Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Netanyahu takohet me Trump/ Presidenti amerikan: Rindërtimi i Gazës do nisë shumë shpejt. Nëse Irani riarmatoset do përgjigjemi

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Mar-a-Lago ku edhe është pritur nga presidenti amerikan Donald Trump.

Gjithashtu kanë mbërritur edhe delegacionet izraelite dhe ato amerikane ku pritet të ketë diskutime mes tyre.

Trump duke iu përgjigjur fillimisht disa pyetjeve të gazetarëve, tha se në fokus do të jetë edhe rindërtimi i Gazës. Gjithashtu Trump paralajmëroi se nëse Irani përpiqet të armatoset, atëherë SHBA nuk mund të qëndrojë e heshtur.

“Kam dëgjuar se Irani po përpiqet të ndërtohet përsëri, dhe nëse po do të na duhet t’i rrëzojmë, do t’i rrëzojmë, do t’i shkatërrojmë plotësisht. Por shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Kam dëgjuar që Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje. Nëse ata duan të bëjnë një marrëveshje, kjo është shumë më e zgjuar”, tha ai.

Ndërsa Netanyahu ka vlerësuar mbështetjen e Trump, ndërsa është shprehur se “Izraeli kurrë nuk ka pasur një mik si Presidenti Trump.

Fermerët bllokojnë sërish rrugët në Greqi, pas përshkallëzimit të protestave

Protestat e fermerëve në bllokadën e Bralos u  përshkallëzuan sot, pas një vendimi unanim të mbledhjes së përgjithshme që u zhvillua mbrëmë.

Fermerët vendosën të vazhdojnë me një bllokim dyorësh të rrugëve dytësore dhe hyrjeve në rrjetin kombëtar dhe provincial.

Vendimi u mor në një atmosferë të tensionuar, pasi ishin bërë njoftime në orët e mëparshme sipas të cilave përfaqësuesit e tyre kishin marrë pjesë në takimin e Epanomit dhe kishin nënshkruar tekstin përkatës.

Mbledhja e përgjithshme e mohoi kategorikisht këtë, duke sqaruar se “prania e tyre në Epanomi ishte vetëm si vëzhgues dhe pa asnjë autorizim apo vendim për bllokadën”.

Njëkohësisht, ata deklaruan se mbështesin plotësisht Komitetin Panhelenik të Bllokadave, në të cilin marrin pjesë, dhe identifikohen plotësisht me vendimet dhe kuadrin që është rënë dakord, duke refuzuar çdo interpretim tjetër.

Në vendimin e tyre, ata përsëritën se, pavarësisht përshkallëzimit të protestave, do të vazhdojnë të tregojnë përgjegjësi shoqërore, duke lehtësuar trafikun në pamje të largimit dhe kthimit të udhëtarëve gjatë festave.

Problemi në ujësjellës, banorët pa ujë/ Mbërrijnë nga Turqia pjesët për rregullimin e defektit, nis puna për riparimin e tubacionit në Vlorë

Pas mbërritjes në Rinas materialet për sistemin e transportit të ujit të pijshëm, u transportuan në Vlorë.

Këto materiale do të bëjnë të mundur bashkimin e tubove dhe furnizimin me ujë për banorët e Vlorës. Ndërkohë raportohet se ka nisur menjëherë puna dhe pritet të mbyllet në mesnatë për të rikthyer më pas normalitetin në furnizimin me ujë.

Banorët në Vlorë u përballën me mungesën  e ujit të pijshëm prej ditësh. Këtë të hënë ata protestuan para Bashkisë duke kërkuar edhe zgjidhje për shkak se situatës shqetësuese.

Ministri i Jashtëm ukrainas: Rusia po kërkon ‘justifikime’ për të nisur sulme të reja

Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibikha u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të dënojnë “manipulimet” e Rusisë mbi sulmin e supozuar ukrainas ndaj rezidencës së Vladimir Putin.

Ai u shpreh se Moska po kërkonte “justifikime” për të kryer sulme të mëtejshme ndaj Ukrainës.

“Një taktikë tipike ruse: akuzon palën tjetër për diçka që po bën ose po planifikon”, tha ai në një reagimin në platformën X.

Gjithashtu edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se akuzat ruse ishin “të rreme” dhe se ai e kishte diskutuar çështjen me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Foltorja bosh e Berishës/ Çupi: Më shumë njerëz mblidhen në dasma, kjo opozitë s’të çon askund

TIRANË– Militantët braktisin Sali Berishën. Ky ishte mesazhi kryesor, që u përcoll sot në “Foltoren” e thirrur para godinës së kryeministrisë nga kryetari i PD, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kjo është foltorja e shtatë që kryetari i PD organizon para kryeministrisë. Analisti Frrok Çupi i ftuar në “Tirana Live” u shpreh se nga ky tubim nuk ka asgjë të re, përveçse tregon të vërtetën e hidhur se opozita që shohin sot qytetarët shqiptarë nuk të çon askund.

Sipas Çupit, dëshira kryesore e Sali Berishë është të krijojë rrëmujë pasi i mungon jeta sociale.

“E njëjta gjë. “U martua Asani, mori atë që kishte”. Një dasmë ka më shumë njerëz sesa kaq.  Foltorja para kryeministrisë po mbahet, sepse Berisha nuk ka jetë sociale. Kjo është një opozitë që nuk të çon askund. Të çon në bulevard dhe shikojmë 20 apo 30 vetë. Opozita e degraduar, sepse Berisha nuk bën politikë.  Bën deklarata dhe sulme çdo ditë, por askush nuk i thotë asgjë. Dëshira e tij është të krijojë rrëmujë kur nuk duhet.  Pritet që opozitës t’i ketë avulluar kauza që ka ngritur me fantazmat.”, tha ai.

Ai theksoi se drejtësia duhet të japë verdiktin e saj për “krimin shtetëror” të 21 janarit dhe për shpërthimin vdekjeprurës të Gërdecit, ku ish-kryeministri Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij politikë janë të implikuar dhe po hetohen nga SPAK.

“Saliu po pret 21 janarin, Luli 21 janarin, tjetri Gërdecin dhe njerëzit po presin që të shpaguhen krimet kundër personit, kundër njeriut. Opozita nuk ka tezë dhe as filozofi”, tha mes tjerash analisti Frrok Çupi./abcnews.al

Defekt në ujësjellës, banorët pa ujë/ Bashkia Vlorë: Sot vijnë tre pajisje nga Turqia. Rinis furnizimi

3 pjesë të ardhura nga Turqia pritet t’i japë fund problemit të shkaktuar në tubin kryesor të qytetit të Vlorës.

Defekti, i cili la pa ujë banorët e qytetit bregdetar për 4 ditë, do të riparohet, ndërsa kryetarja e bashkisë garantoi zgjidhjen e problemit.

Inxhinieri Faluers Shoshi, drejtor i ujësjellës kanalizimeve në Vlorë, tregoi dhe arsyet përse ndodhi defekti.

Për mungesën e ujit, qytetarët e Vlorës u mblodhën duke protestuar që prej mëngjesit në dyert e bashkisë.

Përplasje pati edhe me policinë…

Pavarësisht provave për të rregulluar avarinë, përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme, ndërsa në mesnatë, sipas autoriteteve, ky problem do të marrë zgjidhje përfundimtare.

“Sonte në mesnatë do të rikthehet furnizimi më ujë. Kjo është fjala ime”.

/abcnews.al/

“Synoj edhe një mandat si presidente”/ Vjosa Osmani për Rel: Nëse nuk rizgjidhem do të angazhohem në politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.

Osmani u shpreh se synon edhe një mandat si presidente. Ndër të tjera ajo ka thënë se nëse nuk rizgjidhet do të angazhohet në politikë

“Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës”.

Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave.

Presidentja Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.

Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor.

Përveç kësaj, Osmani foli edhe lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndërkaq, në lidhje me politikën e jashtme, presidentja komentoi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e Donald Trumpit, dhe prapaskenat e takimeve me zyrtarë amerikanë.

“Në dy vizitat që i kam pasur në Departamentin e Shtetit, brenda këtyre pak muajsh, çështja e parë që më është rikonfirmuar tepër qartë ka qenë kjo: ‘Ne e mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës'”.

Ajo foli edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Presidente, Kosova dje i pati zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të dytat për këtë vit. Lëvizja Vetëvendosje doli fituese edhe kësaj radhe, me përqindje më të lartë, sipas rezultateve preliminare. Si i keni parë këto rezultate?

Vjosa Osmani: Në radhë të parë, unë dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për shembullin e një demokracie jashtëzakonisht të fortë elektorale që ata e kanë dëshmuar për të satën herë me radhë, dhe siç e thatë edhe ju, përkundër faktit që zgjedhjet janë përsëritur disa herë gjatë këtij viti, sepse kishim edhe zgjedhje lokale, qytetarët treguan se Kosova organizon zgjedhje model. Model do të thosha jo vetëm për rajonin tonë, por edhe përtej, me një demokraci jashtëzakonisht të fuqishme, me zgjedhje të rregullta, të cilat janë sipas standardeve më të larta demokratike që mund të kërkojë dikush.

Jo rastësisht, ky është njëri prej elementëve që e kanë ngritur vazhdimisht Kosovën në indekset ndërkombëtare për fuqizimin e demokracisë sonë, të arritura me të cilat jemi jashtëzakonisht krenarë, dhe jam shumë krenare edhe me mënyrën se si gjithçka ka shkuar dje, me daljen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e tyre masive, dhe siç e kam thënë edhe dje kur votova, sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e qartë është rruga përpara. Dhe, siç po e shohim edhe nga rezultatet tashmë, do të kemi shumë shpejtë edhe parlament të konstituuar, edhe qeveri të zgjedhur.

Radio Evropa e Lirë: E thatë vetë, tash gjasat janë të mëdha që institucionet të zgjidhen dhe qeveria të bëhet. Pastaj Kosovën e pret një tjetër zgjedhje. Mandati juaj përfundon në prill. A synoni mandat të dytë?

Vjosa Osmani: Përgjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë maksimumin që të punojmë shumë për interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kemi punuar që Kosova të mos konsiderohet thjesht si një shtet që ndjek zhvillimet, por si një prej faktorëve të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare që ka rol në përcaktimin e këtyre zhvillimeve. Përgjatë këtyre pesë vjetëve, Kosova është fuqizuar si shtet, brenda dhe jashtë. Brenda, në radhë të parë, për shkak se e ka shtrirë sovranitetin në çdo milimetër të territorit të vendit, kemi fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit që ka qenë një prej prioriteteve tona të përbashkëta që nga koha kur jam zgjedhur presidente në fillim të vitit 2021, dhe natyrshëm në arenën ndërkombëtare Kosova kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e fortë, sado që kemi pasur sfida, por sfidat në radhë të parë kanë ardhur nga Serbia, e cila, siç e dini, ka eskaluar edhe me akt-agresionin ndaj Republikës së Kosovës, dhe me sulme ndaj infrastrukturës tonë kritike, dhe me një sërë aktesh destabilizuese.

Në rrethana të tilla, si institucione të Kosovës, kemi bërë të pamundurën dhe besoj kemi arritur që të mbrohet interesi i Republikës së Kosovës, që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial, që në asnjë moment të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti ynë, shtetësia jonë, parimi i unitaritetit të shtetit, dhe njëkohësisht e kemi përfaqësuar Republikën e Kosovës denjësisht para syve të botës, duke ndërtuar një imazh të denjë, të tillë siç e meritojnë qytetarët tanë. Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë e synoni edhe një mandat?

Vjosa Osmani: Synoj që t’i vazhdoj punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë te dera duhet të vazhdohen, sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë. Megjithatë, unë, po ashtu, jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të drejtat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin, do të thosha, në dy pika themelore. E para është nëse duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta është nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar…

Radio Evropa e Lirë: A synoni bisedime me opozitën?

Vjosa Osmani: Natyrisht, siç kam bërë edhe herën e kaluar, do ta bëjmë sërish me të gjithë deputetët. Natyrisht, unë nuk kërkoj përkrahje nga Lista Serbe, sepse sikurse edhe herën e kaluar, nuk kam pasur ndonjë votë nga ata dhe, siç e dini, pas veprimeve të tyre…

Foltorja bosh e Berishës/ Thërret mbështetës, por nuk ka njerëz në bulevard

TIRANË– Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të mblidhen në bulevard për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë, por edhe kësaj herë militantët e kanë braktisur.

Ndryshe nga pritshmëritë e organizatorëve, pjesëmarrja ishte e ulët dhe hapësira përpara podiumit ishte pothuajse bosh.

Pamjet e sotme nuk janë të panjohura, pasi bulevardi bosh ka qenë epilogu i çdo foltoreje, që ka organizuar deri tani Sali Berisha./abcnews.al

Turkish Airlines (më në fund)/ Kompania turke nis fluturime në Tiranë, pas shkëputjes nga Air Albania

Kompania turke Turkish Airlines do të nisë fluturimet drejt aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza dhe anasjelltas.

Ne faqen zyrtare të kompanisë njoftohet se fluturimet direkte drejt Tiranës do të nisin në 10 janar por prenotimet mund të realizohen vetëm pas datës 23 janar.

Biletat variojnë nga 51 deri në 58 euro vetëm për një drejtim. Ky vendim i kompanisë turke vjen pas shitjes së 49% të aksioneve që zotëronte në kompanianë shqiptare të fluturimeve Air Albania.

Pas shitjes së aksioneve kompania turke  anuloi edhe shitjen e biletave tranzit përmes Air Albania, duke detyruar qytetarët që  kishin bileta të tilla që të fluturonin  për në kryeqytetin turk  nga Podgorica ose Mali i Zi.

Dalja e Turkish Airlines nga ky partneritet  vjen menjëherë pasi ajo ra dakord të blinte deri në 27 përqind të Air Europa, një veprim që synon zgjerimin e shtrirjes së saj globale dhe hapjen e tregjeve të reja të turizmit dhe ngarkesave midis Turqisë dhe Amerikës Latine.

Ndryshimi sugjeron një strategji të fokusuar në mundësi më të mëdha dhe më konkurruese për të forcuar pozicionin e saj strategjik në industrinë globale të aviacionit dhe për të rritur numrin e turistëve që vizitojnë Turqinë.

Një tjetër arsye e shitjes së aksioneve që kompania turke ka në Air Albania mendohet se është edhe gjendja financiare pasi fitimet kanë rezultuar më të vogla sesa shpenzimet gjatë vitit 2025.

Ndërkohë  që kompania shqiptare Air Albania  nga kërkimi në faqen zyrtare nuk ofron fluturime drejt Stambollit për ditët në vijim.

Tragjedi në Pirenej, orteku i merr jetën tre personave

Një ortek ka vrarë tre persona dhe ka plagosur një tjetër, në Pirenejtë Aragoneze në Spanjën verilindore. Autoritetet nisën menjëherë kërkimet pas njoftimit nga një person që kishte raportuar ngjarjen

Garda Civile Spanjolle për AFP se mënjëherë u angazhuan e ekipet e shpëtimit në zonë.

Presidenti i rajonit, Jorge Athcon reagoi në një postim në X duke u shprehur se ishte “i tronditur nga lajmi i aksidentit tragjik në “Tablato”.

Investimet e huaja, Kosova e para/ Banka: Dyfishohen investimet nga Kosova, Italia e dyta

Investimet nga Kosova kanë regjistruar një dyfishim në tremujorin e tretë të këtij viti.

Sipas të dhënave Të Bankës së Shqipërisë rezulton se në periudhën korrik-shtator në vend janë realizuar investime në vlerën e 90 milion eurove duke shënuar një rritje të forte me një tremujor më parë por edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Investimet nga Kosova në Shqipëri fokusohen në shërbime e tregti  ku po zgjerohen kryesisht në tregtinë me pakicë, në pasuritë e paluajtshme e ndërtim por edhe në industrinë përpunuese. Në vend të dytë vijon të pozicionohet Italia me 48 milion euro.

Ky shtet i ka investimet të përqendruara kryesisht  në pasuri të paluajtshme dhe energji të rinovueshme. Holanda pozicionohet në vend të tretë me  45 milion euro  ndërsa Turqia ka zbritur në vend të katërt me 39 milionë euro në tremujorin e tretë.

Edhe nëse bëjmë një krahasim si 9 mujor përsëri Kosova pozicionohet e para përsa i përket investimeve duke arritur vlerën 153 milion euro. Ndërkohë  në vend të dytë renditet Italia me  137 milion euro.

Shqipëria ka thithur më shumë investime gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në periudhën janar-shtator   totali i investimeve të huaja direkte arriti mbi 1.2miliardë euro, duke u rritur me 4.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë nëse vërejmë të dhënat për periudhën korrik-shtator rritja është edhe më e fortë. Investimet e huaja direkte arritën  në 449 milionë euro, me një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Përqendrimi kryesor është në blerjen e pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e tretë 2025 flukset hyrëse ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme 31%, ndërmjetësim financiar 16%, hidrokarbure 6%, energjetikë  dhe  komunikacion. Vetëm për blerjen e  pronave janë investuar 392 milionë  ose 123 milionë më tepër  se një vit më parë ndërsa për agjentët imobilarë. Shqipëria është ende një treg me interes për të huajt.

Investimet sipas shteteve

Kosova          90 mln euro

Itali               48 mln euro

Holandë     45 mln euro

Turqi           39 mln euro

Investimet ne janar- shtator

Kosova    153 mln euro

Italia         137 mln euro

Holanda   130 mln euro

Turqia       128 mln euro

Greqia, Izraeli dhe Qipro planifikojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në Mesdhe

Greqia, Izraeli dhe Qiproja do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ajrore dhe detare në Mesdheun lindor në vitin 2026, duke thelluar bashkëpunimin e tyre në mbrojtje, kanë thënë të hënën zyrtarë ushtarakë grekë.

Të tri vendet e Mesdheut lindor janë afruar më shumë gjatë dekadës së fundit përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, prokurimit të mbrojtjes dhe bashkëpunimit në energji, zhvillime të vëzhguara nga afër nga rivali rajonal Turqia.

Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Greqisë (GEETHA) ka thënë se zyrtarë të lartë ushtarakë nga të tri vendet nënshkruan një plan të përbashkët veprimi për bashkëpunimin në mbrojtje javën e kaluar në Qipro.

Marrëveshja vjen pas një takimi në Jerusalem midis kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, presidentit qipriot, Nikos Christodoulides dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilin ata nënshkruan një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë detare dhe për të avancuar projektet e ndërlidhjes në energji, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Shpërthim i matësit elektrik apo atentat? Çfarë ndodhi në Shkodër, pistat e hetimit dhe “fijet” që çojnë në vrasjen e vitit 1995

Hysni Ymeri është personi i cili humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në zonën e Perashit në Shkodër. Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë me dije se, sipas verifikimeve paraprake, shpërthimi nuk dyshohet të ketë ardhur nga energjia elektrike, duke argumentuar se fuqia e shpërthimit ka qenë shumë e madhe, ndërkohë që në vendin ku ndodhi eksplozioni ndodhej një panel me matës elektrik me tension deri në 400 volt që teorikisht dhe teknikisht sipas OSHEE është e pamundur që të sjellin atë shpërthim aq të fuqishëm.

Ndërkohë, grupi i antiterrorit, i cili erdhi nga Tirana ka kryer këqyrjen e vendngjarjes dhe nuk ka konstatuar me sy të lirë mbetje të lëndëve eksplozive, por ka mbledhur materialet të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike.

Analiza kimike është ajo që do ta përcaktojë nëse ka patur apo jo tritol. Nga ana tjetër ekspertiza mjeko ligjore në spitalin e Shkodrës pas kçyrjes së trupit të viktimës e ka përcaktuar humbjen e jetës të 67-vjeçarit për shkak të energjisë elektrike.

Sipas këtij raporti, viktima ka të dëmtuar dorën e djathtë nga kontakti me korentin si dhe ka dëmtime në koka nga djegia ndërsa në trup është i padëmtuar.

Fakti që ka dorën e djathtë të nxirë nga energjia elektrike dhe jo të majtën e cila ishte në anën e panelit elektrik kur tentoi të ngjitej në pallat, ka bindur grupin mjeko ligjor që ta përcaktojnë vdekjen nga kontakti me korentin duke shtuar edhe djegien nga flakët në kokë.

Djali i viktimës, Alban Ymeri deklaroi për policinë se nuk kanë probleme me askend dhe se nuk kanë patur kërcënime. Gjjthsesi hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë deri në përfundimin e ekspertizës së plotë.

Analiza kimike do të jetë ajo që do vulosë nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo kriminale. 67 vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër.
Në vitin 1995 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i viktimës që humbi jetën sot. Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata.

Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës pas disa deklaratsve që bëri disa ditë përpara asaj ngjarje.

Djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë Shqipërisë ka ardhur me 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kanë dhënë shumë kohë për jetën nënës.

Edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën. 67-vjeçari pasi ka pirë një kafe si çdo ditë me shokët e lagjes është çuar nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja por sapo është futur brenda hyrjes së pallatit në katin e parë ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Hysni Ymeri deri në spital ka shkuar gjallë ndërsa për pak minuta ndërroi jetë si shkak i plagëve të rënda në kokë.

Disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten. Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie.

Autori arriti t’i shpëtojë policisë dhe dyshohet se ndodhet jashtë Shqipërisë prej asaj kohe. Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka patur apo jo shpërthim me tritol për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta ndarë nëse është kriminale apo aksidentale.

Kina mbështet përpjekjet për zgjidhje paqësore të krizës së Ukrainës

Kina përsëriti sot “mbështetjen” e saj për të gjitha “përpjekjet që çojnë në zgjidhje paqësore të krizës së Ukrainës”, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se është bërë “përparim i rëndësishëm” drejt përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë.

“Pekini shpreson se të gjitha palët do të arrijnë marrëveshje paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe detyruese përmes dialogut dhe negociatave në një datë të hershme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian në konferencën për mediat në kryeqytetin kinez.

Trump priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të dielën dhe tha se “Ne mbuluam që dikush do të thoshte 95 për qind. Nuk e di se sa për qind, por kemi bërë shumë përparim në përfundimin e asaj lufte, e cila është me të vërtetë lufta më vdekjeprurëse që nga Lufta e Dytë Botërore, ndoshta lufta më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Presidenti amerikan tha se pjesët e mbetura të planit të paqes mund të bien dakord brenda “disa javësh” nëse puna shkon “shumë mirë”. Përpara udhëtimit të tij në SHBA, presidenti ukrainas tha se një paketë e re sanksionesh do të synonte kompleksin ushtarako-industrial rus, i cili përfshin edhe individë nga Kina.

Pekini më parë e ka nxitur Zelenskyyn kundër “keqbërjeve” të tilla. Lufta e vazhdueshme Rusi-Ukrainë ka vrarë, plagosur dhe zhvendosur miliona njerëz që nga shkurti i vitit 2022.

Së bashku me Brazilin, Kina ka formuar “Grupin e Miqve të Paqes” për të promovuar zgjidhje politike për krizën ukrainase. Veçmas, Jian përshëndeti “mbështetjen e vazhdueshme dhe të vendosur” të Rusisë për qëndrimin e Kinës ndaj Tajvanit.

“Tajvani është çështje e brendshme e Kinës. Parimi i një Kine përfaqëson konsensus të gjerë të bashkësisë ndërkombëtare dhe normë themelore që rregullon marrëdhëniet ndërkombëtare. Vendosmëria e Kinës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial është e palëkundur”, tha Jian.

Media izraelite “Ynet news” rekomandon Shqipërinë për pushime autentike kundrejt destinacioneve tradicionale

Ndërsa vendet e njohura turistike bëhen më të shtrenjta, alternativa të reja po hyjnë në lojë! Në konsultim me ekspertët e turizmit, ju sugjerojmë disa nga destinacionet më të mira për të udhëtuar në vitin 2026 – të ngjashme me vendpushimet e njohura tradiconale, shkruan Iris Lifshitz-Klieger në një artikull të botuar në revistën izraelite “Ynet news”.

Sipas ekspertëve, ekzistojnë vende të krahasueshme me pikat e njohura turistike – ku mund të shijoni një përvojë të ngjashme por me një kosto shumë më të ulët.

Viti 2026 mund të jetë viti i zgjedhjeve më të zgjuara për udhëtime – me më pak preferencë për destinacionet klasike dhe më shumë kërkime për alternativa që ofrojnë një përvojë të ngjashme dhe me një çmim dukshëm më të ulët.

Pas një periudhe, gjatë të cilës izraelitët u dyndën drejt destinacioneve të njohura – kryesisht për shkak të pasigurisë – një gamë më e gjerë fluturimesh, falë konkurrencës në rritje të linjave ajrore – po rihap hartën drejt destinacioneve të reja dhe të pazbuluara.

Këto vende ofrojnë pushime evropiane ekzotike me një buxhet të përballueshëm.

Në vend të Budapestit – zgjidhni Tiranën, në Shqipëri:

Tirana mund të jetë më pak e njohur, por ofron një ndërthurje të mahnitshme të një qyteti të ri evropian, kafeneve në modë, çmimeve të ulëta dhe aksesit të lehtë në natyrë dhe plazheve aty pranë.

Midis 12 dhe 15 korrikut, akomodimi në “Hotel Albanopolis” ka një kosto duke filluar nga 499 dollarë për person.

“Eshet Tours” gjithashtu ofron një paketë pushimi ku përfshihen katër netë qëndrimi në Shqipëri, në korrik në një hotel me katër yje për 492 dollarë për person.

Përveç kësaj, “Eshet Tours” ofron një paketë për pesë netë në Tiranë nga 23 deri në 28 korrik, duke mbuluar fluturimin dhe akomodimin në “Hotel Boutique Arbnor” me katër yje, me mëngjesin e përfshirë, duke filluar nga 490 dollarë për person.

Revista izraelite ka sugjeruar disa destinacione të reja – të cilësuara si më të mirat për të udhëtuar në vitin 2026 – që mund të zëvendësojnë vendpushimet e njohura tradicionale:

•Në vend të Budapestit – Tirana, Shqipëri
•Në vend të Pragës – Bukureshti, Rumani
•Në vend të Mikonos – Batumi, Gjeorgji
•Në vend të Berlinit – Varshava, Poloni
•Në vend të Budapestit ose Romës – Sofje, Bullgari
•Në vend të Tajlandës – Sri Lanka
•Në vend të Amsterdamit – Sllovaki ose Slloveni
•Në vend të Romës ose Selanikut – Baku, Azerbajxhan

Çfarë thotë industria e turizmit?

“TAL Aviation” – kompania lidere e linjave ajrore, udhëtimeve dhe turizmit – tha për “Ynet news” se është shfaqur një trend i ri përpara verës së vitit 2026: Turistët po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa të reja kundrejt destinacioneve tradicionale verore, të nxitur kryesisht nga kostoja e lartë e jetesës dhe rritja e çmimeve në destinacionet e njohura.

Sipas kompanisë, një numër në rritje izraelitësh po zgjedhin destinacione që ofrojnë një përvojë të ngjashme me pikat e njohura turistike por, me një çmim dukshëm më të ulët.

Tali Noy, nënkryetar i strategjisë dhe marketingut në “Issta” tha: “Në epokën aktuale, familjet po kërkojnë përvoja unike përtej destinacioneve tradicionale si Greqia dhe Qiproja. Po shohim një kërkesë në rritje për udhëtime verore në vende të tilla si, Shqipëria, Uzbekistani, Rumania, Lituania dhe Mali i Zi. Ky trend pasqyron një dëshirë për pushime autentike që kombinojnë natyrën, kulturën dhe historinë, së bashku me çmime të arsyeshme”.

Shirly Cohen Urkabi, nënkryetare në “Eshet Tours” tha se destinacionet që pritet të kryesojnë në vitin e ardhshëm përfshijnë Greqinë, Ballkanin, Malin e Zi, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Evropën Lindore, si dhe Azinë Qendrore, Marokun dhe Kaukazin: Azerbajxhanin, Kirgistanin, Uzbekistanin, Armeninë dhe Gjeorgjinë, së bashku me Lindjen e Largët.

❌