Beci: Zhbllokohet aksi Qafë Thore-Theth, nesër nis ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh
TIRANË, 3 janar /ATSH/ Aksi rrugor Qafë Thore-Theth është tashmë i hapur për qarkullim, pas bllokimit si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, theksoi se zhbllokimi i aksit rrugor u krye pas punës intensive në terren.
“Qarkullimi vijon normalisht, ndërsa ndërhyrjet kanë garantuar siguri për drejtuesit e mjeteve”, shkroi Beci.
Sipas Becit strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim të vazhdueshëm, në varësi të kushteve të motit.
“Këshillohet lëvizje me kujdes dhe respektim i rregullave të sigurisë”, nënvizoi Beci.
Gjithashtu, Beci bëri të ditur se nesër do të nisë ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh.
“Në vendin e quajtur Gështenja e Thaçit, në Njësinë Administrative Pult, pjesë e segmentit Kir-Shosh, është evidentuar rrëshqitje inertesh, e cila ka shkaktuar bllokimin e qarkullimit rrugor. Bashkia ka organizuar grupin e ndërhyrjes dhe do të nisë punën në terren për hapjen e segmentit dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftoi Beci.
Beci u bëri thirrje qytetarëve që deri në përfundimin e punimeve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet në këtë aks.
“Jemi në ndjekje të situatës dhe do të informojmë në vijim për çdo zhvillim”, tha ai.
/m.q/r.e/
The post Beci: Zhbllokohet aksi Qafë Thore-Theth, nesër nis ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.