Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal. Qeveria i paraqiti ato si “harmonizim me standardet evropiane”. Por në praktikë, ndryshimet prodhuan forcim selektiv të shtetit ndëshkues, përmes një procesi të shpejtë dhe politikisht të mbyllur.
Paketa u votua rreth orës 03:00 të mëngjesit, vetëm me votat e shumicës socialiste. Ajo përfshinte rreth 50 ndryshime dhe shtesa në Kodin Penal, mes tyre edhe dekriminalizimin e pjesshëm të shpifjes, përmes ndryshimit të Nenit 120.
Kodi Penal, i miratuar fillimisht në vitin 1995, ka pësuar tashmë 26 ndërhyrje në 31 vite. Dhjetë prej tyre kanë ardhur pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Frekuenca e ndryshimeve tregon për mungesën e stabilitetit dhe vizionit afatgjatë.
Ndryshimet e fundit qenë propozuar në tetor 2025. Ato pasuan draftin e një Kodi të ri Penal, prezantuar në korrik nga Ministria e Drejtësisë. Drafti i Kodit të ri u përball me kritika të forta nga juristë, akademikë, media dhe shoqëria civile dhe për rrjedhojë qeveria e tërhoqi pa e çuar në Kuvend.
Kështu, në vend të një reforme të plotë, shumica zgjodhi rrugën e arnimeve. Ndryshime të pjesshme, të shpërndara dhe pa një debat të gjerë publik. Pyetja mbetet: A përmbush kjo qasje pritshmëritë e integrimit evropian? Sipas qeverisë, po, por rruga e ndjekur nuk bind.
Edhe pse në mandatin e katërt, shumica socialiste shmang ende kostot politike të një Kodi të ri Penal. Një reformë e tillë kërkon debat, konsensus dhe balancë mes sigurisë publike dhe të drejtave themelore. Elemente që munguan në procesin e fundit të përmbyllur mëngjesin e së mërkurës.
Çfarë përfshijnë ndryshimet?
Paketa zgjeroi juridiksionin penal për shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri, edhe për vepra pjesërisht të kryera jashtë territorit. U përjashtuan nga parimi i “dënueshmërisë së dyfishtë” disa krime të rënda, përfshirë trafikun e qenieve njerëzore dhe abuzimin seksual me të mitur.
Pati rishikime dhe nene specifike për të luftuar terrorizmin. Ndërkohë, u shtuan dënime plotësuese në rastet e refuzimit të ekstradimit dhe ndalimin e ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt me fëmijët për persona të dënuar për vepra penale. U forcuan ndëshkimet për pornografinë, shfrytëzimin dhe krimet seksuale ndaj të miturve, me dënime që shkojnë deri në 20 vjet burg.
Një ndryshim domethënës ishte heqja e (pikës 7 të Nenit 28) mundësisë për ulje ose përjashtim nga dënimi për anëtarët e grupeve kriminale, edhe kur bashkëpunimi i tyre mund të jetë vendimtar për zbardhjen e veprimtarisë kriminale. Ky hap ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e hetimeve komplekse dhe vetë luftën ndaj krimit të organizuar.
Në të njëjtën paketë, u përfshi edhe një nen i posaçëm (Neni 143/a/8) për “Mashtrimet që prekin interesat financiare të Bashkimit Evropian”. Keqpërdorimi i fondeve të BE-së tashmë dënohet me burgim deri në 5 vjet, ose deri në 10 vjet kur shuma e keqpërdorur kalon 50 mijë eurot.
Por pa zbardhjen dhe ndëshkimin e rasteve konkrete, veçanërisht atyre që lidhen me fondet IPARD, ky nen rrezikon të mbetet deklarativ. Një sinjal formal drejt BE-së, më shumë sesa një mjet real llogaridhënieje.
Neni në fjalë do të mbetet si njollë e turpshme e abuzimeve.
Shpifja, gazetarët dhe parkimi dysh
Paketa dekriminalizoi pjesërisht (Nenin 120) shpifjen, por vetëm për një kategori të paqartë “gazetarësh të regjistruar dhe të njohur”. Fyerja do të vijojë të mbetet vepër penale. Kështu qeveria duket se po synon të krijojë një regjim të dyfishtë mbrojtjeje duke hapur rrugë për interpretime selektive.
Cilësimi “i njohur” dhe me “regjistër” për gazetarët lë vend për një zhvillim paralel në kuptimin e kërkesës së mundshme për licencim apo të një lloji “Urdhri të gazetarit” apo “punonjësve të medias”.
Kjo shihet si një mënyrë për ta kufizuar lirinë e shprehjes, pasi gazetarët e lirë, ose qytetarët e angazhuar, apo sinjalizuesit që do të shprehen për çështje të caktuara, do të vijojnë të përballen me format penale të “shpifjes”.
Paralelisht, dhuna ndaj gazetarëve tashmë do të trajtohet si “goditje për shkak të detyrës” (Neni 237), me dënime nga një deri në pesë vjet burg. Sigurisht, një masë pozitive, por e shoqëruar me një mekanizëm problematik të përkufizimit të gazetarit lë vend për interpretime.
Kështu, në praktikë, shteti shmang dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe mban sërish në dorë instrumentet e presionit ligjor.
Por problemi i paketës nuk qëndroi vetëm te çfarë nuk dekriminalizoi, por edhe te çfarë zgjodhi të kriminalizojë.
Mes ndryshimeve u përcollën dispozita që e shtrijnë dorën e Kodit Penal në sjellje të përditshme, të cilat deri dje trajtoheshin administrativisht, pra me gjoba.
(Neni 293/1) “Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë” tashmë do të trajtohet me masa më të ashpra penale.
Në një vend ku ka mungesë të theksuar infrastrukture parkimi, rregullimi penal i këtij fenomeni u shfaq si zëvendësim i politikës edukuese dhe planeve afatgjata urbane me një politikë ndëshkuese.
Ky është thelbi i problemit: Qeveria po përdor Kodin Penal për të kompensuar dështimet e saj në administrimin publik.
Në vend të zgjidhjeve strukturore, ajo zgjedh të tutelojë qytetarët përmes frikës së ndëshkimit “me gjobë ose një vit burg”.
Amendamenti që nuk kaloi
Në fund të seancës u diskutua propozimi i bërë një ditë më parë nga deputeti socialist Erion Braçe për ashpërsimin e (Nenit 288) ndëshkimeve ndaj shitjes së duhanit dhe cigareve elektronike për të miturit.
Amendamenti parashikonte gjoba deri në 500,000 lekë dhe burgim deri në 16 vjet në rastet kur tregtia sillte si pasojë vdekjen.
Propozimi nuk u mbështet nga shumica socialiste, e cila abstenoi. Në një paketë që nuk heziton të kriminalizojë parkimin në rresht të dytë, mbrojtja penale e shëndetit të të miturve u la jashtë.
Ky kontrast ekspozon natyrën selektive të reformës, ose mungesës së diskutimeve të gjera për ndërhyrje.
Kodi Penal nuk forcohet aty ku interesi publik është i pakontestueshëm, por aty ku shteti kërkon kontroll dhe veprim të shpejtë.
Në këtë panoramë, ndryshimet e fundit nuk përbëjnë një reformë penale. Ato janë një seri masash ndëshkuese, të mbledhura nën flamurin e “harmonizimit evropian,” por të udhëhequra nga logjika e menaxhimit politik të rrezikut.
Kodi Penal po shndërrohet gradualisht në një instrument për të mbuluar dështimet e politikave publike. Sa më pak funksionon shteti, aq më shumë zgjerohet qasja ndëshkuese me shtojca nenesh.
Në këtë kuptim, votimi i mëngjesit të hershëm të së mërkurës nuk është fundi i këtij debati. Kodi i ri Penal do të vijë sërish për t’u diskutuar, por arnat janë sinjali se Shqipëria po vijon fazën ku ligji penal përdoret si zëvendësim i qeverisjes dhe jo si mjeti fundit i aplikimit të drejtësisë.
Lexoni gjithashtu:
The post 50 ndryshime, pa reformë: Kodi Penal si mjet kontrolli appeared first on Citizens.al.