GJERMANI – Merz: Ukraina nuk ka më nevojë për raketat gjermane ”Taurus”
BERLIN, 25 mars /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot se nuk ishte më e nevojshme të dërgoheshin raketa ”Taurus” me rreze të gjatë veprimi për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus, një vendim i debatuar prej kohësh në Berlin.
Kievi i ka dashur prej kohësh këto raketa, por Berlini ka refuzuar të angazhohet hapur, nga frika se kjo do të përkeqësonte tensionet me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.
Kur ishte në opozitë, vetë Merz u zotua të dërgonte raketat, por e ka ndryshuar qëndrimin e tij që nga marrja e detyrës majin e kaluar.
Duke iu përgjigjur pyetjeve nga anëtarët e Bundestagut në Berlin, Merz deklaroi se vërejtjet e tij fillestare ishin bërë “në një kontekst tjetër”, në një kohë kur ai “supozonte se Bundeswehr kishte një numër të mjaftueshëm raketash operacionale ‘Taurus’ në stoqet e tij për të qenë në gjendje të furnizonte Ukrainën”.
Ai shtoi se përparimi i Ukrainës në zhvillimin e armëve të veta vendase e kishte bërë debatin rreth raketave ”Taurus” të panevojshëm.
“Sot, vetë Ukraina ka armë me rreze të gjatë veprimi në depot e saj që i ndërtoi vetë – pjesërisht me ndihmën tonë – dhe të cilat janë dukshëm më efektive sesa numri relativisht i vogël i raketave ‘Taurus’ që mund të kishim dorëzuar”, tha kancelari.
Berlini ka premtuar 11,5 miliardë euro ndihmë deri në vitin 2026, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore ”Iris-T” dhe bateritë e raketave ”Patriot”./ a.jor.
The post GJERMANI – Merz: Ukraina nuk ka më nevojë për raketat gjermane ”Taurus” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.