Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

LONDËR – Starmer u kërkon falje viktimave të Epstein për skandalin Mandelson

5 February 2026 at 15:55

LONDËR, 5 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer u ka kërkuar falje viktimave të Jeffrey Epstein për emërimin e Peter Mandelson si ambasador të Britanisë së Madhe në Uashington, ndërsa përpiqet të përballojë një krizë politike.

Starmer këmbënguli sot se “askush prej nesh nuk e dinte thellësinë e errësirës” së marrëdhënies së Mandelson me të dënuarin për krime seksuale, në kohën kur ai u përzgjodh për këtë detyrë.

Mes pasigurive në rritje për të ardhmen e tij politike, kryeministri tha se ndante “zemërimin dhe frustrimin” e kolegëve për këtë çështje, por u zotua se do të vazhdojë detyrën si kryeministër.

“U zgjodha në vitin 2024 me një mandat për ta ndryshuar vendin për mirë dhe këtë kam ndërmend ta bëj”, tha Starmer duke u përballur me  zemërimin e deputetëve laburistë për vendimin e tij.

Ai e trajtoi skandalin në fillim të një fjalimi mbi programin qeveritar të rigjallërimit të komuniteteve në qytetin jugor të Hastings.

“Ka qenë e njohur publikisht prej kohësh që Mandelson e njihte Epstein, por askush prej nesh nuk e dinte thellësinë e errësirës së asaj marrëdhënieje”, tha Starmer.

“Viktimat e Epstein kanë jetuar me trauma që shumica prej nesh vështirë se mund t’i kuptojë, dhe janë detyruar t’i përjetojnë ato sërish e sërish”, tha ai.

“Dua të them këtë, më vjen keq,  më vjen shumë keq për atë që ju është bërë, më vjen keq që kaq shumë njerëz me pushtet ju dështuan, më vjen keq që besova gënjeshtrat e Mandelson dhe e emërova, dhe më vjen keq që edhe sot jeni të detyruar ta shihni këtë histori të shpaloset sërish publikisht”, shtoi  Starmer duke u kërkuar falje viktimave të Epstein.

“Por, dua të them edhe këtë: në këtë vend, ne nuk do të kthejmë kokën mënjanë, nuk do të ngremë supet dhe nuk do t’i lejojmë të pushtetshmit ta trajtojnë drejtësinë si opsionale. Do të ndjekim të vërtetën, do të mbrojmë integritetin e jetës publike dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë, në interes të drejtësisë, për të siguruar llogaridhënie. Kjo është ajo që publiku pret, ajo që viktimat meritojnë dhe ajo që do të bëj”, shtoi ai./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post LONDËR – Starmer u kërkon falje viktimave të Epstein për skandalin Mandelson appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PORTUGALI – 11 viktima dhe miliarda euro dëme pas stuhive katastrofike

5 February 2026 at 15:20

LISBONË, 5 shkurt /ATSH-DPA/ – Stuhi të rënda kanë shkaktuar shkatërrime të shumta në Gadishullin Iberik, duke lënë të paktën 11 të vdekur në Portugali që nga java e kaluar dhe duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen në Spanjë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për mot të ekstrem në ditët në vijim.

”Në Portugali, një burrë 70-vjeçar u gjet i vdekur në makinën e tij, e cila ishte përfshirë nga uji i një lumi në komunën e Serpas”, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve LUSA.

Vdekja e tij rrit numrin e të vdekurve nga stuhitë në Portugali që nga java e kaluar në 11 persona.

Ministri portugez i Ekonomisë, Manuel Castro Almeida, vlerësoi se dëmi i shkaktuar nga stuhitë arrin mbi 4,0 miliardë euro (rreth 4,7 miliardë dollarë), raportoi  sot transmetuesi shtetëror RTP.

Pesë persona humbën jetën kur sistemi i stuhive atlantike kaloi në disa zona me shpejtësi erë mbi 200 kilometra në orë.

Pesë të tjerë vdiqën në ditët pasuese gjatë operacioneve të pastrimit dhe rikuperimit./ /Ad.Ab./

The post PORTUGALI – 11 viktima dhe miliarda euro dëme pas stuhive katastrofike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Trump paralajmëron Iranin përpara negociatave në Oman

5 February 2026 at 13:31

UASHINGTON, 5 shkurt /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, duke thënë se duhet të jetë “shumë i shqetësuar”, ndërkohë që rifillojnë bisedimet e paraformale bërthamore pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane vitin e kaluar, sipas Reuters.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur pas shtypjes brutale të protestave antiqeveritare në Iran.

Trump ka rritur prezencën ushtarake në rajon, duke dërguar një flotë të madhe dhe duke kërcënuar përsëri me sulme të reja, ndërsa Irani ka paralajmëruar për hakmarrje të shpejtë ndaj forcave dhe objektivave amerikane në Lindjen e Mesme. Një dron iranian u rrëzua nga forcat amerikane këtë javë.

Bisedimet janë caktuar të zhvillohen nesër në Muskat, kryeqytetin e Omanit, me pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe përfaqësuesit special të Trump, Steve Witkoff.

Kërkesa amerikane përfshin diskutime mbi programin bërthamor, raketat dhe mbështetjen për grupe militante, ndërsa Irani kërkon të fokusohet vetëm në programin bërthamor dhe heqjen e sanksioneve.

Kjo diferencë në agjendë ka rritur dyshimet për dështimin e negociatave, pasi SHBA-ja kërkonte një dialog më të gjerë, ndërsa Irani insiston të mos diskutojë për raketat, të cilat i konsideron për vetëmbrojtje kundër Izraelit.

Rifillimi i bisedimeve vjen pas dështimit të negociatave indirekte në mes të vitit 2025, pas sulmeve izraelite dhe më pas goditjeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane. Trump ka thënë se këto sulme parandaluan një konflikt më të gjerë rajonal dhe se Irani po tentonte të rindizte programin e tij bërthamor në vende alternative.

Irani hyn në bisedime duke përballur presion të brendshëm nga protestat e shtypura dhe dobësim të ndikimit rajonal pas goditjeve izraelite ndaj Hezbollahut në Liban dhe rënies së Bashar al-Assad në Siri. Me tensionet dhe flotat e vendosura në rajon, bisedimet në Oman kanë rëndësi të madhe për shpërshkallëziin e situatës, edhe pse rreziku i përleshjeve mbetet i lartë.  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Trump paralajmëron Iranin përpara negociatave në Oman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Xi: SHBA të jetë e kujdesshme në furnizimin e Tajvanit me armë

5 February 2026 at 11:50

PEKIN, 5 shkurt /ATSH/ – Presidenti kinez, Xi Jinping i tha homologut të tij amerikan, Donald Trump se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen të kujdesshme në furnizimin e Tajvanit me armë, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar mbrëmë, sipas  BBC.

Sipas medias shtetërore kineze, Xi e quajti Tajvanin çështjen më të rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA.

Sipas agjencisë shtetërore Hsinhua, Xi tha se i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Uashingtonin dhe shprehu shpresën se të dyja palët do të gjejnë mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Trump e përshkroi bisedën si të shkëlqyer.

Telefonata vjen pas një vale vizitash të liderëve perëndimorë në Kinë muajt e fundit, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, në përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Vetë Trump pritet të vizitojë Kinën në prill, një udhëtim për të cilin tha se e pret me padurim.

Trump shtoi se Pekini po shqyrton blerjen e 20 milionë tonëve sojë amerikane, nga rreth 12 milionë tonë aktualisht.

”Marrëdhënia me Kinën dhe marrëdhënia ime personale me presidentin Xi, është jashtëzakonisht e mirë, dhe të dy e kuptojmë sa e rëndësishme është ta mbajmë kështu”, shkroi ai në një postim në Truth Social.

Në dhjetor, administrata Trump njoftoi një shitje të madhe armësh për Tajvanin me vlerë rreth 11 miliardë dollarë.

Pekini reagoi duke thënë se kjo përpjekje për të mbështetur pavarësinë e Tajvanit do të përshpejtojë shtytjen drejt një situate të rrezikshme dhe të dhunshme në Ngushticën e Tajvanit./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post PEKIN – Xi: SHBA të jetë e kujdesshme në furnizimin e Tajvanit me armë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MYNIH – Reza Pahlavi në Konferencën e Sigurisë mes tensioneve për Iranin

5 February 2026 at 11:11

MYNIH, 5 shkurt /ATSH-DPA/ – Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit dhe një nga figurat më të njohura të opozitës iraniane në mërgim, pritet të marrë pjesë javën e ardhshme në Konferencën e Sigurisë në Mynih, thanë burimet.

Organizatorët i thanë se Pahlavi, 65 vjeç, ka konfirmuar pjesëmarrjen në konferencën që do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt dhe që mbledh liderë të lartë politikë dhe ekspertë të sigurisë në hotelin ”Bayerischer Hof” në Mynih.

Qeveria e Iranit fillimisht ishte ftuar në këtë konferencë, por më pas ftesa u tërhoq pas shtypjes së dhunshme të protestave, ku mbetën të vrarë mijëra persona.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte këshilluar kundër ftesës për Teheranin.

Pahlavi ka shprehur mbështetje për protestat masive kundër udhëheqjes iraniane dhe shihet gjerësisht si figura më e njohur dhe me ndikim e opozitës iraniane jashtë vendit.

Imazhet e tij janë shfaqur në tubime solidariteti për lëvizjen protestuese iraniane, përfshirë edhe në Gjermani.

Një demonstratë është planifikuar në Mynih më 14 shkurt nën sloganin ”Të drejtat e njeriut dhe liria në Iran. Solidaritet ndërkombëtar me popullin iranian”.

Pahlavi ka bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë tubim përmes rrjeteve sociale, ndërsa organizatorët synojnë të mobilizojnë deri në 100 000 persona.

Më shumë se 60 liderë botërorë dhe rreth 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes pritet të marrin pjesë në konferencë.

Pahlavi mori pjesë për herë të fundit në këtë event në vitin 2023.

Detajet mbi paraqitjet e tij të planifikuara këtë vit ende nuk janë bërë të ditura.

Babai i tij, Mohammad Reza Shah Pahlavi, sundoi Iranin nga viti 1941 deri në rrëzimin e tij gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Reza Pahlavi, i cili ishte shpallur princ i kurorës nga i ati, jeton prej dekadash në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./  /Ad. Ab./  a.jor.

The post MYNIH – Reza Pahlavi në Konferencën e Sigurisë mes tensioneve për Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Shiu i akullt ndalon fluturimet në aeroportin e Berlinit

5 February 2026 at 09:33

BERLIN, 5 shkurt /ATSH-DPA/ – Avionët nuk kanë mundur të nisen nga aeroporti ”Berlin Brandenburg” (BER) sot në mëngjes për shkak të kushteve të akullta, bëri të ditur një zëdhënëse e aeroportit.

”Aktualisht nuk po kryhen nisje nga BER për shkak të kushteve të motit”, tha ajo duke shtuar se avionët nuk mund të nisen për shkak të shiut që ngrin shpejt.

Sipas saj, ndërprerja prek vetëm nisjet, ndërsa fluturimet që mbërrijnë vijojnë të ulen normalisht.

Mbetet e paqartë se sa do të zgjasë pezullimi i ngritjeve.

Pasagjerët duhet të presin anulime fluturimesh dhe vonesa të konsiderueshme dhe këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre pranë kompanive ajrore.

Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) paralajmëroi për një rrezik të lartë të kushteve të rrezikshme të akullit në Berlin, për shkak të shiut që ngrin shpejt./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Shiu i akullt ndalon fluturimet në aeroportin e Berlinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

FOKUS – HRW: Situata për migrantët në Gjermani është përkeqësuar

4 February 2026 at 16:01

BERLIN/NJU JORK, 4 shkurt /ATSH-DPA/ – Kushtet e jetesës për migrantët dhe pasardhësit e tyre në Gjermani janë përkeqësuar, deklaroi sot  organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW).

“Ngritja e politikave regresive për migracionin dhe azilin, shtimi i krimeve dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe tubimit kanë ngritur shqetësime serioze,” thuhet në raportin e HRW për Gjermaninë.

Sipas Almaz Teffera, studiuese e HRW për çështjet e racizmit, retorika politike e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është përvetësuar gjithnjë e më shumë edhe nga partitë demokratike. Ajo e bëri këtë deklaratë në Berlin, gjatë prezantimit të raportit vjetor më të fundit të organizatës. AfD ka në qendër të programit të saj kërkesën për ligje më të ashpra mbi emigracionin.

Teffera theksoi se është e dëmshme që fillimisht njerëzit me prejardhje migrante të etiketohen si problem dhe më pas të sqarohet se ”migrantët e mirë që punojnë fort këtu nuk janë, gjoja, objekt i kritikave”.

Sa i përket politikës së jashtme, drejtori i HRW për Gjermaninë, Philipp Frisch, tha se si qeveria e mëparshme e qendrës së majtë, ashtu edhe ajo aktuale e qendrës së djathtë, kanë shpërdoruar kredinë morale të Gjermanisë në arenën ndërkombëtare, duke humbur kështu ndikim.

Sipas Frisch, mbështetja pothuajse e pakushtëzuar e qeverisë gjermane për qeverinë izraelite, përballë sulmeve sistematike ndaj popullsisë civile palestineze në Rripin e Gazës, është arsyeja kryesore për këtë humbje besueshmërie dhe influence ndërkombëtare./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – HRW: Situata për migrantët në Gjermani është përkeqësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Fundi i traktatit New START rikthen botën në epokën e pasigurisë bërthamore

4 February 2026 at 14:24

NJU JORK, 4 shkurt /ATSH/ – Skadimi i traktatit New START, marrëveshja e fundit që rregullonte dhe kufizonte arsenalet bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, shënon një kthesë të rrezikshme në arkitekturën globale të sigurisë, sipas AP.

Pakti i fundit i mbetur për armët bërthamore midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara skadon nesër duke hequr çdo kufizim në dy arsenalet më të mëdha atomike për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli.

Dy fuqitë që zotërojnë mbi 90 për qind të armëve bërthamore në botë mbeten pa asnjë kufizim ligjor mbi numrin e kokave bërthamore strategjike dhe mjeteve që i transportojnë ato.

Ky zhvillim nuk është thjesht një ngjarje teknike apo procedurale, por një ndryshim thelbësor që rrit ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit, keqinterpretimit dhe destabilizimit global.

New START kishte shërbyer si shtylla e fundit e një sistemi kontrolli armësh që nisi gjatë Luftës së Ftohtë, kur Uashingtoni dhe Moska, pavarësisht armiqësisë ideologjike, arritën të kuptonin se kufizimi i armëve bërthamore ishte një interes i përbashkët ekzistencial.

Marrëveshja vendoste kufij të qartë: jo më shumë se 1 550 koka bërthamore të vendosura dhe jo më shumë se 700 raketa ndërkontinentale, raketa të lëshuara nga nëndetëset dhe bombardues strategjikë për secilën palë.

Po aq e rëndësishme sa vetë shifrat ishte edhe mekanizmi i verifikimit, përmes inspektimeve në terren, që krijonte transparencë dhe ulte dyshimet reciproke.

Pa këto kufizime, rreziku i një gare të re armatimi bëhet real dhe i menjëhershëm.

Ekspertët paralajmërojnë se të dyja palët kanë kapacitete teknike dhe industriale për të rritur relativisht shpejt numrin e armëve të vendosura.

Në një mjedis të tillë, vendimmarrja nuk udhëhiqet më nga logjika e stabilitetit afatgjatë, por nga impulsi për të mos mbetur prapa rivalit.

Kjo logjikë e sigurisë përmes epërsisë ka prodhuar historikisht cikle të rrezikshme përshkallëzimi.

Dimensioni politik e ndërlikon edhe më tej situatën.

Oferta e presidentit rus Vladimir Putin për të respektuar kufijtë e New START edhe për një vit tjetër, nëse SHBA-ja bën të njëjtën gjë, u pa nga disa si një përpjekje për të blerë kohë për negociata, por nga të tjerë si një manovër taktike për të zhvendosur përgjegjësinë tek Uashingtoni.

Nga ana e tij, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur interes për ruajtjen e kufizimeve bërthamore, por ka insistuar në përfshirjen e Kinës në një marrëveshje të re.

Ky kushtëzim ka bllokuar çdo përparim konkret, pasi Pekini refuzon të pranojë kufizime mbi një arsenal që është shumë më i vogël se ai i SHBA-së dhe Rusisë, edhe pse në rritje të shpejtë.

Kjo situatë hap rrugën për një garë trepalëshe armatimi. Në mungesë të kufijve, SHBA-ja dhe Rusia mund të rrisin arsenalet e tyre për të ruajtur epërsinë reciproke, ndërsa Kina, duke u ndjerë e rrethuar dhe e pambrojtur, mund të përshpejtojë ndjeshëm zgjerimin e kapaciteteve të saj bërthamore.

Një konkurrencë e tillë nuk do të kufizohej vetëm në numra, por edhe në teknologji të reja, duke përfshirë armë hipersonike, sisteme autonome dhe platforma të reja bartëse.

Konteksti i luftës në Ukrainë e bën këtë skenar edhe më alarmues.

Që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, Kremlini ka përdorur vazhdimisht kërcënimin bërthamor si instrument presioni strategjik. Rishikimi i doktrinës bërthamore ruse në vitin 2024, i cili ul pragun për përdorimin e armëve bërthamore, sinjalizon një gatishmëri më të madhe për t’i përfshirë ato në llogaritjet ushtarake. Kjo përfaqëson një ndryshim të rrezikshëm nga parimi tradicional i përdorimit vetëm si mjet parandalimi ekstrem.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi i armëve të reja ruse, si raketat me energji bërthamore dhe dronët nënujorë të armatosur bërthamor, synon të kapërcejë sistemet perëndimore të mbrojtjes raketore. Këto armë, për nga natyra e tyre e re dhe shpesh e paprovuar plotësisht, shtojnë pasigurinë dhe e bëjnë edhe më të vështirë vlerësimin e qëllimeve dhe kapaciteteve reale të palës tjetër.

Nga ana amerikane, planet për sistemin e mbrojtjes raketore “Golden Dome” dhe sinjalet për një rikthim të mundshëm të testeve bërthamore për herë të parë që nga viti 1992 kanë shkaktuar shqetësim të thellë në Moskë dhe Pekin. Historikisht, çdo përpjekje për të ndërtuar mburoja të fuqishme mbrojtëse ka nxitur palën tjetër të rrisë arsenalin sulmues, për të garantuar se mund të depërtojë çdo sistem mbrojtjeje. Kjo dinamikë e lidh ngushtë zhvillimin e armëve mbrojtëse me rritjen e armëve ofensive, duke ushqyer një spirale të rrezikshme konkurrimi.

Çmontimi i traktateve të mëparshme, nga Traktati ABM te ai INF, ka dobësuar gradualisht sistemin e kontrollit të armëve. New START ishte pengesa e fundit ndaj një gare të pakufizuar. Me skadimin e tij, bota përballet me një boshllëk normativ dhe ligjor, ku çdo veprim justifikohet nga nevoja për siguri kombëtare, por në praktikë rrit pasigurinë kolektive.

Në thelb, ajo që po ndodh nuk është vetëm një krizë marrëveshjesh, por një krizë besimi dhe komunikimi strategjik. Pa mekanizma verifikimi, pa kanale të qëndrueshme dialogu dhe pa kufij të pranuar reciprokisht, rreziku i keqllogaritjeve rritet ndjeshëm.

Në një botë të karakterizuar nga konflikte rajonale, polarizim politik dhe përparime të shpejta teknologjike, mungesa e kontrollit bërthamor përbën një kërcënim ekzistencial.

Siç paralajmërojnë ekspertët e sigurisë, skadimi i New START mund të shënojë fillimin e një periudhe të re të konkurrencës bërthamore globale, më të paqëndrueshme dhe më të paparashikueshme se ajo e Luftës së Ftohtë.

Ndryshe nga ajo epokë, sot mungon një arkitekturë e fortë marrëveshjesh dhe një kulturë e konsoliduar e menaxhimit të krizave.

Kjo e bën botën jo më të sigurt, por dukshëm më të ekspozuar ndaj rreziqeve që dikur konsideroheshin të kontrolluara./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post ANALIZË – Fundi i traktatit New START rikthen botën në epokën e pasigurisë bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – 17 të vrarë pas sulmeve izraelite

4 February 2026 at 10:52

RAFAH, 4 shkurt /ATSH-AFP/ – Sulmet izraelite mbi Rripin e Gazës kanë shkaktuar vdekjen e 17 personave, përfshirë tre fëmijë, sot në mëngjes, njoftoi Mbrojtja Civile e territorit palestinez, në një bilanc të ri.

Më herët, ushtria izraelite kishte bërë të ditur se kishte kryer sulme, pas të shtënave ndaj ushtarëve të saj, të cilat kanë plagosur rëndë një oficer./ (vijon) /Ad.Ab./ a.jor.

The post GAZA – 17 të vrarë pas sulmeve izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Energjia dhe armët në qendër të vizitës së Merz në vendet e Gjirit

4 February 2026 at 10:41

BERLIN, 4 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz niset sot  për vizitën e tij të parë në rajonin e pasur dhe strategjikisht të rëndësishëm të Gjirit.

Ndalesa e parë do të jetë Arabia Saudite, e ndjekur nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kancelari Merz synon të intensifikojë partneritetet me vendet prodhuese të naftës dhe gazit, me pritshmëri që bashkëpunimi të forcohet veçanërisht në sektorin e energjisë.

Në bisedime do të përfshihen edhe marrëveshjet për armë.

Eksportet e armëve drejt këtyre tre vendeve, të qeverisura në mënyrë autokratike, janë trajtuar me shumë kujdes nga qeveritë e mëparshme gjermane për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut dhe përfshirjes së tyre në konflikte rajonale.

Qeveria e Merz tani synon të zbusë këtë qasje kufizuese.

Një temë e rëndësishme do të jetë përshkallëzimi i situatës në dhe rreth Iranit.

Së fundmi janë rritur sërish shqetësimet për një luftë të re, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen në Teheran me sulme ushtarake, pjesërisht për shkak të veprimeve brutale të forcave shtetërore kundër demonstruesve gjatë protestave masive të fundit.

Mendohet se mijëra, në mos dhjetëra mijëra njerëz, janë vrarë. Ushtria amerikane ka rritur ndjeshëm praninë e saj në rajon që nga fillimi i janarit, por raportimet më të fundit thonë se negociata mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë pritet të zhvillohen të premten. /Ad.Ab./

The post BERLIN – Energjia dhe armët në qendër të vizitës së Merz në vendet e Gjirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojë në Kongres për çështjen Epstein në fund të shkurtit

4 February 2026 at 10:05

UASHINGTON, 4 shkurt /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, pritet të dëshmojnë para Kongresit amerikan në fund të këtij muaji, në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga republikanët lidhur me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.

James Comer, kryetari republikan i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se të dy kanë rënë dakord të paraqiten për pyetje, të cilat do të transkriptohen dhe filmohen.

Hillary Clinton është planifikuar të dëshmojë më 26 shkurt, ndërsa bashkëshorti i saj më 27 shkurt, të dy nën betim.

Sipas medieve amerikane, pranimi i Clintonëve për të dëshmuar i shtyu republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të anulojnë një votim të planifikuar për një masë “përçmimi ndaj Kongresit” ndaj tyre.

Kjo masë ishte shtyrë përpara pasi Clintonët kishin refuzuar për muaj të tërë të bashkëpunonin me hetimin parlamentar mbi aktivitetet e Epstein, duke argumentuar se hetimi ishte i motivuar politikisht.

Comer tha se anëtarët e komisionit nga të dyja partitë kanë theksuar se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë edhe  çiftin Clinton.

Ai kritikoi ata për, sipas tij, sfidimin e përsëritur të thirrjeve zyrtare për dëshmi dhe për pranimin për të dëshmuar vetëm përballë mundësisë së procedurave për përçmim ndaj Kongresit.

Emri dhe imazhe të Bill Clinton shfaqen në dokumentet e hetimit për Epstein, megjithëse ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo sjellje të pahijshme të lidhur me njohjen e tij me Epstein.

Jeffrey Epstein, një multimilioner, drejtoi për vite me radhë një rrjet trafikimi seksual, duke shfrytëzuar dhjetëra gra të reja dhe të mitura.

Ai vdiq në burg në vitin 2019, në moshën 66-vjeçare, ndërsa priste gjyqin për akuza federale për trafikim seksual./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojë në Kongres për çështjen Epstein në fund të shkurtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

GREQI – Arkeologët gjejnë veglat më të vjetra në botë prej druri

3 February 2026 at 16:03

NJU JORK, 3 shkurt /ATSH/ – Arkeologët kanë zbuluar dy vegla prej druri që datojnë rreth 430 000 vjet më parë në zonën arkeologjike Marathousa, në jug të Peloponezit, Greqi, sipas AP.

Ky zbulim i bën këto vegla prej druri më të vjetrat që janë gjetur ndonjëherë në botë.

Veglat ofrojnë një pasqyrë të rrallë mbi jetën e njerëzve të lashtë, duke treguar përdorimin e drurit si mjet për punë të ndryshme përpara sen të ekzistonte Homo sapiens.

Marathousa ndodhet pranë një liqeni dhe ka qenë një zonë e pasur me kafshë dhe bimësi, gjë që e bëri vendin një mjedis ideal për njerëzit e lashtë.

Shkencëtarët besojnë se vendi mund të ketë qenë përdorur për gjueti dhe përgatitjen e ushqimit dhe veglat prej druri mund të jenë përdorur për gërmime ose punime të tjera praktike.

Një nga veglat e gjetura është një shkop i gjatë dhe i hollë prej rreth 80 centimetra, i cili mund të jetë përdorur për gërmime në baltë ose për nxjerrjen e ushqimeve të ndryshme nga toka ose uji.

Vegla e dytë është më e vogël, rreth 5,7 centimetra, dhe mendohet të jetë përdorur për formësimin e veglave prej guri ose për punë të tjera dore.

Ky nivel detajimi tregon aftësi të avancuara teknologjike për kohën.

Ruajtja e veglave prej druri është jashtëzakonisht e rrallë, sepse druri zakonisht prishet me kalimin e mijëra viteve.

Kjo bën që gjetja e tyre në Marathousa të jetë një rast unik, duke u ofruar shkencëtarëve prova të drejtpërdrejta të përdorimit të drurit nga njerëzit e lashtë.

Përveç drurit, gjetjet e tjera përfshijnë vegla prej guri dhe mbetje kafshësh, duke ndihmuar në krijimin e një pamjeje më të plotë të jetës në atë kohë.

Studiuesit nuk kanë gjetur eshtra njerëzish në vendin e gjetjes, prandaj nuk është e qartë cili grup njerëzor i përdori këto vegla.

Megjithatë, bazuar në kohën dhe vendin, shkencëtarët mendojnë se mund të kenë qenë neandertalët ose një specie tjetër homini i hershëm që jetonte në atë rajon.

Në përfundim, gjetja e veglave prej druri në Marathousa jo vetëm që thyen rekorde të vjetërsisë, por ofron edhe një dritare të rrallë për të kuptuar inovacionin dhe aftësitë teknike të njerëzve të lashtë, duke shtuar njohuritë tona mbi historinë e hershme njerëzore./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post GREQI – Arkeologët gjejnë veglat më të vjetra në botë prej druri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DUBAI – Sanchez: Qeveria do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

3 February 2026 at 14:32

DUBAI, 3 shkurt /ATSH/ – Spanja do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç dhe do të kërkojë nga platformat të përdorin mjete të rrepta verifikimi të moshës, duke iu bashkuar Australisë, Francës dhe Danimarkës në përpjekjet për të kufizuar ndikimin e platformave digjitale tek fëmijët, sipas CNN.

“Fëmijët tanë janë të ekspozuar në një hapësirë që nuk ishte menduar kurrë për ta për t’u naviguar vetëm. Një hapësirë e mbushur me varësi, abuzim, pornografi, manipulim dhe dhunë”, tha sot kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

“Ne nuk do ta pranojmë më këtë, do t’i mbrojmë ata nga ‘perëndimi i egër digjital’”, theksoi ai.

Duke folur në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, Sanchez tha se qeveria e tij do të propozojë gjithashtu ligje të reja që parashikojnë përgjegjësi penale për drejtuesit e rrjeteve sociale në rast se ata dështojnë të heqin përmbajtje të paligjshme ose që nxitin urrejtje.

Procesi i miratimit të ligjit do të fillojë javën e ardhshme.

Australia u bë vendi i parë në botë që zbatoi një ndalim të rrjeteve sociale për nën 16-vjeçarët, duke ndaluar aksesin në 10 platforma, përfshirë Facebook, TikTok, Instagram, Snapchat dhe X.

Britania e Madhe po konsideron një masë të ngjashme, ndërsa Franca dhe Danimarka kanë njoftuar së fundmi planet për të ndaluar fëmijët nën 15 vjeç të përdorin rrjetet sociale.

Të tjera vende në Evropë gjithashtu po ndjekin një qasje më të ashpër ndaj kompanive të rrjeteve sociale.

“Spanja u është bashkuar pesë vendeve  të tjera evropiane të përkushtuara për zbatimin më të rreptë, më të shpejtë dhe më efektiv të rregullave të rrjeteve sociale”, tha Sanchez.

Ai nuk përmendi vendet, por shpjegoi se grupi do të mbajë takimin e parë në ditët e ardhshme me qëllim koordinimin e zbatimit përtej kufijve./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post DUBAI – Sanchez: Qeveria do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Erdogan diskuton bashkëpunimin rajonal gjatë turneut në Arabinë Saudite dhe Egjipt

3 February 2026 at 12:23

STAMBOLL, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po viziton sot Arabinë Saudite dhe nesër Egjiptin për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve dypalëshe si edhe zhvillimet rajonale dhe globale, njoftoi zyra e tij e komunikimit.

”Erdogan pritet të takohet në Riad me princin e kurorës Mohammed bin Salman për të shqyrtuar hapat drejt forcimit të lidhjeve diplomatike dhe ekonomike”, bëri të ditur zyra e tij në platformën X.

Erdogan do të udhëtojë nesër drejt Kajros për të bashkëkryesuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik Turqi–Egjipt me presidentin Abdel Fattah al-Sisi, ku bisedimet do të kenë fokus të veçantë mbi Palestinën.

Presidenti turk pritet gjithashtu të marrë pjesë në një forum biznesi në kryeqytetin egjiptian.

”Vizitat e njëpasnjëshme vijnë në një kohë kur Ankaraja po përpiqet të rindërtojë lidhjet e sigurisë dhe diplomacisë me partnerë kyç në Lindjen e Mesme pas luftës në Gaza, duke synuar njëkohësisht rritjen e tregtisë dhe investimeve”, raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve AA.

Vizitat pasqyrojnë edhe dëshirën e Arabisë Saudite dhe Egjiptit për një koordinim më të ngushtë me Turqinë.

Ky ndryshim vjen në mes të shqetësimeve në rritje për rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal dhe dyshimeve gjithnjë e më të mëdha mbi besueshmërinë e garancive të sigurisë nga SHBA-ja./  / Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – Erdogan diskuton bashkëpunimin rajonal gjatë turneut në Arabinë Saudite dhe Egjipt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Republikanët duhet të marrin kontrollin e zgjedhjeve në disa shtete

3 February 2026 at 10:23

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi që Partia Republikane të marrë kontrollin e procesit zgjedhor në rreth 15 shtete, përpara zgjedhjeve të mesmandatit që pritet të mbahen në nëntor.

“Republikanët duhet të thonë se ne duam të marrim kontrollin, duhet të marrim kontrollin e votimit në të paktën rreth 15 shtete”,  deklaroi Donald Trump, i pyetur nga podkasteri konservator dhe ish-zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino.

“Republikanët duhet ta nacionalizojnë votimin”, këmbënguli presidenti amerikan.

Në Shtetet e Bashkuara, proceset zgjedhore menaxhohen nga shtetet dhe jo nga qeveria federale.

Zgjedhjet e mesmandatit parashikohen të jenë të vështira për shumicën republikane në Kongres, në një kohë kur operacionet e ashpra të policisë së emigracionit, që shkaktuan dy viktima në janar në Minneapolis,  po kundërshtohen gjithnjë e më shumë dhe kostoja e jetesës po rëndon mbi familjet.

Si dëshmi e kësaj pakënaqësie të elektoratit ndaj Partisë Republikane, demokratët fituan të shtunën një vend senatori në një bastion republikan në Teksas. Vjeshtën e kaluar, Nju Xhersi dhe Virxhinia zgjodhën guvernatorë demokratë.

Po ashtu, një demokrat u zgjodh së fundmi kryetar bashkie i Nju Jorkut.

Donald Trump i inkurajoi shtetet republikane të ndryshojnë rishpërndarjen e hartës elektorale për të favorizuar partinë e tij.

Gjatë intervistës, presidenti Trump rikonfirmoi gjithashtu, sërish pa asnjë provë, se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 kundër Joe Bidenit.

Javën e kaluar, FBI-ja (policia federale amerikane) kreu një kontroll në një qendër zgjedhore në Xhorxhia, në qendër të akuzave të pabazuara për mashtrim gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Donald Trump u padit në vitin 2023 nga drejtësia federale dhe ajo e shtetit të Xhorxhias për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të fituara nga demokrati Joe Biden. Këto ndjekje penale u hoqën pas zgjedhjes së tij në vitin 2024 për një mandat të dytë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Republikanët duhet të marrin kontrollin e zgjedhjeve në disa shtete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë

2 February 2026 at 16:06

BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-AFP/ – Mario Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministër i Italisë, ka bërë thirrje që Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u shndërruar në një fuqi të vërtetë, gjatë një fjalimi në Universitetin e Lëvenit.

“Mes të gjithë atyre që sot janë të kapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, vetëm evropianët kanë mundësinë të bëhen një fuqi e vërtetë”,  tha Draghi, duke kërkuar krijimin e një federate evropiane në çështje të mbrojtjes, politikës së jashtme dhe fiskalitetit.

“Duhet të vendosim: a duam të mbetemi vetëm një treg i madh, nënshtruar prioriteteve të të tjerëve apo duam të ndërmarrim masat e nevojshme për t’u bërë një fuqi”, theksoi  Draghi..

“Përsa i përket mbrojtjes, politikës industriale apo çështjeve të jashtme, ne trajtohemi si një grup i shpërndarë shtetesh me madhësi mesatare, të cilat mund të ndahen dhe trajtohen sipas dëshirës së të tjerëve”, shtoi ekonomist gjatë fjalimit në një ceremoni, ku ai mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Lëvenit.

Ai vuri në dukje se, që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja ka treguar qartë për herë të parë se fragmentimi politik evropian i shërben interesave të saj.

“Ne përballemi gjithashtu me një Kinë që kontrollon nyjet kyçe të zinxhirit global të furnizimit dhe është gati të shfrytëzojë këtë avantazh”, vijoi ai.

”Pa një reagim të vendosur, Evropa rrezikon të bëhet e nënshtruar, e ndarë dhe e deindustrializuar. Dhe një Evropë që nuk mund të mbrojë interesat e saj nuk do të ruajë për shumë kohë vlerat e saj”, paralajmëroi Draghi./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NORVEGJI – Djali i princeshës Mette-Marit arrestohet me dyshimin për përdhunim

2 February 2026 at 14:54

OSLO, 2 shkurt /ATSH-DPA/ – Djali i princeshës norvegjeze Mette-Marit, Marius Borg Hoiby, është arrestuar sot një ditë para fillimit të gjyqit të tij për akuza për përdhunim, bëri të ditur avokati i tij për agjencinë e lajmeve NTB.

Hoiby, 29 vjeç, akuzohet për 38 vepra penale, duke përfshirë përdhunimin, dhunën në familje dhe sulmin fizik.

Gjyqi i tij pritet të nisë nesër në Oslo.

Ai është djali i Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme, para se ajo të martohej me princin e Kurorës Haakon.

Hoiby nuk mban titullin princ dhe nuk është anëtar zyrtar i familjes mbretërore norvegjeze.

Gjatë verës së vitit 2024, Hoiby pranoi se kishte ushtruar dhunë ndaj ish të dashurës së tij nën ndikimin e alkoolit dhe kokainës si dhe kishte shkatërruar sende në apartamentin e saj.

”Megjithatë, ai mohon fuqishëm akuzat për vepra seksuale”, tha më vonë një nga avokatët e tij mbrojtës./   /Ad.AB./ a.jor.

The post NORVEGJI – Djali i princeshës Mette-Marit arrestohet me dyshimin për përdhunim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Araghchi pritet të takohet me të dërguarin amerikan Witkoff

2 February 2026 at 14:20

TEHERAN, 2 shkurt  /ATSH-DPA/-  Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pritet të zhvillojë sot bisedime me të dërguarin  e posacëm amerikan, Steve Witkoff, raportoi sot agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.

SHBA-ja ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e Witkoff.

Agjencia Tasnim njihet si e afërt me Gardën Revolucionare Islame (IRGC), forca elitare ushtarake e Iranit.

Takimi vjen pas javësh tensionesh të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për përgjigje ushtarake ndaj shtypjes brutale të protestuesve nga forcat e sigurisë iraniane në fillim të këtij viti.

Që atëherë, Trump ka vendosur anije luftarake në rajonin e Gjirit, por ka lënë të kuptohet mundësia e negociatave në fundjavën e kaluar.

Presidenti amerikan ka tentuar herë pas here të detyrojë Teheranin të ndërpresë programin e tij bërthamor, por bisedimet janë bllokuar vitin e kaluar, përpara se Izraeli të ndërmerrte sulme kundër Iranit./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post IRAN – Araghchi pritet të takohet me të dërguarin amerikan Witkoff appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Hapet  pjesërisht  pika kufitare e  Rafahut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës

2 February 2026 at 10:34

TEL AVIV, 2 shkurt /ATSH -DPA/ – Izraeli ka rihapur pjesërisht pikën kufitare Rafah mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës për qarkullimin e pasagjerëve, raportuan sot televizioni egjiptian dhe burime të sigurisë izraelite.

”Pika kufitare është zyrtarisht funksionale për herë të parë pas rreth një viti”, njoftoi televizioni shtetëror egjiptian Al-Qahera News, ndërsa burime të sigurisë izraelite e konfirmuan gjithashtu hapjen.

Ky hap pritet t’u mundësojë palestinezëve të plagosur dhe të sëmurë të largohen nga territori bregdetar, i cili është shkatërruar nga më shumë se dy vite luftë pas sulmeve të 7 tetorit 2023.

Gjithashtu, palestinezët që u detyruan të largohen nga lufta pritet të kenë mundësi të kthehen në Gaza.

Një armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas është në fuqi që nga tetori, si pjesë e një plani paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post TEL AVIV – Hapet  pjesërisht  pika kufitare e  Rafahut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Qeveria përballet me një tjetër mocion mosbesimi

2 February 2026 at 10:01

PARIS, 2 shkurt /ATSH-DPA/ – Qeveria e kryeministrit francez, Sébastien Lecornu përballet sot  me dy mocione mosbesimi, pasi ai e kaloi buxhetin në Asamblenë Kombëtare pa një votim përfundimtar.

Deputetët e Asamblesë Kombëtare pritet të nisin pasditen e sotmes një debat mbi tërheqjen ose jo të besimit ndaj kabineti të qendrës së majt

Nuk pritet rënia e qeverisë.

Lecornu ka siguruar mbështetjen e socialistëve përmes disa koncesioneve në buxhet.

Nëse qeveria i mbijeton mocioneve të mosbesimit në parlament, buxheti i vitit 2026 konsiderohet i miratuar.

Mocionet e mosbesimit janë kërkuar, nga njëra anë, nga nacionalistët e djathtë të Marine Le Pen, dhe nga ana tjetër nga e majta, të Gjelbrit dhe komunistët.

Përpjekja e tyre për të rrëzuar qeverinë vjen si reagim ndaj faktit që Lecornu e kaloi buxhetin e këtij viti duke përdorur një nen të posaçëm të kushtetutës, pa votim përfundimtar, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për kompromis.

Lecornu dhe qeveria e tij kanë mbijetuar tashmë katër mocione mosbesimi javët e fundit, të cilat lidhen me pjesë të buxhetit.

Fakti që Franca, e cila ka një nivel të lartë borxhi, po arrin më në fund të miratojë një buxhet pas një bllokimi politik, pritet të mirëpritet nga bizneset dhe nga partnerët e BE-së, si Gjermania.

Kjo u jep kompanive qartësi për investime dhe punësime, ndërsa edhe sektori publik mund të rifillojë investimet.

Perspektiva që Franca të përballet me problemet e saj të borxhit shihet gjithashtu si një sinjal pozitiv për Bashkimin Evropian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Qeveria përballet me një tjetër mocion mosbesimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌