Spasovski: Në LSDM të kthehet dialogu, përjashtimet vetëm se do ta dobësojnë partinë

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Oliver Spasovski u shpreh i habitur me faktin që para kongresit të sotëm të partisë nuk është mbajtur mbledhje e këshillit qendror të partisë për të diskutuar raporti i punës së kongresit edhe pse kjo paraprakisht ishte paralajmëruar për më 16 janar.
“Nëse vazhdohet praktika që ishte deri tani, nuk premtohen rezultate dhe suksese. Për këtë janë kongreset këtu që të bëhen rikthime, të ofrohet platformë dhe të bashkohen njerëzit. Duhet të shtrijmë dorën njëri tjetrit. Në parti duhet të mbizotërojë dialogu e jo përjashtimi. Unë gjithnjë jam për bashkim e jo për ndarje. Bashkimi forcon partinë e përjashtimet vetëm e dobësojnë partinë”, tha Spasovski.
Spasovski komentoi dhe pranoi gabimin që bënë në vitin 2023 kur udhëhiqnin me Qeverinë, e kur mundësuan ndryshime të kodit penal veçanërisht të nenit 353 me të cilat u amnistuan shumë funksionarë dhe kohë pas kohe iu vjetërsonin lëndët gjyqësore.
“Fakt se ishte gabim i bërë në kohën e LSDM-së e të cilin ende edhe sot nuk mund ta kuptoj. Edhe atëherë pyesja njerëzit që sillnin vendimet, nuk kishte asnjë arsyetim që mund të më bindë pse u bënë ato ndryshime. Ky është një nga shkaqet pse LSDM i humbi zgjedhjet dhe qytetarët dënuan seriozisht partinë. Tani pushteti aktual propozoi ndryshime dhe ne dorëzuam nëntë amandamente por asnjë nuk u pranua”, tha Spasovski.






































