Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Koçiu: Situata nga reshjet në monitorim, koordinim mes strukturave

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, pas takimit me Shtabin e Emergjencave në Shkodër, theksoi se situata është në monitorim të vazhdueshëm.

Koçiu theksoi se gjatë 24 orëve të fundit vendi është përfshirë nga reshje të dendura, të cilat pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme.

Sipas saj, monitorimi po bëhet jo vetëm në qarkun e Shkodrës, por edhe në qarqe të tjera si Durrësi, Kukësi, Fieri dhe Vlora, me qëllim rritjen e koordinimit dhe shmangien e situatave problematike.

“Së bashku me kryetarin e bashkisë, me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me Prefektin e Qarkut Shkodër, me Policinë e Shtetit, me Ministrinë e Mbrojtjes, me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe gjithë strukturat përkatëse, jemi duke monitoruar të gjithë situatën e reshjeve në vend. Për hir të së vërtetës, vendi ashtu siç e dimë, është prekur nga një situatë reshjesh të dendura gjatë këtyre 24 orëve dhe ndërkohë pritet edhe nesër të kemi po të njëjtin situatë”, vuri në dukje ajo.

“Për këtë arsye, të gjithë strukturat janë bashkë duke monitoruar jo vetëm në qarkun Shkodër, por edhe në Durrës. Po ashtu në Kukës kemi pasur një situatë, në Fier, në Vlorë; duke monitoruar gjithë vendin për të pasur më shumë koordinim së bashku, por edhe për të shmangur çdo lloj situate problematike që vjen nga reshjet”, tha Koçiu.

Koçiu bëri me dije se sa i përket qarkut të Shkodrës, po monitorohen shkarkimet për shkak të lumit Buna, por edhe të liqenit të Shkodrës, me qëllim që të mos ketë situata të përmbytjes në zonat urbane, por edhe në tokat bujqësore.

“Aktualisht që flasim, situata është nën kontroll. Sapo dolëm nga një mbledhje e Komitetit të Emergjencave në Bashkinë e Shkodrës, e cila u koordinua nga kryetari i bashkisë pikërisht për të rakorduar së bashku me strukturat e KESH-it dhe strukturat e tjera, me qëllim mbajtjen nën kontroll edhe të shkarkimeve, por edhe të prurjeve nga kjo situatë e reshjeve, për të shmangur përmbytje të mundshme. Nuk kemi problematika”, vijoi Koçiu.

Sipas ministres, reshjet dhe shkarkimet do të monitorohen gjatë gjithë natës dhe paradites së nesërme, e cila konsiderohet si një fazë emergjence.

“Patjetër do të monitorojmë reshjet e shkarkimet gjatës natës dhe paraditen e ditës së nesërme, që është, të themi, një fazë emergjence, dhe shpresojmë shumë, që nga nesër pasdite, të kemi një reduktim të reshjeve duke përmirësuar kështu edhe situatën. Për momentin jemi nën kontroll, institucionet janë të gjitha në këmbë dhe bashkërisht po monitorojmë çdo problematikë e çdo shqetësim”, tha Koçiu.

Në përfundim, ministrja u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

“Dua t’u bëj një thirrje qytetarëve që të ndjekin të gjitha rekomandimet dhe këshillat e autoriteteve vendore e qendrore, të cilat bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj faze që jemi duke kaluar”, tha Koçiu.

/m.q/j.p

The post Koçiu: Situata nga reshjet në monitorim, koordinim mes strukturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 800 banesa të prekura nga uji në Durrës, 180 banorë të evakuuar

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot mbledhjen e Komitetit te Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes, Vengu bëri të ditur se janë rreth 800 banesa të prekura nga uji si dhe 180 banorë të evakuar.

Vengu theksoi se strukturat janë në terren dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi rreziku nuk ka kaluar ende.

“Kemi një situatë me prezencë uji në ish-Kënetë, në Shkozet, zonën e ish-Nishtullës dhe mbeten në terren të angazhuara të gjitha skuadrat, qofshin këto civile, qofshin dhe të Forcave të Armatosura të cilat gjatë mbasdites kanë ardhur në mbështetje të skuadrave të bashkisë së Durrësit. Nuk do ndahemi nga terreni deri sa të ketë largim total të ujërave, do jetë një natë dinamike, reshjet do të vazhdojmë”, tha Vengu.

“Kemi një konstatim, se kemi 800 banesa të prekura nga uji, me prezencë uji brenda tyre. Janë evakuuar rreth 180 banorë, të cilët janë akomoduar në dy kavaleshenca të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes dhe do të marrim të gjithë trajtimin qoftë edhe ushqimor apo mjekësor në rast se është nevoja, për të kaluar këtë natë dhe orët e para të mëngjesit. Parashikojmë prurje domethënëse, i gjithë fokusi ynë është të parandalojmë situata eventuale në basenin e Erzenit sepse nuk duam që të kemi edhe një situatë dinamike atje në Erzen dhe të kemi problematika dhe në zonën e Shijakut”, u shpreh Vengu.

Gjithashtu, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako shtoi se “në pjesën e  parë të ditës shumica e atyre që merrnin në telefon nuk pranonin të evakuoheshin, por duke qenë se shirat patën kapacitete dhe kohëzgjatje të lartë, kemi evakuuar 180 persona që janë akomoduar në kavalishencë dhe u është siguruar edhe ushqim”.

Ndërkohë, të dyja kavalishencë janë të hapura për të akomoduar qytetarët e evakuuar.

/m.q/j.p/

The post Vengu: 800 banesa të prekura nga uji në Durrës, 180 banorë të evakuuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Foto familjare, Rama në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Paris ku mori pjesë në samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

Pas samiti, Rama ndau në rrjetet sociale edhe foton familjare të liderëve pjesëmarrës në takimin “Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën” në Paris.

Koalicioni i Vullnetmirëve është një koalicion prej 35 vendesh, të cilat kanë premtuar mbështetje të përforcuar për Ukrainën kundër agresionit rus. Ky samit ka për qëllim të finalizojë një marrëveshje për garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Pak para nisjes së punimeve të këtij samiti, kryeministri Rama u prit në Pallatin Élysée nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Përpara punimeve të këtij samiti, kryeministri u takua edhe me ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, me të cilin diskutoi mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal.

/m.q/j.p/

The post Foto familjare, Rama në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Asnjë problematikë në Shkodër nga reshjet, strukturat në gatishmëri

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave në Bashkinë Shkodër, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci, prefektja e qarkut Holta Duda si dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Koçiu theksoi se po vijohet me monitorimin e situatës dhe koordinimin e vazhdueshëm me drejtuesit e KESH sh.a për menaxhimin e shkarkimeve në hidrocentralet.

“Fatmirësisht, në Shkodër nuk ka asnjë problematikë, por të gjitha strukturat janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme”, nënvizoi ministrja.

Prefektura e qarkut Shkodër bëri të ditur më herët sot, se nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e rezervuarit Shtodër.

Sipas prefekturës, nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje.

Po sipas prefekturës në kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme.

1 nga 4

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Asnjë problematikë në Shkodër nga reshjet, strukturat në gatishmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Efektivët e policisë, në shërbim të qytetarëve në akset e përmbytura nga reshjet

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut vuri në provë gatishmërinë e forcave të Policisë së Shtetit të cilët iu janë gjendur pranë qytetarëve duke rregulluar trafikun mes ujit, apo duke u dhënë një dorë mjeteve të ngecura në akset e përmbytura.

Përgjatë gjithë ditës së sotme ku reshjet intensive sollën problematika në mjaft rrugë urbane në Durrës e qytete të tjera të vendit, efektivët e policisë kanë treguar përgjegjshmëri, angazhim, sakrificë dhe humanizëm në shërbim të qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shprehu mirënjohje për punonjësit e Policisë si dhe falënderoi qytetarët që kanë dërguar në adresat e Policisë dhjetëra mesazhe falënderimi dhe video nga puna e punonjësve të policisë në terren.

Nën shi, punonjësit e policisë, po ashtu qëndruan në rrugë duke rregulluar trafikun dhe garantuar rendin publik. Sakrifica e tyre shpesh kalon pa u vënë re, por është thelbësore për sigurinë e të gjithëve.

Respektimi i udhëzimeve dhe bashkëpunimi i qytetarëve, është mënyra më e mirë për të vlerësuar punën dhe sakrificën e tyre.

/m.q/j.p/

The post Efektivët e policisë, në shërbim të qytetarëve në akset e përmbytura nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë rizgjedh kryetar Krenar Alimehmetin

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, ku morën pjesë 45 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 77 delegatë.

Në Asamblenë e zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë, u shqyrtua jo vetëm raporti i aktivitetit përgjatë vitit 2025, por delegatët miratuan pasqyrat financiare dhe buxhetin e vitit 2026, teksa u njohën me arritjet dhe problematikat e kësaj shoqate përgjatë vitit 2025.

Një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Tiranë për katërvjeçarin e ardhshëm.

Komisioni i Verifikimit, që është organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, deklaroi se komisionit i është paraqitur vetëm një kandidaturë për Kryetar, konkretisht kërkesa për rikandidim nga Krenar Alimehmeti, i propozuar nga 11 anëtarë të shoqatës.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me unanimitet të plotë, vendosi të zgjedhë Kryetar të SHRF Tiranë Krenar Alimehmeti me mandat 4 (katër) vjeçar.

Pas rizgjedhjes në krye të SHRF Tiranë, Krenar Alimehmeti i falënderoi anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar se SHRFT do të jetë gjithmonë në mbështetje të zhvillimit të futbollit amator në zonën e Tiranës.

“Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe besimin që më dhatë. Mendoj që kjo tregon se kemi bërë një punë të mirë të gjithë bashkarisht, ju edhe ne. Duke ju falënderuar juve, gjej rastin të falënderoj edhe stafin, i cili ka qenë shumë i përkushtuar gjatë këtyre viteve. Shpresoj që të gjenden disa formula, metoda të reja për rritjen e cilësisë, përveç masivizimit, pra nuk duhet të rrimë në këto nivele, pasi mundësitë janë për më tepër. Ne gjithmonë do të jemi në mbështetjen tuaj dhe bashkëpunimi me ju ka qenë dhe do të forcohet më shumë. Ju falënderoj shumë dhe shpresoj që të bëhet më e mira”, tha Krenar Alimehmeti.

Në rendin e ditës ishin edhe propozimet për kandidatë për President të FSHF-së dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Anëtarët e shoqatës kanë propozuar si kandidat Armand Duka për postin e Presidentit të FSHF-së, që u votua nga të gjithë anëtarët e shoqatës gjatë punimeve të asamblesë. Ndërsa, si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, anëtarët e SHRF Tiranë votuan për Lutfi Nuriu.

U zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFT në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, që janë kryetari i SHRFT, Krenar Alimehmeti, Artan Vangjeli, Gelda Lilo, Arjan Pisha, Oltion Sula dhe Sonila Çekrezi.

Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë iu shtuan edhe dhjetë anëtarë të rinj me të drejta të plota, që janë: Akademia e Futbollit SG Tirana, Holle, Akademia e Futbollit Peza Sport, Pro Talents Tirana, FC Autokton, TR 19 Football Academy, AF Kampionët, Kamza Sport, Dinamo 14 dhe Kamza Juniors. /j.p/

The post Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë rizgjedh kryetar Krenar Alimehmetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) rrëzoi sot kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për lirimin nga qelia.

Meta kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të lehtë, me argumentimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve apo të largohet nga vendi. Por gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se nuk kishte asnjë bazë ligjore për rrëzimin e kërkesës.

“Mbeti gjykatë e kapur peng, mbeti gjyqtare-notere e prokurorisë. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do kërkojmë zëvendësimin. Do e kërkojmë atë pasi jemi në të drejtën tonë procedurale. Nuk mund të mbahet në paraburgim një president për shkaqe që nuk varen nga ai. Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata.

“Mendova se vit i ri dhe gjykata do kishte reflektuar, me gjithë problematikat që ka shfaqur vitin e kaluar dhe menduam që ta niste vitin mbarë duke i dhënë një të drejtë procedurale, ligjore, që presidenti të vazhdonte hetimin ose gjykimin në një masë tjetër sigurimi që ne ia lamë në dëshirën e gjykatës”, tha ai.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkojnë sërish mbledhjen e Këshillit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

PD kërkon që Këshilli i Mandateve të mblidhet ditën e martë, më datë 6 janar. Sipas PD-së, mazhoranca po bllokon procesin e heqjes së imunitetit për Ballukun, duke penguar në këtë mënyrë edhe drejtësinë që të kryejë hetim të plotë.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.

/m.q/r.e/a.f/

The post PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtoria e Burgjeve: Nuk ka pasur vonesa për transferimin e Veliajt

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi sot në lidhje me reagimet e publikuara në medie mbi pretendimet për moszbatimin e orarit të transferimit të kryebashkiakut Erion Veliaj drejt Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i cilësuar si të pavërteta.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se “për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”.

Ndërkaq, sipas medieve, seanca gjyqësore për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që ishte parashikuar të mbahej sot, u shty për në datën 19 janar.

/m.q/r.e/a.f/

The post Drejtoria e Burgjeve: Nuk ka pasur vonesa për transferimin e Veliajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi se ndaj tij është shtuar akuzë fakti që fëmijët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave.

“Sa për t’ju informuar, se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen “Partizani”, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.

“Tani dëgjojeni se cilat janë pasuritë: Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metra katrorë në rrugën “Myzeqari”, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.

“Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali. Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë, sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike”, tha Berisha.

Sipas Berishës, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike.

“Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme. Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave. Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me Ligjin 7652”, tha Berisha.

Berisha shtoi se kjo është e reja e akuzës së ish-kreut të SPAK, Altin Dumanit.

Gjatë fjalës së tij Berisha bëri të ditur se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese masën e Apelit të GJKKO “detyrim paraqitje”. Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese u mblodh në seancë plenare për masën e tij, por nuk shpalli vendim.

“Njoftimi u mor sepse avokati im bëri shkresë dhe kërkoi njoftim se çfarë vendimi morët. Po meqenëse votat nuk u dolën për vendimin që donin, atëherë thanë se nuk kishte seancë, dhe do mblidhen në seancë plenare. Këta ishin në seancë plenare. Këta tregojnë se janë një grup mjeranësh, organizatë e mirëfilltë e PS-së, gjykatë e turpit që vepron në këtë mënyrë”, tha Berisha.

Berisha dënoi gjithashtu edhe “dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga “Shqipëria bëhet” e Adriatik Lapajt”.

“E kam dënuar me forcën më të madhe që dje. Akt i shëmtuar. Edi Rama i tmerruar nga çdo protestë, sepse çdo protestë iu kujton shqiptarëve dhe botës se Ramaduro është në pushtet”, tha ai.

I pyetur lidhur me zgjedhjen e Klodian Brahos si drejtues i ri i SPAK dhe qëndrimin e Partisë Demokratike, Berisha theksoi se opozita do ta vlerësojë çdo drejtues apo punonjës të institucioneve të drejtësisë në bazë të respektimit të ligjit.

“Drejtuesi i ri, e thashë dhe një herë, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin, ka dhe do të ketë vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare”, tha Berisha.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

/m.q/r.e/a.f/

The post Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Policia e Tiranës arrestoi katër protestues të Lëvizjes “Shqipëria bëhet” dhe vuri nën hetim gjashtë të tjerë, pasi sipas saj, gjatë protestës së zhvilluar dje, u hodhën sende të forta të drejtim të Policisë së Shtetit, ku për pasojë u plagosën dy efektivë.

Policia njoftoi se ka vënë në pranga shtetasit “E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan dy punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital”.

Gjithashtu, policia procedoi penalisht edhe tre protestues të tjerë, përfshirë edhe drejtuesin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, për zaptim të hapësirës publike përpara Kryeministrisë

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë”, njoftoi policia.

/m.q/a.f/r.e/

The post Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Zhbllokohet aksi Qafë Thore-Theth, nesër nis ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Aksi rrugor Qafë Thore-Theth është tashmë i hapur për qarkullim, pas bllokimit si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, theksoi se zhbllokimi i aksit rrugor u krye pas punës intensive në terren.

“Qarkullimi vijon normalisht, ndërsa ndërhyrjet kanë garantuar siguri për drejtuesit e mjeteve”, shkroi Beci.

Sipas Becit strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim të vazhdueshëm, në varësi të kushteve të motit.

“Këshillohet lëvizje me kujdes dhe respektim i rregullave të sigurisë”, nënvizoi Beci.

Gjithashtu, Beci bëri të ditur se nesër do të nisë ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh.

“Në vendin e quajtur Gështenja e Thaçit, në Njësinë Administrative Pult, pjesë e segmentit Kir-Shosh, është evidentuar rrëshqitje inertesh, e cila ka shkaktuar bllokimin e qarkullimit rrugor. Bashkia ka organizuar grupin e ndërhyrjes dhe do të nisë punën në terren për hapjen e segmentit dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftoi Beci.

Beci u bëri thirrje qytetarëve që deri në përfundimin e punimeve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet në këtë aks.

“Jemi në ndjekje të situatës dhe do të informojmë në vijim për çdo zhvillim”, tha ai.

/m.q/r.e/

The post Beci: Zhbllokohet aksi Qafë Thore-Theth, nesër nis ndërhyrja për hapjen e rrugës Kir-Shosh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Të dielën priten reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Vendi ynë është përfshirë sot nga reshje shiu. Instituti i Gjeoshkencave njoftoi se sot pasdite dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug të vendit.

IGJEO bëri të ditur se “në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”.

Sipas llogaritjeve të IGJEO përgjatë datave (3 -7 janar) priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, në liqenin e Shkodrës, si dhe në lumenjtë Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Në qarqet qarqet Dibër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër nesër priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, shoqëruar me shtrëngata. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.

1 nga 2

/m.q/r.e/

The post IGJEO: Të dielën priten reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kamerat kurth të vendosura në zonat e mbrojtura kanë dokumentuar jetën e botës së egër në vendin tonë, duke regjistruar imazhe e video të kafshëve në habitatin e tyre natyror.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau sot një video nga bota e larmishme e faunës së egër.

“Nga parqet tona kombëtare e natyrore, vijnë pamjet unike të “banorëve” të këtyre habitateve, falë kamerave kurth dhe kujdesit të specialistëve të zonave të mbrojtura”, shkruan Jaupaj.

Nga kamerat kurth janë arritur të identifikohen kafshë të ndryshme si ujku, macja e egër, kormorani i madh (shpend shtegtar), baldosa (vjedulla), dhelpra, pata e egër, sorkadhja, një tufë çakejsh si dhe lejleku.

Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e natyrës. Llojet e faunës së egër jetojnë të qeta në habitatet e tyre falë moratoriumit të gjuetisë.

/m.q/r.e/

The post Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sistem ngrohje dhe infrastrukturë moderne në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Në Elbasan ka nisur puna dhe shumë shpejt shkolla “Naim Frashëri” do të ofrojë kushte më të mira për 673 nxënësit e saj.

Kështu bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “projekti sjell infrastrukturë moderne për nxënësit me sisteme ngrohjeje, laboratorë, sallë multifunksionale dhe ambiente sportive të brendshme e të jashtme”.

Gjithashtu Rama theksoi se “do të krijohen hapësira të reja për t’iu përgjigjur numrit të madh të nxënësve dhe për të ofruar një mjedis të denjë edhe për edukimin parashkollor”.

Shkolla “Naim Frashëri” – e themeluar për herë të parë në vitin 1908 – është një ndër institucionet më të hershme arsimore në qytetin e Elbasanit. Godina aktuale ku funksionon shkolla është ndërtuar në vitin 1967 dhe që prej asaj kohe ka shërbyer si një vatër e rëndësishme formimi për breza të tërë nxënësish.

Me këtë rikonstruksion, ajo nuk do të jetë vetëm një shkollë moderne, por edhe një simbol i respektit për trashëgiminë dhe përkushtimit për të ardhmen.

/m.q/r.e/

The post Sistem ngrohje dhe infrastrukturë moderne në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Crans Montana, ambasada zvicerane në Tiranë: Kujtojmë 40 të rinjtë që humbën jetën

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, shprehu sot ngushëllimet për humbjet e jetëve nga zjarri që shpërtheu në një bar, në Crans Montana në Zvicër.

“Në këtë fillim të Vitit të Ri, ndalemi për të kujtuar 40 të rinjtë që humbën jetën në një zjarr shkatërrues gjatë festimeve në Crans Montana, Zvicër”, shkruan ambasada zvicerane.

Më tej ambasada theksoi se “siç deklaroi Presidenti i Zvicrës, kjo është “një nga tragjeditë më të këqija që ka përjetuar vendi ynë”.

“U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të tyre dhe urime të përzemërta për shërim dhe rikuperim të plagosurve”.

Ambasada zvicerane e mbyll reagimin duke falenderuar të gjithë ata që “kanë shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tyre”.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në Crans Montana, ambasada zvicerane në Tiranë: Kujtojmë 40 të rinjtë që humbën jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda: Bashkëpunim profesional i policisë me prokurorisë për zbardhjen e vrasjes në Shkodër

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përgëzoi policinë e Shkodrës për zbardhjen e vrasjes me lëndë eksplozive të komanduar në distancë dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin mjaft efikas me Prokurorinë e Shkodrës.

“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distance”, shkroi Proda.

Proda theksoi se “ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës”.

“Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve”, e përmbylli Proda reagimin e tij.

/m.q/j.p/

The post Proda: Bashkëpunim profesional i policisë me prokurorisë për zbardhjen e vrasjes në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbardhet vrasja me eksploziv në Shkodër, 4 të arrestuar

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka zbardhur vrasjen me lëndë eksplozive të H. Y., e kryer më 29 dhjetor 2025, në lagjen “Manush Alimani” dhe ka vënë në pranga 4 persona.

Policia bëri të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Shadows”, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: G. B., 27 vjeç; E. I., 27 vjeç; E. H., 25 vjeç; Gj. Z., 24 vjeç.

“Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y”, njoftoi policia.

Sipas policisë “gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop”.

Policia bëri të ditur se vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”.

/m.q/j.p/

The post Zbardhet vrasja me eksploziv në Shkodër, 4 të arrestuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksident në aksin Lezhë-Mabë, humb jetën çifti i bashkëshortëve

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Një aksident i rëndë, me pasojë me dy të vdekur, ndodhi mëngjesin e sotëm në Lezhë.

Policia njoftoi se “rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F.

“Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë”, njoftoi policia.

Gjithashtu, sipas policisë janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

/m.q/j.p/

The post Aksident në aksin Lezhë-Mabë, humb jetën çifti i bashkëshortëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Shkodrës në Zogaj, “shtëpi” për larmi lloje zogjsh

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Fshati Zogaj, i ndodhur 3-4 km përtej Shirokës, buzë liqenit të Shkodrës, ofron një biodiversiteti të larmishëm dhe peizazhe piktoreske, duke e bërë këtë fshat një nga më të bukurit për t’u vizituar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga tufa zogjsh të cilët fluturojnë mbi liqenin e Shkodrës në fshatin Zogaj.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionale, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.

Zogaj është i njohur jo vetëm për peshkimin, bimët mjekësore, natyrën e virgjër dhe klimën alpine, por dhe për gatimet tradicionale. Këtu mund të gjeni tavën e famshme të krapit, gatimin tradicional të këtij peshku, të cilin banorët e ruajnë me pasion.

Kjo zonë të jep shumë mundësi argëtimi, sepse ka ujëra të pastër dhe një natyrë të paprekur.

/m.q/j.p/

The post Liqeni i Shkodrës në Zogaj, “shtëpi” për larmi lloje zogjsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌