Kjo anije gjenerator energjie asnjë lidhje me projektin HAARP
Pretendimi: Kjo video tregon projektin HAARP, një “fabrikë lundruese e tornadove dhe fatkeqësive të ndryshme.”
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————-
Video e një anijeje që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon famëkeqin projektin HAARP, një “fabrikë lundruese e tornadove dhe fatkeqësive të ndryshme.”

Si zakonisht, nuk sillet asnjë provë, burim, apo referencë që mbështet pretendimin e jashtëzakonshëm.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Youtube në vitin 2016 me titullin “Stacioni elektrik lundrues Osman Khan në Detin e Zi, Kantieri Detar i Tuzla.”

Anija e mësipërme, e quajtur Osman Khan, nuk ka të bëjë fare me projektin HAARP. Ajo është një anije me motor që prodhon energji elektrike dhe i përket kompanisë Karadeniz, e cila zotëron një flotë të madhe anijesh të tilla.
Ajo ka aftësinë të gjenerojë 470 Mw energji elektrike, të mjaftueshme për të furnizuar me energji afërsisht 235 mijë shtëpi (duke supozuar një përdorim mesatar prej 2 kw për shtëpi gjatë 24 orëve).
Më 13 nëntor 2016, anija Osman Khan, lundroi për në Gana në një ceremoni ku morën pjesë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, dhe zyrtarë të tjerë turq. Ajo u ngarkua me detyrën për të furnizuar me energji elektrike rrjetin elektrik në Gana.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
The post Kjo anije gjenerator energjie asnjë lidhje me projektin HAARP appeared first on Faktoje.al.
























































