Reading view

FOKUS – Rritja e kostove mbyll çdo ditë 25 restorante në Francë

PARIS, 27 gusht /ATSH-AA/ – Rreth 25 restorante mbyllen çdo ditë në Francë, ndërsa sektori i hotelerisë dhe gastronomisë po përballet me kosto të larta operative dhe përfitueshmëri të ulët, tha të enjten një përfaqësues i shquar industrisë.

Thierry Marx, kreu i Unionit të Profesioneve dhe Industrive të Hoteleve, tha se kontributet e punëdhënësve po rëndojnë ndjeshëm mbi vendet e punës dhe pagat në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve, ku punojnë rreth 1,6 milion persona.

Kuzhinieri i vlerësuar me yll Michelin tha se procedurat e paaftësisë paguese për restorantet tradicionale, përfshirë ristrukturimin, likuidimin dhe procedurat mbrojtëse, janë rritur me 6,4 për qind në tremujorin e dytë.

Përfitueshmëria mesatare në sektor është vetëm rreth 2-3 për qind, duke u lënë bizneseve shumë pak mundësi për të investuar, tha ai për televizionin francez LCI.

“Besoj se barra është shumë e rëndë për punëdhënësit dhe punonjësit. Kur një punonjës merr 3.000 euro bruto, kjo i kushton punëdhënësit 6.000 euro, ndërsa punonjësi në të vërtetë merr vetëm pak më shumë se 2.000 euro”, tha Marx.

Marx kundërshtoi gjithashtu fuqishëm propozimet për rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për të ndihmuar në financimin e sistemit të mirëqenies sociale të Francës.

“Ne i kushtojmë shumë vëmendje vijës së kuqe sa i përket TVSH-së”, tha ai.

Shkalla e TVSH-së aktualisht është 10 për qind për restorantet ku klientët hanë në ambientet e tyre dhe 5,5 për qind për pikat e ushqimit të shpejtë.

Marx tha se tregu i ushqimit të shpejtë ka tejkaluar sektorin e restoranteve tradicionale gjatë dy viteve të fundit, duke paralajmëruar se Franca po përjeton gradualisht një proces të “degastronomizimit”, pasi bizneset e pavarura të drejtuara nga kuzhinierë po zëvendësohen nga zinxhirët.

Aktiviteti i restoranteve në rajonet Gironde dhe Landes gjithashtu ka rënë me 40 për qind për shkak të zjarreve të mëdha, tha Marx, duke bërë thirrje për mbështetje që bizneset e prekura të mund të rimëkëmben përpara verës së ardhshme.   /os/

The post FOKUS – Rritja e kostove mbyll çdo ditë 25 restorante në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

VARSHAVË – Polonia i kërkon BE-së të gjobisë Meta-n me 250 milionë euro për reklamat mashtruese

VARSHAVË, 27 gusht /ATSH-AA/ – Ministri polak i Çështjeve Digjitale i bëri thirrje Komisionit Evropian që t’i vendosë kompanisë Meta një gjobë prej 250 milionë eurosh për reklamat mashtruese dhe përmbajtjet e dëmshme që synojnë përdoruesit polakë.

“Ky Perëndim i Egër në platformë duhet të marrë fund”, tha Krzysztof Gawkowski në rrjetin social amerikan X.

“Gjithashtu i bëj thirrje Metas që të prezantojë menjëherë mjete efektive për eliminimin e mashtrimeve, reklamave të rreme dhe promovimit të aplikacioneve të paligjshme”, shtoi ai.

“Mosveprimi dhe dështimi për të luftuar në mënyrë efektive reklamat e dëmshme dhe përmbajtjet mashtruese që synojnë përdoruesit polakë nuk do të tolerohen”, tha ai.

Gawkowski publikoi gjithashtu një pjesë të një letre drejtuar Henna Virkkunen, zëvendëspresidentes ekzekutive të Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë.

“Shkalla e këtij fenomeni tregon një problem të rëndësishëm me mënyrën se si funksionon reklamimi në një nga platformat më të mëdha online në tregun e vetëm evropian”, thuhej në letër.

Në të shtohej se Meta ka dështuar të ndërmarrë masa efektive, pavarësisht raportimeve të përsëritura nga autoritetet polake dhe ekipet e sigurisë kibernetike.

Thirrja erdhi pas shqetësimeve të reja lidhur me përmbajtjet deepfake, pasi një video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, në të cilën imitohej presidenti polak Karol Nawrocki dhe promovohej një skemë mashtruese investimi, raportohet se qarkulloi në Facebook.

Miliarderi polak Rafal Brzoska, themeluesi i kompanisë së dërgesave të pakove InPost, gjithashtu kritikoi së fundmi përdorimin e paautorizuar të imazhit të tij në reklama mashtruese në platformat në pronësi të Metas.

Meta tha se lufta kundër reklamave mashtruese është “një nga sfidat më komplekse me të cilat përballen aktualisht ekosistemet digjitale” dhe se kërkon bashkëpunim mes platformave, qeverive dhe agjencive të zbatimit të ligjit.

Kompania tha se ka hequr rreth 137.000 reklama me origjinë nga Polonia midis korrikut 2025 dhe qershorit 2026 për shkelje të politikave të saj kundër mashtrimit, ndërsa më shumë se 88 për qind e tyre janë hequr para se të raportoheshin nga përdoruesit.

Megjithatë, Gawkowski tha se Meta nuk ka paraqitur masa bindëse ose efektive për mbrojtjen e përdoruesve.  /os/

The post VARSHAVË – Polonia i kërkon BE-së të gjobisë Meta-n me 250 milionë euro për reklamat mashtruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

OSLO – Përkeqësohet shëndeti i mbretit të Norvegjisë, Harald V

OSLO, 27 gusht /ATSH-AA/ – Mbreti i Norvegjisë, Harald V, është në gjendje “shumë të rëndë” pasi shëndeti i tij është përkeqësuar, njoftoi të enjten Familja Mbretërore e Norvegjisë.

Monarku 89-vjeçar po trajtohet në Spitalin Universitar të Oslos, Rikshospitalet, që nga 17 gushti për anemi hemolitike, një gjendje në të cilën qelizat e kuqe të gjakut shkatërrohen më shpejt sesa trupi mund t’i zëvendësojë, raportoi transmetuesi publik norvegjez NRK.

Familja Mbretërore nuk dha detaje të tjera mbi gjendjen e tij.

Mbretëresha Sonja dhe Princi i Kurorës Haakon kanë anuluar angazhimet e tyre të planifikuara, ndërsa anëtarë të tjerë të familjes mbretërore janë mbledhur në spital.

Edhe Princesha e Kurorës Mette-Marit, Princesha Ingrid Alexandra, Princi Sverre Magnus dhe Princesha Astrid u panë duke mbërritur në spital.

Mbreti Harald kishte marrë trajtim me kortizon para shtrimit në spital, por grumbullimi i lëngjeve bëri të nevojshëm trajtimin e mëtejshëm spitalor, sipas NRK-së.

Anemia hemolitike mund ta detyrojë zemrën të punojë më shumë, ndërsa infeksionet bakteriale dhe efektet anësore të ilaçeve mund të shkaktojnë ngarkesë shtesë te pacientët e moshuar ose të cenueshëm.

Komentatori për çështjet mbretërore Ole-Jorgen Schulsrud-Hansen e përshkroi njoftimin si shqetësues, duke vënë në dukje se familja mbretërore zakonisht përdor një gjuhë të matur.

“Kur përdorin fjalë kaq të forta, duhet t’i marrim ato fjalë ashtu siç janë”, tha ai.

Mbreti Harald, i cili hipi në fron në vitin 1991, është monarku më i vjetër në fron në Evropë.  /os/

The post OSLO – Përkeqësohet shëndeti i mbretit të Norvegjisë, Harald V appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Pas qepenave të ulura vapa sjell edhe izolimin dhe vetminë

ROMË, 27 gusht /ATSH/ – Emergjenca e të nxehtit tregohet kryesisht përmes trupit: temperaturat, dehidratimi, ulja e tensionit të gjakut dhe vizitat në urgjencë, shkruan salute.eu.

Mbrojtja gjatë ditëve më të nxehta është një domosdoshmëri, ndërsa më pak e dukshme mbetet ajo që ndodh me jetën psikologjike kur dalja nga shtëpia nuk është më e mundur për shumë orë.

Qytetet boshatisen, grilat ulen dhe njerëzit që kanë më pak autonomi kalojnë pjesën më të madhe të ditës duke pritur mbrëmjen. Kjo ndodh me fëmijët, të cilët varen nga të rriturit për të dalë, por edhe me shumë të moshuar, për të cilët edhe një shëtitje e shkurtër mund të bëhet e rrezikshme.

Fëmijët

Për një fëmijë, një pasdite i mbyllur në shtëpi nuk do të thotë domosdoshmërisht pushim. Kur mungojnë lëvizja dhe takimet me bashkëmoshatarët, orët humbasin strukturën dhe ekrani bëhet mënyra më e thjeshtë për t’i mbushur ato, sidomos kur prindërit janë në punë.

Studimi “Fëmijët Digjitalë”, i realizuar nga Di.Te. dhe SIPEC me 6.666 familje, tregon se 61,4% e fëmijëve nga zero deri në gjashtë vjeç përdorin çdo ditë një ekran dhe se në 41,5% të rasteve kontakti i parë me ekranin ndodh midis moshës dy dhe tre vjeç.

Për rrjedhojë, i nxehti gjen një zakon tashmë të rrënjosur, i cili u forcua edhe gjatë pandemisë, kur shumë aktivitete u zhvendosën online.

Nëse pajisja përdoret sa herë shfaqet mërzia, irritimi apo vetmia, ajo mund të mbetet përgjigjja më e menjëhershme edhe pasi vera të ketë përfunduar

Të moshuarit

Në jetën e të moshuarve, izolimi i shkaktuar nga temperaturat e larta shfaqet përmes gjesteve të tjera. Të heqësh dorë për ditë të tëra nga shëtitja, pazari apo nga disa fjalë të shkëmbyera me dikë do të thotë të humbasësh zakone që i japin strukturë ditës dhe ruajnë lidhjen me lagjen.

Një tjetër studim, “Gjyshërit digjitalë”, i realizuar nga Di.Te. dhe ANAP Confartigianato me 562 persona mbi 60 vjeç, tregoi se 82,7% përdorin çdo ditë telefonin inteligjent dhe 40,6% e përdorin atë për më shumë se tri orë.

Një telefonatë ose një mesazh mund të jenë shumë të vlefshme; por kur telefoni bëhet i vetmi kontakt me fëmijët dhe nipërit, ndërsa televizori qëndron ndezur për të mbushur heshtjen, teknologjia mund të fshehë edhe një vetmi që përndryshe do të ishte më e lehtë për t’u dalluar.

Këto studime nuk matin efektet e të nxehtit, por përshkruajnë terrenin mbi të cilin po ndërhyjnë temperaturat ekstreme: jetë tashmë shumë të digjitalizuara, rrjete familjare më të brishta dhe shërbime që gjatë verës reduktohen pikërisht kur nevoja për mbështetje rritet.

Kujdestarët e të moshuarve

Shumë të rritur vazhdojnë të punojnë dhe, në të njëjtën kohë, duhet të kujdesen për fëmijët dhe prindërit e moshuar.

Jo të gjithë kanë ambiente të freskëta, dikë të cilit mund t’i kërkojnë ndihmë apo burimet e nevojshme për të organizuar aktivitete dhe kujdes.

Ndërkohë, vazhdojmë ta mendojmë verën sikur klima dhe familjet të ishin ende si shumë vite më parë, me shkolla të mbyllura për muaj të tërë dhe ndërtesa publike të papërdorura pikërisht atëherë kur mund të ofronin hapësira të freskëta ku njerëzit mund të takoheshin.

Ta konsiderosh të nxehtin një problem të shëndetit publik do të thotë të kujdesesh edhe për vazhdimësinë e marrëdhënieve dhe të jetës së përditshme.

Një qytet që u kërkon njerëzve më të cenueshëm të qëndrojnë në shtëpi duhet të dijë se kush jeton vetëm, të ofrojë ambiente të aksesueshme gjatë orëve më të vështira dhe të mos lejojë që e gjithë përgjegjësia të bjerë mbi familjet.

Përndryshe, do të vazhdojmë të rekomandojmë kujdes pa parë se, pas shumë dritareve të mbyllura, mbrojtja nga i nxehti po shndërrohet ngadalë në heqje dorë nga lëvizja, takimet me të tjerët dhe nga një pjesë e rëndësishme e jetës.  /os/

The post FOKUS – Pas qepenave të ulura vapa sjell edhe izolimin dhe vetminë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Kremlini refuzon planin e Zelenskyt, ndërsa shefi i CIA-s mbërrin në Moskë

MOSKË, 27 gusht /ATSH -ANSA/ – Kremlini e ka hedhur poshtë propozimin e paqes të paraqitur nga Volodymyr Zelensky, i cili parashikonte krijimin e një zone të lirë ekonomike të administruar nga vende të treta.

Megjithatë, në perspektivën e negociatave mund të ketë zhvillime të reja.

Në të njëjtën ditë kur në Moskë ndodhet ministri i Jashtëm i Vatikanit, Paul Richard Gallagher, me ofertën e Selisë së Shenjtë për të ofruar “mbështetje diplomatike” dhe “një hapësirë për dialog”, në kryeqytetin rus ka mbërritur edhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe.

Misioni i Ratcliffe në Rusi – i pari i tij si drejtues i CIA-s – nuk ishte njoftuar paraprakisht, por agjencia amerikane nuk bëri shumë për ta mbajtur sekret.

Ai mbërriti me një avion ushtarak që ishte nisur dy ditë më parë nga baza Andrews në Maryland dhe u ul në Moskë pas një ndalese në Riga.

Mbërritja e tij në aeroportin ndërkombëtar Vnukovo u raportua gjatë paradites nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24.

Ndërkohë, një shofer i bllokuar në trafikun e qendrës së Moskës publikoi në Telegram një video ku shfaqeshin makina amerikane me targa diplomatike, të cilat lëviznin me shpejtësi në bulevardin Novy Arbat në drejtim të Kremlinit, të shoqëruara nga policia ruse.

Më vonë, prania e Ratcliffe në Moskë u konfirmua nga disa zyrtarë për mediat amerikane.

Nuk dihet se për çfarë ka diskutuar Ratcliffe me palën ruse. Në qendër të vëmendjes është lufta në Ukrainë, ndërsa ndërmjetësimi amerikan duket se ka hyrë në një fazë ngërçi.

Por në agjendën e bisedimeve mund të ketë qenë edhe Irani, pasi vizita e Ratcliffe përkoi me njoftimin e Shteteve të Bashkuara për sanksione shumë të rënda, që synojnë të godasin rëndë Republikën Islamike duke ndëshkuar edhe vendet që kanë marrëdhënie tregtare me të.

Dhe mes këtyre vendeve është pikërisht Rusia.  /os/

The post FOKUS – Kremlini refuzon planin e Zelenskyt, ndërsa shefi i CIA-s mbërrin në Moskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

KINË- Rrëshqitja e dheut në kufirin Nepal-Tibet, 558 të zhdukur, 260 të huaj

PEKIN, 27 gusht /ATSH ANSA/ – Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se 260 nga 558 personat që rezultojnë ende të zhdukur pas rrëshqitjes së dheut në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit janë shtetas të huaj.

Sipas të dhënave paraprake, deri mëngjesin e sotëm 558 persona rezultonin të zhdukur, mes tyre 260 shtetas të huaj, bëri të ditur CCTV, duke cituar zyrtarë lokalë gjatë një konference në Tibet.

Ndërkohë, Nepali ka raportuar se 468 turistë dhe udhëtarë rezultojnë ende të zhdukur, 393 prej të cilëve janë shtetas të huaj.

Katastrofa në kufirin Nepal–Tibet ka shkaktuar një situatë të rëndë humanitare, me më shumë se 1.300 persona të raportuar të zhdukur në të dyja anët e kufirit.

The post KINË- Rrëshqitja e dheut në kufirin Nepal-Tibet, 558 të zhdukur, 260 të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Meta do të paguajë deri në 16,7 miliardë dollarë për dëmet ndaj fëmijëve

NJU JORK, 26 gusht /ATSH/ – Meta do të paguajë deri në 16,7 miliardë dollarë për të zgjidhur çështjen e dëmit të rrjeteve sociale ndaj fëmijëve, shkruan financialtimes.com.

Çështja, që lidhet me akuzat për dështimin në mbrojtjen e fëmijëve, sapo kishte nisur në një gjykatë në Kaliforni.

Meta ka rënë dakord të paguajë deri në 16.68 miliardë dollarë për të zgjidhur betejën gjyqësore me 29 shtete amerikane, të cilat e akuzonin kompaninë për dështime në mbrojtjen e fëmijëve dhe nxitjen e varësisë nga rrjetet sociale.

Kompania mëmë e Facebook dhe Instagram ka rënë dakord për marrëveshjen me 29 shtetet, sipas dokumenteve të depozituara të mërkurën në gjykatë. Meta kishte vlerësuar më herët se humbja e çështjes mund t’i kushtonte qindra miliarda dollarë.

Kompanitë e rrjeteve sociale po përballen me një valë çështjesh të ngjashme, ku pretendohet se platformat e Big Tech shkaktojnë dëme personale duke zhvilluar produkte të projektuara qëllimisht për të krijuar varësi.

Kufizime të reja për adoleshentët

Si pjesë e marrëveshjes, Meta ka rënë dakord të vendosë:
kufizime të paracaktuara ditore për përdorimin e aplikacioneve nga adoleshentët;
bllokime gjatë natës;

forcimin e sistemeve të verifikimit të moshës për të parandaluar që fëmijët të kenë akses në përmbajtje të papërshtatshme;
mjete shtesë për prindërit dhe kujdestarët.

Marrëveshja nuk përfshin pranimin e fajësisë nga Meta dhe duhet të miratohet nga gjykata.
Meta deklaroi se garantimi i një përvoje të sigurt dhe produktive për adoleshentët në platformat e saj është një prioritet absolut.

Kompania bëri të ditur gjithashtu se pagesa e marrëveshjes do të shpërndahet çdo vit për 10 vjet, ndërsa do të regjistrojë rreth 10 miliardë dollarë shpenzime ligjore të lidhura me marrëveshjen.

Akuzat ndaj Meta-s

Çështja u drejtua fillimisht nga prokurorët e përgjithshëm të katër shteteve: Kalifornisë, Kolorados, Kentakit dhe Nju Xhersit. Ata pretenduan se Meta i kishte ndërtuar qëllimisht aplikacionet e saj në mënyrë që të krijonin varësi te përdoruesit e rinj.

Një grup tjetër prej 29 shtetesh e akuzoi kompaninë se kishte mbledhur të dhëna për fëmijë nën moshën 13 vjeç, në shkelje të ligjit amerikan për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve në internet.

Çështja po shqyrtohej nga gjyqtarja federale Yvonne Gonzalez Rogers në Oakland. Në proces pritej të dëshmonin disa drejtues të Meta-s, përfshirë themeluesin dhe CEO-n Mark Zuckerberg. Të martën dëshmoi në gjykatë drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri.

Presion në rritje ndaj rrjeteve sociale

Marrëveshja vjen në një kohë kur kompanitë e rrjeteve sociale po përballen me zemërim në rritje nga publiku lidhur me mënyrën se si aplikacionet e tyre mund t’i ekspozojnë të rinjtë ndaj përmbajtjeve për të rritur ose t’i mbajnë ata të lidhur pas telefonave, me pasoja të mundshme për shëndetin mendor.

Australia, vendet evropiane, Britania e Madhe dhe disa shtete amerikane po planifikojnë ose kanë vendosur kufizime të reja të moshës për aksesin në aplikacione si Instagram, Snapchat, YouTube dhe TikTok.

Marrëveshja e së mërkurës vjen pas një humbjeje të Meta-s në një tjetër proces gjyqësor në mars, të ngritur nga një individ, ku Meta dhe Google u shpallën përgjegjëse për projektimin e aplikacioneve në mënyrë që të krijonin varësi te fëmijët.

Meta deklaroi se dëshiron që edhe YouTube, në pronësi të Google, dhe TikTok të zbatojnë të njëjtat standarde.

Sipas kompanisë, të gjitha platformat duhet t’u ofrojnë prindërve më shumë kontroll dhe të mbështesin adoleshentët, pasi kur një adoleshent kufizohet në një aplikacion, ai thjesht mund të kalojë në një tjetër./ /os/

 

The post FOKUS – Meta do të paguajë deri në 16,7 miliardë dollarë për dëmet ndaj fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Reuters: Zuckenberg tentoi të zëvendësonte stafin me IA por nuk ia arriti qëllimit

NJU JORK, 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Kreu i Meta-s Mark Zuckerberg, kishte një plan të guximshëm për të zëvendësuar stafin e Metës me inteligjencë artificiale, por plani dështoi për shkak të protestave të stafit, raporton Reuters në faqen e saj të internetit.

Për ta bërë fuqinë punëtore të saj “të bazuar në inteligjencën artificiale”, Meta thuhet se ka konsideruar zvogëlimin drastik të madhësisë së shumë ekipeve në të gjithë kompaninë, deri në 60% në dy faza, tregojnë dokumentet e brendshme.

Megjithatë, stafi u rebelua dhe vetëm disa orë para një pushimi masiv nga puna në maj, CEO hoqi dorë nga planet për shkurtime të mëtejshme.

Në janar, Zuckerberg dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë u mblodhën për tërheqjen e tyre vjetore të lidershipit në pronën e tij në Hawaii.

Atje, ata hartuan një plan radikal për të riimagjinuar punën brenda gjigantit të mediave sociale në epokën e inteligjencës artificiale. Plani, i koduar Projekti OT (Transformimi i Organizatës), parashikoi një të ardhme “të bazuar në inteligjencën artificiale” për pronarin e Facebook dhe Instagram.

Inteligjenca artificiale do të zëvendësonte pjesën më të madhe të punës së përditshme të bërë nga mijëra punonjës njerëzorë.

Punëtorët virtualë do të mbikëqyreshin brenda Metës nga grupe më të vogla të stafit njerëzor të trajnuar mirë, sipas një dokumenti të planifikimit të brendshëm të parë nga Reuters dhe tre persona të njohur me projektin.

Gjatë skenarëve të simulimit, thanë dy nga personat, drejtuesit morën në konsideratë reduktimin drastik të madhësisë së shumë ekipeve brenda Meta-s, deri në 60%.

Disa punonjësve do t’u ofroheshin role në njësi të reja, ndërsa të tjerë do të pushoheshin nga puna si pjesë e një reduktimi të stafit që, sipas një drejtuesi ekzekutiv të burimeve njerëzore, do të ishte i barabartë ose do të tejkalonte shkurtimet prej 25% që kompania zbatoi tre vjet më parë, sipas një dokumenti tjetër të brendshëm.

Ristrukturimi do të kryhej në dy “faza”, duke filluar me një spastrim fillestar në maj, i ndjekur nga një riorganizim i mëtejshëm në nëntor.

Pushimet nga puna do të shoqëroheshin me mbylljen e pozicioneve të hapura dhe largimin e atyre që Meta i konsideronte me performancë të dobët.

Por natën e 19 majit, vetëm disa orë para valës së parë të pushimeve nga puna, Zuckerberg u dorëzua.

Meta pushoi nga puna 10% të punonjësve të saj të nesërmen, por anuloi shkurtimet e nëntorit, sipas një dokumenti të brendshëm të parë nga Reuters.  /os/

The post FOKUS – Reuters: Zuckenberg tentoi të zëvendësonte stafin me IA por nuk ia arriti qëllimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Wintergerst: Rusia, Kina dhe Irani janë burimet kryesore të sulmeve kibernetike ndaj bizneseve gjermane

BERLIN, 26 gusht /ATSH-AA/ – Kompanitë gjermane u përballën me një rritje të sulmeve kibernetike gjatë vitit të kaluar, ku Rusia, Kina dhe Irani u shfaqën si burimet kryesore, tha të mërkurën shoqata e industrisë digjitale Bitkom.

Raporti vjetor i grupit, bazuar në sondazhet e kompanive, vlerësoi se sulmet kibernetike shkaktuan 211 miliardë euro (246 miliardë dollarë) dëm ekonomik.

Presidenti i Bitkom, Ralf Wintergerst, tha në një konferencë shtypi në Berlin se 52 për qind e firmave gjurmuan sulmet në Kinë dhe 49 për qind në Rusi.

“Ajo që bie në sy është se 9 për qind e kompanive të anketuara tani raportojnë sulme me origjinë nga Irani,” tha Wintergerst duke shtuar se “Kjo është hera e parë që Irani është shfaqur si një aktor kryesor në krimin ekonomik kundër kompanive gjermane”.

Një gjetje kryesore, tha ai, është se një numër në rritje i bizneseve mbetën të pavetëdijshëm se ndodheshin nën sulme. Përpjekjet për spiunazh në veçanti janë bërë më të sofistikuara dhe më të vështira për t’u zbuluar.

Duke folur në të njëjtën ngjarje, Sinan Selen, kreu i agjencisë së brendshme të inteligjencës gjermane, BfV, tha se hetimet treguan se aktorët shtetërorë të huaj ishin përgjegjës për një pjesë në rritje të spiunazhit kibernetik dhe sabotazhit që synonte kompanitë gjermane.

“Gjermania përballet me një nivel të lartë kërcënimi në hapësirën kibernetike. Rritja e aktivitetit nga aktorët shtetërorë është një çështje shqetësuese ekstreme për ne,” tha Selen.

Ai vuri në dukje se 37 për qind e kompanive të prekura nga vjedhja e të dhënave, spiunazhi industrial ose sabotazhi i atribuan të paktën një sulm një shërbimi të huaj inteligjence në 12 muajt e fundit, nga 28 për qind një vit më parë.

“37 për qind. Kjo është një shifër që me të vërtetë duhet të kuptohet mirë” tha ai duke theksuar se “Kalimi nga 28 në 37 përfaqëson një rritje prej afro 10 pikë përqindjeje. Këto nuk janë sulme të izoluara, të njëhershme, por fushata të ndërmarra nga aktorët shtetërorë.”

Selen tha se shërbimet e huaja të inteligjencës kanë shtuar operacionet hibride dhe po përdorin gjithashtu organizata kriminale ose agjentë të nivelit të ulët.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe përdorimi i fshehtë i inteligjencës artificiale nga Moska në sulmet kibernetike paraqesin sfida të veçanta, veçanërisht për industrinë e mbrojtjes së Gjermanisë, paralajmëroi ai.

“Si një agjenci kundërzbulimi, ne fokusohemi në zbulimin, ndërprerjen dhe parandalimin e sulmeve në ekonominë tonë,” tha Selen, duke shtuar se agjencia po zgjeron përpjekjet e ndërgjegjësimit dhe po forcon bashkëpunimin me industrinë për të adresuar dobësitë, për të parandaluar vjedhjen e të dhënave dhe për të luftuar spiunazhin industrial dhe përpjekjet e sabotimit.   /os/

The post FOKUS – Wintergerst: Rusia, Kina dhe Irani janë burimet kryesore të sulmeve kibernetike ndaj bizneseve gjermane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BUDAPEST – Qeveria e re e Hungarisë përcakton Rusinë si një “kërcënim”

BUDAPEST, 26 gusht /ATSH-AA/ – Qeveria e re e Hungarisë, e cila mori detyrën në maj, e ka përcaktuar Rusinë si “kërcënim” në një dokument zyrtar të miratuar së fundmi.

Dokumenti, i publikuar në Fletoren Zyrtare të Hungarisë gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës, u përgatit për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe u nënshkrua nga kryeministri Peter Magyar.

Ai përcakton udhëzimet për delegacionin hungarez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

“Hungaria dënon agresionin ushtarak rus, mbështet pa rezerva sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe njeh të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje”, thuhet në dokument.

“Sjellja e Rusisë përbën kërcënim për Hungarinë, Evropën dhe rendin global, si dhe e vë në rrezik serioz pakicën hungareze që jeton në rajonin e Karpateve”, thuhet më tej.

Në të njëjtën kohë, qeveria e re thekson në dokument se “mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë zhvillimin e negociatave me qëllim arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe garancive afatgjata të sigurisë”.

Dënimi i Rusisë përfaqëson një shkëputje të qartë nga qasja e politikës së jashtme të qeverisë së mëparshme nën Viktor Orban, e cila kishte ndjekur një kurs më miqësor ndaj Moskës.

Në mars, liderët e BE-së kritikuan ashpër kryeministrin e atëhershëm hungarez Viktor Orban për bllokimin e një pakete kredie prej 90 miliardë eurosh të destinuar për Ukrainën.

Ata e akuzuan atë për “minimin e unitetit dhe besueshmërisë së Unionit”.   /os/

The post BUDAPEST – Qeveria e re e Hungarisë përcakton Rusinë si një “kërcënim” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

METEO – Franca vendos 12 departamente në alarm portokalli për stuhi

PARIS, 26 gusht /ATSH -AA/ – Shërbimi kombëtar i motit i Francës vendosi 12 departamente perëndimore dhe qendrore nën një alarm portokalli për stuhi për ditën e sotme.

“Ekziston rreziku i breshrit, shiut të dendur me akumulime deri në 30 milimetra në orë, erërash të rrëmbyeshme prej 80 deri në 100 kilometra në orë dhe aktivitet intensiv të vetëtimave”, paralajmëroi Meteo-France në platformën amerikane të mediave sociale X.

Autoritetet presin “një rrezik të konsiderueshëm të fenomeneve të rënda të motit” gjatë episodit të së mërkurës, sipas transmetuesit BFMTV.

Alarmi erdhi pasi stuhitë e forta përfshinë Francën jugore gjatë natës së hënës në të martën, duke përfshirë një tornado shkatërruese në departamentin Aude të hënën.

Moti i stuhishëm pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Një zonë me stuhi parashikohet të zhvillohet të enjten “nga Masivi Jugor Qendror deri në Lorraine”.

Shiu dhe stuhitë pritet gjithashtu të zhvendosen drejt lindjes në mëngjesin e së premtes, raportoi BFMTV.

​​​​​​​Meteo-France tha se “reshje të shumta” mund të ndodhin në një pjesë të madhe të Francës veriperëndimore. /os/

The post METEO – Franca vendos 12 departamente në alarm portokalli për stuhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – SHBA përgatit stërvitje ushtarake trepalëshe me Korenë e Jugut dhe Japoninë

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH -AA/ SHBA-ja po përgatitet të zhvillojë një stërvitje ushtarake trepalëshe me Korenë e Jugut dhe Japoninë, njoftoi Komanda e SHBA-së për Paqësorin.

Stërvitja mbetet në plan pavarësisht reduktimit të fundit të një stërvitjeje të veçantë të përbashkët mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

“Në koordinim të ngushtë me Forcat Vetëmbrojtëse të Japonisë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Koresë, Komanda e SHBA-së për Paqësorin po përgatitet për edicionin e vitit 2026 të stërvitjes Freedom Edge”, tha zëdhënësja e komandës, nënkomandantja Chloe Morgan, përmes emailit për agjencinë e lajmeve Yonhap.

Morgan tha se stërvitja në shumë fusha do të forcojë ndërveprueshmërinë dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes tre vendeve, por nuk pranoi të bëjë të ditur kohën, fushëveprimin apo përmasat e saj.

Freedom Edge u krijua pas samitit të Camp Davidit në gusht 2023, si pjesë e përpjekjeve për institucionalizimin e bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë. Edicionet e mëparshme u zhvilluan në qershor dhe nëntor 2024, si dhe në shtator 2025.

Pyetjet mbi stërvitjen e këtij viti u ngritën pas udhëzimit të presidentit amerikan Donald Trump për reduktimin e kohëzgjatjes dhe përmasave të stërvitjes dypalëshe Ulchi Freedom Shield me Korenë e Jugut. Trump tha se stërvitjet në shkallë të gjerë mund t’i dërgojnë Koresë së Veriut një mesazh “të papërshtatshëm dhe armiqësor”, ndërsa ai kërkon rifillimin e dialogut me liderin Kim Jong Un.

Pheniani i hedh poshtë pretendimet se stërvitjet janë mbrojtëse, duke i përshkruar ato si prova për një pushtim dhe duke paralajmëruar kundërmasa të intensifikuara.  /os/

The post FOKUS – SHBA përgatit stërvitje ushtarake trepalëshe me Korenë e Jugut dhe Japoninë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

”TTW’:’Shqipëria kthehet në magnet për turistët dhe investitorët e pasurive të paluajtshme

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ – Bumi i turizmit në Shqipëri po përshpejtohet, ndërsa një rritje e fuqishme e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë po nxit kërkesë rekord për banesa dhe prona të destinuara për qira afatshkurtra në të gjithë vendin, shkruan Travel and Tours  Word (TTW).

Rritja e numrit të turistëve, ndryshimi i preferencave të udhëtarëve dhe interesi në rritje për akomodimet private kanë sjellë rritje të rezervimeve, normave të zënies dhe çmimeve të qirave, duke transformuar peizazhin e mikpritjes në Shqipëri.

Të dhënat nga tregu shqiptar i qirave afatshkurtra tregojnë se kërkesa po rritet më shpejt se oferta e disponueshme, duke krijuar mundësi të reja për investitorët në prona dhe duke forcuar pozicionin e Shqipërisë si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Ballkan.

Kërkesa rritet më shpejt se oferta në tregun shqiptar të qirave

Sektori i qirave afatshkurtra në Shqipëri po përjeton një zgjerim të shpejtë, ndërsa udhëtarët ndërkombëtarë po zgjedhin gjithnjë e më shumë apartamente private, shtëpi pushimi dhe forma alternative akomodimi në vend të hoteleve tradicionale.

Gjatë muajit qershor, udhëtarët rezervuan rreth 284 300 net qëndrimi përmes platformave të qirave afatshkurtra, duke shënuar një rritje prej 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, oferta e pronave të disponueshme për qira u rrit vetëm me 9,26%, duke krijuar një hendek gjithnjë e më të madh mes kërkesës së vizitorëve dhe disponueshmërisë së akomodimeve.

Kjo tendencë nënvizon pozicionin në rritje të Shqipërisë si një nga tregjet turistike me zhvillimin më të shpejtë në Ballkan, ndërsa vendi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve në pasuri të paluajtshme dhe të bizneseve të mikpritjes.

Rritja e kërkesës çon tregun shqiptar të qirave në nivele rekord

Rritja e fortë e rezervimeve ka përmirësuar ndjeshëm edhe performancën e zënies së pronave në sektorin shqiptar të qirave afatshkurtra.

Në qershor, norma mesatare e zënies arriti në 60%, krahasuar me 55% në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Kjo rritje tregon se pronat e reja të akomodimit po përthithen shpejt nga tregu, ndërsa udhëtarët vazhdojnë të kërkojnë vende qëndrimi fleksibël dhe me çmime të përballueshme.

Analizat e tregut tregojnë se pronat e reja të futura në treg po tërheqin vizitorë pothuajse menjëherë pasi bëhen të disponueshme. Kjo pasqyron popullaritetin në rritje të Shqipërisë mes udhëtarëve të pavarur, të cilët preferojnë mundësi akomodimi më të personalizuara, jashtë sektorit tradicional hotelier.

Rritja e kufizuar e ofertës në krahasim me kërkesën ka krijuar konkurrencë më të madhe mes udhëtarëve që kërkojnë prona me qira, veçanërisht gjatë sezonit të ngarkuar të verës.
Ndërsa Shqipëria vazhdon të fitojë më shumë vëmendje ndërkombëtare, kërkesa për apartamente, vila dhe shtëpi private pushimi pritet të mbetet e fortë.

Shqipëria bëhet tregu me rritjen më të shpejtë të qirave afatshkurtra në Ballkan

Shqipëria është shfaqur si tregu me zgjerimin më të shpejtë të qirave afatshkurtra në rajonin e Ballkanit.

Gjatë vitit të kaluar, numri i pronave aktive me qira u rrit me 15,34%, duke tejkaluar ritmet e rritjes të regjistruara në disa vende fqinje.

Në Mal të Zi, numri i pronave aktive u rrit me 10,04%, ndërsa Rumania shënoi 10%, Serbia 8,5%, Sllovenia 6,6% dhe Bullgaria 5%.

Rritja më e fortë e Shqipërisë tregon tërheqjen në rritje të vendit si për udhëtarët, ashtu edhe për investitorët.

Edhe pse Shqipëria mbetet më e vogël se disa tregje të tjera të rajonit, ajo ka forcuar me shpejtësi pozicionin e saj si një destinacion i rëndësishëm për qiratë afatshkurtra.

Aktualisht, Shqipëria renditet e dyta në Ballkan për nga madhësia e tregut, pas Rumanisë.
Shqipëria regjistron aktualisht rreth 28.000 prona aktive me qira afatshkurtra çdo muaj, krahasuar me rreth 34.300 prona në Rumani.

Ngushtimi i këtij diferencimi tregon se sa shpejt po zhvillohet sektori shqiptar i akomodimit turistik.

Udhëtarët e pavarur po ndryshojnë peizazhin e akomodimit turistik në Shqipëri
Një arsye kryesore pas zgjerimit të tregut shqiptar të qirave është ndryshimi i sjelljes së vizitorëve ndërkombëtarë.

Gjithnjë e më shumë udhëtarë po largohen nga qëndrimet tradicionale në hotele dhe po zgjedhin akomodime private, të cilat ofrojnë më shumë fleksibilitet, hapësirë dhe mundësi për përvoja lokale.

Apartamentet, shtëpitë e pushimit dhe pronat e menaxhuara privatisht po bëhen gjithnjë e më të njohura mes familjeve, çifteve, nomadëve digjitalë dhe vizitorëve që qëndrojnë për periudha të gjata.

Këto forma akomodimi u mundësojnë udhëtarëve të përjetojnë destinacionet në mënyrë më të pavarur, ndërsa shpesh ofrojnë edhe alternativa më të përballueshme krahasuar me hotelet tradicionale.

Ky ndryshim ka ndihmuar në zgjerimin e aktivitetit turistik përtej muajve tradicionalë të pikut të verës.

Qiratë afatshkurtra po mbështesin kërkesën turistike gjatë gjithë vitit, duke tërhequr vizitorë të interesuar për turizmin kulturor, përvojat në natyrë, udhëtimet e biznesit dhe qëndrimet më të gjata.

Sektori shqiptar i qirave afatshkurtra forcon mundësitë për investime në turizëm

Zgjerimi i vazhdueshëm i tregut shqiptar të qirave po krijon mundësi të reja për investime të lidhura me turizmin.

Gjatë vitit të fundit, numri total i netëve të rezervuara u rrit me 18%, duke arritur në rreth 2,5 milionë net, ndërsa të ardhurat e sektorit u rritën me 20%, duke arritur në rreth 144 milionë euro.

Numri mesatar i pronave aktive arriti në 28.000, duke shënuar një rritje vjetore prej 15,3%.

Në të njëjtën kohë, çmimi mesatar për një natë u rrit në 57,5 euro, ndërsa norma vjetore e zënies arriti në 54,5%.

Këto shifra tregojnë rëndësinë në rritje financiare të qirave afatshkurtra brenda ekonomisë më të gjerë të turizmit në Shqipëri.

Ndërsa ndërgjegjësimi ndërkombëtar për vendin vazhdon të rritet, ofruesit e akomodimit po përshtaten për të përmbushur kërkesën në rritje.

Bumi i turizmit po riformëson tregun shqiptar

Bumi i turizmit në Shqipëri po riformëson peizazhin turistik të vendit, ndërsa rritja e kërkesës ndërkombëtare po çon rezervimet e qirave afatshkurtra, normat e zënies dhe vlerat e pronave në nivele rekord, duke krijuar një treg akomodimi me rritje të shpejtë.

E ardhmja e turizmit shqiptar varet nga balancimi i rritjes me ofertën

Bumi i qirave afatshkurtra në Shqipëri pasqyron një transformim më të gjerë të industrisë së turizmit në vend.

Kërkesa e fortë nga vizitorët, rritja e normave të zënies dhe interesi në rritje për investime po nxisin zhvillimin e shpejtë të tregut.

Megjithatë, rritja më e shpejtë e kërkesës në krahasim me ofertën përbën një sfidë për të ardhmen.

Zgjerimi i mundësive për akomodime cilësore do të jetë thelbësor për ruajtjen e ritmit të turizmit, duke garantuar njëkohësisht që vizitorët të vazhdojnë të gjejnë vende të përshtatshme për të qëndruar.

Me reputacionin e saj në rritje si një pikë e nxehtë turistike në Ballkan, Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit të sektorit të mikpritjes.

Sektori i qirave afatshkurtra po bëhet një nga shtyllat kryesore të rritjes së turizmit, duke krijuar mundësi ekonomike dhe njëkohësisht duke ndryshuar mënyrën se si udhëtarët e përjetojnë Shqipërinë.   /os/

The post ”TTW’:’Shqipëria kthehet në magnet për turistët dhe investitorët e pasurive të paluajtshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BERLIN – Merz: Ata që qëndrojnë pas sulmeve hibride ndaj Gjermanisë do të paguajnë një çmim të madh

BERLIN, 25 gusht /ATSH-AA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u zotua të martën se Gjermania do t‘i bëjë përgjegjësit e sulmeve hibride ndaj vendit “të paguajnë një çmim”.

Duke folur me gazetarët përpara takimit dyditor të qeverisë pranë Berlinit, Merz tha se sulmi i fundit me dron në aeroportin Leipzig nënvizoi seriozitetin e kërcënimeve me të cilat përballet Gjermania.

“Sulmuesit po bëhen gjithnjë e më të paskrupullt, të gatshëm të pranojnë edhe dëmtime të rënda të pronës, lëndime dhe vdekje”, tha Merz duke vënë në dukje se hetimi mbetet në vazhdim dhe se qeveria do të paraqesë së shpejti gjetjet e saj.

“Qeveria gjermane do të bëjë që autorët e sulmeve hibride të paguajnë një çmim. Ata do të mbahen përgjegjës,” tha ai, duke shtuar se një paketë e fundit legjislative që synon forcimin e shërbimeve të inteligjencës së vendit do të forcojë më tej sigurinë.

Merz theksoi se sulme të tilla nuk do ta pengojnë Gjermaninë të mbështesë fuqishëm Ukrainën në luftën Rusi-Ukrainë.

“Ne jemi duke qëndruar në kurs,” tha ai duke shtuar se “Gjermania do të mbajë mbështetjen e saj për Ukrainën për një kohë të gjatë. Ne jemi aktualisht mbështetësi më i fortë i Ukrainës – jo për të zgjatur luftën, por për të detyruar bisedimet e paqes”.

Raportet e mediave të martën treguan se përpjekja për sulm me dron ndaj një aeroplani ukrainas të ngarkesave Antonov në Aeroportin Leipzig në fillim të këtij muaji ishte më serioz se sa ishte raportuar më parë dhe se autorët mund të kishin planifikuar një operacion më të madh.

Sipas transmetuesve publikë NDR dhe WDR dhe të përditshmen Suddeutsche Zeitung, hetuesit tani besojnë se janë përdorur disa dronë dhe jo vetëm një. I pari u gjet në aeroport, ndërsa i dyti mund të jetë përplasur me një avion mallrash DHL.

Një dron i tretë, i paraportuar më parë, u zbulua në mbrëmjen e hershme të 14 gushtit në një fushë pranë skajit perëndimor të aeroportit Leipzig, thanë burimet e sigurisë. Teknikët e mjekësisë ligjore nga Zyra Federale e Policisë Kriminale dhe forca të tjera policore mbërritën në vend atë ditë.

Të nesërmen, hetuesit thuhet se gjetën një substancë që vlerësimet fillestare sugjeruan se ishte rreth 50 gram të përbërjes ushtarake shumë shpërthyese hexogen.   /os/

The post BERLIN – Merz: Ata që qëndrojnë pas sulmeve hibride ndaj Gjermanisë do të paguajnë një çmim të madh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – I nxehti dhe thatësira vënë nën presion kulturat bujqësore dhe furnizimet me ushqim për kafshët në Evropë

Vala e zgjatur e të nxehtit dhe mungesa e reshjeve gjatë dy muajve të fundit kanë vënë nën presion kulturat verore dhe furnizimet me ushqim për kafshët në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, njoftoi të martën Komisioni Evropian/

Ndikimet më të mëdha janë raportuar në Francë, Gjermaninë jugore, Italinë veriore dhe qendrore, Austri, Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Rumaninë perëndimore, sipas buletinit të fundit MARS (Monitorimi i Burimeve Bujqësore) të Qendrës së Përbashkët Kërkimore (JRC) të Komisionit.

Temperaturat e larta dhe reshjet e pamjaftueshme kanë ndikuar në kulturat bujqësore dhe furnizimet me ushqim për kafshët, ndërsa uji i kufizuar për ujitje ka rritur më tej stresin në disa rajone, tha Komisioni.

Në Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Slloveni dhe Kroaci, kushtet e nxehta dhe të thata kanë ulur pritshmëritë për rendimentet e kulturave verore, veçanërisht të misrit.

Vapa dhe thatësira e vazhdueshme kanë ulur gjithashtu disponueshmërinë e kullotave dhe akumulimin e biomasës, duke ngritur shqetësime për furnizimet me ushqim për kafshët në pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore dhe Qendrore.

Buletini MARS i JRC-së, i publikuar çdo muaj, monitoron kushtet bujqësore dhe ndihmon Komisionin të vlerësojë vështirësitë me të cilat përballen fermerët.

Komisioni tha se Politika e Përbashkët Bujqësore luan një rol kyç në rritjen e qëndrueshmërisë së bujqësisë dhe përshtatjen e saj më të mirë ndaj ndryshimeve klimatike.

Masat e mbështetura në kuadër të kësaj politike përfshijnë investimet në sisteme efikase ujitjeje, infrastrukturë rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, teknologji për kursimin e ujit dhe menaxhim më të mirë të ujërave, si dhe kalimin drejt kulturave më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

Komisioni tha se mbetet i përkushtuar për mbështetjen e fermerëve, në mënyrë që ata të vazhdojnë të sigurojnë ushqime të përballueshme dhe me cilësi të lartë.  /os/

The post FOKUS – I nxehti dhe thatësira vënë nën presion kulturat bujqësore dhe furnizimet me ushqim për kafshët në Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

”The Guardian”: Të paktën 35 000 vdekje në Evropë nga valët e të nxehtit këtë verë

LONDËR, 24 gusht /ATSH-AA/ – Sipas të dhënave në më pak se gjysmën e kontinentit evropian, këtë verë, gjatë katër valëve rekord të të nxehtit në Evropë, “të paktën 35,000 njerëz më shumë vdiqën nga sa pritej normalisht, shkruan gazeta The Guardian e cila analizoi të dhënat e disponueshme.

“Vdekshmëria e tepërt në tre nga vendet më të mëdha të BE-së – Gjermania, Franca dhe Spanja – ka tejkaluar tashmë 25 000 raste, sipas të dhënave të përkohshme kombëtare.

Ekspertët theksojnë se numri i të vdekurve do të rritet ndjeshëm sapo të konsolidohen të dhënat e gushtit. /os/

The post ”The Guardian”: Të paktën 35 000 vdekje në Evropë nga valët e të nxehtit këtë verë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BRUKSEL – BE paralajmëron se inteligjenca artificiale po humbet kontrollin njerëzor

BRUKSEL, 25 gusht /ATSH-AA/ – Henna Virkkunen, nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitetin e teknologjisë, sigurinë dhe demokracinë, paralajmëroi për rreziqet e Inteligjencës Artificiale (IA) që do të rrëshqasë përtej kontrollit njerëzor.

Virkkunen tha për transmetuesin finlandez Yle se BE-ja e konsideron mundësinë që njerëzit të humbasin kontrollin e AI si një nga rreziqet më serioze të sigurisë.

“Këto teknologji po përparojnë aq shpejt sa masat mbrojtëse janë të domosdoshme,” tha ajo.

Virkkunen theksoi nevojën për të siguruar që teknologji të tilla të funksionojnë brenda disa kufizimeve të sigurisë, me njerëzit që mbajnë kontrollin përfundimtar.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e adresimit të rreziqeve të mundshme nga BE përmes rregullimit, duke vënë në dukje Aktin e IA të bllokut, i cili kërkon që ofruesit të vlerësojnë vazhdimisht rreziqet dhe të ruajnë mekanizmat e specifikuar të sigurisë.

“Unë nuk do të thosha se kam frikë prej tij, por sigurisht që është një rrezik që është marrë parasysh – dhe duhet të vazhdojë të merret parasysh. Ne duhet të sigurojmë që modelet e IA janë të sigurta dhe se ato vlerësohen dhe monitorohen vazhdimisht, përfshirë pasi të hyjnë në treg,” tha Virkkunen.

Ajo përsëriti nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar, duke vënë në dukje se aktorët ndërkombëtarë marrin parasysh rregulloret e BE-së.

“Në këtë mënyrë, Evropa po ndihmon gjithashtu në vendosjen e standardeve për IA”, tha ajo.  /os/

The post BRUKSEL – BE paralajmëron se inteligjenca artificiale po humbet kontrollin njerëzor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – SHBA ofron një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për krerët ushtarakë të regjimit iraninan

UASHINGTON, 25 gusht /ATSH-ANSA/ – Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për udhëheqësit ushtarakë të Pasdaran.

“Këta individë udhëheqin njësi që kanë synuar personelin amerikan me sulme dhe infrastrukturën kritike të SHBA-së me operacione kibernetike. Na ndihmoni të përballemi me këto kërcënime”, thuhet në njoftimin X të Departamentit të Shtetit.

”Kushdo që ka informacion të na ndihmojë”, thuhet në deklaratën e DASH e shoqëruar me foto të shefit të Pasdaran Ahmed Vahidi, komandantit Ali Abdollahi, shefit të hapësirës ajrore dhe dronëve Said Aghajani, shefit të luftës kibernetike Hamidreza Lashgarian dhe shefit të inteligjencës Majid Khademi.  /os/

The post FOKUS – SHBA ofron një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për krerët ushtarakë të regjimit iraninan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

BM – Burnham planifikon një udhëtim në SHBA për të nxitur Trumpin të mbështesë Ukrainën

LONDËR, 25 gusht /. ATSH -AA/ – Kryeministri i Britanisë, Andy Burnham, tha të hënën se ai dhe liderë të tjerë evropianë po konsiderojnë të udhëtojnë në SHBA muajin e ardhshëm për të bërë presion ndaj Presidentit Donald Trump për të ndihmuar Ukrainën të sigurojë interceptues shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot përpara dimrit.

Duke folur për Bloomberg në Kiev të hënën vonë, Burnham tha se pret të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York në shtator, e cila do të shënojë vizitën e tij të parë në SHBA që kur u bë kryeministër.

“Mezi pres të shkoj në New York në shtator”, tha ai.

“Nuk i kam konfirmuar plotësisht detajet ende, por ka të ngjarë të shkoj, veçanërisht pas diskutimit të sotëm,” deklaroi Burnham i cili tha se “Duke u larguar sot, e kam mjaft të qartë se çfarë duhet të bëj në javët e ardhshme”.

Burnham i bëri komentet gjatë udhëtimit të tij të parë ndërkombëtar si kryeministër. Ai kryesoi një takim të aleatëve të Ukrainës për herë të parë dhe zhvilloi bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Zelenskyy u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur vendeve evropiane dhe SHBA-së për interceptorët e raketave Patriot, duke paralajmëruar se Ukraina duhet të plotësojë rezervat e saj përpara dimrit, kur Rusia pritet të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.

Sipas Bloomberg, Burnham tha se u largua nga Kievi “me të vërtetë optimist” se mungesat aktuale të mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë “të rregullueshme”.

Ai tha se liderët evropianë po konsiderojnë mbajtjen e një takimi tjetër të “Koalicionit të Vullnetshmëve” rreth takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me synimin për të siguruar interceptuesit dhe stoqet amerikane nga vendet e tjera, thuhet në raport.

“Ky do të duket të jetë ritmi më i mundshëm i drejtimit,” tha Burnham duke shtuar se “Nuk është konfirmuar ende, por duket se ku po shkon mendja e shumicës së njerëzve”. /Is/

The post BM – Burnham planifikon një udhëtim në SHBA për të nxitur Trumpin të mbështesë Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Mosmarrja e rregullt e ilaçeve për diabetin 2 rrit rrezikun për infarkt dhe goditje në tru

KOPENHAGË, 25 gusht /ATSH/ – Ata që ndjekin rregullisht trajtimin për diabetin e tipit 2 kanë më pak rrezik për infarkt dhe goditje në tru, sipas një studimi të Universitetit të Kopenhagës, i udhëhequr nga Jordi Merino, nga Novo Nordisk Foundation Center for Basic Metabolic Research, shkruan salute.eu.

“Ilaçet nuk funksionojnë te ata që nuk i marrin”. Kjo shprehje e famshme e admiralit amerikan Everett Koop shërben edhe një herë si një paralajmërim që nuk duhet nënvlerësuar, veçanërisht për personat që trajtohen për diabetin e tipit 2.

Personat që nuk i marrin rregullisht ilaçet e përshkruara rrisin rrezikun për zemrën dhe trurin, duke pasur më shumë gjasa të pësojnë infarkt ose goditje në tru, krahasuar me ata që ndjekin me kujdes trajtimin e rekomanduar nga mjeku.

Në këtë përfundim ka arritur një studim i ekspertëve të Universitetit të Kopenhagës, i udhëhequr nga Jordi Merino, nga Novo Nordisk Foundation Center for Basic Metabolic Research. Studimi është publikuar në revistën shkencore The Lancet Regional Health – Europe.

Ata që ndjekin trajtimin kanë më pak rrezik

Studiuesit analizuan të dhënat e 79.510 të rriturve të diagnostikuar së fundmi me diabet të tipit 2, të cilët kishin nisur të merrnin ilaçe jo-insulinike gjatë viteve 2005–2012.

Të dhënat e farmacive u ndoqën për 10 vjet, duke identifikuar tre grupe: 41% e pacientëve e ndoqën rregullisht trajtimin; rreth 33% kishin një nivel mesatar të respektimit të terapisë; 26% e ndërprenë trajtimin herët dhe kishin një nivel të ulët të vazhdueshëm të aderimit.

Rezultatet treguan se personat që nuk i merrnin rregullisht ilaçet për diabetin kishin një 27% më shumë rrezik për ngjarje të rënda kardiovaskulare, si infarkti ose goditja në tru, krahasuar me ata që i merrnin rregullisht.

Edhe personat me respektim të pjesshëm të trajtimit kishin një 7% më shumë rrezik.
Rreziku ishte veçanërisht i lartë për sëmundjet ishemike të zemrës, ku aderimi i ulët ndaj trajtimit lidhej me një rritje prej 45% të rrezikut.

Ndërsa për goditjen në tru, tek personat që nuk ndiqnin rregullisht trajtimin rreziku ishte 24% më i lartë.

Marrja e rregullt e ilaçeve të përshkruara për diabetin e tipit 2 është një faktor i rëndësishëm për kontrollin e sëmundjes dhe për uljen e rrezikut të komplikacioneve të zemrës dhe trurit./  /os/

The post FOKUS – Mosmarrja e rregullt e ilaçeve për diabetin 2 rrit rrezikun për infarkt dhe goditje në tru appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌