Arsenal ka shënuar një fitore të rëndësishme në Ligën Premier, duke mposhtur Sunderlandin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e cila i takoi javës së 25-të.
Rastin e parë serioz për gol Arsenali e pati në minutën e 30-të me anë të Declan Rice, por topi shkoi fare pranë shtyllës.
Ndeshja u ndez në minutën e 42-të, kur Martin Zubimendi shënoi me një vole të bukur nga skaji i zonës, pas asistimit të Leandro Trossard për rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, vendasit gjetën edhe golin e radhës. Në minutën 66-të, Kai Havertz dha një pasim të saktë në zonë për Viktor Gyökeres, i cili nuk gaboi dhe shënoi në këndin e poshtëm të majtë të portës për 2-0.
Sunderland u përpoq të mbrohej dhe të godiste me kundërsulme, por nuk arriti të rrezikonte në mënyrë reale portën e Arsenalit.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Arsenali ia doli të shënojë edhe golin e tretë ku sërish në skenë doli Gyokeres që realizoi për 3-0.
Me këtë fitore ‘Topçinjtë’ shkojnë në kuotën e 56 pikëve në kampionatin anglez, nëntë më shumë se Man City në pozitën e dytë që ka 47 sosh, por me një ndeshje më pak të zhvilluar./Telegrafi/
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur, tashmë trajneri Fadil Ademi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.
Gjatë bisedës, Fadil Ademi rrëfeu një histori të veçantë nga jeta e tij, kur paradite zhvilloi një ndeshje futbolli, ndërsa pasdite u martua. Ai tregoi se ky veprim bëri që babai i tij të mos i fliste për dy javë.
Ish-mbrojtësi kampion i Dritës foli hapur edhe për pagën që merrte në kohën kur ishte pjesë e klubit, duke përmendur drejtpërdrejt presidentin Selmani Osmani – Bezi dhe mënyrën se si funksiononte klubi në atë periudhë.
Ademi u ndal edhe te ftesa që kishte marrë nga Ismet Munishi për t’iu bashkuar një klubi në Slloveni, duke shpjeguar pse ky transferim nuk u realizua.
Një tjetër temë e trajtuar ishte edhe ftesa e Kosovës për ndeshjen madhështore ndaj Shqipërisë, si dhe kartoni i kuq që shënoi një moment të veçantë në karrierën e tij.
Në fund, Fadil Ademi foli për suksesin e madh kur u shpall kampion me Hysin si trajner, duke kujtuar rikthimin e jashtëzakonshëm të skuadrës, e cila nga 9 pikë minus arriti ta fitojë trofeun.
Episodin e plotë me Fadil Ademin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
Legia Varshava ka luajtur baras me rezultat 2-2 në udhëtim ndaj Arka Gdynias në kuadër të javës së 20-të në elitën e futbollit polak.
Një prej meritorëve që gjiganti polak ia doli të largohej nga ky terren me të paktën një pikë ishte ylli kosovar Ermal Krasniqi.
Reprezentuesi i Kosovës ishte në disponim mjaft të madh për lojë dhe këtë e dëshmoi me dy asistimet që bëri në këtë sfidë.
Që të dyja asistimet e Krasniqit erdhën në minutat e fundit të ndeshjes.
Fillimisht, ai asistoi në minutën e 90-të për Emre Colak i cili shënoi për të ngushtuar shifrat në 2-1 (VIDEO).
Ishte pikërisht kjo dyshe që doli në skenë sërish vetëm pak minuta më vonë, ku Krasniqi asistoi sërish në drejtim të Colak, me këtë të fundit që realizoi për rezultatin përfundimtar 2-2 në minutën e 94-të (VIDEO).
27-vjeçari tani ka shkuar në shifrën e katër asistimeve pas 16 ndeshjeve në kampionatin polak, teksa ka edhe dy gola të realizuar./Telegrafi/
Sipas gazetës Tuttosport, Milani po kërkon tashmë një qendërmbrojtës për sezonin 2026/27, dhe ka pasur një ofertë të refuzuar nga Juventusi për Federico Gattin në fund të janarit.
‘Rossonerët’ kanë dërguar një ofertë në minutat e fundit për mbrojtësin e Juventusit këtë të dielë, por 'Bianconerët' e refuzuan propozimin, pasi ishin në prag të dërgimit të Daniele Ruganit te Fiorentina.
Sipas Tuttosport, përpjekja e dështuar për të transferuar Gattin nuk e ka mbyllur interesin e Milanit për të, pasi mbrojtësi është shumë i vlerësuar nga trajneri Massimiliano Allegri.
Megjithatë, Milani ka vendosur të shikojë edhe alternativa të tjera. Nuk është sekret që Mario Gila i Lazios është një nga objektivat kryesorë të klubit për verën.
Igli Tare, i cili tani është në Milan, e solli Gilën te Lazio në vitin 2022, duke e blerë nga Real Madridi për 5 milionë euro plus një klauzolë 50% nga një shitje e ardhshme.
Kontrata e Gilës skadon në qershor 2027, dhe ai ka informuar tashmë Lazion se nuk është i interesuar për një rinovim.
Lazio kërkon 20 milionë euro për Gilën, por mbrojtësi do të ketë vetëm një vit të mbetur në kontratë kur të vijë vera, dhe marrëdhënia e shkëlqyer mes Tares dhe agjentit të lojtarit mund të lehtësojë një transferim në “San Siro” me një shumë më të ulët./Telegrafi/
Juventusi ka njoftuar zyrtarisht rinovimin e kontratës së Kenan Yildiz, duke e mbajtur sulmuesin turk në klub deri në vitin 2030.
Marrëveshja e re parashikon një rritje të ndjeshme të pagës së Yildiz, e cila nga 1.7 milionë euro rritet menjëherë në 6 milionë euro, ndërsa nga sezoni i ardhshëm do të arrijë në 7 milionë euro, plus bonuset.
Ky njoftim vjen pas muajsh negociatash të zhvilluara nga drejtori sportiv Damien Comolli me familjen dhe rrethin e ngushtë të lojtarit, duke siguruar kështu që Juventusi të ruajë një nga talentët më premtues të së ardhmes së tij.
Klubi e ka cilësuar këtë rinovim si një hap kyç, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e bardhezinjve.
Trajneri Luciano Spalletti e ka vlerësuar vazhdimisht Yildizin për cilësitë e tij teknike, duke e përshkruar atë me fjalë shumë të veçanta.
“Ai është si një alien, ndonjëherë bën gabime vetëm për të parë nëse mund të jetë normal, por nuk mundet. Ai nuk do të jetë kurrë një lojtar i zakonshëm, mbetet i jashtëzakonshëm”, ka thënë Spalletti për yllin turk.
Juventusi po planifikon edhe një festë të veçantë për rinovimin e kontratës, e cila do të shoqërohet me video, fotografi dhe përmbajtje të dedikuar në rrjetet sociale.
Njoftimi përkon me ndeshjen që Juventusi zhvillon ndaj Lazios në “Allianz Stadium”, ku pritet prania e rreth 41 mijë tifozëve, ndërsa nuk përjashtohet edhe prezenca e kryetarit John Elkann./Telegrafi/
Barcelona po përgatitet për një verë që mund të përbëjë një pikë kthese në projektin e saj sportiv. Në qytetin katalanas po rritet optimizmi lidhur me situatën ekonomike të klubit dhe, në rrethet e brendshme, ekziston bindja se për herë të parë pas një kohe të gjatë, klubi do të jetë në gjendje t’i qaset tregut të transferimeve me ambicie të vërtetë.
Me vetëm disa milionë euro të mbetura për të përmbushur rregullin 1:1 të ‘Fair-play financiar, drejtuesit janë të bindur se ky objektiv do të arrihet para hapjes së afatit kalimtar veror.
Nëse kjo ndodh, plani është i qartë: të investohet fuqishëm në tre përforcime të nivelit të lartë, të afta për ta ngritur ndjeshëm nivelin konkurrues të skuadrës.
Emri i parë në listë nuk është sekret – Marcus Rashford. Sulmuesi anglez, i huazuar nga Manchester United deri në fund të sezonit, e ka bindur klubin pavarësisht se ende nuk ka shfaqur formën e tij më të mirë.
Barcelona beson se ka hapësirë për përmirësim të performancës së tij dhe se, në kontekstin taktik të ekipit dhe me besimin e stafit teknik, ai mund të bëjë një hap të madh përpara.
Vendimi është marrë: Barcelona është e gatshme të paguajë 30 milionë eurot e përcaktuara në klauzolën e blerjes. Për drejtimin sportiv, kjo shihet si një mundësi tregu e vështirë për t’u gjetur.
Përforcimi i dytë synon të jetë goditja e madhe ofensive e verës. Barcelona dëshiron Julian Alvarez dhe interesi është real. Sulmuesi i Atletico Madrid është vlerësuar prej kohësh në “Camp Nou”, ndërsa edhe vetë lojtari ka shfaqur gatishmëri në më shumë se një rast.
Klubi katalanas beson se çmimi i tij mund të sillet rreth 85 milionë euro, një shifër e konsiderueshme, por e menaxhueshme nëse përmbushet rregulli 1:1 dhe realizohen largime të rëndësishme nga skuadra.
Përforcimi i tretë lidhet me një nevojë strukturore dhe një dëshirë personale të drejtimit sportiv. Alessandro Bastoni është objektivi kryesor i Decos për forcimin e repartit defansiv.
Në moshën 26-vjeçare, Bastoni kombinon autoritetin, lidershipin dhe aftësitë e nivelit të lartë në ndërtimin e lojës nga prapavija, pikërisht ajo që Barcelona kërkon për mbrojtjen e saj.
Marrëveshja mund të mbyllet për rreth 70 milionë euro, me kusht që Interi të hapë rrugën për largimin e tij./Telegrafi/
Tifozët e Al-Nassr i kanë dërguar një mesazh të qartë Cristiano Ronaldos, pasi ai mungoi për ndeshjen e dytë radhazi, mes raportimeve se sulmuesi portugez është në grevë.
Ronaldo nuk është përfshirë në listën e skuadrës së Al-Nassr për asnjë ndeshje që nga muaji janar, duke munguar në dy takimet e fundit të Superligës së Arabisë ndaj Al-Riyadh dhe Al-Ittihad.
Kjo situatë vjen pas raportimeve të mediumit portugez Record, sipas të cilit Ronaldo ndien Fondi i Investime Publike (PIF), i cili zotëron Al-Nassr, Al-Ittihad, Al-Ahli dhe Al-Hilal, po favorizon klubet e tjera në tregun e transferimeve.
Veprimet e 41-vjeçarit janë pritur me kritika të ashpra nga Superliga e Arabisë, e cila ka lëshuar një deklaratë duke dënuar grevën e Ronaldos.
Gjatë mungesës së Ronaldos në ndeshjen e së premtes ndaj Al-Ittihad, tifozët e Al-Nassr shfaqën mbështetje të fuqishme për yllin e tyre. Në tribuna u organizua një koreografi e veçantë, ku mbështetësit ngritën kartona me mbishkrimin “Ronaldo 7”, duke krijuar një “mur të verdhë” në stadium.
Koreografia u shoqërua nga ritmi i daulleve, ndërsa tifozët brohoritnin vazhdimisht “Siu”, në shenjë dashurie dhe mbështetjeje për sulmuesin portugez.
Kjo shfaqje e tifozëve mund ta bindë Ronaldon të rikthehet shpejt në fushë, teksa fituesi i pesë Topave të Artë po ndjek edhe 39 gola për të arritur shifrën historike prej 1000 golash në karrierë.
Megjithatë, ekziston mundësia që Ronaldo të detyrohet t’i ndjekë këto gola larg Arabisë Saudite. Sipas The i Paper, klubi i fëmijërisë së tij, Sporting Lisbona, është i interesuar për ta rikthyer sulmuesin.
Ronaldo ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh në kontratën e tij, e cila mund të aktivizohet këtë verë. Sidoqoftë, zyrtarët arabë kanë tashmë një plan rezervë nëse ylli kryesor i ligës vendos të largohet.
Mohamed Salah dhe Bruno Fernandes do të ishin “përshtatje perfekte” për ta zëvendësuar Ronaldon si fytyrën kryesore të Superligës së Arabisë./Telegrafi/
Real Madridi vazhdon kërkimet për një mbrojtës në afatin kalimtar të verës dhe është rikthyer te një opsion i mëparshëm, i cili dukej se ishte përjashtuar. “Los Blancos” kanë parë disa objektiva të tyre të bien dakord për transferime te klube të tjera gjatë muajve të fundit.
Pozita e mbrojtësit qendror mbetet një nga prioritetet kryesore në “Santiago Bernabeu” për verën e ardhshme, së bashku me përforcimin e mesfushës qendrore.
Pavarësisht afrimit të Dean Huijsen, largimet e mundshme të Antonio Rudiger dhe David Alaba në përfundim të kontratave të tyre do ta linin Real Madridin vetëm me Raul Asencio, Huijsen dhe Eder Militao në këtë repart.
Militao ka munguar në pjesë të mëdha të sezonit gjatë tre viteve të fundit për shkak të dëmtimeve, çka e ka shtuar edhe më shumë nevojën për një përforcim të ri në qendër të mbrojtjes.
Dy nga emrat që ishin në listën e dëshirave të Real Madridit ishin Marc Guehi dhe Dayot Upamecano, por të dy kanë rënë dakord për kontrata respektivisht me Manchester Cityn dhe Bayern Munichun.
Një tjetër emër që ishte përmendur edhe më herët është Ibrahima Konate, i cili është pa kontratë te Liverpooli.
Në muajin nëntor, Real Madridi kishte njoftuar klubin anglez se nuk po e ndiqte më transferimin e francezit, por javën e kaluar u raportua se Konate është rikthyer sërish në planet e klubit spanjoll.
Gazetari Matteo Moretto i ka dhënë më shumë peshë kësaj ideje në Radio Marca, duke theksuar se Real Madridi ka kontaktuar sërish agjentët e Konatés për të pyetur mbi situatën e tij.
Ndërkohë, Ramon Alvarez shton se një skenar i ngjashëm ishte ndjekur edhe në rastin e Antonio Rudiger, i cili u transferua si lojtar i lirë nga Chelsea, pasi fillimisht Real Madridi ishte tërhequr nga ndjekja e tij për t’u rikthyer më pas.
Përveç Koantes, në listë për përforcimin e mbrojtjes janë përmendur edhe talenti i akademisë Joan Martinez dhe mbrojtësi i Comos, Jacobo Ramon, i cili u shit nga Real Madridi te klubi i Serie A gjatë kësaj vere./Telegrafi/
Ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 ka nisur sonte (e premte) në Itali, duke shënuar fillimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.
Lojërat do të zgjasin deri më 22 shkurt, ndërsa garat do të zhvillohen në dhjetë arena të shpërndara në tre rajone të Italisë veriore, me Milanon dhe Cortinën në qendër të vëmendjes.
Në këto Lojëra Olimpike Dimërore do të marrin pjesë 2,871 atletë nga 92 shtete, me një përfaqësim pothuajse të barabartë mes sportistëve dhe sportisteve. Programi përfshin 116 gara për medalje në 16 sporte dimërore.
Mes disiplinave që do të jenë pjesë e garave janë ski alpin, biatlon, hokej mbi akull, patinazh artistik dhe shpejtësie, skeleton, si dhe ski alpinizmi, i cili do të debutojë për herë të parë si disiplinë olimpike.
Kosova do të përfaqësohet në Milano–Cortina 2026 me dy skitarë, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu.
Ata tashmë kanë parakaluar në ceremoninë madhështore të hapjes, e cila po mbahet në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano.
Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore.
Kiana Kryeziu do të garojë në tri disiplina: super sllallom të madh, sllallom të madh dhe sllallom, ndërsa Drin Kokaj do të debutojë në disiplinën e sllallomit./Telegrafi/
Ka qenë një sezon me ulje-ngritje për Lamine Yamalin, i cili në javët e fundit ka filluar t’i rikthehet nivelit të tij më të mirë te Barcelona.
Në fazën e hershme të edicionit, talenti i ri kishte probleme me pubalgjinë, gjë që ndikoi ndjeshëm në disa nga paraqitjet e tij.
Problemi u evidentua për herë të parë në muajin shtator dhe u përkeqësua gjatë angazhimeve me përfaqësuesen e Spanjës, çka bëri që Yamal të mungonte për disa javë.
Megjithatë, edhe pas rikuperimit fillestar, shqetësimi nuk u zhduk plotësisht.
Siç ka shpjeguar Santi Ovalle për Cadena SER, Lamine Yamal “nuk e dinte për dëmtimin, gjë që është normale, sepse është i ri dhe për të ishte diçka e re.
“Kishte ditë kur ishte perfekt dhe papritur një ditë tjetër dhimbja kthehej… dhe kjo e frustronte”, kanë thënë rrethi i ngushtë i futbollistit.
Pikërisht për këtë arsye, ai e pati të vështirë ta tejkalonte problemin, por situata u përmirësua dukshëm që nga muaji nëntor.
Në atë periudhë, Yamal iu nënshtrua një ndërhyrjeje të lehtë me radiofrekuencë në Belgjikë, e cila pastroi zonën e prekur nga pubalgjia.
Në javët pas ndërhyrjes, ai ende ndiente dhimbje herë pas here, por stafi mjekësor i Barcelonës e këshilloi të vazhdonte punën specifike në atë zonë, edhe në ditët kur nuk kishte dhimbje.
Ky moment rezultoi vendimtar dhe tani problemi konsiderohet pothuajse i tejkaluar.
Lamine Yamal e ka përballuar situatën me bindjen se do të bënte gjithçka për ta kapërcyer pubalgjinë dhe, për fat të mirë për të dhe për Barcelonën, duket se ia ka dalë, edhe pse menaxhimi i ngarkesës do të vazhdojë me kujdes./Telegrafi/
Avokatët e Kylian Mbappes kanë dërguar, sipas raportimeve të L’Equipe, një ekzekutor gjyqësor te PSG-ja për bonuset e papaguara të pushimeve, në vlerë 5.9 milionë euro.
Ky veprim vjen pasi klubi parisien nuk ka paguar pjesën e kompensimit që ishte urdhëruar më parë nga një gjykatë.
Në një vendim të mëparshëm, PSG-ja u urdhërua të paguajë Mbappes 60.9 milionë euro për bonuset e papaguara, ku 55 milionë euro përfshijnë paga dhe bonuse të tjera.
Nëse klubi nuk përmbush detyrimin, sistemi i drejtësisë mund të shkojë deri te sekuestro e pronave të PSG-së për të rimarrë shumën e detyrueshme.
Mbappe nuk ka komentuar publikisht për veprimin e fundit ligjor, por ka mbajtur qëndrim të prerë për të marrë të gjithë të drejtën e tij të plotë.
Rasti shton tensionet e vazhdueshme mes PSG-së dhe ish-kapitenit të tyre, tashmë te Real Madrid, për çështje financiare dhe kontraktuale.
Ekspertët ligjorë sugjerojnë se sekuestrimi mund të ekzekutohet brenda javësh, nëse PSG-ja dështon të shlyejë borxhin./Telegrafi/
Real Madrid ka konfirmuar se Rodrygo do të mungojë për një periudhë kohore pas një dëmtimi në kofshën e këmbës së djathtë.
Sulmuesi brazilian nuk stërviti të premten, pasi pësoi dëmtimin të enjten, dhe emri i tij është shtuar në listën e mungesave për udhëtimin drejt Valencias.
‘Los Blancos’ kanë lëshuar një komunikatë të premten në mbrëmje, pas raportimeve se Rodrygo ishte në dyshim për ndeshjen në “Mestalla”, duke konfirmuar kështu dëmtimin.
Sipas Cadena Cope, dëmtimi do ta mbajë Rodrygon jashtë fushës për rreth 10 ditë.
Kjo do të thotë se ai nuk do të luajë ndaj Valencias të dielën në mbrëmje, dhe është në dyshim për ndeshjen kundër Real Sociedad fundjavën tjetër.
Parte médico de Rodrygo. — Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 6, 2026
Në teori, ai do të ishte në dispozicion për të luajtur ndaj Benficas në Lisbonë, por për atë ndeshje është i pezulluar. Qëllimi kryesor është që ai të jetë i gatshëm për të përballuar Osasunan në “El Sadar” pas pak më shumë se dy javësh.
Kjo i shton dhimbjet e kokës Alvaro Arbeloas, teksa përgatiten për ndeshjen ndaj skuadrës së Carlos Corberan. Rodrygo pritej të luante në krahun e majtë të sulmit, në vend të Vinicius Junior, i cili është i pezulluar.
Edhe Jude Bellingham është në rikuperim për shkak të një dëmtimi të kofshës, që do të thotë se Real Madrid do të jetë pa tre yjet e tij të sulmit./Telegrafi/
Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet si një prej transferimeve më të mira të këtij edicioni në Ligën Premier. Në Angli, shumë njohës të futbollit e shohin edhe si transferimin më të mirë, duke marrë parasysh ndikimin e madh që po ka te Sunderlandi.
Sunderlandi po udhëhiqet në fushë nga Xhaka, i cili është edhe kapiteni i skuadrës. Ekipi është i vetmi në Ligën Premier pa humbje në shtëpi dhe po synon të sigurojë një vend në Evropë. Kthimi i Sunderlandit në elitë erdhi pas një kohe të gjatë, ndërsa me Xhakën si lider i mesfushës, skuadra po tregon nivel të lartë.
Megjithatë, për momentin Xhaka është i lënduar dhe do të mungojë në ndeshjen ndaj Arsenalit, që zhvillohet të shtunën nga ora 16:00.
Xhaka ka luajtur më parë me sukses të madh te Arsenal, përpara se të kalonte dy sezone te Bayer Leverkusen. Pas kësaj, ai vendosi të kthehej sërish në Angli, këtë herë te Sunderlandi.
Por vendimi i tij nuk u kuptua nga të gjithë. Madje, pati edhe njerëz që qeshën me zgjedhjen e tij, çka Xhaka e ka pranuar në një intervistë për BBC.
“Njerëzit kanë qeshur me mua, të jem i sinqertë. Edhe një pjesë e shokëve më të mirë më kanë thënë ‘pse po kthehesh?’”.
“Më kanë thënë ‘në rregull që po kthehesh, por pse në Sunderland?’. Sepse i dua sfidat. Kam pasur ndjenjë se më duhet një sfidë e re pas dy vjetësh në Gjermani”.
“Në vitin e parë i fituam thuajse të gjitha atje. E fituam Bundesligën pa humbje, e fituam Kupën e Gjermanisë. E humbëm finalen në Ligën e Evropës dhe kjo ishte shumë e dhimbshme”, ka thënë Xhaka.
Derisa ishte i shëndoshë, Xhaka ishte i pazëvendësueshëm në formacionin startues të Sunderlandit, por ai ka munguar në dy ndeshjet e kaluara për shkak të lëndimit. Në këtë sezon, ai ka regjistruar një gol dhe pesë asistime në 22 paraqitje në Ligën Premier.
Xhaka ka treguar se Sunderlandi ishte zgjedhja e duhur për të dhe familjen e tij.
“E kam pasur ndjenjën se është klubi i duhur për mua. Këtë ndjenjë e kam pasur kur kam folur me pronarin e Sunderlandit, kur kam folur me klubin, trajnerin. Njerëzit janë shumë modest këtu”.
“Është qytet i vogël dhe e kam parë saktësisht veten se si jam rritur. Dhe kam dashur të kthehem në realitet. Kam besuar se është drejtimi i duhur për mua dhe për familjen time”.
“Jam shumë i lumtur që çdo gjë ka shkuar shumë mirë, ashtu si kam shpresuar”, përfundoi 33-vjeçari./Telegrafi/
Sergio Ramos mund të jetë pranë një rikthimi në futbollin evropian, pasi e kaloi vitin 2025 te klubi meksikan Monterrey.
Ramos konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke fituar 22 trofe gjatë një periudhe 16-vjeçare te Real Madridi, ku përfshihen edhe katër tituj të Ligës së Kampionëve.
Ish-ylli i Madridit është lojtar i lirë që nga fillimi i dhjetorit, pas përfundimit të kontratës me skuadrën e Monterrey.
Pavarësisht se muajin e ardhshëm mbush 40 vjet, Ramos është i vendosur ta vazhdojë karrierën në nivelin më të lartë.
Madje, ai kishte ofruar të luante edhe falas për t’u rikthyer te klubi i fëmijërisë së tij, Sevilla, por oferta e tij u refuzua.
Vendimi për ta mos e rikthyer Ramosin lidhet me ambiciet e ish-reprezentuesit spanjoll për të investuar në klubin nga La Liga, çka do ta bënte atë rival në strukturat drejtuese të presidentit aktual, Jose Maria Del Nido Carrasco.
Megjithatë, Sevilla nuk është alternativa e vetme për një eksperiencë të fundit të Ramosit në Evropë. Sipas gazetarit spanjoll Roberto Gomez, Ramos është në bisedime me klubin francez Marseille.
Raporti thekson se përvoja, lidershipi dhe shpirti garues i mbrojtësit spanjoll përbëjnë një “përshtatje perfekte” për klubin e Ligue 1, i cili synon të rrisë ambiciet sportive.
Bisedimet po ecin në drejtimin e duhur dhe aktualisht nuk priten pengesa, ndërsa konfirmimi zyrtar mund të vijë së shpejti.
Marseille aktualisht renditet në vendin e tretë në kampionat, me nëntë pikë më pak se lideri dhe kampioni në fuqi, Paris Saint-Germain, skuadër me të cilën përballet këtë fundjavë./Telegrafi/
Barcelona ka hedhur sytë nga Liga Premier për të gjetur një profil shpërthyes, që sjell ekuilibër dhe konkurrencë direkte në krahun e majtë të sulmit.
Në agjendën e drejtuesve të klubit katalanas spikat fort emri i Gabriel Martinellit, i cili po kalon një fazë tranzitore nën drejtimin e Mikel Artetës te Arsenali.
Nevoja për të përforcuar krahun e majtë vjen si pasojë e kalendarit të ngarkuar dhe ofertave të vazhdueshme nga Arabia Saudite për Raphinhan.
Përballë mundësisë së largimit të një prej lojtarëve kyç, Barcelona preferon të veprojë me kohë, duke kërkuar një profil të ri, agresiv dhe me përvojë në elitën e futbollit evropian.
Situata aktuale e sulmuesit brazilian në Londër i lehtëson synimet e klubit të drejtuar nga Joan Laporta, i cili po monitoron nga afër çdo zhvillim në “Emirates Stadium”.
Kontrata e Martinellit me “Topçinjtë” skadon në verën e vitit 2027, duke e bërë afatin kalimtar të radhës një moment vendimtar.
Me hyrjen në vitin e fundit efektiv të kontratës, çmimi i kartonit të tij mund të sillet rreth 45 milionë euro në treg.
Për Barcelonën, kjo përfaqëson një mundësi financiare të mençur për një futbollist që sapo ka kaluar moshën 23-vjeçare.
Nën Artetën, Martinelli ka humbur statusin e titullarit të padiskutueshëm, duke grumbulluar kryesisht minuta si lojtar rotacioni ose si zëvendësues me ndikim.
Megjithatë, pavarësisht se nuk është gjithmonë titullar, paraqitjet e tij janë mbresëlënëse: 10 gola dhe 2 asistime në vetëm 1.297 minuta të luajtura këtë sezon.
Pikërisht ky efikasitet para portës ka bindur analistët teknikë të Barcelonës se Martinelli është profili ideal për të përforcuar skuadrën aktuale./Telegrafi/
Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani po kalon një edicion shumë pozitiv me Hoffenheimin në Bundesligën gjermane.
Deri më tani, 23-vjeçari ka shënuar shtatë gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime në 21 paraqitje, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës së tij.
Forma e mirë e Asllanit nuk ka kaluar pa u vërejtur në Gjermani.
Sipas mediumeve gjermane, për sulmuesin kosovar kanë shprehur interesim dy gjigantë të futbollit gjerman, Bayern Munichu dhe Borussia Dortmundi. Interesimi është konfirmuar të premten edhe nga mediumi T-Online.
Për paraqitjet dhe potencialin e Asllanit ka folur edhe ndihmëstrajneri i Hoffenheimit, Moritz Volz, i cili e ka vlerësuar lart sulmuesin kosovar.
“Fisniku është djalë i jashtëzakonshëm dhe me të vërtetë lojtar fantastik. Kënaqesh duke e parë jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje”.
“Megjithatë, prioriteti i tij është që të kalojë formë sa më të mirë në Bundesligë dhe me përfaqësuesen. Më pas do të shohim”.
“Fokusi jonë është që ta vazhdojmë punën me Fisin për potencialin që e ka. Deri tani ka shfaqur potencial të madh për moshën që e ka. Por, ka ende shumë hapësirë për zhvillim dhe për përmirësim”, ka deklaruar Volz.
Hoffenheimin të dielën nga ora 17:30 e pret një sfidë e madhe, pasi luan në udhëtim ndaj Bayern Munichut, skuadrës lidere të Bundesligës.
Vlen të theksohet se Hoffenheimi është i vetmi ekip në Bundesligë që i ka fituar të gjitha ndeshjet gjatë muajit janar, duke konfirmuar formën e lartë në këtë fazë të sezonit./Telegrafi/
Në një zhvillim të madh, mediumi spanjoll ElDesmarque raporton se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka në shënjestër një lëvizje për yllin e Barcelonës, Pedri, në vitin 2027.
Lajmi u bë fillimisht i ditur nga gazetari Siro Lopez në fillim të javës, i cili zbuloi se Perez e shihte nënshkrimin e Pedrit nga Barça si një operacion “ëndrrash”.
Në vitin 2000, Perez i rrëmbeu Barcelonës Luis Figon, në një nga transferimet më famëkeqe në historinë moderne të futbollit.
Tani, Perez ka në shënjestër një lëvizje të ngjashme, me Pedrin në fokus. Sipas raportimit, transferimi do të synohej për sezonin 2027/28, që do të thotë se presidenti i Real Madridit po mendon ta nënshkruajë reprezentuesin spanjoll në verën e vitit 2027.
Duhet kujtuar se Real Madridi ka qenë duke skanuar tregun për mesfushorë, pasi nuk ka arritur të zëvendësojë as Toni Kroos dhe as Luka Modric.
Për rrjedhojë, nënshkrimi i një mesfushori të ri për afatin e ardhshëm kalimtar veror është në krye të agjendës.
Megjithatë, Perez po shikon përtej kësaj dhe është i etur ta bëjë realitet një marrëveshje për Pedrin në vitin 2027.
Sidoqoftë, ky do të ishte një transferim pothuajse i pamundur për disa arsye. Pedri ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030, ka një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh dhe, mbi të gjitha, ndjen një përkatësi të fortë ndaj blaugranave.
Real Madridi kishte pasur një mundësi për të nënshkruar mesfushorin spanjoll 23-vjeçar kur atij iu ofrua një provë në moshë të re. Megjithatë, siç e ka konfirmuar vetë lojtari, klubi e refuzoi./Telegrafi/
Karim Benzema u përplas me një gazetar në një intervistë të zjarrtë pasi shënoi një hat-trick në debutimin e tij për klubin e ri, Al Hilal.
Ish-sulmuesi i Real Madridit, Benzema, 38 vjeç, refuzoi ofertën për zgjatje kontrate te ish-klubi Al Ittihad për t’u transferuar të hënën te një nga rivalët e tyre më të mëdhenj, Al Hilal.
Ky transferim shkaktoi tronditje në të gjithë Superligën e Arabisë, me ESPN që pretendoi se ylli i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, u përpoq të bllokonte kalimin e Benzemas, pasi e konsideronte të padrejtë.
Pretendohet se Ronaldo mendonte se transferimi “tregonte se Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite (PIF) donte t’i hapte rrugën Al Hilal për të fituar titullin” me nënshkrimin e ish-shokut të tij të skuadrës te Madridi.
Ronaldo refuzoi të luante në ndeshjen e Al Nassr kundër Al Riyadh të hënën dhe raportohet se është gati të bojkotojë edhe ndeshjen e radhës kundër ish-klubit të Benzemas, Al Ittihad, të premten.
Pavarësisht veprimeve të Ronaldos, Benzema e përfundoi transferimin te Al Hilal të hënën dhe e nisi në mënyrën perfekte aventurën e tij te klubi i ri – duke shënuar një hat-trick në fitoren 6-0 ndaj Al Akhdoud në transfertë, të enjten në mbrëmje.
Pas ndeshjes, Benzema u përplas me një gazetar pasi u pyet vazhdimisht pse zgjodhi të largohej nga Al Ittihad për t’u bashkuar me Al Hilal.
🚨| Karim Benzema visibly loses his cool after a journalist repeatedly questions him about Al-Ittihad. 😬🔥
Lojtarët e Real Madridit kanë tërhequr vëmendjen e publikut ditët e fundit duke u stërvitur me maska blu të pazakonta që në shikim të parë ngjajnë me pajisje për stërvitje në kushte të larta lartësie.
Megjithatë, këto maska kanë një qëllim krejtësisht të ndryshëm. Pas aplikimit të tyre qëndron Antonio Pintus, trajneri i kondicionimit të Real Madridit, detyra e të cilit është të monitorojë dhe përmirësojë gjendjen fizike të lojtarëve.
Maskat përdoren gjatë testeve të stresit, dhe Pintus i shpjegoi Real Madrid TV se ato janë "të dizajnuara për të përcaktuar pragjet aerobe dhe anaerobe të lojtarëve, si dhe forcën e tyre aktuale fizike".
Këto janë maska Cosmed K5, të cilat i mundësojnë stafit profesional të matë me saktësi sasinë maksimale të oksigjenit që trupi mund të përdorë gjatë sforcimeve me intensitet të lartë.
Fizioterapisti sportiv Ben Warburton shpjegoi për BBC Sport se kjo është teknologji e përparuar.
"Real Madridi përdor pajisje të teknologjisë së lartë që u lejojnë lojtarëve të testohen drejtpërdrejt gjatë stërvitjes. Ky është një avantazh i madh sepse ata stërviten dhe mbledhin të dhëna në të njëjtën kohë", tha ai.
Ai shtoi se testet klasike në një pistë vrapimi ose biçikletë do të merrnin shumë kohë dhe do të kërkonin një ndërprerje të stërvitjes, dhe sipërfaqja është dukshëm e ndryshme nga bari.
Kjo qasje i mundëson klubit të kursejë kohë, por edhe të njohë problemet e mundshme më herët, siç janë muskujt e tendosur ose një rënie e parametrave fizikë, duke zvogëluar kështu rrezikun e lëndimeve.
Maskat prodhohen nga kompania italiane Cosmed, e cila deklaron se ato kanë një dizajn anatomik, një mbështetje elastike për një përshtatje të rehatshme dhe të sigurt, si dhe një mbështetje të integruar në mjekër për stabilitet.
Sipas The Athletic, çmimi i një kompleti është rreth 30,000 euro.
Antonio Pintus mbërriti për herë të parë te Real Madridi në vitin 2016 dhe e ka përdorur këtë teknologji që nga vitet 1990, kur punonte te Monaco.
Maskat janë përdorur më parë gjatë mandateve të Carlo Ancelottit, Zinedine Zidanes dhe herë pas here gjatë periudhës kur ekipi drejtohej nga Xabi Alonso./Telegrafi/
Liam Rosenior ka akuzuar Arsenalin për mungesë respekti pas shpërthimit të tij verbal me fjalor të ashpër, përpara humbjes së Chelseat ndaj “Topçinjve” në gjysmëfinalen e Kupës së
Trajneri i ri i Chelseat u filmua duke bërtitur me fjalë fyese drejt lojtarëve të Arsenalit, teksa ata po futeshin në gjysmën e fushës së “Bluve” gjatë nxehjes para ndeshjes.
Rosenior u pa qartë në pamjet e regjistruara gjatë nxehjes para përballjes mes Chelseat dhe Arsenalit në EFL Cup, duke reaguar ashpër ndaj ekipit kundërshtar.
Kamera nuk tregoi saktësisht se kujt po i drejtohej ai, por pas ndeshjes, të cilën Chelsea e humbi 1-0 dhe 4-2 në total, Rosenior akuzoi Arsenalin për mungesë respekti.
Megjithatë, ai sqaroi më vonë se zemërimi i tij nuk ishte i drejtuar ndaj lojtarëve të Arsenalit, por ndaj stafit të tyre trajnerial, të cilin e akuzoi se nuk kishte treguar respektin e duhur ndaj Chelseat.
“Nuk ishin lojtarët. Unë jam respektues. Gjatë nxehjes, secila skuadër ka gjysmën e saj të fushës”.
“Unë kurrë nuk i kam kërkuar ekipit tim apo stafit tim të futen në territorin e kundërshtarit. Në atë moment, nuk mendova se ishte e drejtë mënyra se si ata po vepronin”.
“Ata po ndikonin në nxehjen e lojtarëve të mi dhe të stafit tim. Prandaj u kërkova, ndoshta jo në mënyrën më të sjellshme, që të qëndronin në gjysmën e tyre”.
“Nuk jam këtu për lojëra psikologjike. Thjesht bëhet fjalë për atë që unë e konsideroj të drejtë dhe respektuese. Shpresoj që ne ta respektojmë këtë dhe që edhe skuadrat e tjera ta bëjnë”.
“Ka disa etiketa në futboll. Unë gjithmonë përpiqem të jem sa më respektues. Gjithmonë dua të fitoj, por kurrë nuk u kam kërkuar trajnerëve të mi të tejkalojnë këto kufij. Nuk kam asnjë problem me askënd te Arsenali”, ka deklaruar Rosenior./Telegrafi/