Gjipali për ATSH: Shqipëria në fazën më intensive të negociatave me BE-në
TIRANË, 1 janar /ATSH-Gjergji Mima/ Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe më intensive të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pas nisjes zyrtare të negociatave dhe hapjes së të gjithë grup-kapitujve.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori ekzekutiv i Institutit Europian të Shqipërisë (EMA), Gledis Gjipali, thekson se ky zhvillim përfaqëson një sinjal të fortë politik nga Bashkimi Evropian dhe një moment vendimtar për vendin, ku pritshmëritë janë rritur ndjeshëm, por bashkë me to edhe sfidat.
Sipas Gjipalit, Shqipëria ka kaluar nga faza e përgatitjes, në atë të zbatimit konkret të standardeve evropiane.
Procesi i mbylljes së kapitujve ka nisur paralelisht, por mbetet provizor deri në momentin e anëtarësimit të plotë.
“Kjo fazë kërkon jo vetëm angazhim politik, por edhe kapacitete reale administrative dhe qëndrueshmëri në reforma”, thekson ai.
Duke folur për sfidat kryesore që ndikojnë ritmin e negociatave, Gjipali nënvizon se ato janë si të brendshme, ashtu edhe të jashtme.
Në planin e brendshëm, problematikat lidhen me lodhjen nga reformat, mungesën e qëndrueshmërisë në zbatim, polarizimin politik dhe mungesën e dialogut konstruktiv, elementë që janë vërejtur edhe nga institucionet evropiane. Administrata publike mbetet një faktor kyç, pasi kapacitetet e saj do të përcaktojnë drejtpërdrejt ritmin real të negociatave. Ndërkohë, në planin e jashtëm, mekanizmi i vendimmarrjes së BE-së dhe mundësia e përdorimit të vetos nga shtetet anëtare mbeten rreziqe potenciale për vonesa, shprehet Gjipali për ATSH.
Sa i përket pritshmërive për përparim të shpejtë, Gjipali vlerëson se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është ambicioz, por jo i pamundur.
Ai thekson se historikisht asnjë vend nuk i ka përfunduar negociatat në një periudhë kaq të shkurtër, por konteksti aktual gjeopolitik, mbështetja e shtuar nga Bashkimi Evropian dhe disa reforma tashmë të konsoliduara e bëjnë këtë synim potencialisht të arritshëm, nëse rritet ritmi i zbatimit dhe forcohet bashkëpunimi politik e institucional.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan edhe konteksti gjeopolitik evropian.
Sipas Gjipalit, zgjerimi po shihet gjithnjë e më shumë si një instrument strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.
Kjo ka rritur gatishmërinë e BE-së për të përshpejtuar procedurat dhe për të dhënë sinjale të qarta politike mbështetëse, për sa kohë vendet kandidate përmbushin kushtet dhe janë në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit.
Sa i përket kapitujve më problematikë, Gjipali thekson se më sfiduesit mbeten ata që lidhen me sundimin e ligjit: drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, administrata publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike.
Këta kapituj kërkojnë jo vetëm ndryshime ligjore, por rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në praktikë, duke qenë se monitorohen vazhdimisht deri në anëtarësim dhe mund të rihapen në rast se vendi bën hapa pas në këtë drejtim.
Po ashtu, kapitujt që lidhen me mjedisin, sigurinë ushqimore dhe tregun kërkojnë investime të mëdha financiare dhe kapacitete të forta administrative për zbatimin e standardeve të reja evropiane.
Në këtë kontekst, Gjipali nënvizon se suksesi i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të varet nga serioziteti në zbatim, bashkëpunimi politik dhe aftësia për ta kthyer procesin e integrimit në një projekt të përbashkët kombëtar. /r.e/
The post Gjipali për ATSH: Shqipëria në fazën më intensive të negociatave me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.




