Reading view

FOKUS – Sulmi masiv rus ndaj Ukrainës përfshin edhe Poloninë, dyshohet për raketë të rrëzuar

VARSHAVË, 30 korrik /ATSH ANSA/ – Gjatë sulmit masiv me raketa të Rusisë ndaj Ukrainës perëndimore, është shkelur hapësira ajrore e Polonisë, shkroi në rrjetin social X kryeministri polak Donald Tusk.

Tusk njoftoi se ka thirrur një mbledhje urgjente me ministrin e Mbrojtjes dhe shërbimet përkatëse.

Komanda Operative e Forcave të Armatosura polake bëri të ditur se në orën 03:40 është zbuluar një objekt i paidentifikuar që lëvizte drejt perëndimit.

Një avion luftarak F-16 u ngrit menjëherë në fluturim, por kontakti me objektin në radar humbi vetëm pak minuta më vonë.

Kërkimet janë ende në vazhdim në zonën e Tarnawa-Kolonia, në rajonin e Lublinit.

Qeveria polake është e prirur të besojë se objekti që ra gjatë natës në një fshat pranë Lublinit, në Poloni, është një raketë ruse.

Gjithçka tregon se bëhet fjalë për një raketë ruse”, deklaroi një burim qeveritar për këtë media, ndërsa specialistët e çminimit vazhdojnë të ekzaminojnë vendin ku ka rënë objekti.  /os/

The post FOKUS – Sulmi masiv rus ndaj Ukrainës përfshin edhe Poloninë, dyshohet për raketë të rrëzuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ambiente të posaçme në Zyrat Përmbarimore në Tiranë e Durrës për takimet e fëmijëve me prindërit

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur sot se pranë Zyrave Përmbarimore të Tiranës dhe Durrësit janë krijuar ambiente të posaçme për zhvillimin e takimeve të fëmijëve me prindërit, në zbatim të vendimeve të gjykatës.

Sipas tij, këto hapësira janë konceptuar për të garantuar një atmosferë të qetë, të sigurt dhe miqësore, duke vendosur në qendër mirëqenien dhe interesin më të lartë të fëmijës.

“Kur në qendër është fëmija, kujdesi është parësor.  Pranë Zyrave Përmbarimore të Tiranës dhe Durrësit janë krijuar ambiente të posaçme ku zhvillohen takimet e fëmijëve me prindërit, në zbatim të vendimeve të gjykatës, në një atmosferë të qetë dhe miqësore”, shkruan Gogu.

Ministri theksoi se deri në qershor 2026, në Zyrën Përmbarimore Tiranë rezultojnë të regjistruara 286 dosje me objekt takimin e fëmijës me prindin, ndërsa në Zyrën Përmbarimore Durrës 169 dosje.

“Puna vijon për krijimin e ambienteve të tilla edhe në zyra të tjera përmbarimore në vend, me një synim të qartë: mirëqenien e fëmijëve”, shkruan ai.

/m.q/a.f/

The post Ambiente të posaçme në Zyrat Përmbarimore në Tiranë e Durrës për takimet e fëmijëve me prindërit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Lirohen hapësirat publike në bregdetin e Lezhës, sekuestrohen disa gazebo

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike në bregdet vijoi sot në Lezhë, ku u sekuestruan disa gazebo.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, reagoi duke theksuar se sekuestroja nuk është zgjedhja e parë e institucioneve, por një masë e fundit që zbatohet vetëm pasi janë ezauruar të gjitha mundësitë për respektimin e ligjit.

Ndreu u shpreh se shkelja e vazhdueshme e ligjit, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme.

“Të shkelësh ligjin në mënyrë të vazhdueshme, të paralajmërohesh disa herë dhe sërish të mos reflektosh, është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme. Sekuestroja nuk është zgjedhja e parë, por masa e fundit, e cila bëhet e pashmangshme kur çdo mundësi tjetër për të respektuar ligjin është shpërdoruar”, shkruan Ndreu.

/m.q/a.f/

The post Lirohen hapësirat publike në bregdetin e Lezhës, sekuestrohen disa gazebo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama: Shqipëria mirëpret vizitorë nga e gjithë bota, AKT pranë çdo pike hyrëse për t’i informuar

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Turizmit është e pranishme në çdo pikë hyrëse të Shqipërisë, për të garantuar një rrjet të përmirësuar informacioni turistik për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna e punonjësve të AKT në pritjen e turistëve.

“Ndërsa Shqipëria vijon të mirëpresë vizitorë nga e gjithë bota, Agjencia Kombëtare e Turizmit është e pranishme në të gjitha pikat hyrëse të vendit, me harta, guida dhe materiale informuese që i ndihmojnë të zbulojnë bukuritë dhe përvojat që ofron Shqipëria”, shkruan Rama.

Turistët shprehen të kënaqur për përvojën e tyre në Shqipëri, duke nënvizuar se në çdo qytet ndihen si në shtëpinë e tyre.

“Është hera e parë që jemi këtu. Kam parë Durrësin, Krujën, Tiranën dhe Golemin. Kam vetëm 10 minuta që kam mbërritur në Vlorë”, shprehet një prej vizitorëve.

Një tjetër turist tregon se Shqipëria është tashmë një destinacion i njohur për të, ndërsa gjatë këtij udhëtimi ka zgjedhur të rikthehet në disa prej qyteteve shqiptare.

“Në Vlorë kemi vetëm një ditë, por në Shqipëri do të qëndrojmë shtatë ditë. Kemi parë Gjirokastrën, Tiranën dhe Vlorën. Kjo nuk është hera jonë e parë në Shqipëri, por tani do të shkojmë sërish në Berat”, tha ai.

Berati duket se mbetet një prej destinacioneve më të dashura për vizitorët e huaj.

“Berati është vendi ku ne ndihemi si në shtëpi”, shprehet një tjetër turiste.

Ndërsa një vizitor tjetër thekson bukurinë e Vlorës dhe kohën e planifikuar për të qëndruar në Shqipëri.

“Është shumë bukur këtu. Mendoj të qëndroj 12 ditë. Unë kam qenë vetëm në Vlorë”, shprehet ai.

Përmes pranisë në pikat hyrëse të vendit, AKT synon t’u ofrojë turistëve informacion të drejtpërdrejtë mbi destinacionet, atraksionet, itineraret dhe përvojat turistike që mund të eksplorojnë gjatë qëndrimit në Shqipëri, në një kohë kur vendi vijon të mirëpresë vizitorë nga e gjithë bota.

/e.i/a.f/

The post Rama: Shqipëria mirëpret vizitorë nga e gjithë bota, AKT pranë çdo pike hyrëse për t’i informuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

KIEV – Rusia sulmon Ukrainën gjatë natës, të paktën tetë të vrarë

KIEV, 30 korrik /ATSH-DPA/- Rusia ndërmori një sulm të madh ajror ndaj Ukrainës gjatë natës, duke lënë të paktën tetë të vrarë dhe më shumë se një duzinë të plagosur, raportuan sot autoritetet ukrainase dhe mediet vendase.

Sipas raportimeve, dhjetëra raketa dhe qindra dronë goditën qytete në mbarë Ukrainën, përfshirë zona në perëndim të vendit, larg kufirit me Rusinë. Shkalla e plotë e dëmeve nuk është bërë ende e ditur.

Në qytetin qendror të Kryvyi Rih, një raketë goditi shtëpinë e një familjeje të madhe, duke vrarë gjashtë persona, mes tyre dy fëmijë, 5 dhe 12 vjeç.

Tetë persona të tjerë mbetën të plagosur, sipas “Kyiv Independent”.

Dy persona të tjerë humbën jetën në Kiev dhe në rajonin e Poltavës, ndërsa pesë persona u plagosën në Lviv, sipas autoriteteve lokale të cituara nga mediet ukrainase.

Këto raportime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Në Lviv, pranë kufirit me Poloninë, sulmet me raketa shkaktuan zjarre në dy pallate banimi, ndërsa në Kiev disa ndërtesa u dëmtuan nga mbetjet e raketave të rrëzuara. Dëshmitarët raportuan disa valë shpërthimesh.

Forcat Ajrore të Ukrainës lëshuan alarme në të gjithë vendin dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në nivel kombëtar.

Sulmi ndodhi pasi presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi për një ofensivë të madhe ajrore ruse, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës së komandës së Forcave Ajrore.

Forcat ukrainase kanë deklaruar vazhdimisht se nuk disponojnë sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore për të neutralizuar raketat ruse, veçanërisht raketat balistike, të cilat janë shumë të vështira për t’u rrëzuar për shkak të shpejtësisë së lartë.

Zelensky u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve që disponojnë sistemet e avancuara Patriot, të rrisin mbështetjen ushtarake për Ukrainën. //a.i/

The post KIEV – Rusia sulmon Ukrainën gjatë natës, të paktën tetë të vrarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rasti i 52-vjeçarit në Durrës, Ministria e Shëndetësisë nis hetimin për veprimet e strukturave shëndetësore dhe sociale

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale reagoi sërish sot lidhur me trajtimin e rastit të pacientit 52-vjeçar A.A., nga qyteti i Durrësit, për në media u hodh dyshimi se ishte lënë nga spitali i Durrësit në zonën e portit. Lajm që u përgënjeshtruar nga drejtuesit e spitalit të qytetit bregdetar.

Në një deklaratë zyrtare për mediet, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ, i cili do të shqyrtojë në mënyrë të plotë jo vetëm procedurat dhe masat e marra nga struktura spitalore, por edhe veprimet dhe përgjegjësitë e strukturave të shërbimit social të përfshira në këtë rast.

Në kuadër të këtij procesi, sipas MSHMS-së drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror janë në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikëqyrur procesin e hetimit administrativ të strukturave në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë, pacienti ndodhet nën kujdesin e strukturave shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit.

Gjithashtu, MSHMS informon se po verifikohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si edhe përgjegjësia e personave të përfshirë në menaxhimin dhe transportimin e pacientit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë, zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe marrjen e çdo mase administrative apo ligjore që do të rezultojë e nevojshme.

Më herët, MSHMS bëri me dije se pacienti 52-vjeçar është trajtuar më parë në Spitalin Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.

“Pacienti ishte trajtuar më parë në QSUT, ku kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale për vendosjen e një proteze vaskulare. Pas komunikimit ndërmjet mjekëve, ai u shtrua në Spitalin Rajonal Durrës, ku qëndroi dhe u trajtua për më shumë se një muaj, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore”, thuhet në njoftimin e MSHMS.

Pas stabilizimit të parametrave klinikë dhe përfundimit të trajtimit spitalor, MSHMS deklaroi se pacientit iu përgatit epikriza dhe iu komunikua dalja nga spitali.

“Duke qenë se ai deklaroi se nuk kishte një vend ku të qëndronte, strukturat e spitalit njoftuan shërbimin social dhe organet e Policisë së Shtetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt sociale dhe familjare. Pas komunikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, një familjar deklaroi se do ta merrte pranë banesës së tij. Pacienti u transportua me autoambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit, dhe iu dorëzua familjarit”, thuhet në njoftim.

/e.i/a.f/

The post Rasti i 52-vjeçarit në Durrës, Ministria e Shëndetësisë nis hetimin për veprimet e strukturave shëndetësore dhe sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Publikohen datat e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2026

TIRANË, 30 korrik /ATSH/- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, ka bërë publike kalendarin e provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2026.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Kumbaro u bëri thirrje maturantëve që nuk kanë arritur të përmbyllin provimet gjatë sesionit të qershorit, të përgatiten me përkushtim për provimet e vjeshtës.

Sipas kalendarit të publikuar, provimet do të zhvillohen në këto data:

  • 24 gusht 2026 – Gjuhë e Huaj;
  • 27 gusht 2026 – Gjuhë Shqipe dhe Letërsi;
  • 31 gusht 2026 – Matematikë;
  • 3 shtator 2026 – Provim me Zgjedhje.

“Është momenti të përgatiteni me përkushtim dhe të besoni te vetja juaj”, shprehet ministrja Kumbaro në mesazhin e saj drejtuar maturantëve.

Sesioni i dytë i Maturës Shtetërore u jep mundësi maturantëve që nuk kanë kaluar ose nuk kanë zhvilluar provimet në sesionin e parë të përmbushin detyrimet për përfundimin e arsimit të mesëm.

/a.f/

The post Publikohen datat e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Toyota mbetet lider botëror për të shtatin vit radhazi

TOKIO, 30 korrik /ATSH-ANSA/ – Gjiganti iautomobilave, Toyota, konfirmoi pozicionin e saj si prodhuesi më i madh i automjeteve në botë për nga shitjet në gjysmën e parë të vitit 2026, duke mbajtur vendin e parë për të shtatin vit radhazi.

Prodhuesi japonez i automjeteve shiti 5.39 milionë automjete në nivel global në gjashtë muajt e parë të vitit, duke tejkaluar rivalin gjerman Volkswagen, i cili shiti afërsisht 4.13 milionë njësi.

Megjithatë, shitjet e përgjithshme të grupit ranë me 2.8% nga viti në vit, rënia e parë në dy vjet, e ndikuar nga kërkesa e dobët në Kinë dhe rritja e çmimeve të benzinës të lidhura me tensionet në Lindjen e Mesme.

Ndërprerjet e logjistikës të lidhura me krizën e Lindjes së Mesme ndikuan gjithashtu në prodhim, i cili ra me 0.3% në 5.51 milionë automjete; eksportet e Toyota-s nga Japonia në Lindjen e Mesme ranë me 36%, në 104,093 automjete.

Shitjet jashtë vendit të grupit ranë me 4.5% në 4.30 milionë automjete, ndërsa shitjet vendase u rritën me 4.4% në 1.10 milionë njësi, të nxitura nga suksesi i automjetit të ri elektrik bZ4X.

Shitjet globale të automjeteve të elektrizuara – të kryesuara nga hibridet – u rritën me 9.1% në 2.71 milion njësi, ndërsa shitjet e automjeteve me bateri elektrike pothuajse u trefishuan në 193,170 njësi: të dyja shifrat përfaqësojnë rekorde për gjysmën e parë të vitit.

Sipas rajonit, shitjet në Kinë ranë me 17.1% në 694,670 njësi, dhe ato në Lindjen e Mesme ranë me 21.6% në 218,855 automjete. Amerika e Veriut, nga ana tjetër, regjistroi një rritje të lehtë prej 0.9% në 1.45 milion automjete, të mbështetur nga kërkesa për modele hibride.  /os/

The post FOKUS – Toyota mbetet lider botëror për të shtatin vit radhazi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Daily Mail”: Shqipëria kryeson preferencat e britanikëve si alternativa evropiane më e lirë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/- Britanikët po heqin dorë nga pushimet e ëndrrave në destinacione të largëta dhe po zgjedhin alternativa më të lira evropiane, ndërsa kostot e udhëtimit vazhdojnë të rriten, shkruan Alessia Fidler në median britanike “Daily Mail”.

Pushimet e ëndrrave në Japoni, Kaliforni, Australi dhe Maldive po zëvendësohen gjithnjë e më shumë me alternativa më të lira në Evropë, pasi britanikët po përpiqen të ulin kostot e udhëtimeve.

Një studim i ri i kryer nga “Go Compare” zbuloi se pothuajse katër në dhjetë ose 39% e britanikëve, që planifikojnë pushimet verore kanë ndryshuar planet e tyre fillestare, për shkak të presioneve buxhetore, ndërsa kostoja e pushimeve rezultoi faktori kryesor.

Një e treta ose 33% e britanikëve thanë se, rritja e kostove të udhëtimit i ka detyruar të rishqyrtojnë destinacionet për pushime, duke zgjedhur vende si Shqipëria, Italia, Greqi dhe Spanja në vend të destinacioneve të largëta.

Këto destinacione evropiane ofrojnë përvoja të ngjashme, por  me çmime të favorshme përsa i përket udhëtimeve ndërkontinentale.

“Ajo çfarë po shohim është se, turistët po i përshtatin planet e tyre, në vend që të heqin dorë nga pushimet. Edhe pse vazhdojnë të kërkojnë përvoja të paharrueshme, shumë prej tyre po kërkojnë mënyra të ndryshme për t’i bërë këto udhëtime të realizueshme”, tha Nick Parkhouse, ekspert i sigurimit të udhëtimit në “Go Compare”.

Destinacionet evropiane po ofrojnë një alternativë tërheqëse për ata që fillimisht kishin ëndërruar udhëtime të largëta, duke u dhënë mundësinë të zbulojnë vende të reja, ndërsa balancojnë kostot, komoditetin dhe cilësinë.

Ja disa nga alternativat më të mira evropiane, në vend të destinacioneve të shtrenjta ndërkontinentale:

1- Zëvendësoni Maldivet me Shqipërinë

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare të turizmit, ku shpesh cilësohet si “Maldivet e Evropës”, falë ujërave të saj të kristalta, vijës së mrekullueshme bregdetare dhe kostove shumë më të ulëta krahasuar me destinacionet ekzotike.

Për udhëtarët që nuk dëshirojnë të shpenzojnë qindra paund për fluturime apo të përballen me një udhëtim rreth dhjetë orësh, Shqipëria përfaqëson një alternativë tërheqëse dhe lehtësisht të arritshme. Me rreth 300 ditë me diell në vit dhe temperatura që mbeten mbi 18°C deri në muajin nëntor, vendi ofron kushte ideale për pushime përgjatë një pjese të madhe të vitit.

Plazhet me ujëra të kthjellëta, natyra e paprekur dhe peizazhet mbresëlënëse e kanë kthyer Shqipërinë në një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë të turizmit në Evropë. Për ata që preferojnë një alternativë tjetër mesdhetare, edhe ishulli i Kretës në Greqi ofron plazhe me rërë të artë dhe hotele luksoze, megjithëse me një kosto më të lartë se Shqipëria.

Diferenca në çmim është e konsiderueshme. Një fluturim vajtje-ardhje drejt Shqipërisë në muajin shtator mund të kushtojë vetëm 46 paund, ndërsa udhëtimi zgjat rreth tre orë në secilin drejtim. Në kontrast, fluturimet drejt Maldiveve kushtojnë zakonisht nga 500 deri në 600 paund, pa përfshirë shpenzimet e akomodimit.

Edhe akomodimi është dukshëm më ekonomik. Ndërsa vilat ikonike të ndërtuara mbi ujë në Maldive shpesh kushtojnë qindra paund për natë, në Shqipëri vizitorët mund të gjejnë hotele dhe struktura turistike cilësore me çmime shumë më të përballueshme, duke shijuar të njëjtën atmosferë bregdetare dhe ujëra të kristalta, edhe pse jo në vila të vendosura mbi det.

2- Zëvendësoni Luginën Napa në Kaliforni me Toskanën, Itali

3- Zëvendësoni Japoninë me Dyseldorfin në Gjermani

4- Zëvendësoni Gold Coast, Australi me Zarautz, Spanjë

5- Zelandën e Re… me Evropën Veriore  //a.i/

The post “Daily Mail”: Shqipëria kryeson preferencat e britanikëve si alternativa evropiane më e lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

TOKIO – Japoni, shkon në 30 numri i viktimave nga tërmeti

TOKIO, 30 korrik /ATSH-AA/ – Numri i viktimave nga një tërmet i fuqishëm që goditi prefekturën jugperëndimore të Japonisë Kumamoto në ishullin Kyushu këtë javë është rritur në 30, tha sot kryeministrja Sanae Takaichi, njoftoi transmetuesi publik NHK.

Duke iu drejtuar një mbledhjeje të qeverisë, Takaichi tha se shifra përfshinte njerëz, vdekjet e të cilëve janë ende nën hetim për të përcaktuar nëse ato ishin të lidhura drejtpërdrejt me tërmetin 7.1 ballë të së martës, i cili shkaktoi dëme në banesat dhe linjat e energjisë.

Ndërkohë, përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhduan në një qendër tregtare të shembur dhe një fabrikë letre të dëmtuar.

Linja Kyushu Shinkansen midis stacioneve Kumamoto dhe Kagoshima-chuo mbeti e pezulluar ndërsa autoritetet luftuan për të vlerësuar dëmin.

Më shumë se 10 mijë njerëz po qëndrojnë në qendrat e evakuimit që nga mëngjesi i së enjtes.   /os/

The post TOKIO – Japoni, shkon në 30 numri i viktimave nga tërmeti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 30.7.2026

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Vota e parë treguese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në procesin e përzgjedhjes për sekretarin e ardhshëm të  përgjithshëm.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Komiteti Gjyqësor i Senatit të SHBA-së mblidhet për të votuar mbi emërimin e Todd Blanche si prokuror i përgjithshëm.

MYNIH (Gjermani) – ”Mynih Re” – Raporti gjysmëvjetor mbi koston e fatkeqësive natyrore në mbarë botën në gjysmën e parë të vitit.

BRUKSEL (Belgjikë) – PBB-ja e Eurozonës për tremujorin e dytë.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Vendimi i politikës monetare të Bankës së Anglisë.

TRIPOLI (Libi) – Duke u kthyer në Libi pas restaurimit në Itali, mumja 7 000-vjeçare Takarkori zbulohet për publikun.

TETOUAN (Marok) – Dita e Fronit, e cila përkujton çdo vit ngjitjen në pushtet të Muhamedit VI.

MONTEVIDEO (Uruguai) – Vizitë e Kristalina Georgieva, drejtoreshë menaxhuese e FMN-së./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 30.7.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Moti sot parashikohet i kthjellët, temperatura deri në 38 gradë Celsius

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ – Shqipëria do të ndikohet të enjten nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët në të gjithë territorin.

Sipas Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, gjatë orëve të mesditës pritet të ketë vranësira të pakta deri mesatare kalimtare përgjatë zonave malore në jug të vendit. Në këto zona mund të regjistrohen reshje të dobëta lokale shiu në formë pikash.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në det pritet valëzim i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat do të mbeten të larta, me vlerat maksimale që do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius në Elbasan, Berat dhe Gjirokastër. Në Tiranë priten temperatura nga 25 deri në 37 gradë Celsius, ndërsa në Durrës nga 22 deri në 36 gradë Celsius. Zonat bregdetare do të kenë temperatura maksimale nga 32 deri në 34 gradë Celsius, ndërsa në zonat verilindore temperaturat do të jenë disi më të ulëta.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 24/34 Diell
Kukës 16/33 Diell
Lezhë 17/35 Diell
Dibër 17/33 Diell  pak re
Durrës 22/36 Diell
Tiranë 25/37 Diell pak re
Elbasan 23/38 Diell pak re
Berat 20/38 Diell pak re
Vlorë 23/34 Diell pak re
Korçë 19/32 Diell pak re
Gjirokastër 18/38 Diell pak re
Sarandë 24/32 Diell

/a.f/

 

 

 

The post Moti sot parashikohet i kthjellët, temperatura deri në 38 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

ARGJENTINË – Shtatë të vdekur pas rrëzimit të një helikopteri zjarrfikës

BUENOS AIRES, 29 korrik /ATSH-AFP/ – Shtatë persona humbën jetën sot pasi një helikopter i angazhuar në operacionet për luftimin e zjarreve pyjore u rrëzua në një park natyror në perëndim të Argjentinës, njoftuan autoritetet provinciale.

Sipas Agjencisë Federale të Emergjencave (AFE), kontakti me helikopterin tip “Bell 412” humbi gjatë orëve të paradites, ndërsa ai po fluturonte mbi zonën e “Parkut Natyror Ischigualasto”, rreth 1 200 kilometra në veriperëndim të Buenos Airesit.

Guvernatori i provincës San Juan, Marcelo Orrego, konfirmoi më vonë përmes rrjetit social X se të shtatë personat në bord humbën jetën.

Viktimat ishin pjesëtarë të shërbimit zjarrfikës, policisë dhe mbrojtjes civile, të cilët ishin të angazhuar në operacionet për menaxhimin e emergjencave.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rrëzimit të helikopterit, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje nëse aksidenti lidhet me kushtet atmosferike, një defekt teknik apo faktorë të tjerë. Incidenti përbën një humbje të rëndë për ekipet e emergjencës që veprojnë në zonat e prekura nga zjarret pyjore. /Ad.Ab./ a.jor.

The post ARGJENTINË – Shtatë të vdekur pas rrëzimit të një helikopteri zjarrfikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

TURQI – Erdogan: Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë turqit qipriotë

ANKARA, 29 korrik /ATSH-AA/- Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha sot se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë turqit qipriotë dhe njoftoi projekte infrastrukturore për Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC).

“Asnjë nismë që shpërfill barazinë sovrane, të drejtat dhe interesat legjitime të turqve qipriotë në Mesdheun Lindor nuk mund të ketë sukses”, tha Erdogan pas një mbledhjeje të kabinetit të kryesuar prej tij në Ankara.

“Ne po monitorojmë nga afër çdo hap të atyre që synojnë ta përfshijnë Qipron në rreshtime të reja ushtarake dhe llogaritje gjeopolitike”, tha ai.

Duke përsëritur mbështetjen afatgjatë të Ankarasë për turqit qipriotë, Erdogan tha se “Turqia nuk do t’i braktisë kurrë vëllezërit turq qipriotë dhe nuk do të lejojë kurrë që vuajtjet e së kaluarës të përsëriten, pavarësisht kostos”.

Turqia do të vazhdojë investimet e mëdha infrastrukturore në ishull”, tha ai.

“Ashtu siç i zgjidhëm në të kaluarën nevojat për ujë të turqve qipriotë, ne do të vazhdojmë të zbatojmë projekte të ndryshme, veçanërisht një gazsjellës nënujor për gazin natyror”, shtoi Erdogan./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post TURQI – Erdogan: Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë turqit qipriotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

HAPËSIRË – Ylli gjigant “Betelgeuse” nuk është i vetëm

UASHINGTON, 29 korrik /ATSH/  – Astronomët kanë arritur një zbulim të rëndësishëm, pasi për herë të parë kanë fotografuar drejtpërdrejt yllin shoqërues të “Betelgeuse”, duke konfirmuar se ai nuk është një yll i vetëm, por pjesë e një sistemi binar, sipas Reuters.

“Betelgeuse” është një supergjigant i kuq në yjësinë e Orionit dhe një nga yjet më të ndritshëm që mund të shihet me sy të lirë. Ai ka një masë rreth 16,5 deri 19 herë më të madhe se Dielli, ndërsa diametri i tij është 750 deri 850 herë më i madh.

Shkëlqimi i tij është rreth 100 000 herë më i madh se ai i Diellit.

Ylli shoqërues, i zbuluar me Teleskopin “Very Large” në Kili, ka një masë 2,6 deri 3,1 herë më të madhe se Dielli dhe një diametër gati dyfish më të madh se ai.

Dy yjet ndodhen rreth 500 deri 600 vite dritë larg Tokës dhe rrotullohen rreth njëri-tjetrit në një distancë të ngjashme me orbitën e Saturnit rreth Diellit.

Shkencëtarët kishin dyshuar prej afro 100 vitesh se “Betelgeuse” kishte një shoqërues, por ky është konfirmimi i parë i drejtpërdrejtë.

Sipas autorit kryesor të studimit, Miguel Montarges, është befasuese që një tipar kaq themelor i një ylli kaq të njohur u zbulua vetëm tani.

Ky zbulim mund të ndryshojë edhe parashikimet për shpërthimin e ardhshëm të “Betelgeuse” si supernovë. Më parë mendohej se kjo do të ndodhte pas 10 000 deri 100 000 vjetësh, por ndërveprimi me yllin shoqërues mund ta përshpejtojë ose ta vonojë këtë proces.

Për këtë arsye, astronomët thonë se tani është shumë më e vështirë të parashikohet se kur do të ndodhë shpërthimi.

Megjithëse “Betelgeuse” konsiderohet në fazën e fundit të jetës së tij, nuk ka asnjë rrezik për Tokën. Kur të shpërthejë, do të jetë një spektakël i jashtëzakonshëm në qiellin e natës, por distanca prej qindra viteve dritë është aq e madhe sa nuk pritet të ketë pasoja për planetin tonë./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post HAPËSIRË – Ylli gjigant “Betelgeuse” nuk është i vetëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Protesta e 60-të për Zvërnecin në kryeqytet

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Protesta për investimin e planifikuar në Zvërnec hyri sot në ditën e gjashtëdhjetë ndërsa aktivistë e qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.

Me pankarta dhe parulla, protestuesit kanë disa kërkesa politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Kërkesat e tyre vijojnë të mbeten të njëjta, duke kërkuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen, ndërsa rrëfeu edhe një takim me një nënë në Lushnjë, e cila i kërkoi të mos e ndalin protestën derisa djali i saj emigrant të kthehej në Shqipëri.

Një i moshuar apeloi për reagim nga intelektualët, pedagogët, mësuesit dhe shoqëria civile, duke kërkuar që të mos heshtin përballë situatës politike në vend.

Protestues të tjerë bënë thirrje për të mos u larguar nga sheshi derisa kryeministri Rama të japë dorëheqjen. Ata u shprehën për qëndresë duke deklaruar se qytetarët shqiptarë kanë vrarë frikën.

Në protestë foli edhe aktori Mehdi Malkaj i cili nuk e cilësoi të besueshëm dokumentin e propozuar nga Kryeministri Rama të titulluar “Besa”. Sipas tij, Rama është ish-kryeministër ndërsa bëri thirrje që protestat të vazhdojnë.

Protesta pas fjalimeve të qytetarëve dhe aktivistëve u mbyll me marshimin në bulevard.

Protesta e 60-të për Zvërnecin në kryeqytet, foto: Florian Abazaj
1 nga 5

 

The post Protesta e 60-të për Zvërnecin në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

”Il sole 24 ore”: Shqipëria pjesë e rëndësishme e arkitekturës së re strategjike të Evropës

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ – Shqipëria po fiton një rol të rëndësishëm në hartën strategjike të Evropës, ndërsa infrastruktura që ajo ofron po shihet si pjesë e një rrjeti që lidh detin Adriatikun me Detin e Zi, sipas një analize nga gazeta e njohur italiane ”Il sole 24 ore”.

Analiza e cilëson Shqipërinë si një hallkë kyçe të Korridorit VIII, një nga akset më të rëndësishme të transportit dhe energjisë në rajon. Sipas analizës së paraqitur në artikull, Shqipëria dhe veçanërisht Durrësi po fitojnë një rol të ri në arkitekturën strategjike të Evropës Juglindore.

”Siguria industriale italiane nuk mbaron në brigjet e Pulias ose Abrucos, por shtrihet përmes Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Bullgarisë deri në Detin e Zi. Lidhja e energjisë elektrike Itali-Mali i Zi dhe Korridori VIII analizohen si infrastruktura të ndara. E para lidhet me politikën e energjisë; e dyta me transportin, zgjerimin e BE-së dhe lëvizshmërinë ushtarake të NATO-s. Megjithatë, ato duhet të shihen së bashku”, shkruan ”Il sole 24 ore”.

Autorët argumentojnë se vendi ynë nuk duhet parë më vetëm si një territor tranziti, por si një nyje kyçe që lidh Italinë, Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Detit të Zi. Në këtë këndvështrim, zhvillimi i Korridorit VIII dhe investimet në infrastrukturën energjetike dhe të transportit e vendosin Shqipërinë në qendër të një sistemi të integruar që bashkon energjinë, logjistikën, tregtinë dhe sigurinë.

Në këtë sistem, Durrësi zë vendin më të rëndësishëm.

Porti i Durrësit konsiderohet porta perëndimore e Korridorit VIII dhe pika kryesore ku transporti detar nga Italia lidhet me rrjetin rrugor dhe hekurudhor të Ballkanit. Rëndësia e tij nuk lidhet vetëm me funksionin tradicional si port tregtar, por me aftësinë për të shërbyer si nyje që bashkon transportin detar me korridoret tokësore drejt Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe më tej drejt Detit të Zi. Për këtë arsye, funksionimi efikas i portit shihet si një element thelbësor për suksesin e gjithë korridorit.

Një rëndësi të veçantë në këtë proces ka modernizimi i linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë.

Sipas artikullit, financimi i siguruar nga Bashkimi Evropian, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk synon vetëm rikonstruksionin e një segmenti hekurudhor, por integrimin e portit të Durrësit në rrjetin evropian të transportit. Kjo do të thotë se infrastruktura shqiptare do të ndërtohet sipas standardeve teknike dhe operacionale të Bashkimit Evropian, duke e bërë Durrësin një nyje më të besueshme dhe më konkurruese për transportin ndërkombëtar.

Autorët theksojnë se Korridori VIII nuk duhet kuptuar si një hekurudhë ose autostradë e vetme. Ai përfaqëson një sistem kompleks ku ndërthuren portet, tragetet, rrugët, hekurudhat, aeroportet, pikat kufitare, rrjetet energjetike dhe platformat dixhitale. Brenda këtij sistemi, Shqipëria përbën urën lidhëse ndërmjet brigjeve italiane dhe pjesës lindore të Ballkanit. Pa funksionimin e plotë të porteve shqiptare dhe të lidhjeve tokësore drejt Maqedonisë së Veriut, korridori nuk mund të realizojë plotësisht objektivat e tij strategjikë.

Një zhvillim që e rrit më tej rëndësinë e Shqipërisë është shndërrimi i Korridorit VIII nga një projekt ekonomik në një infrastrukturë me funksion të dyfishtë, civil dhe ushtarak. Pas nënshkrimit të Deklaratës së Tiranës në shkurt 2026, korridori lidhet gjithnjë e më shumë me politikat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s për mobilitetin ushtarak. Kjo do të thotë se infrastruktura shqiptare nuk do të përdoret vetëm për lëvizjen e mallrave dhe pasagjerëve, por duhet të jetë në gjendje të mbështesë edhe transportin e shpejtë të pajisjeve, mjeteve dhe forcave ushtarake në rast krizash apo emergjencash.

Në këtë kontekst, edhe Porti i Durrësit merr një dimension të ri strategjik. Përveç rolit të tij ekonomik, ai duhet të jetë në gjendje të përballojë njëkohësisht trafikun tregtar dhe kërkesat që lidhen me sigurinë. Kjo kërkon investime në terminale moderne, në lidhje efikase me rrjetin hekurudhor dhe rrugor, në kapacitete logjistike, në sisteme dixhitale të avancuara dhe në procedura kufitare më të shpejta. Vetëm në këtë mënyrë porti mund të funksionojë si një nyje moderne evropiane, e aftë të mbështesë si ekonominë ashtu edhe sigurinë rajonale.

Megjithëse analiza fokusohet kryesisht te lidhja energjetike Itali–Mal i Zi, autori e vendos edhe Shqipërinë brenda të njëjtit sistem strategjik. Sipas tij, infrastruktura energjetike dhe ajo e transportit janë të pandashme. Një korridor transporti nuk mund të funksionojë pa furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, ndërsa rrjetet energjetike kanë vlerë vetëm nëse mbështeten nga infrastruktura logjistike, mirëmbajtja dhe sistemet moderne të komunikimit. Për këtë arsye, Shqipëria shihet si pjesë e një hapësire të integruar ku energjia, transporti dhe teknologjia mbështesin njëra-tjetrën.

Artikulli vlerëson se ky pozicion i ri mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për Shqipërinë. Investimet evropiane në infrastrukturë mund të përshpejtojnë modernizimin e porteve, hekurudhave dhe rrugëve, të nxisin zhvillimin e qendrave logjistike dhe industriale, të forcojnë lidhjet ekonomike me Italinë dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, si dhe ta bëjnë Shqipërinë pjesë më të rëndësishme të zinxhirëve rajonalë të furnizimit. Në këtë mënyrë, vendi mund të kalojë gradualisht nga një rol kryesisht tranzit në një rol më aktiv si qendër logjistike dhe ekonomike në Evropën Juglindore.

Megjithatë, theksohet se ky potencial nuk do të realizohet automatikisht. Shqipëria duhet të përfundojë lidhjet hekurudhore me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, të harmonizojë standardet teknike me ato të Bashkimit Evropian, të modernizojë procedurat doganore dhe kufitare, të forcojë sigurinë kibernetike të infrastrukturës kritike dhe të garantojë mirëmbajtjen afatgjatë të rrjeteve energjetike dhe logjistike. Po aq e rëndësishme është edhe rritja e kapaciteteve institucionale për menaxhimin dhe koordinimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

Në përfundim, sipas analizës së artikullit, Durrësi përfaqëson portën perëndimore të Korridorit VIII, ndërsa Shqipëria është hallka që lidh Adriatikun me Ballkanin dhe Detin e Zi. Pozicioni i saj strategjik nuk buron vetëm nga vendndodhja gjeografike, por edhe nga aftësia për të integruar portet, hekurudhat, rrjetet energjetike dhe infrastrukturën logjistike në një sistem të vetëm evropian. Nëse projektet infrastrukturore realizohen sipas planit, Shqipëria ka mundësinë të shndërrohet në një nyje strategjike ku ndërthuren interesat ekonomike, energjetike dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, Italisë dhe NATO-s.

Ja çfarë shkruan ”Il sole 24 ore për Durrësin:

Pika qendrore e korridorit hekurudhor të Ballkanit Perëndimor është porti i Durrsit dhe lidhja e tij me brendësinë e Shqipërisë. Më 8 prill 2025, Banka Evropiane e Investimeve dhe qeveria shqiptare nënshkruan një paketë financiare evropiane për modernizimin e hekurudhës prej 34 kilometrash Durrës-Rrogozhinë.

Operacioni përfshin një grant të BE-së prej 60,5 milionë eurosh, një kredi të BE-së prej 30 milionë eurosh dhe bashkëfinancim të BERZH-it prej 30 milionë eurosh, për një kosto totale të vlerësuar të projektit prej 121 milionë eurosh. Kjo është më shumë sesa thjesht një rehabilitim i linjës hekurudhore.

Ajo lidh qendrën kryesore detare të Shqipërisë me financimin, prokurimin dhe standardet teknike evropiane. Për më tepër, ajo forcon ndërfaqen fizike përmes së cilës kapaciteti detar italian duhet të integrohet në rrjetin tokësor të Ballkanit. Pengesa kryesore fizike për korridorin mbetet lidhja hekurudhore midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Më 6 nëntor 2025, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Bullgarisë, Grozdan Karadjov, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, nënshkruan një marrëveshje në stacionin Gyueshevo lidhur me përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar.

Komisioni Evropian e përshkroi infrastrukturën si një pjesë integrale të TEN-T dhe një projekt kryesor të Global Gateway. Marrëveshja hoqi një pengesë të madhe diplomatike, por rreziqet inxhinierike dhe të zbatimit mbeten. Ndërtimi i tuneleve, urave dhe shinave mund të vonohet për shkak të kushteve gjeologjike, mosmarrëveshjeve të prokurimit, inflacionit dhe performancës së kontraktorit. Më e rëndësishmja, punimet e inxhinierisë civile vetëm nuk mund të garantojnë lëvizshmërinë ushtarake. Linja duhet të jetë gjithashtu e pajisur me një sistem sinjalizimi të pajtueshëm, elektrifikim, kapacitet të ngarkesës së boshtit, shina parakalimi, pajisje rikuperimi dhe procedura të përshpejtuara kufitare”.

The post ”Il sole 24 ore”: Shqipëria pjesë e rëndësishme e arkitekturës së re strategjike të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Reforma Territoriale, KiE: Forcim financiar dhe administrativ i bashkive, jo centralizim

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Këshilli i Evropës paralajmëron se bashkimi i bashkive në Shqipëri duhet të paraprihet nga një analizë e hollësishme e reformës së vitit 2015 dhe nga konsultime reale me komunitetet e prekura.

Në një raport paraprak të përgatitur nga raportuesit Anders Knape dhe Soren Schumacher në marsin e vitit 2026 theksohet se dobësitë e pushtetit vendor nuk duhet të çojnë në centralizim, por në forcimin financiar dhe administrativ të bashkive.

Raportuesit thonë se pushteti vendor ka pasur vetëm informacion minimal dhe paralajmërojnë se Karta Evropiane nuk i ndalon bashkimet ose ndryshimet e kufijve territorialë por ajo kërkon që komunitetet e prekura të konsultohen paraprakisht.

“Ekziston rreziku që gjatë përgatitjes së reformës territoriale të planifikuar për vitin 2026 të zhvillohen vetëm konsultime formale dhe jo thelbësore, nëse qeveria synon të respektojë afatin e njoftuar për zbatimin e saj”, thuhet në draft report.

Dokumenti evidenton gjithashtu një mospërputhje ndërmjet synimit për bashki më të mëdha dhe vazhdimit të centralizimit të shërbimeve publike, si menaxhimi i mbetjeve, ujit dhe arsimit.

“Për një sërë funksionesh të detyrueshme, njësitë e qeverisjes vendore nuk zotërojnë kompetenca të plota dhe ekskluzive, por kufizohen në zbatimin mekanik ose në funksione të mirëmbajtjes institucionale. Si rrjedhojë, Shqipëria nuk po përfiton plotësisht nga parimi i subsidiaritetit”, vijon dokumenti.

Raportuesit kundërshtojnë logjikën sipas së cilës paaftësia ose dobësia e disa bashkive duhet të çojë në marrjen e kompetencave nga qeveria qendrore.

“Megjithatë, në përputhje me frymën e Kartës, përgjigjja e duhur ndaj këtyre sfidave nuk është centralizimi, por zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe financiare të njësive përkatëse të qeverisjes vendore”, thuhet në raport.

Raporti kërkon që reforma të mos kufizohet vetëm te numri dhe kufijtë e bashkive. Ajo duhet të trajtojë edhe të ardhmen e 12 qarqeve, ku theksohet se qarqet nuk mund të konsiderohen njësi të plota të vetëqeverisjes vendore në frymën e Kartës.

/Shqiptarja.com/

The post Reforma Territoriale, KiE: Forcim financiar dhe administrativ i bashkive, jo centralizim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Spitali i Durrësit hedh poshtë pretendimet: 52-vjeçari Artan Andoni ndodhet i shtruar në reanimacion

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Spitali Rajonal i Durrësit sqaroi sot se 52-vjeçari Artan Andoni ndodhet i shtruar në Reanimacion, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.

Reagimi vjen pa pretendimeve në rrjetet sociale se pacienti ishte lënë pa shërbim shëndetësor.

Kirurgu Naim Mediu shpjegon ndërhyrjen vaskulare të kryer, ecurinë e trajtimit dhe gjendjen aktuale të pacientit.

“Gjendja e pacientit është shumë e mirë pas ndërhyrjes që ka bërë sot rreth orës 02:00 mbasdite deri nga orën 04:00. Pavarësisht nga lloji i operacionit ka pasur një ecuri të mirë postoperatore. Pacienti jo vetëm që është gjallë po dhe në parametra shumë të mirë. Është zgjuar aktualisht në dhomën e terapisë intensive aty ku qëndrojnë të gjithë të sëmurët që kryejnë një operacion të tillë”, tha mjeku.

Spitali hedh poshtë gjithashtu pretendimet se pacienti ka humbur jetën apo është lënë në rrugë, duke sqaruar se çdo procedurë është ndjekur në përputhje me protokollet dhe në koordinim me shërbimin social, Policinë e Shtetit dhe familjarë.

/m.m/j.p/

The post Spitali i Durrësit hedh poshtë pretendimet: 52-vjeçari Artan Andoni ndodhet i shtruar në reanimacion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – SHBA sanksione të reja ndaj Iranit

UASHINGTON, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër dy kompani të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), të cilat sipas Uashingtonit u imponojnë anijeve tregtare pagesa sigurimi për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se kompanitë “Persian Gulf Marine Insurance Company” dhe “HormuzSafe Marine Services Authority” pretendojnë se ofrojnë mbulim sigurimi për rreziqe si konfiskimi i anijeve, ndërkohë që këto rreziqe, sipas SHBA-së, krijohen kryesisht nga vetë Irani.

Autoritetet amerikane i akuzojnë gjithashtu këto kompani se gjenerojnë të ardhura përmes këtij mekanizmi dhe pranojnë pagesa në valuta digjitale për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Iranin të mbajë peng tregtinë globale apo të shfrytëzojë transportin detar ndërkombëtar për të financuar aktivitetet e Gardës Revolucionare, të cilat Uashingtoni i cilëson si terrorizëm, agresion dhe represion.

Në të njëjtën kohë, SHBA-ja vendosi masa edhe ndaj anijeve të ashtuquajturës “flotë në hije”, të përdorura për transportimin e miliona fuçive naftë bruto dhe produkteve të naftës iraniane. Departamenti i Thesarit identifikoi tetë kompani transporti detar që, sipas tij, kanë dërguar naftë iraniane nën sanksione drejt Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Irani pretendon autoritet mbi këtë rrugë strategjike detare, ndërsa SHBA-ja deklaron se synon të garantojë lirinë e lundrimit ndërkombëtar, e cila, sipas saj, është cenuar që nga përshkallëzimi i konfliktit mes dy vendeve. /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – SHBA sanksione të reja ndaj Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌