Pretendimi: Artisti shqiptar Ardit Gjebrea është arrestuar për vjedhje kompjuterash
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Një postim që ka marrë gati 200 pëlqime në Facebook njofton se prezantuesi shqiptar Ardit Gjebrea është arrestuar për vjedhje, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.
Në brendinë e artikullit pretendohet se Gjebrea është arrestuar pasi “policia ka zbuluar prova që e lidhin atë me vjedhjen e disa sendeve të vlefshme, duke përfshirë laptopë dhe pajisje elektronike.”
Megjithatë, nuk jepet ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime.
Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit për një arrestim të tillë.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi gjetjen e Bleona Matës së zhdukur në 2010, vdekjen e këngëtarit Shpat Kasapi dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari, dhe vdekjen e rreme të politikanit Lulzim Basha.
Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve në mënyrë jo etike. Pjesa më e madhe e lexuesve shkruajne komente negative për portalin apo përpiqen të përgënjeshtrojnë lajmet e rreme për personazhe të njohura, pa e kuptuar se edhe duke shkruar një koment të tillë ndihmojnë në rritjen e shikueshmërisë së portalit dhe jetëgjatësinë e mëtejshme të veprimtarisë së tij abuzive.
Ka gjasa që ky artikull, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Pretendimi: Zbulohet vrasësi me pagesë i politikanit të ndjerë Sokol Olldashi
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Një postim në Facebook pretendon se, mbi 10 vjet pas vdekjes së papritur të politikanit Sokol Olldashi në vitin 2013, vrasësi i tij është zbuluar. Foto që shoqëron postimin përfshin edhe portretin e Nuredin Dumanit, personit të akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale dhe që ka pranuar të bashkëpunojë me Drejtësinë. Pas këtij prezantimi intrigues, lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.
Në brendësi të artikullit zbulohet se kemi të bëjmë me një titull të rremë, që ka për synim të tërheqë interesin e përdoruesve dhe rrisë klikimet me qëllim përfitimi.
Artikulli në brendësi nuk zbulon asnjë emër vrasësi, apo ndonjë provë që Olldashi është vrarë nga një vrasës me pagesë.
Ai pretendon se “në rrjete sociale dhe disa portale janë shpërndarë deklarata dhe tituj tronditës që pretendojnë se pas vdekjes së Olldashit fshihet një akt kriminal i organizuar,” megjithatë nuk referon asnjë nga këto postime dhe tituj të pretenduar.
Më tej, vetë artikulli shkruan se “asnjë institucion zyrtar nuk ka konfirmuar ekzistencën e një vrasësi apo skeme kriminale.”
Sokol Olldashi vdiq më 20 nëntor 2013 si pasojë e një aksidenti automobilistik në Krrabë të Tiranës. Hetimet e deritanishme nuk kanë gjetur ndonjë provë që mund të mbështesë dyshimin për një manipulim të automjetit të të ndjerit.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë lajme të rreme për zbulimin e vrasësit të Ollashit, që kanë për qëllim mbledhjen e klikimeve. Faqja e Facebook që ka ndarë këtë lajm të rremë ka ndarë dhe më parë lajme të rreme të ngjashme, duke pretenduar se gazetari shqiptar Enkel Demi kishte ndërruar jetë.
Për vitin 2025, Bashkia Tiranë kishte një buxhet të konsiderueshëm për shpenzime dhe investime publike, por të dhënat zyrtare të siguruara nga vetë institucioni për Faktoje tregojnë se një pjesë e mirë e këtyre fondeve nuk u përdorën sipas planit.
Deri në dhjetor 2025, realizimi i përgjithshëm buxhetor i Bashkisë Tiranë kapi vlerën e 53%-it.
Shërbimet publike
Referuar të dhënave zyrtare të Bashkisë Tiranë, shërbimet Publike Vendore u realizuan në masën 40%. Që do të thotë se, mirëmbajtja urbane, pastrimi dhe ndriçimi publik, komponente thelbësore të këtij programi, kanë funksionuar me më pak se gjysmën e buxhetit të planifikuar.
Për ekspertin e qeverisjes vendore Agron Haxhimali ky nivel realizimi përkthehet në “shërbime të cungura, mirëmbajtje më të dobët, cilësi më të ulët dhe probleme të përditshme të pazgjidhura në qytet”
Bashkia e lidh mosrealizimin me “vonesa procedurale në prokurime” dhe “afate ligjore për shpronësime”. Haxhimali e karakterizon situatën si pasojë e “planifikimit jo realist, kapaciteteve të dobëta zbatuese dhe vonesave serioze në prokurime, sidomos për investimet kapitale”
Strehimi social
Programi i Strehimit Social paraqet një nga nivelet më të ulëta të realizimit nga 12 deri në 15%.
Sipas Haxhimalit, kjo situatë “tregon neglizhencë ndaj shtresave në nevojë, dështim politikash sociale dhe mungesë vullneti për të adresuar krizën e strehimit”
Infrastruktura
Shqetësuese gjithashtu, sipas Haxhimalit, është që sektorë shumë delikatë si ujitja dhe kullimi, emergjencat dhe strehimi kanë realizim minimal”. Sipas tij, “ky fenomen tregon një bashki të fokusuar keq, pa prioritete sociale dhe me risk të lartë për pasojat nga përmbytjet dhe krizat urbane”
Menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit kap shifrën e 21%-it, ndërsa emergjencat civile rreth 20%.
Në sektorin e mbrojtjes nga zjarri dhe mbrojtjes civile, u shpenzuan rreth 622 milionë lekë, thënë ndryshe 34%.
“Nëse do të ishin shpenzuar në mirëmbajtje, shërbime apo investime në sistem, Tirana do kishte pak më shumë ujë të pijshëm se sa kemi sot, dhe s’do të përmbyteshin sheshe, rrugë dhe lagje siç po ndodh aktualisht. Pra mosinvestimet në 2025 na shfaqin problemet që në fillim të 2026”
Planifikimi urban wshtw realizuar me vetëm 19%, ndwrsa arsimi universitar 18%.
Emergjenca
Të dhënat zyrtare tregojnë se Bashkia Tiranë nuk aktivizoi asnjë nga instrumentet e saj financiare emergjente gjatë vitit 2025. Fondi i Rezervës, i planifikuar me 731.3 milionë lekë nuk u prek asnjë qindarkë. Po ashtu as fondi i Kontigjencës.
Keqqeverisje?
Haxhimali e karakterizon situatën si “keqqeverisje,” duke identifikuar tri dimensione kryesore: planifikim jo realist që krijon buxhete të pazbatushme, prioritete që lënë pas dore sektorë kritikë si strehimi social dhe infrastruktura, dhe pasoja të matshme që mosrealizimi buxhetor sjell në jetën e përditshme të qytetarëve.
Kontradikta midis realizimit të lartë në disa fusha administrative si administrimi i zgjedhjeve 98% dhe realizimit kritikisht të ulët në shërbime sociale dhe infrastrukturë thelbësore tregon, sipas tij, se çështja qëndron në vendosjen e prioriteteve dhe orientimin e politikave publike.
Programi Buxhetor
Plan i ndryshuar 2025 (në lekë)
Fakt 11M viti 2025 (në lekë)
% realizimi
Planifikim, Menaxhim dhe Administrim
5,018,019,958
2,588,268,791
52%
Gjendja Civile
87,952,894
79,784,862
91%
Administrimi i Zgjedhjeve të Përgjithshme dhe Vendore
37,422,478
36,658,789
98%
Shërbimet e Policisë Vendore
918,266,342
789,112,923
86%
Mbrojtja nga Zjarri dhe Mbrojtja Civile
1,839,910,306
622,110,417
34%
Mbështetja për Zhvillim Ekonomik
1,534,664,569
472,303,038
31%
Shërbimet Bujqësore, Inspektimi, Siguria Ushqimore dhe Mbrojtja e Konsumatorëve
414,489,895
235,647,820
57%
Menaxhimi i Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit
88,414,838
18,592,564
21%
Administrimi i Pyjeve dhe Kullotave
13,459,753
8,921,452
66%
Rrjeti Rrugor Rural
9,422,922,404
5,884,842,545
62%
Transporti Publik
2,080,031,211
1,617,426,417
78%
Fondi i Rezervës
731,346,350
–
0%
Fondi i Kontigjencës
40,000,000
–
0%
Menaxhimi i Mbetjeve
3,241,903,462
2,372,831,604
73%
Planifikimi Urban Vendor
2,781,652,409
533,023,151
19%
Strehimi
13,671,673
1,573,917
12%
Programet e Zhvillimit
2,025,411,607
836,323,109
41%
Shërbimet Publike Vendore
7,400,299,224
2,981,928,191
40%
Sport dhe Argëtim
639,453,036
484,311,489
76%
Trashëgimia Kulturore, Eventet Artistike dhe Kulturore
Sebi Alla – Nëse pyet, gjen Stambollin, por nëse kërkon për Parkun “Durana” në Xhafzotaj të Durrësit, askush nuk të orienton saktë.
Të gjithë ngrenë supet: “vallahi se dimë, çfarë është ky parku”?!.
Në fund, vetëm një banor na drejton drejt vendit ku ndodhet teorikisht, pasi një nga miqtë e tij kishte pasur tokën aty, të cilët thotë se ia morën ashtu “badihava” për “interesa publike”.
“…Durana Tech Park merr jetë dhe kalon nga plani dhe legjislacioni në letër, në realitetin e një numri jo të vogël kompanish që kanë shprehur interesin dhe që nga sot marrin dhe certifikatën e anëtarit të kësaj shoqërie të re digjitale, ku qëllimi ynë kryesor nuk është që të sjellim sa më shumë kompani të huaja, por qëllimi ynë kryesor është që të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare…”, tha kryeministri Edi Rama më 2 prill 2025, teksa pas shpinës së tij paraqitej një projekt “3D” sesi ishte.
Por pjesë e “talenteve” që përfituan nga ky park (ende) virtual, janë edhe kompani teknologjike vendase që dyshohet se kanë përiftuar tendera të dyshimtë të zhvilluar nga AKSHI, për të cilën ka një hetim të thelluar dhe janë lëshuar tetë urdhër arresti.
“Parajsë fiskale”?
E vetmja “jetë” jo teknologjike por biologjike, është bari i egër në pellgje uji.
Këta janë “rezidentët” e vetëm, ndonëse për këtë park (deri tani) imagjinar janë dhënë çertifikata regjistrimi për kompani në fushën e teknologjisë digjitale.
Për parkun në fjalë u hodhën akuza nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj (në kërkim nga SPAK) dhe më pas edhe nga opozita.
Ata deklarojnë se ky park që ende nuk ekziston fizikisht u ndërtua si parajsë fiskale për të favorizuar kompani të përfshira në afera korruptive.
“…Këtu nuk ka asnjë ndërtesë, asnjë kompani reale, asnjë punësim, por ka një skemë të sofistikuar grabitjeje”, tha Berisha, duke treguar disa foto nga vendi ku do të ngrihet parku.
Faktoje verifikoi në terren nëse kishte jetësim të parkut siç kundërshtoi Berisha, por deri ditën e sotme, asnjë tullë, duke e kategorizuar deklaratën e tij si pjesërisht të vërtetë sa kohë që Faktoje mundi të vërtetojë vetëm pjesën e parë, atë që lidhet me ndërtimin e parkut.
Në një reagim për A2 CNN, administratorja e parkut, Florensa Kovaçi Haxhi, tha se parku ndodhet aktualisht në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të realizohet brenda afatit 36-mujor të parashikuar nga ligji. “Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë”, tha ajo
Ndërkohë, kompanitë e regjistruara marrin lehtësira të dukshme fiskale, sipas një ligji specifik për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike
Vendi ku eshte projektuar parku “Durana”
Parku 3D
Në vitin 2022 Korporata Shqiptare e Investimeve shpalli projektin për ndërtimin e Parkut të Teknologjisë, duke u bazuar në disa VKM si për formën e funksionimit ashtu edhe për vendin ku do të ngrihej.
Me emërtimin “Durana” (bashkim shkronjash të Durrësit dhe Tiranës), u vendos që fizikisht objekti të vendosej në Xhafzotaj.
Ndërtimi do të shtrihej në 140 mijë metra katrorë tokë, ndërsa vlera e punimeve është 20 milionë euro. Në të përfshihen sipërfaqe ndërtimore 21 000 metra me godina që shërbejnë për zyra, objekte banimi, hotel dhe parkim.
Bari
Aktualisht as edhe një rrethim nuk ka vendi ku do të ndërtohet ky park. Gjithçka në ajër.
Megjithatë, prej disa muajsh kompani të teknologjisë me qendër kryesisht në Tiranë, që ofrojnë shërbime IT dhe teknologjive të tjera elektronike, sisteme kamerazh vëzhgimi, kompjuterike, softueresh etj, janë rregjistruar si “rezidentë” në Xhafzotaj.
Pretendimi: Ky imazh tregon një person të maskuar që endet natën rrugëve të Prishtinës, duke i përndjekur qytetarët
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————–
Një imazh që qarkulloi gjerësisht në mediat dhe rrjete socialeshqipfolëse javën e dytë të janarit 2026 pretendohet se tregon “Fantazmën e Prishtinës,” një person i maskuar që endet natën rrugëve të kryeqytetit kosovar. Imazhi shoqërohet edhe me pretendimin se qytetarët ankohen se ky person i maskuar po “i tmerron” me pamjen e tij duke i përndjekur ata gjatë natës.
Megjithatë, lexuesit shqiptarë në të dyja anët e kufirit nuk duhet të frikësohen. Fantazma e Prishtinës nuk është reale. Imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka përgënjeshtruar vërtetësinë e imazhit më 12 janar në Facebook, duke e etiketuar imazhin si të gjeneruar me AI dhe duke këshilluar mediat “të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik.”
Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka mohuar se ka marrë ndonjë ankesë apo informacion nga qytetarët lidhur me një person të tillë që po terrorizon qytetin. “Policia e Kosovës drejtoria e kryeqytetit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo informatë nga qytetarët lidhur me këtë çështje,” deklaroi zëdhënësi Enis Pllana për emisionin Rreth e Rrotull.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë postuar imazhe të ngjashme që dëshmojnë origjinën artificiale të imazhit, dhe sa e thjeshtë është tashmë të gjenerosh imazhe të tilla.
Të shumtë janë dhe bizneset vendase që përfituan nga interesi që ngjalli ky personazh për ta kthyer atë në një promovim në format humori për produktet e tyre. Deri më tani, nuk është raportuar ndonjë kërkesë e “fantazmës së Prishtinës” për ndonjë shpërblim nga përdorimi i imazhit për qëllime marketingu.
Një nga postimet e marketingut që shfrytëzuan famën e “fantazmës”
Pretendimi: Kjo foto tregon Barack dhe Michelle Obama në versionin mashkullor
Verdikti: Foto e manipuluar
Barbara Halla
Një fotografi e ish-presidentit amerikan Barack Obama me bashkëshorten e tij, Michelle Obama, me një pamje mashkullore, po qarkullon së fundi në Facebook në gjuhën shqipe. Kjo pamje është pjesë e një teorie të hershme konspirative që pretendon se ish-Zonja e parë e ShBA është një grua transgjinore. Verifikimet zbulojnë se bëhet fjalë për një fotografi të manipuluar dhe jo një imazh origjinal.
Verifikimet e mëparshme nga media ndërkombëtare, përfshirë Fact Crescendo, konfirmojnë se imazhi është manipuluar në mënyrë dixhitale për ta bërë Michelle Obama të duket më “mashkullore.” Më pas fotoja është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale në gjuhë të ndryshme që prej vitit 2024, para se të vijnë ëdhe në Shqipëri përmes Facebook-ut.
Siç mund të vërtetohet përmes Google Lens versioni origjinal i fotos është ndarë nga vetë Michelle Obama më 25 dhjetor 2014 si pjesë e një urimi përgjatë festave të fundvitit.
Në versionin origjinal, Michelle Obama shfaqet normalisht dhe pa asnjë nga tiparet mashkullore që shihen në imazhin e manipuluar. Krahasimi i dy fotove konfirmon një ndryshim në pjesën e flokëve në anën e majtë të kokës, duke dhënë impresionin e një qethjeje mashkullore si dhe dritënhije tek buzët, që krijojnë idenë e mustaqeve.
Krahasimi mes fotos origjinale (me ngjyra) dhe asaj të manipuluar
Dizinformata të tilla ndaj Michelle Obamës qarkullojnë në rrjet që prej vitit 2014, kur humoristja Joan Rivers bëri një shaka kundër Barack Obama dhe të shoqes, duke e akuzuar ish-Presidentin se ishte gay dhe të shoqen se është një grua transgjinore. Në dekadën e fundit imazhe të manipuluara janë shpërndarë gjerësisht në rrjet duke nxitur gjuhë urrejte ndaj çiftit Obama.
Pretendimi: Edi Rama ka thënë se nëse SHBA-ja përpiqet ta arrestojë, do ta pësojë keq
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Në rrjetet sociale po qarkullon në ditët e para të janarit pretendimi se kryeministri shqiptar Edi Rama po sfidon publikisht Shtetet e Bashkuara në rast të një tentativë për të përsëritur në Shqipëri skenarin e arrestimit të presidentit venezuelian. Ky postim shoqërohet me një fotografi ku Rama mburret gjithashtu me sistemin mbrojtës të Shqipërisë, duke përmendur raketat Javelin dhe anijet patrulluese.
Kemi të bëjmë me një keqinterpretim të demostrimit të arsenalit ushtarak të vendit tonë nga kryeministri shqiptar. Deklarata origjinale e Ramës për ushtrinë shqiptare është e vërtetë dhe u bë më 30 dhjetor gjatë konferencës vjetore me gazetarët. Gjatë një përgjigjeje ndaj pyetjeve të gazetarëve, kryeministri u shpreh se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke kaluar edhe Serbinë, dhe se ushtria disponon raketa Javelin, tre anije patrulluese të dhuruara nga Italia, si dhe radarë falë bashkëpunimit me Francën. Rama foli gjithashtu për ambicien që Shqipëria të bëhet një vend prodhues i industrisë ushtarake, duke filluar me prodhimin e dronëve luftarakë dhe sistemeve antidron.
Kjo deklaratë e Ramës u shpërnda në Facebook përmes imazhit të mësipërm, që më pas u manipulua për t’i shtuar deklaratën mbi Venezuelën.
Sidoqoftë, deklarata për “pasojat” që do të pësojë Amerika nëse përpiqet ta arrestojë Ramën është një shtesë e manipuluar që nuk gjendet askund në fjalimin origjinal të 30 dhjetorit. Nuk ka asnjë provë se Rama ka bërë ndonjëherë një deklaratë të tillë.
Deri në këto momente, nuk ekziston një arsye për të besuar se kryeministri shqiptar është nën kërcënimin e një operacioni ndërhyrjeje të mundshme nga qeveria amerikane. Shqipëria është një aleat i ngushtë i NATO-s dhe mban marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara për momentin.
Pretendimi: Djali i miliarderit kinez Jack Ma ushqehet nga shërbyesit në restorant
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Një video e shkurtër e filmuar brenda një kafeje luksoze në Bangkok është shpërndarë në mediat shqiptare duke pretenduar se tregon ekstravagancën për shkak të pasurisë së djalit të themeluesit të Alibaba, Jack Ma. Në këtë video, shfaqen dy shërbyes që ushqejnë plot përkujdesje një djalë të ri që shfaqet i shkujdesur në tavolinën e restorantit. Sjellja e llastuar e pasanikut ka ngjallur shumë komente në rrjet, por në të vërtetë personi në këtë video nuk është djali i miliarderit kinez, por një influencer.
Videoja qarkullon në media sociale që prej datës 30 nëntor, edhe pse është denoncuar si e keqinterpretuar. Personi në video quhet Jay Ma, por nuk ka asnjë provë që ai të jetë djali i miliarderit dhe filantropistit kinez Jack Ma. I riu në fjalë është një influencer i njohur në rrjetet sociale me mbi 140,000 ndjekës në Instagram.
Kjo lloj videoje, ku ai shërbehet nga dy persona që duken si truprojat e tij, janë skenarë që përdor Jay Ma për të vënë në lojë luksin e të pasurve si dhe rritur audiencën e tij në rrjetet sociale. Siç e shpjegon edhe The Daily Guardian, që e ka hedhur poshtë pretendimin se Ma është djali i pronarit të Alibaba, Jay Ma zakonisht ekzagjeron personazhin stereotipik të “fëmijës së pasur” për efekt komik. Në fakt, shpesh duket se Jay Ma i filmon këto video për të satirizuar fëmijët e miliarderëve kinezë. Për më tepër, nuk ka asnjë provë që Jay Ma është djali i Jack Ma. Ky pretendim duket të ketë nisur nga fakti që të dy figurat kanë të njëjtin mbiemër. Jeta e familjes së Jack Ma është mjaft private dhe të dhënat publike konfirmojnë se ai ka një djalë që quhet Yuankun, si dhe një vajzë.
Pretendimi: Platforma X është më e përdorura për informimin në Bashkimin Evropian
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Në mediat sociale shqiptare po qarkullon pretendimi se X, platforma e njohur më parë si Twitter, është bërë “burimi numër 1 i lajmeve në çdo vend të Bashkimit Evropian.” Kjo narrativë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale si në Shqipëri dhe më tutje, pas një serie postimesh nga pronari i platformës, Elon Musk.
Më datë 7 dhjetor 2025, Elon Musk publikoi në platformën e tij një postim ku shprehej se “X po sheh shkarkime rekord në shumë vende të Evropës.” Ai shkruajti po ashtu se X është bërë platforma më e lexuar për lajmet në të gjithe Bashkimin Evropian. Këto pretendime u bënë publike nga Musk pasi Komisioni Evropian e gjobiti kompaninë e Musk për shkelje të ndryshme të ligjeve mbi informacionin dixhital në vendet e Bashkimit Evropian.
Këto deklarime të Musk nuk bazohen në të dhëna të verifikueshme statistikore. Pretendimi se X është burimi numër një i lajmeve në Europë është shpërndara nga llogaria Tesla Owners Silicon, por nuk të çon në asnjë raport apo të dhëna konkrete mbi origjinën e këtyre numrave.
Sipas Euronews, e cila i hodhi poshtë pretendimet e Musk, në disa vende të BE-së, X është shfaqur përkohësisht në krye të kategorisë “News” në dyqanet e aplikacioneve, veçanërisht në App Store. Ky kategorizim i kufizuar vetëm për një nga platformat operative, nuk përfaqëson përdorimin real të platformës si burim kryesor informacioni.
Kur analizohen renditjet e përgjithshme të shkarkimeve, X nuk rezulton aplikacioni më i përdorur në shumicën e vendeve të mëdha të BE-së, si Gjermania, Franca, Italia, Spanja apo Polonia. Në shumë raste, ai nuk figuron as në dhjetëshen e parë.
Të dhënat nga palë të treta dhe nga Google Play tregojnë se nuk ka pasur ndonjë rritje të papritur apo “rekord” të shkarkimeve të X në Evropë. Përkundrazi, listat dominohen nga platforma të tjera si TikTok, Instagram, WhatsApp dhe YouTube.
Studimet afatgjata e përgënjeshtrojnë gjithashtu këtë pretendim. Raporti i Institutit Reuters për Lajmet Digjitale për vitin 2025 tregon se publiku evropian, ndonëse gjithnjë e më aktiv në rrjetet sociale, vazhdon të mbështetet më shumë tek mediat tradicionale sesa tek platformat sociale, si X. Kur përdoren rrjetet sociale për lajme, Instagrami, TikTok-u dhe YouTube rezultojnë dukshëm më të preferuara.
Pretendimi se të 27 vendet e BE-së “mbështeten tek X më shumë se çdo media tjetër” nuk mbështetet nga asnjë provë e besueshme. Ai buron nga një interpretim selektiv i renditjeve të aplikacioneve dhe nga një kontekst politik i tensionuar mes Elon Musk dhe institucioneve evropiane, jo nga realiteti i konsumit të lajmeve në Evropë.
Pretendimi: Moti i keq në Shqipëri, Greqi dhe Itali është efekt i sistemit HAARP që prek sistemin nervor të popullatës
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————
Në javën e parë të vitit 2026, Shqipëria u përfshi nga moti i ftohtë e me reshje, që çoi në përmbytjen e qyteteve dhe bllokimin e disa rrugëve. Opozita fajësoi keqmenaxhimin e qeverisë, kryeministri Edi Rama fajësoi hedhjen e shisheve plastike, ndërsa konspiracionistët fajësojnë famëkeqin “sistem HAARP.”
Një postim që ka marrë mbi 1000 pëlqime në Instagram pretendon se moti i paqëndrueshëm në Shqipëri, Itali dhe Greqi është efekt i “sistemit HAARP” dhe se “problemet në masë në popullatë mund të prekin sistemin nervor.”
Si zakonisht, pretendimi i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë referencë, burim apo provë mbështetëse.
Nuk ka asnjë provë se moti i keq në janar 2026 u shkaktua apo ndikua nga teknologjia e HAARP.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP. Shqipëria është ndër vendet evropiane më të rrezikuara nga fatkeqësitë klimatike, sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2024.
Pretendimi: Gruaja që ndez cigaren duke djegur foton e liderit iranian Ayatollah Khameini ndodhet në Iran, ose është kanadeze
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjet ndërsa protestat antiqeveritare në Iran vijojnë, duket se tregon një vajzë që sfidon regjimin duke djegur publikisht foton e liderit fetar iranian Ali Khamenei dhe ndezur cigaren në flakën e krijuar.
Disa media shqipfolëse e kanë ndarë videon e vajzës rebele me pretendimin se ajo është xhiruar në Iran, ndërsa profile në rrjete sociale pretendojnë se gruaja në video është kanadeze.
Në të vërtetë, fotografia është bërë në Kanada, por kjo nuk vërteton se vajza nuk është iraniane.
Autorja e pamjes dhe videos është aktive në mediat sociale me llogarinë X @melianouss, ku përdor pseudonimin “Morticia Addams.”
Vajza ndau edhe një pamje të ekranit për të vërtetuar se videoja me cigare është bërë më 7 janar 2026.
Në profilin e saj në Instagram @meliacurls, ajo nënshkruan si Melia. Në biografinë e saj shfaqen dy flamuj: kanadez dhe iranian.
Në profilin e saj ka një video në të cilën ajo flet në persisht (Farsi), duke iu drejtuar drejtpërdrejt atyre që synojnë të marrin pjesë në protestat kundër regjimit. Në video, ajo ofron këshilla praktike se si të zvogëlohet rreziku i arrestimit, duke shpjeguar se çfarë duhet bërë nëse ndaloheni në rrugë ose në shtëpi, duke i nxitur njerëzit të mos dalin vetëm, të mos nënshkruajnë rrëfime, të mos pranojnë asgjë dhe të mbrojnë pajisjet e tyre elektronike. Ajo gjithashtu këshillon njerëzit të deklarojnë veten thjesht si kalimtarë dhe të mos i nënshtrohen presionit psikologjik të forcave të sigurisë.
Në X/Twitter, gruaja tha se regjimi iranian ishte përpjekur ta heshtte për vite me radhë dhe se ajo u detyrua të largohej nga vendi i saj.
“Regjimi islamik dështoi të më heshtë në Iran për vite me radhë, pavarësisht torturave, poshtërimit dhe kërcënimeve. Tani, duke më etiketuar si sioniste dhe duke shfrytëzuar faktin se, pas vitesh lufte, u detyrova të largohesha nga vendi im sepse jeta ime ishte e kërcënuar nga regjimi islamik, a po përpiqeni të përfundoni atë që vetë regjimi dështoi të bënte?
Akuzat tuaja nuk do të më dëmtojnë, sepse jam plotësisht e vetëdijshme se shumë prej jush mbështesin regjimin islamik, pasi interesat tuaja jo-humanitare shërbehen nga mbijetesa e këtij regjimi kriminal,” shkroi ajo më 10 janar 2026. E kontaktuar nga kolegët italianë të verifikimit të fakteve të Open, gruaja në foto konfirmoi se është iraniane dhe u detyrua të largohej nga vendi disa muaj më parë për shkak të kërcënimeve nga regjimi islamik. Lidhur me fenë, ajo e deklaron veten agnostike.
Pretendimi: Kjo video tregon një dre të bardhë me mutacion gjenetik që shfaqet në pyll
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————-
Në këto ditë të ftohta dimri ka marrë mbi 15 mijë pëlqime në Instagram një video që pretendohet se tregon një kafshë të rrallë, një dre të bardhë me mutacion gjenetik. Pamjet pretendohet se janë regjistruar në Rusi më 21 dhjetor 2025.
Drerët e bardhë si pasojë e një mutacion gjenetik janë të vërtetë, siç përshkruhen në këtë artikull të revistës National Geographic.
Megjithatë, video që po qarkullon në rrjet nuk është e vërtetë. Ajo nuk shoqërohet me ndonjë referencë apo burim nga i cili është botuar fillimisht. Me gjasa, video është gjeneruar nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Video po qarkullon gjerësisht në rrjet me pretendimin se është xhiruar në një numër vendesh të ndryshme, nga Kanadaja, te ShBA
Origjina artificiale e videos dëshmohet nga mospërputhje logjike si ndryshimi i formës dhe numrit të brirëve, mungesa e zhvendosjes së borës dhe përsosmëria e panatyrshme e lëvizjes.
Megjithëse ekzistojnë drerë të bardhë të vërtetë, nuk janë kaq përsosmërisht të bardhë. Një kafshë që jeton në natyrë do të ishte bërë me baltë në këmbë dhe trup. Brirët do të ishin të paktën pak të konsumuar dhe të bërë pis nga vitet e kaluara në pyll.
Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 dhe pas premtimeve të përsëritura për përfundimin e rindërtimit, procesi në zonën e Kombinatit vijon të shoqërohet me vonesa, paqartësi dhe problematika funksionale. Verifikimi më i fundit i “Faktoje” në terren tregon se, ndonëse disa godina të reja janë ndërtuar dhe procesi i shpërndarjes së banesave ka nisur, shumë banorë vijojnë të jetojnë mes pritjes, konfuzionit dhe mungesës së menaxhimit bazë.
Premtimet pas tërmetit
Zona e Kombinatit ishte një nga më të goditurat nga tërmeti i vitit 2019, me rreth 1,500 familje të mbetura pa strehë. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës prezantuan që në vitin 2020 projektin për rindërtimin e Kombinatit si një zonë të re banimi, me pallate të reja, infrastrukturë shoqëruese dhe shërbime publike.
Në vitet në vijim, afatet për përfundimin e rindërtimit u shtynë disa herë. Premtime të përsëritura nga përfaqësues të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës krijuan pritshmëri të reja, por procesi në terren vijoi të ecte më ngadalë se deklaratat publike.
Çfarë ka verifikuar “Faktoje” ndër vite
“Faktoje” e ka ndjekur rindërtimin në Kombinat që prej vitit 2020. Në verifikimet e mëparshme është konstatuar se pallate të shpallura për shembje qëndronin ende në këmbë, se ndërtimi i godinave të reja vonohej dhe se familjet e prekura nga tërmeti vazhdonin të jetonin me qira, shpesh me bonus të pasigurt dhe pa informacion të qartë për shortin.
Në shtator 2020, ish-ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj deklaronte se themelet e pallateve në Kombinat do të hidheshin brenda tetorit të atij viti. Në pranverën e vitit 2022, ai premtoi se “nuk do të kishte më asnjë shenjë nga tërmeti i vitit 2019”, një zotim që rezultoi i pambajtur, pasi shumë godina të dëmtuara vijonin të qëndronin në këmbë. Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë viteve 2022-2024, premtoi disa herë se familjet e para do të futeshin “brenda vitit”, më pas “në fillim të vitit tjetër”, por pa dhënë një afat konkret të respektuar.
Edhe në vitin 2024, “Faktoje” raportoi se disa pallate, ndonëse dukeshin të përfunduara nga jashtë, nuk ishin ende funksionale për banim.
Verifikimi në terren, dhjetor 2025
Më 29 dhjetor 2025, “Faktoje” u rikthye në terren në zonën e Kombinatit, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, ku janë ndërtuar katër godina të reja banimi në formë U-je. Njëra prej tyre ishte ende në proces ndërtimi, ndërsa tre të tjerat ishin pjesërisht të populluara.
Në oborrin mes pallateve, një burrë rreth të pesëdhjetave, që po lëvizte i pasigurt nga një hyrje te tjetra, na ndaloi dhe pyeti:
“Ku është hyrja 7B? Se aty më duket do më dalë shorti… Ende nuk më ka dalë, presim javën e dytë të janarit”
Ai shpjegoi se, ndonëse banorët kanë nisur të hyjnë në këto pallate prej më pak se një viti, shumë familje ende nuk e dinë se kur dhe ku do të sistemohen.
Sipas banorëve, çdo godinë parashikohet të strehojë rreth 150 familje, pra afro 600 familje në total, por një nga pallatet nuk ishte ende i përfunduar, ndërsa tre të tjerët nuk ishin mbushur plotësisht.
Pritja
Një banore rreth të tetëdhjetave, e cila kishte marrë çelësat e apartamentit, u ankua për mungesën e kushteve minimale:
“Na kanë futur në pallat, por ashensori nuk punon. Për ne të moshuarit është shumë e vështirë”
Sipas saj, të gjitha godinat janë të pajisura me ashensorë, por në disa raste ata nuk janë vënë në funksion, për shkak të mungesës së administratorit apo dakordësisë me këtë të fundit.
Zonja gjithashtu shtoi se problem është edhe pastrimi i godinave nga brenda, por edhe rreth e përqark.
Teksa fliste, pranë saj u afrua një mikeshë, gjithashtu e moshuar, të cilës ende nuk i kishte dalë shorti:
“Unë jam akoma jashtë. Pres prej vitesh. Disa nga të shpromësuarit kanë marrë nga 4-5 hyrje njëherësh, ndërsa ne të tjerët presim. Madje muajin e fundit na kanë ulur edhe bonusin e qirasë”
Ajo e përshkroi situatën si të padrejtë dhe të paqartë, duke shtuar se mungesa e informacionit i ka lënë banorët në pasiguri të vazhdueshme.
Infrastruktura
Një tjetër banor i zonës tregoi se në Kombinat pritet të ndërtohen edhe godina të tjera, por aktualisht nuk ka asnjë shenjë konkrete për nisjen e punimeve:
“Na kanë thënë që do bëhen dhe pallate të tjera, por këtu s’po punohet. Ne vetëm presim të mbarojnë trotuaret, të pastrohet zona dhe, me shpresë, të shtrohet rruga”
Ndërkohë, zona përreth pallateve ishte e mbushur me mbetje ndërtimi, copa betoni, kuti kartoni dhe mbeturina të tjera. Banorët thanë se ritmi i shpejtë i popullimit, i kombinuar me mungesën e menaxhimit, ka krijuar kaos në hapësirat e përbashkëta.
Punimet që vazhdojnë
Përpara katër godinave të reja të rindërtuara në zonën e Kombinatit, “Faktoje” konstatoi praninë e tabelave zyrtare informuese të vendosura nga Bashkia e Tiranës. Sipas të dhënave të pasqyruara në to, investitori i projekteve ishte Bashkia Tiranë.
Në njërën nga këto tabela objekti ishte “ndërtimi i infrastrukturës publike brenda unazës së re të zonës”. Afati i ndërtimit të objektit ishte 12 muaj por nuk pasqyrohej data e nisjes apo përfundimit të punimeve. Vlera e objektit shkonte në 285,000,000 lekë pa TVSH.
Në tabelën e dytë në zonë objekti ishte “hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 7 në zonën zhvillimore ‘Kombinat”. Afati i ndërtimit të objektit ishte 17 muaj por sërish nuk pasqyrohej data e nisjes apo përfundimit të punimeve. Vlera e objektit shkonte në 541,400,000 lekë pa TVSH.
Procesi i rindërtimit në Kombinat, ndonëse i avancuar krahasuar me vitet e mëparshme, vijon të mbetet i papërfunduar në praktikë.
Përfundimi
Verifikimi i fundit i “Faktoje” tregon se rindërtimi në Kombinat ka hyrë në një fazë ku një pjesë e banesave janë ndërtuar dhe procesi i shpërndarjes ka nisur, por problematikat kryesore mbeten të pazgjidhura. Pritja për shortin, funksionimi i pjesshëm i ashensorëve, mungesa e administrimit dhe infrastruktura e papërfunduar dëshmojnë se procesi është ende larg përfundimit të plotë.
Gjashtë vite pas tërmetit, për shumë banorë të Kombinatit, rindërtimi vazhdon të jetë më shumë një histori pritjeje sesa një zgjidhje e mbyllur.
Një postim në Facebook njofton vdekjen e trishtueshme të gazetarit shqiptar, Enkel Demi, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë.
Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen. Ky lajm është i rremë. Nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga familja e Demit për humbje jete.
Vetë Demi ka përgënjeshtruar në mënyrë humoristike lajmin në emisionin e mëngjesit të 12 janarit 2026.
Artikulli keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve në mënyrë jo etike.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme për vdekjen e rreme të personave të njohur.
Pretendimi: Kjo video tregon sekuestrimin e një anijeje me flamur rus nga ShBA në janar 2026
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————
Një video e marinsave amerikanë që zbresin nga një helikopter në një aeroplanmbajtëse po ndahet në mediat shqipfolëse si momenti kur ShBA sekuestroi një cisternë nafte me flamur rus, të lidhur me Venezuelën, në janar 2026.
Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar në X/Twitter më 5 tetor 2025 nga Margo Martin, një asistente speciale e presidentit amerikan, Donald Trump.
Video tregon një demonstrim të kryer në aeroplanmbajtësen USS George H. W. Bush për të shënuar 250-vjetorin e Marinës Amerikane, sipas Shërbimit të Shpërndarjes së Informacionit Vizual të Mbrojtjes, i cili tha se Trump dhe gruaja e tij Melania ishin gjithashtu të pranishëm për ta dëshmuar këtë ngjarje. Një foto e Reuters tregon çiftin Trump duke parë të njëjtën skenë në brigjet e Norfolk, Virginia, si në video.
Ndërkaq, është e vërtetë se Roja Bregdetare dhe forcat ushtarake amerikane bllokuan cisternën Bella 1 më 7 janar pas një ndjekjeje dyjavore në Atlantik, duke rrezikuar më shumë përballje me Rusinë, pasi një nëndetëse ruse dhe anije të tjera ndodheshin afër.
Video që po qarkullon në media si pamje nga kjo kapje, në fakt janë xhiruar 3 muaj më parë dhe tregojnë një shfaqje, jo një operacion real ushtarak.
Gjatë raportimit në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Kombëtare, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se pavarësisht motit të keq, të gjitha rrugët kombëtare ishin të hapura.
“Kemi arritur të sigurojmë që akset rrugore kombëtare të jenë të hapura gjatë gjithë kohës…”-deklaroi Balluku.
Por pak minuta pas kësaj deklarate, informacionet zyrtare nga Prefektura e Korçës vërtetonin tjetër gjë. Në raportimin e orës 09:30 të mëngjesit të 9 janarit, Prefektura njoftonte se aksi Qafë Plloçë – Qukës ishte i bllokuar dhe vijonte puna për pastrimin e inerteve.
Edhe verifikimet e Faktoje në terren atë ditë tregojnë qartë se rruga, e sapoinaguruar, nuk ishte e kalueshme.
Rruga Qukës –Qafë Plloçë, 9 janar 2025
Madje, jo vetëm atë ditë. Ky aks kombëtar vijon të jetë i bllokuar prej pesë ditësh për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe inerteve në rrugë. Për të shmangur rreziqet autoritetet vendore kanë pezulluar qarkullimin e automjeteve fill pas aksidentit të ndodhur më 7 janar.
Policia e Qarkullimit Rrugor e Korçës dhe Elbasanit orientojnë mjetet drejt rrugës së vjetër, duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe Qukësit. Rruga do të qëndrojë e mbyllur deri në pastrimin e plotë të dherave dhe inerteve nga firma kontraktore dhe nuk dihet se sa do të zgjasë ky proces.
Bllokim pas bllokimi
Aksi Qukës – Qafë Plloçë, i gjatë 43,4 km, nisi të ndërtohej 16 vite më parë dhe kushtoi rreth 242.6 milionë dollarë. Ndonëse u inaugurua me daulle dhe bukë me qiqra, Faktoje verifikoi se rruga u hap për qarkullim e papërfunduar.
Problemet me rrugën që u inagurua në shtator të vitit të shkuar nisën që në javët e para. Por pamjet e çarjes të skarpatës dhe rënies masive të gurëve dy muaj më pas treguan degradimin e shpejtë të veprës më të shtrenjtë dhe më të stërzgjatur të infrastrukturës në Shqipëri.
Prej katër muajsh, ky aks ka shfaqur probleme të vazhdueshme me rrëshqitjet e dherave, veçanërisht gjatë reshjeve intensive.
Bazuar në të dhënat e mbledhura nga prefektura e Korçës, ARRSH dhe verifikimet në terren, deklarata e ministres Belinda Balluku se “të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme” kategorizohet e pavërtetë. Aksi Qukës – Qafë Plloçë, segment strategjik i rrjetit rrugor kombëtar, vijon të jetë i bllokuar.
Pretendimi: Mjeku Arben Hoxha rekomandon këtë medikament për trajtimin dhe parandalimin e variçeve.
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
—————————————————————-
Një faqe interneti e dizenjuar për të ngjarë si një portal i mirëfilltë lajmesh mbi shëndetin pretendon se një mjek shqiptar me emrin Arben Hoxha jep këshilla mbi parandalimin e variçeve.
Megjithatë, çfarëdo që të klikosh në këtë faqe, do të të dërgojë tek produkti i reklamuar nga artikulli. Kjo pjesë e dizenjos së faqes tregon se ajo shënjestron sidomos përdoruesit që nuk janë shumë familjarë me teknologjinë.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e pretenduar e Arben Hoxha në fakt tregon një mjek bjellorus të quajtur Oleg Rummo, drejtor i Qendrës së Kërkimit dhe Praktikës në Minsk për Kirurgji, Transplantim dhe Hematologji. Rummo ka shërbyer dhe si deputet i parlamentit bjellorus që nga viti 2016.
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si profile online po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit produktin që shesin.
Statistikat e 8 viteve/ Durrësi pati më shumë reshje dhe më pak përmbytje. Çfarë e ndryshoi situatën që solli katastrofën? IGJEUM e përjashtoi Durrësin nga zona e rrezikut për datat 5 dhe 6 janar 2026.
Sebi Alla
Instituti i Gjeoshkencës në datat 5 dhe 6 janar nuk e kishte të përfshirë Durrësin në hartën e rrezikut të përmbytjeve, pasi edhe në parashikimet meteorologjike, ky qark cilësohej me reshje me intesitet mesatar. “Sot pasdite (e hënë, dt. 05) dhe nesër (e martë, dt. 06) priten reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve”, përshkruan IGJEUM, në buletinin “mbi rreziqet natyrore”.
Përmbytje e befasishme
Durrësi, krejt befasisht në mbrëmjen e 5 janarit dhe më datë 6 përfshihet nga përmbytjet masive, nga zona e Porto-Romanos, Ish-këneta, Spitalla dhe mbi 80 % e pjesës urbane përfundoi nën ujë.
“Shirat patën kapacitet të lartë dhe kohëzgjatje të lartë”, tha kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, mbrëmjen e 6 janarit, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu justifikoi situatëm me reshjet e dendura. Ai tha: “…që në orët e para të mëngjesit situata meteorologjike në Durrës dhe Lezhë ka qenë mjaft intensive, mbi 110 mm rënie vetëm në zonën e Durrësit”.
Meteorologët japin një tjetër shifër, disa herë më të ulët se deklarimet e ministrit. “Durrësi e përligj ujin e ditës së djeshme (shënim; data 6) nëpër rrugë për shkak të intesitetit të lartë të reshjeve. Pati diku tek 23 mm në 15 minuta, që përligj për këtë kohë praninë e ujit nëpër rrugë, por nuk përligj vijimin e ujit nëpër rrugë. Uji nuk kullon sepse diçka dhe dikush e ka bllokuar”, tha meteorologia Tanja Porja.
Sasia nuk justifikojnë përmbytjen
Durrësi është rasti për t’u marrë në studim. Arsyet e përmbytjeve të mëdha, sidomos në dy zona ish-Këneta dhe Spitalla, sipas ekspertëve nuk lidhet me sasinë e reshjeve me intesitet të lartë, por nga bllokimi i dy kanaleve kryesore kulluese dhe zhvendosja e hidrovorit të ri në një kuotë të lartë, që bën të pamundur tëheqjen e ujit në sasi dhe kohë. Faktoje.al krahasoi të dhënat ndër vite të reshjeve të shiut për Durrësin dhe nëse në periudha me intesitet të lartë reshjesh ka pasur ose jo përmbytje. Në referim të faqes së njohur të shërbimit meteorologjik www.weatherandclimate.eu, e cila mbledh të dhëna statistikore për shumë qytete nga shtete të ndryshme në Europë, Durrësi nuk renditet ndër qarqet me intesisitet shumë të lartë reshjesh.
Reshjet mujore dhe vjetore në Durrës 2018-2025
Në vitin 2018 rezulton se në datat 5 dhe 6 mars 2018 Durrësi u përfshi nga reshje shumë të dendura shiu, duke shënuar 44 mm shi në një ditë dhe në total brenda këtij muaj 175 mm shi.
Përmbytje pati vetëm në zonën qytetase për disa orë në lagje të ndryshme në Durrës, me prani uji në rrugë. Zona e Spitallës dhe ish-Kënetës nuk rezulton e përmbytur, raportohet për prani uji, por jo për dëme nëpër banesa.
Reshjet ditoe në Durrës 2028-2025
Gjithashtu në katër muaj të vitit 2024, veçanërisht në prill-maj dhe shtator-tetor, Durrësi ka pasur reshje me intesitet të lartë, duke shkaktuar përmbytje të përkohëshme në zonën qytetase, ndërsa nuk u konstatuan dëme dhe përmbytje masive në Spitallë e ish-Kënetë.
Nga krahasimi i të dhënave nga viti 2028-2025, përmbytjet në Durrës kanë njohur ndryshim. Nëse më parë kishte prani uji në qytet në rrugë të ndryshme për disa orë, tashmë në përmbytjet e fundit ka ndryshuar shumëçka dhe arsyet sipas eskeprtëve lidhen si me funksionimin jo të plotë të hidrovorit ashtu edhe me bllokimin e dy kanaleve kulluese. Referuar të dhënave, për disa ditë në vitet 2018, 2019 dhe 2024 ka pasur reshje me intesiitet shumë më të lartë sesa datat 5-6 dhe 7 janar të këtij viti, por përmbytjet nuk kanë qenë masive.
Përfundimi
Në kulmin e përmbytjeve, në mbrëmjen e 6 janarit 2026, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu dhe kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako deklaruan për reshje me kapacitet dhe intesitet me jashtazakonisht të lartë. Deklaratat e tyre do i klasifikojmë si të pavërteta, bazuar në verifikimit e të dhënat zyrtare të IGJEUM dhe qëndrimeve të meteorologëve mbi intesitetin e reshjeve, se këto data reshjet kanë qenë në intensitet mesatar.
Bllokohen kanalet ! Hidrovori i ri gati jo funksional
Nga: Sebi Alla
Fotografitë: Atdhe Mulla
Një pikë loti i shkon ndër mjekër për t’i rënë në ujin e ndotur që përplaset valë-valë në katin e parë të shtëpisë së saj. “E zeza unë. Më iku mundi, djersa familjes. Në atë shtëpi kam edhe jetën e burrit që më vdiq në Greqi duke punuar. Erdhi e më mori uji gjithçka. E zeza unë, e mjera unë”, përsërit nën traumën e dukshme, Lumie Muçaj, gruaja 57-vjeçare që jeton prej 26 vitesh në zonën e ish-kënetës në Durrës. “Përmbytja nuk na erdhi nga Zoti, por nga shteti, unë jam Socialiste”, ndërhyn nga ballkoni i katit të dytë një e moshuar, që pas çdo fjalie ankese ripërsërit se socialiste është dhe se tani “shteti të vendosi dorën në zemër”.
“E zeza unë. Më iku mundi, djersa familjes. Në atë shtëpi kam edhe jetën e burrit që më vdiq në Greqi duke punuar. Erdhi e më mori uji gjithçka.
E zeza unë, e mjera unë”
Mbi 840 familje në zonën e ish-kënetës janë nën ujë, me dëme të mëdha kryesisht në elektroshtëpiake, pasi vërshimi i ujrave të ndotur (ujërat e shiut të bashkuara me ujërat e zeza dhe mbetje nafte) ndodhi në harkun kohor 15-20 minuta, duke mos u lënë mundësi që të lëviznin orendi dhe pajisjet e tjera. Nga Porto-Romano, deri në thellësi të qytetit të Durrësit përmbytjet janë katasrofike.
Pyetja që kërkon përgjigje më shumë se nga ekspertë duhet të vijë nga Prokuroria e Durrësit, e cila po diskuton hapjen e hetimeve kryesisht për akuzën: “shkatërrim i pronës me pasoja të rënda; dhe shpërdorim detyre”. Kjo nisur edhe nga fakti se në duar ka një rast të rëndë për t’i dhënë përgjigje. Një 54-vjeçar punonjës i ndërmarrjes komunale Plazh Durrës, u gjet i mbytur nga polumbarët në një kanal kullues pranë zonës së Plepave.
Hidrovor mbi kuota
Ankesa kudo, bashkë me pikëpyetjen nga erdhi kjo fatkeqësi, nga Zoti, natyra të cilët Durrësin e përmbytën nga padija apo interesat e vogla të treshes; pushtet qëndror-pushtet lokal-biznes?!. “Mbyllja e hidrovorit të vjetër dhe spostimi i hidrovorit të ri në një kuotë më të lartë kanë sjellë këtë pasojë katastrofike”-thotë për Faktoje.al, inxhnieri hidro dhe i porteve, Tomor Spahiu.
Dalja jashtë funksionit e hidovorit të vjetër u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të portit të ri tregtar, që sot shërben kryesisht për çisternat e naftës. Për ekspertin Spahiu, por edhe shumë studiues të tjerë, kjo solli pasojën katastrofike që po kalon Durrësi sot, por me gjasë do e përjetojë në çdo kohë. “Spostimi i hidrivorit u bë për t’i krijuar fasilitet Kastratit”, thekson Spahiu.
Historiku i hidrovorit të vjetër
Durrësi është një zonë që preket nga përmbytjet dhe jo pa qëllim që nga viti 1928 funksiononin dy kanale të mëdha kulluese. I pari shtrihej nga Vila e Zogut deri në Porto Romano, ndërsa i dyti nga Shën Avlashi deri në Plepa. “Të dyja këto kanale janë bllokuar. Nuk di me çfarë logjike, me çfarë ekspertize e me çfarë qëllimi ka ndodhur kjo situatë”, thotë inxhinier Spahiu. Sipas tij, studimet e mëparshme inxhinierike ishin të sakta dhe efikase, fillimisht nga austriakët ndërmjet luftës së Parë Botërore, më pas nga italianët, sistemi komunist dhe vijuar deri katër vite më parë. “Durrësi nuk duhej të përmbytej. Përveç dy kanaleve kryesore që u bllokuan një tjetër arsye madhore e përmbytjeve është spostimi i hidrovorit”, sugjeron Spahiu. Hidrovori i vjetër ishte në kuotën më të ulët të Durrësit dhe tërhiqte të gjithë sasinë ujore, por tre vite më parë hapësira e hidrovorit i kaloi kompanisë Kastrati që do të niste aty ndërtimin e portit të ri tregtar, i cili sot shërben kryesisht për ankorimin dhe më pas shkarkimin e cisternave të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Hidrovori i ri është gati jo funksional
Pasi dhanë për zhvillim portual hapësirën e hidrovorit të vjetër, në nëntor 2021, Bashkia Durrës hapi garën për ndërtimin e hidrovorit të ri. Me fondin 20.5 milionë euro tre kompani, bashkim operatorësh, morën përsipër ndërtimin e kësaj vepre, por vendi ku do ngrihej edhe sot sjell çudi, sidomos në aspektin inxhinierik. “Hidrovori i ri është bërë në kuotë të lartë, është pothuajse jo funksional”, thekson eksperti Spahiu. Gazetari Geri Emiri, drejtues i medias Afora dhe banor i Durrësit, tha për Faktoje.al se investimet për hidrovorin e ri, apo devijimi i kanaleve kulluese solli përkeqësim të situatës së përmbytjeve. “Investimet kanë sjellë devijime të kanaleve ekzistuese që megjithëse ishin ndërtuar për ujërat e shiut nga kodrat dhe tokat bujqësore, shërbejnë edhe si “kanalizime të hapura” për ujërat e përdorura të zonave periferike të qytetit”, thotë Emiri.
“Investimet kanë sjellë devijime të kanaleve ekzistuese që megjithëse ishin ndërtuar për ujërat e shiut nga kodrat dhe tokat bujqësore, shërbejnë edhe si "kanalizime të hapura" për ujërat e përdorura të zonave periferike të qytetit”
Më tej shton se: “Ndërtimi nga qeveria shqiptare dhe vendosja në funksion e një hidrovori të ri po në zonën e Porto-Romanos, nuk ka sjellë përmirësime të dukshme në përballimin e përmbytjeve në qytet, përkundrazi që prej vitit 2025 ato po vijnë dhe po zgjerohen në hartën e zonave që prekin”. “Në disa hulumtime në Median Amfora ne kemi dokumentuar sesi Ujësjellësi i Durrësit që prej vitit 2013 ka marrë mbi 150 milion euro kredi për të investuar në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve, por dukshëm nuk ka arritur që ta përmirësojë situatën në terren”, thotë Emiri.
Por çfarë thoshte kryeministri Edi Rama në vitin 2012 kohë kur ai ishte në opozitë. “Shqipëria nuk qeveriset sepse nuk ka në këtë vend një qeveri të shqiptarëve ka vetëm një çetë të kusarëve”Në kohë të ndryshme, pas 13 vitesh në pushtet, sot ndodhemi në të njëjtën situatë, duke e kategorizuar deklaratën e Ramës thjesht një propagandë.
Pasoja
Si për ironi, rruga “Shën Asti” (kleriku i parë martir, i kryqëzuar nga Romakët në vitin 78 pas krishtit, në Durrës), është aq e përmbytur sa pasojat notojnë kudo. Uji i shiut, përzier frikshëm me ujëra të zeza dhe naftë, ka nxjerrë në sipërfaqe shapka fëmijësh dhe lodrat e tyre, si shenjë domethënëse se përveç pasojave ekonomike, përhapja e infeksioneve të ndryshme nuk do jetë në kohë të largët. “Ka pasur përmbytje edhe më parë por kurrë si tani. Kam 30 vite këtu dhe nuk ka pasur përmbytje të tillë. Nuk ka mbetur më asgjë. Kanë dalë jashtë përdorimit gjithë mobiliet, lavatriçe, frigorifer, sobë, kuzhina e gjitha është dëmtuar. Bleva dhe divane të reja para vitit të ri, tani nuk përdoren më. Katastrofë.”, shprehet me dhimbje Albin Muçaj me origjinë nga Kukësi, i ardhur që në vitin 1996 në Durrës, teksa përsërit “shi ka rënë gjithnjë, edhe më shumë se këto dy ditë dhe nuk jemi përmbytur kështu”.
“Ka pasur përmbytje edhe më parë por kurrë si tani. Kam 30 vite këtu dhe nuk ka pasur përmbytje të tillë. Nuk ka mbetur më asgjë. Kanë dalë jashtë përdorimit gjithë mobiliet, lavatriçe, frigorifer, sobë, kuzhina e gjitha është dëmtuar. Bleva dhe divane të reja para vitit të ri, tani nuk përdoren më. Katastrofë.”
Ndodhemi në rastet kur nuk ka nevojë të trokasësh në dyert e lagura, pasi banorët të kërkojnë secili për hesap të tij për të treguar me ngulm dëmet. Halli është i përbashkët. Arsyeja që dëmet janë vërtetë shumë të mëdha lidhet me shpejtësinë e përmbytjes ku brenda 20 minutash uji kapërceu mbi 60 centimetra në të gjithë katet e para. “Kam dëme shtëpie komplet. Dhjetë mijë euro mobilie më janë shkatërruar. Makina iku, shtëpia iku, kush do mi shpërblejë mua këta? U përmbytëm se bashkia hapi rezervuarin që të mos përmbytej një lokal dhe ujin e hodhi nga banesat. Po ashtu mbyllën edhe hidrovorin e vjetër”, flet plot acarim Altin Priftit, ndërsa këmbëzbathur vërtitet sa në oborrin e shtëpisë aq edhe buzë rrugës duke kërkuar me ngul: “të vijnë atë të bashkisë, ku janë”?. Në një nga daljet e fundit, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ia faturuan problemin reshjeve të dendura të shiut.
Qyteti nën ujë
Në çdo rrugicë që futesh përballesh me të njëjtat probleme. Vetëm ata banesa që kanë qenë të ngritura të paktën 2 metra nga toka kanë pësuar më pak përmbytje, nga ish-këneta, deri në afërsi të Burgut të Durrësit, përmbytja vijon për të tretën ditë radhazi, ndërsa qyteti i Durrësit njohu një përmirësim të vogël të mërkurën, por prania e ujit edhe në zonën më të ngjeshur urbane vijon të jetë problem. “Kam shumë dëme në shtëpi, se e kam në kat të parë. Makinat janë dëmtuar dhe nuk e merr me mend se çfarë dëmesh na ka shkaktuar kjo përmbytje”, thotë një qytetar pranë zonës së Stadiumit të Durrësit.
“Kam të shkatërruar gjithë dhomën e gjumit të djalit me lavatriçe, frigorifer, televizor dhe çdo gjë. Jemi në katastrofë të madhe. Nuk kemi as ujë të pijshëm”, thotë për Faktoje, Bektash Shahini, një tjetër banor i Durrësit. Dëmtime të shumta janë kryesisht në automjete dhe bizneset e kateve të para, ndërsa ish-këneta ndodhet në situatë katastrofike. Hidrovori nuk ka punuar deri në orën 12 dhe këtë e dinë të gjithë. Kjo përmbytje është bërë me nxjerrë jashtë komunitetin nga këtu dhe me e bërë si 5 Majin në Tiranë, apo komunitete të tjera. As bashkia, as qeveria, as emergjanca nuk kanë ardhur. Zoti vuftë dorë mbi ne, se për shtet kemi mbaruar”, thotë për Faktoje Mark Ndrea.
Zgjidhja pa zgjidhje
Për inxhinierin e njohur Tomor Spahiu zona e ish-kënetës por edhe e gjithë pjesa urbane e Durrësit do kalojë katastrofë pas katastrofe edhe në vijim. “Duhet të rikthejnë në funksion hidrovorin e parë. Ai e mbante gjithë Durrësin. Po ashtu emergjente është hapja e dy kanaleve kryesore kulluese. Mënyra sesi është ndërtuar hidrovori i ri nuk vlen. Situata është shumë e rëndë, flas edhe si ekspert por edhe si banor i këtij qyteti”, thotë Spahiu, ndërsa e mbyll: “Ai që po e paguan është populli”.
“Ai që po e paguan është populli”
Prokuroria Durrësit pritet syrtarisht të dalë me njoftim për hapje të hetimeve, ndërsa situata vijon të jetë mjaft e rëndë, pavarësisht angazhimit të strukturave lokale dhe disa mjeteve të ushtrisë.
Pretendimi: Kjo video tregon venezuelianët duke festuar rrëzimin e presidentit Nicolas Maduro në Janar 2026
Verdkti: E pavërtetë
———————————————-
Pas rrëmbimit të bujshëm të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga ushtria amerikane më 3 janar 2026, në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon venezuelianët duke festuar rrëzimin e tij në rrugë.
Në Venezuelë, ka pasur demonstrata si në favor të kapjes së Maduro, ashtu edhe protesta nga mbështetësit e presidentit.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon asnjërën prej tyre.
Me anë te motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është nga 2 vite më parë.
Megjithatë, këshilli zgjedhor i kontrolluar nga qeveria i Venezuelës kishte shpallur fitoren e presidentit në detyrë Nicolas Maduro. Zgjedhja e Maduros ishte kontestuar nga opozita për mashtrim zgjedhor.