Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

RUSI – Kremlini: Trumpi kërkoi nga Putini të ndalojë sulmet në Ukrainë për një javë

MOSKË, 30 janar /ATSH-AA/ – Kremlini ka konfirmuar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërkoi nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, të ndalojë sulmet në Ukrainë për një javë për shkak të motit jashtëzakonisht të ftohtë.

“Në të vërtetë, presidenti Trump i bëri kërkesë personale presidentit Putit që të përmbahet nga sulmet ndaj Kievit për një javë, deri më 1 shkurt, në mënyrë që të krijohen kushte të favorshme për negociata”, u tha gazetarëve Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Peskov nuk pranoi të tregojë nëse Putini është dakord me kërkesën, duke u shprehur: “Nuk kam asgjë për të shtuar në atë që tashmë është thënë”.

Dje, presidenti Trump gjatë një takimi të kabinetit tha se ai “kërkoi personalisht” nga homologu i tij rus të mos qëllojë mbi Kievin dhe qytete të tjera ukrainase për shkak të kushteve të motit “jashtëzakonisht të ftohtë”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy më vonë në rrjetet sociale falënderoi presidentin Trump, duke njoftuar se çështje u diskutua gjatë bisedimeve në kryeqytetin Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe më 23 dhe 24 janar.

Sot më herët, Zelenskyy u tha gazetarëve se Ukraina është e gatshme të ndërpesë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse nëse Moska vepron në të njëjtën mënyrë, por theksoi se nuk ka pasur dialog ose marrëveshje të drejtpërdrejtë midis Kievit dhe Moskës për këtë çështje.   /os/

The post RUSI – Kremlini: Trumpi kërkoi nga Putini të ndalojë sulmet në Ukrainë për një javë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – NYT: Irani ka dështuar në përparimin e programit bërthamor që nga konflikti i qershorit 2025

NJU JORK, 30 janar /ATSH-AA/ – Pretendohet se ka “indikacione të kufizuara” që Irani ka bërë përparim të konsiderueshëm në ristrukturimin e programit të tij bërthamor që nga përplasjet e qershorit 2025.

New York Times (NYT) përpiloi një analizë nga intervistat me zyrtarë amerikanë dhe evropianë si dhe grupe të pavarura që monitorojnë programin bërthamor të Iranit.

Sipas kësaj analize, administrata e Teheranit nuk e ka avancuar ndjeshëm programin e saj bërthamor që nga përplasjet që shpërthyen me sulmet izraelite më 13 qershor.

Në këtë kontekst, u sugjerua se ka “indikacione të kufizuara” se Teherani ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt rindërtimit të kapacitetit të tij të pasurimit të karburantit bërthamor dhe zhvillimit të kokave bërthamore në gjashtë muajt e fundit.

Pretendohet se agjencitë e inteligjencës besojnë se uraniumi i pasuruar në tre objektet bërthamore në Natanz, Fordo dhe Isfahan, të cilat u goditën gjatë përplasjeve, është “ende i varrosur dhe i paprekur”, duke e bërë kështu të pamundur që Irani të prodhojë shpejt armë bërthamore.

Pavarësisht kësaj, pretendohet se Teherani ka rritur punën e gërmimit në objektet bërthamore pranë Natanz dhe Isfahan.

Wall Street Journal (WSJ) pretendon se presidenti i SHBA-së, Donald Trump u informua mbi opsionet e mundshme të sulmit kundër Iranit, të përgatitura bashkërisht nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes (Pentagoni).

Thuhet se këto opsione përfshinin një “plan të madh” që përfshinte një bombardim në shkallë të gjerë që synonte objektet që i përkisnin regjimit iranian dhe Korpusit të Gardës Revolucionare.  /os/

The post SHBA – NYT: Irani ka dështuar në përparimin e programit bërthamor që nga konflikti i qershorit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermania kalon shifrën e tre milionë të papunëve

BERLIN, 30 janar /ATSH-ANSA/ – Numri i të papunëve në Gjermani kaloi shifrën e 3 milionëve në muajin janar, treguan shifrat zyrtare, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 6.6%.

Agjencia Federale e Punësimit regjistroi 3 085 milionë të papunë, 177 000 më shumë se muaji i kaluar dhe 92 000 nga janari i vitit 2025.

Shifra është më e larta e parë në muajin janar që nga viti 2014, ndërsa numri i të papunëve kaloi 3 milionë në gusht për herë të parë në më shumë se 10 vjet.

Krahasuar me dhjetorin, shkalla e papunësisë u rrit me 0.4 pikë përqindjeje në 6.6%.   /os/

The post BERLIN – Gjermania kalon shifrën e tre milionë të papunëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Risi shkencore: Terapia e trefishtë mposht kancerin e pankreasit në modelet eksperimentale

MADRID, 30 janar /ATSH-ANSA/ – Shpresa e re nga kërkimi për kancerin e pankreasit vjen nga Spanja.

Mariano Barbacid, drejtor i grupit të Onkologjisë Eksperimentale në Qendrën Kombëtare Spanjolle për Kërkime mbi Kancerin (CNIO), njoftoi rezultatet e një studimi mbi minjtë që demonstroi eliminimin e qelizave kancerogjene nga lloji më i zakonshëm dhe shkatërrues i kancerit të pankreasit, adenokarcinoma duktale pankreatike (PDAC).

Studimi zbuloi një reduktim të ndjeshëm të efekteve anësore nga terapia, e cila arriti një kohëzgjatje të paparë më parë të eliminimit të qelizave tumorale.

“Për herë të pare kemi arritur një përgjigje të plotë, të qëndrueshme dhe me toksicitet të ulët kundër kancerit të pankreasit në modelet eksperimentale. Këto rezultate tregojnë se strategjia e terapisë së kombinuar mund të ndryshojë rrjedhën e këtij tumori’’, theksoi Barbcid së bashku me bashkautoren e studimit, Carmen Guerra, Vasiliki Liaki dhe Sara Barrambana, gjatë një konference për shtyp.

Edhe pse vetë protagonisti kërkon më shumë kohë para se të kryejë një provë klinike te njerëzit, lajmi shpërthyes është se një nga tumoret më agresive, kanceri më i zakonshëm i pankreasit, adenokarcinoma duktale, u regresua në modelet shtazore (minj, në këtë rast) gjatë 200 ditëve, pa ndonjë efekt anësor të rëndësishëm, me një kombinim të tre barnave.

“Kemi arritur një përgjigje të plotë, të qëndrueshme dhe me toksicitet të ulët kundër kancerit të pankreasit në modelet eksperimentale. Këto rezultate tregojnë se strategjia e terapisë së kombinuar mund të ndryshojë rrjedhën e këtij tumori’’, shtoi Barbcid.

Një kombinim me tre ilaçe

Trajtimi i përdorur në studim është një kombinim i tre ilaçeve që synojnë mekanizmat themelorë që lejojnë qelizat tumorale të rriten: dy kundër EGFR dhe STAT3, proteina kyçe në kancerin e pankreasit, dhe një kundër onkogjenit KRAS, nxitësi kryesor i këtij tumori, të cilin ekipi spanjoll e ka studiuar për ca kohë.

Ilaçet e para që synojnë objektivat molekularë në kancerin e pankreasit

Këto ilaçe të reja bllokojnë veprimin e KRAS, një gjen i mutuar në 90% të pacientëve me kancer të pankreasit; megjithatë, efikasiteti i tyre është modest sepse tumori bëhet rezistent pas disa muajsh.

Ky problem i rezistencës ndaj ilaçeve frenuese të KRAS është pikërisht ajo që trajton studimi i ri.   /os/

 

 

The post SPANJË – Risi shkencore: Terapia e trefishtë mposht kancerin e pankreasit në modelet eksperimentale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Alarm demografik në Poloni: lindjet bien më herët se parashikimet

VARSHAVË, 30 janar /ATSH-AA/ – Shkalla e lindjeve në Poloni pritet të bie më tej në vitet e ardhshme me një ritëm që nuk ishte parashikuar më parë, raportoi të enjten transmetuesi TVP World.

Sipas të dhënave të fundit nga Statistikat e Polonisë (GUS), shkalla e lindjeve në vend po bie disa vjet më herët se sa pritej.

GUS tha se numri i përgjithshëm i lindjeve nga dhjetori 2024 deri në nëntor 2025 ishte 238.700, duke rënë nën 240 mijë për herë të parë.

Në Parashikimin e Popullsisë për vitet 2023-2060, GUS kishte parashikuar se lindjet vjetore të binin në 236.800.

Zyra e statistikave parashikoi se popullsia e Polonisë do të bie nga niveli i saj aktual prej rreth 37 milionë në rreth 36.6 milionë në vitin 2030, 35.3 milionë në vitin 2040 dhe 32.5 milionë në vitin 2060.   /os/

The post VARSHAVË – Alarm demografik në Poloni: lindjet bien më herët se parashikimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Do të ishte fantastike nëse nuk do të na duhej ta sulmonim Iranin

UASHINGTON, 30 janar /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan Donald Trump tha se “shpresojmë” që ndërhyrja ushtarake kundër Iranit nuk do të jetë e nevojshme.

“Kemi shumë anije të mëdha dhe shumë të fuqishme që po lundrojnë drejt Iranit tani dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t’i përdornim ato”, u tha ai gazetarëve.

“Shpresojmë që Irani të vijë shpejt ‘në tryezë’ dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – pa armë bërthamore – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët”, tha Trump në një postim para disa ditësh në rrjetet sociale më 28 janar.

“Koha po mbaron! Siç i thashë Iranit edhe më parë, Arrini mareveshje! Ata nuk e bënë, dhe ndodhi Operacioni Çekani i Mesnatës, një shkatërrim i madh i Iranit. Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq!”.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi më 27 janar se një grup aeroplanmbajtësish amerikanë, nën drejtimin e USS Abraham Lincoln, ndodhej në ujërat e Lindjes së Mesme.   /os/

 

The post SHBA – Trump: Do të ishte fantastike nëse nuk do të na duhej ta sulmonim Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TTW: Shqipëria thjeshton udhëtimet për turistët

TIRANË, 29 janar /ATSH/ – Në vitin 2026, Shqipëria ka thjeshtuar udhëtimin për shtetasit indianë duke ofruar si akses pa viza ashtu edhe një sistem të lehtë të vizave elektronike, shkruan faqja e njohur turistike ”Travel and Tour Word” (TTW).

Mbajtësit e pasaportave indiane me një vizë të vlefshme dhe të përdorur me shumë hyrje nga zona Schengen, Mbretëria e Bashkuar ose SHBA-ja tani mund të vizitojnë Shqipërinë deri në 90 ditë pa pasur nevojë për një vizë shtesë.

Për ata që nuk kanë këto viza, një vizë elektronike e Tipit C lejon një proces aplikimi pa probleme për qëndrime deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Ky ndryshim rrit atraktivitetin e Shqipërisë si një destinacion emocionues evropian, duke e bërë atë më të arritshme për udhëtarët indianë.

Ndërsa shumë udhëtarë indianë tradicionalisht janë përqendruar në rajonin Schengen, Shqipëria është shfaqur vazhdimisht si një destinacion tërheqës.

Më parë, vendi lejonte akses pa viza vetëm gjatë muajve të kufizuar të verës, por në vitin 2026, ajo ka prezantuar një sistem më të qëndrueshëm dhe të efektshëm, duke e bërë më të lehtë për vizitorët indianë të eksplorojnë peizazhet e saj mahnitëse dhe kulturën e pasur të saj.

Sistemi i vizave elektronike për udhëtarët indianë

Nëse jeni shtetas indian me një vizë të vlefshme me shumë hyrje nga zona Schengen, Mbretëria e Bashkuar ose SHBA-ja, nuk do të keni nevojë të aplikoni për një vizë elektronike shqiptare.

Për sa kohë që viza është përdorur të paktën një herë për të hyrë në vendin që e ka lëshuar atë, mund të hyni në Shqipëri pa asnjë dokumentacion të mëtejshëm.

Këta udhëtarë lejohen të qëndrojnë deri në 90 ditë në vend.

Megjithatë, për ata që nuk i plotësojnë këto kritere, Shqipëria ofron një vizë elektronike të Tipit C. Kjo vizë u lejon qytetarëve indianë të qëndrojnë në Shqipëri deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, duke e bërë atë perfekte për turistët që duan të eksplorojnë vendin për një kohëzgjatje më të madhe.

Procesi i aplikimit për vizë elektronike shqiptare është i thjeshtë dhe digjital, duke e bërë atë të arritshëm për udhëtarët indianë që kërkojnë të vizitojnë vendin.

Ja çfarë duhet të dini:

Koha e përpunimit: Pas dorëzimit, zakonisht duhen rreth 15 ditë pune për të përpunuar vizën elektronike. Megjithatë, gjatë sezoneve të pikut të udhëtimit, kjo mund të zgjasë deri në 30 ditë, kështu që rekomandohet të aplikoni shumë kohë më parë.

Tarifat e vizës elektronike: Tarifa për një vizë elektronike shqiptare varion midis 30 eurove dhe 50 eurove në varësi të faktit nëse aplikoni për vizë me një hyrje apo me shumë hyrje. Ekziston gjithashtu një tarifë e vogël aplikimi e pakthyeshme.

Dokumentet e kërkuara: Edhe pse aplikimi plotësohet në internet, aplikantët duhet të ngarkojnë disa dokumente, duke përfshirë:

Një pasaportë të vlefshme me një vlefshmëri minimale prej tre muajsh përtej qëndrimit të synuar.

Deklarata bankare nga 12 muajt e fundit që tregojnë fonde të mjaftueshme (afërsisht 50 euro për ditë qëndrimi).

Vërtetim të punësimit ose regjistrimit të biznesit.

Sigurim mjekësor udhëtimi me të paktën 30 000 euro mbulim.

Bileta fluturimi vajtje-ardhje të konfirmuara dhe rezervime akomodimi.

Këto dokumente sigurojnë që aplikantët plotësojnë kërkesat e udhëtimit të Shqipërisë dhe mund të demonstrojnë aftësinë e tyre për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe për të qëndruar të sigurt gjatë qëndrimit të tyre.

Pse duhet ta merrni në konsideratë Shqipërinë në vitin 2026

Shqipëria ofron një përvojë unike udhëtimi, duke përzier peizazhe natyrore mahnitëse, histori të pasur dhe një kulturë të gjallë.

Pavarësisht nëse po eksploroni bregdetin piktoresk të Adriatikut, po bëni shëtitje në malet e ashpra apo po zbuloni rrënoja të lashta, Shqipëria premton një aventurë të paharrueshme.

Me politikën e saj të përditësuar të vizave, tani është më e lehtë se kurrë për udhëtarët indianë të eksplorojnë këtë perlë të fshehur në Evropë.

Si përfundim, politika e re e vizave të Shqipërisë për vitin 2026 shënon një hap të rëndësishëm në bërjen e vendit më të arritshëm për udhëtarët indianë.

Me futjen e hyrjes pa viza për ata që mbajnë viza Shengen, Britani të Madhe ose SHBA, së bashku me procesin e thjeshtë të vizave elektronike online për të tjerët, Shqipëria ka përmirësuar përvojën e udhëtimit, duke hapur dyert për më shumë vizitorë indianë për të eksploruar bukurinë e saj magjepsëse dhe kulturën unike.

Ky veprim jo vetëm që nxit turizmin e Shqipërisë, por edhe e pozicionon atë si një destinacion emocionues dhe të përshtatshëm në Evropë për shtetasit indianë që kërkojnë të zgjerojnë horizontet e tyre të udhëtimit./  /os/

 

The post TTW: Shqipëria thjeshton udhëtimet për turistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Franca: Paketa e 20-të e sanksioneve kundër Rusisë të jetë po aq e fortë sa të mëparshmet

PARIS, 29 janar /ATSH-Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, deklaroi se ata do të vazhdojnë të punojnë për të siguruar që paketa e 20-të e sanksioneve kundër Rusisë të jetë po aq e fortë sa dy të mëparshmet.

Barrot i bëri këto komente për shtypin në Bruksel, Belgjikë, para një takimi të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).

Ai tha se u takua me Ministrat e Jashtëm të BE-së në Bruksel këtë mëngjes pas një janari të shënuar nga ngjarje intensive ndërkombëtare dhe kërcënime të forta ndaj Grenlandës, një territor evropian nën mbrojtjen e NATO-s. Më tej ai rikujtoi se Presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu solidaritet me Kryeministren daneze, Mette Frederiksen dhe Kryeministrin e Grenlandës Jens-Frederik Nielsen, të cilët i priti dje në Paris.

Barrot kërkoi që Komisioni i BE-së të deklarojë se do të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme, me qetësi dhe vendosmëri për të penguar çdo shkelje të integritetit territorial, proceseve zgjedhore dhe interesave themelore të BE-së ose shteteve të saj anëtare.

Duke treguar se kjo nuk kishte për qëllim përshkallëzimin e tensioneve, Barrot tha se “Kjo është mënyra më e qartë për të penguar me vendosmëri dhe unitet kërcënimet e reja ndaj interesave parësore (të BE-së)”.

Barrot deklaroi se në takim do të trajtohet situata në Ukrainë, ndërsa mbrojti idenë se Presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqej të krijonte një krizë humanitare duke bombarduar infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Vendet e G7 dhe autoritetet e Kievit u takuan në Paris më 23 janar për të njoftuar masa mbështetëse për të ndihmuar Ukrainën të kapërcejë krizën e saj energjetike, theksoi kryediplomati francez.

“Këto sulme ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike tregojnë se Vladimir Putin nuk është sinqerisht i gatshëm të marrë pjesë në negociata që do të çonin në një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme. Prandaj, ne do të vazhdojmë punën tonë për të siguruar që paketa e 20-të e sanksioneve kundër Rusisë të jetë po aq e fortë sa paketa e 18-të dhe e 19-të e sanksioneve”, tha Barrot.

Barrot tregoi se midis sanksioneve të reja të kërkuara ishte një ndalim i të gjitha shërbimeve detare për të penguar lëvizshmërinë e “flotës në hije ruse”, duke shtuar se ata do të diskutojnë gjithashtu situatën në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet e fundit në Iran.

“Sot do të vendosim për sanksionet në nivel evropian kundër atyre që janë përgjegjës për represionin (në Iran)”, deklaroi Barrot, duke shtuar se ata do të sekuestrojnë pasuritë e 20 individëve dhe do t’u ndalojnë atyre të hyjnë në territorin e BE-së.   /os/

The post FOKUS – Franca: Paketa e 20-të e sanksioneve kundër Rusisë të jetë po aq e fortë sa të mëparshmet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – FT: Garanci për Kievin nëse heq dorë nga Donbasi

LONDËR, 29 janar /ATSH-ANSA/ – Ukraina duhet të heqë dorë nga Donbasi për të marrë garanci amerikane për sigurinë: Financial Times riafirmon qëndrimin e Shteteve të Bashkuara mbi procesin e paqes në një raport ekskluziv që citon burime të njohura me çështjen.

Ndërsa presin që çështja e ndërlikuar territoriale të zgjidhet, forcat ruse vazhdojnë bombardimet e tyre, duke shkaktuar të paktën tetë vdekje dhe duke dëmtuar rrjetet e energjisë në juglindje.

Qyteti i Odesës është gjithashtu shënjestruar nga dronë. Në ditët e fundit, Volodymyr Zelensky ka theksuar arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin mbi garancitë e ardhshme për Kievin, duke siguruar se dokumentet janë “100% gati, e tëra që mungon është vendi dhe data për nënshkrim”.

Udhëheqësi ukrainas do të donte ta përfundonte marrëveshjen shpejt, gjithashtu për të fituar ndikim në bisedimet e ardhshme me Moskën.

Një miratim përfundimtar i SHBA-së, megjithatë, do të ishte më pak i sigurt.

Sipas gazetës britanike, administrata Trump tani po sinjalizon se angazhimet e saj të sigurisë varen nga arritja e një marrëveshjeje midis Kievit dhe Moskës.

Në këtë frymë, Uashingtoni ka lënë të kuptohet se do t’i premtojë Ukrainës më shumë armë për të forcuar ushtrinë e saj në kohë paqeje nëse ajo pranon të tërheqë forcat e saj nga pjesët e Donbasit që ende kontrollon: pikërisht ajo që kërkon Kremlini.

Dhe në lidhje me negociatat e drejtpërdrejta, të cilat pritet të vazhdojnë të dielën e ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, burimet amerikane janë optimiste: pas dyerve të mbyllura, ekipi rus duket se po mban një qëndrim më pragmatik sesa sugjerojnë deklaratat publike të Kremlinit.

Ndërkohë, Trump, duke folur me gazetarët, tha se “po ndodhin gjëra shumë pozitive”.

‘’Sa i përket Zelensky-t, qëndrimi i Kievit mbetet i hapur: Ai është i gatshëm të takohet me Putinin për të zgjidhur çështjet më të ndjeshme, të tilla si territoret dhe menaxhimi i termocentralit Zaporizhzhia”, shpjegoi Ministri i Jashtëm Andriy Sybiga.

“Rusia vazhdon të jetë një pengesë për procesin e paqes”, shton ai.   /os/

The post FOKUS – FT: Garanci për Kievin nëse heq dorë nga Donbasi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE vendos sanksione të reja ndaj Iranit

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-DPA/ – Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë rënë dakord për sanksione të reja ndaj Iranit si përgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave antiqeveritare dhe mbështetjes së vazhdueshme të Teheranit për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas kësaj mase, rreth 30 individë dhe subjekte janë sanksionuar me ngrirje të aseteve dhe ndalime udhëtimi.

Emrat do të publikohen së shpejti nga BE-ja, por ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot tha se ata që janë në shënjestër përfshijnë ‘’anëtarë të qeverisë, prokurorë, udhëheqës të njësive policore, anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare, ata që janë përgjegjës për bllokimin e internetit”.

Raportet sugjerojnë se midis 3 000 dhe 10 000 protestues u vranë në shtypjen e dhunshme të demonstratave që kanë përfshirë Iranin.

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut Xavier Bettel sugjeruan se deri në 30 000 njerëz mund të jenë vrarë gjatë valës së dhunës.

Shkalla e brutalitetit çoi gjithashtu në rritjen e mbështetjes brenda BE-së për të përcaktuar Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit si një organizatë terroriste, me një vendim nga ministrat që pritet sot.  /os/

 

The post BRUKSEL – BE vendos sanksione të reja ndaj Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINE – Xi takohet me kryeministrin britanik Starmer

PEKIN, 29 janar /ATSH-ANSA/ – Presidenti Xi Jinping priti kryeministrin britanik Keir Starmer, në një vizitë zyrtare në Kinë, në Pekin.

Këtë e raportuan mediat shtetërore, duke bërë një rrëfim për ceremoninë tradicionale të mirëseardhjes me gardën e nderit, e cila i paraprin asaj dypalëshe, e cila do të pasohet me një drekë.

Starmer është banori i parë i Downing Street që viziton Republikën Popullore që nga viti 2018 me synimin për të rifilluar marrëdhëniet midis Londrës dhe Pekinit pas vitesh marrëdhëniesh të tensionuara.

Megjithatë, pasdite, Starmer do të takohet me homologun e tij Li Qiang.   /os/

The post KINE – Xi takohet me kryeministrin britanik Starmer appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – 15 viktima nga rrëzimi i një avioni

BOGOTA, 29 janar /ATSH-AA/ – Një avion i vogël u rrëzua të mërkurën në verilindje të Kolumbisë, ku si pasojë humbën jetën 15 personat në bord, përfshirë një anëtar të kongresit.

Sekretari i sigurisë qytetare të Norte de Santander, George Quintero, për programin televiziv “Noticias Caracol” tha se rrënojat u gjetën nga fermerët në zonën rurale të Curasica-s në komunën Playa de Belen.

Quintero tha se 13 pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën dhe se disa ekipe kërkim-shpëtimi u dërguan në zonë.

Guvernatori i Norte de Santander, William Villamizar Laguado tha: “Për fat të keq duhet të raportojmë se avioni i vogël u gjet në pjesën e sipërme të një zone të mbrojtur në komunën La Playa. Ne kemi marrë imazhet e para dhe duket se nuk ka të mbijetuar. Shtatë trupa janë gjetur dhe kërkimi për të tjerët është duke vazhduar”.

Midis të vdekurve është Diogenes Quintero Amaya, një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve i njohur si një zë kryesor për viktimat e zhvendosjes në rajonin Catatumbo.

Avioni “Beech 1900D”, i operuar nga linja ajrore shtetërore kolumbiane Satena, humbi kontaktin me radarët pranë qytetit La Playa de Belen në departamentin Norte de Santander.

Avioni ishte në rrugë për në qytetin Ocana në Norte de Santander dhe ishte planifikuar të ulej në orën 12:10 sipas orës lokale.   /os/

The post KOLUMBI – 15 viktima nga rrëzimi i një avioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: Do të vendosim Rusinë në listën e zezë të pastrimit të parave

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-ANSA/ – Do të asistojmë në bisedime edhe në Abu Dhabi, por nga pala ruse ka vetëm personel ushtarak që nuk ka mandat për të rënë dakord për asgjë, që do të thotë se ata nuk janë aspak seriozë për arritjen e paqes, deklaroi përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas.

”Bashkimi Evropian do të vendosë Rusinë në listën e zezë të pastrimit të parave, sepse po i përdor këto mjete për të financuar luftën”, theksoi Kallas.

Po sot Federata Ruse deklaroi se ”po merr masa përmes gjykatës së arbitrazhit për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga ngrirja e aseteve ruse në Bashkimin Evropian”. /os/

The post BRUKSEL – Kallas: Do të vendosim Rusinë në listën e zezë të pastrimit të parave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKE – Rusia kërkon dëmshpërblim nga BE pas ngrirjes së aseteve

MOSKE, 29 janar /ATSH-ANSA/ – Federata Ruse po merr masa përmes gjykatës së arbitrazhit për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga ngrirja e aseteve ruse në Bashkimin Evropian, deklaroi drejtori i departamentit për çështje evropiane të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Vladislav Maslennikov.

“Mund të them se në dhjetor 2025 Banka e Rusisë paraqiti një kërkesë në gjykatën e arbitrazhit të qytetit të Moskës për kompensim për dëmet e shkaktuara nga pamundësia e disponimit të fondeve që i përkasin shtetit rus”, theksoi ai.

Vendi ynë, edhe nëpërmjet ministrisë së Jashtme, do të vazhdojë të ndjekë kthimin e aseteve të mbajtura ilegalisht në BE”. Duke bllokuar rezervat sovrane ruse dhe asetet e investitorëve privatë të Federatës Ruse, BE-ja ka shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare dhe është paraqitur para bashkësisë botërore si një partner jashtëzakonisht jo i besueshëm” theksoi ai.

”Ne e konsiderojmë çdo veprim të paligjshëm ndaj aseteve ruse si vjedhje, ndaj së cilës vendi ynë do të reagojë siç duhet”, përfundoi ai. /os/

The post MOSKE – Rusia kërkon dëmshpërblim nga BE pas ngrirjes së aseteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: BE drejt përfshirjes së Gardës iraniane në listën terroriste

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-ANSA/ – Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të bien dakord për të përfshirë Gardën Revolucionare të Iranit në ‘listën terroriste’ të BE-së pas shtypjes së përgjakshme të protestave masive.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Kaja Kallas deklaroi se ”nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh edhe si terrorist,”

Kaja Kallas përpara takimit të ministrave në Bruksel deklaroi sjellja e tyre ”është e pafalshme për vlerat evropiane”. /os/

The post BRUKSEL – Kallas: BE drejt përfshirjes së Gardës iraniane në listën terroriste appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Identifikohet një nga shkaqet kryesore të demencës

BOSTON,  28 janar /ATSH/ – Një studimi nga Qendra CTE e Universitetit të Bostonit zbuloi se encefalopatia traumatike kronike (CTE) duhet të njihet si një shkak i ri i demencës, shkruan corriere.it.

Studimi, i botuar në Alzheimer’s & Dementia: The Journal of the Alzheimer’s Association, studioi trurin e 614 sportistëve të ekspozuar ndaj goditjeve të përsëritura në kokë, kryesisht futbollistë në kontakt me atletë të tjerë sportivë.

Duke izoluar 366 persona vetëm me CTE – domethënë, ata me CTE pa sëmundje të tjera progresive të trurit – krahasuar me 248 dhurues pa CTE, studiuesit zbuluan se ata me formën më të avancuar të CTE kishin katër herë më shumë gjasa të zhvillonin demencë.

Kjo mundësi katërfish më e madhe është e ngjashme me forcën e marrëdhënies midis demencës dhe sëmundjes së avancuar të Alzheimerit, shkaku kryesor i demencës.

“Ky studim ofron prova të një lidhjeje të fortë midis CTE dhe demencës dhe simptomave konjitive, duke mbështetur dyshimet tona se CTE është një shkak i mundshëm i demencës”, thotë neurologu Michael Alosco, autor i studimit.

“Vendosja e faktit që simptomat konjitive dhe demenca janë pasoja të CTE na afron më shumë me zbulimin dhe diagnostikimin e saktë të CTE gjatë gjithë jetës, një qëllim i nevojshëm urgjentisht”, shton ai.

Demenca është një sindromë klinike që i referohet dëmtimeve në të menduar dhe kujtesë, si dhe vështirësive në kryerjen e aktiviteteve të përditshme si drejtimi i automjetit dhe menaxhimi i financave.

Sëmundja e Alzheimerit është shkaku kryesor, por disa sëmundje të tjera progresive të trurit janë renditur si shkaqe të demencës, të referuara kolektivisht si demenca të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit (ADRD).

Me këtë studim të ri, autorët argumentojnë se CTE tani duhet të konsiderohet zyrtarisht edhe një ADRD.

Studimi zbulon gjithashtu se demenca për shkak të CTE shpesh diagnostikohet gabim gjatë jetës si sëmundja e Alzheimerit, ose nuk diagnostikohet fare.

Midis atyre që u diagnostikuan me demencë gjatë jetës nga një mjek, 40% u thanë se kishin sëmundjen e Alzheimerit, pavarësisht mungesës së shenjave specifike të sëmundjes në autopsi.

Një 38% të tjerë u thanë se shkaku i demencës së tyre ishte “i panjohur” ose nuk mund të specifikohej.   /os/

 

The post FOKUS – Identifikohet një nga shkaqet kryesore të demencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MADRID – Stuhia godet Spanjën, mbyllen shkollat në disa pjesë të vendit

MADRID, 28 janar /ATSH-AA/ – Moti i keq i lidhur me stuhinë “Kristin”, pas stuhisë “Joseph” detyroi sot pezullimin e mësimeve në Ekstremadura, Ceuta dhe 77 komuna në Andaluzi të Spanjës.

Stuhia solli reshje të dendura shiu, erëra të forta, reshje dëbore në lartësi të ulëta dhe det të trazuar, duke e komplikuar transportin në pjesë të mëdha të Spanjës qendrore dhe veriore.

Agjencia kombëtare e motit e Spanjës “Aemet” lëshoi paralajmërim të veçantë, duke parashikuar një ditë veçanërisht të keqe me reshje dëbore të pritura nga rreth 600-700 metra mbi nivelin e detit dhe erëra të forta që prekin zona të gjera.

Sipas RTVE, autoritetet paralajmëruan se reshjet e dëborës dhe akulli po krijojnë kushte të rrezikshme për automjetet në rajonet malore ndërsa shirat e rrëmbyeshëm çuan në përmbytje dhe mbyllje rrugësh në disa provinca. Zonat bregdetare, veçanërisht përgjatë Mesdheut janë vënë në gatishmëri për shkak të valëve të forta, me dëmtime të mundshme në infrastrukturën bregdetare.

Në Spanjën jugore, autoritetet rajonale në Andaluzi pezulluan mësimin me pjesëmarrje fizike në pjesë të Almerias, Malagas dhe Kadizit për shkak të rreziqeve ekstreme të motit. Në Ekstremadura mësimi në turnin e mëngjesit u ndërpre në të gjitha qendrat arsimore për t’u ofruar sigurinë nxënësve ndërsa një vendim për mësimin në turnin e pasdites do të merret në varësi të stuhisë.

Mësimi u pezullua gjithashtu edhe në Ceuta ku autoritetet lëshuan paralajmërim të nivelit portokalli për erëra të forta dhe rreziqe bregdetare.   /os/

The post MADRID – Stuhia godet Spanjën, mbyllen shkollat në disa pjesë të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SICILI – Meloni viziton Nishemin: Të përveshim mëngët, dëmet arrijnë në dy miliardë euro

SIÇILI, 28 janar /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja Giorgia Meloni kreu një fluturim me helikopter mbi zonat e prekura nga rrëshqitjet e terrenit në Nishemi të Siçilisë.

Kryeministrja Giorgia Meloni mbërriti më pas në bashkinë e Niscemi (Caltanissetta), qytetit të shkatërruar nga rrëshqitja e dheut.

Në bashki, Meloni shoqërohet nga kryetari i bashkisë Massimiliano Conti dhe presidenti i Asamblesë Rajonale të Siçilisë, Gaetano Galvagno.

Gjithashtu të pranishëm në bashki janë prefekti i Caltanissetta-s, Donatella Licia Messina dhe deputeti i AVS, Angelo Bonelli.

“Këtë mëngjes më treguan një dokument që tregon se dëmi i raportuar nga autoritetet publike nga Cikloni Harry, i cili ende nuk është verifikuar, arrin në afërsisht dy miliardë. Pra, është një situatë që po evoluon çdo ditë me ashpërsi gjithnjë e më të madhe”, thheksoi presidenti Rajonal i Siçilisë, Renato Schifani.

“Situata është e pashembullt. Kam parë nga afër një qytet që rrezikon të shembet përballë një boshllëku të madh. Duhet të përveshim mëngët, gjë që po bëjmë. Do të zhvillojmë një plan urbanistik për rindërtimin e pjesshëm të asaj strukture, larg rrëshqitjes së dheut”, theksoi Meloni.   /os/

 

The post SICILI – Meloni viziton Nishemin: Të përveshim mëngët, dëmet arrijnë në dy miliardë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kubilius: Evropa është një ”gjigant i fjetur”, të rrisim aftësitë tona mbrojtëse

BRUKSEL, 28 janar /ATSH-ANSA/ – Kur bëhet fjalë për mbrojtjen, Evropa është gjithashtu një gjigant. Por një gjigant në gjumë. Së bashku, duhet ta zgjojmë gjigantin, deklaroi Komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes.

”Duhet të kombinojmë përpjekjet tona dhe duke qenë gati për të luftuar, jo si shuma e 27 shteteve, por si Evropë, shtoi Kubilius.

“Në një botë gjigantësh, edhe ne duhet të bëhemi gjigantë. Një gjigant i butë, që promovon të drejtën ndërkombëtare dhe bashkëpunimin, por i fortë”, theksoi ai.

‘’Komisioni Evropian po punon me shtetet anëtare dhe Ukrainën mbi prioritetet e industrisë së mbrojtjes, dhe raketat përfaqësojnë një prioritet urgjent”, shtoi Kubilius.   /os/

 

The post FOKUS – Kubilius: Evropa është një ”gjigant i fjetur”, të rrisim aftësitë tona mbrojtëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Një kotele ”Maine Coon” shpallet macja më e bukur në botë

PADOVA, 28 janar /ATSH/ – Qyteti italian i Padova-s është shndërruar tashmë në një qendër për adhuruesit e maceve, duke pritur një event që kombinon spektaklin dhe konkurrencën e nivelit të lartë mes maceve nga e gjithë bota.

Në këtë event një mace e racës së pastër ngjyrë xhenxhefili tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve.

Me gëzofin e tij të kuq të thellë dhe vijat e theksuara me vija, Abarth u kurorëzuar përfundimisht “macja më e bukur në botë”.

I lindur në Paris nga një linjë kampionësh amerikanë, ai mbërriti në Itali tetorin e kaluar në shtëpinë e Stefano Tomasoni, i cili tregon se sa sfiduese ishte të gjente një me origjinë kaq të mirë.

Bukuria e Abarth përfshin gjithashtu një personalitet shumë të ëmbël: i dashur, i dhënë pas përqafimeve dhe kontaktit njerëzor ai është i shoqërueshëm me të gjithë … përfshirë përfaqsues të jurisë, të cilët e shijuan edhe më shumë ngjarjen.

Falë titullit të dyfishtë “Më i miri në shfaqje”, ai ka fituar edhe çmimin Junior Winner.

Në këtë event morrën pjesë mbi 300 mace të racave, moshave dhe llojeve të ndryshme.

“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur, veçanërisht sepse shohim një publik gjithnjë e më të interesuar për kujdesin dhe mirëqenien e kafshëve”, shpjegon Maria Sole Farinelli, presidente e Klubit të Maceve të Veronës dhe organizatore e eventit.  /os/

The post SOFT NEWS – Një kotele ”Maine Coon” shpallet macja më e bukur në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌