Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE

TIRANË, 1 janar/ATSH. Presidenti Bajram Begaj i uroi sot suksese dhe arritje sa më të mira presidencës qipriote të Bashkimit Evropian për gjysmën e parë të vitit 2026.

Begaj vlerësoi se Qipro merr presidencën e BE-së, në këto momente shumë të rëndësishme për Evropën dhe për mbarë botën.

Presidenti shprehu bindjen se presidenca qipriote e BE-së do të jetë e përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

/m.m/a.f/

The post Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – CIA hedh poshtë sulmin e pretenduar të Ukrainës ndaj rezidencës së Putinit

UASHINGTON, 1 janar /ATSH-DPA/- Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) ka arritur në përfundimin se Ukraina nuk e ka shënjestruar presidentin rus, Vladimir Putin ose një nga rezidencat e tij në një sulm të fundit me dron, raportuan sot mediet amerikane.

Media të ndryshme, përfshirë “Wall Street Journal”, si dhe transmetuesit PBS dhe CNN, cituan zyrtarë të paidentifikuar të qeverisë amerikane në raportet e tyre të publikuara të dje në mbrëmje, duke kundërshtuar akuzat serioze të bëra nga Moska në fillim të javës.

Fillimisht, presidenti i SHBA-së Donald Trump kritikoi gjithashtu Ukrainën për sulmin e supozuar – pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kievi ka mohuar fuqimisht, sulmin ndaj një prej rezidencave të Putinit, duke thënë se ky ishte një pretekst rus – për të vazhduar luftën kundër Ukrainës – pavarësisht negociatave të vazhdueshme për paqe dhe gjithashtu për të shënjestruar sërish ndërtesat qeveritare në Kiev me raketa.

Rusia paraqiti dje prova të mundshme të sulmit për herë të parë, duke përfshirë mbetjet e një droni të supozuar ukrainas.

Shumë ekspertë dyshojnë se sulmi i përshkruar nga Rusia ka ndodhur siç është pretenduar.

Trump informohet nga shefi i CIA-s

Duke cituar zyrtarë amerikanë, “Wall Street Journal” raportoi se sulmi kontrovers me dron ukrainas kishte për qëllim objektivin ushtarak në të njëjtin rajon me një nga rezidencat e Putinit – por jo pranë pronës.

“Kjo mbështetet edhe nga një analizë e CIA-s”, tha raporti.

PBS dhe CNN raportuan se Trump ishte informuar dje nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, në lidhje me zbulimet e shërbimeve sekrete.

Po atë ditë, Trump ndau papritur një artikull nga “New York Post” që ishte shumë kritik ndaj Rusisë në platformën e tij, “Truth Social”.

“New York Post” e portretizoi Putinin si pengesën e vërtetë në rrugën drejt paqes dhe e kritikoi ashpër atë në raport. //a.i/

The post SHBA – CIA hedh poshtë sulmin e pretenduar të Ukrainës ndaj rezidencës së Putinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Zohran Mamdani betohet si kryebashkiak i Nju Jorkut

NJU JORK, 1 janar /ATSH-DPA/- Zohran Mamdani u betua sot si kryetar bashkie i qytetit të Nju Jorkut – duke u bërë myslimani dhe drejtuesi më i ri ndër breza – që bën betimin në qytetin më të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mamdani, 34 vjeç u betua pak pas mesnatës (05:00 GMT) në prani të prokurores së Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut, Letitia James në një ceremoni të vogël në metronë “Old City Hall”.

Mamdani, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij Rama Duwaji, tha se detyra e tij e re ishte një nderi dhe privilegji.

Në fjalët e tij të para si kryetar bashkie, Mamdani njoftoi gjithashtu emërimin e një komisioneri të ri të Transportit.

Një ceremoni e dytë publike betimi me dhjetëra mijëra të ftuar është planifikuar sot në mbrëmje në Bashkinë e Nju Jorkut, ku senatori i krahut të majtë, Bernie Sanders do të administrojë betimin dhe kongresmenja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez do të mbajnë një fjalim.

Një festival publik është planifikuar më pas rreth Bashkisë së Qytetit.

Mamdani fitoi zgjedhjet në fillim të nëntorit, duke siguruar një mandat 4-vjeçar si kryetar bashkie.

Marrja e detyrës në ndërrimin e vitit është një traditë e gjatë në Nju Jork.

Paraardhësi i Mamdani, Eric Adams, bëri betimin e tij të parë në “Times Square”. //a.i/

The post SHBA – Zohran Mamdani betohet si kryebashkiak i Nju Jorkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, humbin jetën 3 të rinj

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Një aksident i rëndë me pasojë tre viktima ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur Bypassi.

Rreth orës 03:18, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.

“Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njofton policia.

/m.m/a.f/

The post Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, humbin jetën 3 të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala: Kushte dinjitoze trajtimi dhe protokolle europiane në shëndetësi

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala u shpreh sot se në shëndetësi po punohet për protokolle europiane dhe kushte dinjitoze trajtimi, që askush të mos detyrohet të kërkojë ndihmë larg vendbanimit të tij.

Përmes një videomesazhi, Sala uroi në këtë fillimvit për një vit të ri të shëndetshëm dhe të paqtë në çdo familje shqiptare.

“Familja është vendi ku fillon gjithçka: kujdesi, forca, dashuria dhe shpresa. Është themeli mbi të cilin qëndron shoqëria jonë. Dua ta  nis me një falënderim të veçantë për ata që kujdesen për familjet tona edhe kur janë larg familjeve të tyre: mjekët, infermierët, stafet e urgjencës dhe profesionistët e qendrave rezidenciale. Ju jeni aty në momentet më të vështira, kur frika është e madhe dhe shpresa e brishtë. Falë jush, askush nuk ndihet vetëm”, u shpreh Sala.

Gjatë vitit që sapo lamë pas, Sala vlerësoi se është punuar si një ekip për të çuar përpara sfidat tona të përbashkëta në sistemin shëndetësor, ku në qendër është pacienti.

Ministrja theksoi se shëndeti nuk është vetëm një shërbim. “Është siguria që një prind ndien për fëmijën e tij. Është dinjiteti i një të moshuari. Është besimi se shteti është pranë  grupeve të margjinalizuara me përgjegjësi”, u shpreh Sala.

Sipas saj, shëndeti nuk fillon në spital, por fillon në familje. “Në kujdesin për njëri-tjetrin. Në solidaritet. Në bindjen se një shoqëri e fortë ndërtohet mbi familje të forta”, u shpreh ajo.

/m.m/a.f/

The post Sala: Kushte dinjitoze trajtimi dhe protokolle europiane në shëndetësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Nga sot, 1 janar 2026, hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Rritja e pagës minimale reflekton vijimësinë e politikave për rritjen graduale të të ardhurave dhe mbrojtjen e punëmarrësve.

Në vitet e fundit, paga minimale ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritjeje, si përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe nevojës për forcimin e mirëqenies sociale.

Nga 24 mijë lekë në vitin 2017, përmes rritjeve të vazhdueshme ndër vite, paga minimale arrin në 50 mijë lekë në vitin 2026, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat.

Parashikimi afatmesëm i qeverisë është për ta çuar pagën minimale në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

/m.m/a.f/

The post Hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZVICËR – Disa dhjetëra të vdekur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana

SIERRE, 1 janar /ATSH/- Disa dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të plagosur janë raportuar, për shkak të një zjarri, në festën e Vitit të Ri, në vendpushimin zviceran të skive Crans-Montana.

Sipas BBC, ende nuk është bërë i ditur numri i saktë i të vrarëve.

“Zjarri filloi rreth orës 00:30 në një bar të quajtur “Le Constellation”, tha policia.

Shkaku nuk dihet, megjithëse policia fillimisht tha se kishte pasur një shpërthim.

Raportet lokale thonë se mund të ketë pasur piroteknikë të përfshirë – por kjo është e pakonfirmuar.

Shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje dhe detajet ende nuk dihen.

Një nga vendet më ekskluzive të Zvicrës, Crans-Montana, është i njohur për pamjet gjithëpërfshirëse që shtrihen nga Matterhorn në Mont Blanc. //a.i/

The post ZVICËR – Disa dhjetëra të vdekur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Si u bë 1 janari dita e parë e vitit

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Në shumë vende, viti i ri fillon më 1 janar. Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fakt, për shekuj me radhë, data të tjera shënonin fillimin e kalendarit, duke përfshirë 25 marsin dhe 25 dhjetorin.

Caktimi i 1 janarit si Dita e Vitit të Ri erdhi falë mbretit romak Numa Pompilius. Gjatë mbretërimit të tij (715–673 para Krishtit) Numa e rishikoi kalendarin republikan romak në mënyrë që janari të zëvendësonte marsin si muajin e parë. Ishte një zgjedhje e përshtatshme, pasi janari u emërua sipas Janusit, perëndisë romake të të gjitha fillimeve; ndërsa muaji mars ishte në nder të perëndisë së luftës, Marsit. Por 1 janari nuk u bë fillimi zyrtar i vitit romak deri në vitin 153 para Krishtit.

Në vitin 46 p.K Jul Cezari prezantoi më shumë ndryshime, megjithëse kalendari Julian, siç u bë i njohur, e mbajti 1 janarin si datën e nisjes së vitit. Me zgjerimin e Perandorisë Romake u përhap gjithashtu edhe përdorimi i kalendarit Julian.

Në vitin 1582, përveç zgjidhjes së problemit me vitet e brishta, kalendari Gregorian rivendosi 1 janarin si fillimin e Vitit të Ri. Ndërsa Italia, Franca dhe Spanja ishin ndër vendet që pranuan menjëherë kalendarin e ri, kombet protestante dhe ortodokse ishin të ngadalta në miratimin e tij. Britania e Madhe dhe kolonitë e saj amerikane nuk filluan të ndiqnin kalendarin Gregorian deri në vitin 1752. Përpara kësaj, ata festonin Ditën e Vitit të Ri më 25 mars.

Me kalimin e kohës, vendet jo të krishtera gjithashtu filluan të përdorin kalendarin Gregorian. Kina (1912) është një shembull i shquar, megjithëse vazhdoi të festonte Vitin e Ri Kinez sipas një kalendari hënor. Në fakt, shumë vende që ndjekin kalendarin Gregorian kanë edhe kalendarë të tjerë tradicionalë ose fetarë. Disa kombe nuk e përvetësuan kurrë kalendarin Gregorian dhe kështu e fillojnë vitin në data të tjera përveç 1 janarit. Etiopia, për shembull, feston Vitin e Ri (i njohur si Enkutatash) në shtator.

/j.p/r.e/

The post Si u bë 1 janari dita e parë e vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjipali për ATSH: Shqipëria në fazën më intensive të negociatave me BE-në

TIRANË, 1 janar /ATSH-Gjergji Mima/ Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe më intensive të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pas nisjes zyrtare të negociatave dhe hapjes së të gjithë grup-kapitujve.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori ekzekutiv i Institutit Europian të Shqipërisë (EMA), Gledis Gjipali, thekson se ky zhvillim përfaqëson një sinjal të fortë politik nga Bashkimi Evropian dhe një moment vendimtar për vendin, ku pritshmëritë janë rritur ndjeshëm, por bashkë me to edhe sfidat.

Sipas Gjipalit, Shqipëria ka kaluar nga faza e përgatitjes, në atë të zbatimit konkret të standardeve evropiane.

Procesi i mbylljes së kapitujve ka nisur paralelisht, por mbetet provizor deri në momentin e anëtarësimit të plotë.

“Kjo fazë kërkon jo vetëm angazhim politik, por edhe kapacitete reale administrative dhe qëndrueshmëri në reforma”, thekson ai.

Duke folur për sfidat kryesore që ndikojnë ritmin e negociatave, Gjipali nënvizon se ato janë si të brendshme, ashtu edhe të jashtme.

Në planin e brendshëm, problematikat lidhen me lodhjen nga reformat, mungesën e qëndrueshmërisë në zbatim, polarizimin politik dhe mungesën e dialogut konstruktiv, elementë që janë vërejtur edhe nga institucionet evropiane. Administrata publike mbetet një faktor kyç, pasi kapacitetet e saj do të përcaktojnë drejtpërdrejt ritmin real të negociatave. Ndërkohë, në planin e jashtëm, mekanizmi i vendimmarrjes së BE-së dhe mundësia e përdorimit të vetos nga shtetet anëtare mbeten rreziqe potenciale për vonesa, shprehet Gjipali për ATSH.

Sa i përket pritshmërive për përparim të shpejtë, Gjipali vlerëson se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është ambicioz, por jo i pamundur.

Ai thekson se historikisht asnjë vend nuk i ka përfunduar negociatat në një periudhë kaq të shkurtër, por konteksti aktual gjeopolitik, mbështetja e shtuar nga Bashkimi Evropian dhe disa reforma tashmë të konsoliduara e bëjnë këtë synim potencialisht të arritshëm, nëse rritet ritmi i zbatimit dhe forcohet bashkëpunimi politik e institucional.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan edhe konteksti gjeopolitik evropian.

Sipas Gjipalit, zgjerimi po shihet gjithnjë e më shumë si një instrument strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Kjo ka rritur gatishmërinë e BE-së për të përshpejtuar procedurat dhe për të dhënë sinjale të qarta politike mbështetëse, për sa kohë vendet kandidate përmbushin kushtet dhe janë në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit.

Sa i përket kapitujve më problematikë, Gjipali thekson se më sfiduesit mbeten ata që lidhen me sundimin e ligjit: drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, administrata publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike.

Këta kapituj kërkojnë jo vetëm ndryshime ligjore, por rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në praktikë, duke qenë se monitorohen vazhdimisht deri në anëtarësim dhe mund të rihapen në rast se vendi bën hapa pas në këtë drejtim.

Po ashtu, kapitujt që lidhen me mjedisin, sigurinë ushqimore dhe tregun kërkojnë investime të mëdha financiare dhe kapacitete të forta administrative për zbatimin e standardeve të reja evropiane.

Në këtë kontekst, Gjipali nënvizon se suksesi i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të varet nga serioziteti në zbatim, bashkëpunimi politik dhe aftësia për ta kthyer procesin e integrimit në një projekt të përbashkët kombëtar. /r.e/

The post Gjipali për ATSH: Shqipëria në fazën më intensive të negociatave me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Qiproja merr presidencën e radhës të BE-së

BRUKSEL, 1 janar /ATSH/ – Qiproja merr sot zyrtarisht Presidencën e Këshillit të BE-së për herë të dytë që nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, në vitin 2004.

Presidenca e Qipros do të fillojë mes sfidave në rritje për Evropën si paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, lufta e Rusisë kundër Ukrainës që po i afrohet vitit të katërt, kërcënimet ndaj sigurisë në rritje, uniteti transatlantik nën presion dhe një BE që synon të forcojë konkurrencën në një mjedis gjeo-ekonomik gjithnjë e më kërkues.

Duke u bazuar në punën e presidencës daneze në largim dhe duke iu përgjigjur këtyre presioneve, siguria dhe mbrojtja pritet të mbeten lart në agjendën e BE-së.

Avancimi i zgjerimit, arritja e konsensusit mbi politikën e migracionit dhe drejtimi i negociatave të vështira mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare (MFF) do të kërkojnë gjithashtu vëmendje të madhe, veçanërisht ndërsa kushtet fiskale të Evropës po përkeqësohen dhe modeli evropian po vihet nën presion nga fragmentimi i tregtisë globale./ a.jor.

The post FOKUS – Qiproja merr presidencën e radhës të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RETROSPEKTIVË 2025 – Të humburit e mëdhenj të vitit

PARIS, 1 janar /ATSH-AFP/ – Nga papa Françesku te Robert Redford, përfshirë Claudia Cardinale, Jane Goodall dhe Giorgio Armani, ja disa nga figurat e shquara që vdiqën në  vitin 2025:

JANAR

– 1: David LODGE, 89 vjeç, mjeshtri britanik i romanit akademik me një sens humori sarkastik

– 5: Costas SIMITIS, 88 vjeç, luftëtar i rezistencës kundër “juntës së kolonelëve” dhe kryeministri grek (1996-2004) i cili e udhëhoqi Greqinë në Eurozonë

– 7: Jean-Marie LE PEN, 96 vjeç, figurë e së djathtës ekstreme franceze dhe themelues i Frontit Kombëtar (FN)

– 13: Oliviero Toscani, 82 vjeç, fotograf italian

– 16: David Lynch, 78 vjeç, regjisor amerikan i “The Elephant Man”, “Mulholland Drive” dhe serialit kult “Twin Peaks”

– 30: Marianne Faithfull, 78 vjeç, këngëtare ikonike e ”Swinging London” dhe më vonë e skenës punk të Nju Jorkut

SHKURT

– 4: Karim Aga Khan IV, 88 vjeç, filantrop dhe udhëheqës shpirtëror i myslimanëve shiitë Nizari Ismaili

– 8: Sam Nujoma, 95 vjeç, presidenti i parë dhe babai i pavarësisë së Namibisë nga Afrika e Jugut në vitin 1990

– 18: Gene Hackman, 95 vjeç, aktor amerikan dhe figurë e New Hollywood, fitues i çmimit Oscar për “The French Connection” dhe “Ruthless”

PRILL

– 1: Val Kilmer, 65 vjeç, aktor amerikan, armiku i betuar i Tom Cruise në “Top” “Gun”

– 4: Amadou Bagayoko, 70 vjeç, këngëtar malian i cili, me gruan e tij Mariam, formoi një dyshe muzikore të verbër me sukses në mbarë botën (“A Sunday in Bamako”)

– 13: Mario Vargas Llosa, 89 vjeç, shkrimtar spanjollo-peruan, çmimi Nobel në Letërsi në 2010

– 21: Jorge Mario Bergoglio, 88 vjeç, papa Françesku, i zgjedhur në 2013, argjentinas dhe papa i parë jezuit, një reformator i njohur për sinqeritetin e tij që vendosi të margjinalizuarit në qendër të mesazhit të tij pa reformuar doktrinën tradicionale katolike

MAJ

– 13: José “Pepe” Mujica, 89 vjeç, president i Uruguait (2010-2015), ish-luftëtar guerilas i së majtës latino-amerikane, i njohur me nofkën “presidenti më i varfër në botë”

– 23: Sebastiao Salgado, 81 vjeç, fotograf franko-brazilian, i njohur për fotografitë e tij të tragjedive njerëzore dhe planetit

– 23: Mohamed Lakhdar Hamina, 95 vjeç, regjisor filmash algjerian. i vetmi regjisor arab dhe afrikan që fitoi Palmën e Artë në Kanë për “Kronikën e Viteve të Prushit” (1975)

– 30: Étienne-Émile Baulieu, 98 vjeç, shpikësi i pilulës së abortit

QERSHOR

– 3: Edmund White, 85 vjeç, romancier amerikan, një figurë kryesore në letërsinë LGBT+

– 9: Frederick Forsyth, 86 vjeç, mjeshtër i romanit britanik të spiunazhit, autor i “Dita e Çakallit” (1971)

– 11: Brian Wilson, 82 vjeç, muzikant amerikan, themelues i ”Beach Boys”

– 23: Lea Massari, 91 vjeç, aktore italiane e njohur për filma të tillë si “L’Avventura” dhe “Murmur of the Heart”

– 26: Lalo Schifrin, 93 vjeç, kompozitor i muzikës së shumë filmave, përfshirë atë të “Mission: Impossible”

KORRIK

– 22: Ozzy Osbourne, 76 vjeç, këngëtar britanik i ”Black Sabbath”, një nga grupet pioniere të hard rock-ut

– 24: Hulk Hogan, 71 vjeç, legjendë dhe aktor amerikan i catch-it

– 31: Bob Wilson, 83 vjeç, regjisor amerikan i njohur për krijimet e tij origjinale në teatër dhe opera

GUSHT

– 6: Eddie Palmieri, 88 vjeç, pianist amerikan dhe muzikant legjendar i salsës që revolucionarizoi muzikën latine

– 7: Jim Lovell, 97 vjeç, astronaut amerikan dhe komandant i misionit ”Apollo 13” që pothuajse përfundoi në katastrofë në vitin 1970

– 17: Terence Stamp, 87 vjeç, aktor britanik, ikonë e “Vitet Sixties”

SHTATOR

– 4: Giorgio Armani, 91 vjeç, stilist italian i modës, ikonë mode dhe ndërtues i një perandorie mallrash luksoze

– 6: Rosa Roisinblit, 106 vjeçe, figurë emblematike kundër diktaturës argjentinase

– 6: Rick Davies, 81 vjeç, këngëtar britanik, bashkëthemelues i grupit rock ”Supertramp”

– 10: Charlie Kirk, 31 vjeç, influencues amerikan dhe aktivist konservator, aleat i Donald Trump, u qëllua për vdekje

– 16: Robert Redford, 89 vjeç, aktor kryesor amerikan i filmit, i përkushtuar ndaj të majtës dhe një kumbar i vërtetë i kinemasë së pavarur në Shtetet e Bashkuara

– 23: Claudia Cardinale, 87 vjeç, aktore italiane e cila u bë shtetase franceze e natyralizuar, ikonë e kinemasë italiane dhe muzë e disa prej regjisorëve më të mëdhenj

TETOR

– 1: Jane Goodall, 91 vjeç, primatologe britanike, figurë emblematike e kauzës mjedisore dhe ambasadore për shimpanzetë

– 11: Diane Keaton, 79 vjeç, aktore amerikane, e njohur për filmat e saj me Woody Allen dhe rolin e saj në “Kumbari”

NËNTOR

– 3: Dick Cheney, 84 vjeç, ish-nënpresident nën George W. Bush (2001-2009), i konsideruar si një nga nënpresidentët më të fuqishëm amerikanë

– 6: James Watson, 97 vjeç, bashkëzbulues i strukturës së ADN-së dhe laureat i çmimit Nobel në Mjekësi, i njohur gjithashtu për vërejtjet e tij seksiste dhe raciste

– 24: Jimmy Cliff, 81 vjeç, këngëtar xhamajkan dhe legjendë e reggae.

– 29: Tom Stoppard, 88 vjeç, dramaturg britanik, i vlerësuar veçanërisht për “Shakespeare in Love”

DHJETOR

– 5: Frank Gehry, 96 vjeç, arkitekt amerikano-kanadez, veçanërisht përgjegjës për muzeun ”Guggenheim” në Bilbao

– 6: Martin Parr, 73 vjeç, fotograf dokumentarësh britanik

– 14: Rob Reiner, 78 vjeç, regjisor amerikan filmash, regjisor i “When Harry Met Sall”, dhe gruaja e tij, fotografja Michele Singer, 68 vjeç, u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre.

28: Brigitte Bardot, 91 vjeçe, aktorja franceze, e njohur për rolet e saj në “Dhe Zoti krijoi gruan” dhe “Përçmim”, vdiq në rezidencën e saj të famshme, ”La Madrague”, në Saint-Tropez, në jug të Francës./  a.jor.

The post RETROSPEKTIVË 2025 – Të humburit e mëdhenj të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RETROSPEKTIVË 2025 – Momentet më të mira dhe më të këqija sportive të globit

LONDËR, 1 janar /ATSH-DPA/ – Ka qenë një tjetër vit me drama sportive, nga kulmet e triumfit të Anglisë në Euro 2025 për femra deri te finalja e tensionuar e F1.

Momentet më të mira 

  • McIlroy vulos Grand Slam-in e tij

Rory McIlroy përfundoi Grand Slam-in e karrierës në prill, duke mposhtur Justin Rose në një play-off dramatik në The Masters. McIlroy kishte humbur një epërsi prej dy goditjesh gjatë natës me një double bogey në vrimën e parë të raundit të tij të fundit, e rikuperoi dhe më pas lejoi një epërsi prej katër goditjesh gjatë gjashtë vrimave të fundit ndërsa Rose e detyroi të kalonte në play-off. Por McIlroy më pas shënoi në të 18-tin për të fituar titullin e tij të pestë të madh, dhe të parin që nga viti 2014.

  • Littler bën historinë në darts

Luke Littler u bë fituesi më i ri i Kampionatit Botëror PDC në janar me një fitore dominuese 7-3 ndaj Michael van Gerwen, ende tre javë para ditëlindjes së tij të 18-të. Një vit pasi humbi finalen e eventit ndaj Luke Humphries, Littler mundi fituesin e mëparshëm më të ri – Van Gerwen u bë kampion në moshën 24 vjeç në 2014 – me një mesatare prej 102 dhe 12 180.

  • Skuadra e Evropës vazhdon

Dita e fundit e Kupës së 45-të Ryder ishte një për të gjithë. Përballë turmave frikësuese të Nju Jorkut, ekipi i Evropës mbajti një avantazh prej 11.5-4.5 – epërsia më e madhe në historinë evropiane – përpara se Ekipi Amerika të eliminohej për të kërcënuar rikthimin më të madh ndonjëherë në Kupën Ryder. Por goditja e Shane Lowry në vrimën e fundit e bëri atë të përgjysmohej me Russell Henley dhe Ekipi i Evropës mori fitoren e tyre të parë jashtë fushe në Kupën Ryder që nga viti 2012, 15-13.

  • Një finale e tensionuar e F1

Për herë të parë që nga viti 2010, sezoni i Formula 1 pa më shumë se dy pilotë ende në garë për titullin botëror duke shkuar në Çmimin e Madh të fundit. Max Verstappen kishte qenë 104 pikë prapa në gusht, por shkoi në Abu Dhabi vetëm 12 pikë prapa Lando Norris, me Oscar Piastri pak prapa. Gara e fundit ishte në fund të fundit e drejtpërdrejtë – me vendin e tretë të mjaftueshëm për Norris edhe pse Verstappen fitoi – por tensioni shkoi deri në xhiron e fundit.

  • Chloe Kelly siguron fitoren e Anglisë

Chloe Kelly goditi penalltinë fituese ndërsa Anglia mundi kampionët e botës Spanjën në penallti për të fituar Euro 2025 dhe për të mbrojtur kurorën e tyre. Ishte veçanërisht e veçantë për Kelly pas një sezoni të vështirë personalisht, por e gjithë skuadra e Anglisë shkëlqeu. Hannah Hampton bëri pritje kyçe në ndeshje dhe pastaj përsëri gjatë penalltive.

Momentet më të këqija

  • Vdekja e Diogo Jota

Më 3 korrik, Diogo Jota po udhëtonte në veri përmes Spanjës me vëllanë e tij Andre Silva në kthimin e tij në Liverpool për stërvitje para sezonit. Por ”Lamborghini” i tyre pësoi një shpërthim gome duke shkaktuar një aksident që vrau të dy burrat. Jota, 28 vjeç dhe baba i tre fëmijëve, ishte martuar me partneren e tij prej kohësh Rute Cardoso vetëm 11 ditë më parë. Disa javë para kësaj, ai kishte ndihmuar Portugalinë të ngrinte Ligën e Kombeve, shumë shpejt pasi festoi titullin e Premier League të Liverpoolit.

  • Ricky Hatton gjendet i vdekur

Boksi humbi një nga personazhet e tij më të mëdhenj në shtator kur Ricky Hatton u gjet i vdekur në moshën vetëm 46 vjeç. I ashtuquajturi ”vrasësi me pagesë” kishte fituar titullin botëror të peshave të lehta në qytetin e tij të lindjes, Mançester, në qershor 2005 me fitoren ndaj Kostya Tszyu, dhe vazhdoi të kishte beteja të paharrueshme me Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao, por jashtë ringut ai ishte gjithashtu i hapur për luftimet që pati me problemet e shëndetit mendor.

  • Jess Carter u abuzua në mënyrë raciste

Para gëzimit të fitores së Anglisë me penallti ndaj Spanjës në finale, Euro 2025 u njollos nga një anë më e shëmtuar e lojës, pasi mbrojtësi i Anglisë, Jess Carter, iu nënshtrua abuzimit racist në internet, duke e bërë atë kohë 27-vjeçar të tërhiqej nga mediat sociale. Një burrë u arrestua në gusht në lidhje me abuzimin drejtuar Carter./  a.jor.

The post RETROSPEKTIVË 2025 – Momentet më të mira dhe më të këqija sportive të globit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 01/01/2026

BOTË – Dita e Vitit të Ri.

NJU JORK (Shtetet e Bashkuara) – Zohran Mamdani merr detyrën si kryetar bashkie i Nju Jorkut.

BOTA – Publikimi i episodit të fundit të serialit të famshëm të Netflix “Stranger Things”.

PHENIAN (Koreja e Veriut) – Fjalimi i Vitit të Ri nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un.

NIKOZIA (Qipro) – Qiproja merr presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.

SOFJE (Bullgari) – Bullgaria bëhet vendi i 21-të në Eurozonë.

BRUKSEL (Belgjikë) – Mekanizmi i Rregullimit të Kufijve të Karbonit i BE-së (CBAM), i cili takson importet ndotëse, hyn në fazën e tij përfundimtare.

OSLO (Norvegji) – Kërkesë për zero emetime për anijet turistike nën 10 000 tonë, që lundrojnë në fjorde të mbrojtura.

VATIKAN (Selia e Shenjtë) – Papa Leone XIV feston Ditën Botërore të Paqes në Bazilikën e Shën Pjetrit.

BERLIN (Gjermani) – Fjalimi i Vitit të Ri nga kancelari Friedrich Merz.

DAMASK (Siri) – Banka Qendrore lançon një monedhë kombëtare të re, të ridizajnuar.

BRAZILIA (Brazil) – Ish-presidenti Jair Bolsonaro pritet të lirohet nga spitali dhe të kthehet në paraburgim./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 01/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i Ri 2026 nis me diell dhe temperatura të ulëta

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se viti i ri do të nisë me mot me diell, ndërsa temperaturat do të jenë në rënie.

Sipas njoftimit, dita e enjte do të karakterizohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme në të gjithë vendin. Moti parashikohet i kthjellët, me vranësira të pakta kalimtare, kryesisht në relievet malore lindore. Në akset rrugore malore parashikohen ngrica, ndërsa në zonat luginore do të ketë mjegull të dendur në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.

Era do të fryjë kryesisht nga verilindja – juglindja me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa në vijën bregdetare dhe zonat luginore era mund të arrijë deri në 9 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:
Shkodër: -3/6°C, diell
Kukës: -6/5°C, diell
Lezhë: -2/6°C, diell
Dibër: -7/2°C, diell
Durrës: -2/11°C, diell
Tiranë: -3/10°C, diell
Elbasan: -2/9°C, diell
Berat: -5/11°C, diell
Vlorë: 0/12°C, diell
Korçë: -6/6°C, diell
Gjirokastër: -2/6°C, diell
Sarandë: 2/13°C, diell

/r.e/

The post Viti i Ri 2026 nis me diell dhe temperatura të ulëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

20 të lënduar nga fishekzjarrët gjatë ndërrimit të viteve, pa rrezik për jetën

TIRANË, 1 janar/ATSH/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, takuan shërbimet e Policisë Rrugore të planifikuara në shërbim gjatë natës së ndërrimit të viteve, si dhe të Sallës së Komandimit të DVP Tiranë.

Gjatë takimit me punonjësit e Policisë Rrugore, Drejtori Proda i uroi Gëzuar Vitin e Ri dhe, nëpërmjet tyre, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, në veçanti ata që janë në shërbim, duke i falënderuar për përkushtimin dhe sakrificën e treguar në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

Drejtori Proda theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit, duke nënvizuar se çdo kontroll ka për qëllim shpëtimin e jetëve. Ai kërkoi profesionalizëm, korrektësi, komunikim me etikë dhe kujdes maksimal për veten dhe për njëri-tjetrin.

Në momentin e ndërrimit të viteve, Drejtori i Përgjithshëm inspektoi Sallën e Komandimit të DVP Tiranë, ku vlerësoi rolin kyç të kësaj strukture në menaxhimin e situatave operative.

Ai theksoi se çdo telefonatë dhe çdo informacion duhet të vlerësohet me seriozitet maksimal, pasi reagimi në kohë dhe koordinimi i saktë me patrullat në terren janë vendimtarë për parandalimin e ngjarjeve.

Gjatë festimeve për ndërrimin e viteve, si pasojë e hedhjes së fishekzjarrëve, deri në orën 01:30 të datës 01.01.2026, në rang vendi janë raportuar 20 shtetas të lënduar, pa rrezik për jetën, si dhe një e mitur 13-vjeçare, e cila ka pësuar gërvishtje në parakrah, dyshohet nga një plumb qorr, në Vaqarr (16 raste në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Fushë-Arrëz dhe 1 në Korçë)

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e qarkullimit rrugor, të ambienteve ku zhvillohen festime dhe të gjithë territorit.

Policia e Shtetit ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Me besim dhe bashkëpunim për më shumë siguri.

/a.f/

The post 20 të lënduar nga fishekzjarrët gjatë ndërrimit të viteve, pa rrezik për jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atmosferë festive në sheshin e Prishtinës, qytetarët optimistë për Vitin e Ri

PRISHTINË, 1 janar/ATSH/ Qytetarë të shumtë të kryeqytetit zgjodhën që festën e ndërrimit të viteve ta kalojnë në sheshin e Prishtinës. Në atmosferë festive qytetarët u shprehën optimistë për vitin e ri duke rrëfyer të mirat dhe sfidat e vitit që lamë pas, transmeton KosovaPress.

Qytetari, Rexhep Takaj tha se shpreson që në vitin tjetër të ketë më shumë dashuri dhe respekt mes njëri-tjetrit.

“Viti i kaluar ishte mirë, ishalla ky vit të ri edhe më mirë veç shumë suksese e shumë shëndet. Ishalla populli ia nis me falenderuar gjithkënd dhe me dashtë njëri-tjetrin, kemi ndryshuar sepse parja na ka prish të gjithëve, shumë keq”, tha ai.

Një qytetar nga Zvicra i cili atmosferën e vitit të ri zgjodhi ta festojë në mesin e bashkëatdhetarëve tha se atmosfera festive ishte e mirë. “Kemi ardhur nga Zvicra, shumë mirë kemi kaluar”, tha një qytetar tjetër nën atmosferën festive të kryeqytetit.

Qytetari, Genc Gashi tha se në vitin 2026 pret që gjërat të jenë më mirë se në vitin që lamë pas. “Po kalojmë shumë mirë, po presim më mirë në vitin e ri”, tha Genc Gashi.

Në mesin e qytetarëve që kishin zgjedhur të festonin në Prishtinë ishte edhe Adis Veseli nga Maqedonia e Veriut, i cili tha se atmosfera ishte shumë e mirë, teksa nga viti i ri pret më shumë punë. “Mirë super, viti i kaluar ishte mirë nuk ishte keq. Presim me punuar me i marr sendet me ren”, Adis Veseli nga Maqedonia.

/Kosovapress/

The post Atmosferë festive në sheshin e Prishtinës, qytetarët optimistë për Vitin e Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i Ri mirëpritet me spektakël fishekzjarresh në Shqipëri. ATSH ju uron Gëzuar 2026-ën!

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Shqipëria ka lënë pas vitin 2025, duke hyrë zyrtarisht në Vitin e Ri 2026.

Festa kulmoi në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet ku Viti i Ri u prit me një koncert madhështor i cili nisi në orën 22:00 dhe vijoi deri në orët e vona pas mesnate.

Qytetarë tê shuntë u mblodhën për të festuar bashkë momentin magjik të ndërrimit të viteve.

Atmosfera festive u ndez nga performancat e artistëve të njohur, duke i dhuruar publikut një mbrëmje të paharrueshme mes muzikës, dritave dhe fishekzjarrëve.

E pranishme ne sheshin “Skënderbej” ishte dhe kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani.

Ajo theksoi se “këtë vit kemi vendosur që privilegjin t’ia japim atyre që kanë punuar më shumë jo vetëm për qytetin, por për të ardhmen e të gjithë gjithë Shqipërisë, ndaj ju lutem bashkohuni me mua që të mirëpres këtu në skenë për të numëruar mbrapsht Vitin e Ri të gjithë maturantët e shkëlqyer të qytetit të Tiranës, fytyra më e bukur e qytetit Iva, Ajla, Dea”.

“Ka një arsye pse ky qytet nderon ata që përpiqen më shumë dhe këta çuna dhe goca që po futen në jetën e të rriturve sot do të numërojnë mbrapsht për Tiranën, për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh Ristani.

Një spektakël fishekzjarrësh ndriçoi Tiranën gjatë momentit të ndërrimit të viteve.

Viti i Ri 2026 u prit me spektakël fishekzjarresh edhe në qytete të tjera të vendit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare uron të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për një vit sa më të mbarë e të begatë.

/gj.m/a.f/

The post Viti i Ri mirëpritet me spektakël fishekzjarresh në Shqipëri. ATSH ju uron Gëzuar 2026-ën! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy vajza, bebet e para të lindura në 2026-ën

TIRANË, 1 janar /ATSH/  Dy vajza janë bebet e para që erdhën në jetë në orët e para të vitit 2026 në kryeqytet.

Njëra prej tyre lindi në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Kryeministri Edi Rama u uroi mirëseardhjen foshnjeve të para të vitit 2026,

/gj.m/

The post Dy vajza, bebet e para të lindura në 2026-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Erdogan: Nuk do të tolerojmë provokime dhe kërcënime në Mesdheun Lindor

STAMBOLL, 31 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Turqia nuk do ta tolerojë dhunën, piraterinë apo kërcënimet ndaj interesave të saj dhe të popullit turk qipriot në Mesdheun Lindor.

Në një mesazh të Vitit të Ri, ai theksoi se Ankaraja monitoron nga afër çdo provokim dhe do të veprojë për të mbrojtur atdheun blu të saj.

Erdogan u shpreh optimist për zhvillimet ekonomike, duke vënë në dukje përparimin në procesin e dezinflacionit, forcimin e rezervave të Bankës Qendrore dhe rritjen e prodhimit, investimeve, punësimit dhe eksportit.

Ai gjithashtu përmendi projektin e madh të banesave sociale, që synon të ndihmojë qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të ulë çmimet e banesave.

Presidenti kujtoi gjithashtu dëmet nga tërmetet e 6 shkurtit 2023 dhe përparimin e bërë në rindërtimin e qyteteve të goditura, duke falënderuar punëtorët dhe bamirësit që kontribuan në këtë proces.

Në aspektin rajonal, Erdogan nënvizoi mbështetjen e Turqisë për Sirinë dhe Gazën, duke theksuar kthimet vullnetare të sirianëve dhe përpjekjet për ndihmë humanitare në Gaza, si dhe rolin e Ankarasë në ruajtjen e armëpushimit dhe fillimin e rindërtimit.

Ai gjithashtu foli për përparimin e procesit të “Turqisë pa terror” dhe për bashkëpunimin e Aleancës Popullore, duke theksuar se qeveria do të bëjë gjithçka për të siguruar suksesin e këtij procesi.

Erdogan përfundoi mesazhin me një falënderim për qytetarët dhe mbështetësit e vizionit të Shekullit të Turqisë, duke uruar një Vit të Ri të begatë për vendin, rajonin dhe gjithë njerëzimin./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post TURQI – Erdogan: Nuk do të tolerojmë provokime dhe kërcënime në Mesdheun Lindor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VILNIUS – Lituania blen raketa suedeze për mbrojtje ajrore

VILNIUS, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ –  Lituania planifikon të blejë sisteme portative të mbrojtjes ajrore “RBS 70 NG” me vlerë mbi 320 milionë euro (375 milionë dollarë), për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Sipas deklaratave të ministrisë dhe kompanisë suedeze “Saab”, me të cilën është nënshkruar kontrata, marrëveshja, së bashku me kontrata të mëparshme, garanton furnizim të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura të Lituanisë me këtë armatim për periudhën 2026–2032.

“Forcimi i mbrojtjes ajrore është një nga prioritetet tona kryesore”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas.

Lituania tashmë disponon sisteme “RBS 70”, një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi, i cili lejon goditje efektive të objektivave ajrore si ditën ashtu edhe natën.

Sipas ministrisë, ky sistem u zgjodh për shkak të mirëmbajtjes së lehtë, lëvizshmërisë së lartë dhe avantazheve të tjera teknike.

Qeveria kishte njoftuar para Krishtlindjeve se planifikonte të blinte gjithashtu municione antitank dhe granatahedhës njëpërdorimësh, po ashtu nga kompania “Saab”.

Lituania, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë, aleate të Rusisë, e sheh luftën e Kremlinit në Ukrainë si një kërcënim të drejtpërdrejtë.

Që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, Vilniusi dhe kryeqytetet e tjera baltike kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre mbrojtëse.

Lituania pritet të shpenzojë vitin e ardhshëm 5,38% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VILNIUS – Lituania blen raketa suedeze për mbrojtje ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌