Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Netanyahu takohet me Trump/ Presidenti amerikan: Rindërtimi i Gazës do nisë shumë shpejt. Nëse Irani riarmatoset do përgjigjemi

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Mar-a-Lago ku edhe është pritur nga presidenti amerikan Donald Trump.

Gjithashtu kanë mbërritur edhe delegacionet izraelite dhe ato amerikane ku pritet të ketë diskutime mes tyre.

Trump duke iu përgjigjur fillimisht disa pyetjeve të gazetarëve, tha se në fokus do të jetë edhe rindërtimi i Gazës. Gjithashtu Trump paralajmëroi se nëse Irani përpiqet të armatoset, atëherë SHBA nuk mund të qëndrojë e heshtur.

“Kam dëgjuar se Irani po përpiqet të ndërtohet përsëri, dhe nëse po do të na duhet t’i rrëzojmë, do t’i rrëzojmë, do t’i shkatërrojmë plotësisht. Por shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Kam dëgjuar që Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje. Nëse ata duan të bëjnë një marrëveshje, kjo është shumë më e zgjuar”, tha ai.

Ndërsa Netanyahu ka vlerësuar mbështetjen e Trump, ndërsa është shprehur se “Izraeli kurrë nuk ka pasur një mik si Presidenti Trump.

Problemi në ujësjellës, banorët pa ujë/ Mbërrijnë nga Turqia pjesët për rregullimin e defektit, nis puna për riparimin e tubacionit në Vlorë

Pas mbërritjes në Rinas materialet për sistemin e transportit të ujit të pijshëm, u transportuan në Vlorë.

Këto materiale do të bëjnë të mundur bashkimin e tubove dhe furnizimin me ujë për banorët e Vlorës. Ndërkohë raportohet se ka nisur menjëherë puna dhe pritet të mbyllet në mesnatë për të rikthyer më pas normalitetin në furnizimin me ujë.

Banorët në Vlorë u përballën me mungesën  e ujit të pijshëm prej ditësh. Këtë të hënë ata protestuan para Bashkisë duke kërkuar edhe zgjidhje për shkak se situatës shqetësuese.

Ministri i Jashtëm ukrainas: Rusia po kërkon ‘justifikime’ për të nisur sulme të reja

Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibikha u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të dënojnë “manipulimet” e Rusisë mbi sulmin e supozuar ukrainas ndaj rezidencës së Vladimir Putin.

Ai u shpreh se Moska po kërkonte “justifikime” për të kryer sulme të mëtejshme ndaj Ukrainës.

“Një taktikë tipike ruse: akuzon palën tjetër për diçka që po bën ose po planifikon”, tha ai në një reagimin në platformën X.

Gjithashtu edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se akuzat ruse ishin “të rreme” dhe se ai e kishte diskutuar çështjen me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Defekt në ujësjellës, banorët pa ujë/ Bashkia Vlorë: Sot vijnë tre pajisje nga Turqia. Rinis furnizimi

3 pjesë të ardhura nga Turqia pritet t’i japë fund problemit të shkaktuar në tubin kryesor të qytetit të Vlorës.

Defekti, i cili la pa ujë banorët e qytetit bregdetar për 4 ditë, do të riparohet, ndërsa kryetarja e bashkisë garantoi zgjidhjen e problemit.

Inxhinieri Faluers Shoshi, drejtor i ujësjellës kanalizimeve në Vlorë, tregoi dhe arsyet përse ndodhi defekti.

Për mungesën e ujit, qytetarët e Vlorës u mblodhën duke protestuar që prej mëngjesit në dyert e bashkisë.

Përplasje pati edhe me policinë…

Pavarësisht provave për të rregulluar avarinë, përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme, ndërsa në mesnatë, sipas autoriteteve, ky problem do të marrë zgjidhje përfundimtare.

“Sonte në mesnatë do të rikthehet furnizimi më ujë. Kjo është fjala ime”.

/abcnews.al/

“Synoj edhe një mandat si presidente”/ Vjosa Osmani për Rel: Nëse nuk rizgjidhem do të angazhohem në politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.

Osmani u shpreh se synon edhe një mandat si presidente. Ndër të tjera ajo ka thënë se nëse nuk rizgjidhet do të angazhohet në politikë

“Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës”.

Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave.

Presidentja Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.

Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor.

Përveç kësaj, Osmani foli edhe lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndërkaq, në lidhje me politikën e jashtme, presidentja komentoi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e Donald Trumpit, dhe prapaskenat e takimeve me zyrtarë amerikanë.

“Në dy vizitat që i kam pasur në Departamentin e Shtetit, brenda këtyre pak muajsh, çështja e parë që më është rikonfirmuar tepër qartë ka qenë kjo: ‘Ne e mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës'”.

Ajo foli edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Presidente, Kosova dje i pati zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të dytat për këtë vit. Lëvizja Vetëvendosje doli fituese edhe kësaj radhe, me përqindje më të lartë, sipas rezultateve preliminare. Si i keni parë këto rezultate?

Vjosa Osmani: Në radhë të parë, unë dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për shembullin e një demokracie jashtëzakonisht të fortë elektorale që ata e kanë dëshmuar për të satën herë me radhë, dhe siç e thatë edhe ju, përkundër faktit që zgjedhjet janë përsëritur disa herë gjatë këtij viti, sepse kishim edhe zgjedhje lokale, qytetarët treguan se Kosova organizon zgjedhje model. Model do të thosha jo vetëm për rajonin tonë, por edhe përtej, me një demokraci jashtëzakonisht të fuqishme, me zgjedhje të rregullta, të cilat janë sipas standardeve më të larta demokratike që mund të kërkojë dikush.

Jo rastësisht, ky është njëri prej elementëve që e kanë ngritur vazhdimisht Kosovën në indekset ndërkombëtare për fuqizimin e demokracisë sonë, të arritura me të cilat jemi jashtëzakonisht krenarë, dhe jam shumë krenare edhe me mënyrën se si gjithçka ka shkuar dje, me daljen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e tyre masive, dhe siç e kam thënë edhe dje kur votova, sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e qartë është rruga përpara. Dhe, siç po e shohim edhe nga rezultatet tashmë, do të kemi shumë shpejtë edhe parlament të konstituuar, edhe qeveri të zgjedhur.

Radio Evropa e Lirë: E thatë vetë, tash gjasat janë të mëdha që institucionet të zgjidhen dhe qeveria të bëhet. Pastaj Kosovën e pret një tjetër zgjedhje. Mandati juaj përfundon në prill. A synoni mandat të dytë?

Vjosa Osmani: Përgjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë maksimumin që të punojmë shumë për interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kemi punuar që Kosova të mos konsiderohet thjesht si një shtet që ndjek zhvillimet, por si një prej faktorëve të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare që ka rol në përcaktimin e këtyre zhvillimeve. Përgjatë këtyre pesë vjetëve, Kosova është fuqizuar si shtet, brenda dhe jashtë. Brenda, në radhë të parë, për shkak se e ka shtrirë sovranitetin në çdo milimetër të territorit të vendit, kemi fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit që ka qenë një prej prioriteteve tona të përbashkëta që nga koha kur jam zgjedhur presidente në fillim të vitit 2021, dhe natyrshëm në arenën ndërkombëtare Kosova kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e fortë, sado që kemi pasur sfida, por sfidat në radhë të parë kanë ardhur nga Serbia, e cila, siç e dini, ka eskaluar edhe me akt-agresionin ndaj Republikës së Kosovës, dhe me sulme ndaj infrastrukturës tonë kritike, dhe me një sërë aktesh destabilizuese.

Në rrethana të tilla, si institucione të Kosovës, kemi bërë të pamundurën dhe besoj kemi arritur që të mbrohet interesi i Republikës së Kosovës, që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial, që në asnjë moment të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti ynë, shtetësia jonë, parimi i unitaritetit të shtetit, dhe njëkohësisht e kemi përfaqësuar Republikën e Kosovës denjësisht para syve të botës, duke ndërtuar një imazh të denjë, të tillë siç e meritojnë qytetarët tanë. Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë e synoni edhe një mandat?

Vjosa Osmani: Synoj që t’i vazhdoj punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë te dera duhet të vazhdohen, sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë. Megjithatë, unë, po ashtu, jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të drejtat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin, do të thosha, në dy pika themelore. E para është nëse duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta është nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar…

Radio Evropa e Lirë: A synoni bisedime me opozitën?

Vjosa Osmani: Natyrisht, siç kam bërë edhe herën e kaluar, do ta bëjmë sërish me të gjithë deputetët. Natyrisht, unë nuk kërkoj përkrahje nga Lista Serbe, sepse sikurse edhe herën e kaluar, nuk kam pasur ndonjë votë nga ata dhe, siç e dini, pas veprimeve të tyre…

Turkish Airlines (më në fund)/ Kompania turke nis fluturime në Tiranë, pas shkëputjes nga Air Albania

Kompania turke Turkish Airlines do të nisë fluturimet drejt aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza dhe anasjelltas.

Ne faqen zyrtare të kompanisë njoftohet se fluturimet direkte drejt Tiranës do të nisin në 10 janar por prenotimet mund të realizohen vetëm pas datës 23 janar.

Biletat variojnë nga 51 deri në 58 euro vetëm për një drejtim. Ky vendim i kompanisë turke vjen pas shitjes së 49% të aksioneve që zotëronte në kompanianë shqiptare të fluturimeve Air Albania.

Pas shitjes së aksioneve kompania turke  anuloi edhe shitjen e biletave tranzit përmes Air Albania, duke detyruar qytetarët që  kishin bileta të tilla që të fluturonin  për në kryeqytetin turk  nga Podgorica ose Mali i Zi.

Dalja e Turkish Airlines nga ky partneritet  vjen menjëherë pasi ajo ra dakord të blinte deri në 27 përqind të Air Europa, një veprim që synon zgjerimin e shtrirjes së saj globale dhe hapjen e tregjeve të reja të turizmit dhe ngarkesave midis Turqisë dhe Amerikës Latine.

Ndryshimi sugjeron një strategji të fokusuar në mundësi më të mëdha dhe më konkurruese për të forcuar pozicionin e saj strategjik në industrinë globale të aviacionit dhe për të rritur numrin e turistëve që vizitojnë Turqinë.

Një tjetër arsye e shitjes së aksioneve që kompania turke ka në Air Albania mendohet se është edhe gjendja financiare pasi fitimet kanë rezultuar më të vogla sesa shpenzimet gjatë vitit 2025.

Ndërkohë  që kompania shqiptare Air Albania  nga kërkimi në faqen zyrtare nuk ofron fluturime drejt Stambollit për ditët në vijim.

Tragjedi në Pirenej, orteku i merr jetën tre personave

Një ortek ka vrarë tre persona dhe ka plagosur një tjetër, në Pirenejtë Aragoneze në Spanjën verilindore. Autoritetet nisën menjëherë kërkimet pas njoftimit nga një person që kishte raportuar ngjarjen

Garda Civile Spanjolle për AFP se mënjëherë u angazhuan e ekipet e shpëtimit në zonë.

Presidenti i rajonit, Jorge Athcon reagoi në një postim në X duke u shprehur se ishte “i tronditur nga lajmi i aksidentit tragjik në “Tablato”.

Investimet e huaja, Kosova e para/ Banka: Dyfishohen investimet nga Kosova, Italia e dyta

Investimet nga Kosova kanë regjistruar një dyfishim në tremujorin e tretë të këtij viti.

Sipas të dhënave Të Bankës së Shqipërisë rezulton se në periudhën korrik-shtator në vend janë realizuar investime në vlerën e 90 milion eurove duke shënuar një rritje të forte me një tremujor më parë por edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Investimet nga Kosova në Shqipëri fokusohen në shërbime e tregti  ku po zgjerohen kryesisht në tregtinë me pakicë, në pasuritë e paluajtshme e ndërtim por edhe në industrinë përpunuese. Në vend të dytë vijon të pozicionohet Italia me 48 milion euro.

Ky shtet i ka investimet të përqendruara kryesisht  në pasuri të paluajtshme dhe energji të rinovueshme. Holanda pozicionohet në vend të tretë me  45 milion euro  ndërsa Turqia ka zbritur në vend të katërt me 39 milionë euro në tremujorin e tretë.

Edhe nëse bëjmë një krahasim si 9 mujor përsëri Kosova pozicionohet e para përsa i përket investimeve duke arritur vlerën 153 milion euro. Ndërkohë  në vend të dytë renditet Italia me  137 milion euro.

Shqipëria ka thithur më shumë investime gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në periudhën janar-shtator   totali i investimeve të huaja direkte arriti mbi 1.2miliardë euro, duke u rritur me 4.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë nëse vërejmë të dhënat për periudhën korrik-shtator rritja është edhe më e fortë. Investimet e huaja direkte arritën  në 449 milionë euro, me një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Përqendrimi kryesor është në blerjen e pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e tretë 2025 flukset hyrëse ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme 31%, ndërmjetësim financiar 16%, hidrokarbure 6%, energjetikë  dhe  komunikacion. Vetëm për blerjen e  pronave janë investuar 392 milionë  ose 123 milionë më tepër  se një vit më parë ndërsa për agjentët imobilarë. Shqipëria është ende një treg me interes për të huajt.

Investimet sipas shteteve

Kosova          90 mln euro

Itali               48 mln euro

Holandë     45 mln euro

Turqi           39 mln euro

Investimet ne janar- shtator

Kosova    153 mln euro

Italia         137 mln euro

Holanda   130 mln euro

Turqia       128 mln euro

Greqia, Izraeli dhe Qipro planifikojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në Mesdhe

Greqia, Izraeli dhe Qiproja do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ajrore dhe detare në Mesdheun lindor në vitin 2026, duke thelluar bashkëpunimin e tyre në mbrojtje, kanë thënë të hënën zyrtarë ushtarakë grekë.

Të tri vendet e Mesdheut lindor janë afruar më shumë gjatë dekadës së fundit përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, prokurimit të mbrojtjes dhe bashkëpunimit në energji, zhvillime të vëzhguara nga afër nga rivali rajonal Turqia.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Greqisë (GEETHA) ka thënë se zyrtarë të lartë ushtarakë nga të tri vendet nënshkruan një plan të përbashkët veprimi për bashkëpunimin në mbrojtje javën e kaluar në Qipro.

Marrëveshja vjen pas një takimi në Jerusalem midis kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, presidentit qipriot, Nikos Christodoulides dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilin ata nënshkruan një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë detare dhe për të avancuar projektet e ndërlidhjes në energji, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

Dashi

Priten disa probleme të vogla gjatë kësaj dite në jetën tuaj në çift, megjithatë gjithçka do zgjidhet shume shpejt. Merrini gjërat me qetësi. Beqarët do pëlqejnë tej mase një person, por nuk do kenë guximin t’ia shprehin ndjenjat. Në planin financiar mundohuni të mos rrezikoni shumë sepse situata edhe pse e qëndrueshme mund të tronditet tej mase.

Demi

Nuk do arrini dot ta gjeni ekuilibrin ne çift gjatë kësaj dite dhe here pas here do debatoni ashpër me partnerin. Kujdes duhet të bëni edhe me xhelozinë. Beqarët do kenë mundësi pa fund për ta gjetur princin e tyre të kaltër do ndihen mjaft mirë në krahët e tij. Në planin financiar tregohuni sa me realiste që të mundeni sepse përndryshe do keni probleme.

Binjakët

Do mundoheni me çdo mënyrë të ruani një klime sa më të ngrohte sot në jetën tuaj në çift dhe do ja dilni mbanë. Partneri do ju përkëdhele dhe do ju ledhatoje pa fund. Beqarët nuk duhet të ndërmarrin rreziqe për të gjetur dashurinë sepse do gabojnë. Në planin financiar tregohuni me të organizuar në mënyrë që të mos keni asnjë vështirësi.

Gaforrja

Të dashuruarit do kenë një ditë të zakonshme dhe pa asgjë të rëndësishme. Bëni atë që ju thotë zemra pa menduar për të nesërmen. Ju që jeni beqarë do bëni mirë të mos mendoni të joshni një person që e keni në pune. Shihni gjetiu. Në planin financiar do përballeni me vështirësi. Duke shpenzuar pa fund mund të mbeteni në ndonjë moment duar thatë.

Luani

Do e rigjeni qetësinë që keni kërkuar në jetën tuaj në çift gjatë kësaj dite. Personi që keni në krah do jetë në humor të mirë dhe i gatshëm t’iu tolerojë. Beqarët nuk do kenë dashuri me shikim të parë, por gjithsesi nuk do mungojnë takimet interesante. Për financa të qëndrueshme duhet të hiqni dorë nga zakonet e këqija. Shpenzimet ulini në maksimum.

Virgjëresha

Do reflektoni gjerë e gjatë sot për jetën sentimentale dhe nga pasditja do merrni disa vendime. Diskutoni shtruar me partnerin. Beqarët do kalojnë një ditë shumë të bukur dhe të mbushur me takime mbresëlënëse. Mos e humbni mundësinë për t’u njohur mirë e mirë me ata qe do takoni. Financat do i menaxhoni me kujdes dhe gjendja do jete e favorshme.

Peshorja

Nëse keni një lidhje afatgjate dhe te qëndrueshme, do përjetoni mjaft kënaqësi pranë atij qe dashuroni. Në disa momente edhe do e surprizoni njeri-tjetrin. Beqaret do kenë një dite rutine. Vetëm njohje do ketë asgjë me tepër sesa aq. Ne planin financiar do keni fat me shumicë dhe gjendja do stabilizohet me shpejt nga sa mund ta kishit menduar.

Akrepi

Klima yjore do jetë shume e mirë sot për gjithë të dashuruarit. Do përjetoni kënaqësi dhe emocione pa fund. Shfrytëzoni çdo sekonde dhe mendojeni sikur do jete e fundit. Beqarët do ndihen shumë të vetmuar dhe do vuajnë në qetësi. Ata duhet të presin edhe disa ditë për të ndryshuar statusin. Në planin financiar ka rrezik të përballeni me surpriza te mëdha.

Shigjetari

Nëse e dëgjoni me kujdes partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe bëni ato qe ai kërkon, gjithçka për te shkuar mire ne jetën tuaj ne çift. Beqaret do jene ne humor te mire dhe do i joshin pa fund personat qe do i kenë pranë. Ne planin financiar do keni fat me shumice. Gjendja do jete goxha e stabilizuar dhe do mund te shlyeni edhe borxhet qe keni pasur.

Bricjapi

Sot as që do keni kohe të mërziteni juve që jeni në një lidhje. Partneri do ju surprizojë në çdo moment dhe do ju beje te ndiheni për mrekulli. Beqarët duhet te tregohen sa me te matur sepse jo te gjithë personat qe do i joshin do jene ashtu si duken. Ne planin financiar do ju duhet tëe hiqni dore nga disa shpenzime në mënyrë qe të mos keni probleme.

Ujori

Asnjë planet nuk do ndikoje drejtpërdrejt sot ne jetën tuaj ne çift prandaj gjithçka do varet nga sjellja juaj. Po u treguat te pamatur mund te përballeni me probleme goxha te mëdha. Ata qe janë vetëm nuk do e ndiejnë nevojën për te pasur një person ne krah, prandaj do i marrin gjerat si t’iu vijnë. Në planin financiar do ju duhet te bëni kujdes sepse situata mund t’iu dalë jashtë kontrollit.

Peshqit

Do ketë goxha debate dhe mosmarrëveshje gjate kësaj dite në jetën tuaj ne çift kështu qe here pas here do jeni me nerva dhe aspak ne humor. Beqarët më në fund do ja dalin ta bëjnë për vete personin që aq shumë kanë pëlqyer. Për financat do jete ditë shumë normale dhe pa ndonjë gjë te jashtëzakonshme. Shpenzoni me kursim.

Sulm me thikë në një fabrikë në Japoni, të paktën 14 të plagosur

Të paktën 14 persona janë plagosur pas një sulmi me thikë në një fabrikë në Japoni.

Autori i dyshuar i ngjarjes mësohet se është arrestuar. Ndërsa të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital për të marrë trajtim mjekësor.

Ngjarja e rëndë u raportua në një fabrikë gomash në Japoninë qendrore. Autoritetet u angazhuan menjëherë dhe po hetohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

Skulptorët shqiptarë që bënë kryevepra e histori në Venecia. E vërteta që pak e dinë…

Historia e artit europian fsheh brenda saj emra të mëdhenj shqiptarë, të cilët për shekuj me radhë kanë mbetur në hije.

Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, studiuesi Alban Kraja solli në vëmendje një kapitull mahnitës të historisë sonë kulturore: historinë e dy skulptorëve virtuozë shqiptarë që magjepsën Italinë e shekujve XVI–XVII.
Giovanni Battista Albanese dhe vëllai i tij Girolamo Albanese ishin skulptorë, arkitektë dhe piktorë me origjinë shqiptare, të cilët u bënë emra të njohur në Italinë e kohës. Ata kishin qendrën e tyre artistike në Vicenza, ndërsa në Venecia realizuan disa nga kryeveprat që sot admirohen nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Sipas studiuesit Alban Kraja, gjyshi i tyre vinte nga Shkodra, ndërsa origjina shqiptare e familjes është e dokumentuar. Pas pushtimit osman të Shkodrës, një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të emigrojë drejt territoreve të Republikës së Venecias.
“Rreth 40% e qytetarëve të Shkodrës u zhvendosën në Venecia, sepse ishte vendi më mikpritës për ta në atë periudhë historike,” shpjegon Kraja.
Një nga dëshmitë më të forta të kontributit shqiptar në artin italian ndodhet në Kishën San Giorgio Maggiore në Venecia. Pikërisht aty gjenden pesë statuja të realizuara nga Giovanni Battista Albanese, vepra që edhe sot konsiderohen si shembuj të shkëlqyer të artit skulpturor të kohës.
“Gjurmët e Giovanni Battista Albanese janë qartësisht të dukshme në këtë kishë ikonike,” thekson studiuesi, duke shtuar se arti i tij përfaqëson nivelin më të lartë të mjeshtërisë së epokës.
Veprimtaria e Giovanni Battista Albanese nuk u kufizua vetëm në Venecia. Në sheshin kryesor të Vicenza-s, ai ka realizuar një statujë monumentale që vazhdon të qëndrojë aty edhe sot, si një dëshmi e pavdekshme e talentit të tij.
Qendra e tyre krijuese ishte pikërisht Vicenza, nga ku vëllezërit Albanese udhëtonin drejt Venecias për të realizuar porositë më të rëndësishme artistike të kohës.

“E Kuqja” që pushtoi New York-un: Linda Lupi, zëri i artit shqiptar në zemër të botës

Në studion e ABC e Mëngjesit, piktorja dhe pedagogia Linda Lupi solli një histori suksesi që tejkalon kufijtë e artit dhe shndërrohet në krenari kombëtare. Me ekspozitën e saj “E Kuqja”, artistja shqiptare arriti të vendosë artin shqiptar në një nga skenat më prestigjioze të botës, selinë historike të Kryetarisë së Bashkisë së New York-ut.

Në rezidencën ikonike Gracie Mansion, Linda Lupi prezantoi veprat e saj përpara Kryetarit aktual të New York-ut, Eric Adams, në kuadër të eventit të veçantë “Albanian

Diaspora Night”, një mbrëmje e mbushur me emocione, art dhe krenari kombëtare.
“I dhurova një nga pikturat e mia Kryetarit të Bashkisë, i cili më priti me shumë entuziazëm dhe e mirëpriti dhuratën time”, u shpreh artistja. Ky moment, sipas saj, nuk ishte vetëm një nder personal, por një dëshmi e fortë se arti shqiptar ka zë dhe vend në skenën ndërkombëtare.
“Ky ishte një motiv më shumë për të vazhduar të krijoj me pasion dhe përkushtim ndaj identitetit tim kulturor,” thekson Lupi, duke e cilësuar këtë përvojë si një natë që do ta mbajë mend gjithë jetën.

Linda Lupi thekson se veprat e saj nuk flasin vetëm për të si artiste, por për shpirtin shqiptar që udhëton, krijon dhe mbetet gjithmonë krenar për origjinën e vet. Një nga pikturat më të diskutuara të mbrëmjes ishte “Eksodi i Kosovës”, një vepër që preku thellë të pranishmit dhe u bë pikë reflektimi për historinë dhe qëndresën shqiptare.
“Ne jemi gjithmonë bashkë, të pandarë,” shprehet ajo, duke nënvizuar se në event ishin të pranishëm edhe artistë të tjerë nga Kosova, çka e bëri mbrëmjen edhe më domethënëse.

Ekspozita në New York erdhi menjëherë pas një tjetër prezantimi të suksesshëm në Egjipt, ku Linda Lupi ishte pjesë e një aktiviteti prestigjioz ndërkombëtar me pjesëmarrje nga vende të ndryshme të botës. Një tjetër dëshmi se arti i saj po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë dhe vlerësim global.

E angazhuar në disa drejtime njëkohësisht, Linda Lupi shprehet se e gjen artin në gjithçka që bën. Përveç pikturës dhe mësimdhënies, ajo është edhe pjesë e ekranit televiziv me programin “Ora e Tiranës”, ku prezanton aktivitetet kulturore dhe artistike të kryeqytetit.

Arineta Mula/ Shqiptarja që sfidoi 6 majat më të larta të botës, eksperiencat e ekstreme

Arineta Mula, ish-alpinistja dhe gruaja nga Peja që ka ngjitur disa nga majat më të larta të botës, është një shembull i jashtëzakonshëm i forcës, guximit dhe pasionit për natyrën.

Pavarësisht se nuk e nisi jetën si alpiniste, ajo ka arritur të ngjisë majat më të vështira, duke u bërë një figurë frymëzuese për gratë dhe të rinjtë e Kosovës dhe më gjerë.
Arineta nuk e kishte menduar kurrë të bëhej alpiniste.

Rrugëtimi i saj nisi një ditë kur një shoqe e ftoi për një shëtitje në male. Ajo që nisi si një ekskursion i thjeshtë, përfundoi duke u shndërruar në një pasion të jetës. “U dashurova me natyrën, qetësinë dhe energjinë që më jepnin ato vende,” thotë Arineta, duke kujtuar fillimet e saj të thjeshta, kur çdo fundjavë shkelte majat e Kosovës.

Nga male të Kosovës në Everest, Arineta shpejt kuptoi se ky ishte vetëm fillimi i një udhëtimi të madh dhe ambicioz. “Nisa të trajtohem seriozisht dhe fillova të ngjitem në maja të ndryshme në Europë dhe më pas edhe jashtë saj,” shpjegon ajo.

Në maj të vitit 2017, Arineta bëri histori duke ngjitur Everestin, maja më e lartë e botës. Ajo ishte pjesë e ekspeditës së parë kosovare që arriti në majën e këtij mali të tmerrshëm, një ngjitje që zgjati 66 ditë dhe përfshinte kushte jashtëzakonisht të vështira: ftohtësi ekstreme, mungesë oksigjeni dhe rreziqe të shumta. “Kalova me sukses zonën e vdekjes, një nga pjesët më të rrezikshme të ngjitjes, ku shumica e ngjitësve mund të pesojnë dëme të pariparueshme fizike,” thotë Arineta, duke theksuar forcën e mendjes dhe trupit që kërkohej për t’u ngjitur në majën më të lartë të botës.

Dinamika/ Aksidenti i dytë brenda 2 javëve në kryqëzimin e Cakranit, përplasja fatale për 16-vjeçarin

Policia e Fierit po heton për aksidentin e mbrëmjes se të enjtes ku një 16 vjeçar humbi jetën teksa drejtonte një automjet tip “Peuegot” ne autostradën Levan-Tepelenë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se makina qe drejtonte i mituri, nuk ishte ne pronësi te prindërve apo të afërmve.

Viktima punonte pas orarit te shkollës në një pikë shërbimi automjetesh ç’ka i bën ekspertët e sigurisë rrugore të dyshojnë se automjetin mund ta ketë marrë nga aty.

Hetimi për shkaqet e aksidentit vazhdon por mekanizmi i aksidentit  është zbardhur dhe bëhet fjalë për një nga problematikat e njohura të kësaj autostrade, kryqëzimet lidhëse mes fshatrave të zonës.

Vetëm dy javë më parë, një furgon i FNSH, me 6 efektivë brenda tij, u përplas me një automjet që i preu rrugën, teksa hynte në autostradë nga “kthesa e Cakranit”.

Efektivët dhe drejtuesi i mjetit tjetër u lënduan lehtë por një natë më parë, përplasja në këtë vend, ishte fatale për një 16 vjeçar.

Rreth orës 19:00, makina “Peugeot” me drejtues  një 16 vjeçar, ka hyrë në autostradë nga rruga e Cakranit me drejtim anën tjetër të autostradës, fshatin Buzëmadh.

Një automjet “Benz” që lëvizte në drejtim të Levanit u përplas me të duke lënë të vdekur të miturin. Shkak për të dy rastet e fundit duket se është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve.

Policia rrugore po heton se kujt i përket makina që ngiste 16-vjeçari. Ndërkohë drejtuesi i mjetit tip “Benz” Syrja Begaj është arrestuar teksa hetimi për shkaktarin e aksidentit vazhdon.

Maqedonia e Veriut shpall gjendje krize për energjinë elektrike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të martën gjendje krize shtatë-ditore për furnizimin me energji elektrike, për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me naftë nga Greqia.

Masa i lejon kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, ESM, të përdorë rezervat e detyrueshme shtetërore të naftës pa kompensim, njoftoi qeveria në një deklaratë.

“Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për t’u furnizuar me naftë, e cila është thelbësore për prodhimin e energjisë. Rezervat shtetërore të naftës do të transferohen pa kompensim dhe ESM është e detyruar t’i raportojë qeverisë dhe Ministrisë së Financave mbi konsumin e karburantit”, thuhet në deklaratën e qeverisë në Shkup, pas mbledhjes së kabinetit të hënën.

ESM i kishte kërkuar qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të vështirësive në furnizimin me linjit dhe naftë nga Greqia. Kompania ia atribuoi këto ndërprerje bllokadave të vendosura nga fermerët grekë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me burime kryesore të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike.

Sipas ESM, shpallja e krizës ishte e nevojshme për të mundësuar përdorimin e rezervave shtetërore dhe për të siguruar energji të mjaftueshme derisa pikat kufitare të rifillojnë funksionimin normal, shkruan klankosova.

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentralet e ESM-së, të cilat përdorin linjit dhe naftë.

Bullgaria ofroi furnizime emergjente me naftë për Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së krizës, sipas shërbimit informativ të qeverisë bullgare.

Oferta u komunikua gjatë një telefonate mes ministrit të Jashtëm bullgar, Georg Georgiev dhe homologut të tij maqedonas, Timço Mucunski, sipas raportimeve.

❌