Gjërat tona/ “Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish
Në një fshat të vogël të Vlorës, afro 65 kilometër larg, qetësia e mbrëmjes së 1 nëntorit u thye nga plumbat.
Një tjetër krim, një tjetër emër i njohur i botës së errët.
Një 33-vjeçar që i shmangej drejtësisë, nuk iu shmang dot hijes së vet.
Bertil Alliaj, në kërkim prej gati një dekade, kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Gjorm dhe vret kushëririn e tij, Dalan Alliajn, 38 vjeç. Një njeri që jetonte thjeshtë, punonte, e s’kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë.
Gjashtë të shtëna pistolete në oborrin e shtëpisë i dhanë fund gjithçkaje.
E ndërsa Policia vraponte për të ndaluar autorin, historia dukej se përsëritej.
Kësaj here, ajo që nuk ndodhi për 10 vjet, u realizua për 5 orë. Autori u arrestua.
Një dekadë më parë, emri i tij ishte në çdo ekran.
Një masakër e egër, një dënim prej 35 vitesh burg.
Por ndryshe nga 3 viktimat e asaj që mori emrin “Masakra e Çoles”, Bertil Alliaj mbeti i gjallë… dhe i lirë.
“Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish.
Historia e një krimi të pranuar, por pa një motiv. Një vrasje që rikthen në kujtesë një histori më të madhe, dështimin për ta ndaluar një vrasës që i kishte duart me gjak që më parë.
VRASJA DHE ARRESTIMI
Në këtë fshat, gjaku i afërt është bekim dhe mallkim. Këtu, çdo konflikt mbetet i shkruar në kujtesë. Por askush nuk e mendonte që do të përfundonte sërish me armë.
Për 10 vite, banorët e fshatit Gjorm nuk e kishin parë Bertil Alliajn. Para disa vitesh ai kishte arritur të pajisej me pasaportë kosovare dhe mendohej se kishte lëvizur jashtë vendit. Në fshat rezulton të jetë kthyer dy ditë para ngjarjes. Në familje thonë se shkak për kthimin e tij ishte bërë një problem shëndetësor i të atit, por kjo nuk dihet me siguri. Të paktën për aq kohë sa ai, menjëherë pas kthimit, ka komunikuar në telefon me djalin e xhaxhait, Dalan Alliajn, i cili jetonte në Fier. E ka ftuar që të shkojë tek shtëpia e tij në Gjorm. Në momentin që ai ka shkuar aty, mbrëmjen e 1 nëntorit 2025, nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi por e ka qëlluar direkt.
Duket se gjithçka mund të ketë qenë e planifikuar dhe autori ka qenë duke e pritur. Rreth orës 20:00, familjarët e tij pasi kanë dëgjuar të shtënat në derën e shtëpisë kanë dalë për të parë dhe Bertil Alliaj u ka thënë se e ka vrarë ai.
Të pyetur në lidhje me ngjarjen, ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë debat. I ati i autorit ka thënë se djali i tij pas kthimit ka qenë i heshtur dhe ka qëndruar i mbyllur pa folur me njeri. Ka rrëfyer për Policinë se nuk e di nëse ka pasur konflikt mes tij dhe 36-vjeçarit.
Policia e Vlorës
Pas marrjes së njoftimit nga familjarët se në fshatin Gjorm ishte gjetur pa shenja jete shtetasi Dalan Alliaj, 36 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë këqyrjes i janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u ngrit një grup hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, i përbërë nga specialistë të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë. Falë veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Bertil Alliaj, 33 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Selenicë, i cili pas ngjarjes ishte larguar në zonën malore përreth. Menjëherë shërbimet e DVP Vlorë u organizuan dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.
Teksa Dalan Alliaj transportohej me autoambulancë drejt spitalit të Vlorës, ndonëse mësohet se aty ka shkuar pa shenja jete, paralelisht Policia kishte nisur një aksion për kapjen e autorit.
Të dhënat flisnin se ai ishte larguar menjëherë pas krimit, për t’u fshehur në zonat malore pranë fshatit Gjorm. Aty u përqendruar edhe kërkimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga një dron që gjurmoi nga ajri lëvizjet e tij.
Pas 5 orësh ai u arrit të neutralizohet dhe të arrestohet. Në momentin e prangosjes, iu gjet edhe pistoleta “Beretta”, me të cilën dyshohet se kishte realizuar vrasjen e djalit të xhaxhait.
Policia e Vlorës
Pas rreth 5 orësh kërkimesh intensive, me përdorimin edhe të dronit, Policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes. Falë kontrolleve intensive të shtrira gjatë gjithë natës dhe përdorimit të dronit për krehjen e zonës, rreth orës 01:05 të mëngjesit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bertil Alliaj, pasi mbrëmjen e djeshme (1 nëntor), rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin Dalan Alliaj. Gjatë kontrollit fizik të autorit, iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 gëzhoja dhe 1 predhë arme zjarri. Shtetasi Bertil Alliaj rezulton gjithashtu person në kërkim, menjëherë pas kapjes së tij, u ekzekutua edhe vendimi i datës 20.01.2016, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila e ka dënuar me 35 vite burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Pra, ajo që nuk u arrit të realizohej për 10 vjet, u realizua brenda 5 orësh. Por me një çmim shumë të lartë. Jetën e një tjetër njeriu.
Autori i ngjarjes pranoi gjithçka, por pa dhënë asnjë motiv: Kam një arsye shumë të fortë, por nuk mund ta them. Jam penduar për atë që bëra, por arsyeja që kisha unë më shtyu drejt vrasjes.
Të njëjtën frazë përsëriti edhe paraditen e 5 nëntorit 2025 në Gjykatën e Vlorës, ku u paraqit për masën e sigurisë. I akuzuar për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, Bertil Alliaj u la në burg nga gjyqtari Etien Isak.
Por ndërkohë, përveç kësaj mase, ai u izolua në burg edhe në zbatim të vendimit të mëparshëm të dhënë në mungesë ndaj tij, atij me 35 vjet heqje lirie, për ngjarjen me 3 të vrarë në vitin 2015, e njohur si “Masakra e Çoles”.
MASAKRA E ÇOLES
Dhjetë vite para krimit të 1 nëntorit në fshatin Gjorm, Vlora u trondit nga një ngjarje e rëndë që mori emrin “Masakra e Çoles”. Një sherr banal, i nisur në një lokal lojërash fati, u kthye në një natë gjakderdhjeje. Pas dhunimit të një 21-vjeçari, grupi i miqve të tij, mes tyre edhe Bertil Alliaj, u rikthyen për t’u hakmarrë. Brenda pak minutash, plumbat morën jetën e tre të rinjve: Akil Hasanaj (Haki Rakipi), Ardi Velaj dhe Albi Limaj. Ishte një vrasje e ftohtë, e pakuptueshme, që la pas një qytet të shokuar dhe një zinxhir drejtësie që s’do të mbyllej kurrë plotësisht. Edhe pse u dënua me 35 vite burg, Alliaj arriti të zhdukej, duke jetuar për një dekadë si hije, derisa historia u përsërit sërish, këtë herë më afër se kurrë, në gjirin e familjes së vet.
Gjithçka nisi mbrëmjen e 6 prillit të vitit 2015, për një kazino në qendër të qytetit bregdetar të Vlorës. Fillmisht në sherr u përfshinë Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Ky i fundit ka kërkuar ndihmë dhe ka vënë në dijeni shokun e tij, Albi Limaj. Limaj lajmëroi Aleksandër Llanaj dhe të rinjtë e lanë që të nesërmen të shkonin për t’u sqaruar, në një lokal në lagje “Çole” të Vlorës.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve ka rezultuar se Albi Limaj dhe Ardi Velaj, më datë 7 prill 2015, kanë komunikuar me telefon me njëri-tjetrin në lidhje me një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë.
Fillimisht komunikimi midis tyre ka filluar në orën 12:33 me telefonatën e shtetasit Albi Limaj në drejtim të numrit telefonik të shtetasit Ardi Velaj. Më pas komunikimet e tjera vijojnë në orën 13:50 e në vazhdim. Rreth orës 14:00 të asaj dite, në drejtim të lokalit ku ndodhi ngjarja, janë filmuar duke ecur së bashku Ardi Velaj dhe Haki Rakipi, njëri prej të cilëve është duke pirë cigare. Më pas ata janë futur në njërën nga hyrje të lokalit duke u futur fillimisht në verandën e tij. Ata kanë qëndruar në verandë përballë njëri-tjetrit duke biseduar dhe pirë cigare.
Pas 2 minutash, në hyrjen tjetër që të fuste në verandën e lokalit janë parë duke hyrë së bashku Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj. Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit, Alekandër Llanaj, duke ecur në drejtim të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre duke goditur fillimisht Ardi Velaj. Për pasojë Ardi Velajt i është shkaktuar një plagë në kokë, në anën e majtë dhe ai vetë, ndonëse kishte pistoletë me vete, nuk ka arritur ta përdorë. Po kështu, Aleksandër Llanaj ka qëlluar tri herë edhe ndaj personit tjetër, Haki Rakipi.
Nga një automjet tip “BMW”, ka dalë Bertil Alliaj, i cili është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë Albi Limaj duke konstatuar plagosjen e tij. Limaj ka dalë nga lokali nga e njëjta hyrje që edhe ishte futur në verandën e tij, ndërsa Aleksandër Llanaj, ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit ku ka parë të shtrirë të tokë trupat e pajetë të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt.
Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin “BMW X5”, që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit. Më pas, Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Alliaj, me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën, me të cilën kishte qëlluar Llanaj.
Më pas, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, pasi nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet të Albi Limajt, për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, Bertil Alliaj është larguar me vrap. Gjatë largimit të Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka pasur faktorë plotësues të qitjes në dorë.
Ndërkohë që Bertil Alliaj është larguar midis pallateve, Ani Begaj ka dërguar në spital Aleksandër Llanaj për shkak se ky i fundit rezultonte i plagosur. Fillimisht nga vendi i ngjarjes është larguar trupi i pajetë i Albi Limajt. Sipas aktit të ekspertimit balistik, rezulton se predha që i është gjetur Albi Limaj është qitur nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj, ndërkohë që ky ishte spostuar në drejtim të hyrjes tjetër për në verandën e lokalit ku ndodheshin shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Si pasojë e goditjeve me armë të të pandehurit Aleksandër Llanaj ka gjetur vdekjen shtetasi Albi Limaj. Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga sa më sipër, rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me shtetasit Ani Begajn, Bertil Alliajn dhe të ndjerin Albi Limaj, i cili kishte organizuar edhe takimin.
Në lidhje me vrasjen e Albi Limajt, Aleksandër Llanaj duke e ekspozuar këtë të fundit me dashje ndaj goditjeve me armë të realizuara prej tij i ka shkaktuar atij vdekjen.
Përfundimisht, Prokuroria e Vlorës ka çmuar se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, të kryer në bashkëpunim. Ndërsa të pandehurit Bertil Alliaj dhe Ani Begaj kanë konsumuar secili më vete veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim”, në të dëm të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Akuza ndaj tyre bazohet në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekspertimit kimik, aktet e ekspertimit balistik, aktet e ekspertimit mjeko-ligjor, tabulatet telefonike, përgjimet e kryera, procesverbali për këqyrjen e pamjeve filmike, thëniet e personave të pyetur si deklarues, etj.
Pas një kalvari të gjatë gjyqësor në të tri shkallët dhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të vitit 2017, që riktheu dosjen në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit dha vendimin final më 19 mars të vitit 2022.
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Vlorës për Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Alliajn. Për Llanajn, që ishte i vetmi i arrestuar, pasi kishte mbetur edhe vetë i plagosur në ngjarje, ka mbetur në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm, ndërsa për dy të tjerët, që u gjykuan në mungesë, mbeti në fuqi dënimi me nga 35 vite burg. Vendimi u mor nga tre anëtarët e gjykatës së Lartë, Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.
DHJETË VJET ARRATI
Ku ishte Bertil Alliaj për dhjetë vite? Si mund të jetojë dikush në arrati në një vend të vogël si Shqipëria? A u ndihmua? Apo askush nuk kërkoi mjaftueshëm?
Për një dekadë, ai s’u kap. E duket se shteti, në heshtje, e kishte harruar. Derisa ai i kujtoi të gjithëve ekzistencën e tij me plumba.
Miku i tij, bashkëpunëtor dhe i dënuar për të njëjtën ngjarje, Ani Begaj, ishte arrestuar 7 vite pas “Masakrës së Çoles”, më 7 korrik të vitit 2022. Ai u arrestua së bashku me djalin e xhaxhait të tij, Elton Begajn. Të dy të arrestuarit ishin duke lëvizur me një automjet tip “Nissan”. Ata janë ndjekur në Lungomare nga Policia dhe nuk kanë ndaluar, derisa në një rrugicë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, nuk kanë gjetur rrugëdalje. Policia i ka shtrirë barkas të dy, duke u vënë prangat, ndërsa me vetë u janë gjetur edhe pistoleta.
Njësoj si Bertil Alliaj, edhe Ani Begaj ishte dënuar me 35 vjet burg. Por ndërsa ai tashmë po vuante dënimin në qeli, Alliaj vijoi arratinë edhe për 3 vite, derisa realizoi krimin e radhës dhe u arrestua.
Në fshatin e tij, në Gjorm të Vlorës, banorët thonë se nuk e kishin parë që pasi ndodhi “Masakra e Çoles”. I pajisur me një pasaportë kosovare, Bertil Alliaj, mendohet se mund të ketë lëvizur edhe jashtë Shqipërisë, megjithatë ka të dhëna se ka qëndruar edhe në Vlorë. Madje mund të jetë ndihmuar edhe nga kushëriri i tij, Dalan Alliaj, të cilin e qëlloi për vdekje mbrëmjen e 1 nëntorit 2025.
Në mes të kësaj tragjedie është një lidhje gjaku. Dy kushërinj. Njëri i qetë, familjar, baba i dy fëmijëve, që merrej me biznes dhe nuk kishte pasur kurrë probleme me Policinë; tjetri, një fantazmë e drejtësisë së munguar. Çfarë i ndau? Dhe pse tani? Këtë mund ta sqarojë vetëm autori i krimit, Bertil Alliaj, i cili deri në këtë fazë të hetimit nuk ka zgjedhur të tregojë asgjë.
DËSHTIMI I SISTEMIT
Rasti i Bertil Alliaj nuk është i vetëm. Dhjetëra persona të dënuar me burgim, vijojnë t’i shmangen drejtësisë e në ndonjë rast edhe të kryejnë krime të tjera. Sistemi i drejtësisë shqiptare mbetet me vrima të mëdha. Në kërkim, në ndjekje, në përgjegjësi.
Në momentin që për një të dënuar nuk ekzekutohet vendimi, përgjegjësia është zinxhir. Por dikush me siguri nuk ka bërë detyrën.
Në dosjet e pluhurosura të drejtësisë shqiptare, Bertil Alliaj ishte thjesht një emër i harruar. Derisa u kthye në lajm. Vrasja e Dalan Alliajt në Gjorm të Vlorës, më 1 nëntor 2025, është një tjetër dëshmi se shteti nuk ka mekanizma real ndëshkimi. Nëse dikush fshihet, thjesht pritet që të dalë vetë. Dhe Bertil Alliaj doli, por me një vrasje tjetër.
Kur drejtësia dështon, ndëshkimi bëhet i rastësishëm. Ai vjen si hakmarrje, si aksident, si tragjedi e përsëritur.
Një dënim i harruar, një krim i përsëritur, një jetë e humbur.
Në një vend ku drejtësia ecën ngadalë, fajtorët kthehen para nesh. Jo për t’u penduar, por për të vrarë sërish.
Dhe pyetja që bëjnë të gjithë: Kush e vrau Dalan Alliajn? Kushëriri apo sistemi?/abcnews.al