❌

Reading view

Helmohen gjashtë fëmijë në një kopsht në Korçë, procedohen mjekja dhe drejtoresha

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Gjashtë fëmijë të një kopshti publik në qytetin e Korçës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në kopsht.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht sot në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, mjeken dhe drejtoreshën e kopshtit ku qëndronin fëmijët, që u paraqitën në spital me helmim ushqimi.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë bën të ditur se “u proceduan penalisht E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë dhe M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit”.

Sipas Policisë, procedimi penal filloi pasi gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale.

Policia sqaron se mjekja nuk ka njoftuar Policinë, ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/k.s/r.e/

The post Helmohen gjashtë fëmijë në një kopsht në Korçë, procedohen mjekja dhe drejtoresha appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

PDK-ja kërkon miratimin e ligjit për Specialen para zgjedhjes së presidentit

PRISHTINË, 3 tetor /ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përsëritur të shtunën se është e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit të Kosovës, por vetëm pasi Kuvendi të miratojë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, se partia e tij mund të diskutojë për presidentin menjëherë pas miratimit të ligjit.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.

Ai tha se mes palëve janë zhvilluar biseda dhe se mbeten edhe disa ditë për të arritur një marrëveshje, por shtoi se nuk e di nëse ajo do të arrihet.

Hamza tha se kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk lidhet me nevojën e PDK-së për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së presidentit, por me rëndësinë që, sipas tij, kjo çështje ka përtej partisë.

Qeveria e Kosovës të premten vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Mendimi i Qeverisë i është dërguar Kuvendit, ndërsa ndryshimet ende nuk janë miratuar nga deputetët apo trajtuar nga komisioni parlamentar për legjislacion./REL/

The post PDK-ja kërkon miratimin e ligjit për Specialen para zgjedhjes së presidentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Jo në emrin tim”, nata e 18-të me të njëjtën kërkesë: Miratoni ndryshimet në Ligjin për Specialen

PRISHTINË, 3 tetor /ATSH/ Edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë u mbajt protesta “Jo në emrin tim” kundër aktgjykimit dënues ndaj drejtuesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Kërkesa jonë e 18 ditë, identiteti ynë kombëtar sot ndodhet në tavolinën e këtij Kuvendi. Gjaku i dëshmorëve, UÇK-ja sot është në tavolinën e këtij kuvendi. Ne sot kemi ardhur këtu për t’u thënë votojeni ligjin. Nuk do të mundin ta vendosin këtë ligj në bankën rezervë të politikës për politikat e tyre ditore e për pazare për president. Nuk do të ketë Kosova president të zgjedhur në krah të UÇK-së”, tha organizatori, Çlirim Haziri.

Edhe në këtë protestë ishte një pjesëmarrje masive e qytetarëve. Binte në sy pjesëmarrja posaçërisht e madhe e brezit të ri, madje shumë djemve dhe vajzave që kanë lindur pas luftës në Kosovë.

Ishte protesta e 18-të, që nisi të organizohej nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale në Hagë shpalli vendimin që shkaktoi valë reagimesh.

Protestuesit po kërkojnë miratimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

Protesta e sontme po mbahet pasi Qeveria e Kosovës vlerësoi mbrëmë në orë të vona se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

/KosovaPress/

The post “Jo në emrin tim”, nata e 18-të me të njëjtën kërkesë: Miratoni ndryshimet në Ligjin për Specialen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Qytetarët në ditën e 126-të në protestë para Kryeministrisë

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Në ditën e 126-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Me pankarta në duar protestuesit bënë thirrje kundër qeverisë Rama dhe shitjes së Shqipërisë, sipas tyre, përmes projekteve të ndryshme turistike.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh, në foltoren e improvizuar para Kryeministrisë, se “jemi edhe sonte këtu për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe gjithë kabinetit qeveritar. Qindra protestues janë mbledhur në Bruksel, për t’u thënë institucioneve të Europës të vërtetën për Shqipërinë”.

“Kjo protestë është e tillë se shqiptarët e kanë mësuar se liria, dinjiteti fitohen duke luftuar sistemin e korruptuar 36-vjeçar. Jemi këtu e do jemi këtu me qytetarë të revoltuar, se Shqipëria dhe shqiptarët kërkojnë revolucion”, tha Vatnikaj.

Ndërsa aktivisti Florian Haçkaj, nga lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë tha se “ky është një shtet që nuk funksionon për ne. Unë sot ju bëj thirrje që të jemi të bashkuar, që në Tiranë të bashkohet mbarë shqiptaria. Ne duam që të jemi bashkë që të zhduket kjo keqqeverisje”.

 

 

E nisur më 31 maj në kundërshtim të investimit në Zvërnec, protesta qytetare përgjatë këtyre muajve ka zgjeruar spektrin e kërkesave duke nisur nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”.

 

Dita e 126-të e protestës;fotoreporter: Florian Abazi
1 nga 12

/k.s/r.e/

The post Qytetarët në ditën e 126-të në protestë para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Tom Cruise surprizon britanikun që mblodhi fonde për bamirësi përmes sfidave ekstreme

LONDËR, 3 tetor /ATSH/ – Aktori amerikan Tom Cruise i ka bërë një surprizë një britaniku, i cili kaloi një vit duke realizuar një seri sfidash të vështira sportive, për të mbledhur fonde për bamirësi, raportoi AP.

Bëhet fjalë për Lloyd Kembrey, përgjegjës i ambienteve në Universitetin e Bristolit, i cili ndërmori sfidat për të mbledhur fonde për “Jessie May”, një organizatë bamirësie që ofron mbështetje për fëmijët që kanë nevojë për kujdes paliativ në shtëpi.

Nisma e Kembrey lidhej me historinë e kushërirave të tij binjake, Francesca dhe Josephine, të cilat u diagnostikuan me sëmundjen e tipit A të Sanfilippos, një sëmundje që kufizon jetëgjatësinë, kur ishin tre vjeç e gjysmë. Të dyja humbën jetën gjatë adoleshencës.

Për të nderuar kujtimin e tyre dhe për të mbështetur familje të tjera që përballen me situata të ngjashme, Kembrey ndërmori një sërë sfidash të qëndrueshmërisë fizike.

Ndër sfidat e tij ishin një ultramaratonë 31 milje, rreth 50 kilometra, me patina në akull në Finlandë, ngjitja në një mur artificial në një lartësi të barabartë me lartësinë e malit Everest, si dhe një ecje prej 94 miljesh, rreth 151 kilometrash, përgjatë bregdetit Jurassic në jug të Anglisë.

Për të shënuar përfundimin e sfidave, familja e Kembrey bashkëpunoi me ekipin e programit të BBC-së “The One Show” dhe nismën e tij “One Big Thank You”, duke organizuar një surprizë për të.

Kembrey u ftua në Londër me pretendimin se do të merrte pjesë në një intervistë, për një dokumentar mbi sfidat ekstreme dhe sportet e qëndrueshmërisë.

Por, në vend të intervistës së zakonshme, në dhomë hyri Tom Cruise, i cili kishte ardhur për ta falënderuar personalisht për përpjekjet e tij në mbledhjen e fondeve.

Pas takimit, Kembrey mori pjesë së bashku me një mik në premierën e filmit “Digger”, ku takoi edhe aktorë të tjerë, mes tyre John Goodman, Riz Ahmed dhe Jesse Plemons.

Ish-drejtori ekzekutiv i Jessie May, Daniel Cheesman, vlerësoi kontributin e Kembrey, duke theksuar se fondet e mbledhura prej tij, ndihmojnë organizatën të mbështesë drejtpërdrejt fëmijët në shtëpitë e tyre. //a.i/

The post Tom Cruise surprizon britanikun që mblodhi fonde për bamirësi përmes sfidave ekstreme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

ZAGREB – Kroacia ngre shqetësime për armatosjen e Serbisë

ZAGREB, 3 tetor /ATSH/ – Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se Kroacia po ndjek nga afër procesin e armatosjes së Serbisë, duke e përshkruar atë si një proces të gjerë të blerjes së armatimeve, raportoi agjencia kroate e lajmeve HINA.

Deklarata e Plenkoviç erdhi gjatë një takimi me kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, në Zagreb, pasi ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, e kishte cilësuar retorikën dhe forcimin ushtarak të Serbisë si gjithnjë e më agresiv.

“Është një proces i jashtëzakonshëm armatosjeje, pothuajse një valë e madhe blerjesh armatimesh nga vende të ndryshme të botës”, tha Plenkoviç, duke shtuar se vendet fqinje të Serbisë duhet të pyesin veten pse Beogradi po armatoset në këtë masë.

Kryeministri kroat tha se çështja e armatosjes së Serbisë, është diskutuar edhe në Këshillin e Mbrojtjes dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Kroacisë.

Sipas tij, Zagrebi po e diskuton këtë çështje edhe me partnerët e tij, të cilët janë në dijeni të situatës.

Plenkoviç tha gjithashtu se Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po kujdeset për sigurinë e saj dhe se buxheti i mbrojtjes është trefishuar gjatë 10 viteve të fundit.

Ai theksoi se kapacitetet që po ndërton Kroacia janë, sipas tij, një mjete parandaluese dhe nuk përbëjnë kërcënim për vendet e tjera.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, tha më herët, gjatë një konference ndërkombëtare për industrinë e mbrojtjes në Zadar, se Serbia është armatosur intensivisht gjatë 10 viteve të fundit, me sisteme ushtarake që ai i përshkroi si “shumë serioze” dhe sulmuese.

Anušić deklaroi se Kroacia do të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes, me synimin për të vendosur një ekuilibër të forcave të armatosura në rajon.

Ai tha gjithashtu se gjatë një viti, Kroacia ka nënshkruar kontrata me kompani kroate në vlerën e më shumë se 200 milionë eurove për pajisjen e Forcave të Armatosura kroate.

Deklaratat e zyrtarëve kroatë u bënë në kuadër të diskutimeve për sigurinë evropiane dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse. //a.i/

The post ZAGREB – Kroacia ngre shqetësime për armatosjen e Serbisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Trajneri Maran: Meritonim fitoren, edhe pse me dhjetë lojtarë

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Pas disfatës 2-1 ndaj Finlandës, trajneri i Kombëtares, Rolando Maran nuk e ka fshehur zhgënjimin.

Italiani, në një prononcim për medie pas takimit, u shpreh se skuadra meritonte fitoren, edhe pse luajti me 10 lojtarë.

Ai gjithashtu shtoi se ekipi u penalizua nga disa vendime të arbitrit, që sipas tij ishin të pakuptimta.

“Meritonim një rezultat shumë të mirë. Meritonim edhe fitoren, edhe pse luajtëm me 10 lojtarë. U penalizuam nga kartoni i kuq, por skuadra reagoi mjaft mirë.

Duhet t’i përmirësojmë disa gjëra. Por një paraqitje e tillë na bën të ecim përpara. Na penalizuan edhe disa vendime arbitrare që janë disi të pakuptueshme. Gjithsesi ne vazhdojmë të ecim përpara.

Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Na duhej Manaj në fushë, sepse është gjithmonë në kontakt me topin. Mund të shfrytëzonim dhe hapësirat që krijonte Muçi. Na penalizoi ndeshja, prandaj zëvendësuam edhe Hoxhën”, tha trajneri Maran.

Italiani vlerësoi paraqitjen e skuadrës, veçanërisht reagimin pas kartonit të kuq të Etrit Berishës, ndërsa theksoi se Shqipëria pësoi dy gola nga goditjet e dënimit dhe se kishte krijuar më shumë raste se kundërshtari.

“Është keqardhje shumë e madhe që të kthehemi në Tiranë pa asnjë rezultat pozitiv. Kemi luajtur duke merituar fitoren. Na u anulua edhe një penallti në favorin tonë. Është e dhimbshme që të kthehesh me zero pikë”, tha Maran.

The post Trajneri Maran: Meritonim fitoren, edhe pse me dhjetë lojtarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Polonia harton projektligj të ri për gatishmërinë mbrojtëse të shtetit

VARSHAVË, 3 tetor /ATSH/ – Ministria polake e Mbrojtjes po përgatit një projektligj për gatishmërinë e plotë të shtetit në rast lufte, me synimin për të përmirësuar organizimin e mbrojtjes dhe për të lehtësuar lëvizjen e trupave polake dhe aleate, sipas PAP (Agjencia Polake e Shtypit).

Projektligji është ende në fazën e konsultimeve të brendshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nuk dihet ende se kur do t’i paraqitet parlamentit.

Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, tha dje se ministria po punon për këtë legjislacion prej disa javësh.

Ministri polak i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri, Władysław Kosiniak-Kamysz tha se projektligji, i quajtur “ligji para luftës”, është hartuar duke marrë në konsideratë mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë.

Ai tha se përvoja e Ukrainës është analizuar për të identifikuar ndryshime, që mund të përshtaten me sistemin polak.

Sipas të dhënave të publikuara nga e përditshmja polake “Rzeczpospolita” dhe të konfirmuara nga zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligji parashikon mundësinë e lëvizjes më të hershme të trupave, përfshirë trupat aleate, si dhe planin polak të reagimit mbrojtës me sistemin e reagimit të NATO-s. Parashikohen gjithashtu masa për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme.

Projektligji synon gjithashtu të përcaktojë më qartë, funksionimin e strukturave shtetërore të përfshira në gatishmërinë dhe komandën e mbrojtjes, si dhe rregullat për personelin civil që punon në qendrat e komandës.

Ai parashikon ndryshime edhe në fushën e planifikimit operacional, trajnimeve dhe stërvitjeve të mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, Tomczyk konfirmoi se më 1 tetor hynë në fuqi procedura të reja ushtarake për identifikimin dhe rrëzimin e avionëve dhe raketave të huaja që shkelin hapësirën ajrore polake.

Sipas tij, në kushte të caktuara, vendimi për përdorimin e forcës, mund të bazohet në një kombinim të të dhënave, përfshirë informacionin nga radarët, hyrjen në një zonë të kufizuar dhe informacionin e marrë nga aleatët ukrainas për natyrën e objektit.

Ministri Kosiniak-Kamysz tha se masat synojnë të krijojnë rregulla të qarta për veprimin në situata që kërkojnë reagim të shpejtë. Ai përmendi si shembuj të kërcënimeve të sigurisë  shkeljet e hapësirës ajrore nga raketa të huaja, fluturimet e dronëve pranë kufirit, aktet e sabotimit, ndërhyrjet në sinjalet GPS dhe dëmtimet e kabllove nënujore në Detin Baltik. //a.i/

The post FOKUS – Polonia harton projektligj të ri për gatishmërinë mbrojtëse të shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mbi 20 mijë studentë të regjistruar deri në raundin e dytë, procesi deri më 21 tetor

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Raundi i dytë i regjistrimeve për në universitet mbyllet nesër, 4 tetor, ndërsa institucionet e arsimit të lartë po përgatiten për nisjen e vitit të ri akademik më 5 tetor.

Drejtori i rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj tha sot për mediet se deri tani janë regjistruar mbi 20 mijë studentë, por ende ka mundësi zgjedhje për maturantët që nuk kanë vendosur se çfarë do të vazhdojnë.

“Mbi 20 mijë maturantë do të ulen në auditoret e universiteteve më 5 tetor. Ka ende kuota të tjera të lira. Degët kryesore janë ezauruar si Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia. Gjithashtu edhe Inxhinieria dhe Informatika kanë shkuar drejt ezaurimit. Mund të ketë ketë ende ndonjë kuotë të lirë në këto programe, por ka akoma kuota të tjera në programe të tjera, si Ekonomiku, Juridik, Shkenca Sociale dhe Shkenca Politike”, theksoi Xhelaj.

Lidhur me procedimin e raundit të tretë Xhelaj tha se “faza e lirë, raundi i tretë, vijon me këtë procedurë: fillimisht, universitetet kanë detyrimin të vijojnë me listën vijuese, domethënë me ata maturantë që ishin në listat e pritjes. Nëse do të mbeten ende kuota të lira, atëherë universitetet mund të regjistrojnë edhe maturantë të tjerë ose aplikantë që nuk kishin aplikuar më parë për atë program, por që janë pjesë e portalit U-Albania”.

Ndërsa për programet që rezultojnë me një numër të reduktuar studentësh, Xhelaj thotë se universitetet mund të vendosin të bëjnë edhe riorganizimin tyre.

“Për ato programe që vërtet, ndër vite, kanë rezultuar problematike, disa universitete kanë reaguar dhe nuk i kanë ofruar fare si programe për këtë fillim viti akademik. Edhe pas analizës që bëjnë, ato programe shkurtohen dhe një pjesë e kurrikulës që vlen për studentët mund të kalojë në programe të tjera të ngjashme”, tha Xhelaj.

Viti i ri akademik nis më 5 tetor, ndërkohë që deri më tani rezulton pothuajse i njëjti numër studentësh të regjistruar me atë të një viti më parë. Pas përmbylljes së procesit të regjistrimit më 21 tetor parashikohet që ky numër të arrijë  mbi 21 mijë studentë.

/k.s/r.e/

The post Mbi 20 mijë studentë të regjistruar deri në raundin e dytë, procesi deri më 21 tetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA – Takim me dyer të mbyllura në Camp David, zyrtarët e lartë të Trump diskutojnë për Iranin dhe rebelët Houthi

UASHINGTON, 3 tetor /ATSH/ – Zyrtarët e lartë të administratës së presidentit amerikan Donald Trump u mblodhën dje në Camp David, Maryland, SHBA, për një takim me dyer të mbyllura, ku diskutuan luftën në Iran dhe konfliktin mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi në Jemen, raportoi “Axios”, duke cituar tre zyrtarë amerikanë.

Takimi zgjati disa orë dhe u drejtua nga zëvendësnpresidenti amerikan J.D. Vance.

Në të morën pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, dhe kryetari i Shefave të Shtabeve të Bashkuara, gjenerali Dan Caine.

Sipas zyrtarëve të cituar nga “Axios”, gjatë takimit u morën vendime ose, të paktën, u zhvilluan diskutime të hollësishme për krizën në Lindjen e Mesme.

Administrata Trump nuk e kishte njoftuar paraprakisht takimin dhe Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë për të.

Takimi u zhvillua ndërsa negociatat me Iranin kanë ngecur dhe administrata amerikane po shqyrton hapat e mëtejshëm lidhur me konfliktin.

Sipas “Axios”, Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit.

Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite po kërkon mbështetjen e SHBA-së për sulme ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen, ndërsa administrata amerikane po shqyrton qëndrimin që do të mbajë ndaj kërkesës së Riadit. //a.i/

The post SHBA – Takim me dyer të mbyllura në Camp David, zyrtarët e lartë të Trump diskutojnë për Iranin dhe rebelët Houthi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Nufi: Spitali i Mirditës do të shndërrohet në Polin e Veriut për Traumat

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu vizituan spitalin e Mirditës, ku panë nga afër strukturën spitalore, ndërsa diskutuan me mjekët e stafin për nevojat e tyre.

Gjatë vizitës u bë e ditur se Spitali i Mirditës do të shndërrohet në Polin e Veriut për Traumat, duke synuar lehtësimin e ngarkesës së Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ofrimin e shërbimeve më pranë qytetarëve të veriut.

“Në Spitalin e Mirditës, bashkë me kolegen Klodiana Spahiu pamë nga afër strukturën spitalore, e cila do të shndërrohet në Polin e Veriut për Traumat, duke kontribuuar në lehtësimin e ngarkesës së Spitalit të Traumës në Tiranë dhe në ofrimin e shërbimeve më pranë qytetarëve”, theksoi Nufi.

Gjatë vizitës Nufi bashkëbisedoi me mjekët dhe stafin, për të dëgjuar nga afër nevojat e tyre dhe për të diskutuar mënyrat për forcimin e mëtejshëm të shërbimeve shëndetësore, në funksion të qytetarëve.

“Shëndetësi më pranë njerëzve, aty ku nevoja është më e madhe”, tha Nufi.

/k.s/r.e/

The post Nufi: Spitali i Mirditës do të shndërrohet në Polin e Veriut për Traumat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shqipëria e pafat, Finlanda fiton me dy goditje standarde e një lojtar më shumë

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Shqipëria ka humbur sot në transfertën e Finlandës në shifrat 2-1 në Helsinki, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Në pjesën e parë kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 4-t me Rey Manajn, pas një goditjeje këndi të Asllanit. Me këtë gol Manaj ngjitet në kuotën e 13 golave të shënuar me fanellën kuqezi.

Në minutën e 22-të Etrit Berisha del me karton të kuq, pas një daljeje të gabuar në hyrje të zonës.

Walta ekzekutoi në minutën e 26-të një goditje dënimi dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë, duke vendosur baraspeshën në 1-1.

Minutat e mbetura nuk patën ndonjë rast për t’u theksuar, me kuqezinjtë që u munduan të menaxhojnë lojën në inferioritet numerik.

Por në pjesën e dytë ishin sërish vendasit, që në minutën e 71-të ndëshkuan kuqezinjtë, po me një goditje standarde të ekzekutuar nga Walta.

Kuqezinjtë tentuan të reagonin në minutat e mbetura. Pilo pati një mundësi të mirë në minutën e 60-të, por goditja e tij e dytë shkoi jashtë.

Në minutën e 80-të Uzuni u pengua në zonë dhe kërkoi penallti. Pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi ishte se nuk kishte 11-metërsh.

Pas tri ndeshjeve Shqipëria mbetet në vend të dytë të Grupit C1 me 6 pikë, ndërsa Finlanda merr kreun me 7 pikë.

Të martën, më 6 tetor Shqipëria pret San Marinon në “Air Albania”, në orën 20:45, ndërsa Finlanda luan në transfertë përballë Bjellorusisë.

The post Shqipëria e pafat, Finlanda fiton me dy goditje standarde e një lojtar më shumë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

LITUANI – Mbyllet aeroporti i Vilniusit pas alarmit për dron, ngrihen avionët e NATO-s

VILNIUS, 3 tetor /ATSH/ – Aeroporti i Vilniusit në Lituani u mbyll sot për më pak se një orë, pasi autoritetet morën një raportim për një dron të dyshuar që po hynte në territorin lituanez nga drejtimi i Bjellorusisë, raportoi “Reuters”.

Pas alarmit, avionët luftarakë të NATO-s, të angazhuar në misionin e patrullimit ajror në hapësirën ajrore të vendeve baltike, u ngritën për të verifikuar situatën, njoftoi Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave të Lituanisë.

Autoritetet lituaneze thanë se objekti ende nuk ishte identifikuar.

Sipas drejtuesit të Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, Vilmantas Vitkauskas, avionët luftarakë u ngritën për të kryer verifikimet, ndërsa autoritetet morën edhe raportime nga banorë, që pretendonin se kishin parë një objekt të mundshëm në zonën e Vilniusit, në lëvizje drejt Jonava-s. Këto raportime nuk janë konfirmuar.

Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave tha se parametrat e objektit ishin të ngjashëm me ato të një droni, por nuk përjashtoi mundësinë që alarmi të ishte shkaktuar edhe nga një tufë zogjsh.

Autoritetet vijuan verifikimet për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi sinjalizimin.

Gjatë alarmit, autoritetet u kërkuan banorëve të rajonit të Vilniusit të ishin të përgatitur për t’u strehuar nëse do të ishte e nevojshme.

Aeroporti i Vilniusit u rihap pasi alarmi u hoq dhe operacionet e aeroportit rifilluan. //a.i/

The post LITUANI – Mbyllet aeroporti i Vilniusit pas alarmit për dron, ngrihen avionët e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shqipëri-BE, koordinim për implementimin e sistemeve digjitale doganore

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Një delegacion i Administratës Doganore Shqiptare, i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm, Besmir Beja, zhvilloi në Bruksel takimin e parë koordinues me Drejtorinë e Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor të Komisionit Europian (DG TAXUD), në funksion të implementimit të sistemeve digjitale doganore të Bashkimit Europian dhe arritjes së ndërveprueshmërisë së plotë me mjedisin digjital doganor europian.

Gjatë takimeve, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, diskutoi me drejtuesit përgjegjës për doganat dhe digjitalizimin në DG TAXUD mbi ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të Kapitullit 29, “Bashkimi Doganor”, si dhe mbi rezultatet e arritura nga Administrata Doganore Shqiptare.

Në fokus të diskutimeve ishte përmbyllja e proceseve legjislative për hartimin e Kodit të ri Doganor dhe dispozitave zbatuese të tij, si dhe progresi në zhvillimin e 22 sistemeve dhe moduleve të reja të teknologjisë së informacionit, në bashkëpunim me UNCTAD-in. Këto sisteme synojnë të përmbushin standardet e Bashkimit Europian dhe të sigurojnë ndërveprueshmërinë me sistemet doganore europiane, në funksion të procesit të integrimit.

Gjatë takimit teknik, përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe UNCTAD-it prezantuan përpara ekspertëve të Bashkimit Europian ecurinë e punës për secilin prej 22 sistemeve të reja.

Në këtë kuadër, u trajtua edhe situata aktuale dhe planifikimi për implementimin e ASYCUDA 5 (ASY5), si dhe zhvillimi i sistemeve të tjera digjitale doganore, përfshirë TARIC, National Single Window, ASYHUB dhe NCTS. Një vëmendje e veçantë iu kushtua koordinimit teknik dhe garantimit të ndërveprueshmërisë së sistemeve shqiptare me infrastrukturën digjitale të Bashkimit Europian.

Drejtori i përgjithshëm, Besmir Beja theksoi se digjitalizimi i infrastrukturës doganore dhe ndërveprueshmëria e saj me sistemet europiane përbëjnë një prioritet të rëndësishëm në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ai vlerësoi gjithashtu përgatitjen dhe kapacitetet profesionale të stafit të Administratës Doganore Shqiptare, i cili prezantoi punën e kryer për sistemet e reja përpara ekspertëve europianë.

Një pjesë e rëndësishme e takimeve iu kushtua mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe DG TAXUD, raportimit dhe monitorimit të progresit, shkëmbimit të pikave të kontaktit për projektet specifike dhe koordinimit të mëtejshëm teknik. Palët ranë dakord për zhvillimin e takimeve periodike të ekipeve teknike, si dhe për organizimin e takimeve tremujore për vlerësimin e ecurisë së përgjithshme të procesit.

Në përfundim të takimeve, u ra dakord që takimi i ardhshëm koordinues të zhvillohet pas tre muajsh në Tiranë, ku do të prezantohet progresi i arritur gjatë kësaj periudhe dhe hapat e mëtejshëm të punës.

Paralelisht me përgatitjet për implementimin e NCTS, Shqipëria po vijon edhe procesin ligjor për aderimin në Konventën për një Procedurë të Përbashkët Tranziti. Projektligji për miratimin e Konventës është përgatitur nga Administrata Doganore Shqiptare dhe pritet t’i përcillet për shqyrtim Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me procedurat kombëtare.

Takimi koordinues me DG TAXUD përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit teknik ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe në përmbushjen e angazhimeve për negociatat e Kapitullit 29, “Bashkimi Doganor”.

/k.s/r.e/

The post Shqipëri-BE, koordinim për implementimin e sistemeve digjitale doganore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shqipëria e mbyll në barazim 1-1 dhe inferioritet numerik pjesën e parë

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Shqipëria dhe Finlanda janë barazuar në shifrat 1-1 në Helsinki, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 4-t me Rey Manajn,i cili ktheu në gol me kokë një goditje këndi të Asllanit.

Në minutën e 22-të portieri Etrit Berisha del me karton të kuq, pas një daljeje të gabuar në hyrje të zonës, duke u zëvendësuar nga Sherri.

Walta ekzekutoi në minutën e 26-të një goditje dënimi në hyrje të zonës sonë dhe arriti ta dërgojë topin në rrjetë, duke vendosur baraspeshën në 1-1.

Minutat e mbetura nuk patën ndonjë rast për t’u theksuar, me kuqezinjtë që u munduan të menaxhojnë lojën në inferioritet numerik.

The post Shqipëria e mbyll në barazim 1-1 dhe inferioritet numerik pjesën e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SHBA – Trump për Melonin: Marrëdhënia jonë është shumë e mirë, gjithmonë më ka pëlqyer

UASHINGTON, 3 tetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka përshkruar si “shumë të mirë” marrëdhënien e tij me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, duke deklaruar se e ka pëlqyer gjithmonë.

Deklarata e Trump erdhi dje, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, përpara se të nisej për në Alabama.

I pyetur se si ishte marrëdhënia e tij me Melonin, presidenti amerikan u përgjigj se ajo ishte shumë e mirë dhe shtoi se gjithmonë e kishte pëlqyer kryeministren italiane.

Deklarata e Trump vjen pas një periudhe tensionesh dhe kritikash publike mes dy liderëve.

Gjatë muajve të fundit, marrëdhënia e tyre ishte shoqëruar me përplasje të lidhura me qëndrimet ndaj luftës në Iran dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Në korrik, “ABC News” raportoi se marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa mediet italiane vunë në dukje se Trump ishte shprehur më parë në mënyrë kritike ndaj Melonit.

Në të njëjtin prononcim, Trump foli edhe për marrëdhëniet me Evropën dhe vlerësoi vendimin e vendeve evropiane për të nxjerrë në treg rezervat e naftës.

Ai tha gjithashtu se SHBA-ja nuk do të vendoste ndalimin e eksporteve të naftës, duke deklaruar se një masë e tillë nuk do të zbatohej. //a.i/

The post SHBA – Trump për Melonin: Marrëdhënia jonë është shumë e mirë, gjithmonë më ka pëlqyer appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Pasqyrë Albania”, Rama: Transparenca duhet të jetë 100%, dokumentet shtetërore të jenë të aksesueshme nga publiku

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Pasqyrë Albania” synon të ndryshojë mënyrën e aksesit të publikut në dokumentacionin shtetëror, duke theksuar se pjesa më e madhe e dokumenteve duhet të trajtohet si “pronë e përbashkët” me qytetarët dhe të vihet në dispozicion të tij pa humbur kohë.

Gjatë prezantimit të platformës “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingos), një komponent i ri i platformës “Pasqyrë Albania”, Rama tha se “duke shpresuar që ky komunikim do të vlejë për të gjithë ata që e ndoqën, por edhe më tutje për të gjithë ata që do të kenë interes real për faktet, për dokumentet lidhur me çështje me interes të veçantë, unë dua që ta mbyll duke i falënderuar kontributorët e kësaj pune jo të vogël, shumë intensive përgatitore, duke shtuar po ashtu që mbajtja gjallë në të përditshmen e vetë e “Pasqyrë Albania”, e cila, siç thashë, është në ndërtim e sipër, është në të njëjtën kohë një sfidë shumë e madhe për administratën, për institucionet tona qendrore, për çdo ministri, edhe për Kryeministrinë, në sensin që duhet menduar nga e kundërta e asaj që është menduar tradicionalisht dhe vijimësisht”. 

“Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që nëse tradicionalisht, vijimësisht është menduar që dokumentacioni të trajtohet si një pronë mbi të cilën shteti ka ekskluzivitetin e vetë edhe në të gjitha ato raste kur në fakt dokumentacioni duhet të jetë një pronësi e përbashkët me publikun, gjë që ka bërë që në shumë raste qeverisja të bjerë pre pastaj e shumë dyshimeve, e shumë e shumë ndjenjave jopozitive ndaj saj si rezultat i daljes në dritë të dokumenteve që posedohen nga institucionet, por nxirren nga individë apo konsiderohen si ‘akte heroike’ të nxjerrjes në dritë të ‘së vërtetës'”, theksoi Rama.

Ndërkohë, vijoi Kryeministri, që të gjitha të vërtetat e firmosura dhe të vulosura në institucionet e shtetit duhet që shteti t’i ndajë me publikun pa humbur kohë. 

“Natyrisht ka një klasifikim për institucione të caktuara dhe për dokumente të një natyre të caktuar, ka një publikim të kufizuar, por këtu bëjmë fjalë për një përqindje shumë të vogël, ndërkohë që masa e madhe e dokumentacionit është pronë e përbashkët dhe duhet trajtuar si pronë e përbashkët, por kjo është një sfidë shumë e madhe kulturore e administratës”, tha Rama.

Më tej kryeministri Rama u ndal tek problematika e informimit publik.

“Përfitoj nga rasti që këtu janë drejtues të agjencive për ta përcjellë këtë mesazh për ju dhe për të gjithë ata si ju që nuk janë këtu të pranishëm, që problematika jonë me informimin publik, raportet e përsëritura të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe sfida jonë e sotme që është rezultat edhe i një përballje të re në një rrafsh krejt të ri të të vërtetës me gënjeshtrën, në një botë ku gënjeshtra ka fituar një platformë që s’e ka pasur kurrë më parë dhe e vërteta tkurret vijimësisht, bëjnë që ne të jemi shumë të vendosur për të bërë atë që na takon që publiku të ketë mundësi kur e dëshiron që të marri informacionin në burim, pra të njihet me faktin drejtpërdrejtë, personalisht dhe ndihma për ta çuar te fakti të mos jetë retorik, të mos jetë agjitacion, të mos jetë propagandë, të mos jetë politik, por të jetë didaktike”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është shumë e rëndësishme kjo për të shpëtuar shtetin si koncept i pa i pa negociueshëm që njerëzit mund të jetojnë në harmoni dhe mos të hanë njëri-tjetrin për së gjalli nga gjithë kjo lukuni e madhe gënjeshtre dhe nga gjithë këto furtuna dizinformimi dhe keqinformimi që ngrihen në të përditshmen e jetës publike”.

“Natyrisht që “Pasqyra e Flamingos”, “Pasqyra Albania”, gjithë këto mjete të reja që ne po përpiqemi të vëmë në dispozicion të shtetit duke hyrë në të njëjtën fushë, në fushën e botës digjitale ku mbretëron gënjeshtra, nuk janë shkopinj magjik, por duhet të bëjmë tonën me të gjithë vullnetin dhe bindjen absolute që s’kemi asgjë për të fshehur. Që qeveria nuk ka asgjë për të fshehur, që nëse ka të meta në një proces, nëse ka boshllëqe në një procedurë, nëse ka devijime në një dosje, ka dy mënyra për t’i parë dhe për t’i kuptuar ato duke e ndarë se çfarë është defekt, çfarë është një gabim i paqëllimshëm, çfarë është një mungesë që vjen si rezultat e të metës në proces, nga çfarë është qëllimisht e devijuar për arsye të tjera”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama shprehu besimin që transparenca 100% në këtë përpjekje do të ndihmojë shumë dhe në këtë drejtim, do ndihmojë shumë dhe në çlirimin e punonjësve të administratës dhe të gjithë atyre që i përkushtohen shërbimit ndaj shtetit, nga presioni i madh i gabimi të paragjykuar si krim.

“Besoj që janë arsye të mjaftueshme për të qenë shumë të angazhuar në rritjen e kësaj gjallese të re dhe në mbajtjen gjallë të gjithë kësaj përpjekjeje, duke i dhënë asaj frymëmarrjen e jetës së përditshme të qeverisjes. Ndërkohë që, shumë nga misteret dhe shumë nga mitet e Zvërnec – Sazanit apo Sazan – Zvërnecit praktikisht janë automatikisht të zbuluara dhe të rrëzuara në “Pasqyrën e Flamingos””, tha Rama.

/k.s/r.e/

The post “Pasqyrë Albania”, Rama: Transparenca duhet të jetë 100%, dokumentet shtetërore të jenë të aksesueshme nga publiku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

UASHINGTON – Trump: SHBA-ja nuk do të ndalojë eksportet e naftës, vlerëson vendimin e Evropës

UASHINGTON, 3 tetor /ATSH/ – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja nuk do të vendosë ndalim për eksportet e naftës (diesel), pasi vendet e G7-ës ranë dakord të koordinojnë nxjerrjen e rezervave të naftës dhe produkteve të naftës në treg, raportoi “Reuters”.

Trump tha dje se SHBA-ja nuk do të ndalonte eksportet e naftës, duke vlerësuar vendimin e vendeve evropiane për të nxjerrë rezerva të karburanteve në treg.

Deklarata erdhi pasi liderët e vendeve të G7-ës ranë dakord të koordinojnë lirimin e deri në 100 milionë fuçive naftë dhe produkteve të naftës nga rezervat emergjente, me synimin për të rritur furnizimin dhe për të zbutur presionin mbi çmimet e karburanteve.

Vendimi u mor në një kohë kur tregjet globale të energjisë po përballen me probleme të furnizimit dhe rritje të çmimeve të naftës.

Administrata amerikane ka ushtruar presion ndaj vendeve evropiane që të përdornin rezervat e tyre strategjike të naftës.

Ditët e fundit, Uashingtoni kishte lënë të hapur mundësinë e kufizimit të eksporteve amerikane të naftës, nëse Evropa nuk merrte masa për rritjen e furnizimit.

Trump tha se, pas marrëveshjes së G7-ës, SHBA-ja nuk do të zbatojë ndalimin e eksporteve.

Presidenti amerikan vlerësoi vendimin e Evropës, duke e cilësuar si një kontribut të rëndësishëm për rritjen e furnizimit me karburant.

Megjithatë, Trump tha gjithashtu se ndalimi i eksporteve nuk kishte qenë realisht “në tryezën e bisedimeve”, edhe pse administrata e tij kishte diskutuar publikisht mundësinë e një mase të tillë gjatë javëve të fundit.

Sipas marrëveshjes së G7-ës, vendet anëtare do të koordinojnë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) nxjerrjen e deri në 100 milionë fuçive nga rezervat strategjike gjatë një periudhe katërmujore.

Një pjesë e rezervave pritet të dalë në treg në javët e para, me synimin për të rritur menjëherë furnizimin me naftë bruto dhe produkte të rafinuara, përfshirë naftës (diesel).

Marrëveshja parashikon gjithashtu që vendet e G7-ës të shmangin kufizimet ndaj eksporteve të produkteve energjetike mes tyre.

Presioni mbi tregun e naftës, është rritur për shkak të ndërprerjeve të furnizimit dhe pasigurive të krijuara nga konfliktet në Lindjen e Mesme, si dhe nga reduktimi i eksporteve ruse të karburanteve dhe dëmtimi i kapaciteteve të rafinimit në Rusi.

Evropa është veçanërisht e ekspozuar ndaj këtyre zhvillimeve, për shkak të varësisë së saj nga importet e naftës.

Lirimi i rezervave strategjike synon të rrisë furnizimin në tregjet evropiane dhe amerikane dhe të frenojë rritjen e mëtejshme të çmimeve të karburanteve.

Marrëveshja e G7-ës përfaqëson një përpjekje të koordinuar, për të përdorur rezervat strategjike si një përgjigje ndaj presioneve të fundit në tregun global të energjisë. //a.i/

The post UASHINGTON – Trump: SHBA-ja nuk do të ndalojë eksportet e naftës, vlerëson vendimin e Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Jaupaj: “Pasqyra e Flamingos” u jep qytetarëve akses të drejtpërdrejtë në dokumentet për Sazanin dhe Zvërnecin

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se “”Pasqyra e Flamingos” është ndërtuar për t’i dhënë publikut mundësi të drejtpërdrejtë për t’u njohur me dokumentet, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale që lidhen me dy iniciativat, Sazanin dhe Zvërnecin”.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të platformës “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingos), një komponent i ri i platformës “Pasqyrë Albania”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministri Jaupaj tha se “për këtë arsye në “Pasqyra e Flamingos” ne kemi publikuar dokumentet e institucioneve të përfshira në procedurat e deritanishme të renditura në mënyrë kronologjike”.

Kjo, vijoi Jaupaj, i mundëson kujtdo që mund të shohë faqen, të ndjekë ecurinë e secilës iniciativë nga kërkesat e para te shqyrtimet institucionale dhe tek se si ushtrohen ato në praktikë.

Jaupaj tha se një pjesë e rëndësishme e faqes i kushtohet sqarimit të pyetjeve të ngritura në media, në rrjetet sociale dhe në diskutimet publike: Çfarë nënkupton statusi i investitorit strategjik? Si trajtohen çështjet mjedisore që lidhen me zonat e mbrojtura? Cila është leja e zhvillimit dhe nga ndryshon ajo nga një leje ndërtimi? Cilat janë fazat që duhet të ndjekë një projekt dhe çfarë shqyrtohet në secilën prej tyre?.

Ministri Jaupaj theksoi se “këto janë pyetje me rëndësi të cilat janë vlerësuar për të marrë edhe një përgjigje zyrtare nëpërmjet faqes “Pasqyra e Flamingos”. Prandaj kemi synuar që sqarimet ligjore të jenë njëkohësisht të sakta, por edhe të kuptueshme për publikun e gjerë, që qytetari të ketë mundësi të lexojë dokumentin, të kuptojë përmbajtjen e tij, por edhe ta vendosi atë në kontekstin e procedurës përkatës”.

Më tej Jaupaj tha “prezantimi i sotëm është vetëm fillimi, pasi proceset që lidhen me dy iniciativat vijojnë dhe faqja do të përditësohet me dokumente dhe zhvillime të reja. Këtu përfshihet procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis, studimet përkatëse mjedisore, rezultatet e negociatave që lidhen me statusin e investitorit strategjik apo edhe elementë të tjerë të cilët lidhen apo trajtohen nga institucionet përgjegjëse”.

Sipas tij, në çdo fazë informacioni do të pasqyrojë qartë gjendjen e procesit, duke dalluar atë që është paraqitur, atë që është në shqyrtim dhe atë që është vendosur.

Jaupaj u ndal edhe te rubrika e pyetjeve dhe kërkesave për sqarim nga publiku, përmes së cilës gazetarët, organizatat mjedisore dhe personat e interesuar mund të kërkojnë informacion apo të ngrenë çështje që kanë nevojë për shpjegim të mëtejshëm.

“Grupi i punës me institucionet e përfshira në këtë proces do të angazhohet për të dhënë sqarimet e duhura, të mbështetura në ligj, në dokumente dhe në procedurat administrative të ndjekura”, deklaroi ai.

Jaupaj tha se kjo rubrikë do të shërbejë gjithashtu për të identifikuar fushat ku informacioni kërkon plotësim ose ku çështje të caktuara duhet të shpjegohen më qartë për publikun.

Ministri Jaupaj u ndal veçanërisht te procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe studimi mjedisor, duke deklaruar se angazhimi është që ky proces të zhvillohet me transparencë të plotë dhe me pjesëmarrje publike.

“Studimi mjedisor do të publikohet në momentin që do të aplikohet pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Do të pasqyrohen komentet dhe qëndrimet e paraqitura gjatë procesit nga ekspertët, nga organizatat mjedisore dhe nga publiku dhe gjithashtu do të ketë edhe konsultime publike në terren”, tha ai.

Sipas ministrit, shqetësimet, vërejtjet dhe propozimet do të dëgjohen, trajtohen dhe publikohen në faqen “Pasqyra e Flamingos”.

“Mbrojtja e mjedisit kërkon studime të plota, shqyrtim të kujdesshëm dhe vendimmarrje të arsyetuar”, u shpreh Jaupaj.

Ai iu referua edhe vendimit të 15 majit të këtij viti nga institucionet mjedisore për të kërkuar një vlerësim të thelluar të ndikimit në mjedis, me një studim të plotë të elementeve të faunës dhe florës së zonës.

Ministri Jaupaj falënderoi ekipin e punës për përgatitjen e dosjes së parë të “Pasqyra e Flamingos” dhe ftoi qytetarët, mediet, ekspertët dhe organizatat ta përdorin platformën, të lexojnë dokumentet, të kërkojnë sqarime dhe të kontribuojnë në diskutim.

“Përgjegjësia jonë është që ta mbajmë faqen aktive dhe të kthejmë përgjigje për të gjitha pyetjet apo sqarimet që publiku kërkon në këtë dosje që kemi paraqitur sot përpara publikut shqiptar”, tha Jaupaj.

/k.s/r.e/

The post Jaupaj: “Pasqyra e Flamingos” u jep qytetarëve akses të drejtpërdrejtë në dokumentet për Sazanin dhe Zvërnecin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Pasqyrë Albania”, Rama: Pyetjet grumbullohen nga diskutimet në rrjetet sociale dhe mediet tradicionale

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi se pyetjet që përfshihen në “Pasqyrë Albania” janë produkt i hulumtimit me inteligjencë artificiale të gjithçkaje që diskutohet dhe publikohet në rrjetet sociale, si edhe në mediet tradicionale.

Gjatë prezantimit të platformës “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingos), një komponent i ri i platformës “Pasqyrë Albania”, Rama tha se “e para, nuk janë pyetje të përzgjedhura, por janë pyetje të grumbulluara në radhë në një numër shumë të konsiderueshëm. Dhe e dyta, që besoj është shumë e rëndësishme të theksohet, është se dosja vendoset në “Pasqyrën e Flamingos” duke u nisur nga një interes i posaçëm publik në kohën kur bëhet kjo përzgjedhje”.

Por, vijoi Kryeministri, “tek “Pasqyrë Albania”, sipas sektorëve dhe për faktin që ajo do të jetë adresa e vetme unike e qeverisë shqiptare si fillim, por ne themi se duhet bëhet edhe e shtetit shqiptar, ku duhet të futet dhe pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, aty sipas sektorëve, çdo qytetar do të jetë në gjendje të gjejë informaicon për atë që i intereson për investimet, politikat, ndërtimet dhe investimet në lagjen e tij”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është punë shumë voluminoze ka një angazhim shumë të madh që po merren me ndërtimin e “Pasqyrë Albania”, nën drejtimin e skuadrës sonë të teknologjisë, patjetër që janë të përfshirë juristët. Pasi “Pasqyrë Albania” do të bëhet ligj dhe do të integrohet tek ligji i bashkëqeverisjes”.

“Aty ku kemi të instaluar edhe platformën e bashkëqeverisjes si instrument të integrimit me qytetarët, por hap pas hapi të gjitha këto do të dalin në publik”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se pas disa ditësh “do kthehemi për një tjetër komponent të rëndësishëm, që është prezantimi i një moduli të ri të Diellës, ekzekutuar nga skuadra e IA e AKSHI-t, dhe kështu me radhë i gjithë mozaiku do të plotësohet hap pas hapi dhe brenda harkut të një viti do ta kemi të gjithë sistemin të konsoliduar”.

/k.s/r.e/

The post “Pasqyrë Albania”, Rama: Pyetjet grumbullohen nga diskutimet në rrjetet sociale dhe mediet tradicionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌