Balla propozon mbledhjen e komisionit për Reformën Territoriale të hënën, Bardhi: Opozita ju duhet për fasadë
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Partia Socialiste ftoi opozitën që të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale.
Gjatë diskutimeve, kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, tha se mbledhja e radhës së komisionit të thirret ditën e hënë dhe nëse opozita nuk merr pjesë në seancë, mazhoranca do të gjejë mekanizmat për të vijuar punën e komisionit.
“Mbledhja e radhës së Komisionit të thirret ditën e hënë. Nëse opozita bojkoton edhe mbledhjen e ditës së hënë, atëherë në seancë do vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet doni apo nuk doni ju”, tha Balla.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se nuk është bojkotuar mbledhja, pasi në dy data që kanë qenë për mbledhje, nuk kanë qenë anëtarët e opozitës sepse kanë pasur angazhime të tjera.
“Ne ju themi se duhen procese konsensuale, hajdeni të gjejmë mekanizma dialogu, nën frymën e rekomandimeve të BE-së. Ju thoni: jo! Hajdeni këtu, flisni kot, ne do të bëjmë çfarë të duam. Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur ju fasadën sikur çdo gjë funksionon normalisht”, u shpreh Bardhi.
“Nuk është asgjë normale. Ju e dini këtë dhe çdo mik i yni ndërkombëtar e di. Në gjithë sjelljen tuaj keni bërë të kundërtën e asaj që keni thënë publikisht për konsensus dhe konstruktivitet. Ju nuk keni qëllim qytetarët, por hartën elektorale. E bëtë këtë në vitin 2014 dhe e pamë se çfarë bëtë, duke shkatërruar pushtetin vendor dhe duke dëmtuar qytetarët”, tha Bardhi.
Mazhoranca ka propozuar ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo – Territoriale, që të marrë shumicën e numrit të anëtarëve.
/m.q/j.p/
The post Balla propozon mbledhjen e komisionit për Reformën Territoriale të hënën, Bardhi: Opozita ju duhet për fasadë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.




