Reading view

MEPJ dhe universitetet, në dialog për lehtësimin e procedurave të vizave për studentët e huaj

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot Ditën e Hapur për aplikimet për vizë të studentëve të huaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit.

Në takim morën pjesë mbi 30 përfaqësues nga rreth 15 universitete publike dhe private. Diskutimet krijuan një hapësirë të drejtpërdrejtë komunikimi për problematikat që lidhen me vizat dhe lejet e qëndrimit të studentëve ndërkombëtarë, si dhe për përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe universiteteve.

Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ-së, Armand Skapi, theksoi se synimi është që Shqipëria të bëhet më tërheqëse për studentët ndërkombëtarë, jo përmes uljes së standardeve, por duke shmangur pengesat e panevojshme administrative, duke qartësuar procedurat dhe duke përcaktuar përgjegjësitë e secilit institucion të përfshirë.

Trajtimi i aplikimeve të studentëve të huaj kërkon një qasje që ndërthur mikpritjen dhe respektimin e të drejtave të tyre me kërkesat e sigurisë dhe përgjegjshmërisë institucionale. Në këtë drejtim, universitetet luajnë një rol të rëndësishëm në përcjelljen e informacionit të saktë, komunikimin me studentët dhe ndjekjen korrekte të procedurave.

Gjatë diskutimeve u vlerësuan përpjekjet e universiteteve për ndërkombëtarizimin dhe diversifikimin e ofertës akademike. Vetëm gjatë vitit 2026, rreth 800 studentë të huaj janë pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri. Kjo shifër dëshmon interesin në rritje për institucionet shqiptare të arsimit të lartë, por edhe nevojën për procedura më të koordinuara, të sigurta dhe të parashikueshme.

Takimi rikonfirmoi mbështetjen e institucioneve shtetërore për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe për krijimin e një mjedisi më mikpritës për studentët e huaj, në përputhje me standardet që Shqipëria synon të përmbushë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

MEPJ do ta vijojë dialogun me universitetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që studentët ndërkombëtarë që zgjedhin Shqipërinë të gjejnë procedura të qarta dhe të drejta, një administratë më bashkëpunuese dhe një sistem të besueshëm e të përgjegjshëm.

/m.m/a.f/

The post MEPJ dhe universitetet, në dialog për lehtësimin e procedurave të vizave për studentët e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Trefishohen hapësirat në shkollën “Ibrahim Hima” në Prush, kushte bashkëkohore për 180 nxënës

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Shkolla e re “Ibrahim Hima” në fshatin Prush të Tiranës ofron tashmë kushte dinjitoze për nxënësit dhe stafin mësimor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shkolla e re, e cila është e pajisur me laboratorë dhe palestër sipas standardeve më të mira.

Rama bëri të ditur se shkolla “Ibrahim Hima” është rindërtuar nga e para, me hapësira të trefishuara dhe ambiente të reja për nxënësit dhe stafin mësimor, duke sjellë një tjetër standard për jetën e shkollës.

“Nga ky shtator, 180 nxënës dhe mësuesit e tyre do të kenë në dispozicion një shkollë më të madhe, më funksionale dhe me kushte bashkëkohore për mësim dhe aktivitete sportive”, u shpreh kryeministri Rama.

E rilindur me hapësira të reja arsimore, klasa moderne, ambiente të ngrohta, ky investim iu siguron nxënësve të mësojnë në një mjedis dinjitoz.

Në Tiranë janë ndërtuar dhe vënë në funksionim 45 shkolla të reja, ndërsa 10 të tjera janë në proces.

Këto investime janë pjesë e një plani afatgjatë për plotësimin e insfrastrukturës arsimore sipas standardeve bashkëkohore në të gjithë kryeqytetin.

/m.m/a.f/

The post Rama: Trefishohen hapësirat në shkollën “Ibrahim Hima” në Prush, kushte bashkëkohore për 180 nxënës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Begaj pret ambasadoren Walt: Mirëpresim rritjen e investimeve zvicerane në Shqipëri

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim ambasadoren e re të Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Siri Walt, me rastin e prezantimit të Letrave Kredenciale.

Në fillim të takimit, Begaj shprehu besimin se mandati i saj do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore Shqipëri – Zvicër, të mbështetura në vlera të përbashkëta evropiane, dialogun e rregullt politik dhe një bashkëpunim të gjerë në fusha me rëndësi të veçantë, përfshirë qeverisjen, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe formimin profesional, shëndetësinë, qeverisjen vendore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për kontributin e saj në forcimin e institucioneve dhe qeverisjes vendore përmes programeve të bashkëpunimit për zhvillim dhe asistencës teknike.

Kreu i Shtetit çmoi në mënyrë të veçantë investimet e qeverisë zvicerane në zonat rurale.

“Ne kemi njerëz dhe një natyre të mrekullueshme. Investimet në këto zona në rritjen e cilësisë së jetesës janë një investim që bëjmë për brezat e rinj. Gjithashtu, ruajta e trendit pozitiv që Shqipëria ka në turizëm ndihmohet shumë nga këto investime”, u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe mirëpriti rritjen e investimeve dhe praninë e shtuar të bizneseve zvicerane në Shqipëri.

Në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Zvicër, si një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve dhe popujve.

1 nga 3

/m.m/a.f/

The post Begaj pret ambasadoren Walt: Mirëpresim rritjen e investimeve zvicerane në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Masim performancën e çdo deputeti në territor, fatale humbja e kontaktit me njerëzit

TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, kërkoi sot që të ndryshojë roli i deputetit në territor, ndërsa u shpreh se do të matet edhe performanca e çdo deputeti në raport me qytetarët.

Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama u shpreh se “deputeti duhet të sjellë dhe të përcjellë çdo sinjal real të territorit tek institucioni që duhet të përgjigjet, jo në Instagram”.

Po ashtu Rama, theksoi se deputeti është njeriu i duhur me ligj për të përcjellë vendimin e shumicës në territor me fakte dhe me garancitë përkatëse.

“Deputetët nuk duhet të improvizojnë faktet teknike, por duhet t’i hapi rrugë institucionit të ngarkuar për të thënë atë që di. Përfaqësimi nuk është një skenë. Nëse Partia Socialiste në hartën fizike të Shqipërisë ka 5500 organizata, sepse 5500 janë qendrat e votimit dhe ka një makinë elektorale të aftë që ta pikturojë të gjithë hartën me ngjyrën e vetë. Në hartën e ‘botës së pasqyrave’, Partia Socialiste është si Finiqi ose si Konispoli, një pikë e vogël në hartën e madhe”, shtoi Rama.

Sipas tij, sot gjithmonë e më shumë realiteti perceptohet përmes konteksteve që krijojnë pasqyrat.

Ndaj Rama tha se edhe “Prania besnike” nuk jep premtime dhe nuk jep numrin e telefonit, por është kompjuter që mban shënim nga ata që ne vetëm i dëgjojmë.

Po ashtu, Kryeministri paralajmëroi se do të miratohet një modul matjeje i performancës së deputetit, në kushtet e kësaj bote të re.

“Në këtë botë pasqyrash, humbja e kontaktit njerëzor është një problem global, por humbja e kontaktit me njerëzit e një shumicës qeverisëse është një problem fatal. Kështu që moduli i matjes së performancës së deputetit me 100 pikë të ndara sipas këtyre dy botëve, jo si ritual ndëshkimi apo marrje masash, është disiplinë e këtij mandati të katërt dhe është disiplinë e domosdoshme për mos dalë me shqelma jo nga qeveria, por nga historia në fund të këtij mandati”, shtoi Rama.

Performanca e deputetit, sipas tij, do të lidhë punën parlamentare me praninë në territor dhe cilësinë e dëgjimit të qytetarëve.

/a.f/r.e/

The post Rama: Masim performancën e çdo deputeti në territor, fatale humbja e kontaktit me njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Duhet të ndeshemi me tri plagë të shtetit, “Pasqyrë Albania” pjesë e përpjekjes për t’i kuruar

TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste theksoi sot rëndësinë e reformës së domosdoshme në marrëdhëniet qytetar-shtet, duke u ndalur te platforma BESA, “Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike” dhe “Shkalla e Meritës”.

Në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se i tërë ekosistemi i ri i komunikimit të shtetit dhe të Partisë Socialiste me qytetarin nuk janë portale, as slogane, por janë komponentë të një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet.

“Më vjen mirë se çfarë kemi bërë me në këtë fazë përgatitore të sezonit të ri politik ka ngjallur interes dhe kundërshti. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një aplikacion tjetër që t’i shtohet xhunglës digjitale. PS-së nuk i duhet një kalendar tjetër që prodhon takime me vetveten dhe material propagandistik”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “hendeku i hapur mes nesh dhe njerëzve të Shqipërisë së rilindur nuk mbushet me një fjalë sado të madhe si BESA”.

“Dhe mbi të gjitha hendeku real për të cilin kemi folur mjaftueshëm dhe për të cilin tani është koha të fillojmë të punojmë të gjithë së bashku që ta mbushim mes nesh dhe njerëzve nuk mbushet me thjesht dhe vetëm një fushatë komunikimi”, tha më tej Rama.

“BESA, Prania Bsnike, Pasqyrë Albania dhe Shkallë e Meritës si dhe i tërë ekosistemi i ri i komunikimit të shtetit me qytetarin, nuk janë portale, por komponentë të një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet. Një reformë që rikoncepton 4 pika kyçe: si e sheh shteti problemin, si e dëgjon shumica qeverisëse njeriun, si mbahet fjala e dhënë me ligj dhe me zakon pastaj dhe si hapet dera e shërbimit publik për meritën”, theksoi Rama.

Ai shtoi se “ne në një dekadë kemi kryer një operacion të gjerë, jo uniformë në të gjithë komponentët e vet, diku më gjerë e diku më cekët të organizimit shtetëror”.

“Sot duhet të ndeshemi me tri plagë. Njëra është plaga e shtetit labirint, ku qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet. Plaga e dytë është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet, vendoset, por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, që nuk u bë, që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Nuk është protokoll institucioni, dhe mungesa e memories i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër sesa imagjinohet”, nënvizoi kreu i ekzekutivit.

Rama shtoi se “është plaga e derës që nuk duket, që e sheh dhe mund ta prekësh: të ndjerit e drejtë e çdo njeriu që për një shërbim, për një vend pune apo mundësi, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. Pasqyrë Albania dhe Shkalla e Meritës janë pjesë të pandashme e përpjekjes për t’i dhënë përgjigje pyetjeve dhe për të kuruar këto plagë”.

Kryeministri nënvizoi se “Pasqyrë Albania është një hapësirë e re ku flasin teknologjia dhe mundësia që na jep në këtë fazë të zhvillimit IA. Mund të bashkëjetojnë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin e vet, për ta pyetur dhe për të kërkuar mbështetje”.

Rama theksoi se qytetari nuk mund të fajësohet pse bie pre e dezinformimit lidhur me punët publike, sepse nuk e ka mundësinë që t’i referohet drejtpërdrejt vetë kantierit apo shërbimit përkatës.

Në këtë drejtim, Rama theksoi se “Pasqyrë Albania” duhet të jetë vendi që qytetari mund t’i referohet vetë çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij.

“Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, me procesverbale se çfarë ndodh realisht. Kjo e ndryshon tërësisht pozitën e qytetarit dhe kjo i jep qytetarit një nga gjërat të cilat atij sot i mungojnë shumë. Qytetari kalon nga një viktimë potenciale e dezinformimit në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi”, tha Rama.

/a.f/r.e/

The post Rama: Duhet të ndeshemi me tri plagë të shtetit, “Pasqyrë Albania” pjesë e përpjekjes për t’i kuruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Qeveria do të jetë tërësisht te “Pasqyrë Albania”, legjislativi dhe gjyqësori t’i bashkohen

TIRANË, 3 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, sqaroi sot funksionin e platformës “Pasqyrë Albania” në shërbim të transparencës me qytetarin.

Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama theksoi se “Pasqyrë Albania” nuk është një superportal, por është një hapësirë e re ku falë teknologjisë dhe mundësisë të jashtëzakonshme që jep inteligjenca artificiale mund të bashkëjetojë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e plotë e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin.

Rama theksoi se për momentin “Pasqyrë Albania” do të jetë një hapësirë ku qeveria dhe  pushteti ekzekutiv do të jetë tërësisht aty.

Por, sipas tij, më e mira do të ishte që tek “Pasqyrë Albania” të jenë edhe dy pushtetet e tjera, pushteti legjislativ dhe pushteti gjyqësor, por kjo, sipas tij, “është një vendimmarrje e tyre”.

“‘Pasqyrë Albania’ është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku qytetari nuk gjen çfarë tha qeveria sot, por gjen çfarë po bën qeveria në emrin e tij, gjen pse qeveria po merr një vendim, gjen kush e ka në dorë një çështje që mund t’i interesojë; gjen mbi cilin ligj dhe mbi cilin dokument mund të provojë apo të konsultojë atë që i duhet”, shtoi Rama.

/a.f/r.e/

The post Rama: Qeveria do të jetë tërësisht te “Pasqyrë Albania”, legjislativi dhe gjyqësori t’i bashkohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Begaj pret ambasadoren de Sousa: Anëtarësimi i plotë në BE në 2030-ën, objektiv strategjik

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti sot ambasadoren e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.

Presidenti Begaj i uroi Ambasadores suksese në detyrën e saj në krye të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke vlerësuar rolin kyç të këtij institucioni në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit dhe në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë do të vijojë të thellohet, me synim arritjen e objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në vitin 2030.

Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen politike, financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian për reformat transformuese në Shqipëri, duke theksuar se Delegacioni i BE-së në Tiranë është një partner i besuar dhe një bashkëpunëtor i rëndësishëm në këtë proces.

Gjatë takimit u diskutua ecuria e negociatave të anëtarësimit dhe angazhimi i Shqipërisë për përmbushjen e reformave dhe standardeve evropiane.

Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar dhe dinamike të procesit të integrimit, duke dëshmuar vullnet të palëkundur politik dhe mbarëshoqëror, si dhe gatishmëri institucionale për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit.

Kreu i Shtetit vlerësoi reformën në drejtësi si një nga dëshmitë më të rëndësishme të vendosmërisë së Shqipërisë për të përmbushur standardet evropiane, pavarësisht sfidave të procesit.

Ai rikonfirmoi angazhimin për forcimin e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë, si dhe për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit përmes funksionimit të pavarur dhe të pandikuar politikisht të strukturave të tjera të drejtësisë.

Presidenti i Republikës rikonfirmoi, gjithashtu, se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv kombëtar, i mbështetur gjerësisht nga shoqëria shqiptare, duke nënvizuar se përfshirja e të gjithë shoqërisë në këtë proces është një nga faktorët që e shtyn Shqipërinë të ecë më shpejt drejt finalizimit të procesit të anëtarësimit.

“Shqipëria është e angazhuar për përmbushjen e objektivit të saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Përfshirja e të gjithë shoqërisë shqiptare në realizimin e kësaj ambicieje dhe entuziazmi i saj për këtë proces janë një tipar që na diferencon dhe na nxit të punojmë edhe më fort për ta arritur këtë objektiv”, u shpreh Presidenti Begaj.

Gjatë takimit u evidentua, gjithashtu, harmonizimi i plotë i Shqipërisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si një dëshmi e qartë e orientimit strategjik të vendit dhe e përkushtimit të tij ndaj vlerave dhe politikave të përbashkëta evropiane.

Në përfundim, Presidenti Begaj shprehu besimin se ambasadorja Sofia Moreira de Sousa do të japë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve Shqipëri–BE dhe në rrugëtimin evropian të vendit.

Duke iu referuar Ambasadores, Presidenti u shpreh se beson se, deri në përfundim të mandatit të saj, Shqipëria do të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

1 nga 4

/m.m/a.f/

The post Begaj pret ambasadoren de Sousa: Anëtarësimi i plotë në BE në 2030-ën, objektiv strategjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Inspektimet me kamera trupi dhe me paralajmërim, gjoba është arma e fundit

TIRANË, 2 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e “Besës” dhe nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me inspektorë, ku merrte pjesë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula.

Në takim, kryeministri theksoi nevojën për një qasje të re në procesin e inspektimit, të bazuar tek transparenca, korrektësia dhe mbështetja ndaj sipërmarrjes.

Ndërkohë përmes një videomesazhi, Rama theksoi se “qëllimi ynë nuk është t’i kapim subjektet në gabim por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe në përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët”.

“Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh”, shtoi ai.

Po ashtu, kreu i qeverisë theksoi se “gjoba mbi një biznes është arma e fundit jo e para.

“Dhe kurrë një ‘shpatë’ shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit për të gjetur një mënyrë tjetër pastaj për ta shmangur gjobën. Dhe kush nxjerr gjobën përpara fjalës së mirë nuk po e mbron shtetin, pot po e turpëron atë”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se kujt i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektorat duhet ta denoncojë menjëherë te Inspektori i Përgjithshëm.

“Kjo nuk është ankesë, kjo është e drejtë dhe këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku qeveria dhe sipërmarrja”, shtoi Rama.

Kryeministri informoi se së shpejti çdo inspektor që troket në emër të shtetit tek dera e një tatimpaguesi të kësaj Republike do të jetë i pajisur me kamerën inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë.

“Biznesi duhet ta dijë kush është, kë përfaqëson dhe që ai vetë ta dijë se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur nga Inspektorati i Përgjithshëm. Shteti që hyn në derën e njerëzve, duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti”, tha Kryeministri Rama.

/a.f/

The post Rama: Inspektimet me kamera trupi dhe me paralajmërim, gjoba është arma e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kos: BE mund të zgjerohet gjatë mandatit të Komisionit aktual


TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi sot se Bashkimi Europian mund të zgjerohet gjatë mandatit të Komisionit aktual.

Në një deklaratë nga takimi joformal i Ministrave të Punëve të Jashtme (Gymnich), që po zhvillohet në Wicklow, Irlandë, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, thekson se sfida për Evropën është të jetë e aftë të funksionojë dhe të marrë vendime edhe me 28, 29 apo 30 shtete anëtare.

Në deklaratën e saj, komisionerja Kos u shpreh ndër të tjera se “mund të ndodh që Bashkimi Europian të zgjerohet gjatë mandatit të Komisionit aktual”.

“Si mund t’i përdorim ne në Europë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të qenë më efektivë dhe që zëri ynë të dëgjohet më shumë në botë? Dhe si mund të organizohemi në mënyrë që procesi ynë i vendimmarrjes të jetë më i mirë? Për mua si Komisionere për Zgjerimin, kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi mund të ndodh që Bashkimi Europian të zgjerohet gjatë mandatit të Komisionit aktual”, u shpreh Kos.

Sipas Komisioneres për Zgjerimin, Mali i Zi po përparon, Shqipëria gjithashtu, si edhe disa vende të tjera.

“Prandaj për mua pyetja kryesore është si mund ta përgatisim BE-në që të jetë i fortë dhe vendimtar edhe kur të kemi 28, 29 apo 30 shtet anëtare. Dhe e pres me shumë inetes këtë debat”, u shpreh ajo.

/m.m/a.f/

The post Kos: BE mund të zgjerohet gjatë mandatit të Komisionit aktual appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Balla në Paskuqan, nis zbatimi i “Rilindjes 2.0” në terren

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, kanë zhvilluar një inspektim për të parë nga afër punën që po kryhet për asfaltimin e disa rrugëve në Paskuqan.

Gjatë vizitës, Balla ka ndjekur nga afër situatën në terren dhe zhvillimet në zonë, ndërsa është ndalur edhe pranë banorëve për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Vizita në Paskuqan është zhvilluar në kuadër të ciklit të ri të zhvillimit të prezantuar nga Partia Socialiste si “Rilindja 2.0”, me fokus te prania në terren dhe ndjekja e problematikave të komunitetit.

“Rilindja 2.0 është emri i ciklit të ri të zhvillimit që po nisim. BESA është dokumenti strategjik dhe metoda e tij e qeverisjes. Destinacioni është Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Balla.

/m.m/a.f/

The post Balla në Paskuqan, nis zbatimi i “Rilindjes 2.0” në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ikën Gonzato, merr zyrtarisht detyrën ambasadorja e re e BE-së, Sofia Moreira de Sousa

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa pritet të marrë detyrën, pas përfundimit të mandatit të diplomatit italian, Silvio Gonzato.

Fillimisht ambasadorja De Sousa do t’i dorëzojë Letrat Kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ceremonia do të formalizojë edhe nisjen e mandatit të saj në Shqipëri.

Moreira de Sousa vjen në këtë post me një karrierë të konsoliduar në diplomacinë evropiane. Përpara se të emërohej në Tiranë, ajo ka drejtuar Përfaqësinë e Komisionit Evropian në Portugali, ndërsa në një fazë të mëparshme të karrierës ka përfaqësuar Bashkimin Evropian si ambasadore në Kepin e Gjelbër.

Emërimi i saj vjen në një periudhë kur marrëdhëniet Shqipëri-BE dhe procesi i integrimit evropian mbeten ndër çështjet kryesore të agjendës politike dhe diplomatike të vendit.

/m.m/a.f/

The post Ikën Gonzato, merr zyrtarisht detyrën ambasadorja e re e BE-së, Sofia Moreira de Sousa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Hoxha-Sørensen në Bled: Dialogu Kosovë-Serbi, i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi takime të veçanta në Bled, Slloveni, me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Prishtinë–Beograd, Peter Sørensen, Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të Bashkimit për Mesdheun, Fadi Hajli, si dhe me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Tālis Linkaits.

Takimet u zhvilluan në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, ndërsa Hoxha vlerësoi se “aktivitete të tilla ofrojnë mundësi të vyera për takime dhe shkëmbime me aktorë të ndryshëm, veçanërisht për çështje me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin”.

Ministri informoi se në qendër të diskutimeve ishin dialogu, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, si dhe rëndësia e përshpejtimit të ndërlidhjes dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në hapësirën evropiane.

Në takimin me Sørensen, ministri Hoxha theksoi rëndësinë e një dialogu të qëndrueshëm, të orientuar drejt rezultateve konkrete e të prekshme, për të avancuar më shpejt drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ndërsa në qendër të takimit me me Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë të Bashkimit për Mesdheun, Fadi Hajli ishte forcimi i bashkëpunimit euro-mesdhetar dhe mundësitë për të avancuar projekte konkrete në fusha me rëndësi për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Në takimin me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Tālis Linkaits, ministri Hoxha diskutoi mbi ndërlidhjen, infrastrukturën dhe mobilitetin, si elementë kyç për një Ballkan Perëndimor më të integruar dhe më pranë tregut dhe hapësirës evropiane.

“Dialogu, ndërlidhja dhe bashkëpunimi janë tre shtylla të një rajoni më të qëndrueshëm, më të integruar dhe më evropian”, u shpreh Hoxha.

1 nga 3

/m.m/a.f/

The post Hoxha-Sørensen në Bled: Dialogu Kosovë-Serbi, i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Taranto 2026”, Begaj uron peshëngritësin Calja: Rekord i ri që na bën krenar

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj uroi sot peshëngritësin, Briken Calja, për medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në mesazhin e tij të urimit, Begaj u shpreh se “ky është një rekord i ri që na bën krenarë”.

“Urime, Briken! Shqipëria krenohet me ty”, shkruan Presidenti në mesazhin e urimit.

Peshëngritësi Briken Calja ka fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes, në peshën 75 kg, në edicionin e 20-të të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Kjo medalje është një tjetër sukses i rëndësishëm për peshëngritjen shqiptare. Shqipëria, në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, deri më sot ka arritur të sigurojë katër medalje, 2 argjendi dhe 2 bronzi, duke u renditur në vendin e 15-të.

/m.m/a.f/

The post “Taranto 2026”, Begaj uron peshëngritësin Calja: Rekord i ri që na bën krenar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rrezik i lartë për zjarre në pyjet e qarkut Fier

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje pritet të jetë i lartë gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në qarkun e Fierit, ndërsa në pjesën tjetër të vendit niveli i rrezikut parashikohet të jetë kryesisht i moderuar.

Instituti i Gjeoshkencave informoi sot se rrezik i lartë për zjarret në pyje pritet edhe në zona të lokalizuara të disa qarqeve.

Konkretisht, bëhet fjalë për zonat: qarku Shkodër (jugperëndim), Kukës (verilindje), qarku Dibër (jugperëndim), qarku Durrës (lindje), qarku Elbasan (lindje), qarku Berat (verilindje), qarku Korçë (jug), qarku Vlorë (perëndim) dhe qarku Gjirokastër (veri dhe jug).

Ndërkohë sot dhe nesër priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në disa qarqe të tjera priten reshje lokalisht të dobëta.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 23 / 36 °C;
në vendet e ulëta: 21 / 37 °C; në vendet malore: 16 / 31 °C.

Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe zonat malore mund të jetë deri e fortë.

1 nga 2

/m.m/a.f/

The post Rrezik i lartë për zjarre në pyjet e qarkut Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama pret kampionin e boksit Nelson Hysa

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në zyrën e tij boksierin shqiptar të peshave të rënda, Nelson Hysa, pas mbrojtjes me sukses të titullit WBO në përballjen me boksierin norvegjez Thomas Narmo.

Gjatë takimit, Kryeministri Rama u interesua për ndeshjen dhe rrugëtimin e Hysës në ring, ndërsa kampioni shqiptar tregoi për sfidën e zhvilluar pas 11 muajsh pa ndeshje, duke veçuar nivelin e lartë të kundërshtarit, i cili konsiderohej favorit për fitimin e titullit.

Gjatë bisedës, kryeministri Rama e përgëzoi kampionin Hysa për suksesin dhe mbrojtjen e titullit, duke vlerësuar rezultatet e tij në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa boksieri theksoi se aktualisht është i vetmi boksier shqiptar i renditur në katër federatat kryesore ndërkombëtare të boksit.

/m.m/a.f/

The post Rama pret kampionin e boksit Nelson Hysa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Çipa: Rregullorja e re e GJKKO-së bie ndesh me Kushtetutën, precedent i rrezikshëm

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Shoqatat e gazetarëve vijojnë të kundërshtojnë rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) që futet në fuqi sot, duke sjellë kufizime të forta për mediat, deri te ndalimi i përdorimit të telefonave dhe regjistruesve nga gazetarët brenda në sallën e gjyqit.

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, në një intervistë për Report Tv, i bëri thirrje drejtuesit të GJKKO-së, Erion Bani që të rishqyrtojë rregulloren dhe të marrë në konsideratë edhe propozimet e bëra nga komuniteti i medias.

“Jemi të vendosur për ta zhbërë këtë. Kemi të bëjmë me rregullore dhe jo me ligj, një rregullore mund të rishqyrtohet kur ka të bëjë me cedime të tilla”, tha Çipa.

Sipas tij, rregullorja nuk është vetëm censuruese, por bie ndesh edhe me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të drejtën e informimit. Ai paralajmëroi përshkallëzim të reagimit edhe përmes organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.

“Rregullorja që ka vendosur GJKKO është jo vetëm censuruese, por është ceduese me Kushtetutën e Shqipërisë. Do atakohet jo vetëm nga komuniteti ynë profesional, por edhe nga grupe të tjera të interesit qytetar dhe të drejtës ligjore. Kjo rregullore krijon një precedent të rrezikshëm”, shtoi ai.

Çipa paralajmëroi se edhe pse po përballen me një padëgjueshmëri nga kjo gjykatë, përpjekja dhe reagimi do jetë i përshkallëzuar.

“Do kemi reagime nga rrjete dhe organizata të tjera ndërkombëtare të gazetarëve, për këtë precedent antiligjor. Do të këmbëngulim që të kemi reagime të menjëhershme nga hierarkia e drejtësisë”, tha Çipa.

Ai kundërshton masat censuruese, nga ndalimi i përdorimit të celularit dhe regjistruesve në sallën e gjyqit, ndalimi i kamerave, rotacioni i gazetarëve kur sallat nuk kanë vende të mjaftueshme, apo edhe detyrimi për tu regjistruar 24 orë para për të ndjekur një seancë gjyqësore.

“Nuk ka arsye përse të vendosen kritere të diskrecionit profesional të mos lejimit. Aty ka nonsense procedurale dhe juridike, aty thuhet se janë të hapura seancat, por nga ana tjetër vendosen kufizime për prezencën e gazetarëve dhe operatorëve. Dhe regjistrimi 24 orë më parë nuk është gjë tjetër vese kleçkë kufizuese. Rotacioni i vendeve? Hipokrizi. Aty janë të përcaktuar se kush janë të interesuarit, janë familjarët e palëve dhe mbrojtja, mjedisi është gjithmonë i kufizuar. Krijimi i një precedenti për rotacion, është mishërimi i censurimit”, vijon Çipa.

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë thotë se këto kufizime i heqin publikut mundësinë për të pasur një pasqyrë të plotë të asaj që ndodh brenda Gjykatës së Posaçme.

“E konsideroj qëllim për të ruajtur fshehtësinë, për të mos u përballur me recencat ditore për çdo procedurë. Dhe për ti hequr mundësinë publikut për të pasur pasqyrë reale me zë dhe me figurë për atë që ndodh aty brenda. Rregullorja cedon me kushtetutën dhe me legjislacionin tonë në fuqi”, theksoi ai.

/m.m/a.f/

The post Çipa: Rregullorja e re e GJKKO-së bie ndesh me Kushtetutën, precedent i rrezikshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rritet me 28% fondi për barnat e rimbursueshme në 2027, 400 mijë pacientë përfitues

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Fondi për barnat e rimbursueshme parashikohet të rritet me 28% në vitin 2027, duke shkuar në 17.28 miliardë lekë, nga 13.5 miliardë lekë në vitin 2026.

Sipas të dhënave të Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029, lista e barnave të rimbursueshme parashikohet të zgjerohet me 20 barna, nga 1,356 në 1,376 barna.

Ndërkohë që deri në vitin 2029 parashikohet të përfshihen 1406 barna.

Po ashtu, skema parashikohet të vijojë të mbështesë rreth 400 mijë pacientë në vit gjatë periudhës 2027–2029.

Financimi mesatar buxhetor për pacient parashikohet të rritet nga rreth 33 750 lekë në vitin 2026 në 43 200 lekë në vitin 2027.

1 nga 4

/m.m/a.f/

The post Rritet me 28% fondi për barnat e rimbursueshme në 2027, 400 mijë pacientë përfitues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Hoxha takim me homologun slloven: Të përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave drejt BE-së

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim në Bled, Slloveni me homologun slloven, Tone Kajzer.

Takimi u zhvillua në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bledit (BSF26).

Hoxha informoi se biseda u fokusua te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ardhmen e Evropës dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, Hoxha theksoi se në takim u diskutua mbi nevojën për të forcuar më tej lidhjet tona ekonomike dhe kontaktet njerëzore, duke i sjellë ato në përputhje me dialogun e shkëlqyer politik midis dy vendeve tona.

“Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë bindjen se zgjerimi i BE-së është, para së gjithash, një proces i bazuar në meritë, i fituar përmes reformave, rezultateve dhe besimit të ndërsjellë. Në të njëjtën kohë, është gjithnjë e më shumë një imperativ gjeopolitik dhe një investim në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, shtoi ai.

Hoxha siguroi se Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur angazhimet e saj, me objektivin e avancimit me vendosmëri drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

1 nga 2
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, takim në Slloveni me homologun slloven, Tone Kajzer

/m.m/a.f/

The post Hoxha takim me homologun slloven: Të përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Nufi takim me të zgjedhur vendorë të qarkut Lezhë: Qytetari në qendër të çdo vendimi

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, zhvilloi sot një takim me deputetët e qarkut, kryetarët e bashkive dhe kryesinë e Partisë Socialiste për qarkun.

Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Nufi u shpreh se takimi u fokusua e forcimi i një angazhimi të qartë: qytetari në qendër të çdo vendimi, çdo pune dhe çdo përgjegjësie.

“Besimi nuk kërkohet të fitohet çdo ditë. Prandaj jemi sot këtu në Lezhë së bashku me deputetët, me kryetarët e bashkisë, kryetarët e partive nëpër rrethe për të diskutuar dhe për të çuar përpara të gjithë përgjegjësitë që ne kemi për qytetarët që presin nga të gjithë ata që janë të mandatuar për të shërbyer”, tha Nufi.

Nufi theksoi se “sot jemi të vendosur më shumë se kurrë për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’i adresuar me përkushtim, me besim dhe me empati, duke u siguruar që do trajtohen në mënyrë më të shpejtë, më të saktë dhe më korrekte”.

“Kjo është BESA dhe kjo është ‘Prania besnike’. Të jemi aty për ta çdo ditë, jo vetëm në takime të caktuara, por çdo ditë për të dëgjuar hallet e shqetësimet e tyre. Partia Socialiste në qarkun e Lezhës angazhohet plotësisht me të gjithë funksionarët e vet që të jetë pranë qytetarëve, pranë të gjithë atyre që besojnë për një Shqipëri moderne”, tha Nufi.

/m.m/r.e/

The post Nufi takim me të zgjedhur vendorë të qarkut Lezhë: Qytetari në qendër të çdo vendimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Protesta e 93-të kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Protesta kundër investimit në Zvërnec ka vijuar sot në Tiranë, ku qytetarë e aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën për të 93-tën ditë radhazi para godinës së Kryeministrisë.

Ashtu si çdo natë grumbullimi i protestuesve nisi në sheshin “Skënderbej” për të vijuar me marshimin drejt Kryeministrisë.

Protestuesit kundërshtuan projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, ndërsa gjatë protestës parashtruan edhe një sërë kërkesash që lidhen me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, investimet strategjike dhe politikat e qeverisë.

Krahas çështjes së Zvërnecit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e asaj që e cilësojnë si “kastë të vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Në fjalën e mbajtur në podiumin para Kryeministrisë, aktivisti Ilir Xhemalaj paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar dhe protestave kundër qeverisë, duke bërë thirrje për mobilizim dhe mosbindje civile.

Xhemalaj deklaroi se protestuesit do të vijojnë të qëndrojnë në shesh dhe se, në vjeshtë pritet një fazë e re e protestave.

E nisur si një reagim ndaj ndikimit të pretenduar mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, protesta tashmë ka marrë një karakter më të gjerë politik dhe institucional, me pjesëmarrësit që ngrenë shqetësime edhe për korrupsionin, punësimin dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Dita e 93-të e protestës; fotoreporter: Andrin Hoxha
1 nga 7

/m.m/r.e/

The post Protesta e 93-të kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌