Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 February 2026Main stream

Dialogu Kosovë–Serbi në epokën e dezinformimit është kthyer edhe në fushëbetejë propagande

3 February 2026 at 08:28


Prej më shumë se një dekade, dialogu Kosovë–Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është njëri nga proceset më të rëndësishme diplomatike në Ballkan. Ai synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe zgjidhjen e çështjeve praktike që prekin jetën e qytetarëve. Por, derisa raundet e bisedimeve vijojnë të mbahen në Bruksel mes ngërçeve dhe tensioneve, një realitet tjetër është formësuar në terren, ku dialogu po kthehet në një fushëbetejë të propagandës politike në rajon.

Në të dyja anët e kufirit, politika, media dhe aktorë të jashtëm ndërtojnë narrativa konkurruese për të formësuar opinionin publik. Si rrjedhojë, qytetarët shpesh informohen jo mbi përmbajtjen e vërtetë të procesit, por mbi versionet politike të tij, të cilat ndryshojnë në varësi të interesit të brendshëm të palëve.

Kësisoj në vend që të shihet si mekanizëm që zgjidh çështje praktike, nga energjia te lëvizja e lirë, dialogu në publik shihet si burim i tensioneve, ndarjeve dhe pasigurive, të cilat në të shumtën e rasteve janë të prodhuara artificialisht.

Gjetjet nga monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale, intervistat dhe raportet e pavarura tregojnë se për dialogun janë krijuar narrativat e keqinformimit dhe dezinformimit, të cilat synojnë të formësojnë opinionin publik, të rrisin polarizimin dhe të ripozicionojnë palët në arenën ndërkombëtare. Palët, por edhe aktorët e jashtëm, veçanërisht Rusia, përdorin mjete të ndryshme komunikimi për të ndërtuar versione paralele të realitetit.

Për nevojat e këtij artikulli janë analizuar 43 artikuj të botuara në mediat me seli në Serbi, në Kosovë, por edhe ato ruse, përgjatë dekadës së fundit. Gjithashtu janë shqyrtuar edhe 13 raportime mediatike dhe publikime të OSHC-ve lidhur me temën nga viti 2023 deri në fund të vitit 2025.

Njëra prej narrativave kryesore të krijuara në mediat serbe është se “Prishtina po e saboton dialogun”. Kjo narrativë e portretizon Kosovën si palë joserioze, agresore dhe të papërgjegjshme. Mediat e afërta me qeverinë e Serbisë (si: RTS, RTV, Blic dhe tabloidet si Kurir, Informer, etj) amplifikojnë deklaratat e Zyrës për Kosovën, duke i paraqitur ato si fakte të pakontestueshme. Në këto artikuj përmenden “veprimet eskalatore të Prishtinës”, “sulmet ndaj serbëve”, “kërcënimet për sigurinë e komunitetit serb” dhe “moszbatimi i marrëveshjeve”. Këta artikuj rrallë japin kontekst të plotë dhe kanë rol thelbësor në formësimin e klimës së frikës në komunitetin serb në Kosovë.

Një narrativë tjetër është se “Perëndimi po i bën presion Serbisë ta njohë Kosovën”. Kjo narrativë është e pranishme në Serbi, kryesisht e shprehur përmes deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por që zmadhohen edhe nga mediat ruse, si Sputnik Srbija.

Kjo narrativë, të cilën zakonisht presidenti serb Vuçiq e ndërlidh me interesat e Serbisë dhe me raportet me Rusinë, shpërndahet nga Sputnik edhe në pjesët tjera të botës.

Ndërsa incidentet e izoluara shpesh nga politika dhe mediat serbe paraqiten si pjesë e një strategjie të përgatitur të qeverisë së Kosovës për të dëmtuar serbët. Titujt alarmantë të tabloidëve dhe mediave të afërta me pushtetin në Beograd duke i dhënë hapësirë deklaratave të eksponentëve të Listës Serbe synojnë të krijojnë idenë e një rreziku të përhershëm, si pjesë e narrativës se “Serbët janë të kërcënuar sistematikisht në Kosovë”.

Ngjashëm raportimet e kësaj natyre, bazuar në deklaratat e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë shpërndahen edhe nga mediat ruse si Russia Today, me pretendimet se “Paqeruajtësit e NATO-s i dhanë Kosovës “leje” për të vrarë serbët”, apo edhe se “Kryeministri i Kosovës po përgatit sulme të reja ndaj serbëve”.

Në realitet, shumica e raporteve ndërkombëtare nuk e mbështesin këtë narrativë.

Platforma EUvsDisinfo ka gjetur se si Sputnik mundohet që të shtyjë përpara narrativën se edhe Perëndimi është bashkëfajtor në spastrimin etnik të serbëve në Kosovë, me ç'rast theksohet se "me mosveprimin e ambasadorëve të Quint-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë) në Prishtinë, për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti të mundshëm, ata bëhen bashkëfajtorë në spastrimin etnik të serbëve në Kosovë). Por sipas EUvsDisinfo ky pretendim është përpjekje për të nxitur ndjenja anti-perëndimore dhe tensione, duke akuzuar pa bazë vendet perëndimore për një “spastrim etnik” inekzistent ndaj serbëve në Kosovë. "Kjo është pjesë e një fushate dezinformuese pro-Kremlin, e cila synon ta fajësojë Perëndimin për përshkallëzimin e tensioneve në Kosovë në dhjetor të vitit 2022, ndërkohë që në fakt është Rusia ajo që po e nxit situatën. Për më tepër, kjo shërben edhe për të larguar vëmendjen nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia".

Edhe raporti “Vorbulla e rrenave” publikuar nga BIRN Kosova në fund të vitit 2023 ka gjetur se qeveria ruse ka përsëritur narrativën se autoritetet e Kosovës kanë planifikuar përzënien e serbëve nga Kosova.

Ndërkohë raportimet në mediat serbe, si N1, Nova S dhe Danas janë më të balancuara, megjithëse në raste të caktuara mungon thellimi analitik, edhe për shkak të pengesave gjuhësore.

Për dallim prej mediave në Serbi, portalet e ndryshme në Kosovë bazuar në deklaratat politike kanë ndërtuar narrativën se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është i barabartë me “autonomi territoriale” ose ndarje të Kosovës, përkundër faktit se statuti i tij duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Një tjetër narrativë dominuese përgjatë viteve të fundit në mediat e Kosovës ka qenë se ndërmjetësuesit e BE-së nuk kanë qenë të paanshëm përgjatë procesit të lehtësimit të dialogut, ani pse procesi nuk është dizajnuar për ta privilegjuar cilëndo palë në dialog.

Por, te mediat kosovare (Koha, Kallxo, RTK, Klan Kosova, Gazeta Express, etj) në përgjithësi ka raportim bazuar në dokumentet ndërkombëtare, pastaj obligimet për zbatimin e marrëveshjeve, deklaratat e zyrtarëve dhe nganjëherë janë kritike sa i përket jetësimit të obligimeve që dalin nga dialogu dhe rezistencës nga pala serbe në këtë aspekt.

Narrativa e përbashkët e mediave të reja online në të dyja anët e kufirit është portretizimi se “çdo kompromis është humbje”.

Në anën tjetër mediat ruse (Sputnik/RT dhe platformat e tyre ndihmëse) shtyjnë në mënyrë sistematike narrativën se BE-ja respektivisht Perëndimi janë detyruese ose hipokrite, se veprimet e Kosovës mbështeten për arsye gjeopolitike përkatësisht se “BE-ja duhet të turpërohet për Kosovën”, dhe se Serbia po vihet nën presion, të cilat më shumë shërbejnë për të pasqyruar por edhe forcuar narrativat e brendshme serbe, sikurse edhe qëndrimet ruse në arenën ndërkombëtare.

Narrativat e tilla dezinformuese pro-Kremlin janë konstatuar edhe nga platforma EUvsDisinfo, ku BE-ja përkatësisht Perëndimi akuzohen se “po përpiqen ta detyrojë Serbinë të pranojë sanksione anti-ruse, duke nxitur konfliktin në Kosovë”, apo edhe të tilla se “Marrëveshja Serbi-Kosovë është në fakt një zhvatje”, ku me shtrembërim të qëllimshëm të fakteve, si pjesë e një fushate më të gjerë dezinformuese pro-Kremlin rreth Kosovës, synohet minimi i përpjekjeve të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, duke ofruar portretizim nën një dritë negative.

Palët në dialog sipas BE-së duhet të shmangin retorikën që nuk kontribuon në pajtim

Dialogu është në qendër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe plotësisht i konceptuar, dizajnuar dhe udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Ai u nis pas miratimit të Rezolutës 64/298 (2010) të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

raportin e fundit të BE-së për Kosovën, thuhet se nga të dyja palët pritet që t’i zbatojnë të gjitha obligimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të Dialogut, në përputhje me riangazhimet zyrtare të bëra në shtator dhe tetor 2024. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Nga Kosova pritet të nisë procesin që çon në themelimin e tij, derisa nga Serbia pritet që të fillojë përmbushjen e obligimeve të saj në mënyrë paralele duke nisur njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës. Marrëveshja, sipas BE-së, është e vlefshme dhe juridikisht obligative për palët dhe çdo formalitet, përfshirë ato që lidhen me miratimin apo “formalizimin” e saj, nuk duhet të pengojnë përparimin në zbatim, dhe se vlerësimi i konstruktivitetit të palëve do të bëhet vetëm mbi bazën e performancës së tyre të zbatimit.

“Normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i detyrimeve nga Dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë humbjen e mundësive të rëndësishme në mungesë të progresit”.

Në raport gjithashtu theksohet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por se duhet të tregojnë angazhim shumë më serioz dhe konstruktiv për të avancuar procesin e normalizimit. Të dyja palët, sipas BE-së, duhet të shmangin veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk kontribuon në dialog dhe pajtim.

Hulumtuesi dhe verifikuesi i fakteve, Festim Rizanaj ka vlerësuar se “palët në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja e përdorin informacionin dhe narrativat si instrument politik për të formësuar opinionin publik dhe për të forcuar pozicionin e tyre negociues”. Sipas tij në të dyja vendet, përzgjedhja selektive e fakteve, krijimi i frikës dhe përdorimi i gjuhës polarizuese e kthejnë dialogun nga proces teknik në betejë propagandistike, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje dhe duke minuar besimin publik te vetë procesi i ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Narrativat dezinformuese rreth dialogut Kosovë–Serbi zakonisht portretizojnë palën tjetër si kërcënim dhe vetveten si viktimë, duke ushqyer mosbesim dhe tension”, ka thënë Rizanaj.

Sipas tij, edhe aktorët e jashtëm luajnë rol të rëndësishëm në amplifikimin e narrativave dezinformuese rreth dialogut Kosovë–Serbi, duke i bërë ato më të dukshme, më emocionale dhe më polarizuese.

“Rusia përdor mediat e saj dhe rrjetet propagandistike për të forcuar narrativën serbe të viktimizimit dhe për të paraqitur dialogun si një proces të imponuar nga Perëndimi, me qëllim dobësimin e rolit të BE-së dhe rritjen e tensioneve në Ballkan. Media rajonale pro-serbe dhe portale lobuese i riprodhojnë këto narrativa pa verifikim, duke i shpërndarë më shpejt në Serbi dhe në komunitetin serb në Kosovë”, është shprehur ai.

Rizanaj nënvizon se të dyja palët e dialogut përdorin komunikim të koordinuar politik dhe mediatik për të krijuar presion ndaj palës tjetër, sidomos para takimeve kyçe në Bruksel. “Në Serbi, qeveria, mediat pranë pushtetit dhe zyrtarët e Zyrës për Kosovën shpesh dalin me mesazhe të unifikuara që portretizojnë Prishtinën si agresore dhe serbët në Kosovë si të rrezikuar. Kjo narrativë publike rrit ndjenjën e emergjencës dhe i jep Beogradit justifikim për qëndrim më të ashpër në tavolinën e dialogut. Në Kosovë, shpesh vërehet koordinim ndërmjet deklaratave të institucioneve, akuzave politike dhe mediave që theksojnë se Serbia po destabilizon veriun me qëllim sabotimin e marrëveshjeve. Para takimeve në Bruksel, komunikimi publik shndërrohet në një narrativë që thekson vijat e kuqe dhe legjitimon qëndrime më të forta, si për të mos u parë ‘si palë që lëshon pe’”, ka deklaruar Rizanaj.

“Komunikimet diplomatike të mjegulluara, krijuan terren për teori të pabazuara”

Hulumtuesja në fushën e mediave dhe redaktorja menaxhuese në K2.0, Gentiana Paçarizi ka pohuar se nga vështrimi disa vjeçar ka vërejtur se në diskursin e brendshëm kosovar kanë qarkulluar disa narrativa pa bazë faktike rreth procesit të dialogut.

“Në periudhat kur dialogu ishte më aktiv, takimet dhe marrëveshjet shpesh interpretoheshin nga akterë politikë si ‘rrezik për sovranitetin’, ‘tradhti kombëtare’, ‘hapa drejt copëtimit’, etj. Mungesa e transparencës si nga institucionet e Kosovës, si nga BE-ja, me komunikimet diplomatike të mjegulluara, krijuan terren për teori të pabazuara, si ide për marrëveshje të ‘firmosura fshehurazi’”, ka thënë ajo.

Një tjetër narrativë e qëndrueshme sipas saj lidhet me paraqitjen e BE-së si ndërmjetës jo i besueshëm dhe i njëanshëm. “Për shkak të mungesës së transparencës nga BE dhe shpjegimeve të qarta, interpretimet politike shpesh marrin epërsi ndaj fakteve”, ka shtuar Paçarizi.

Sipas saj, përgjatë procesit është parë se secila palë e ndërton versionin e vet të rrëfimit rreth ngjarjeve.

“Çdo raund i dialogut trajtohet si zero sum game: njëra palë ‘fiton’, tjetra ‘humb’. Kjo qasje ushqehet nga mungesa e transparencës, pasi takimet zhvillohen me dyer të mbyllura dhe secila palë e ndërton versionin e vet të ngjarjeve. Fatkeqësisht, BE-ja nuk ndërhyn për ta sqaruar se cili version është i saktë”, ka deklaruar ajo.

Ndonëse narrativat kanë ndryshuar ndër vite, sipas Paçarizit, ato, së bashku me mungesën e rezultateve konkrete nga procesi, kanë ndikuar që në mungesë të informacionit të duhur, qytetarët të zhvillojnë një lloj averzioni ndaj dialogut në tërësi si proces i shkëputur nga realiteti i tyre.

Në të njëjtën kohë ka theksuar se raportimi i balancuar për dialogun përballet me disa sfida strukturore.

“Së pari, mungesa e transparencës nga BE-ja ka qenë një kritikë e vazhdueshme. Procesi shihet si jo transparent dhe kjo e vështirëson ndjeshëm punën e gazetarëve, të cilët shpesh nuk kanë qasje në informacionet bazë për t’i verifikuar zhvillimet”.

“Së dyti, edhe institucionet e Kosovës nuk kanë qenë transparente. Shumica e takimeve zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa interpretimet që ofrohen pas çdo raundi janë kryesisht politike, jo faktike. Kjo e bën të pamundur verifikimin e plotë të informacionit, pengon raportimin e thelluar dhe sfidimin e narrativave pa bazë që burojnë nga aktorët politikë”.

“Së treti, mungesa e gazetarëve të specializuar në proceset e udhëhequra nga BE-ja mbetet pengesë serioze. Në Kosovë, vetëm pak gazetarë e ndjekin dialogun në mënyrë të vazhdueshme dhe analitike. Për pasojë, shumica e raportimit mbështetet në deklarata të palëve dhe jo në burime të pavarura ose në kuptim të thelluar të procesit, gjë që e kufizon fuqinë e mediave për të prodhuar raportim vërtet të balancuar”.

Sipas saj, amplifikimi i deklaratave politike është një dukuri e zakonshme dhe ndodh shumë më shpesh sesa verifikimi i tyre para publikimit. “Arsyet lidhen me gjendjen e vështirë financiare të mediave dhe presionin për të publikuar shpejt çdo deklaratë që mund të tërheqë vëmendje. Në një sistem medial që favorizon shpejtësinë dhe ekskluzivitetin mbi verifikimin, redaksitë shpesh u nënshtrohen rregullave të këtij tregu”.

Mirëpo konsideron se raportimi për dialogun mes mediave të Kosovës dhe atyre të Serbisë nuk mund të krahasohet.

“Në Serbi, raportimi për Kosovën është pjesë e një narrative të gjerë politike që ushqehet dhe mirëmbahet nga një makinë e koordinuar dezinformimi mes qeverisë dhe mediave që e mbështesin atë. Kosova dhe institucionet e saj paraqiten sistematikisht si të jashtëligjshme, BE-ja si e njëanshme apo manipuluese, ndërsa vetë dialogu portretizohet si proces ku Serbia është nën presion të padrejtë”.

Sipas saj në Kosovë, situata është krejt tjetër.

“Edhe pse ka prirje për sensacionalizëm dhe raportim të varur nga deklaratat politike, media nuk funksionon me logjikën e një aparati të organizuar dezinformues. Problemi kryesor është mungesa e thellimit analitik dhe varësia nga interpretimet e akterëve politikë”.

“Në thelb, mediat pro-qeveritare serbe operojnë brenda një arkitekture propagandistike, ndërsa mediat kosovare brenda një ekosistemi të brishtë që vuan nga mungesa e kapaciteteve, jo nga koordinimi për dezinformim”.

“Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë normalizimin”

Zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikola Gaon Sorokin ka vlerësuar se gjuha përçarëse, polarizuese dhe herë pas here ofenduese bie ndesh me qëllimin për normalizim gradual të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njerëzit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi e ndjekin dialogun nga afër. BE-ja vepron si lehtësuese në dialog. Përgjegjësia për rezultatet e dialogut bie plotësisht mbi të dyja palët. Komunikimi i dialogut, i procesit dhe i rezultateve të tij me publikun vendas është gjithashtu përgjegjësi e të dy palëve dhe jo e BE-së. Duke u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog, të dyja palët synojnë të arrijnë një normalizim gradual të marrëdhënieve të tyre. Gjuha përçarëse, polarizuese dhe herë pas here ofenduese bie ndesh me këtë qëllim”, ka thënë ai.

Sipas tij të dyja palët në dialog kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë procesin dhe normalizimin.

“Dezinformimi sot është një çështje globale dhe dialogu nuk zhvillohet në izolim. Është e rëndësishme që të dyja palët të sigurojnë një komunikim që nxit normalizimin e marrëdhënieve dhe u ndihmon njerëzve të kuptojnë se si dialogu mund ta lehtësojë jetën e përditshme dhe të hapë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë normalizimin, kompromisin dhe një perspektivë pozitive përpara. Bërja e kompromiseve nuk është dobësi; është parakusht për progres. Kjo është arsyeja pse mbajtja e një debati publik të mbështetur në fakte është thelbësore”, ka deklaruar zyrtari evropian.

Në të njëjtën kohë nënvizon se BE-ja, si lehtësuese procesit, komunikon vetëm rezultatet nga dialogu përkatësisht faktet.

“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është e njohur dhe objektivat e normalizimit janë të qarta. Ne punojmë ngushtë me autoritetet në Kosovë dhe Serbi, me të gjitha institucionet evropiane dhe me shtetet anëtare, që informacioni i saktë të arrijë te qytetarët. Kur shfaqen pretendime të rreme, ne i adresojmë ato përmes sqarimeve të menjëhershme dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me palët përkatëse”, është shprehur ai.

Raste të tilla kanë ndodhur edhe në vitin 2025.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në qershor të vitit 2025 pati akuzuar kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, se ka bërë deklarata të rrejshme pas takimit të datës 10 qershor 2025 në Bruksel, duke thënë se zyrtari serb ka shkelur dakordimin e bërë gjatë takimit trilateral.

Sipas raportimit të Kohës, Bislimi ka shtuar se në faqen e ashtuquajturës Zyre për Kosovë është korrigjuar deklarata e Petkoviq, “me shumë gjasë pas intervenimit të emisarit të BE-së, pasi Kosova e ngriti çështjen brenda pak minutash”.

Pyetjet lidhur me çështjen e dezinformimit në dialog i janë dërguar edhe Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës, por deri në momentin e raportimit nuk janë pranuar përgjigjet.

Rrjetet sociale dhe platformat e internetit janë shpërndarësit kryesorë të dezinformimit

Raporti “Vorbulla e rrenave” publikuar nga BIRN Kosova në fund të vitit 2023 konstaton se mediat, institucionet, dhe shoqëria civile po përballen me sfida serioze në adresimin efikas të dezinformimit dhe se në Kosovë nuk ka një vizion të qartë dhe qasje strategjike për luftimin e këtij fenomeni, prandaj dhe dezinformimi ka ndikim të konsiderueshëm në opinionin publik në Kosovë.

Sipas këtij studimi, në mungesë të financimit të qëndrueshëm, burimeve të kufizuara njerëzore, politikave të paqarta redaktuese dhe ndikimeve nga jashtë, media është bërë krijues dhe përforcues i dezinformimit në disa raste.

Gjetjet e hulumtimit kanë treguar se rrjetet sociale dhe platformat e internetit të specializuara në lajme të rreme janë shpërndarësit kryesorë të dezinformimit, sado që, në disa raste, edhe mediat tradicionale e profesionale kanë faj.

“Hulumtimi tregon se dialogu i fascilituar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte shoqëruar me dezinformim rreth fascilitatorëve të emëruar nga BE dhe ShBA. Frustrimi me mungesën e progresit në dialog shpesh është interpretuar në media si faj i fascilitatorëve të cilët nuk janë në gjendje të imponojnë implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Në këtë mënyrë, edhe pse mbi 91 % e qytetarëve të Kosovës janë shprehur në favor të integrimit në BE, janë shfaqur sentimente lokale kundër BE-së rreth dështimit të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo më pas është përforcuar nga narrativat dezinformuese ruse. Në mënyrë të ngjashme, politikanët në Kosovë dhe Serbi janë përballur me fushata të bazuara në informacion të rremë, që kryesisht synon portretizimin e tyre si ‘tradhtarë‘ të çështjeve kombëtare”, thuhet në raport.

Ndërkaq punimi hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me titull “Në ç’mënyrë dezinformimi shënjestron dhe ndikon në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë?” i publikuar në vitin 2024 ka konstatuar se dezinformimi dhe keqinformimi janë çështje të përhapura në Kosovë, ku shfrytëzohen ndarjet ekzistuese shoqërore dhe besimi i ulët në të dhënat institucionale.

Sipas këtij raporti, dezinformimi vepron në nivele të shumta, duke shënjestëruar perceptimet individuale, dinamikën e komunitetit dhe besimin institucional, dhe se shpesh fokusohet në çështje të ngarkuara emocionalisht dhe të ndjeshme nga ana kulturore, duke përdorur të vërteta të pjesshme dhe informacione të paverifikuara për të përkeqësuar ndarjet.

“Dezinformimi dekurajon bashkëpunimin ndëretnik duke krijuar një mjedis armiqësor për dialog. Për shembull: Narrativat rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) e cilësojnë atë si një kërcënim për integritetin territorial dhe sovranitetin, gjë që çon në kundërshtimin e shqiptarëve të Kosovës. Mediat serbe e portretizojnë mungesën e progresit të AKS-së si dëshmi të vullnetit të keq të Kosovës, duke nxitur mosbesimin tek serbët. Një nga narrativat kryesore në lidhje me AKS-në është se “formimi i AKS-së do të nënkuptonte formimin e një Republika Srpska tjetër në Kosovë”, gjë që besohet nga 58% e shqiptarëve dhe 37% e serbëve të Kosovës”, thuhet në punimin hulumtues.

Edukimi medial i domosdoshëm për të përmirësuar kuptimin e informacionit politik

Hulumtuesi Festim Rizanaj ka vlerësuar se mediet luajnë një rol kyç në amplifikimin ose zvogëlimin e dezinformatave politike, në varësi të standardeve të gazetarisë që ndjekin dhe mënyrës se si raportojnë informacionin.

“Kur mediat operojnë me verifikim të fakteve, burime të besueshme dhe qasje të balancuar, ato ndihmojnë në reduktimin e dezinformatave, ofrojnë kontekst dhe rrisin transparencën në komunikimin politik. Në të kundërt, kur mediat përdorin tituj sensacionalë, raportime selektive ose riprodhojnë pa verifikuar deklaratat e politikanëve dhe aktorëve të jashtëm, ato amplifikojnë narrativat dezinformuese, përforcojnë polarizimin dhe ndikojnë negativisht në perceptimin publik”, ka thënë ai.

Për të përmirësuar kuptimin e informacionit politik, sipas tij janë të rëndësishme edukimi medial, komunikimi i qartë nga institucionet, fushatat e verifikimit të fakteve dhe nxitja e mendimit kritik përmes debatit dhe diskutimeve publike.

“Këto masa rrisin rezistencën ndaj dezinformatave dhe ndihmojnë qytetarët të formojnë opinione të informuara”, është shprehur ai.

Në anën tjetër dokumentet e BE-së tregojnë qartë se të dy palët kanë detyrime të pambajtura dhe probleme të vazhdueshme të implementimit. Vështrimi procesit ka treguar se dialogu nuk dëmtohet nga ajo që negociohet në Bruksel, por nga mënyra se si interpretohet në Prishtinë, Beograd dhe platforma të treta mediatike. Dhe nëse nuk ndryshohet qasja ndaj informacionit, procesi rrezikon të mbetet peng i narrativave, jo i fakteve. Dhe në këtë klimë, normalizimi bëhet edhe më i vështirë.

Artikull i shkruar nga gazetarët: Fisnik Minci dhe Raif Kırkul

(Fotografia: https://kryeministri.rks-gov.net/)

Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërish politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.

Ky material nuk pasqyron domosdoshmërish as politikat redaktuese të Telegrafit.

Before yesterdayMain stream

Nis qarkullimi i maunave dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë

30 January 2026 at 14:43


Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se ka filluar qarkullimi i mauneve dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë, i cili ishte i bllokuar që nga data 26.01.2026.

Edhe Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi një ditë më parë tha se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për mallra me Bashkimin Evropian, e cila ka prekur edhe bizneset në Kosovë.

Ndryshe, ditë më parë shoferët kanë bllokuar terminalet për mallra për shkak të ashpërsimit të procedurave për të hyrë në Zonën Schengen.

Ata kishin thënë se procedurat tani janë më të komplikuara dhe mund t’ua shkurtojnë kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian.

Ata kërkonin që qëndrimi i tyre në Bashkimin Evropian të rritet në katër muaj, në krahasim me tre që është tani, brenda gjashtë muajve. /Telegrafi/


Kalon ilegalisht kufirin Kosovë-Serbi, dërgohet në mbajtje shtetasi serb

29 January 2026 at 08:42


Gjatë patrullimit nga njësia policore është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, i cili me automjetin e tij dyshohet se ka kaluar ilegalisht kufirin nga R. Serbisë në Republikën e Kosovës.

Sipas raportit 24 orwsh tw Policisw sw Kosovws bwhet e ditur se rasti ka ndodhur tw mwrkurwn rreth orws 08:00 nw fshatin Jashanicw tw Leposaviqit.

Tutje bwhet e ditur se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Fsh. Jashanicë, Leposaviq/ 28.01.2026-08:00. Gjatë patrullimit nga njësia policore është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, i cili me automjetin e tij dyshohet se ka kaluar ilegalisht kufirin nga R. Serbisë në Republikën e Kosovës. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kosova dhe Serbia nisin Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur

23 January 2026 at 14:11

Rreth dy vjet e gjysmë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ranë dakord për një deklaratë mbi personat e zhdukur në maj 2023, të dy vendet ndërmorën hapin kryesor drejt zbatimit të kësaj deklarate: krijimin e një Komisioni të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Ky veprim ngjall shpresa se më […]

The post Kosova dhe Serbia nisin Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur appeared first on Reporter.al.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

22 January 2026 at 12:52


Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë duke qëndruar sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut me të cilin nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.

Kjo u konfirmua për Telegrafin nga Yuliya Matsyk, zyrtare shtypi për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, fqinjësinë dhe zgjerimin.

“Mund të konfirmojmë se EUSR Sorensen po organizon sot në Bruksel një takim të rregullt të Kryenegociatorëve mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Më shumë informacion mund të ndahet pas takimit”, tha Matsyk.

Ndërkaq, këto takime zakonisht zhvillohen së pari ndaras mes lehtësuesit të BE-së me palët e pastaj, nëse palët bien dakord zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh. /Telegrafi/

Kosova e përkushtuar për dialog konstruktiv, Kurti kërkon tërheqjen e letrës nga Bërnabiq dhe dorëzimin e Radoiçiqit

15 January 2026 at 11:46


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti një ditë më parë takoi përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Kurti në një postim në X shkruan se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel, ndërsa kërkoi tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit.

“Dje, mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së Peter Sørensen në takimin tonë të parë pas zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel. Përparimi domethënës kërkon besim të mirë, duke përfshirë tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja serbe Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij për t'u përballur me drejtësinë në Kosovë për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjskë, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit/Ohrit si garanci ligjore për rrugën përpara”, shkruan Kurti.

Ai tutje theksoi se Kosova ka një mandat demokratik të rifreskuar që siguron përfaqësim të besueshëm në dialog. /Telegrafi/



Yesterday, I welcomed EU Special Representative Peter Sørensen for our first meeting following Kosova’s December elections.

Kosova remains committed to full normalization and constructive dialogue in Brussels. Meaningful progress requires good faith, including the withdrawal of… pic.twitter.com/KlHFDTlcbB
— Albin Kurti (@albinkurti) January 15, 2026

Osmani, Sorensenit: Suksesi i dialogut varet nga trajtimi i barabartë i palëve

14 January 2026 at 12:28


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Sipas njoftimit për media, bëhet e ditur se në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situata e sigurisë, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.

Gjatë takimit, Osmani theksoi rëndësinë e një procesi dialogu të fokusuar në njohjen reciproke.

“Procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve”, u shpreh Osmani.

Ajo gjithashtu kritikoi qëndrimet e Serbisë, duke thënë se është ajo e cila vazhdimisht shkel marrëveshjet.

“Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja nënvizoi nevojën për objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian:

“Interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”, tha ajo.

Ajo gjithashtu informoi Sorensen për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë.

“Zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane”, u shpreh Osmani.

Në lidhje me marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, presidentja Osmani përshëndeti heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, u shpreh Osmani.

Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Osmani shtoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së.

Ajo gjithashtu u zotua të vazhdojë punën me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës.

“Do të vazhdojmë të punojmë pa vonesa të mëtejshme për avancimin e statusit kandidat të Kosovës”, tha Osmani. /Telegrafi/

Sorensen: Shpresojmë që 2026-ta të sjellë përparimin që mungoi në dialog

14 January 2026 at 11:32


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se pret që 2026 të sjellë përparim në procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas mungesës së rezultateve gjatë vitit 2025.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Sorensen tha se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë për këtë vit dhe se e ka nisur qëllimisht vitin me vizita në Prishtinë dhe Beograd.

“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë”, tha Sorensen.

Ai theksoi se synimi kryesor i Bashkimit Evropian mbetet rikthimi i palëve në tryezën e dialogut, duke nënvizuar se është e domosdoshme gjetja e një mënyre që kjo të ndodhë.

“Ajo që synojmë është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, u shpreh ai.

Sorensen kujtoi gjithashtu se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së i ka vizituar Kosovën dhe Serbinë vitin e kaluar dhe ka theksuar se një takim në nivel të lartë do të thirret kur kushtet të jenë të përshtatshme.

“Ajo do ta thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë dhe më pas do të shohim se si do të ecet përpara”, deklaroi Sorensen.

Pas vizitës në Kosovë, emisari evropian pritet të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqësit serbë, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. /Telegrafi/

Sot në Kosovë përfaqësuesi i BE-së për dialog, Peter Sorensen

14 January 2026 at 07:48


Sot do të jetë për vizitë në Kosovë, Peter Sorensen, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sorensen do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani në ora 10:00.

Emisari evropian pritet të ketë edhe një takim me përfaqësuesit e partive opozitare.

Brukseli pret që, pas formimit të qeverisë së re në Prishtinë, procesi i dialogut të ringjallet.

Pas Kosovës, Sorensen do të jetë në Serbi më 15 janar. /Telegrafi/

Kupchan: Kongresi i SHBA-së po nxit Trumpin për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi

9 January 2026 at 21:39


Ish-zyrtari i lartë amerikan, Charles Kupchan, vlerëson se Kongresi i Shteteve të Bashkuara po përpiqet të rikthejë Ballkanin Perëndimor në fokusin e politikës së jashtme amerikane, në një moment kur rajoni përballet me mungesë stabiliteti dhe ngërç politik.

Sipas tij, përfshirja e Kosovës dhe Serbisë në dokumentin e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara synon të ushtrojë presion konstruktiv mbi Prishtinën dhe Beogradin për të ecur përpara në dialog dhe për të kapërcyer bllokimin aktual, duke kërkuar njëkohësisht qeveri të qëndrueshme në të dyja vendet.

Ai nënvizon në Euronews Albania se Kongresi po përpiqet të nxisë presidentin Trump dhe administratën e tij që të angazhohen më aktivisht në rajon, në një kohë kur nevojitet rifokusim serioz i SHBA-së në çështjet e sigurisë në Ballkan.

“Trump do të përpiqet që ta fusë në listën e tij të arritjeve normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Pra, kemi rritjen e shqetësimit amerikan që vjen pas tërheqjes së SHBA-së nga dialogu mes Serbisë dhe Kosovës dhe kemi mungesën e qeverisë së Kosovës për një periudhë të gjatë. Dokumenti e nxit kryeministrin Kurti që, pas fitores së zgjedhjeve, ta formojë sa më shpejt qeverinë. Por ka shqetësime në lidhje me qasjen e zotit Kurti".

"Prania e Kosovës në këtë dokument synon të nxisë Prishtinën dhe Beogradin që të ecin përpara në dialogun dypalësh dhe të tejkalojnë ngërçin që i ka kapur. Gjithashtu, dokumenti u kërkon këtyre dy vendeve që të kenë qeveri të qëndrueshme. Në Serbi kemi një situatë të destabilizuar, në Kosovë kemi muaj të tërë pa qeveri, prandaj është koha që të dy vendet të avancojnë përpara me punën e vështirë që kanë".

"Në Kongres, në të dyja dhomat, ka shumë zyrtarë që kanë kaluar kohë të konsiderueshme në Ballkan, ndaj kemi një draft që ka ardhur posaçërisht për Ballkanin. Më parë, administrata Trump nuk ishte fokusuar shumë në aspektin e sigurisë së Evropës, sikurse bëri administrata Biden, dhe kjo është një përpjekje e Kongresit për ta nxitur presidentin dhe njerëzit rreth tij, përfshirë sekretarin Rubio, që ta marrin në dorë këtë axhendë".

"Vetë Trump ka bërë disa deklarata për Kosovën dhe Serbinë, duke marrë meritat se ka parandaluar një luftë mes tyre. Tani Kongresi i kërkon presidentit Trump që të angazhohet në Ballkan, pasi po shohim një tërheqje dhe nevojitet që të rifokusohemi sërish në çështjet e rajonit të Ballkanit”, tha ai.

Nëntë muaj “pa rezultate në dialog”, Kallas propozon vazhdimin e mandatit të Sorensen

28 November 2025 at 21:02


Kur kanë mbetur edhe tre muaj deri në fund të mandatit fillestar të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas ka propozuar që ai të vazhdojë në këtë detyrë. Por, opinionistë vlerësojnë se nëntë muaj e gjysmë të parë të mandatit të Sorensen ishin të dështuara, por jo-domosdo për fajin e tij.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka propozuar zgjatjen mandatit të Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Propozimi i Kallas u diskutua javë më parë, në disa trupa të Këshillit Evropian: në Komitetin për Punë të Jashtme dhe Siguri, dhe paraprakisht në Grupin Punues të Këshilltarëve për Punë të Jashtme dhe atë për Ballkanin Perëndimor.

Pa dhënë detaje, në një përgjigje për TV Dukagjinin, Shërbimi i Jashtëm i BE-së konfirmoi përkrahjen për vazhdimin e punës nga diplomati danez.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen gëzon mbështetjen e plotë të Përfaqësueses së Lartë dhe të shteteve anëtare të BE-së. Rezultati i proceseve në Këshillin e BE-së do të kumtohet porsa të kompletohet”, ka thënë Bashkimi Evropian.

Mandati fillestar i Sorensen, i cili nisi punën më 1 shkurt të këtij viti, është 13 mujor dhe përfundon më 28 shkurt 2026.

Në vlerësimin e profesorit Gëzim Qerimi, deri tani – në mandatin e Sorensen dialogu nuk prodhoi asnjë rezultat konkret dhe mund të quhet i dështuar.

“Qoftë në vazhdimi i mandatit të tij apo ndonjë personaliteti tjetër, do të duhej që të vendosej parimi themelor për të përfunduar dialogun Kosovë-Serbi. Nuk do të ketë kuptim dialogu Kosovë-Serbi, nëse pika e parë e këtij dialogu nuk është njohja reciproke me Kosovës dhe Serbisë dhe vlerësoj se të gjitha dështimet janë si rezultat i mungesës së këtij parimi”, ka thënë Gëzim Qerimi, profesor.

Teksa mungesën e rezultateve e lidhi me një “status-quo”, profesori Sylë Ukshini përmendi faktin se për BE-në dialogu Kosovë-Serbi nuk ishte top prioritet, por edhe zhvillimet e brendshme në të dyja vendet.

“Faji nuk mund të hidhet te Sorenseni, sepse BE-ja nuk ka mjete detyrimi. Mandati i tij është vetë fascilitues dhe duke qenë fascilitues suksesi i tij varet nga gatishmëria e palëve për t’i implementuar marrëveshjet. Në anën tjetër, varet edhe sa presion bën Bashkimi Evropian, sa presion bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Sylë Ukshini, ish-diplomat / profesor.

Diplomati danez, i cili e pasoi në detyrë sllovakun, Miroslav Lajçak, vizitoi Kosovën katër herë: në mars, në prill, në gusht dhe në tetor, ndërsa organizoi disa takime, kryesisht të ndara, në nivel kryenegociatorësh.

Takimi i nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, të cilin, në qershor, Sorensen tha se po e përgatitë, nuk ndodhi./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be


Takim në Madrid për dialogun Kosovë-Serbi, Sorensen nënvizon mbështetjen e Spanjës

26 November 2025 at 11:21


Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen është takuar në Madrid me ministrin spanjoll për Punë të Jashtme, BE dhe Bashkëpunim, Jose Manuel Albares.

Sorensen ka shkruar në X se takimi përfshiu “diskutim të thellë mbi dialogun e lehtësuar nga BE-ja” dhe ka shtuar se është mirënjohës për interesin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e fortë të Spanjës për avancimin e procesit të normalizimit.

Ky ishte takim i radhës që Sorensen zhvillon me zyrtarë evropianë për të diskutuar mbi ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/

Insightful discussion in Madrid 🇪🇸 with Minister @jmalbares on the 🇪🇺-facilitated Dialogue. Grateful for Spain’s sustained interest and strong support for advancing the normalisation process. pic.twitter.com/hcUvgwbdCg
— EUSR for Belgrade-Pristina Dialogue (@EUSR_Dialogue) November 26, 2025

Zvicra ofrohet për të ndihmuar në dialogun Kosovë -Serbi në bashkëpunim me Sorensenin

15 November 2025 at 00:00


Alexandre Fasel, i cili është Sekretar Shteti i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen.

Fasel, ka deklaruar se diskutimi me Sorensen ka qenë ‘’tejet i frytshëm’’, duke shtuar se përparimi mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është thelbësor.

‘’Zvicra mbështet fuqimisht përpjekjet e BE-së, duke ofruar platforma dialogu, ndërtimi besimi dhe zgjidhjeje problemesh, në bashkëpunim me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë’’, ka thënë ai.

Për këtë ka reaguar edhe vetë Sorenen, i cili ka falënderuar Fasel për mikpritjen, si dhe për diskutimin ‘’shumë të mirë’’.

‘’Faleminderit Fasel për mikpritjen dhe diskutimin shumë të mirë!’’, ka thënë Sorensen.


Excellent exchange today with EUSR Soerensen. Further progress in the normalization of relations between Serbia and Kosovo is essential. 🇨🇭 strongly supports EU's efforts, by offering dialogue, trust-building, and problem-solving platforms in cooperation with @EUSR_Dialogue pic.twitter.com/Jyy8BQ78T2
— Alexandre Fasel (@SwissMFAStatSec) November 14, 2025

Robelli: Marrëveshjet pa nënshkrim me Serbinë s’funksionojnë, Vuçiqi do të ishte aktor fantastik po të mos bëhej politikan

14 November 2025 at 13:41


Gazetari dhe publicisti Enver Robelli, në “Përballje Podcast”, tha se dialogu Kosovë–Serbi është në pikën më të paqartë të viteve të fundit, ndërsa marrëveshja e Ohrit ka mbetur një dokument i pazbatueshëm për shkak të mungesës së nënshkrimit nga pala serbe. Ky podcast përkrahet nga kompania EXFIS.

Robelli u shpreh skeptik për vlerën juridike dhe politike të një marrëveshjeje të pambështetur me nënshkrim.


“Jam shumë skeptik që një marrëveshje pa nënshkrim mund të funksionojë. Edhe më herët kemi parë që Serbia i ka mohuar zotimet e veta. Përvojat janë të qarta”, ka deklaruar në podcast në Telegrafi.

Ai kujtoi kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiq, dërgoi një letër në BE duke deklaruar se Serbia nuk e njeh marrëveshjen, gjë që sipas tij e ka delegjitimuar procesin që në fillim.

“Serbia ka luajtur dy karrige për vite të tëra”, shton Robelli.

- YouTube www.youtube.com

Ai foli për strategjinë e Aleksandar Vuçiqit në politikën e jashtme, duke theksuar aftësinë e tij për të manipuluar perceptimet ndërkombëtare.

“Vuçiqi është një lojtar i rryer i politikës. Po të mos bëhej politikan, do të ishte aktor fantastik. Ai është në gjendje të flasë dy orë, të vajtojë, ta paraqesë veten sikur është i rrethuar nga armiqtë dhe se vetëm ai po e mbron Serbinë”, shton Robelli.

Sipas tij, Vuçiqi ka mbajtur kontakte të ngushta me Moskën, por përmes shitjes së armëve në tregje të treta ka arritur t’i shërbejë edhe interesave të vendeve që furnizojnë Ukrainën.

“Serbia ka shitur rreth një miliard euro armë që kanë përfunduar në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse BE-ja dhe disa shtete perëndimore e trajtojnë me shumë kujdes”, thotë Robelli.

Ai shtoi se Serbia dhe Bullgaria janë ndër të paktat vende që ende prodhojnë municion të përshtatshëm për armët sovjetike, çka rrit peshën e tyre gjeostrategjike në kohë lufte.

Robelli tha se BE-ja shpesh e trajton Serbinë si aktorin më të rrezikshëm në rajon, prandaj i shmang përplasjet direkte me Vuçiqin, ndërsa Kosova, për shkak të orientimit të qartë perëndimor, ndonjëherë përballet me më shumë presion.

“Gjithmonë shtetet që kanë potencial më të madh destabilizues trajtohen me më shumë kujdes. Serbia e luan kartën e Rusisë dhe Kinës. Kosova nuk ka alternativa të tilla”, ka deklaruar Robelli.

Enver Robelli n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" Foto: Ridvan Slivova

Ai tha se në këtë situatë, Kosova mbetet nën masa, nën presion dhe në pritje të qartësimit të qëndrimit të BE-së, ndërsa dialogu rrezikon të shndërrohet në proces të pafund.

Robelli u shpreh se dialogu mund të ecë përpara vetëm me rregulla të qarta dhe me garanci ndërkombëtare.

“Pa nënshkrim, pa përgjegjësi dhe pa presion të balancuar ndaj Serbisë, dialogu mbetet në vendnumëro. Dhe rreziku është që e gjithë barra t’i bie vetëm Kosovës”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Bislimi i shkruan Sorensenit: Mjetet financiare nga Qeveria e Kosovës për Luginën po bllokohen nga banka në Serbi

13 November 2025 at 12:44


Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se i ka shkruar Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen lidhur me një çështje serioze që tashmë siç thotë Bislimi ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Bislimi në një postim në Facebook shkruan se pagesa e financuar nga Qeveria e Kosovës prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të Këshillit Kombëtar Shqiptar, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi

Lexoni të plotë postimin e Bislimit:

Sot kam njoftuar z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale.

Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.

Pra ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë.

E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht. Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ.

Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. /Telegrafi/



KE për Serbinë: Dialogu me Kosovën dhe përgjegjësi për ngjarjet në veri

6 November 2025 at 21:47


Shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Andreas von Beckerath, i dorëzoi autoriteteve serbe raportin më të ri të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë në procesin e integrimeve evropiane. Në dokument theksohet se polarizimi i shoqërisë dhe korrupsioni kanë thelluar krizën politike.

Komisioni Evropian thekson se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE do të varet nga sundimi i ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, duke kërkuar që Beogradi të harmonizohet plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Përmes dialogut që ndërmjetëson BE-ja, Serbia dhe Kosova duhet të zbatojnë plotësisht detyrimet nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të vitit 2023, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Serbia duhet gjithashtu të sigurojë përgjegjësi për ngjarjet në veriun e Kosovës nga vjeshta e vitit 2023,” deklaroi shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Andreas von Beckerath.

Duke komentuar raportin, presidenti Aleksandar Vuçiq tha se Serbia “do të ishte përpara vendeve të tjera kandidate nëse do ta njihte Kosovën dhe do të vendoste sanksione ndaj Rusisë,” por shtoi se nuk do ta bëjë këtë.

Beckerath theksoi se reformat mbeten themel për demokracinë dhe zhvillimin ekonomik të Serbisë.

“Megjithëse janë bërë disa hapa përpara, ritmi i reformave është ngadalësuar. Shohim polarizim në rritje, korrupsion dhe mungesë përgjegjësie. Ngjarja tragjike në Novi Sad dhe reagimi i institucioneve ndaj protestave pas saj kanë thelluar mosbesimin qytetar,” tha ambasadori i BE-së.

Nga ana tjetër, opozita e cilësoi raportin si më kritik deri më sot, duke theksuar se Serbia po kthehet në “shtet të kapur”. Deputeti i Frontit të Gjelbër-Majtë, Radomir Lazoviq, tha se dokumenti reflekton ndryshimin e qëndrimit të BE-së ndaj Beogradit.

“Raporti shpreh shqetësim të thellë për tendencat autoritare dhe për herë të parë Serbia përshkruhet publikisht si shtet autokratik,” deklaroi Lazoviq.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se raporti i Komisionit Evropian, i cili konstaton regresin e Serbisë në fushat e lirisë së mediave, demokracisë dhe sundimit të ligjit, përbën një sinjal të qartë se BE-ja po bën një kthesë në politikën e saj ndaj Beogradit. Sipas tyre, ky është raporti më kritik deri më sot, ndërsa ekspertët për integrime evropiane paralajmërojnë se në Serbi po zhvillohet një proces delegjitimimi i pushtetit, si brenda vendit, ashtu edhe në planin ndërkombëtar.

Haradinaj: Kufiri Kosovë-Serbi mbetet vatër tensioni, urgjent zbatim i marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët kufitar

4 November 2025 at 10:31


Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj ka thënë se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet pikë tensioni rajonal.

Përmes një postimi në X, Haradinaj shtoi se kjo po ndodh për shkak që Serbia vazhdon të refuzojë zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Përbashkët të Integruar të Kufirit.

“Marrëveshja për Menaxhim të Integruar të Kufirit (IBM), e ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2011, premtoi krijimin e gjashtë pikave të përbashkëta të kalimit kufitar. Pas 14 vitesh, Serbia ende refuzon ta zbatojë këtë marrëveshje”, ka shkruar Haradinaj.

Ajo ka shtuar se kjo marrëveshje parashikonte hapjen e gjashtë pikave të përbashkëta kufitare dhe thekson se veprimet e Serbisë po nxisin agresione të armatosura, duke minuar rolin e NATO-s (KFOR) dhe sovranitetin e Kosovës.

“Ky pengim nxit pandëshkueshmëri dhe pasiguri rajonale: mjegullon kufijtë, vë në provë vendosmërinë ndërkombëtare dhe normalizon aktet e armatosura të agresionit që minojnë rolin e KFOR-it dhe kërcënojnë sovranitetin e Kosovës”, ka shtuar më tej Haradinaj.

Ajo përmend incidentin e Banjskës (shtator 2023), ku paramilitarë të mbështetur nga Serbia kryen një sulm terrorist, duke vrarë një polic të Kosovës,.

Haradinaj kërkon zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes për Menaxhim të Integruar Kufitar, duke e cilësuar atë si një urgjencë rajonale për të frenuar pasigurinë dhe shkeljet e vazhdueshme të kuadrit të sigurisë pas vitit 1999.

“Serbia shkel vazhdimisht shkel kornizën e sigurisë pas vitit 1999. Në Banjskë (shtator 2023), paramilitarë të mbështetur nga Serbia kryen një sulm terrorist të sponsorizuar nga shteti, ku u vra një zyrtar i Policisë së Kosovës. Ky agresion vazhdon edhe sot në Leposaviq, si pjesë e të njëjtit model të sulmeve hibride dhe të ambicies territoriale të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Zbatimi i marrëveshjes IBM është urgjencë rajonale”, ka theksuar ish-diplomatja. /Telegrafi/


The #Kosovo#Serbia border is 352 kilometres long.

The EU-facilitated Integrated Border Management Agreement (2011) promised six joint crossing points. 14 years later, Serbia still refuses to implement it.

This obstruction fosters impunity and regional insecurity: blurring…
— Meliza Haradinaj (@MelizaHaradinaj) November 3, 2025

Çfarë pritet nga seanca e së dielës e Kuvendit? Osmani deklarohet për opsionet dhe shumë çështje tjera

25 October 2025 at 14:32


E para e shtetit, Vjosa Osmani ka qëndruar në Berlin për konferencën ‘Berlin Global Dialogue’ ku ka prezantuar potencialin e Kosovës për investime.

Osmani gjatë qëndrimit atje, në një intervistë për Deutsche Welle ka folur për shumë çështje, për situatën në Kosovë, pritjet rreth formimit të qeverisë së re, dialogun me Serbinë, etj.

Më poshtë intervista e plotë e saj:

DW: Zonja presidente, mirë se vini në Berlin. Ndodhemi 100 metra larg Portës së Brandenburgut, e cila ka simbol të fortë, sepse lidhet me disa momente historike me shumë rëndësi: E para është triumfi në kohën e Prusisë. Pastaj vjen koha e ndarjes së Gjermanisë edhe pastaj vjen koha e lirisë dhe e paqes. Ku është Kosova ose në cilën prej këtyre fazave jemi në Kosovë?

Vjosa Osmani: Kosova natyrisht është në fazën e lirisë dhe paqes. Do të thoja që sfidat në mbrojtjen e lirisë dhe të paqes nuk ndodhin vetëm njëherë. Dhe kjo vërtetohet sidomos në kontinentin europian, ku sfidat e sigurisë janë të mëdha edhe sot, dhe pas pushtimit rus ndaj Ukrainës, ne e kemi parë që të gjithë, sidomos ne që kemi përjetuar luftë dhe që kemi në fqinjësinë tonë shtete agresore, që mbrojtja e lirisë dhe mbrojtja e paqes janë punë të përditshme, nuk përfundojnë me një triumf. Ato duhet vazhdimisht të mirëmbahen, ato duhet vazhdimisht të ushqehen, duhet vazhdimisht të mbrohen me çdo kusht dhe pavarësisht çmimit të lartë që duhet të paguhet, sepse gjithmonë ka forca, të cilat dëshirojnë t'i minojnë këto arritje, pra lirinë, paqen dhe demokracinë, dhe ne duhet si demokraci që jemi, të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e tyre.

DW: Një prej sfidave që keni përmendur janë edhe provokimet që vijnë nga shtetet e rajonit. Ju Serbinë e keni quajtur si dora e zgjatur e Rusisë. Ka pasur vërtet rreziqe konfliktesh, për të cilat ka folur edhe presidenti Trump, mes Kosovës dhe Serbisë?

Vjosa Osmani: Më mirë të them, mes Serbisë dhe Kosovës. E dini që sikur ta thoja këtë para vitit 2023, ndoshta shumë njerëz nuk do ta merrnin edhe aq seriozisht. Mirëpo pas shtatorit 2023, ku Serbia tentoi një akt agresioni kundër Kosovës, dhe nëpërmjet grupeve terroriste dhe paramilitare të cilët i futi në Kosovë, kishte për qëllim të aneksonte veriun e Kosovës, sipas planeve të Putinit dhe metodave të tij. Tashmë është e qartë që Serbia e ka pikërisht atë qëllim, dhe në arritjen e atij qëllimi Serbia vazhdimisht përdor taktika destabilizuese dhe jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër Bosnjë e Hercegovinës dhe shteteve të tjera në rajon. Pra, është e qartë që Serbia vazhdon të jetë shtet agresor, vazhdon të jetë dorë e zgjatur e Putinit, sepse është qëllim i Rusisë dhe ka qenë tradicionalisht dhe historikisht qëllim i Rusisëqë të destabilizohet Ballkani Perëndimor, si mjet destabilizimi për gjithë kontinentin europian. Nuk është që ato gjëra vetëm po i themi, ato gjëra kanë ndodhur në shtator 2023. Pastaj në nëntor 2024. Po po, akt agresioni ka qenë në Banjskë. Në nëntor 2024 ka pasur sulm në Ibër Lepenc, mirëpo qëllimi ka qenë që të shkatërrohen mjetet jetike nëpërmjet të cilave Republika e Kosovës furnizohet me ujë, me energji elektrike, me ngrohje e të tjera dhe nëpërmjet kësaj të dëshmohet se përdoren edhe metoda hibride të sulmeve ndaj Kosovës, jo vetëm ajo ushtria tradicionale që ne e kemi parë në vitet 90-të. Serbia vazhdimisht i provon këtu. Ka pasur tendenca destabilizimi edhe sivjet në pranverë, me ndihmën e aleatëve tanë i kemi parandaluar. Tani ka shumë që nuk duan të tregojnë publikisht se çfarë ka ngjarë. Unë i kam lexuar raportet e institucioneve tona, e di çfarë ka synuar Serbia, e di çfarë ka synuar.

DW: Por as ju me siguri, nuk jeni e hapur të flisni për këto…

Vjosa Osmani: Po këto janë çështje, të cilat janë të rregulluara me ligj dhe kur informacionet janë të klasifikuara, ne e kemi për detyrë. Natyrisht unë si presidente kam të drejtë të deklasifikoj informacione, mirëpo mendoj që nuk është e drejtë që t'ia vështirësojmë punën institucioneve tona të sigurisë. Ato duhet të vazhdojnë të mbledhin informata, ato duhet të vazhdojnë të jenë të gatshëm që të na informojnë neve si institucione, por edhe aleatët tanë në mënyrë që të parandalojmë çdo tendencë destabilizuese të Serbisë.

DW: Megjithatë, kur jemi tek raportet me Serbinë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, të gjithë kanë kërkuar vazhdimin e dialogut edhe arritjen e një marrëveshjeje. Mendoni se vërtetë është e mundur arritja e marrëveshjes me Serbinë në këtë konstelacion forcash politike?

Vjosa Osmani: Në Kosovë, forcat politike në Kosovë nuk kanë qenë kurrë pengesa për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila fokusohet në njohje të ndërsjellë. Pra, kurrë problemi nuk ka qenë në Kosovë. Pavarësisht cilat forca politike e kanë udhëhequr Kosovën, gjithnjë Kosova gjatë tërë dialogut nga viti 2010 e tutje, kanë qenë shumë konstruktive në procesin e dialogut. Nuk ka qenë Kosova që e ka bllokuar. Forcat politike të Serbisë janë problem. Unë nuk kam shpresa të mëdha. Natyrisht, ka njerëz në Bashkimin Evropian që besojnë se Vuçiqi do të tregohet konstruktiv. Unë nuk kam aspak besim që nga ky njeri mund të pritet konstruktivitet, sepse e ka dëshmuar që është i interesuar për dhunë dhe destabilizim dhe është i interesuar që ta kthejë jo vetëm Kosovën, por ta kthejë gjithë rajonin tonë mbrapa në vitet 90-të.

Natyrisht ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Ama, në qoftë se shihni numrin e marrëveshjeve që Serbia i ka nënshkruar në dialogun e Brukselit, mbi 2/3 nuk i ka zbatuar kurrë. Marrëveshja e fundit, propozimi gjermano-francez, i cili pastaj u bë propozim i Bashkimit Evropian, është ofruar që të nënshkruhet nga Kosova, mirëpo nuk është pranuar nënshkrimi i asaj marrëveshjeje nga Serbia. Pra, këtu dihet qartë se kush po e bllokon procesin. Dhe të kthehemi te pyetja juaj, që SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë që të rikthehemi në dialog. Kosova nuk ka asgjë kundër dialogut. Kosova i përgjigjet çdo thirrjeje për të marrë pjesë në dialog dhe ne jo vetëm që marrim pjesë, por ne dhe i pranojmë marrëveshjet duke mos shkelur sovranitetin e Kosovës, por duhet ditur që ato marrëveshje kanë kompromise në to dhe kanë kosto të lartë politike, megjithatë janë marrëveshje që janë pranuar nga Kosova, por është Serbia ajo që e ka bllokuar procesin gjithnjë.

DW: "I pranojmë marrëveshjet”, thatë ju. E pranoni dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe?

Vjosa Osmani: Marrëveshja e cila quhet propozimi gjermano-francez, që pastaj ka pasur edhe aneksin e "Ohrit”, ndër të tjera parasheh në nenin 7 dhe në nenin 10, edhe një gjë të tillë. Mirëpo si presidente e vendit, në asnjë mënyrë nuk pranoj asnjë Asociacion që jep kompetenca ekzekutive për komunat serbe dhe asnjë Asociacion që do të binte ndesh me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Pakoja e Ahtisarit dhe kushtetuta e Kosovës lejojnë bashkëpunimin ndërmjet komunave. Një bashkëpunim i tillë do të ishte në rregull, ama jo një bashkëpunim që i jep kompetenca ekzekutive një entiteti të ri, i cili del jashtë sistemit tonë kushtetues, sepse ai është i rrezikshëm dhe propozimi aktual, draft-statuti aktual që ishte propozuar nga zoti Lajçak në atë kohë, për fat të keq i përmban disa dispozita të cilat, si vlerësim i imi si presidente e vendit, janë edhe në kundërshtim me kushtetutën, edhe në kundërshtim me akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

DW: Prandaj ju pyeta dhe për dialogun, sepse Kosova është një vend i izoluar për momentin. Ju po i quani masa, dikush i quan ndryshe. Çfarë do të bëni ju për heqjen e izolimit të Kosovës? Sepse dhe Shtetet e Bashkuara e kanë ndërprerë dialogun strategjik, ose më mirë të them, procesin. Si e shihni ju pozitën e sotme diplomatike dhe ndërkombëtare të Kosovës?

Vjosa Osmani: Ky është jo vetëm një konstatim totalisht i gabuar, por është një konstatim që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Dhe për dallim prej konstatimit tuaj që Kosova kinse qenka vend i izoluar, dhe që nuk keni fare argumente për një gjë të tillë, unë kam me mijëra argumente pse Kosova në këto pesë vite ka pasur dyert më të hapura sesa në çdo periudhë tjetër. Ma gjeni një periudhë tjetër ku Kosova është ftuar në secilin forum ndërkombëtar. Unë si presidente dhe udhëheqëse e politikës së jashtme: nuk ka organizim ndërkombëtar ku nuk kam qenë e ftuar për t'i dhënë zë Kosovës dhe për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës, përfshirë edhe në samitin e NATO-s, ku Kosova kurrë në histori nuk ka qenë më parë e ftuar. Në qoftë se ke çdo derë hapur, në qoftë se ke besimin dhe përkushtimin e secilit lider shtetëror, nuk po flas tani për shtete si Rusia dhe armiqtë e Kosovës, po flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po flas për Gjermaninë, po flas për Francën, po flas për shtetet në kontinente të largëta, me të cilat asnjë president tjetër paraprak nuk ka ndërtuar marrëdhënie të afërta, dhe në qoftë se udhëheqësja e politikës së jashtme të Kosovës ka arritur që të jetë e pranishme deri në këtë masë, si mund të quhet Kosova shtet i izoluar?

Sa i përket dialogut strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë edhe në intervistë, që ndërprerja e planifikimit të dialogut strategjik nuk është kundër popullit të Kosovës, dhe njëkohësisht kanë treguar publikisht që do ta vazhdojnë bashkëpunimin me presidenten e Republikës së Kosovës dhe ne këtë partneritet po e vazhdojmë. Në fushën e mbrojtjes, si komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës, jam siguruar që asnjë projekt në fushën e mbrojtjes mos të ndërpritet me Shtetet e Bashkuara dhe po e vazhdojmë në përmasa që nuk ka qenë më herët.

DW: Të kthehemi tek e diela. Çfarë prisni nga seanca e ardhshme e parlamentit të Kosovës? Do të ketë qeveri ditën e diel, apo jo? Dhe cili është qëndrimi juaj ndaj të gjithë procesit që po zhvillohet rreth krijimit të qeverisë?

Vjosa Osmani: Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje. Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s'ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t'i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica.

DW: Pyetja e fundit, zonja presidente, ku e shihni ju Vjosa Osmanin pas prillit?

Vjosa Osmani: Unë nuk mendoj asnjëherë se ku do të jetë Vjosa Osmani. Mendoj gjithmonë vetëm se ku do të mbetet Republika e Kosovës dhe në qoftë se populli i Kosovës dëshiron që unë akoma të jap kontribut për republikën tonë, atëherë do të vazhdoj ta jap atë kontribut. Në qoftë se qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë të më shohin duke dhënë kontribut në politikë, unë gjej mënyra të tjera për të kontribuar për shtetin tim. Me rëndësi është që unë do të vazhdoj të jem në Republikën e Kosovës, duke dhënë kontribut qoftë profesional, qoftë politik.

I mituri serb shoqëroi deri në kufi kundërligjshëm pesë kinezë, dërgohet në mbajtje

22 October 2025 at 09:26


Një person (i mitur, shtetas i Serbisë) është arrestuar pasi i njëjti nga njësitet policore është ndaluar derisa ishte duke përcjellë pesë shtetas kinez në drejtim të RMV-së, të cilët dyshohet se kishin kaluar kundërligjshëm kufirin nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës, për të vazhduar në drejtim të RMV-së.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 20:20 në fshatin Seqishtë, Hani i Elezit.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 24 orës, ndërsa 5 shtetasit kinezë janë kthyer-depërtuar në Serbi.

“Është arrestuar i dyshuari i mitur -shtetas i Serbisë, pasi i njëjti nga njësitet policore është ndaluar derisa ishte duke përcjellë pesë shtetas kinez në drejtim të RMV-së, të cilët dyshohet se kishin kaluar kundërligjshëm kufirin nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës, për të vazhduar në drejtim të RMV-së. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 24-orë, ndërsa 5 shtetasit kinezë janë kthyer-depërtuar në Serbi”, thuhet në raport. /Telegrafi/

“Dialogu ka vdekur”, Mujanoviq: Pa ndryshim qeverie në Beograd, s'ka paqe mes Kosovës dhe Serbisë

9 October 2025 at 08:54


Analisti boshnjak dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Jasmin Mujanoviq, ka deklaruar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar, një situatë që ai konsideron të ketë mbaruar prej kohësh.

Sipas tij, kapitulli përfundimtar i këtij dialogu u shënua nga operacioni paramilitar i Beogradit në Banjskë në vitin 2023.

“Dialogu Kosovë-Serbi ka përfunduar - dhe ka kohë që ka përfunduar. Kapitulli i tij i fundit u shkrua nga operacioni paramilitar i Beogradit në Banjskë. Reagimet e Vuçiqit ndaj blerjes së dronëve Skydagger nga Kosova janë thjesht një pranim i irrituar se situata e sigurisë në terren nuk është më nën kontrollin e tij”, ka shkruar Mujanoviq në “X”.

Ai thekson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në një fazë të re tensioni, të cilën e përshkruan si një “luftë e ftohtë” e pashpallur.

“Çështja Serbi-Kosovë tani është një luftë e ftohtë, në gjithçka përveq emrit. Nuk duhet të presim rifillimin e dialogut diplomatik me kuptim derisa të ketë një ndryshim qeverie në Beograd”, ka shkruar Mujanoviq.

Ky deklaratë vjen pas lajmit se mijëra dronë luftarakë turq “ Skydagger 15” kanë mbërritur në Kosovë, si pjesë e një kontrate me kompaninë turke Baykar, siç njoftoi të mëkruën kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Vuçiq ka kritikuar hapur këtë lëvizje, duke e cilësuar si kërcënim për stabilitetin rajonal.

"Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe ëndërron të rivendosë përsëri Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin,”, ka shkruar Vuçiq. /Telegrafi/


The Kosovo-Serbia “dialogue” is finished, and has been for a long time now. Its final chapter was written by Belgrade’s paramilitary operation in Banjska. Vucic lashing out at Kosovo over its procurement of Skydagger drones is just his petulant acknowledgment that the security…
— Jasmin Mujanović (@JasminMuj) October 8, 2025

❌
❌