Reading view

Tragjedia në Shkodër, bombola e gazit u bë shkak për humbjen e jetës së nënës dhe dy fëmijëve



Tragjedi në Shkodër: Nënë 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj humbin jetën nga zjarri që përfshiu banesën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, në Shkodër, ku një nënë 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën ku jetonin.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10, ndërsa menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet policore dhe forcat zjarrfikëse.

Si pasojë e flakëve kanë humbur jetën shtetasja me inicialet B. Ç., 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj, njëri 3 vjeç dhe tjetri vetëm 1 vjeç e gjysmë.

Sipas informacioneve të gazetarit të A2 CNN, Senad Nikshiqi, në vendngjarje është gjetur një bombol gazi, ndërsa dyshimet e para janë se shpërthimi i saj mund të ketë shkaktuar zjarrin që rezultoi fatal për familjen.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se familja ishte kthyer së fundmi nga Gjermania.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me ekspertët zjarrfikës, po vijon hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

  •  

Mancini i sigurt në sukses: Jam këtu për ta rikthyer Italinë aty ku e meriton



Roberto Mancini ka deklaruar se synimi i tij është ta rikthejë Italinë në elitën e futbollit botëror, pasi u emërua sërish përzgjedhës i kombëtares italiane.

Pas një kërkimi intensiv për zëvendësuesin e Gennaro Gattusos, Federata Italiane e Futbollit konfirmoi të martën rikthimin e Mancinit në stolin e "Azzurrëve".

Gjatë javëve të fundit, emra të njohur si Pep Guardiola, Carlo Ancelotti dhe Andrea Pirlo u përfolën për këtë post. Madje, marrëveshja me Pirlon thuhet se dështoi në momentet e fundit, duke i hapur rrugën rikthimit të Mancinit.

Tekniku italian drejtoi kombëtaren nga viti 2018 deri në vitin 2023, periudhë në të cilën fitoi Kampionatin Evropian Euro 2020. Megjithatë, Italia dështoi të kualifikohej për Kupën e Botës 2022, ndërsa Mancini u largua më pas për të marrë drejtimin e Arabisë Saudite.

Në 58 ndeshje si përzgjedhës i Italisë, ai regjistroi 38 fitore, 12 barazime dhe tetë humbje.

Italia ka munguar në tri Kupat e fundit të Botës, ndaj Mancini pranon se kombëtarja ka nevojë për një rindërtim të plotë.

“Fati më ka dhënë një tjetër mundësi falë presidentit Malago dhe jam këtu për ta rikthyer Italinë aty ku e ka vendin”.

“Dua të fitoj një trofe të madh, ndoshta edhe dy. Pastaj dua të qëndroj më gjatë sesa kontrata ime, nëse është e mundur”.

“Pavarësisht asaj që ndodhi në vitin 2023, objektivi është gjithmonë të fitojmë dhe të luajmë futboll të bukur. Jam i bindur se i kemi lojtarët e duhur, sidomos të rinjtë”, deklaroi Mancini në konferencën e tij të parë për media pas rikthimit.

Ndeshja e parë e Mancinit në mandatin e tij të dytë do të zhvillohet më 25 shtator ndaj Belgjikës në Ligën e Kombeve.

Gjatë pushimit të ardhshëm të kombëtareve, Italia do të përballet gjithashtu dy herë me Turqinë dhe një herë me Francën, në kuadër të fushatës së saj në Ligën e Kombeve./Telegrafi/

  •  

Moment viral nga koncerti: Publiku në Maltë e mbante Katy Perryn në një shishe gjigante, derisa ajo i luti që ta kthenin te skena përsëri



Ylli amerikan i muzikës pop, Katy Perry, përjetoi një nga momentet më të pazakonta të karrierës së saj gjatë performancës në festivalin Isle of MTV Malta, kur një truk spektakolar skenik mori një drejtim krejtësisht të papritur.

Gjatë performancës së hitit "I Kissed a Girl", këngëtarja hyri brenda një shisheje gjigante transparente të fryrë që supozohej të "fluturonte" mbi publikun dhe të kthehej në skenë. Megjithatë, fansat filluan ta mbanin shishen në drejtim të kundërt, duke e shtyrë Katy-n më larg skenës në vend që të shkonte drejt daljes së planifikuar.

Pamjet që u përhapën me shpejtësi në mediat sociale treguan këngëtaren e hutuar duke bërë gjeste drejt skenës dhe duke u përpjekur t'i tregonte publikut se ku ta drejtonte shishen. Në një moment, ajo mund të dëgjohej duke i kërkuar turmës ta kthente shishen drejt një rekuiziti të madh prej kashte që ishte pjesë e setit.

Katy Perry was trapped in a giant plastic bottle because fans refused to roll her towards the stage😂 pic.twitter.com/bEsPqGPLzJ
— eppy (@epppyyy) July 29, 2026

Pas disa momenteve tensionuese, por edhe komike, publiku arriti ta ridrejtonte shishen përsëri drejt skenës, ku Katy Perry vazhdoi koncertin e saj pa probleme të mëdha. Me t'u kthyer, ajo falënderoi fansat që "ia kthyen me sukses shishen" dhe e pranoi të gjithë situatën me një buzëqeshje.

Ky moment i paplanifikuar u bë shpejt viral, me komente humoristike dhe meme që përmbytën rrjetet sociale. Shumë bënë shaka se "shishes i mbaroi GPS-i", ndërsa të tjerë theksuan se ishte një nga momentet më qesharake të koncertit të vitit. /Telegrafi/

  •  

Manchester City synon pasardhësin e Rodrit, për talentin maroken kërkohet mbi 100 milionë euro

Manchester City po vazhdon të punojë intensivisht në merkaton e verës dhe tashmë ka kthyer vëmendjen te një tjetër përforcim i madh për mesfushën.

Kampioni anglez raportohet se është pranë arritjes së marrëveshjes për transferimin e talentit maroken Ayyoub Bouaddi, i cili shihet si një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Rodrin në të ardhmen.

Mesfushori 18-vjeçar i Lille ka impresionuar me paraqitjet e tij dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane. Vlera e tij në treg raportohet të jetë rreth 100 milionë euro.

Sipas raportimeve nga mediat sportive, Manchester City ka nisur negociata me Lille dhe përfaqësuesit e lojtarit, ndërsa klubi anglez beson se mund të mbyllë marrëveshjen në ditët e ardhshme.

Një dilemë mbetet nëse Bouaddi do t’i bashkohet menjëherë skuadrës së Pep Guardiolës apo do të qëndrojë edhe një sezon në huazim te Lille për të vazhduar zhvillimin e tij.

Interesimi për talentin maroken lidhet edhe me të ardhmen e Rodrit, për të cilin raportohet se ka interesim nga Real Madridi. Klubi spanjoll ka shtuar përpjekjet për transferimin e mesfushorit, i cili vazhdon rikuperimin pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Nëse Bouaddi transferohet në “Etihad”, ai pritet të jetë pjesë e një rindërtimi të madh të mesfushës së Manchester Cityt, së bashku me përforcimin tjetër Elliot Anderson.

Pep Guardiola do të ketë në dispozicion edhe emra si Nico González, Mateo Kovačić dhe Tijjani Reijnders, por e ardhmja e disa prej tyre në klub mbetet e pasigurt.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Manchester City synon pasardhësin e Rodrit, për talentin maroken kërkohet mbi 100 milionë euro appeared first on Sinjali.

  •  

Shtatë të lënduar në një aksident mes një kamioni dhe dy veturave në autostradën “Ibrahim Rugova”



Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së martës në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Duhël – Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Blerina Ejupi, e cila bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 17:54.

“Me datë 29.07.2026, rreth orës 17:54, kemi pranuar informatë për një aksident trafiku në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, saktësisht në Duhël, në drejtim të Prishtinës”, tha Ejupi.

Sipas saj, në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura.

“Të përfshirë në aksident janë një kamion dhe dy vetura, ndërsa raportohet për shtatë persona të lënduar, të cilët për momentin janë jashtë rrezikut për jetën”, deklaroi ajo.

Policia ka bërë të ditur se njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti.

“Me aksidentin po merren njësitet kompetente”, tha Ejupi.

Për shkak të aksidentit, në këtë segment të autostradës janë krijuar kolona të automjeteve, ndërsa drejtuesve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

  •  

Haradinaj kërkon hetim serioz për varrezën masive të dyshuar në Kalludër të Zubin-Potokut

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me zbulimin e lokacionit të dyshuar të një varreze masive në fshatin Kalludër të Vogël, në komunën e Zubin-Potokut, duke kërkuar hetim të plotë dhe profesional për zbardhjen e rastit.

Haradinaj ka deklaruar se çështja e personave të zhdukur gjatë luftës mbetet një nga plagët më të mëdha të shoqërisë kosovare dhe se zbardhja e fatit të tyre është përgjegjësi kombëtare.

Sipas tij, lokacioni i dyshuar në Kalludër kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional, me qëllim që të zbardhen të gjitha rrethanat dhe të nxirren përgjegjësit para drejtësisë.

“Varreza masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut kërkon hetim serioz, profesional dhe angazhim të pandalshëm për të detyruar Serbinë që të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nuk mund të ketë paqe të plotë dhe ka kërkuar që kjo çështje të mbetet në fokus të institucioneve të Kosovës dhe bisedimeve ndërkombëtare.

Reagimi i Haradinajt vjen pas zhvillimeve të fundit në hetimin për rastin e Kalludrës së Vogël, ku dyshohet për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë gjatë luftës së vitit 1999.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Haradinaj kërkon hetim serioz për varrezën masive të dyshuar në Kalludër të Zubin-Potokut appeared first on Sinjali.

  •  

Dita e Republikës sjell fundjavë të zgjatur për qytetarët e Maqedonisë, 3 gushti do të jetë ditë jopune



Qytetarët këtë vit do të kenë një fundjavë të zgjatur me rastin e festës së madhe shtetërore Ilindeni – Dita e Republikës.

Meqë 2 Gushti bie të dielën, në përputhje me Ligjin për Festat, e hëna, 3 gusht, do të jetë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Kështu, të punësuarit do të kenë tri ditë radhazi pushim – të shtunën, të dielën dhe të hënën, që për shumë prej tyre do të jetë mundësi për një pushim të shkurtër ose udhëtim.

Ilindeni është një nga festat më të rëndësishme shtetërore, me të cilën shënohen Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 dhe Mbledhja e Parë e ASNOM-it në vitin 1944, dy ngjarje historike me rëndësi të veçantë në historinë maqedonase.

Për besimtarët ortodoksë, dita e ardhshme jo pune do të jetë 28 gushti (e premte), kur shënohet festa fetare Fjetja e Shën Mërisë (Zonja e Madhe).

  •  

GJKKO sekuestron pasuritë e pesë të akuzuarve për trafik droge, bllokohen banesa, vetura dhe llogari bankare



Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për vendosjen e masës së sekuestros ndaj një sërë pasurish të personave të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Vendimi prek pasuritë e shtetasve Eridan Munoz Guerreo, Deljana Nebiu, Sokol Çamer, Julian Veliu dhe Lenkos Nebiu, si dhe të disa personave të tretë me inicialet S.C., L.V. dhe A.N., të cilët rezultojnë të lidhur me pasuritë objekt hetimi.

Sipas vendimit të Gjykatës, në favor të shtetit kalojnë një numër i konsiderueshëm pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat dyshohet se janë krijuar ose përfituar nga aktiviteti kriminal.

Mes pasurive të sekuestruara janë disa apartamente në pronësi të Deljana Nebiut, të blera në vitin 2015 në qytetin e Vlorës, me vlera që variojnë nga 15 mijë deri në 30 mijë euro. Gjithashtu është sekuestruar edhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 75 metra katrorë, e cila sipas dokumentacionit rezulton t'i jetë dhuruar Deljana Nebiut nga një kompani ndërtimi si shpërblim për shërbime të kryera. Po ashtu është konfiskuar edhe një apartament tjetër me sipërfaqe 127.23 metra katrorë, i cili ishte përfituar përmes një kontrate dhurimi.

Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen edhe një apartament dhe një njësi shërbimi në pronësi të Eridan R. Nebiut, si dhe dy prona të përbëra nga truall dhe banesë njëkatëshe në emër të bashkëshortëve Eridan R. Çameri/Nebiu dhe Deljana V. Nebiu.

Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e një tjetër prone me truall dhe banesë në emër të bashkëshortëve Sokol Çamer dhe S.Sh.Ç, si dhe një prone të ngjashme në emër të Julian Veliut dhe L.K.V.

Për Sokol Çamer janë sekuestruar edhe katër pasuri të tjera në Vlorë, konkretisht dy apartamente, një garazh dhe një depo, të cilat rezultojnë të jenë përfituar përmes kontratave të dhurimit. Në listën e pasurive të bllokuara përfshihet edhe një rimorkio e importuar nga Italia.

Nga ana tjetër, është vendosur sekuestrimi edhe ndaj një automjeti luksoz tip "Audi A8", në pronësi të A.V.N., si dhe ndaj disa llogarive bankare në emër të Deljana Nebiut dhe Julian Veliut, të cilat ishin sekuestruar më herët në kuadër të ekzekutimit të letërporosive të autoriteteve gjyqësore belge.

Sipas dokumentacionit, në llogaritë bankare rezultojnë gjendje prej mbi 3.1 milionë lekësh, mbi 5 mijë euro dhe disa llogari të tjera me mijëra euro.

Ndërkohë, GJKKO ka vendosur të revokojë masën e sekuestros për disa pasuri të tjera, pasi ka vlerësuar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për mbajtjen e tyre nën sekuestro.

Mes pasurive për të cilat është hequr masa janë dy apartamente në Vlorë, një automjet "Mercedes-Benz" në pronësi të shtetases A.N., një automjet "Ford Mustang" në pronësi të Sokol Çamerit, si dhe një apartament tjetër i blerë në vitin 2022.

SPAK kishte kërkuar sekuestrimin dhe konfiskimin e këtyre pasurive në kuadër të hetimit pasuror ndaj personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës, ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke lënë në fuqi sekuestron për një pjesë të konsiderueshme të pasurive dhe duke revokuar masën për disa të tjera.

  •  

Bie numri i bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë gjatë qershorit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike, i cili tregon se gjatë muajit qershor 2026 është shënuar rënie në numrin e ndërmarrjeve të reja të regjistruara.

Sipas raportit, në qershor janë regjistruar 1.4 për qind më pak ndërmarrje krahasuar me muajin maj 2026. Rënia është edhe më e theksuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një ulje prej 5.1 për qind ndaj qershorit 2025.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori më aktiv për regjistrimin e bizneseve të reja mbetet tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, me gjithsej 242 ndërmarrje të regjistruara. Pas tij renditen aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve të ushqimit, ku janë regjistruar 124 ndërmarrje.

Sa i përket madhësisë së bizneseve, pjesa dërrmuese e regjistrimeve i takon kategorisë së mikro-ndërmarrjeve, me 1,088 biznese që kanë nga zero deri në nëntë të punësuar.

Ndërkohë, vetëm katër ndërmarrje janë regjistruar në kategorinë e bizneseve të vogla, me 10 deri në 49 të punësuar. Në kategoritë e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha nuk është regjistruar asnjë biznes i ri gjatë muajit qershor.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bie numri i bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë gjatë qershorit appeared first on Sinjali.

  •  

Zjarri në fabrikën e metalit në Gjakovë, policia nis hetimet për shkaqet

Një fabrikë e metalit në fshatin Osek Hilë të Gjakovës është përfshirë nga zjarri gjatë së mërkurës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar për Sinjalin se informata për zjarrin është pranuar rreth orës 16:10.

Sipas saj, njësitet relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë që zjarri të lokalizohet dhe të shuhet.

“Zjarri është lokalizuar dhe është shuar. Si pasojë e zjarrit nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka bërë të ditur se rasti aktualisht ndodhet në fazën fillestare të hetimeve dhe po trajtohet nga Njësia e Hetimeve Rajonale.

Autoritetet pritet të përcaktojnë shkaqet që çuan deri te shpërthimi i zjarrit në objektin e fabrikës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zjarri në fabrikën e metalit në Gjakovë, policia nis hetimet për shkaqet appeared first on Sinjali.

  •  

Selin kritikon Brikena Selmanin si moderatore: Minimalja që duhet të bësh është të studiosh



Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Selin, ka komentuar së fundmi intervistën që Brikena Selmani zhvilloi me Gretën në emisionin "Top Arena", duke kritikuar si pyetjet e moderatores, ashtu edhe mënyrën e moderimit.

E ftuar në emisionin "Pushime on Top", Selin u ndal te momenti kur Brikena e pyeti Gretën nëse ajo dhe ish-banorët e tjerë vazhdonin ende të flisnin për të edhe pas përfundimit të eksperiencës së tyre në reality show.

Sipas Selinit, vetëvlerësimi është i rëndësishëm, por nuk duhet të krijojë bindjen se gjithçka sillet rreth një personi.

"Është në rregull kur e vetëvlerëson veten tënde, por njeriu duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Nëse dikush më ka thënë se bota nuk rrotullohet rreth teje, i kam thënë që e imja rrotullohet rreth meje", u shpreh ajo.

Megjithatë, Selin tha se pyetja e Brikenës ishte e panevojshme dhe se kishte pritur që Greta t'i përgjigjej ndryshe.

"Çfarë nuk më ka ardhur mirë ishte një pyetje totalisht pa lidhje dhe më vjen keq që Greta nuk i dha përgjigjen që duhej", deklaroi ajo.

Selin shtoi se, nëse një pyetje e tillë do t'i ishte drejtuar asaj, do të ishte përgjigjur pa hezitim. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje se përse Brikena kishte zgjedhur ta pyeste Gretën për të, ndërkohë që kishte pasur mundësinë ta pyeste drejtpërdrejt.

"Nëse Brikena do të m'i kishte bërë mua ato pyetje, do t'i kisha dhënë përgjigjen. Nuk e di pse ajo zgjodhi të pyeste dikë tjetër. Në momentin që pyet dikë për mua, ndërkohë që mua më ke pasur aty dhe nuk më pyete, ose nuk je e gatshme ta dëgjosh përgjigjen time", tha Selin.

- YouTube youtu.be

Ajo shtoi se nuk sheh arsye që emri i saj të vazhdojë të jetë temë diskutimi mes njerëzve me të cilët raporti i saj tashmë ka përfunduar.

"Nuk ka vend për të folur nëpër tavolina për një person me të cilin kam pasur marrëdhënie për aq sa ka zgjatur", u shpreh ish-banorja.

Në fund, Selin rezervoi kritikat më të forta për Brikena Selmanin në rolin e moderatores, duke theksuar se ajo mund ta kishte shfrytëzuar më mirë mundësinë që i ishte dhënë.

"Mendoj që mund ta kishte shfrytëzuar më mirë moderimin. Nëse aspiron të bëhesh moderatore, minimalja që duhet të bësh është të studiosh. Të studiosh figura që kanë vite në moderim, televizionin dhe rolin e gazetarit", deklaroi ajo.

Selin tregoi se edhe vetë ndjek vazhdimisht emisione dhe moderatorë të njohur për t'u përgatitur për atë që synon të bëjë në të ardhmen, ndërsa shtoi se kishte disa elemente në moderimin e Brikenës që nuk i kishin pëlqyer.

"Unë i përcjell të gjitha emisionet për atë që dua të bëj në të ardhmen, por nuk më kanë pëlqyer shumë gjëra", përfundoi ajo. /Telegrafi/

  •  

Dy zjarrfikës humbin jetën gjatë betejës me flakët në Kretë të Greqisë

Dy zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri të madh në ishullin grek të Kretës.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Zjarrfikësve të Greqisë, viktimat ishin 23 dhe 27 vjeç dhe ishin pjesë e një ekipi prej rreth 150 zjarrfikësish që po luftonin me flakët në zonën e Rethymnos.

Zjarri kishte përfshirë sipërfaqe bujqësore dhe pyjore, ndërsa ekipet emergjente po përpiqeshin të vinin nën kontroll përhapjen e tij.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që çuan në vdekjen e dy zjarrfikësve gjatë ndërhyrjes.

Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur autoritetet evropiane kanë paralajmëruar për rrezik të shtuar nga zjarret në disa vende të kontinentit, si pasojë e temperaturave të larta dhe kushteve të thata.

Ekipet zjarrfikëse në Greqi vazhdojnë operacionet për kontrollimin e vatrave aktive të zjarrit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Dy zjarrfikës humbin jetën gjatë betejës me flakët në Kretë të Greqisë appeared first on Sinjali.

  •  

Franca po e dëbon propaganduesen ruse, Ksenia Fedorova



Franca ka vendosur të dëbojë Ksenia Fedorovan, ish-drejtuese e medias ruse të financuar nga Kremlini RT France, duke e akuzuar se aktivitetet e saj përbëjnë kërcënim për interesat themelore të vendit dhe rendin publik.

Ministria e Brendshme franceze deklaroi se veprimtaria e Fedorovës ka ndikuar në përhapjen e mesazheve që konsiderohen të dëmshme për sigurinë dhe interesat kombëtare të Francës.

Pas mbylljes së RT France pas sanksioneve evropiane ndaj mediave ruse, Fedorova vazhdoi aktivitetin e saj publik dhe u bë një nga figurat më të njohura pro-ruse në skenën mediatike franceze.

Ajo ka qenë një e ftuar e rregullt në televizionin CNews, ku ka komentuar çështje politike dhe ndërkombëtare, shkruan lemonde.

Vendimi i autoriteteve franceze vjen pas kritikave të vazhdueshme ndaj rolit të saj në përhapjen e narrativave të Kremlinit për luftën në Ukrainë.

Në muajin qershor, grupi politik Renew Europe në Parlamentin Evropian kërkoi vendosjen e sanksioneve ndaj Fedorovës, duke e akuzuar për përhapje të propagandës ruse lidhur me konfliktin në Ukrainë.

Dëbimi i saj është pjesë e masave më të gjera të vendeve evropiane për të kufizuar ndikimin e fushatave të dezinformimit të lidhura me Rusinë pas nisjes së luftës në Ukrainë. /Telegrafi/

  •  

Man City po e mbyllë marrëveshjen me pasuesin e Rodrit, kushton mbi 100 milionë euro



Manchester City nuk ka ndërmend të ndalet në merkaton e verës. Vetëm gjashtë ditë pasi prezantoi Elliot Andersonin si transferimin më të shtrenjtë në historinë e klubit, kampionët anglezë po përshpejtojnë përpjekjet për të transferuar talentin maroken Ayyoub Bouaddi.

Mesfushori 18-vjeçar tërhoqi vëmendjen e botës me paraqitjet e tij të shkëlqyera me Marokun në Kupën e Botës, ku ndihmoi kombëtaren të arrinte deri në çerekfinale. Ai kishte treguar potencialin e tij edhe më herët, kur luajti në fitoren e Lilles ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve pikërisht në ditëlindjen e tij të 17-të.

Lille e vlerëson Bouaddin me rreth 100 milionë euro, çka do të thotë se, së bashku me 116 milionët e shpenzuara për Elliot Andersonin, Manchester City do të investonte afro 270 milionë euro vetëm për rindërtimin e mesfushës gjatë kësaj vere.

Sipas RMC Sport, City po zhvillon negociata të dyfishta, si me Lillen ashtu edhe me përfaqësuesit e lojtarit. Raportohet se bisedimet me klubin francez janë intensifikuar ndjeshëm dhe skuadra e Pep Guardiolës ka krijuar një epërsi të konsiderueshme ndaj të gjithë rivalëve.

Edhe gazetari Fabrizio Romano ka raportuar se Manchester City është optimist se marrëveshja do të finalizohet në ditët e ardhshme. E vetmja çështje që mbetet për t'u vendosur është nëse Bouaddi do t'i bashkohet menjëherë Cityt apo do të qëndrojë edhe një sezon në huazim te Lille.

Transferimi i tij lidhet ngushtë me të ardhmen e Rodrit. Mesfushori spanjoll raportohet se është në qendër të negociatave mes Manchester Cityt dhe Real Madridit.

Edhe pse fillimisht madrilenët nuk ishin të bindur për të bërë një lëvizje, paraqitjet e Rodrit në Kupën e Botës, ku fitoi Topin e Artë të turneut, kanë ndryshuar situatën. Pavarësisht se aktualisht po rikuperohet nga një operacion në shpinë, Real Madridi ka intensifikuar interesimin për të.

Nëse Bouaddi transferohet menjëherë në "Etihad", largimi i Rodrit do të bëhej shumë më i lehtë për Manchester Cityn. Së bashku me Elliot Andersonin, marokeni do të krijonte një dyshe të re në mesfushë, duke u dhënë liri më të madhe lojtarëve ofensivë si Rayan Cherki, Phil Foden dhe Jeremy Doku.

Në dispozicion të Pep Guardiolës mbeten edhe Nico González, Mateo Kovacic dhe Tijjani Reijnders, megjithëse e ardhmja e tyre nuk është plotësisht e sigurt. Kovacic ka hyrë në vitin e fundit të kontratës, ndërsa Gonzalez dhe Reijnders nuk patën minutat që prisnin gjatë sezonit të kaluar./Telegrafi/

  •  

Chevrolet Corvette përballet me një problem të pazakontë



Chevrolet po përballet me një problem të pazakontë te modeli i saj sportiv Corvette ZR1, pasi disa pronarë kanë raportuar dëmtime të bojës të shkaktuara nga krahu i madh i pasmë aerodinamik.

Problemi lidhet me paketën ZTK Performance Package, e cila është krijuar për përdorim në pistë dhe për të rritur stabilitetin e automjetit në shpejtësi të larta.

Krahu i pasmë prej fibrash karboni gjeneron një forcë të madhe shtypëse (downforce), duke e mbajtur makinën më të ngjitur me asfaltin, por në raste të caktuara kjo forcë po shkakton dëmtime në karroceri.

Sipas raportimeve, presioni i krijuar nga krahu i pasmë mund të shkaktojë përkulje të lehtë të pjesëve të trupit të makinës, duke çuar në plasaritje ose dëmtim të bojës pranë pikave të montimit të tij.

General Motors ka pranuar ekzistencën e problemit dhe ka mbuluar riparimet për disa pronarë të prekur.

Kompania thekson se defekti shfaqet kryesisht gjatë përdorimit ekstrem, si në pistë ose gjatë drejtimit me shpejtësi shumë të larta.

Corvette ZR1 është një nga modelet më të fuqishme të prodhuara ndonjëherë nga Chevrolet. Ajo pajiset me një motor V8 biturbo me rreth 1.064 kuaj/fuqi, ndërsa sistemi i saj aerodinamik është projektuar për performancë maksimale në kushte garimi.

Rasti ka tërhequr vëmendjen e industrisë së automobilizmit, pasi një element i krijuar për të përmirësuar performancën po rezulton të jetë një burim dëmtimi për vetë automjetin. /Telegrafi/

  •  

Një muaj pas tërmeteve shkatërruese, Venezuela përballet me pasiguri humanitare dhe rrezik mjedisor

Më shumë se një muaj pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, mijëra banorë në zonat më të prekura vazhdojnë të jetojnë me pasojat e rënda të katastrofës, ndërsa autoritetet dhe ekspertët paralajmërojnë për rreziqe të reja shëndetësore dhe mjedisore.

Në qytetin bregdetar të La Guaira, ekipet e pastrimit vijojnë punën për largimin e rrënojave nga ndërtesat e dëmtuara. Pluhuri dhe mbetjet e krijuara nga shembjet kanë mbuluar zona të tëra, ndërsa shumë familje ende qëndrojnë në kampe të përkohshme pranë banesave të tyre të dëmtuara.

Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, të regjistruara më 24 qershor, kanë shkaktuar mijëra viktima, mijëra të plagosur dhe kanë lënë shumë njerëz pa strehë. Dëmet materiale janë vlerësuar në miliarda dollarë, ndërsa autoritetet vazhdojnë vlerësimin e pasojave.

Përveç krizës humanitare, ekspertët e shëndetit publik kanë ngritur shqetësime për një krizë të mundshme mjedisore. Sasia e madhe e mbetjeve nga ndërtesat e shembura përmban materiale të rrezikshme, përfshirë azbest, karburante, vajra dhe substanca kimike që mund të ndikojnë në tokë dhe ujëra.

Autoritetet kanë nisur procesin e ndarjes së mbetjeve të riciklueshme nga ato të kontaminuara, me qëllim që materialet e sigurta të përdoren në rindërtim, ndërsa mbetjet e rrezikshme të trajtohen në mënyrë të specializuar.

Ndërkohë, banorët e zonave të prekura raportojnë probleme shëndetësore të lidhura me ekspozimin e vazhdueshëm ndaj pluhurit dhe ndotjes, përfshirë kollë, alergji, temperaturë dhe dhimbje koke.

Ekspertët paralajmërojnë se menaxhimi i kujdesshëm i fazës së rindërtimit do të jetë vendimtar për të shmangur përhapjen e sëmundjeve dhe dëmtimin afatgjatë të mjedisit në zonat e prekura.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Një muaj pas tërmeteve shkatërruese, Venezuela përballet me pasiguri humanitare dhe rrezik mjedisor appeared first on Sinjali.

  •  

Haxhiu: Serbia nuk mund të flasë për paqe, ndërsa mohon Kosovën dhe nuk zbardh krimet e luftës



Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit serb, Ana Bërnabiq, duke kërkuar dënimin e asaj që e cilësoi si retorikë shoviniste dhe revizioniste.

Haxhiu ka deklaruar se, ndërsa familjet në Kosovë ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, zyrtarët serbë vazhdojnë, sipas saj, me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe përsërisin pretendime territoriale ndaj saj.

“Këto deklarata janë vazhdim i gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës mbi të cilën u ngrit politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Millosheviqit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Serbia nuk mund të pretendojë përkushtim ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa, sipas saj, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të territorit të saj.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që nga 17 shkurti 2008. Ky realitet nuk zhbëhet me deklarata politike”, ka deklaruar Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka përmendur edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Sipas saj, Kosova është njohur nga 121 shtete dhe vazhdon të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Haxhiu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të dënojnë, siç u shpreh ajo, “gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse”.

“Pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e regjimit të Millosheviqit nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI”, ka përfunduar Haxhiu.

  •  

Jared Leto mohon akuzat për abuzim seksual: "Nuk kam abuzuar kurrë me askënd"



Aktori dhe muzikanti i njohur Jared Leto ka mohuar kategorikisht akuzat për abuzim seksual që janë ngritur ndaj tij nga disa gra në dokumentarin e ri të BBC-së, me titull "Jared Leto: Hollywood's Dark Secret".

Dokumentari sjell dëshmitë e katër grave, të cilat pretendojnë se aktori 54-vjeçar i ka abuzuar seksualisht kur ato ishin ende adoleshente.

Në një deklaratë për revistën People, të publikuar të mërkurën, Leto hodhi poshtë të gjitha pretendimet.

"Nuk kam abuzuar seksualisht kurrë me askënd në jetën time. Këto pretendime janë absolutisht dhe kategorikisht të pavërteta", deklaroi ai.

Sipas dokumentarit, njëra nga gratë pretendon se kishte kryer marrëdhënie seksuale me frontmenin e grupit Thirty Seconds to Mars në shtëpinë e tij në Kaliforni kur ishte 17 vjeç, ndërsa Leto ishte 34 vjeç. Duke qenë se mosha ligjore e pëlqimit në Kaliforni është 18 vjeç, ajo pretendon se veprimi mund të klasifikohej si përdhunim i një të miture.

Ajo rrëfen se aktori nuk dukej i shqetësuar për moshën e saj dhe pretendon se ai i kishte kërkuar ta thërriste "babi", ndërsa ajo ndihej e detyruar të sillej si një vajzë e vogël.

Një grua tjetër përshkroi një incident të dyshuar në banjën e një moteli, i cili, sipas saj, ndodhi kur ishte po ashtu 17 vjeçe. Ndërkohë, një e tretë pretendon se Leto e kishte kërcënuar me sulm fizik kur ajo ishte 19 vjeçe.

Dëshmia e katërt vjen nga një grua që pretendon se aktori e kishte kontaktuar dhe i kishte bërë vazhdimisht telefonata me përmbajtje eksplicite kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Sipas saj, gjatë një prej bisedave ai kishte sugjeruar edhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale.

Përveç këtyre katër grave, BBC intervistoi edhe gjashtë gra të tjera, të cilat folën për takime me Jared Leton në periudhën 2002–2016.

Në dokumentar dëshmojnë edhe disa ish-bashkëpunëtorë anonimë të grupit Thirty Seconds to Mars, të cilët pretendojnë se këngëtari u dërgonte mesazhe vajzave të mitura dhe i ftonte ato në skenë gjatë koncerteve.

Njëri prej tyre, i identifikuar me emrin "Brad", i cili kishte qenë pjesë e turneve të grupit, e përshkroi Leton si "njërin nga njerëzit më të këqij për të cilët kam punuar ndonjëherë".

Ai shtoi se anëtarët e stafit kishin për detyrë të zgjidhnin vajza nga publiku dhe t'i çonin në prapaskenë, ku Leto bisedonte me to në dhomën e zhveshjes. Megjithatë, ai nuk pranoi të tregonte se çfarë ndodhte më pas.

BBC bën të ditur se Jared Leto nuk iu përgjigj kërkesës së saj për koment para publikimit të dokumentarit. Sipas medias britanike, rrëfimet e grave janë mbështetur edhe nga dëshmi të miqve dhe familjarëve të tyre, ndërsa në disa raste janë siguruar fotografi dhe mesazhe që, sipas BBC-së, mbështesin pretendimet.

Akuza të ngjashme ndaj aktorit ishin bërë publike edhe në qershor të vitit 2025, kur portali Air Mail publikoi dëshmitë e nëntë grave që e akuzonin për sjellje të papërshtatshme. Edhe atëherë, disa prej tyre pretendonin se kishin qenë të mitura në kohën e ngjarjeve, ndërsa zëdhënësi i Jared Letos i kishte mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. /Telegrafi/

  •  

Stuhia në Shkup, Komuna Qendër do të ndajë deri në 100 mijë denarë ndihmë financiare për familjet e dëmtuara



Komuna Qendër ka publikuar Thirrjen Publike për ndarjen e ndihmës së njëhershme financiare për qytetarët dhe personat juridikë që kanë pësuar dëme nga moti i ligë që goditi territorin e komunës më 21 korrik 2026.

Të gjithë personat fizikë dhe juridikë që posedojnë pasuri të paluajtshme në territorin e Komunës Qendër do të kompensohen sipas Rregullores së miratuar, ekskluzivisht për dëmet në çatitë dhe fasadat e objekteve individuale dhe kolektive të banimit.

Shuma maksimale e ndihmës së njëhershme financiare është deri në 100.000 denarë për çdo kërkesë të dorëzuar.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, theksoi se komuna ka reaguar menjëherë pas motit të ligë:

“Që nga dita e parë ishim në terren me të gjitha shërbimet e disponueshme për t’u ndihmuar qytetarëve në përballimin e pasojave. Paralelisht me pastrimin, përgatitëm një zgjidhje sistemike për mbështetje financiare të më të prekurve. Me publikimin e thirrjes publike fillojmë procedurën konkrete përmes së cilës qytetarët mund të aplikojnë për ndihmë të njëhershme. Qëllimi është që askush të mos mbetet vetëm në tejkalimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore.”

Kërkesat dorëzohen në Arkivin e Komunës Qendër, në rr. “Mihail Cokov” nr. 1, çdo ditë pune nga ora 09:00 deri në 15:00, brenda dy muajve nga data e publikimit të thirrjes publike.

Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet dokumentacioni që vërteton dëmin e shkaktuar, si dhe dokumentet e tjera të përcaktuara në thirrjen publike.

Procedura do të zbatohet nga një komision prej shtatë anëtarësh, i përbërë nga përfaqësues të Këshillit dhe administratës komunale. Komisioni do të shqyrtojë kërkesat e pranuara dhe do të propozojë shumën e ndihmës financiare në bazë të kritereve të përcaktuara, mjeteve buxhetore të disponueshme dhe shkallës së dëmtimit të objekteve.

  •  

Arteta paralajmëron merkato të madhe: Duam ta çojmë Arsenalin në një tjetër nivel



Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka lënë të kuptohet se "Topçinjtë" nuk e kanë përfunduar ende punën në afatin kalimtar të verës, duke paralajmëruar afrime të rëndësishme në javët e ardhshme.

Në një intervistë për mediat zyrtare të klubit, strategu spanjoll pranoi se klubi po punon intensivisht për të ndërtuar një skuadër edhe më konkurruese.

“Po ndodhin shumë gjëra. Të gjithë e dimë kontekstin e këtij afati kalimtar”.

“Nga pronarët te bordi, drejtori sportiv dhe unë, të gjithë e dimë se duam ta çojmë këtë klub në një tjetër nivel. Për ta arritur këtë, na duhet një skuadër më e mirë dhe lojtarë më cilësorë”.

Arteta zbuloi se Arsenali ka identifikuar qartë repartet ku kërkon përforcime për të ngritur nivelin e ekipit.

“Kemi identifikuar se ku kemi mundësi të rritemi, të përmirësohemi dhe të evoluojmë lojën tonë, si dhe çfarë na duhet për ta arritur këtë”.

“Shpresoj që shumë shpejt t'i konkretizojmë këto plane”.

Deri më tani, Arsenali ka zyrtarizuar vetëm transferimet e Christos Tzolis dhe Illan Meslier, ndërsa ka bërë të përhershme edhe marrëveshjen për Piero Hincapie, një lëvizje që pritej prej kohësh.

Megjithatë, mediat angleze raportojnë se londinezët synojnë emra shumë më të mëdhenj në merkato. Në listën e objektivave thuhet se janë mesfushori Bruno Guimaraes dhe ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, edhe pse transferimi i brazilianit konsiderohet jashtëzakonisht i vështirë për t'u realizuar./Telegrafi/

  •  
❌