Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Lideri i opozitës ruse dënohet me gjashtë vjet burgim

Kritiku i Vladimir Putinit, Sergei Udaltsov është dënuar me gjashtë vjet burgim për terrorizëm nga një gjyakatë në Rusi të enjten, raportoi “The Guardian”. Udhëheqësi i lëvizjes së Frontit të Majtë që kundërshton Putinin dhe është i lidhur me Partinë Komuniste, u arrestua vitin e kaluar.

Sipas faqes ruse të lajmeve Mediazona, akuzat kundër tij rrjedhin nga një artikull që Udaltsovi postoi në internet në mbështetje të një grupi tjetër aktivistësh rusë të akuzuar për formimin e një organizate terroriste. Këta aktivistë u dënuan këtë muaj me dënime që varionin nga 16 deri në 22 vjet burgim.

Udaltsov i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij si të sajuara. Të enjten, ai e cilësoi vendimin si të turpshëm dhe tha se do të hynte në grevë urie.

Ai ishte një figurë e shquar e opozitës gjatë protestave masive të viteve 2011-12 në Rusi, të shkaktuara nga raportet për manipulim të gjerë të zgjedhjeve parlamentare. Në shkurt të vitit 2012, ai mori pjesë në një takim që presidenti i atëhershëm Dmitry Medvedev zhvilloi me figura të ndryshme të opozitës.

Në dhjetor 2023, një gjykatë në Moskë e dënoi Udaltsovin me 40 orë punë të detyruar për shkelje të procedurave që lidhen me organizimin e një tubimi pasi u ndalua në Sheshin e Kuq, ku u përpoq të shpaloste një flamur me imazhin e diktatorit sovjetik Josef Stalin, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, Tass.

Udaltsov ishte burgosur në vitin 2014 dhe ishte dënuar me 4.5 vjet burgim për akuza që lidhen me rolin e tij në organizimin e një demonstrate të vitit 2012 kundër Putinit që u shndërrua në trazira. Ai u lirua në vitin 2017.

Kosova, letërporosi në SPAK/ Hetim pasurive në Shqipëri të 31 të dyshuarve për trafik droge

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar një letërporosi në Prokurorinë e Posaçme SPAK, për të nisur hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 shteasve Kosovarë. Kjo kërkesë është miratuar nga Gjykata e Posaçme duke I dhënë të drejtën SPAK të kryejë hetime.

SPAK ka kryer hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 të dyshuarve, për krijim të të arrdhurave mbi bazën e aktivitetit kriminal. Prokuroria Speciale e Kosovës sqaron në kërkesën e saj për SPAK se është duke hetuar 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash.

Ata janë identifikuar për shkak të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë.

Referuar hetimit të Prokuroisë Speciale të Kosovës të pandehurit i kanë investuar paratë e trafikut të drogës në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si brenda territorit të Republikës së Kosovës, ashtu dhe në vende të tjera përfshirë këtu Shqipërinë.

Për këtë arsye, pala kosovare kërkon të kalohet në filtër jo vetëm pasuritë e tyre, por edhe të 58 personave të tjerë, familjarë apo të afërm në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e paligjshme. Në zbatim të kërkesës së Prokurorisë Speciale, SPAK do të gjurmojë jo vetëm pasuritë e paluajtshme të tyre, por edhe nëse kanë hapur llogari bankare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri./abcnews.al

Shefi i NATO-s, Rutte: Të mos harrojmë se Evropën dhe NATO nuk i përbën vetëm BE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, beson se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëhet plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, pavarësisht qëndrimit të marrë për këtë çështje nga qeveria e presidentit amerikan, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojë më shumë para për mbrojtjen, tha Rutte për dpa në një intervistë të fundit.

“Jam absolutisht i bindur se SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s. Nuk ka asnjë dyshim. Pritshmëritë janë rritur. Në të vërtetë, ne duam të shpenzojmë më shumë, Evropa do të marrë më shumë përgjegjësi”, tha ai.

Ish-kryeministri i Holandës theksoi samitin e NATO-s në Hagë në muajin qershor, ku të gjithë aleatët ranë dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

“Mendoj se kjo është ende një nga fitoret më të mëdha të politikës së jashtme të presidentit Trump, këto 5 për qind, një përkushtim i qartë ndaj prodhimit më të madh”, tha Rutte dhe shtoi se “shtatëdhjetë e pesë për qind e ndikimit ekonomik është ende jashtë BE-së”.

Duke pranuar rëndësinë e BE-së, ai vuri në dukje se 23 vendet e BE-së brenda NATO-s përbëjnë vetëm rreth një të katërtën e ndikimit të përgjithshëm ekonomik të aleancës. “Shtatëdhjetë e pesë për qind është ende jashtë BE-së”, tha ai, duke iu referuar anëtarëve të NATO-s si Britania, Norvegjia, Kanadaja dhe SHBA-ja.

Ukraina përdor dronë të avancuar për goditje në frontin e Lymanit

Forcat ukrainase kanë intensifikuar përdorimin e dronëve FPV për të goditur objektiva ushtarake ruse në zona të pyllëzuara.

Këta dronë, të drejtuar nga distanca, u mundësojnë njësive ukrainase të veprojnë me saktësi dhe shpejtësi të lartë.

Sipas raportimeve, sulmet janë përqendruar pranë vijave të frontit rreth Lymanit, një zonë me rëndësi strategjike.

Terreni i vështirë dhe mbulimi pyjor e bëjnë më të ndërlikuar lëvizjen e trupave në terren.

Situata tregon rritjen e rolit të teknologjisë së dronëve në konfliktin aktual.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.

There is just no escape: Ukrainian FPV drones strike Russian troops near Lyman forests. pic.twitter.com/u9sxstq2yD

— Clash Report (@clashreport) December 26, 2025

Tajlanda bombardon zonën kufitare me Kamboxhian

Tajlanda kreu sulme ajrore në një zonë kufitare të diskutueshme me Kamboxhian, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët vazhduan bisedimet për t’i dhënë fund luftimeve.

Forcat Ajrore Tajlandeze thanë se kishin goditur një “pozicion të fortifikuar ushtarak” kamboxhian pasi civilët ishin larguar nga zona.

Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias akuzoi Tajlandën për “sulme pa dallim” kundër shtëpive të civilëve dhe për plagosjen e disa personave. Luftimet shpërthyen përsëri në fillim të këtij muaji, pasi një armëpushim i brishtë në korrik i dha fund përleshjeve të ashpra kufitare pesë ditëshe.

Të paktën 41 persona janë vrarë dhe pothuajse një milion janë zhvendosur që kur rifilluan armiqësitë. Të dyja vendet kanë fajësuar njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit.

Që atëherë, luftimet janë përhapur në pothuajse çdo provincë përgjatë kufirit prej 800 kilometrash. Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias tha se sulmet e së premtes ndodhën në provincën veriperëndimore Banteay Meanchey. Deri në 40 bomba u hodhën nga aeroplanët luftarakë F-16.

Tajlanda tha se aksioni kishte për qëllim kontrollin e fshatit Nong Chan dhe se u “krye në mënyrë efikase dhe të suksesshme”. Kjo ndodhi ndërsa negociatorët tajlandezë dhe kamboxhianë zhvilluan ditën e tretë të bisedimeve në një pikë kontrolli kufitar. Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul tha se sapo të dyja palët të bien dakord për kushtet e njëra-tjetrës, mund të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi.

SHBA-të dhe Kina janë përpjekur gjithashtu të ndërmjetësojnë një armëpushim të ri.

Ndryshe, mosmarrëveshja midis Tajlandës dhe Kamboxhias daton më shumë se një shekull më parë dhe ka pasur përleshje sporadike, me ushtarë dhe civilë të vrarë nga të dyja palët gjatë viteve. Por në maj, tensionet u përshkallëzuan pasi një ushtar kamboxhian u vra në një përleshje.

Dhe më 24 korrik, situata u përshkallëzua në mënyrë dramatike pas një sulmi me raketa nga Kamboxhia në Tajlandë, i cili u pasua nga sulme ajrore tajlandeze. Kjo shkaktoi pesë ditë luftimesh të ashpra, të cilat lanë dhjetëra ushtarë dhe civilë të vdekur.

“PD, shërbyese e familjes Berisha”/ Ibsen Elezi: E kanë braktisur mbi 200 mijë votues, opozita në regres

Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi thotë se PD është bërë shërbyese e familjes së Sali Berishës.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Elezi u shpreh se PD e kanë braktisur mbi 200 mijë votues.

“Partia është kthyer në një ngrehinë të shkatërruar. Në vetvete ka një barrë të madhe. Fakti që këtu janë thyer të gjitha rregullat, mënyra se si funksionon. Nëse akuzojmë Ramën për autokraci, e njëjta është në PD. Thelbi i gjësë pse PD ka rënë, erdhi gradualisht shkatërrimi. Nuk e di si kanë kurajo t’i flasin për demokraci, anëtarëve të PD. I vjen shumë njerëzve keq. Të jesh i sigurt që pjesa më e madhe e demokratëve, janë në një situatë ku nuk e dijnë se si është zgjidhja. Nuk është çështje organizimi. Duhet të ketë frymë, dëshirë që njerëzit të mblidhen. Nuk ka frymë. PD e kanë braktisur mbi 200 mijë votues. PD është në rënie të vazhdueshme, nuk ka progres. Sali Berisha po e përdor për interesa të familjes së vet.”, theksoi ai./abcnews.al

Aksident në Malësinë e Madhe/ Kamioni del nga rruga, lëndohen dy persona

Rreth orës 16:00, në fshatin Rrjoll, Malësi e Madhe, shtetasi N. P., duke drejtuar një automjet tip kamion, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe, si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar.

Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi N. P., si dhe pasagjeri G. P., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Një burrë tenton vetëvrasje në xhaminë në Mekë, ndërhyjnë forcat e sigurisë

Një përpjekje për vetëvrasje në Xhaminë al-Haram në Mekë u parandalua pasi një anëtar i forcave të sigurisë së xhamisë ndërhyri, duke pësuar lëndime ndërsa përpiqej ta ndalonte burrin të hidhej nga një kat i sipërm.

Pamjet që qarkullojnë në internet kapin momentet e tensionuara para ndërhyrjes. Burri mund të shihet duke iu afruar fundit të katit të sipërm, ndërsa një oficer sigurie nxiton poshtë në përpjekje për ta shpëtuar. Oficeri u lëndua ndërsa parandaloi vetëvrasjen.

Në një deklaratë, Emirati i Rajonit të Mekës tha se Forca Speciale për Sigurinë e Xhamisë së Madhe reagoi menjëherë pasi burri u përpoq të hidhej nga katet e sipërme. Ai shtoi se oficeri i plagosur pësoi fraktura dhe se të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë u kryen në përputhje me rregulloret në fuqi.

Forcat e Sigurisë së xhamisë gjithashtu pranuan incidentin, duke thënë: “Pati një incident ku një person u përpoq t’i jepte fund jetës nga katet e sipërme të Xhamisë së Madhe. Një oficer sigurie u plagos ndërsa përpiqej ta parandalonte atë të binte në tokë në momentin e rënies së tij. Të dy individët u transferuan menjëherë për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe u përfunduan procedurat zyrtare të kërkuara.”

Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite tha se Forca Speciale veproi shpejt për të vënë situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur besimtarët.

Sipas Khaleej Times, Kryeimami i Xhamisë së Madhe, Abdur Rahman As Sudais, foli më vonë duke u bërë thirrje pelegrinëve të nderojnë shenjtërinë e xhamisë së shenjtë, të ndjekin rregullat e saj dhe të përqendrohen në adhurim. Ai theksoi se mbrojtja e jetës është thelbi i mësimeve islame, duke iu referuar vargut kuranor, “Dhe mos e hidhni veten në shkatërrim me duart tuaja”.

“Nisma nuk kalon pragun”/ Zgjedhjet më 28 dhjetor, Arifi: Kosova nuk do ngelet pa qeveri

Analisti politik Valon Arifi tha se Kosova pritet të mos mbetet pa qeveri pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke parashikuar një shumicë të qartë qeverisëse. I ftuar në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Arifi u shpreh se Nisma nuk pritet të kalojë pragun zgjedhor, ndërsa njëra nga palët politike do të sigurojë rreth 51% të votës për formimin e qeverisë.

Sipas tij, gjasat më të mëdha për të udhëhequr ekzekutivin i ka Lëvizja Vetëvendosje, e cila mund të përfitojë edhe nga vota e diasporës. Ai theksoi gjithashtu se partia e Ramush Haradinajt pritet ta kalojë sërish pragun zgjedhor, duke u bazuar në rezultatet e saj në nivel lokal, ndërsa vuri në dukje se ritmi i shpeshtë i zgjedhjeve brenda një viti mbetet një fenomen i veçantë në skenën politike të Kosovës.

“Nuk besoj se Kosova do të ngelet pa qeveri pas këtyre zgjedhjeve. Nisma nuk kalon pragun. Njëra palë do të ketë 51% e votës qeveritare. Gjasat më të mëdha i ka qeveria Vetëvendosja.

Edhe në këto zgjedhje Partia e Haradinajt nuk do e ketë të vështirë që të kalojë pragun zgjedhor sepse e njëjta parti, fitoi goxha komuna. Është interesante në Kosovë që zgjedhjet po përsëriten shumë shpejt brenda vitit. Diaspora mund të bëjë diferencën në favor të Vetëvendosjes”, tha Arifi./abcnews.al

Shpërthim gjatë faljes në një xhami në Siri, të paktën gjashtë të vdekur

Një sulm i rëndë ka ndodhur në xhaminë shiite Imam Ali në qytetin Homs, në Siri, gjatë kohës së faljes. Një person i armatosur me lëndë shpërthyese e ka aktivizuar atë brenda objektit fetar, duke shkaktuar pasoja të rënda.

Sipas burimeve lokale, të paktën 6 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Të lënduarit janë transportuar në spitalet e zonës, ku po marrin trajtim mjekësor, raporton aljazeera.

Në vendngjarje kanë arritur menjëherë shërbimet e emergjencës dhe forcat e sigurisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit.

Autoritetet kanë forcuar masat e sigurisë edhe në objekte të tjera fetare, nga frika e incidenteve të mëtejshme. Ngjarja vjen në një kontekst të ndjeshëm sigurie në Siri dhe pritet të rrisë shqetësimet për stabilitetin dhe sigurinë e civilëve, veçanërisht në vendet e kultit.

10 vite burg për ish-presidentin e Koresë së Jugut

Prokurori Special ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, pas përpjekjes së dështuar për të shpallur ligjin ushtarak në vitin 2024.

Avokatët e ish-presidentit e kanë cilësuar kërkesën për 10 vite burg si “të tepruar”.

Yoon Suk Yeol përballet edhe me akuza të tjera të rënda, përfshirë korrupsion, abuzim me pushtetin dhe rebelim, një vepër penale që në Korenë e Jugut dënohet me burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje.

Shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon solli trupa të armatosura në rrugët e Seulit, duke shkaktuar krizën politike më të rëndë në dekada. Masa zgjati vetëm disa orë, pasi deputetët arritën të hyjnë në Parlament dhe votuan për shfuqizimin e saj.

Në dhjetor të vitit 2024, Yoon u shkarkua nga Parlamenti, ndërsa në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e hoqi zyrtarisht nga detyra.

Sipas prokurorisë, pas shkarkimit, ish-presidenti u mbyll për javë të tëra në rezidencën e tij, duke penguar zbatimin e urdhrit për arrestim.

Prokurorët e cilësuan veprimin e tij si një pengim të paprecedentë të drejtësisë.

Yoon akuzohet gjithashtu se anashkaloi një mbledhje të plotë të kabinetit, siç kërkohet nga ligji, përpara shpalljes së ligjit ushtarak, si dhe se falsifikoi dokumente dhe urdhëroi fshirjen e të dhënave nga telefonat e personave të përfshirë.

Ish-presidenti i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim mobilizimin e opinionit publik kundër opozitës liberale, të cilën e akuzon për bllokimin e qeverisjes së tij.

Ndërsa hetimet pretendojnë se Yoon kishte planifikuar për më shumë se një vit shpalljen e ligjit ushtarak, me synim eliminimin e rivalëve politikë dhe përqendrimin e pushtetit.

Zelensky konfirmon takimin me Trump: Të dielën, në Florida. Të përfshirë edhe europianët…

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se do të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të dielën më 28 dhjetor, në Florida.

“Ne kemi një axhendë të gjerë dhe takimi do të zhvillohet këtë fundjavë, besoj të dielën, në Florida, ku do të takohemi me presidentin Trump”, ka deklaruar Zelensky për mediat, sipas agjencisë RBC-Ukraina.

Sipas tij, në fokus të bisedimeve do të jenë garancitë e sigurisë, si dhe disa dokumente të rëndësishme. “Është e dëshirueshme të gjejmë një mënyrë për t’i diskutuar të gjitha”, ka theksuar presidenti ukrainas, duke shtuar se në konsultime mund të përfshihen pjesërisht edhe përfaqësues të vendeve evropiane.

“Do të jem në kontakt të vazhdueshëm me ta. Do të donim që evropianët të ishin të pranishëm”, ka thënë Zelensky, duke pranuar vështirësitë për zhvillimin e një takimi fizik. Ai ka sqaruar se, të paktën, lidhja do të realizohet online dhe partnerët evropianë do të jenë në komunikim.

Ndërkohë, Zelensky ka bërë të ditur se plani i paqes me 20 pika, mbi të cilin po punojnë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, është “gati në 90%”.

“Detyra jonë është të sigurojmë që gjithçka të jetë gati 100%. Nuk është e lehtë dhe askush nuk thotë se do të arrihet menjëherë. Megjithatë, me çdo takim dhe çdo bisedë duhet t’i afrohemi rezultatit të dëshiruar”, ka përfunduar ai.

Mariah Carey vendos rekord historik në Billboard me hitin e Krishtlindjeve

Mariah Carey ka hyrë sërish në histori të muzikës botërore. Kënga e saj ikonike “All I Want for Christmas Is You” ka çuar artisten amerikane në një rekord të paprecedentë: 100 javë në vendin e parë të Billboard Hot 100, duke e bërë Carey artisten e parë që arrin këtë shifër që nga themelimi i renditjes 67 vite më parë.

Sipas Billboard, deri më 22 dhjetor 2025, hiti i Krishtlindjeve mban javën e 21-të në total në krye të Hot 100, duke zgjeruar më tej rekordin si kënga me qëndrimin më të gjatë në vendin e parë nga një artiste femër. Pas Carey-t renditen Rihanna me 60 javë, The Beatles me 59 dhe Drake me 56 javë në krye të klasifikimit.

“All I Want for Christmas Is You”, e publikuar fillimisht në vitin 1994, është rikthyer në vendin e parë për sezonin e shtatë radhazi të festave, duke u shndërruar në simbol global të Krishtlindjeve. Vetëm kjo këngë përbën 21 nga 100 javët e Carey-t në vendin e parë, nga 19 këngë që ajo ka pasur në krye të Billboard Hot 100 gjatë karrierës së saj, shkruan KultPlus.

Gjatë javës së fundit të matjes, kënga regjistroi 43.6 milionë dëgjime në SHBA, 28 milionë dëgjues në radio dhe mijëra shkarkime digjitale. Paralelisht, Shoqata Amerikane e Industrisë së Regjistrimeve (RIAA) e certifikoi këngën me 18x Platinum, duke e bërë singlin më të certifikuar ndonjëherë nga një artiste femër në SHBA.

Me këtë arritje, Mariah Carey forcon edhe më tej statusin e saj si një nga figurat më të mëdha të historisë së muzikës pop dhe si “Mbretëresha e Krishtlindjeve”, një titull që duket se vazhdon të justifikohet çdo vit.

Superkupa e Shqipërisë/ Egnatia – Dinamo City, sfida që mbyll vitin 2025 luhet të dielën në “Air Albania”

E diela e fundit e vitit, 28 dhjetori, vjen me një takim special për futbollin shqiptar, ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë. Përballja Egnatia – Dinamo City nuk është thjesht një sfidë futbolli, por një spektakël 90-minutësh që meriton të përjetohet nga afër, në shkallët e stadiumit më modern dhe më të bukur në vend, “Air Albania”.

Një sfidë që shkon përtej një trofeu. Në fushë do të zbresin dy nga skuadrat më të mira të sezonit aktual dhe të atij që lamë pas, të vendosura për të mbyllur vitin me një sukses madhor dhe për të fituar trofeun e fundit të vitit futbollistik.

Për tifozët e futbollit është thjesht një ndeshje, për tifozët e Egnatias dhe Dinamo City është emocioni i radhës, ndërsa për vetë skuadrat është një dhuratë e vërtetë fundviti. Dhe kush nuk do të donte ta përmbyllte vitin me një trofe në duar?

Ndeshja Egnatia – Dinamo City do të luhet të dielën në ora 19:00 në “Air Albania”.

Personazhet e vitit/ Shoqata “Mallakastra” vlerëson njerëzit e shquar të krahinës

Ministri i Mjedisit Sovjan Jaupaj, ish-ushtaraku, Avni Skënderaj dhe skulptori Shkëlqim Meçaj janë ndëruar me titullin “Personazhi i vitit 2025” nga Shoqata Kulturore Patriotike e Mallakastrës.

Ndërsa  ish-zëvëndës Prefektja e Qarkut të Fierit, Mbarime Isufaj u nderua me titullin “Krenaria e Mallakastrës”.

Çmimet u ndanë të mërkurën në sallën e Akademisë së Shkencave në Tiranë, ku u mbajt ceremonia e Shoqatës Kulturore Patriotike të Mallakastrës, me pjesëmarrjen e shumë figurave të shquar të fushave të ndryshme si të politikës, kultures, etj.

Ceremonia u mbyll me një drekë tradicionale dhe shfaqje muzikore nga Grupi Polifonik i Mallakastrës./abcnews.al

 

SEPA, miliona euro kursime/ Bizneset dhe qytetarët, kosto më të lira për transferta parash në vendet e BE

Ekonomia shqiptare do të përfitojë 71.3 milion euro nga anëtarësimi në sistemin Europian të pagesave. Ata që përfitojnë direkt janë qytetarët  dhe bizneset që realizojnë pagesa apo kryejnë trasaksione  në vende të ndryshme të Europës.

Këto të dhëna janë  nxjerë pas një studimi të realizuar nga ekspertë të German Economic Team, GET (ent konsulence i financuar nga Ministria Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë).

Ndërkohë që nga të dhënat paraprake rezulton se   vetëm në një muaj ka pasur fluks të transfertave në Sepa të cilat përllogariten  në rreth 600 milion euro.

Në raport theksohet se reduktimi i kostove të transfertave ndërkombëtare do të arrijë në 62 milionë euro për pagesat e lidhura me tregtinë e jashtme dhe më shumë se 9 milionë euro për remitanca.

Integrimi në SEPA përkthehet ndër të tjera edhe në një element të rëndësishëm për uljen e informalitetit në ekonomi.

Pas anëtarësimit në Sepa transaksionet deri në 20 mijë euro që nisen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, do të kenë  komisione deri  në 2 euro, ndërsa për trasaksionet për vlera deri në 100 mijë euro janë sa 0.01% e vlerës, ndërsa për transaksionet mbi 100 mijë euro, komisionet janë maksimumi 25 euro.

Ndërsa për të gjithë shqiptarët që janë në emigrim dhe do të sjellin para për familjarët e tyre në rrugë zyrtare, komisioni maksimal do të jetë 3 euro.

Anëtarësimi në SEPA është një arritje në rrugën drejt BE pasi konfirmon integrimin ekonomik. Kjo do u sjell qytetarëve përfitime konkrete por edhe bizneseve.

❌