Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 February 2026Main stream

Manja: Dënimi i komandantëve të UÇK-së do të ishte rishkrim i historisë dhe goditje ndaj drejtësisë ndërkombëtare

9 February 2026 at 18:45


Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe ish-Ministër i Drejtësisë i Shqipërisë, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për 45 vjet burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në një reagim të gjatë, Manja e ka cilësuar këtë rast jo thjesht një akt procedural, por “një moment prove për vetë drejtësinë ndërkombëtare”. Ai tha se procesi ka tejkaluar kornizën penale dhe përbën një “test historik, juridik dhe moral”.

Manja vuri në dukje se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë çlirimtare, mbrojtëse, ndërsa Serbia ishte agresori përgjegjës për spastrim etnik, deportime masive dhe krime kundër njerëzimit, të dokumentuara nga drejtësia ndërkombëtare. Ai kritikoi përpjekjet për të barazuar komandantët e UÇK-së me arkitektët e politikave shtetërore kriminale, duke e quajtur këtë një “absurditet juridik”, pasi UÇK-ja nuk ishte shtet, pushtet apo aparat represiv, por një lëvizje rezistence çlirimtare.

Manja shtoi se drejtësia ndërkombëtare duhet të ndajë përgjegjësinë individuale nga legjitimiteti i kauzës dhe paralajmëroi se një vendim i padrejtë do të krijonte perceptimin e ndëshkimit të viktimës për faktin se mbijetoi.

“Pa luftën e UÇK-së nuk do të kishte Kosovë shtet, ndërhyrje ndërkombëtare të NATO-s dhe as këtë gjykatë. Sot, në bankën e të akuzuarve nuk është UÇK-ja, por vetë drejtësia ndërkombëtare,” shkroi Manja.

Ai përfundoi se “vetëm pafajësia e komandantëve të UÇK-së e shpëton nderin e drejtësisë ndërkombëtare dhe të vetë gjykatës. Çdo përfundim tjetër nuk do të ishte drejtësi, por rishkrim i historisë me gjuhë juridike”.

PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë, devijim nga e vërteta dhe drejtësia

9 February 2026 at 16:50


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke e akuzuar atë për devijim nga misioni i saj dhe përpjekje për të ndërtuar një narrativë të rreme mbi luftën çlirimtare të Kosovës.

Sipas PDK-së, deklarimet e Prokurorisë në fazën përmbyllëse të gjykimit kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – konfirmojnë se procesi ka humbur karakterin e tij gjyqësor dhe është shndërruar në një përpjekje për “deformim të së vërtetës historike”.

Partia thekson se lufta e UÇK-së ka qenë përgjigje e domosdoshme ndaj represionit dhe krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, ndërsa përpjekja për ta portretizuar atë si projekt kriminal përbën “barazim të viktimës me agresorin”.

PDK e ka cilësuar “absurde” kërkesën e Prokurorisë për dënime të larta ndaj të akuzuarve, duke e interpretuar atë si ndëshkim politik. Po ashtu, partia e ka quajtur të papranueshme çdo tentativë për të lidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se ky akt është i mbështetur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe i bazuar në të drejtën për vetëvendosje.

Në reagim, PDK rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe legjitimitetin e luftës çlirimtare, duke e konsideruar çdo kriminalizim të saj si tentativë për rishkrim të historisë dhe cenim të themeleve të shtetit të Kosovës.

“Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon deklarata e partisë.

Prokuroria e Hagës kërkon 45 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së

9 February 2026 at 13:45

Në ditën e parë të deklaratave përmbyllëse në gjyqin për krime lufte ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të tjerëve, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të hënën, Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) kërkoi dënim me 45 vjet burg për secilin nga katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). […]

The post Prokuroria e Hagës kërkon 45 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së appeared first on Reporter.al.

Gjyqi në Hagë/ Prokuroria kërkon 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe 3 komandantët e UÇK-së

By: Brisi
9 February 2026 at 10:53

Prokuroria e Hagës ka kërkuar 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Sipas raportimeve, në seancën gjyqësore ku ka filluar faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, dënimi prej 45-vjetësh burgim është kërkuar nga kryeprokurorja Kimberly West, me argumentin […]

The post Gjyqi në Hagë/ Prokuroria kërkon 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe 3 komandantët e UÇK-së appeared first on BoldNews.al.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së drejt fundit - sot nis faza përmbyllëse në Hagë

9 February 2026 at 07:21


Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn sot në fazën përfundimtare, me nisjen e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmive nga Prokuroria dhe Mbrojtja, kjo fazë shënon hapin e fundit para vendimit përfundimtar të trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.

Në një njoftim zyrtar, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor.

“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Po ashtu, nga DHSK është bërë e ditur se interesimi për të ndjekur seancat ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndërsa vendet për publikun kanë qenë të kufizuara.

“Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara”, thuhet më tej në njoftim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Faza përfundimtare e gjykimit konsiderohet vendimtare, pasi pas saj trupi gjykues do të tërhiqet për shqyrtim dhe më pas do të shpallë aktgjykimin, i cili pritet të ketë jehonë të madhe politike dhe shoqërore në Kosovë dhe më gjerë. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Gjykimi i katërshes së UÇK-së drejt fundit, cilat janë procedurat përpara?

8 February 2026 at 10:02


Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-tës.

Për tri ditë rresht, palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave.

Prokurorët e specializuar njoftuan se do të paraqisnin dëshmi se të akuzuarit ishin anëtarë të asaj që e konsiderojnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që gjoja kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata thanë se ajo kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.

Në fjalimin e tij hapës në nisje të gjykimit, prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.

“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.

Ndërkaq, përmes deklaratave të tyre hyrëse, për dy ditë me radhë, duke nisur nga 4 prilli i vitit 2023, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja s’kishte një komandë fikse, duke hedhur poshtë akuzën se ata ishin pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria.

Në seancën e 4 prillit, u deklarua edhe vetë Thaçi. Ai tha se është vërtetuar se UÇK-ja nuk ka kryer veprën e trafikimit të organeve, akuzë që ishte bërë nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport shërbeu si pikënisje për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë.

“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë, dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, u shpreh Thaçi.

Që nga prilli i vitit 2023, e deri në dhjetorin e vitit 2025, palët paraqitën prova e thirrën dëshmitarë në gjykatore.

Në rastin ndaj katërshes së UÇK-së vlerësohet se janë 155 viktima pjesëmarrëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar ftoi në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

Një nga dëshmitarët e Prokurorisë ishte edhe Fadil Geci, i cili në tetor të vitit 2024 dëshmoi në Hagë se “Thaçi ka menduar të na shfarosë”.

“Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, shprehej Geci.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria e Specializuar përmbylli fazën e prezantimit të dëshmitarëve, ndërkaq më vonë, gjatë atij muaji, e përmbylli paraqitjen e provave, duke prezantuar mijëra prova materiale, që tha se mbështesnin akuzat e saj.

Dy viktima u thirrën në gjykatore nga mbrojtësit e viktimave, ndërkaq shtatë dëshmitarë u ftuan nga ekipet mbrojtëse.

Dëshmitarët e mbrojtjes

Në shtator, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit nisën thirrjen e dëshmitarëve, dhe paraqitjen e provave të tyre. Ekipi i Veselit dhe ai Krasniqit zgjodhën të mos paraqisnin as prova, e as të thërrisnin dëshmitarë.

I pari që doli para gjykatores ishte James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili për tri ditë rresht, në shtatorin e 2025-tës, dëshmoi në mbrojtje të Thaçit. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik në UÇK, dhe s’kishte kompetenca për vendime ushtarake, duke shtuar se për çdo vendim të rëndësishëm ai duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave. Rubin dëshmoi se nuk kishte informacione që e lidhnin Thaçin dhe Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Në gjykatore u paraqit edhe Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, që kishte qenë i dërguar i Uashingtonit gjatë luftës në Kosovë. Edhe ai ishte në të njëjtën linjë se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Cark, ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Për dy ditë resht, në nëntorin e 2025-tës, ai dëshmoi për rolin e UÇK-së dhe të Thaçit. Sipas gjeneralit të pensionuar amerikan, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë.

Njeriu kryesor i fushatës së NATO-s ndaj caqeve serbe dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional, e as hierarki të plotë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, sipas tij, do të ishte e pamundur që SHBA-ja dhe NATO-ja të mos ishin në dijeni.

Ai i tha trupit gjykues se UÇK-ja nuk ishte terroriste dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

Deklaratat përmbyllëse

Me përmbylljen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes, gjykimi kaloi në fazën tjetër: Dorëzimi i dosjeve përfundimtare nga palët, deri në fund të janarit.

Ndërkaq, nga 9 deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.

Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Çështja te trupi gjykues

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.

Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /REL/

Specialja: Interesim i lartë për seancat përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët

6 February 2026 at 22:35


Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar procesin e dërgimit të konfirmimeve për të gjithë personat që do të ndjekin nga afër seancat e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas njoftimit, konfirmimet janë dërguar për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në objektin e DHSK-së gjatë seancave përmbyllëse, të cilat janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt teksa theksohet se janë bërë përpjekje që të plotësojnë sa më shumë kërkesa për pjesëmarrje në galerinë për publikun, por për shkak të interesimit të madh, numri i vendeve ka qenë i kufizuar.

DHSK sqaron se personat që nuk kanë marrë një email konfirmues nuk kanë mundur të akomodohen për mungesë të vendeve të lira.

Po ashtu, nga Dhomat e Specializuara rikujtohet se seancat mund të ndiqen edhe online nga publiku i gjerë, përmes transmetimit në faqen zyrtare të institucionit, në tri gjuhët zyrtare të gjykatës – shqip, anglisht dhe serbisht – me një vonesë prej 45 minutash.

“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt. Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë, dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara, që do të thotë se nuk kishte vende në dispozicion për të gjithë ata që kishin bërë kërkesë".

"Në qoftë se nuk keni marrë email konfirmues, atëherë fatkeqësisht nuk kishte vende të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës suaj. Ju kujtojmë se seancat gjithashtu mund të përcillen nga çdokush në internet në të tri gjuhët e gjykatës, shqipe, anglishte dhe serbishte, përmes transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë”, thuhet në njoftim.

Gjykata Speciale: Fjalët përmbyllëse dhe vlerësimi i secilës provë më 9 shkurt

3 February 2026 at 18:05


Gjykata Speciale ka publikuar një video përmbledhëse të procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke shpjeguar në detaje zhvillimet kryesore që nga konfirmimi i aktakuzës deri te paraqitja e dëshmitarëve dhe administrimi i provave.

Gjykata ka njoftuar se deklarimet përmbyllëse nga mbrojtja do të fillojnë më 9 shkurt, duke shënuar një fazë vendimtare të procesit.

Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse, gjyqtarët do të hyjnë në fazën e vlerësimeve të tyre konfidenciale, ku do të analizojnë secilën provë dhe deklaratë dëshmitari për të arritur në një vendim përfundimtar.

“Fjalët përfundimtare në gjyqin Thaçi etj. do të fillojnë më 9 shkurt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Gjykatës, gjatë kësaj faze do të vlerësohet pesha dhe besueshmëria e secilit prej dëshmitarëve, si dhe çdo pjesë e provave që janë ofruar gjatë procesit, duke përfshirë dokumente, raportime dhe prova materiale të administruara në sallën e gjyqit.

Closing statements in the Thaçi et al. trial will begin on the 9th February. A brief overview of proceedings can be found here. pic.twitter.com/fP3iJSdNSf
— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) February 3, 2026

​Veselit, Selimit e Krasniqit iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

16 January 2026 at 17:44


Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, të paktën.

Vendimin për zgjatjen e kësaj mase ndaj tre ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjykohen bashkë me Hashim Thaçin, e mori Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në çështjen Thaçi.

Përmes një njoftimi kjo gjykatë bën me dije se në rastin në fjalë trupi gjykues ”konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera”.

Gjithashtu, bëhet me dije se vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit të Thaçit u lëshua në dhjetor 2025, dhe rishikimi i ardhshëm pritet në shkurt..

Ky vendim erdhi një ditë pasi, Specialja njoftoi se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-katërshes së UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim për më shumë se pesë vjet.

Hyn në fazën përfundimtare gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në shkurt nisin deklaratat përmbyllëse

15 January 2026 at 15:15


Nga 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt 2026 në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit zyrtar të DHSK-së, seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30 dhe mund të ndiqen përmes transmetimit në faqen zyrtare të gjykatës me 45 minuta vonesë, në tri gjuhët zyrtare: shqip, serbisht dhe anglisht, si dhe nga galeria publike në ndërtesën e gjykatës në Hagë.

DHSK njofton se për shkak të interesimit të madh, pjesëmarrja fizike në seanca kërkon regjistrim paraprak.

“Për të përcjellë seancat nga galeria publike në ndërtesën e gjykatës në Hagë, regjistrimi paraprak është i domosdoshëm”, thuhet në njoftim. Afati për regjistrim është deri më 30 janar në orën 17:30.

Sipas rendit të ditës, deklaratat përmbyllëse do të nisin me Prokurorinë më 9 shkurt, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve do të paraqesë qëndrimet e saj në ditët pasuese. Më 18 shkurt janë paraparë përgjigje nga palët dhe deklarata nga të akuzuarit.

Në njoftim rikujtohet se aktakuza në këtë çështje u konfirmua fillimisht më 26 tetor 2020 dhe u ndryshua disa herë, ndërsa versioni aktual është dorëzuar më 27 shkurt 2023.

“Secili prej të akuzuarve akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte”, thuhet më tej.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer nga marsi deri në shtator 1999 në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Prokuroria pretendon se këto vepra janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së kundër civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Gjykimi ka filluar më 3 prill 2023, ndërsa Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025. Në total, në këtë proces kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, ndërsa janë pranuar edhe 164 deklarata vetëm në formë të shkruar.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të nisë kuvendimet për aktgjykimin.

“Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh nga mbyllja e paraqitjes së provave”, bën të ditur DHSK, me mundësi zgjatjeje edhe për 60 ditë të tjera nëse rrethanat e kërkojnë këtë. /Telegrafi/

Ndërsa një gjyq përfundon, një tjetër fillon për Hashim Thaçin

7 January 2026 at 14:30

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përballet këtë vit me një gjyq të ri në Hagë, vetëm pak ditë pas fjalëve përmbyllëse në gjyqin aktual për krime lufte, gjë që mund ta mbajë atë në paraburgim edhe për disa muaj të tjerë, edhe në rast se shpallet i pafajshëm në çështjen e parë. Thaçi, i cili […]

The post Ndërsa një gjyq përfundon, një tjetër fillon për Hashim Thaçin appeared first on Reporter.al.

Specialja hedh poshtë kërkesën e Kadri Veselit për lirim të përkohshëm

22 December 2025 at 18:39


Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm.

Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, më 19 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, ka refuzuar kërkesën e Veselit për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila ishte paraqitur në mënyrë konfidenciale në nëntor të këtij viti.

Kërkesa kishte të bënte me një vendim të Panelit të Gjykatës së Apelit, të datës 13 gusht 2025, përmes të cilit ishte konfirmuar vendimi i Trupit Gjykues për rrëzimin e kërkesës së Veselit për lirim të përkohshëm.

Me këtë vendim të fundit të Gjykatës Supreme, mbetet në fuqi refuzimi i lirimit të përkohshëm të Kadri Veselit, ndërsa procedurat gjyqësore ndaj tij vazhdojnë në Dhomat e Specializuara.

“Teatër turpi”: Rama viziton Hashim Thaçin në Hagë

19 December 2025 at 08:24

Pasi vizitoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në mjediset e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshkroi gjykatën e krimeve të luftës si “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare”. Rama, i cili shpesh e ka kritikuar gjykatën e Hagës, e sulmoi atë përsëri në Facebook, duke […]

The post “Teatër turpi”: Rama viziton Hashim Thaçin në Hagë appeared first on Reporter.al.

Hamza viziton Thaçin e Veselin: Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën e UÇK-së

16 December 2025 at 15:55


Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot në Hagë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Pas takimit Hamza ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj tyre po shkon drejt fundit dhe se pret një përfundim të drejtë.

“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre,” ka shkruar Hamza, duke shtuar se i ka gjetur ata “mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë”.

Ai ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së i kanë shërbyer Kosovës me sakrificë dhe se po përballen me padrejtësi.

“Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu,” ka deklaruar Hamza.

Hamza ka thënë se këto padrejtësi i ndien personalisht, si qytetar i Kosovës, si mik dhe si kryetar i PDK-së.

“Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi,” ka shkruar ai.

Sipas tij, procesi gjyqësor po shkon drejt fundit dhe zvarritjet nuk i shërbejnë askujt.

“Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare,” ka theksuar ai.

Në fund, Hamza ka shprehur besimin se ish-krerët e UÇK-së do të kthehen në Kosovë.

“Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi,” ka shkruar Hamza, duke shtuar: “Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!” /Telegrafi/

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, gjithçka nga protesta në Shkup

13 December 2025 at 16:13


Me mijëra protestues u mblodhën sot në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në protestën e thirrur nga OVL-UÇK, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë, informon Telegrafi.

Protesta u përkrah nga figura politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, nisur nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ahmeti në fjalimin e tij tha se ish-krerët e UÇK-së po gjykohen padrejtësisht dhe se të njejtëve duhet t’u jepet mirënjohje e jo të dënohen.

"UÇK dënonte çdo veprim fashist dhe veprim kundër popullatës civile. UÇK e shpalli veten ushtri e popullit që lufton për lirinë e popullit të vet. Është e vërtetë e madhe që objektivin e madh nuk e arritëm për të ndërtuar hierarki, prandaj nuk do të donim që akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuzat që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale të njollosin historinë e luftës çlirimtare. Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen pas grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Gjithë procesin e kemi përcjellë dhe na dridhej lëkura kur dëgjonim akuza që neve na i kishte bërë Beogradi dhe Moska, si kriminel e banditë. Ne e kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popuj tjerëve", tha Ahmeti.



Fjalë rasti pati edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL UÇK), Hysni Gucati, ai tha se gjykata e Hagës me gjykimin e tyre që po e bënë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë.


"Sot jemi mbledhur t'u tregojmë ambasadave të huaja që gjenden në Maqedoni se UÇK nuk ka qenë ushtri kriminale, por ka qenë ushtri që mbrojti qytetarët e vet. Kjo gjykatë e formuar nga një njeri i çmendur i cili ngriti rezolutë në Parlamentin e Evropës se gjoja UÇK ka bërë krime dhe ka hequr organe nga njerëzit. Ne sot me këtë numër kaq të madh të njerëzve këtu, tregojmë se UÇK buron nga populli, lindi nga populli dhe e mbron populli. Gjykata e Hagës u ngjan gjykatave të Jugosllavisë. Kërkojmë që Evropa të mos ia ve vetes faqen e zezë me ato gjyqtarë të gjykatës së Hagës", theksoi Gucati.



Kujtojmë se protesta në Shkup erdhi pas tubimeve në Tiranë dhe Prishtinë, ku në sheshet kryesore të kryeqyteteve u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. /Telegrafi/

Ali Ahmeti nga Shkupi: Gjykata e Hagës duhet t'u jep mirënjohje ish-krerëve të UÇK-së, e jo t'i dënojë

13 December 2025 at 14:10


Ali Ahmeti sot nga Shkupi bëri thirrje që të shpallen të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, si dhe ushtarë tjerë që akuzohen nga Gjykata e Hagës. Ahmeti në fjalimin e tij nga sheshi "Skënderbeu", tha se ish-krerët e UÇK-së akuzohet për vepra që asnjëherë nuk i kanë bërë, duke thënë se kanë luftuar për lirinë e popullit.

Ahmeti gjithashtu tha se Gjykata e Hagës duhet t'u jep mirënjohje e lëvdatë ish-krerëve të UÇK-së, e jo t'i dënojë.



"UÇK dënonte çdo veprim fashist dhe veprim kundër popullatës civile. UÇK e shpalli veten ushtri e popullit që lufton për lirinë e popullit të vet. Është e vërtetë e madhe që objektivin e madh nuk e arritëm për të ndërtuar hierarki, prandaj nuk do të donim që akuzat që bëhen për shtëpinë e verdhë, akuzat që bëhen për ndërmarrje të përbashkët kriminale të njollosin historinë e luftës çlirimtare".

"Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarë që ndodhen pas grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Gjithë procesin e kemi përcjellë dhe na dridhej lëkura kur dëgjonim akuza që neve na i kishte bërë Beogradi dhe Moska, si kriminel e banditë. Ne e kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popuj tjerëve", tha Ahmeti.

Ai gjithashtu theksoi se protesta e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë, duke shtuar se ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë kanë kontribuar për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Ai poashtu përmendi dëshmitë e gjeneralit Wesley Clark, James Rubin dhe Christofer Hill, për të cilët shprehi mirënjohje

"Jemi mirënjohës ndaj dëshmisë së gjeneralit Clark, mirënjohës ndaj James Rubin, si dhe ambasadorit që punoi shumë në rajon për paqe dhe stabilitet Christofer Hill", tha Ahmeti./Telegrafi/

Protesta në Shkup në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, pamje nga sheshi "Skënderbeu"

13 December 2025 at 13:12


Mijëra protestues në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, kanë protestuar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e thirrur nga OVL-UÇK ka nisur në ora 13:00 në sheshin “Skënderbe” në Shkup.

Ajo është përkrahur nga shumë figura politike, nisur nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.






Protesta ka karakter paqësor, ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se edhe pse nuk e përkrah protestën do të mundësojë siguri dhe mbarëvajtje të qetë të tubimit.



Nis protesta në Shkup në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, pamje nga sheshi "Skënderbeu" telegrafi.com

Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt dhe Fazliut

4 December 2025 at 14:13


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut të cilët së bashku me Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Vendimet e ndara për secilin janë marrë nga gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi për Thaçin

Në rastin ku Thaçi akuzohet se udhëhoqi tri grupe të ndara për të ndikuar tek dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen në të cilën së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se i mbrojturi i saj nuk përbën një rrezik për arratisje dhe se mbyllja e afërt e fazës së provave në për krime lufte, si dhe transferimi i kësaj çështjeje në fazën e gjykimit, së bashku me natyrën e provave të Prokurorisë, justifikojnë një vlerësim të ri të rreziqeve të supozuara të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera nga ana e tij.

Gjyqtari Gosnell ka thënë se meqë Apeli ka konstatuar se në rast që një prej kushteve përmbushet për vazhdimin e paraburgimit, atëherë kushtet tjera mund të mos shqyrtohen. Rrjedhimisht, ka vendosur që të mos e shqyrtojë nëse Thaçi përben rrezik të arratisjes në rast se lirohet.

Por, në anën tjetër ka konstatuar se ai mund të ndikojë tek dëshmitarët, të pengojë procedurat dhe rrjedhimisht që të kryejë krime të tjera.

Sipas gjyqtarit, asnjë prej kushteve alternative nuk mund t’i zvogëlojnë rreziqet që dalin nga ky proces.

Vendimi për Smakajn

Gosnell kishte thënë se është i mendimit se ekziston rreziku që nëse lirohet, Smakaj mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së duke u bazuar në natyrën e akuzave ndaj tij të cilat përfshijnë pretendime për ndikim në dëshmitarë.

Edhe për Smakajn ishte konstatuar se rreziku i ndikimit në dëshmitarë është reduktuar pasi paraqitja e provave të Prokurorisë dhe Mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është mbyllur.

Megjithatë, thuhet se Smakaj mund të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes në çështjen aktuale. Rrjedhimisht, për Smakajn thuhet se ai mund t’i pengojë procedurat dhe të kryej krime të tjera në rast që lirohet.

Kësisoj, gjyqtari ka konstatuar se asnjë prej kushteve të propozuara më para nga mbrojtja nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet që dalin në rast që Smakaj lirohet me kusht.

Vendimi për Fazliun

Gjyqtari Gosnell në vendimin e tij të parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Fazliut ngjashëm sikur për dy të akuzuarit e tjerë ka thënë se ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien brenda juridiksionit të DhSK-së.

Duke u bazuar në atë se Apeli ka deklaruar se nëse njëra nga kushtet përmbushet për caktimin e paraburgimi, kushtet e tjera nuk duhet të shqyrtohen. Rrjedhimisht, Gosnell nuk e konsideroi të nevojshëm për momentin që të bëjë konstatime lidhur me rrezikun që Fazliu mund të arratiset.

Ndërsa, është konstatuar se ekziston rrezik real që Fazliu mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së.

Në anën tjetër, gjyqtari ka konstatuar se rreziku i pengimit të dëshmitarëve të Prokurorisë është reduktuar në krahasim me periudhat e shqyrtimeve të mëparshme të paraburgimit.

“Gjykatësi i vetëm vëren se dëshmitarët që do të paraqiten për SPO-në, duke marrë parasysh rrethanat e tyre, nuk pritet të jenë subjekt i ndonjë ndikimi nga z. Fazliu ose nga dikush që mund të veprojë në emër të tij”, thuhet në vendim.

Megjithatë, gjyqtari ka konstatuar se ekziston rreziku që Fazliu të ndikojë tek dëshmitarët potencial të mbrojtjes dhe nëse lrohet mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së. Rrjedhimisht, ai mund të kryejë edhe krime të tjera.

Gjyqtari i vetëm ka thënë se çdo kusht i mundshëm që mund të vendoset nuk e adreson mundësinë që Fazliu mund të përdorë pajisje komunikimi të personave të tjerë, nuk mund të monitorohen plotësisht komunikimet e Fazliut me djalin e tij i cili përmendet në aktakuzë si dhe çdo masë e vendosur nuk mund të jetë efektive sikur qendra e paraburgimit.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU. Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu, të cilën mund ta gjeni KËTU. Ndërsa, atë të Thaçit KËTU. /BetimipërDrejtësi/

Mbrojtja mbyll zyrtarisht paraqitjen e provave në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

4 December 2025 at 08:19


Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave në rastin ku klientët e tyre së bashku me Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Këtë njoftim mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit e kanë bërë ndaras më 2 dhjetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Gjyqi i madh drejt finales, vendimi pritet në pranverë

30 November 2025 at 11:12


Pas më shumë se 5 vjet proces gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket se është afruar fundi. Tashmë kur në fillim të muajit shkurt janë caktuar seancat për fjalët përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, muaji prill dhe fillimi i muajit maj 2026 po shihen si afate optimale që trupi gjykues të nxjerr aktgjykimin e shkallës së parë.

Monitorues të këtij procesi gjyqësor vlerësojnë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka qenë proces i gjatë dhe i përcjell me mungesë transparence për shkak të numri të madh të dëshmitarëve të ZPS-së që u dëgjuan në seanca të redaktuara apo edhe të mbyllura për publikun.

Monitoruesi nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija beson që fillimi i majit 2026 do të sjellë një aktgjykim për katërshen e UÇK-së, të cilët janë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.

“Ka qenë një gjykim maratonik që ka zgjatur 5 vjet. Gjatë këtyre viteve ka pasur edhe sfidat dhe ka qenë periudha e COVID-it. Ky proces ka pasur edhe shumë seanca të redaktuara për publikun, rreth 50 për qind e dëshmitarëve kanë qenë dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë. Shqyrtimet gjyqësore kur janë dëgjuar këta dëshmitarë kanë qenë pjesërisht apo kryesisht të mbyllura për publikun dhe kjo ka ndikuar te cenimi i transparencës dhe publicitetit…", tha ai.

Alija tutje shtoi se tani rasti ka ardhur në përfundim të procedurës.

"Deri më 17 janar nëse nuk gaboj janë procedurat ku mbrojtja dhe palët tjerat duhet të paraqesin dosjet përfundimtare, më pastaj më 9 deri 13 shkurt 2026 janë caktuar të mbahen fjalët përfundimtare dhe pasi të përfundojë kjo procedurë, me fjalën përfundimtare trupi gjykues brenda 3 muajsh duhet ta shpallë aktgjykimin. Sigurisht, diku kah fillimi i muajit maj 2026 pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët”, tha ai.

Por, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftarajt koha e shpalljes së aktgjykimit për rastin Thaçi dhe të tjerët po afrohet.

Ai thotë se muajt mars dhe prill mund të shënojnë momentin kur Gjykata Speciale do të zbardhë vendimin e saj të parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, raporton KosovaPress.

“Me vetë faktin që gjatë muajit shkurt është paraparë fjalët mbrojtjes qoftë të prokurorisë, avokatëve mbrojtës unë besoj që muaji mars, prill mund të jenë afate kohore kur gjykata mund të dal me një vendim për rastin në fjalë, po flas për shkallë të parë“, thotë Miftaraj.

Në shqyrtimin gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi i cili nisi në prill 2023 në gjithsej 227 seanca gjyqësore u dëgjuan 125 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim dhe dy dëshmitarë të mbrojtjes së viktimave.

Ndërkaq, në fillim të muajit shtator nisi dëgjimi i shtatë dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilit ishin zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të zhvillimeve nga koha e luftës. Në mesin e tyre ishte edhe ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Lidhur me dëshminë e kësaj dysheje të rëndësishme, por edhe të tjerëve që u dëgjuan, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë vlerëson se dëshmitë e mbrojtjes kanë peshë të madhe.

“Mbrojtja përmes këtyre deklaratave, të cilat do të kenë një peshë të madhe tek vlerësimi i kredibilitetit nga trupi gjykues kanë dashur të tregojnë të kundërtën nga çka ato që kanë pretenduar prokuroria...Deklaratat e këtyre dëshmitarëve të cilët kanë qenë të kyçur drejtpërdrejtë me zhvillime gjatë viteve 98’, 99’ sigurisht që do të kenë peshë, dhe njohuritë dhe deklaratat e tyre lidhur me organizimin e UÇK-së lidhur me përgjegjësitë dhe jo përgjegjësitë e Hashim Thaçit dhe të tjerëve do të vlerësohen nga trupi gjykues”, deklaron Alija.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga IKD thotë se këto dëshmi e shkatërruan narrativen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që kishin ndërtuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Fatkeqësisht, është evidente që kjo gjykatë nuk ka pasur transparencë të plotë pasi një numër i madh i seancave kanë qenë të mbyllura për publikun dhe shoqërinë civile... Ajo çka thash në fund të procesit kur edhe mbrojtja, prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave i kanë dhënë deklaratat e fundit të procesit, mund të themi me kompetencë dhe pa ndërhyrë në proces, është fakti që Prokuroria mund të themi se ka ngritur një aktakuzë jashtëzakonisht shumë-shumë të dobët", u shpreh Miftaraj.

Miftaraj ka shtuar se ka pasur një përfaqësim të aktakuzës shumë të dobët e cila pastaj në raste të caktuara kualiteti i dobët i aktakuzës është munduar të kompensohet me një qasje agresive nga ana e prokurorëve.

"Kualiteti, integriteti, kredibiliteti i dëshmitarëve të ZPS ka qenë i nivelit shumë të ulët në raport me kredibilitetin, integritetin e dëshmitarëve të mbrojtjes...Dëshmitarët e mbrojtjes e shkatërruan narrativen që ka ndërtuar Prokuroria Speciale lidhur me atë se kush e ka udhëhequr UÇK-në, në këtë rast Prokuroria e ka quajtur Hashim Thaçin si komandant të UÇK-së”, theksoi ai.

Strategjia e mbrojtjes ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese, dhe se roli i ish-presidentit Hashim Thaçi ishte politik, por pa autoritet mbi operacionet ushtarake.

Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij më 16 shtator tha se UÇK-ja ishte pa “kontroll dhe komandë efektive”.

Edhe gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, në dëshminë e tij, më 17 tetor, UÇK-në e përshkroi si grupe të pavarura, por pa zinxhir komandues.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte./KP/

❌
❌