Reading view

FOKUS – CIA paralajmëron Rusinë të mos sulmojë vendet e NATO-s

UASHINGTON, 27 gusht /ATSH/- Kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), John Ratcliffe ka paralajmëruar Rusinë të mos sulmojë vendet anëtare të NATO-s gjatë një vizite në Moskë, raportoi sot “Wall Street Journal” dhe “Politico”, duke cituar burime anonime.

Ratcliffe vizitoi të martën Moskën, por deri tani janë bërë të pakta detajet për përmbajtjen e bisedimeve të tij.

Sipas “Politico”, paralajmërimi i Ratcliffe lidhej me mundësinë e një përshkallëzimi të konfliktit në vendet lindore të NATO-s, veçanërisht në rajonin e Baltikut.

Ai i kërkoi gjithashtu Kremlinit të reduktojë mbështetjen ushtarake dhe financiare për Iranin.

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi vizitën e Ratcliffe gjatë një programi radiofonik, por mohoi që ajo të kishte lidhje me një sulm të mundshëm rus ndaj NATO-s apo me konfliktin në Iran. Sipas Trump, vizita ishte “pjesërisht rutinë”.

“Ne do të donim që lufta në Ukrainë të përfundonte”, tha Trump.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov konfirmoi gjithashtu se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë për bisedime me zyrtarë të shërbimeve ruse të sigurisë.

Peskov theksoi se presidenti rus, Vladimir Putin nuk ishte takuar me Ratcliffe.

Kjo besohet të jetë vizita e parë e Ratcliffe në Moskë, që prej marrjes së drejtimit të CIA-s.

Vizita e fundit e njohur e një drejtori të CIA-s në Rusi ishte në vitin 2021, kur William Burns udhëtoi drejt Moskës dhe u takua me Putinin.

Burns u dërgua atje nga presidenti i atëhershëm amerikan Joe Biden në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë.

Megjithatë, Putini nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022. //a.i/

The post FOKUS – CIA paralajmëron Rusinë të mos sulmojë vendet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

ANALIZË – Lufta me Iranin ndryshon kurs, Ngushtica e Hormuzit kthehet në prioritet për Trump

UASHINGTON, 27 gusht /ATSH/- Pas gjashtë muajsh luftë me Iranin, SHBA ndryshon objektivat, Ngushtica e Hormuzit vendoset në qendër të vëmendjes, shkruan AP.

Kur presidenti amerikan Donald Trump nisi luftën me Iranin në fund të shkurtit, ai tha se konflikti do të zgjaste katër deri në pesë javë.

Gjashtë muaj më vonë, lufta vazhdon dhe ende nuk duket një zgjidhje e qartë, pavarësisht deklaratave të përsëritura të Trump se lufta është fituar ose se një marrëveshje është pranë.

Marrëveshja e hartuar në qershor për t’i hapur rrugë përfundimit të luftës nuk u zbatua.

Ndërkohë, rezervat amerikane të disa armëve të rëndësishme janë pakësuar, dhe administrata Trump është përqendruar më shumë te presioni ekonomik ndaj Iranit sesa te sulmet e reja ushtarake.

Me ndryshimin e situatës gjatë gjashtë muajve të luftës, kanë ndryshuar edhe objektivat amerikane.

Ngushtica e Hormuzit, tashmë një nga shqetësimet kryesore

Një nga objektivat kryesorë tani është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, diçka që nuk ishte ndër synimet fillestare të Trump.

Ngushtica është një rrugë detare shumë e rëndësishme për tregtinë botërore. Para luftës, përmes saj kalonte rreth 20% e naftës në botë.

Irani e ka përdorur ngushticën si një pikë ku mund të pengojë transportin detar.

Ajo qëndron kryesisht e mbyllur që nga fillimi i luftës, duke shkaktuar rritje të çmimeve të karburanteve dhe plehrave kimike bujqësore dhe duke krijuar presion ekonomik e politik në SHBA.

SHBA-ja ka arritur disa rezultate në dobësimin e aftësive ushtarake të Iranit, por disa nga objektivat kryesore të shpallura në fillim të luftës nuk janë arritur ende, ndërsa disa të tjera kanë ndryshuar.

Çfarë synon SHBA-ja dhe çfarë ka ndodhur deri tani?

1. Të pengojë Iranin të ketë armë bërthamore

Trump deklaroi në qershor se SHBA-ja kishte “shkatërruar plotësisht” programin bërthamor iranian.

Por, një nga shqetësimet kryesore mbetet sasia prej rreth 440 kilogramësh uranium të pasuruar, që Irani mund ta përdorë potencialisht për prodhimin e një arme bërthamore.

Ky material besohet se ndodhet nën tre zona që u bombarduan nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Trump tha se SHBA-ja dëshiron ta marrë këtë material dhe ta shkatërrojë, në bashkëpunim me Iranin dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Irani nuk ka thënë nëse do të lejojë një gjë të tillë.

Marrëveshja e qershorit parashikonte që, Irani të mos prodhonte armë bërthamore dhe të pakësonte sasinë e uraniumit shumë të pasuruar.

Por, negociatat u ndërprenë shpejt dhe nuk dihet se sa progres ishte bërë.

2. Të rihapë Ngushticën e Hormuzit

Trump tha se marrëveshja me Iranin do të përfshinte rihapjen e ngushticës.

Megjithatë, në deklaratat e tjera, ai ka dhënë ide të ndryshme për mënyrën se si mund të kontrollohet kjo rrugë detare.

Trump ka këmbëngulur gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe funksionon, edhe pse herë pas here ka sulme me dronë ose raketa.

3. Të shkatërrojë aftësinë e Iranit për të lëshuar raketa

Një nga objektivat kryesore ishte shkatërrimi i raketave dhe industrisë iraniane të prodhimit të tyre.

Trump fillimisht, tha se rreth 90% e raketave dhe pajisjeve për lëshimin e tyre ishin shkatërruar. Më vonë, ai e uli vlerësimin në rreth 82%.

Megjithatë, Irani ka treguar se ende është në gjendje të kryejë sulme në rajon, përfshirë sulme me dronë ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

4. Të shkatërrojë industrinë ushtarake të Iranit

Sulmet amerikane kanë goditur fabrika që prodhojnë armë, raketa dhe dronë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se industria ushtarake iraniane ka pësuar dëme shumë të mëdha dhe se Irani mund të ketë humbur 80–90% të kapaciteteve të saj.

Sipas tij, rindërtimi mund të kërkojë vite.

5. Të shkatërrojë marinën dhe forcën ajrore iraniane

SHBA-ja dhe Izraeli arritën shpejt të kontrollonin hapësirën ajrore mbi Iranin, duke kryer fluturime me pak pengesa.

Rubio tha se Irani ende ka dronë, por nuk është më në gjendje të përdorë një numër shumë të madh dronësh njëkohësisht për sulme.

Sipas Trump, marina dhe forcat ajrore iraniane janë “zhdukur plotësisht”.

6. Të mbrojë aleatët amerikanë në Lindjen e Mesme

Trump e ka vendosur gjithashtu si objektiv mbrojtjen e aleatëve të SHBA-së, përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Kuvajtin.

SHBA-ja ka mijëra trupa të vendosura në baza ushtarake në rajon.

7. Të ndërpresë mbështetjen e Iranit për grupet e armatosura aleate

Një tjetër objektiv është dobësimi i grupeve të armatosura, që mbështeten nga Irani në vende të tjera të rajonit.

SHBA-ja ka goditur grupe të armatosura të lidhura me Iranin në Irak.

Por, vëmendja kryesore është përqendruar te Hezbollahu në Liban, një grup i mbështetur nga Irani.

Irani ka kërkuar që luftimet në Liban të ndalen, si pjesë e çdo marrëveshjeje me SHBA-në.

Izraeli dhe qeveria libaneze kanë arritur një marrëveshje, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që parashikon largimin e forcave izraelite nga jugu i Libanit, në këmbim të çarmatimit të Hezbollahut.

Hezbollahu, megjithatë, ka refuzuar negociatat e drejtpërdrejta dhe ka thënë se nuk do të dorëzojë armët.

Në thelb: Pas gjashtë muajsh lufte, SHBA-ja ka dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit, por lufta nuk ka përfunduar dhe disa nga objektivat kryesore amerikane mbeten të parealizuara.

Tani, një nga çështjet më urgjente për Uashingtonin është rikthimi i lëvizjes normale të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin botëror me naftë. //a.i/

The post ANALIZË – Lufta me Iranin ndryshon kurs, Ngushtica e Hormuzit kthehet në prioritet për Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Revolucion në mjekësi: Përfundon me sukses operacioni i parë në botë në tru me ndihmën e IA-së

LONDËR, 27 gusht /ATSH/- Një pacient në Britani të Madhe është bërë personi i parë në botë, që i është nënshtruar një operacioni në tru me ndihmën e inteligjencës artificiale (IA) në kohë reale. Mjekët arritën t’i heqin tumorin me sukses, sipas BBC.

Rhys Hibbert, 48 vjeç, babai i dy fëmijëve nga Bedfordshire, kishte një tumor jo kanceroz në gjëndrën e hipofizës, një organ i vogël në bazën e trurit, që prodhon hormone të rëndësishme për trupin.

Tumori ishte rreth 11 milimetra dhe ndodhej shumë pranë enëve kryesore të gjakut, që furnizojnë trurin dhe nervave që kontrollojnë shikimin.

Ndërsa tumori rritej, ai filloi t’i shtypte nervat e shikimit dhe t’i ngushtonte fushën pamore. Mjekët paralajmëruan se pa ndërhyrje, ai mund të humbiste shikimin.

Si ndihmoi inteligjenca artificiale?

Gjatë operacionit, mjekët përdorën një kamer të hollë që futet përmes hundës deri në bazën e trurit.

Tumori ishte i fshehur pas shtresave të kockës dhe indeve, ndërsa enët e gjakut dhe nervat e rëndësishëm nuk dukeshin gjithmonë qartë. Në këtë moment hyri në përdorim IA-ja.

Sistemi analizonte pamjet e operacionit në kohë reale dhe i ndihmonte kirurgët të dallonin se ku mund të ndodheshin enët e gjakut dhe nervat e rëndësishëm.

Ai shënonte në ekran zonat ku kirurgët duhej të ishin më të kujdesshëm dhe tregonte pjesët ku ishte më e sigurt të hiqej tumori.

Në njëfarë mënyre, studiuesit e përshkruajnë atë si një “palë të dytë sysh” për kirurgun.

IA-ja ishte trajnuar duke përdorur qindra video të operacioneve të mëparshme për heqjen e tumoreve të hipofizës.

Sistemi mësoi të dallonte strukturat e rëndësishme anatomike, si enët e gjakut dhe nervat.

Megjithatë, IA-ja nuk e drejtoi operacionin. Kontrollin e plotë e kishin kirurgët, të cilët vendosnin vetë nëse do të ndiqnin apo jo sugjerimet e sistemit.

Çfarë rezultati pati?

Operacioni ishte i suksesshëm dhe tumori u hoq. Pas ndërhyrjes, Hibbert tha se shikimi i tij ishte përmirësuar ndjeshëm dhe se kishte rifituar energjinë që i kishte munguar prej kohësh.

“Më ka kthyer jetën”, tha ai.

Studiuesit duan tani ta testojnë teknologjinë në një numër më të madh pacientësh, për të parë nëse mund të përdoret në mënyrë të sigurt edhe në operacione të tjera.

Synimi afatgjatë është krijimi i një sistemi të ngjashëm me një “ChatGPT për kirurgët” – një teknologji që mund t’u japë mjekëve këshilla në kohë reale gjatë operacionit, ndërsa vendimin përfundimtar e merr gjithmonë kirurgu. //a.i/

The post Revolucion në mjekësi: Përfundon me sukses operacioni i parë në botë në tru me ndihmën e IA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BBC: Shkencëtarët: Shembja e akullnajës shkaktoi përmbytjet katastrofike në Nepal dhe Tibet

LONDËR, 27 gusht /ATSH/- Hetimet paraprake tregojnë se shembja e një akullnajeje mund të ketë shkaktuar përmbytjen e menjëhershme në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit, raportoi BBC.

Shkencëtarët thanë se ngjarja tregon edhe një herë rrezikun që sjell shkrirja e shpejtë e akullit në Himalaje.

Fillimisht, u raportua se kishte ndodhur një tërmet dhe shumë njerëz besuan se lëkundjet e tokës kishin shkaktuar rrëshqitje të dheut, e cila më pas solli përmbytjen.

Nga katastrofa kanë humbur jetën të paktën 177 persona.

Por Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) sqaroi më vonë se, shkak mund të ketë qenë shembja e një akullnajeje.

Kjo do të thotë se një akullnajë, ose një pjesë e saj, është shkëputur dhe është shembur.

Goditja e masës së akullit, pasi ra në fund të një lugine ishte aq e fuqishme, saqë krijoi një lëkundje të tokës me magnitudë 5,2 Rihter.

Këtë e tregojnë të dhënat e USGS dhe analizat e shkencëtarëve.

Dr. Simon Cook, specialist i akullnajave në Universitetin e Dundee, tha se ekipi i tij kishte konstatuar se pjesa e poshtme e një akullnajeje në Nepal, pranë majës Langtang Lirung, ishte shembur.

Kjo zonë ndodhet rreth 15 kilometra në perëndim të vendit – ku ndodhën përmbytjet.

Sipas tij, akullnaja është shembur fillimisht në drejtim të veriperëndimit dhe më pas masa e akullit ka lëvizur përgjatë rrjedhës së ujit.

Një analizë e Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar Malor (ICIMOD) sugjeron se mund të ketë ndodhur një rrëshqitje masive e akullit dhe shkëmbinjve, nga një zonë shumë e lartë malore.

Kjo bëri që sasi të mëdha akulli, gurësh dhe mbetjesh shkëmbore të binin në lumin Lende Khola, i cili derdhet në lumin Bhote Koshi.

Si pasojë, lumi u fry papritur dhe nisi të transportonte me shpejtësi ujë, baltë dhe gurë të mëdhenj në drejtim të zonave më të ulëta.

Sipas ICIMOD, niveli i ujit në lumenjtë më poshtë u rrit me 7 deri në 9 metra brenda vetëm 30 minutash.

Disa stacione që monitoronin nivelin e ujit u shkatërruan ose u dëmtuan.

Zona është e rrethuar nga male të pjerrëta dhe pamjet nga përmbytja, tregojnë ujë dhe masa gurësh e dheu që vërsulen me shpejtësi nëpër luginën e lumit.

Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi shembjen e akullnajës të mërkurën.

Megjithatë, shkencëtarët kanë paralajmëruar prej vitesh se, ngrohja e temperaturave dhe ndryshimet klimatike po shkrijnë akullnajat dhe tokën e ngrirë në Himalaje, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve.

Një analizë e publikuar këtë vit nga ICIMOD, zbuloi se akullnajat e Himalajeve Hindu Kush po humbasin akull me një ritëm dy herë më të shpejtë se në vitin 2000.

Eksperti Simon Cook tha se raste të ngjashme, ku shembja e akullnajave ka shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje masive, janë regjistruar vitet e fundit edhe në Indi, Zvicër dhe Itali.

Në vitin 2021, një pjesë e madhe e një akullnajeje në Himalaje u shemb në luginën Chamoli në veri të Indisë.

Masa e akullit, gurëve dhe ujit u vërsul drejt zonave më të ulëta dhe rreth 200 persona humbën jetën.

Shkencëtarët vlerësuan më vonë se fuqia e goditjes ishte e barabartë me atë të 15 bombave atomike.

Edhe në Nepal, një zonë e së njëjtës hapësirë u përmbyt vitin e kaluar, pasi një liqen i krijuar nga shkrirja e akullnajave, në Tibet shpërtheu dhe lëshoi papritur ujërat.

Mohd Farooq Azam, specialist i ICIMOD, tha se rritja e rasteve të rrezikshme në “kriosferë”, një term që përdoret për pjesët e ngrira të Tokës, po bëhet gjithnjë e më e dukshme.

Sipas tij, ndryshimet po ndodhin aq shpejt sa masat aktuale nuk po arrijnë t’i përballojnë.

Shkencëtarët theksojnë se nuk mund të thuhet me siguri se një ngjarje e vetme është shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike.

Por, sipas Dr. Cook, kur shihen shumë ngjarje të tilla së bashku, bëhet e arsyeshme të mendohet se ngrohja globale po ndikon.

Me rritjen e temperaturave, akullnajat zvogëlohen, bora shkrihet më shumë dhe toka që ka qenë e ngrirë për shekuj fillon të shkrihet.

Kjo tokë e ngrirë, e quajtur “permafrost”, ndihmon në mbajtjen të qëndrueshme të disa shpateve malore.

Kur ajo shkrihet, shpatet mund të bëhen më të paqëndrueshme dhe të shkaktojnë më shumë rrëshqitje dheu, masa balte e gurësh, shkrirje akullnajash, shpërthime të liqeneve akullnajore dhe shembje akullnajash. //a.i/

 

 

The post BBC: Shkencëtarët: Shembja e akullnajës shkaktoi përmbytjet katastrofike në Nepal dhe Tibet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FRANCË – Makina përplaset me turmën, dy të vdekur dhe 10 të plagosur

PARIS, 27 gusht /ATSH/- Dy persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur pasi një makinë u përplas me një grup njerëzish pranë një stacioni treni në Caen, në veri të Francës, raportoi BBC.

“Një makinë u përplas qëllimisht me këmbësorët përballë stacionit”, tha për gazetarët prefekti lokal David Claviere.

Ai bëri të ditur se shtatë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike.

Pas ngjarjes, autoritetet nisën një operacion të gjerë emergjence, në rajonin e Normandisë ndërsa një person u arrestua.

Kryebashkiaku i Caen, Aristide Olivier tha se hetuesit po përpiqen të zbardhin arsyet që e shtynë drejtuesin e automjetit të kryente këtë veprim.

Dëshmitarët thanë se para incidentit kishte nisur një përleshje mes dy grupeve.

“Për momentin, nuk kemi të bëjmë me një motiv terrorist, por hetimi sapo ka nisur”, tha Bruno Coutanceau, një zyrtar i lartë i sigurisë në Caen.

Sipas tij, të gjitha viktimat duket se janë meshkuj të moshës 17 deri në 40 vjeç.

I dyshuari, një 26-vjeçar i lindur në Rusi, u arrestua më vonë rreth 20 kilometra larg, në qytetin portual Ouistreham.

Kryebashkiaku i Caen tha se automjeti i tij, ishte gjurmuar përmes kamerave të sigurisë së qytetit.

Sipas Claviere, i dyshuari nuk ishte i njohur për shërbimet e inteligjencës. Policia e kishte evidentuar vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Videot e publikuara në rrjetet sociale nga vendngjarja, tregonin njerëz të mbledhur pranë makinave të policisë dhe ambulancave, ndërsa zona ishte rrethuar nga autoritetet.

Një zëdhënës i administratës lokale të Calvados tha se disa nga të plagosurit po merrnin trajtim në urgjencën e një spitali aty pranë.

Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, të cilat do të drejtohen nga hetuesit e Divizionit të Specializuar të Krimeve në Caen. //a.i/

The post FRANCË – Makina përplaset me turmën, dy të vdekur dhe 10 të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Gjermania thyen rekordin e dekadës,15 800 vdekje nga i nxehti në 2026-ën

BERLIN, 27 gusht /ATSH-DPA/- Rreth 15 800 persona kanë humbur jetën nga temperaturat e larta në Gjermani deri në mesin e gushtit të këtij viti, sipas vlerësimeve të publikuara të nga Instituti Robert Koch (RKI).

Nga këto vdekje, rreth 9 600 lidhen me valën ekstreme të të nxehtit, në fund të qershorit.

Sipas raportit të fundit javor të RKI-së, rreth 4 000 vdekje të tjera janë lidhur me temperaturat veçanërisht të larta, gjatë dy javëve të para të gushtit.

Raporti mbulon periudhën nga 6 prilli deri më 16 gusht.

Shifra e këtij viti është dukshëm më e lartë se në cilindo prej të paktën 10 viteve të fundit.

Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar në 2019, me rreth 7 600 vdekje, ndërsa në vitin 2018 u regjistruan rreth 9 500.

RKI thekson se këto janë vlerësime konservatore, ndaj numri real i viktimave nga i nxehti mund të jetë edhe më i lartë.

Uwe Janssens, drejtues mjekësor i Shoqatës Gjermane Ndërdisiplinore për Mjekësinë e Reanimacionit dhe Urgjencës (DIVI), tha se shumë raste nuk regjistrohen zyrtarisht si vdekje të shkaktuara nga i nxehti.

Në certifikatat e vdekjes, për shembull, mund të shënohet dështimi i organeve si shkak i vdekjes.

Sipas RKI-së, në disa raste i nxehti shkakton drejtpërdrejt vdekjen, si në rastet e goditjes nga nxehtësia.

Megjithatë, në shumicën e rasteve, temperaturat e larta përkeqësojnë sëmundje dhe probleme të tjera shëndetësore që personat kanë pasur më parë.

Më shumë se gjysma e viktimave këtë vit, rreth 7 960 persona, ishin 85 vjeç e lart.

Rreth 3 900 prej tyre ishin 75–84 vjeç, rreth 2 440 ishin 65–74 vjeç, ndërsa rreth 1 470 viktima ishin nën 65 vjeç. //a.i/

The post FOKUS – Gjermania thyen rekordin e dekadës,15 800 vdekje nga i nxehti në 2026-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Corriere della Sera”: Putini përgatit përshkallëzim të sulmeve ndaj Ukrainës, negociatat e paqes në ngërç

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ – Presidenti rus, Vladimir Putin po përgatitet të përshkallëzojë sulmet ndaj Ukrainës, pasi Moska ka arritur në përfundimin se negociatat për paqe kanë hyrë në një ngërç, sipas medias italiane “Corriere della Sera”.

Sipas “Bloomberg”, duke cituar tre burime pranë Kremlinit, Rusia po shqyrton intensifikimin e sulmeve me raketa balistike kundër Kievit, si dhe goditjen e objekteve të infrastrukturës në qytete të tjera ukrainase.

Në të njëjtën kohë, në Kiev vijojnë zhvillimet e tensionuara në frontin e brendshëm politik dhe institucional.

Kyrylo Budanov, kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës dhe ish-drejtues i inteligjencës ushtarake, është përfshirë në një hetim të fundit për korrupsion.

Sipas “Kyiv Independent”, regjistrime që e përmendin Budanov u publikuan gjatë një seance dëgjimore në kuadër të hetimit ndaj Iryna Mudras, ish-zëvendësshefe e stafit të Presidentit Volodymyr Zelensky, dhe personave të tjerë të dyshuar.

Zhvillimi vjen pasi, javën e kaluar, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) ngriti akuza për përvetësim dhe pastrim parash ndaj të dyshuarve, në një skemë që dyshohet se synonte sigurimin e lirimit me kusht të ish-ministrit të Energjisë, Herman Galushchenko.

Në transkriptet e publikuara, Budanov përmendet nga Mudra në lidhje me një telefonatë me një këshilltar të presidentit, ku diskutohej edhe për Sense Bank, një institucion financiar që, sipas hetuesve, ishte përdorur në skemën e dyshuar për transferimin dhe pastrimin e parave.

Presioni ndaj qeverisë ukrainase nuk kufizohet vetëm te hetimet për korrupsion.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, deklaroi për “Reuters” se Ukraina po e humb gradualisht luftën ndaj Rusisë.

Ndërkohë, në radhët e drejtimit politik qarkullojnë zëra për rikthimin e ish-ministrit të Jashtëm, Dmytro Kuleba, i cili mund të emërohet ambasador i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Posti i ambasadorit në Uashington mbeti vakant pas largimit të Olha Stefanishynas, e cila, sipas raportimeve, është përfshirë në një hetim lidhur me çështje financiare.

Në këtë klimë të tensionuar politike dhe ushtarake, Moska po shqyrton mundësinë e intensifikimit të operacioneve ushtarake.

Sipas burimeve të cituara nga “Bloomberg”, strategjia ruse mund të përfshijë përdorim më të gjerë të raketave balistike kundër Kievit dhe objektivave infrastrukturore në qytete të tjera të Ukrainës.

Raportimet për një përshkallëzim të mundshëm kanë rritur gjithashtu shqetësimet për përdorimin e armëve bërthamore taktike.

Sipas raportimeve, disa zyrtarë rusë po e konsiderojnë si mundësi një skenar të tillë, megjithëse nuk ka konfirmim se Kremlini ka marrë një vendim për përdorimin e tyre.

Presidenti amerikan Donald Trump, ndërkohë, ka shprehur një qëndrim më optimist dhe ka lënë të kuptohet se mund të ketë një zhvillim të ri në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit, veçanërisht pas vizitës së drejtorit të CIA-s në Moskë.

Në terren, Presidenti Volodymyr Zelensky dhe komandanti i ri i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Mykhailo Drapaty, vizituan njësitë ukrainase të angazhuara në luftime në drejtim të Oleksandrivkës, në rajonin e Donetskut.

Vizita u zhvillua ndërsa situata në vijën e frontit mbetet e rënduar dhe pa ndryshime të mëdha territoriale.

Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave ekonomike dhe infrastrukturore në territorin rus.

Sipas kanalit të monitorimit “Exilenova Plus”, një qendër logjistike e Wildberries, një prej kompanive më të mëdha të tregtisë elektronike në Rusi, u godit në Kotovsk, në rajonin e Tambovit, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës konfirmoi gjithashtu se forcat ukrainase goditën gjatë natës rafinerinë e naftës Norsi, në Kstovo, në rajonin e Nizhny Novgorodit.

Rafineria, në pronësi të Lukoil, është një prej impianteve të rëndësishme të përpunimit të naftës në Rusi.

Në një tjetër zhvillim të rëndë, nëntë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ndaj një autobusi në rajonin e Luhanskut.//a.i/

The post “Corriere della Sera”: Putini përgatit përshkallëzim të sulmeve ndaj Ukrainës, negociatat e paqes në ngërç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Media ruse “Pravda.ru”: Tirana, zgjedhja ekonomike për një udhëtim në Evropë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/- Tirana po fiton terren si një nga destinacionet evropiane më të përshtatshme për turistët me buxhet të kufizuar, shkruan media online ruse “Pravda.ru”.

Me shpenzime mesatare ditore prej rreth 59 eurosh për akomodim, ushqim, transport dhe argëtim, kryeqyteti shqiptar ofron mundësinë për të eksploruar pikat kryesore pa kaluar kufirin e 100 eurove në ditë për person.

Kostoja relativisht e përballueshme, e kombinuar me ofertën turistike dhe shërbimet e qytetit, e rendit Tiranën ndër alternativat më interesante për një udhëtim ekonomik në Evropë.

Udhëtime me 100 euro në ditë: Këshilla nga ekspertët për të kursyer gjatë pushimeve në Evropë

Vjeshta në Evropë nuk është domosdoshmërisht e kushtueshme.

Vizitorët që planifikojnë me kujdes mund ta mbajnë nën kontroll buxhetin, duke zgjedhur destinacione me kosto më të përballueshme.

Një analizë e disa prej qyteteve më të vizituara evropiane tregon se, përmes një planifikimi të mirë, shpenzimet ditore për akomodim, ushqim, transport dhe argëtim mund të mbahen brenda një buxheti prej 100 eurosh për person.

Destinacionet me kosto të përballueshme po zhvendosen drejt Evropës Lindore

Qendra e turizmit me buxhet të kufizuar po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt Evropës Lindore dhe Turqisë.

Në këto vende, kostoja e shërbimeve përgjithësisht është në përputhje me cilësinë e përvojës turistike.

Tiranë, Shqipëri

Tirana, Shqipëri, spikat me shpenzime mesatare ditore prej rreth 59 eurosh, duke u renditur si një alternativë tërheqëse për vizitorët që kërkojnë destinacione të reja.

Tirana, kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Shqipërisë, është një nga destinacionet turistike në rritje në Ballkan.

Qyteti ofron një kombinim të historisë, kulturës, gastronomisë dhe jetës urbane, me pika të njohura si Sheshi Skënderbej, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Pazari i Ri dhe Bunk’Art.

Tirana shërben gjithashtu si një pikë e përshtatshme për të eksploruar destinacione të tjera në Shqipëri, përfshirë bregdetin e Adriatikut dhe Jonit, si dhe zonat malore.

Transporti publik dhe distancat relativisht të shkurtra brenda qytetit, e bëjnë atë një alternativë praktike për turistët që udhëtojnë me buxhet të kufizuar.

Maksim Lanin, menaxher i tureve turistike, thekson se gjatë përzgjedhjes së një destinacioni duhet të merren parasysh të gjitha shpenzimet, dhe jo vetëm çmimi i akomodimit.

Sipas tij, turistët shpesh harrojnë të përfshijnë në buxhet edhe kartat e transportit publik, të cilat mund të sjellin kursime të konsiderueshme për ata që lëvizin shpesh nëpër qytet.

Si të reduktoni shpenzimet

Kursimi i vërtetë kërkon vëmendje ndaj detajeve.

Për qytetet e përfshira në analizë, çmimet e shërbimeve bazë priren të jenë relativisht të qëndrueshme dhe nuk ndikohen ndjeshëm nga ndryshimet sezonale.

Elena Gumina, eksperte e shërbimeve hoteliere, rekomandon që turistët me buxhet të kufizuar, duhet të zgjedhin akomodime pak më larg shesheve dhe zonave kryesore turistike.

Sipas saj, kjo mund të ulë koston e akomodimit me 20–30 për qind, ndërsa rrjetet e transportit publik në qytetet evropiane u mundësojnë turistëve të arrijnë në qendër brenda pak minutash.

Këshilla praktike për të kursyer

Transporti: Transporti publik në Evropë është zakonisht më ekonomik se taksitë.

Abonimet ditore ose javore mund të rezultojnë më të leverdishme pas vetëm 3–4 udhëtimeve.

Fluturimet: Për të gjetur bileta më të lira, rekomandohet përdorimi i platformave që krahasojnë çmimet e fluturimeve, aktivizimi i njoftimeve për ulje çmimesh dhe, kur është e mundur, udhëtimi në ditët e mesjavës.

Akomodimi: Përpara rezervimit të hotelit, duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë vlerësimeve dhe komenteve të klientëve, veçanërisht atyre që lidhen me gjendjen reale të dhomave dhe vendndodhjen.

Numri i yjeve nuk duhet të jetë kriteri i vetëm.

Siguria: Rekomandohet sigurimi i udhëtimit, përdorimi i shërbimeve zyrtare për rezervimin e akomodimit dhe taksitë, si dhe kontrollimi paraprak i vlerësimeve dhe informacionit për zonën ku do të qëndrohet. //a.i/

 

 

The post Media ruse “Pravda.ru”: Tirana, zgjedhja ekonomike për një udhëtim në Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

KOMENT – Trump përballë rezistencës kanadeze: Deri ku shkon fuqia amerikane?

UASHINGTON/ OTAVË, 26 gusht /ATSH/- Përplasja e fundit tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë po shndërrohet në një test të rëndësishëm për aftësinë e administratës së Donald Trump, për t’i detyruar aleatët të pranojnë kërkesat amerikane përmes presionit politik dhe ekonomik.

Vetëm dy ditë para se bisedimet tregtare SHBA-Kanada të dështonin, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e përshkroi kryeministrin kanadez Mark Carney si një “djalë shumë të këndshëm”.

Në një regjistrim audio të publikuar nga “Canadian Press”, Vance e përshkroi si qesharake mënyrën se si Carney përpiqet të tregojë forcë ndaj Trump, duke thënë se kanadezët në fund të fundit tërhiqen në shumë çështje.

Deklarata e tij shkaktoi reagime në Kanada, ndërsa Carney ndërpreu papritur negociatat për një marrëveshje të re tregtare.

Si rezultat, të dy vendet hynë në një raund të ri tarifash, pavarësisht shkëmbimeve tregtare dypalëshe që arrijnë mbi 872 miliardë dollarë çdo vit.

Pse Trump po përplaset me Kanadanë?

Përplasjet mes dy vendeve nisën që gjatë mandatit të parë të Trump, veçanërisht gjatë negociatave për marrëveshjen USMCA, që zëvendësoi NAFTA-n.

Trump kishte pasur gjithashtu marrëdhënie të tensionuara me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau, të cilin e quante në mënyrë përçmuese “guvernator” dhe Kanadanë “shteti i 51-të i SHBA-së”.

Në politikën e Trump, siguria ekonomike dhe ajo kombëtare janë të lidhura ngushtë.

Për këtë arsye, Kanadaja dhe Meksika, dy prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, janë kthyer në objektiva të hershëm të presionit amerikan.

Administrata Trump argumenton gjithashtu se Kanadaja kontribuon shumë pak në mbrojtjen rajonale, ndërsa përfiton ndjeshëm nga marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.

Kanadaja po kundërpërgjigjet

Por, presioni amerikan mund të ketë kufijtë e tij. Kanadaja po përpiqet të tregojë se edhe ajo mund t’i shkaktojë kosto ekonomike SHBA-së.

Masat e reja kanadeze përfshijnë tarifa ndaj produkteve amerikane, ndërsa në të ardhmen Otava mund të kufizojë aksesin e SHBA-së në energji dhe minerale kritike kanadeze, si dhe të nxisë bojkotimin e mallrave amerikane.

Situata ngjan, në një tjetër nivel, me përplasjen e SHBA-së me Iranin – edhe një shtet më i dobët ekonomikisht ose ushtarakisht mund të përdorë pika të caktuara presioni, për t’i shkaktuar kosto një fuqie më të madhe.

Në rastin e Kanadasë, këto pika janë veçanërisht energjia, mineralet kritike dhe zinxhirët e furnizimit.

Rreziku i një përshkallëzimi

Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Kanadasë, duke e akuzuar se “zhvat” SHBA-në.

Nga ana tjetër, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, iu përgjigj presidentit amerikan me një deklaratë jashtëzakonisht të ashpër.

Megjithatë, ende ekziston një hapësirë për rikthimin në negociata.

Tarifat e reja kanadeze hyjnë në fuqi pas dy javësh, ndërsa tarifa më e rëndë amerikane, 50% ndaj automjeteve dhe pjesëve të prodhuara në Kanada, nuk pritet të hyjë në fuqi deri në fillim të vitit 2027.

Kjo periudhë mund t’u japë negociatorëve kohë për të rifilluar bisedimet.

Carney përballë një zgjedhjeje

Një tjetër faktor i rëndësishëm, janë zgjedhjet afatmesme amerikane në nëntor.

Një fitore e demokratëve në Kongres mund të kufizojë ndjeshëm hapësirën e veprimit të Trump, ndërsa një rezultat i fortë për republikanët mund ta nxisë atë të vazhdojë presionin.

Qeveria kanadeze duket se po shpreson te mundësia e parë dhe beson se presioni politik në shtete të rëndësishme industriale amerikane mund ta detyrojë Trump të tërhiqet.

Por, Kanadaja po shqyrton edhe një rrugë tjetër, të largohet gradualisht nga varësia ekonomike ndaj SHBA-së dhe të diversifikojë partneritetet e saj tregtare.

Carney ka paralajmëruar se Kanadaja nuk mund të mbështetet më te aleancat tradicionale, nëse “rregullat e lojës” kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore.

Pavarësisht afërsisë gjeografike, marrëdhënia jashtëzakonisht e integruar ekonomike mes dy vendeve mund të jetë duke hyrë në një fazë të re.

Nëse Kanadaja arrin t’i rezistojë presionit të SHBA-së, kjo mund t’u japë edhe vendeve të tjera një model për mënyrën se si mund të përballen me politikën e ashpër tregtare të Trump. //a.i/

The post KOMENT – Trump përballë rezistencës kanadeze: Deri ku shkon fuqia amerikane? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ukraina nderon Elon Musk me “Urdhrin e Lirisë” mes kërkesës për përdorimin e “Starlink”

KIEV, 26 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka dhënë miliarderit amerikan Elon Musk “Urdhrin e Lirisë”, nderimi më i lartë i Ukrainës për shtetasit e huaj, sipas një dekreti të publikuar sot në faqen zyrtare të presidencës.

Dhënia e këtij nderimi vjen në një kohë kur Kievi po kërkon autorizim, që sistemi satelitor i internetit “Starlink”, i kompanisë së Musk, të përdoret në operacionet e dronëve ukrainas në territorin rus.

“Urdhri i Lirisë i jepet Elon Musk – sipërmarrësit, inxhinierit dhe drejtuesit të SpaceX dhe Tesla, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në dekret.

Sipas presidencës ukrainase, çmimi i jepet Musk për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e jetës dhe lirisë së njerëzve, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes popujve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dronët ukrainas të pajisur me internetin “Starlink”, mund të drejtohen drejt objektivave në kohë reale, përmes një lidhjeje me video.

Aktualisht, përdorimi i këtij sistemi është i autorizuar vetëm në territorin e Ukrainës, përfshirë edhe zonat e pushtuara nga Rusia.

Ukraina po përballet me pushtimin e plotë rus, prej më shumë se katër vitesh e gjysmë.//a.i/

The post Ukraina nderon Elon Musk me “Urdhrin e Lirisë” mes kërkesës për përdorimin e “Starlink” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

NEPAL – Të paktën tetë të vdekur dhe 26 të zhdukur pas përmbytjeve

KATMANDU, 26 gusht /ATSH-DPA/- Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 26 efektivë policie rezultojnë të zhdukur, pas përmbytjeve të fuqishme dhe të befasishme, që përfshinë Nepalin qendror sot në mëngjes, njoftuan autoritetet.

Përmbytja e lumit Bhotekoshi, në Himalaje, dyshohet se është shkaktuar nga shpërthimi i një liqeni akullnajor në rrjedhën e sipërme të lumit, në rajonin autonom të Tibetit, në Kinë.

Zëdhënësi i policisë, Abi Narayan Kafle tha se numri real i personave të zhdukur, mund të jetë më i lartë, pasi nuk dihet ende fati i disa zyrtarëve të administratës shtetërore dhe punonjësve të hidrocentraleve.

“Deri tani kemi konfirmuar 26 efektivë policie, që rezultojnë të zhdukur nga përmbytja. Gjithashtu, kemi raportime për zyrtarë të administratës dhe punonjës të hidrocentraleve të zhdukur, por ende po mbledhim të dhënat”, tha Kafle.

Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah urdhëroi angazhimin e ushtrisë dhe forcave të tjera të sigurisë në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Autoritetet kanë paralajmëruar banorët që jetojnë në zonat përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit për rrezik të lartë.

Banorët e zonës e kanë përshkruar ngjarjen si një nga përmbytjet më të rënda të dekadave të fundit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dëme të mëdha në vendbanimet pranë kufirit me Tibetin dhe në zonat përreth. Përmbytjet përfshirë disa hidrocentrale dhe ura.

Ndërkohë, mijëra turistë dhe vizitorë që ndodheshin në itinerarin e njohur të Langtangut kanë mbetur të bllokuar.

Pika kufitare Rasuwagadhi është një nga pikat kryesore të tregtisë së Nepalit me Kinën. //a.i/

The post NEPAL – Të paktën tetë të vdekur dhe 26 të zhdukur pas përmbytjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA – Trump: Hormuzi është çminuar, çdo përpjekje e Iranit do të ndëshkohet

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se Marina amerikane ka hequr ose ka shpërthyer të gjitha minat detare në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për transportin e naftës dhe gazit, të cilën Irani e ka mbyllur kryesisht që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, raportoi BBC.

“Irani është njoftuar se çdo anije apo mjet lundrues që vendos mina të reja, do të shkatërrohet menjëherë dhe në mënyrë sistematike”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Irani nuk ka bërë ende koment lidhur me deklaratën.

Mbyllja e ngushticës ka shkaktuar luhatje të mëdha të çmimeve të naftës në tregjet botërore.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja ka kontroll mbi zonën, ndërsa Irani ka sulmuar disa anije që, sipas tij, janë përpjekur të kalojnë pa lejen e Teheranit.

Para luftës, e cila nisi më 28 shkurt me sulme ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë transportohej përmes Ngushticës së Hormuzit.

Përveç mbylljes së ngushticës, Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin, bazat amerikane në rajon dhe aleatët arabë të SHBA-së në Gjirin Persik.

Armëpushimi i synuar për të krijuar kushtet për bisedime për përfundimin e luftës, ka dështuar dhe SHBA-ja e Irani kanë shkëmbyer zjarr periodikisht.

Këtë javë, SHBA-ja njoftoi një paketë të re sanksionesh ekonomike ndaj Iranit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunonte financiarisht me Iranin do të izolohej.

SHBA-ja dhe Irani nënshkruan në qershor një Memorandum Mirëkuptimi (MoU), një dokument me 14 pika, që përcaktonte një afat prej 60 ditësh për arritjen e një marrëveshjeje mbi Ngushticën e Hormuzit.

Më pas, do të zhvilloheshin negociata më të gjera për çështjen bërthamore, përfshirë akuzat se Irani po ndërton armë bërthamore, gjë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.

Ky afat tashmë ka përfunduar dhe negociatat janë ndërprerë. Kjo ka çuar në sanksionet e reja amerikane, të cilat Trump beson se do të çojnë në rrëzimin e regjimit iranian.

Irani ka qenë nën sanksione për pjesën më të madhe të periudhës që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979.

Ministri i Ekonomisë, Ali Madanizadeh tha se Teherani ishte plotësisht i përgatitur për sanksionet e reja, të cilat, sipas tij, do t’i shkaktonin SHBA-së një tjetër humbje.

Megjithatë, ekonomia iraniane është goditur rëndë nga lufta, si dhe nga një bllokadë ndaj porteve iraniane që SHBA-ja e ka mbajtur prej javësh, duke penguar vazhdimin e tregtisë.

Mosmarrëveshja për kontrollin e Hormuzit

Irani, nga ana e tij, ka sinjalizuar se dëshiron të vendosë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit.

Kjo kërkesë kundërshtohet nga SHBA-ja dhe shumica e vendeve të tjera, të cilat e konsiderojnë ngushticën ujëra ndërkombëtare dhe kërkojnë që lundrimi të mbetet i lirë dhe i papenguar, siç ishte para luftës.

Deri vonë, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit, Irani kishte zhvilluar negociata me Omanin, aleat i SHBA-së, për të gjetur një mënyrë për administrimin e ngushticës.

Por këto bisedime nuk kanë sjellë ende një marrëveshje. Javën e kaluar, Trump kërcënoi se do të bombardonte aleatin e tij, Omanin, “nëse pengon” negociatat e administratës amerikane me Iranin për këtë çështje.

Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi tha sot se shpreson që vendi i tij dhe Irani së shpejti të njoftojnë krijimin e një korridori të përkohshëm për lundrimin në ngushticë.

Ai e bëri deklaratën pas takimit me homologun iranian, Abbas Araghchi, në Teheran.

Albusaidi tha se shpresonte gjithashtu për “marrëveshje praktike” që do të mundësonin rikthimin e lundrimit të sigurt.

“Menaxhimi i ardhshëm i ngushticës dhe një zgjidhje e përhershme do të vijnë në kohën e duhur”, tha ai.

Araghchi konfirmoi takimin dhe tha se në bisedime me përfaqësues të Pakistanit dhe Omanit u diskutuan zgjidhjet rajonale.

Sipas tij, diskutimet përfshinë të ardhmen e administrimit të ngushticës, marrëveshjen kuadër për krijimin e një korridori të ri, si dhe një operacion të përbashkët për çminimin e zonës. //a.i/

 

The post SHBA – Trump: Hormuzi është çminuar, çdo përpjekje e Iranit do të ndëshkohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

GREQI – Mbi 300 emigrantë shpëtohen në brigjet e Kretës brenda dy ditësh

ATHINË, 26 gusht /ATSH-DPA/- Rreth 220 emigrantë u shpëtuan sot në mëngjes në brigjet e Kretës, duke e çuar në mbi 300 numrin e personave të shpëtuar pranë ishullit gjatë dy ditëve të fundit, raportuan mediet greke, duke cituar rojet bregdetare.

Një avion pa pilot i agjencisë kufitare të BE-së, “Frontex”, zbuloi sot dy varka me rreth 140 emigrantë, rreth 28 kilometra në jugperëndim të qytetit port të Ierapetrës.

Një varkë e tretë, me 77 persona në bord, u zbulua rreth 93 kilometra në jug të Ierapetrës.

Autoritetet shpëtuan dje 84 migrantë në brigjet jugore të Kretës dhe pranë ishullit Gavdos, gjatë disa operacioneve.

Kreta dhe Gavdos janë pika të rëndësishme kalimi për emigrantët që përpiqen të mbërrijnë në Greqi, vend anëtar i BE-së, nga Afrika e Veriut.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, deri në mesin e gushtit, më shumë se 11 500 emigrantë mbërritën në Kretë që nga fillimi i vitit.

Sipas autoriteteve greke, varkat zakonisht nisen nga zona pranë qytetit libian Tobruk dhe ndjekin një rrugë të rrezikshme drejt veriut përmes Mesdheut.

Ministri grek i Emigracionit, Thanos Plevris tha së fundmi se më shumë se 500 000 persona ndodhen në pritje në Libi, për të tentuar kalimin drejt Evropës. //a.i/

The post GREQI – Mbi 300 emigrantë shpëtohen në brigjet e Kretës brenda dy ditësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Brazili gjobit pronarin e TikTok-ut, “ByteDance” për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve

RIO DE ZHANEIRO, 26 gusht /ATSH-DPA/- Autoriteti brazilian për mbrojtjen e të dhënave personale, ANPD, ka gjobitur me rreth 29,8 milionë dollarë kompaninë “ByteDance”, pronaren e TikTok-ut, për mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve dhe adoleshentëve pa bazë të mjaftueshme ligjore dhe pa marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre.

Autoriteti njoftoi sot se shkeljet lidhen, si me personat që përdorin TikTok-un pa krijuar llogari, ashtu edhe me përdoruesit që kanë llogari të regjistruar.

Në total, autoriteti konstatoi pesë shkelje të ligjit brazilian për mbrojtjen e të dhënave personale.

Përveç gjobës, “ByteDance” duhet të fshijë të dhënat e mbledhura në mënyrë të paligjshme dhe të zbatojë një plan për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve.

Përdoruesit nën 16 vjeç do të kenë rregulla më të forta për privatësinë.

Kompania duhet gjithashtu të përmirësojë kontrollet prindërore dhe masat për të parandaluar që fëmijët të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme.

Për personat që përdorin TikTok-un pa llogari, reklamat dhe mesazhet private do të çaktivizohen, ndërsa TikTok-u do të kufizojë mënyrën se si u shfaqen videot bazuar në interesat e tyre.

“ByteDance” ka 10 ditë kohë për të apeluar vendimin.

TikTok-u është një nga rrjetet sociale më të përdorura në Brazil dhe është përballur me kritika për mbrojtjen e fëmijëve edhe në vende të tjera.

Komisioni Evropian e ka akuzuar platformën se nuk mbron në mënyrë të mjaftueshme të miturit nga rreziqe si ngacmimi dhe bullizmi në internet.

Në SHBA, TikTok-u ka rënë dakord vetëm pak ditë më parë, të paguajë 400 milionë dollarë për të zgjidhur akuzat lidhur me mbledhjen e të dhënave të fëmijëve pa pëlqimin e prindërve. //a.i/

The post Brazili gjobit pronarin e TikTok-ut, “ByteDance” për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

PAKISTAN – Të paktën 15 foshnja të porsalindura humbin jetën nga zjarri në një spital 

ISLAMABAD, 26 gusht /ATSH-DPA/- Të paktën 15 foshnja të porsalindura kanë humbur jetën nga një zjarr, që përfshiu repartin e maternitetit në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, njoftuan sot autoritetet lokale të emergjencave.

Zjarri dyshohet se u shkaktua nga një defekt në një pajisje të ajrit të kondicionuar, në orët e para të mëngjesit.

Sipas autoriteteve, vetëm një nga foshnjat që ndodheshin në repart mundi të shpëtohej. Zjarri tashmë është vënë nën kontroll.

Reparti i maternitetit është pjesë e departamentit të gjinekologjisë në Institutin e Shkencave Mjekësore të Pakistanit (PIMS), një spital shtetëror.

Në momentin kur shpërtheu zjarri, në repart ndodheshin të paktën 16 foshnja të porsalindura.

Pamjet televizive të “Geo News” treguan sasi të mëdha tymi dhe zjarrfikësit duke punuar në vendngjarje.

Televizioni raportoi se do të nisë një hetim për të përcaktuar edhe shkaqet e tjera të mundshme të zjarrit.

Spitalet publike në Pakistan shpesh, kritikohen për standardet e ulëta të shërbimit, ndërsa personat që kanë mundësi financiare zgjedhin klinikat private.

Mungesa e masave të duhura të sigurisë ka shkaktuar vazhdimisht tragjedi në vend.//a.i/

The post PAKISTAN – Të paktën 15 foshnja të porsalindura humbin jetën nga zjarri në një spital  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Independent” rendit Bjeshkët e Nemuna ndër destinacionet më të mira malore në Evropë për një arratisje verore

TIRANË, 26 gusht /ATSH/- Valët e të nxehtit dhe zjarret pyjore kanë bërë që turistët të kërkojnë destinacione malore për pushimet e tyre, sipas medias britanike “Independent”.

Ekspertët e udhëtimeve sugjerojnë disa prej vendeve më të mira në Evropë për të eksploruar malet gjatë verës, larg sezonit të skive.

Me temperaturat e larta që kanë përfshirë Evropën këtë verë, pushimet në vende të freskëta dhe udhëtimet për ecje në natyrë, janë bërë gjithnjë e më të kërkuara.

Destinacionet malore evropiane po kryesojnë listat e turistëve që duan t’i shpëtojnë valëve të vazhdueshme të të nxehtit.

Ndërsa turistët përballen me radhë të gjata në Dolomite, madje edhe për të blerë ëmbëlsira, vëmendja po zhvendoset drejt destinacioneve të tjera malore në Portugali, Shqipëri dhe Gjermani, të cilat ofrojnë mundësi të shkëlqyera për ecje dhe eksplorim edhe jashtë sezonit të skive.

Nga shtigjet e përshtatshme për një numër më të madh vizitorësh në Madeira, te strehat malore në Alpet franceze, ekspertët kanë përzgjedhur disa nga destinacionet malore evropiane për vitin 2026.

Bjeshkët e Nemuna, Shqipëri

Edhe pse Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet si destinacion bregdetar, sipas autores Laura Sanders, bukuria e vërtetë e vendit gjendet në Bjeshkët e Nemuna.

Lugina të rrethuara nga ferma, kullota të larta për bagëtitë dhe pyje pothuajse të paprekura krijojnë një peizazh spektakolar.

Sipas artikullit, rreth 75% e territorit të Shqipërisë përbëhet nga peizazhe malore dhe natyrore të larmishme.

Sanders e përshkruan si magjike përvojën e zgjimit me pamjen e Bjeshkëve të Nemuna në njërën anë dhe kufirit me Malin e Zi në anën tjetër.

Ajo rekomandon udhëtimet e gjata dhe eksplorimin e zonës përmes ecjes, çiklizmit dhe vozitjes, pasi kjo mënyrë u mundëson vizitorëve të njohin më mirë natyrën dhe jetën lokale.

Sipas saj, me rritjen e turizmit, sfida është që Shqipëria të ruajë karakterin e saj të egër dhe natyror.

Destinacionet malore evropiane që ekspertët  e udhëtimeve sugjerojnë për vitin 2026:

Bjeshkët e Nemuna, Shqipëri

Alpet franceze, Francë

Shtigjet Levada, Madeira, Portugali

Lugina e Bellevilit, Francë

Bavaria, Gjermani

Malet e Estrelës, Portugali

Malet e Annecy, Francë //a.i./

The post “Independent” rendit Bjeshkët e Nemuna ndër destinacionet më të mira malore në Evropë për një arratisje verore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA – Gjykata e Lartë i jep Trump dritën jeshile për të shtrënguar rregullat e votimit me postë

UASHINGTON, 25 gusht /ATSH-DPA/- Gjykata e Lartë e SHBA-së ka pezulluar përkohësisht, bllokimin ndaj planit të presidentit Donald Trump për të shtrënguar rregullat e votimit me postë, më shumë se dy muaj para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin.

Gjykata ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse këto masa janë të ligjshme.

Megjithatë, vendimi i fundit i lejon administratës Trump të vazhdojë me zbatimin e planit për momentin.

Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë kjo në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe priten edhe sfida të tjera ligjore.

Trump kërkon që ndryshimet të hyjnë në fuqi përpara zgjedhjeve. Presidenti republikan deklaroi se masat synojnë parandalimin e mashtrimeve zgjedhore, ndërsa kritikët e akuzojnë se po përpiqet ta bëjë më të vështirë votimin për demokratët, pasi votuesit e tyre kanë pak më shumë gjasa të votojnë me postë.

Një gjykatë në Boston bllokoi përkohësisht rregullat e reja dhe më pas e zgjeroi këtë ndalim në të 50 shtetet amerikane.

Gjykata argumentoi gjithashtu se administrata federale nuk kishte kompetencë për të vendosur rregulla mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, pasi kjo përgjegjësi i takon kryesisht vetë shteteve.

Gjykata e Lartë në Uashington, nuk ka vendosur nëse plani i Trump është në përputhje me Kushtetutën, por vetëm ka hequr bllokimin e përkohshëm.

Vendimi u mbështet nga gjashtë gjyqtarët konservatorë, ndërsa tre gjyqtarët e tjerë votuan kundër.

Në fund të marsit, Trump nxorri një urdhër që detyronte Shërbimin Postar Amerikan (USPS) t’u dërgonte materialet për votimin me postë, vetëm personave që figurojnë në listat e votuesve të përgatitura më parë nga shtetet.

Kjo do të ndryshonte rolin e postës amerikane, nga një institucion që thjesht shpërndan materialet zgjedhore, ajo do të përfshihej edhe në verifikimin nëse një person ka të drejtë të votojë.

Gjykatësja e gjykatës së shkallës më të ulët në Boston, kërkoi që rregullat ekzistuese të mbeteshin në fuqi deri në zgjedhje.

Ajo paralajmëroi se kishte mbetur shumë pak kohë për t’u shpjeguar votuesve se si mund të ndikonin ndryshimet tek ata, nëse dëshironin të votonin me postë.

Sipas saj, urdhri i Trump mund të shkaktonte paqartësi dhe kaos në procesin zgjedhor.

Padia kundër masave është ngritur nga organizata jopartiake, të cilat thonë se synojnë të rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, do të zgjidhet e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve dhe rreth një e treta e Senatit amerikan. //a.i/

The post SHBA – Gjykata e Lartë i jep Trump dritën jeshile për të shtrënguar rregullat e votimit me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Euronews”: Tirana shpallet qyteti më ekonomik për pushime në Evropë

TIRANË, 25 gusht /ATSH/- Tirana renditet në vendin e parë si destinacioni më ekonomik për një udhëtim në qytet në Evropë, me një kosto mesatare prej rreth 59 eurosh në ditë për person, shkruan Dianne Apen-Sadler në një artikull të botuar në “Euronews”.

Ndryshimi i çmimeve të udhëtimeve dhe rritja e kostove të fluturimeve kanë bërë që shumë turistë të kërkojnë destinacione më të përballueshme.

Për ata që planifikojnë të udhëtojnë në Evropë gjatë shtatorit, një analizë e kompanisë britanike të udhëtimit dhe turizmit “Thomas Cook”, ka identifikuar 13 qytete ku shpenzimet ditore janë nën 100 euro për person.

Për renditjen, agjencia ka analizuar më shumë se 50 destinacione të njohura, duke llogaritur çmimet mesatare të një nate në hotel me tre yje, një vakti në një restorant ekonomik, një kafeje, transportit publik ditor dhe biletave për atraksionet turistike.

Tirana, destinacioni evropian më ekonomik

Sipas analizës, Tirana është qyteti më ekonomik në Evropë, me një kosto mesatare prej rreth 59 eurosh në ditë për person.

Qëndrimi në një hotel me tre yje, kushton mesatarisht 32 euro për person në natë, ndërsa një vakt në një restorant ekonomik rreth 8,50 euro.

Një birrë vendase kushton rreth 1,50 euro.

Në vendin e dytë renditet Bukureshti i Rumanisë, me rreth 66 euro në ditë për person.

Në pesëshen e parë janë edhe Antalia në Turqi dhe Varshava në Poloni, me nga 78 euro, ndërsa Stambolli renditet i pesti, me rreth 82 euro në ditë.

Sipas Nicholas Smith, drejtor i paketave dinamike në kompaninë britanike “Thomas Cook”, qytetet e Evropës Lindore dhe destinacionet turke vazhdojnë të ofrojnë çmime të përballueshme, por me rritjen e numrit të turistëve, ato mund të bëhen gjithnjë e më njohura dhe të kërkuara.

Qytetet evropiane me koston më të ulët ditore

Tiranë, Shqipëri – 59 €
Bukuresht, Rumani – 66 €
Antalia, Turqi – 78 €
Varshavë, Poloni – 78 €
Stamboll, Turqi – 82 €
Muğla, Turqi – 87 €
Krakovë, Poloni – 87 €
Vilnius, Lituani – 90 €
Frankfurt, Gjermani – 90 €
Lion, Francë – 91 €
Talinn, Estoni – 93 €
Heraklion, Greqi – 99 €
Porto, Portugali – 100 €   //a.i/

The post “Euronews”: Tirana shpallet qyteti më ekonomik për pushime në Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

KIEV – Zelensky falënderon Merz: Ndihma gjermane ka shpëtuar jetë të panumërta

KIEV, 25 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka falënderuar kancelarin gjerman, Friedrich Merz për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Ukrainës, duke theksuar se Berlini po luan një rol udhëheqës në mbrojtjen e pavarësisë së vendit.

Në një mesazh të publikuar sot në rrjetin X, Zelensky deklaroi se ndihma gjermane ka shpëtuar jetë të panumërta, pas ceremonive madhështore të organizuara dje me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës.

Zelensky ka publikuar gjithashtu letrën e urimit që presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Përmes letrës, Trump vlerësoi miqësinë mes SHBA-së dhe Ukrainës, duke thënë se ajo është forcuar gjatë 35 viteve të marrëdhënieve diplomatike.

Ai vlerësoi popullin ukrainas për guximin dhe qëndrueshmërinë dhe shprehu mbështetjen për të ardhmen e Ukrainës, si një shtet sovran dhe të begatë.

Trump bëri gjithashtu, thirrje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, që do t’i mundësonte Ukrainës të shfrytëzonte potencialin e saj në të ardhmen.

Zelensky i cilësoi urimet e Trump si “të ngrohta dhe inkurajuese”, ndërsa në përgjigjen e tij ka bërë në mënyrë indirekte thirrje për furnizim me raketa për sistemet mbrojtëse “Patriot PAC-3”, të cilat përdoren për të interceptuar raketat balistike ruse.

Sipas Zelensky, fjalët e Trump, u japin ukrainasve shpresë se mund të mbrohen jetë njerëzish nga sulmet ruse dhe se mund të arrihet një paqe dinjitoze. //a.i/

The post KIEV – Zelensky falënderon Merz: Ndihma gjermane ka shpëtuar jetë të panumërta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

ZAGREB – Kos prezanton qasjen e re për zgjerimin e BE-së, integrim gradual dhe reforma për t’i dhënë fund ngërçit

ZAGREB, 25 gusht /ATSH/- Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos prezantoi sot disa nga elementet kryesore të propozimit të Komisionit Evropian për reformimin e procesit të zgjerimit të BE-së, raportoi “Euronews”.

Ajo përshkroi planet për integrim gradual, kontrolle më të rrepta ndaj vendeve kandidate dhe një metodologji të re, ndërsa procesi hyn në atë që ajo e cilësoi si një “moment të ri të Helsinkit”.

“Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, tha sot komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos gjatë Konferencës së Ambasadorëve Kroatë, në Zagreb.

Në fjalimin e saj, Kos paraqiti elementet kryesore të rishikimit të politikës së BE-së përpara zgjerimit, një nismë e lënë prej kohësh në pritje, e cila shqyrton se si mund të funksionojë Bashkimi Evropian me më shumë se 30 shtete anëtare.

Komisioni e ka rikthyer këtë çështje në agjendë për të rimarrë iniciativën, përpara një diskutimi kritik mes liderëve të BE-së në tetor.

Për komisioneren sllovene, BE-ja po përballet me një “moment të ri të Helsinkit”, duke iu referuar takimit të liderëve evropianë në kryeqytetin finlandez, i cili hapi rrugën për zgjerimin e madh të BE-së pas Luftës së Ftohtë, kur 10 vende të reja iu bashkuan unionit.

Ajo veçoi në mënyrë të veçantë përparimin e shpejtë të Malit të Zi, i cili është vendi më i avancuar drejt anëtarësimit në BE, përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve kryesore për shtetin e së drejtës, avancimin e rëndësishëm teknik të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe vendimin e Islandës për të rifilluar procesin e anëtarësimit.

“Komisioni do të paraqesë idetë e tij se si Bashkimi Evropian duhet të përgatitet ndërsa vendet kandidate afrohen drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit”, tha Kos.

“Sipas mendimit tim, duhet të trajtojmë katër çështje për të krijuar konsensus në nivelin më të lartë për pranimin e shteteve të reja anëtare.”

Reformat e brendshme

Sipas komisioneres së BE-së për zgjerimin, një union më i madh do të ketë nevojë për reforma të rëndësishme, për të ruajtur aftësinë për të vepruar dhe për t’iu përshtatur shpejt situatave të krizës.

Në mënyrë të rëndësishme, ajo argumenton se ndryshimet në proceset vendimmarrëse dhe në strukturën institucionale mund të realizohen pa ndryshuar traktatet e BE-së.

Ndryshimi i traktateve do të kërkonte negociata të gjata dhe një proces të paparashikueshëm ratifikimi nga shtetet anëtare.

“Duhet ta përdorim këtë për ta bërë vendimmarrjen më të thjeshtë dhe më fleksibël. Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu reduktimin e numrit të fushave, ku një shtet i vetëm anëtar mund të bllokojë të gjithë të tjerët. Mund të nënkuptojë gjithashtu institucione më të vogla”, tha Kos.

Ajo përmendi gjithashtu bashkëpunimin e zgjeruar, një mekanizëm ligjor që u lejon një grupi më të vogël vendesh të BE-së, të ecë përpara me një nismë edhe kur shtetet e tjera nuk janë ende gati ta bëjnë këtë.

Ky mekanizëm është përdorur në fusha që përfshijnë Marrëveshjen e Shengenit dhe euron.

Garanci demokratike

Një tjetër element i theksuar nga komisionerja është forcimi i mekanizmave ekzistues të mbrojtjes, për të parandaluar që vendet e reja anëtare të largohen nga standardet demokratike dhe shteti i së drejtës pas anëtarësimit.

Kjo ide është propozuar edhe nga pesë vendet themeluese të BE-së, të cilat e kanë cilësuar përvojën e Hungarisë nën drejtimin e Viktor Orbán si një mësim për të ardhmen.

“Duhet të shkojmë një hap më tej. Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë kuaj Troje. As sot, as pas 10 apo 20 vjetësh. Përvoja e fundit ka treguar se mund të nevojiten masa më të forta mbrojtëse për të parandaluar dhe, nëse është e nevojshme, korrigjuar shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore të Unionit tonë”, tha Kos.

Megjithatë, propozimi ka shkaktuar debate, pasi mund të jetë në kundërshtim me një nga parimet themelore të BE-së, sipas të cilit shtetet anëtare duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ekziston rreziku që kjo të krijojë shtete anëtare të një “niveli të dytë”.

Ambasadori i Malit të Zi në BE, Petar Markoviç tha për “Euronews” se Podgorica do ta mbështeste një sistem të tillë garancish, me kusht që ato të bazoheshin në kritere objektive dhe të vlerësoheshin rast pas rasti.

“Masa të tilla janë të domosdoshme, jo thjesht të dëshirueshme. Kjo është thelbësore për të ndërtuar besim dhe unitet brenda Unionit tonë për pranimin e anëtarëve të rinj”, shtoi Kos.

Sipas saj, garancitë më të forta mund të ndihmojnë gjithashtu në lehtësimin e procesit të ratifikimit të anëtarësimeve të reja.

Metodologjia e zgjerimit

Disa vende të BE-së, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kanë sugjeruar gjithashtu që Bashkimi Evropian duhet të rishikojë metodologjinë e zgjerimit, veçanërisht përmes “integrimit gradual”, i cili do t’u ofronte vendeve kandidate përfitime konkrete në një fazë më të hershme të procesit.

“Zgjerimi i BE-së duhet të evoluojë për t’iu përgjigjur realiteteve të sotme”, tha Kos, duke vënë në dukje se procesi i anëtarësimit mund të zgjasë me dekada, ndërsa kundërshtarët e BE-së mund ta shfrytëzojnë këtë pasiguri, për të ushtruar presion politik dhe për ta penguar procesin.

“Prandaj duhet të largohemi nga logjika “gjithçka ose asgjë” në zgjerim. Na duhet një qasje më e strukturuar, për të kapërcyer një periudhë kohore që nuk e kemi më në dispozicion. Duhet të kërkojmë mënyra më ambicioze për integrim gradual”, tha ajo.

Urgjenca për të rishikuar metodologjinë e zgjerimit lidhet kryesisht me nisjen e procesit të anëtarësimit të Ukrainës.

Vendet evropiane druhen se një formë anëtarësimi dhe garancish sigurie, mund të bëhet pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë, në mënyrë që Ukraina të lidhet në mënyrë të qëndrueshme me Evropën.

Kos theksoi se vendet që synojnë anëtarësimin në BE, tashmë mund të përfitojnë nga disa avantazhe në fazat e hershme, si anëtarësimi në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lidhja me rrjetin energjetik të BE-së.

“Këto janë hapa pozitivë. Por nuk mjaftojnë”, tha ajo.

Masat kalimtare

Së fundi, komisionerja e BE-së për zgjerimin theksoi se Brukseli duhet të kuptojë ndikimin që anëtarët e rinj do të kenë te shtetet aktuale anëtare dhe të mbrojë interesat e unionit nga rreziqet e mundshme.

“Ne kemi përvojë me masa kalimtare të gjera, për të siguruar që integrimi i anëtarëve të rinj të zhvillohet pa probleme. Dhe duhet të sigurohemi që buxheti i BE-së të vazhdojë të financojë prioritetet tona”, shtoi ajo.

Mënyra se si vendet e reja anëtare duhet të përfshihen në buxhetin e BE-së është një çështje mosmarrëveshjeje mes qeverive evropiane, duke e komplikuar më tej negociatën tashmë të tensionuar për Kuadrin Financiar Shumëvjeçar të ardhshëm të BE-së. //a.i/

The post ZAGREB – Kos prezanton qasjen e re për zgjerimin e BE-së, integrim gradual dhe reforma për t’i dhënë fund ngërçit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌