Prokuroria amerikane ka nisur një hetim kriminal ndaj Jerome Powell, kreut të Bankës Federale në SHBA, lidhur me një projekt rinovimi të godinës prej 2.5 miliardë dollarësh, duke përshkallëzuar ndjeshëm përplasjen e administratës Trump me bankën qendrore.
Powell deklaroi të dielën se Rezerva Federale ka marrë të premten thirrje nga juria e madhe (grand jury), si dhe një kërcënim për padi penale nga Departamenti i Drejtësisë, në lidhje me dëshminë e tij para Kongresit verën e kaluar për projektin e rinovimit.
Ai tha se ky veprim ligjor është një pretekst për të frenuar pavarësinë e Rezervës Federale në përcaktimin e normave të interesit. Kjo vjen në një kohë kur Trump e ka sulmuar vazhdimisht Powell-in, duke e quajtur një “mushkë kokëfortë” për refuzimin e tij për të ulur ndjeshëm kostot e huamarrjes.
“Kërcënimi i ri nuk ka të bëjë me dëshminë time të qershorit të kaluar apo me rinovimin e godinave të Rezervës Federale,” tha Powell. “Kërcënimi për akuza kriminale është pasojë e faktit që Rezerva Federale po vendos normat e interesit bazuar në vlerësimin tonë më të mirë për atë që i shërben publikut, dhe jo sipas preferencave të presidentit,” shtoi ai.
Trump mohoi çdo përfshirje në hetimin e Departamentit të Drejtësisë.
“Nuk di asgjë për këtë, por ai sigurisht që ai nuk është shumë i mirë në krye të Fed-it dhe nuk është shumë i mirë as në ndërtimin e godinave,” tha presidenti amerikan për NBC News të dielën në mbrëmje, duke pretenduar se hetimi nuk ka lidhje me refuzimin e Powell-it për të ulur normat e interesit.
Megjithatë, hetimi pritet të përkeqësojë shqetësimet e investitorëve mbi pavarësinë e bankës qendrore më të rëndësishme në botë, një shtyllë themelore e politikës ekonomike amerikane, e konsideruar jetike për stabilitetin e tregjeve financiare.
Krishna Guha, ish-zyrtar i Rezervës Federale të Nju Jorkut, e quajti këtë zhvillim “thellësisht shqetësues”.
“Administrata Trump nuk po lë asnjë dyshim mbi vendosmërinë e saj për të ndikuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë të ashpër veprimet e politikës monetare të Fed-it, përmes çdo rruge të mundshme, përfshirë kërcënimet ligjore,” tha Eswar Prasad, profesor në Universitetin Cornell.
Powell, për të cilin Trump ka thënë disa herë se do të “donte” ta shkarkonte deklaroi të dielën se nuk do të largohet nga posti për shkak të hetimit.
“Shërbimi publik ndonjëherë kërkon që të qëndrosh i palëkundur përballë kërcënimeve,” tha kreu i Fed-it. “Do të vazhdoj të bëj punën për të cilën jam konfirmuar nga Senati, me integritet dhe përkushtim ndaj shërbimit të popullit amerikan.”
Pas deklaratës së Powell-it, dollari ra rreth 0.2% kundrejt një shporte valutash në tregtimin e hershëm në Azi të hënën, ndërsa kontratat futures për indeksin S&P 500 ranë rreth 0.4%.
Juritë e mëdha vendosin nëse prokurorët kanë paraqitur prova të mjaftueshme për të ngritur akuza penale. Gjatë hetimeve, prokurorët ndonjëherë njoftojnë subjektet përpara se të kërkojnë një aktakuzë, për t’u dhënë mundësinë të dëshmojnë, sipas udhëzimeve të Departamentit të Drejtësisë.
Mendohet se thirrjet përmbajnë kërkesa për informacion mbi përgatitjet e Poëell-it për dëshminë, si edhe dokumente të brendshme që lidhen me rinovimin e selisë.
Administrata ka përdorur projektin e rinovimit, i cili ka tejkaluar ndjeshëm buxhetin, si një linjë sulmi ndaj bankës qendrore dhe Powell-it, të cilin Trump e ka quajtur “budalla” për refuzimin e tij për të ulur normat e interesit në 1%.
Powell, i cili pritet të largohet nga posti i kryetarit në maj, i ka hedhur më parë poshtë pretendimet e Russell Vought, një aleat i ngushtë i Trump-it dhe drejtues i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, se ai ka mashtruar Kongresin lidhur me rinovimin. Presidenti amerikan pritet të shpallë në javët në vijim kandidatin e tij për të zëvendësuar Powell-in. Ekonomisti i Shtëpisë së Bardhë dhe aleat i Trump-it, Kevin Hassett, shihet si një nga favoritët për këtë rol.
Elizabeth Warren, demokratja kryesore në komitetin bankar të Senatit, akuzoi Trump-in se po përpiqet të “vendosë një tjetër kukull për të përfunduar marrjen e korruptuar të bankës qendrore të Amerikës”.
Trump ka tentuar tashmë të shkarkojë guvernatoren e Fed-it, Lisa Cook, për akuza për mashtrim hipotekor, të cilat janë nën hetim. Cook i ka mohuar akuzat dhe është përfshirë në një betejë ligjore kundër presidentit amerikan.
Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim një çështje që pritet të jetë historike, lidhur me kompetencat e degës ekzekutive për të shkarkuar zyrtarë të lartë të bankës qendrore, dhe do të dëgjojë argumentet më vonë gjatë këtij muaji.
Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./FinancialTimes
The post Kreu i Bankës Federale në SHBA nën hetim për kontratën 2.5 mld$ të rinovimit të godinës appeared first on Gazeta Si.