërheqin sepse janë jetikë, lëvizin vazhdimisht dhe kanë një botë komplekse familjare. Ai shpjegoi se muajt mars dhe prill janë një “korridor” migrimi, ku shumë shpendë kalojnë nëpër Shqipëri. Shumë prej fotografive janë realizuar pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një zonë që fsheh surpriza të mëdha natyrore. Ciko pranoi se nuk i njeh gjithmonë të gjitha speciet në momentin e fotografimit, por i studion më pas.

Miqtë e tij shpesh habiten kur mësojnë se shpendët më të bukur “pozojnë” në zemër të Tiranës. Përveç fotografisë së botës së egër, ai ndan pasionin edhe për wind surfing. Në kërkim të erës dhe dallgës perfekte, Ilir Ciko eksploron edhe detet shqiptare, duke e kthyer natyrën në burim frymëzimi të vazhdueshëm.

Shpërndanin lëndë narkotike, arrestohen 2 të rinj në Lezhë

LEZHË- Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Terreni”. Gjatë aksionit janë goditur nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, 2 raste të tjera të shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa, në sasi dhe në doza.

Ndërsa në pranga janë vënë 2 shtetas. Këta persona u arrestuan në zonën e kalasë dhe në fshatin Manati.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës informative, të kryera me objektiv evidentimin dhe goditjen e rasteve të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” finalizuan operacionin e koduar “Terreni”, në kuadër të të cilit u konstatuan 2 raste të tjera të posedimit të Cannabis Sativës, me qëllim shitjen në sasi dhe në doza. Konkretisht, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, u arrestuan në flagrancë: -në fshatin Manati, duke lëvizur me automjet, për të shitur doza Cannabisi, shtetasi 22 vjeç, banues në Lezhë dhe në zonën e kalasë së Lezhës, shtetasi 27 vjeç, banues në Kurbin, i cili kishte me vete një sasi Cannabisi, dyshohet me qëllim shitjen”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet/ Bllokohet aksi Leskovik-Përmet

Në aksin rrugor Leskovik – Përmet, në zonën e fshatit Petran si pasojë e çedimit të shtratit të rrugës qarkullimi i mjeteve është plotësisht i pamundur.

Për arsye sigurie, njoftohet se ky aks rrugor do të mbetet i bllokuar deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë vendi është përfshirë prej katër ditësh nga reshje ë dendura të shiut. Si pasojë, përmbytje masive janë regjistruar në gjithë territorin e vendit duke shkaktuar dëme në banesa e biznese. Në Durrës një ditë më parë u raportua edhe një viktimë nga moti i keq.

Gjithashtu ka pasur bllokime në disa akse në vend si pasojë e rrëshqitjes së dherave si edhe inerteve të rëna në rrugë.

Këtë të premte u zhvillua edhe mbledhja e Emergjencave Civile, drejtuar nga kryeministri Edi Rama ku shpalosën të gjitha problematikat si edhe masat për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.

Goditi me thikë bashkëmoshatarin, arrestohet 18-vjeçari në Tiranë

Është arrestuar një 19-vjeçar për plagosje. Sipas policisë, njoftohet se 19-vjeçari goditi me thikë një 18-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, në bazë të informacioneve të siguruara, kanë organizuar punën dhe në kuadër të operacionit të koduar “Catch”, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin E. R., 19 vjeç.”, thuhet në njoftim.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 23.11.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës një 18-vjeçar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Protesta të mëdha antiqeveritare në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit

Protestues të shumtë kanë marshuar nëpër kryeqytetin e Iranit dhe qytete të tjera.

Protestuesit bënë thirrje për rrëzimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe kthimin e Reza Pahlavi.

Ishte dita e 12-të radhazi e trazirave që janë shkaktuar nga pakënaqësia për rënien e monedhës iraniane përballë dollarit dhe janë përhapur në më shumë se 100 qytete dhe qyteza në të 31 provincat e Iranit, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA ka thënë se të paktën 34 protestues – pesë prej tyre fëmijë – dhe tetë personel sigurie janë vrarë, dhe se 2,270 protestues të tjerë janë arrestuar.

Situata e përmbytjeve në Korçë, ekipet e OSHEE në terren për riparimin e defekteve në zona të ndryshme

Në qarkun e Korçës raportohet se ekipet e OSHEE janë në terren për të bërë të mundur rikthimin e energjisë në zonat ku ka problematika. Raportohet se situata prek drejtoritë rajonale Korçë, Maliq, Pogradec dhe Ersekë, ndërsa Bilishti nuk raporton problematika.

Si pasojë e reshjeve të shiut, argjinatura e lumit Devoll vijon të jetë e çarë, duke bërë që rreth 3,600 ha tokë bujqësore në fushën e Maliqit të jenë nën prezencën e ujit.

Gjithashtu edhe argjinatura e lumit Devoll vijon të jetë e çarë, duke bërë që rreth 3,600 ha tokë bujqësore në fushën e Maliqit të jenë nën prezencën e ujit.

Ndërsa nga reshjet e borës nuk raportohen problematika.

Në përgjithësi, akset rrugore janë të hapura.

Aksi Qafë Plloçë – Qukës, vijon puna për pastrimin e inerteve aksi mbetet ende i bllokuar.

Në rrugën e fshatit Dardhas bashkia po punon për krijimin e një bypass-i.

Rruga në fshatin Denas vijon e bllokuar do të ndërhyhet nga bashkia sapo të ulet niveli i ujit.

Njoftimi i plotë

ARRSH – Drejtoria Qendër-Lindje

Ersekë – Leskovik puna ka vijuar gjatë natës është kryer kriposja për shkak të ngricave. Qarkullimi lejohet me goma dimërore dhe zinxhirë.

Maliq – kufiri me Gramshin situata paraqitet pa probleme ka vijuar kontraktori me kriposje qarkullimi normal.

Korçë – Ersekë (km 3) dhe Zëmblak – Goricë e Bilisht – Miras (km 6) është vijuar me kriposje qarkullimi vijon me goma dimërore.

Boboshticë – Dardhë, gjatë natës janë regjistruar temperatura të ulëta është kryer kriposja në të gjithë segmentin.

Informacione nga bashkitë

Bashkia Pogradec:

Vijon problematika e rrugës së Dardhasit, ku po punohet për ta bërë të kalueshme. Në njësitë Sterkanj, Dardushë, Nicë, Osnat dhe Lekas raportohen ndërprerje të energjisë elektrike. Në fshatin Dardhas, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu, është dëmtuar një banesë, e cila për momentin është e pabanueshme.

Bashkia Devoll: Në fshatrat Maçurisht, Progër dhe Cangonj, uji është tërhequr plotësisht situata është normalizuar dhe nuk raportohen probleme të tjera.

Bashkia Kolonjë: Ka ngrirje të rrugëve strukturat e bashkisë po punojnë në terren. Procesi mësimor ka filluar normalisht në shkollat e qyteteve Ersekë dhe Leskovik, ndërsa nuk ka filluar në fshatrat Shtikë, Starje, Mesiçkë dhe Qafëzez. Janë marrë masa për sigurimin e ngrohjes. Nuk ka probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Bashkia Maliq

Në territorin e Njësisë Administrative Gorë janë konstatuar problematika:

Në fshatin Velçan janë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore.

Rruga e fshatit Senisht është dëmtuar një segment i saj është i batisur dhe aktualisht i pakalueshëm për mjetet.

Në fshatin Dolan janë shënuar rrëshqitje dherash, si pasojë e të cilave rruga është e bllokuar. Gjithashtu, është dëmtuar rrjeti i ujësjellësit.

Probleme në qarkullim janë konstatuar edhe në rrugët e fshatrave Strelcë, Zvarisht dhe Lozhan Lartë, ku ka prani të dëborës dhe kalimi i mjeteve kryhet me vështirësi.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse për ndërhyrje deri në normalizimin e gjendjes, garantimin e qarkullimit rrugor dhe rikthimin e shërbimeve bazë.

Është dëmtuar argjinatura e kanalit kryesor në fshatin Leminot, si dhe është shkatërruar plotësisht një urë.

Gjithashtu, është dëmtuar segmenti rrugor Kakaç – Vërçun, ku për shkak të rrëshqitjeve të tokës është dëmtuar edhe ushqyesi i rezervuarit Vërçun – Podgorie.

Strukturat e e mbrojtjes civile dhe shërbimet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të qarkullojnë vetëm me goma dimërore ose zinxhirë, për shkak të ngricave të pranishme në disa segmente rrugore.

“Procesi i zhdëmtimit të jetë i drejtë dhe efikas”/ Rama: Deputetët të jenë të pranishëm në zonat e tyre, pranë njerëzve dhe jo zgjedhësve!

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e emergjencave civile, ndërsa foli për situatën e përmbytjeve duke renditur të gjitha masat e marra për këtë situatë dha edhe një mesazh për deputetët.

Rama tha se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm në zonat e tyre në mbështetje të qytetarëve, kudo ku ka problematika.

“Në bashkëpunimi me mbrojtjen, infrastrukturën apo ministrinë e Bujqësisë do të bëjmë që çfarë është programuar për vitin 2026 të riprogramohet edhe për të adresuar këto pika ku kanë ndodhur ndërtimet. Do të çojmë deri në fund të gjithë procesin e kësaj infrastrukture. Mjafton të shikosh të gjithë hektarët e mbuluar nga uji sot dhe në të kaluar për të kuptuar ndryshimin e pakrahasueshëm. Një cikël i dytë ndërveprimi do bëhet përmes autoriteteve të pranishëm dhe kryetarëve të bashkive. Deputetët të jenë të pranishëm në të gjithë zonat e tyre ndaj përkujdesjes ndaj njerëzve, jo zgjedhëseve. Të bëjmë të mundur që gjithë procesi i zhdëmtimit të jetë sa më i plotë , i drejtë dhe sa më efikas”, tha ai.

 

Evakuohen banorët në Durrës/ Ministrja Koçiu në fshatin Vardardhë: Do trokasim në çdo derë

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka ndjekur nga afër zhvillimet në Durrës, fshatin Vadardhë ku edhe ka nisur plani i evakuimit të banorëve.

Ministrja Koçiu u bëri thirrje banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.

“Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të aramatosura. Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident”, tha Koçiu.

Sipas saj “ekipet e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Shërbimeve Zjarrfikëse, Mbrojtjes Civile dhe strukturave vendore janë në terren, në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë çdo familjeje dhe çdo qytetari të prekur nga situata e reshjeve”.

Niveli i ujit mbi urën e vjetër të Mifolit, policia ndalon lëvizjen

Niveli i ujit ka kaluar mbi urën e vjetër të Mifolit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Në këtë mënyrë për shkak të situatës problematike, policia ka ndaluar lëvizjen në urën e vjetër të Mifolit.

Situata mbetet shqetësuese, ndërsa ekipet e Emergjencës më herët kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në Novoselë, Ferras dhe Katund i Ri.

Rrugët në Elbasan të kalueshme/ 5 fadroma, 2 borëpastruse dhjetëra punonjës të angazhuar për pastrimin e akseve

Të gjitha rrugët në fshatrat e Bashkisë Elbasan janë të hapura. Megjithëse është punuar gjatë gjithë ditës me 5 fadroma, 2 borëpastruse,  4 komionë dhe 3 forisdrada dhe dhjetëra punonjës, reshjet e dëborës po e vështirësojnë shumë punën e ekipeve.

Nisur nga kjo, dhe nga fakti që nata do të sjellë ulje të mëtejshme të temperaturave, këshillohen drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë të pa pajisur me zinxhirë në akset rrugore Elbasan-Gjinar, Elbasan-Labinot Mal, Elbasan- Gracen dhe Elbasan- Funar.

Aktualisht jemi të pozicionuar për pastrimin e rrugëve në Mollagjesh, Zavalinë dhe rrugët e fshatrave me qendrën e njësisë Labinot Mal.

Bashkia Elbasan u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përkatëse.

Pavarësisht se shiu vazhdon me intensitet në qytet dhe zonat e ulëta, nuk ka problematika të mëdha.

“Jeta, mbi gjithçka”/ Përmbytjet, reagon Begaj: Ndjek me shqetësim situatën. Apel qytetarëve të bashkëpunojnë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në vend. Presidenti i Republikës është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve.

Kreu i Shtetit fton qytetarët të mirëkuptojnë dhe bashkëpunojnë me ta me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja.

Presidenti i Republikës fton në mënyrë të veçantë banorë në zonat e përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për evakuim të shpejtë dhe të sigurt.

Në këto momente të vështira jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka.

Siria urdhëron qytetarët të evakuohen nga Alepo shkaku i përleshjeve të dhunshme

Autoritetet siriane u kanë kërkuar qytetarëve të largohen nga një zonë e kontestuar në qytetin verior të Alepos. Autoritete siriane për të dytën ditë kanë hapur një korridor që ata të evakuoheshin, ndërsa përleshjet vazhduan midis qeverisë dhe forcave kurde.

Qeveria e provincës së Alepos u ka dhënë banorëve afat deri në orën 13:00 sipas orës lokale për t’u evakuuar në koordinim me ushtrinë.

Agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar ushtrinë, ka thënë se ushtria do të fillonte “operacione të synuara” kundër Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët në lagjet Sheikh Maqsoud, Achrafieh dhe Bani Zaid, gjysmë ore pas këtij afati.

Associated Press ka raportuar për të shtëna sporadike ndërsa civilët dilnin nga zona të enjten në mëngjes.

VIDEO/ Grabitet një market në Tiranë, autori i maskuar dhe me thikë në dorë kërcënon shitësen dhe merr paratë

Në grabitje ka ndodhur në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga “ABC News”, një person futen në ambientet e një marketi, me një thikë në dorë, kërcënon shitësen dhe marr paratë.

Më pas autori largohet menjëherë.

Rreth 50 familje të izoluara/ Çarja e argjinaturës së lumit Drojë, situatë problematike në Dukagjin të Ri dhe Miliska

Çarja e argjinaturës së lumit Drojë, ka sjellë situatë kaotike në fshatin Dukagjin i Ri dhe Miliska.

Rreth 50 familje në dy fshatrat ndodhen nën pushtetin e ujit, banorët janë të izoluar në banesa, sakaq situata vijon e rënduar nga rritja e nivelit të ujit.

Sa mësohet në fshatin Miliska të Krujës, një stallë bagëtish të imta, janë përfshirë nga rrjedha e ujit.

Evakuime në Novoselë e Ferras/ Rama: Monitorim i plotë nga ekipet e emergjencave

“Situata në Njësinë Administrative Novoselë vijon të jetë në monitorim të plotë nga ekipet e Bashkisë Vlorë dhe institucionet e tjera shtetërore, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, nga reshjet e rëna gjatë natës dhe në orët e fundit”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama, ndërsa ka reaguar për situatën e përmbytjeve në vend, evakuimeve dhe strehimeve të banorëve të prekur.

Gjithashtu Rama nënvizon se Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të emergjencave civile, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat Armatosura, ka angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme në terren dhe ndodhet në gatishmëri të plotë për të asistuar banorët. Autoritetet janë në gatishmëri, si në rast nevoje për evakuim, ashtu edhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive.

Bashkia u bën thirrje banorëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, deri në normalizimin e situatës.

Ndërsa njoftohet se janë vënë në dispozicion edhe numrat për çdo situatë emergjente:
Emergjencat Civile
+355 69 213 9738
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike
+355 69 541 9296
Ujësjellës-Kanalizime
+355 69 572 3432

Babë, bir dhe një kukull që “flet”: Dinastia Bushi që mahniti SHBA-në dhe po çmend Shqipërinë

Nga një fshat i varfër pranë Kavajës, tek skenat më të mëdha amerikane. Nga një monedhë e fshehur në pëllëmbë, tek një kukull që flet, ironizon dhe “flirton” live para publikut. Dinastia e prestidigjitatorëve Bushi është një histori që tingëllon si truk, por është realitet i pastër.
Në studion e ABC e Mëngjesit, Dashnor dhe Nikolas Bushi, baba e bir, treguan jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës, artin e iluzionit dhe aventurën unike të ventrilokizmit, një disiplinë pothuajse e panjohur më parë në vendin tonë.
Nikolas Bushi, djali që “flet me bark”, u shndërrua në sensacion në finalen e Albania’s Got Talent. Në krah të tij është gjithmonë Chris, kukulla që nuk kursen sarkazmën dhe batutat.
“Bukuria e këtij arti është që sarkazmën nuk e bëj unë, por Chris”, thotë Nikolas.
“Unë dhe Chris flirtojmë bashkë, por për gjëra serioze vendos vetë”, shton ai me humor, duke sqaruar se asnjë personazh nuk del jashtë kontrollit të tij.
Nikolas rrëfen se ideja për këtë art lindi 8 vite më parë, e frymëzuar nga America’s Got Talent, dhe sot ndihet i lumtur që po kontribuon në përhapjen e ventrilokizmit në Shqipëri. Madje, projekte surprizë janë në horizont, mes tyre edhe një bashkëpunim i mundshëm me Terry Fator, një nga ikonat botërore të këtij arti.
Pas suksesit të djalit qëndron “dora” e Dashnor Bushit, i cili edhe vetë ka kaluar një jetë të tërë mes trukeve e numrave të shpejtësisë e iluzionizmit.
Pas disa vitesh në Itali, rruga e jetës e çoi në Shtetet e Bashkuara, ku sot jeton me gruan dhe fëmijët, me një kalendar të ngjeshur shfaqjesh në shtete të ndryshme amerikane.

❌