Vllaznia fiton dhe kryeson e vetme kampionatin, Tirana mund Egnatian
TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Kategoria Superiore mbylli pasditen e së dielës Javën e 22-të me dy ndeshjet e fundit, ku Vllaznia dhe Tirana dolën triumfuese në transfertat respektive.
Në stadiumin “Niko Dovana”, Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Teutës, duke vijuar momentin pozitiv dhe duke kryesuar tashmë e vetme renditjen me 42 pikë, tre më shumë se Egnatia dhe AF Elbasani. Shkodranët gjetën rrugën e rrjetës që në pjesën e parë dhe më pas administruan avantazhin deri në fund të takimit.
Në “Egnatia Arena”, Tirana arriti një sukses të rëndësishëm 1-0 përballë kampionëve në fuqi të Egnatias. Një fitore me peshë për bardheblutë, që vazhdojnë serinë pozitive dhe ngjiten në vendin e nëntë me 20 pikë, po aq sa Bylisi i vendit të tetë.
Takimet e së shtunës u mbyllën me barazime. Përballja mes Vorës dhe Flamurtarit përfundoi 0-0, në një ndeshje të luftuar dhe të balancuar. Barazim 2-2 u regjistrua edhe në “Arena e Demave” mes Partizanit dhe AF Elbasanit, në një sfidë me ritëm të lartë dhe gola nga të dyja skuadrat.
Pa gola u mbyll edhe takimi mes Dinamo City dhe Bylisit në stadiumin “Air Albania”, ku të dyja ekipet ndanë nga një pikë pas një përballjeje të fortë.
The post Vllaznia fiton dhe kryeson e vetme kampionatin, Tirana mund Egnatian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.