Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 January 2026Main stream

“E pakëndshme, dëshiron të largohet”, presidenti i Barcelonës lëshon akuza të forta ndaj lojtarit rebel

26 January 2026 at 21:36


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për “situatën e pakëndshme” të krijuar pas vendimit të Dro Fernandez për të shtyrë drejt një transferimi te Paris Saint-Germain, duke dhënë një pasqyrë të ashpër të gjithë çështjes.

Dro Fernandez ka kaluar brenda një kohe shumë të shkurtër nga i përkëdhelur në figurë polemike në “Camp Nou”. Pas paraqitjeve premtuese gjatë turneut parasezonal të verës, ku ra në sy të trajnerit Hansi Flick, adoleshenti më pas u përball edhe me kritika publike nga tekniku gjerman.

Flick madje u detyrua ta përdorte Marcus Rashfordin si shembull të dëshirës dhe përkushtimit që, sipas tij, duhet ta ketë çdo lojtar për të përfaqësuar Barcelonën.

Reprezentuesi i Spanjës U-18 i mbushi 18 vjeç vetëm në janar, çka nënkuptonte se ai ishte ende nën kontratë akademie kur u hap afati kalimtar dimëror. Siç zbuloi Laporta, Barcelona kishte planifikuar të arrinte një marrëveshje të re me Fernandez, e cila do të përfshinte edhe një rritje të ndjeshme të klauzolës së lirimit.

Megjithatë, klauzola prej 6 milionë eurosh mbeti e pandryshuar sapo u bë e qartë se lojtari ishte i vendosur të kërkonte një aventurë të re. Pesë paraqitje me ekipin e parë gjatë pesë muajve të parë të sezonit, përfshirë edhe një start në Ligën e Kampionëve, nuk e kishin kënaqur oreksin e tij për minuta.

“Ai na ka njoftuar se nuk do të vazhdojë. Është një situatë e pakëndshme”.

“Do të përpiqemi ta rregullojmë situatën në mënyrën se si ishte menduar fillimisht. Ishte një surprizë. Ne kishim rënë dakord për një zgjidhje tjetër për Dron kur ai të mbushte 18 vjeç dhe, papritur, agjenti i tij na tha se nuk mund ta respektonim marrëveshjen”.

“Do të mundohemi që gjithçka të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme për interesat e Barçës”, ka deklaruar Laporta për “Catalunya Radio”.

Tërheqja e PSG-së është e qartë. Përveç faktit se janë kampionë në fuqi të Evropës, parizienët drejtohen nga Luis Enrique, një trajner që ka vlerësim të madh për talentet e reja, veçanërisht ato katalanase, nga koha e tij në krye të Barcelonës.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa minuta do të gjejë Fernandez në një skuadër ku konkurrenca është e ashpër, me emra si Khvicha Kvaratskhelia, Desire Doue dhe Bradley Barcola./Telegrafi

“As s’kisha kohë te mendoja”, Paulinho zbulon prapaskenat me Lionel Messin para transferimit te Barcelona

26 January 2026 at 20:50


Paulinho mund të ketë luajtur vetëm një sezon me Barcelonën, por edicioni 2017/18 la një gjurmë të fortë te tifozët katalunas.

Mesfushori brazilian ishte një nga befasitë më të mëdha të asaj skuadre, duke ardhur nga Kina dhe duke u shndërruar shpejt në një figurë të rëndësishme.

Në një intervistë të fundit, Paulinho ka zbuluar historinë e pazakontë të transferimit të tij, duke treguar se për herë të parë për interesimin e Barcelonës mësoi drejtpërdrejt nga Lionel Messi.

“Messi më erdhi pranë. Po luanim një miqësore kundër Argjentinës në Australi. Arbitri sapo kishte fishkëllyer për faull dhe unë isha pranë topit me Willianin”.

“Papritur, Leo u afrua, më shikoi drejt në sy dhe më tha: ‘Pra, po vijmë në Barcelonë apo jo?’. Kaq. Pa asnjë shpjegim. U kthye dhe u largua. As nuk pata kohë të mendoja”.

Paulinho pranon se mbeti i shokuar nga ajo që ndodhi në fushë.

“Unë thjesht i thashë: ‘Nëse doni të më merrni, unë vij!’. Në atë kohë luaja në Superligën Kineze me Guangzhou Evergrande dhe askush nuk do ta besonte se Barcelona ishte e interesuar për mua”.

Pas ndeshjes, ai u përpoq të kuptonte nëse bëhej fjalë për diçka reale.

“Pas lojës, e telefonova agjentin tim dhe i thashë: ‘Shef, për hir të Zotit, po çmendem! Më thuaj nëse kjo është e vërtetë apo jo!’. Madje mendova t’i shkruaja edhe Neymarit për të parë nëse dinte ndonjë gjë.”

“Agjenti më telefonoi dhe më tha: ‘Marrëveshja është mbyllur. Duhet të vish në Barcelonë për të firmosur dokumentet’”.

Paulinho u transferua nga Kina dhe la një përshtypje shumë pozitive, duke shënuar 10 gola dhe duke dhuruar 6 asistime në 34 paraqitje, një kontribut i rëndësishëm në një sezon që tifozët e Barcelonës ende e kujtojnë me simpati./Telegrafi

Kylian Mbappe favorit i madh për ta fituar më në fund Topin e Artë

26 January 2026 at 20:15


Kylian Mbappe po mbështetet gjerësisht që më në fund ta fitojë Topin e Artë në vitin 2026, pas shumë vitesh ku ka qenë shumë pranë lavdisë individuale në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Ylli francez pushtoi botën në vitin 2018 me Francën, ndërsa në finalen e Kupës së Botës 2022 realizoi një het-trik historik, por në fund mbeti i zhgënjyer pas humbjes ndaj Argjentinës së Lionel Messit.

Ish-reprezentuesi i Francës, Bacary Sagna, nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e Mbappes dhe beson se ky është momenti i tij i madh.

“Ai do ta fitojë. Mendoj se ky është sezoni i duhur që ai ta fitojë Topin e Artë”.

“Mendoj se Kupa e Botës do të jetë shumë e mirë për të me kombëtaren e Francës. Gjithashtu besoj se ai do të ketë një ecuri shumë të fortë në Ligën e Kampionëve me Real Madridin”.

Sipas tij, sulmuesi tashmë është një hap përpara rivalëve të tij.

“Ai është tashmë në avantazh sepse po luan shumë mirë dhe është në pozicionin e parë. Përveç nëse ka një Kupë Bote shumë të dobët, gjë që nuk e besoj, mendoj se ai do ta fitojë Topin e Artë.”

Edhe një tjetër ish-lojtar i Francës, Frank Leboeuf, shpreson që ylli i Real Madridit më në fund të shpërblehet për nivelin e tij të jashtëzakonshëm.

“Unë vërtet dua që Mbappe ta fitojë Topin e Artë, sepse ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”.

Mbappe vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të futbollit botëror dhe viti 2026 shihet nga shumëkush si momenti ideal që ai ta kurorëzojë karrierën e tij me çmimin individual më prestigjioz./Telegrafi

“Ishte vendimi i duhur”, Ismet Lushaku ndërprenë kontratën me klubin suedez

26 January 2026 at 19:44


Mesfushori Ismet Lushaku ka ndërprerë kontratën me klubin IFK Norrkoping.

Ylli i Kosovës nuk ka zhvilluar shumë minuta këtë edicion, kësisoj ka vendosur që ta ndërpresë bashkëpunimin dhe të kërkojë një klub të ri.

Për faqen zyrtare të klubit, Lushaku i uroi suksese suedezëve duke mos dhënë shumë detaje për arsyet e largimit.

“Shumë faleminderit për kohën time në klub. Ka qenë nder dhe krenari për ta përfaqësuar IFK Noorkoping dhe ta mbaja yllin në gjoks. I uroj më të mirën në të ardhmen”.

Ismet Lushaku

Ndërsa, drejtori sportiv Henrik Jurelius theksoi se ka qenë vendimi më i mirë për të dy palët.

“Kemi pasur një dialog të mirë dhe jemi pajtuar se ka qenë më e mira për të dy palët në këtë periudhë të shkurtër. I uroj më të mira Ismetit”, deklaroi ai.

25-vjeçari për klubin kishte zhvilluar 43 paraqitje para se ta humbë pozitën e titullarit.

Kujtojmë, Lushaku ka dy paraqitje për Kosovën, ato në ndeshje miqësore, ku së fundmi veshi fanellën dardane ndaj Ishujve Komore./Telegrafi

Pas 12 vitesh dhimbje, një rreze drite për Michael Schumacherin

26 January 2026 at 19:18


Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher i cili u lëndua rëndë në një aksident tronditës gjatë skijimit para 12 vitesh, raportohet se nuk është më i shtrirë në shtrat.

Sipas “Daily Mail”, rikuperimi i ngadalshëm i ish-kampionit gjerman 57-vjeçar ka mbetur për vite me radhë një sekret i ruajtur me fanatizëm, i njohur vetëm për familjen e ngushtë dhe një rreth shumë të kufizuar miqsh të besuar.

Raporti shton se Schumacheri është në gjendje të ulet në një karrocë dhe mund të shëtitet brenda pronës së tij luksoze prej 30 milionë funtesh në Mallorca, si dhe në rezidencën e tij prej 50 milionë funtesh në Gland, pranë brigjeve të Liqenit të Gjenevës.

Ai kujdeset vazhdimisht nga bashkëshortja e tij Corinna, me të cilën është i martuar prej 30 vitesh, si dhe nga një ekip infermierësh dhe terapistësh që e monitorojnë 24 orë në ditë. Ky kujdes i specializuar, sipas raportimeve, kushton dhjetëra mijëra funte në javë.

Privatësia e Schumacherit konsiderohet absolute. Që nga momenti kur pësoi dëmtime të rënda në tru pasi u përplas me shkëmbinj pranë resortit francez të Meribel, ai është mbajtur larg syrit të publikut.

Përpjekjet e disa ish-punonjësve për të shitur fotografi të tij në gjendje të rëndë çuan në dënimin e tyre vitin e kaluar. Ndërkohë, raportimet se ai do të merrte pjesë në martesën e vajzës së tij Gina në vitin 2024 rezultuan të pabazuara.

Për një kohë të gjatë qarkulluan edhe thashetheme se njeriu i cilësuar si sportisti i parë miliarder në botë vuante nga pseudokoma apo sindroma “locked-in”, një gjendje ku pacientët janë të vetëdijshëm, por nuk janë në gjendje të reagojnë, përveçse përmes lëvizjes së syve. Megjithatë, disa burime kanë konfirmuar se edhe kjo tablo e zymtë nuk është e saktë.

“Ndjesia është se ai kupton disa nga gjërat që ndodhin rreth tij, por ndoshta jo të gjitha”, ka thënë një burim pranë familjes.

Gjendja e Michael Schumacherit vazhdon të mbetet një temë jashtëzakonisht delikate, ndërsa familja e tij vazhdon ta mbrojë me çdo kusht dinjitetin dhe privatësinë e një prej figurave më të mëdha në historinë e sportit motorik./Telegrafi

Talenti 17-vjeçar refuzon Liverpoolin dhe Man United, zgjedh Chelsean

26 January 2026 at 18:50


Chelsea ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të majtë adoleshent Yisa Alao, duke fituar garën ndaj Liverpoolit dhe Manchester United për nënshkrimin e 17-vjeçarit shumë të vlerësuar.

“Blutë” kanë njoftuar se Alao ka firmosur një kontratë dyvjeçare e gjysmë, pasi arritën ta bindin Sheffield Wednesday me një ofertë që klubet rivale nuk e barazuan dot.

Fillimisht, Liverpooli dhe Manchester United konsideroheshin favoritë për talentin e ri, por Chelsea ndërhyri fuqishëm në negociata dhe siguroi shërbimet e tij.

Klubi londinez, nën drejtimin e Liam Rosenior, publikoi një deklaratë të shkurtër për ardhjen e Alao, duke përmendur vetëm faktet bazë rreth shpërthimit të tij këtë sezon me Sheffield Wednesday. Ndërkohë, klubi nga Hillsborough dha një lamtumirë shumë më emocionale për lojtarin që kishte qenë pjesë e tyre për më shumë se një dekadë.

“Chelsea i ka paraqitur atij një mundësi të shkëlqyer dhe, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, Yisa ka zgjedhur të bëjë hapin e radhës në karrierën e tij”.

“Udhëtimi i Yisa-s është një moment krenarie për të gjithë të përfshirët në Akademinë e SWFC-së, nga trajnerët dhe stafi te familjet që mbështesin çdo ditë lojtarët e rinj. Përparimi i tij tregon fuqinë e rrugës zhvillimore te Sheffield Wednesday dhe aftësinë e saj për t’i ndihmuar talentet të arrijnë nivelet më të larta të lojës”.

“Do të donim ta falënderonim Yisa-n për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës së tij në Hillsborough dhe t’i urojmë çdo sukses në kapitullin e ardhshëm të karrierës”.

Alao është ende në fazat e para të rrugëtimit të tij profesional, me vetëm pesë paraqitje në nivel senior. Megjithatë, talenti i tij ka qenë i mjaftueshëm që Chelsea të veprojë shpejt, sidomos në një moment kur rrethanat financiare të Sheffield Wednesday e bënë transferimin të mundshëm.

Klubi anglez ndodhet në një krizë të thellë financiare. Futja në administrim në muajin tetor i dha fund pronësisë së debatueshme të Dejphon Chansiri-t dhe e hapi klubin ndaj ofertave të ndryshme. Sheffield Wednesday është ngulur në fund të Championshipit me minus shtatë pikë, pasi gjatë sezonit iu zbritën gjithsej 18 pikë./Telegrafi

Cole Palmer e shtang Chelsean, preferon transferimin te rivali anglez

26 January 2026 at 18:22


Anësori i Chelseat, Cole Palmer do të ishte i hapur për një lëvizje befasuese drejt Manchester United, sipas raportimeve të Samuel Luckhurst.

23-vjeçari u transferua nga Manchester City te Chelsea në shtator të vitit 2023 për 42.5 milionë funte, por deri tani ka hasur vështirësi për t’u ambientuar në Londër. Situata e tij te “Blutë” nuk ka shkuar sipas pritshmërive, çka ka hapur derën për spekulime rreth të ardhmes.

Raportohet se Palmer do ta mirëpriste një rikthim te klubi i fëmijërisë së tij, Manchester United, ndërsa ka përjashtuar mundësinë e një kthimi te Manchester City nën drejtimin e Pep Guardiolës.

Edhe pse sezonin e kaluar nënshkroi një kontratë të përmirësuar me Chelsean, e vlefshme deri në vitin 2033, Palmer ka qenë i kufizuar nga lëndimet këtë edicion. Ai ka nisur vetëm 11 ndeshje, kryesisht për shkak të problemeve në ijë si dhe mungoi edhe në fitoren 3-1 ndaj Crystal Palace më 25 janar.

Palmer ka lidhje të forta me vendlindjen e tij, Wythenshawe, ku shpesh kthehet për të vizituar familjen dhe miqtë, faktor që mund të ndikojë në dëshirën e tij për t’u rikthyer në Manchester.

Një rol të rëndësishëm në një transferim të mundshëm mund ta luajë edhe drejtori sportiv i Manchester United, Jason Wilcox, i cili kishte mbikëqyrur zhvillimin e Palmerit gjatë kohës sa ishte përgjegjës i akademisë së Manchester Cityt.

Nëse interesimi konkretizohet, ky do të ishte një nga transferimet më befasuese mes rivalëve të Liga Premier./Telegrafi

Liverpooli dhe Tottenhami në “luftë” për 100 milonëshin e Real Madridit

26 January 2026 at 17:28


Liverpooli dhe Tottenham Hotspur po kërkojnë të forcojnë mesfushën dhe tashmë kanë vënë në shënjestër një nga emrat më të mëdhenj të futbollit evropian.

Të dy klubet po kalojnë një periudhë zhgënjyese. Liverpooli ka pësuar një goditje serioze në garën për Top 4 në Liga Premier pas humbjes ndaj Bournemouthit, ndërsa Tottenham po has vështirësi të vazhdueshme për të fituar ndeshje.

Në këtë kontekst, të dyja skuadrat janë të gatshme të mbështesin trajnerët e tyre me përforcime të mëdha. Sipas raportimit të “Fichajes”, mesfushori i Real Madridit, Aurelien Tchouameni, është shndërruar në objektiv konkret për klubet e Ligës Premier.

Raporti thekson se si Liverpooli ashtu edhe Tottenham Hotspur janë të gatshëm të shkojnë deri në 100 milionë euro për ta bindur Real Madridin të heqë dorë nga reprezentuesi francez.

Brenda Real Madridit, megjithatë, ky interes nuk ka ardhur si surprizë. Gjatë vitit të fundit, Tchouameni është konsoliduar si një figurë kyçe në skuadër dhe ka fituar besimin e plotë të stafit teknik.

Për Liverpoolin, përforcimi i mesfushës mbetet prioritet absolut. Klubi po kërkon një profil afatgjatë, të aftë të kontrollojë lojën dhe të diktojë ritmin, rol që Tchouameni e përmbush në mënyrë ideale.

Nga ana tjetër, edhe Tottenham beson se ky është momenti i duhur për një transferim deklarativ. Në Londër mendojnë se mesfushori i Real Madridit mund ta çojë skuadrën në një nivel më të lartë konkurrues.

Në Madrid, megjithatë, mesazhi është i qartë. Zhvillimi i Tchouamenit konsiderohet ende në proces dhe figura të rëndësishme të klubit, përfshirë Alvaro Arbeloa, e vlerësojnë shumë, duke besuar se vitet e tij më të mira janë ende përpara.

Pavarësisht zhurmës që po krijojnë shifrat prej 100 milionë eurosh, qëndrimi i Real Madridit nuk ka ndryshuar. Përveç ndonjë kthese të papritur, klubi mbretëror po përgatitet ta mbajë mesfushorin francez në “Santiago Bernabeu”./Telegrafi

Rion Zejnullahu kalon te Cluji nga Llapi

26 January 2026 at 17:09


Mesfushori Rion Zejnullahu i është bashkuar skuadrës rumune CFR Cluj nga klubi futbollistik Llapi.

Zejnullahu kaloi një periudhë të shkurtër te skuadra kosovare, ndërsa tani i është bashkuar Clujit – aty ku kishte luajtur edhe në të kaluarën.

Cluji përmes një komunikate zyrtare e ka prezantuar mesfushorin, i cili do të bëhet bashkëlojtar me Meriton Korenicën.

“Mirë se rikthehesh Rion Zejnullahu. 22-vjeçari rikthehet në Gruia pas një periudhë te klubi i Kosovës, Llapi”.

“I urojmë më të mirat dhe shumë arritje së bashku te Cluji”, njofton klubi rumun.

Cluji përndryshe këtë edicion po luftojë që të ngjitët në pjesën e epërme të tabelës, ku aktualisht zë pozitën e nëntë me 32 pikë, katër më pak se Otelul që ka vendin e gjashtë./Telegrafi

Chelsea e aktivizoi klauzolën e rikthimit, ylli argjentinas mes lotësh përshëndetet me bashkëlojtarët

26 January 2026 at 16:47


Mbrojtësi Aaron Anselmino s’ka mundur t’i mbajë lotët kur u përshëndetet me bashkëlojtarët e Borussia Dortmundit, pasi Chelsea vendosi ta rikthejë më herët se sa planifikohet në skuadër.

Anselmino shkëlqeu që kur iu bashkua skuadrës gjermane, kësisoj Chelsea e aktivizojë një klauzolë në kontratë, e cila e rikthente lojtarin në “Stamford Bridge” qysh këtë muaj.

Rikthimi ishte i papritur për të gjitha palët, me argjentinasin që ka mbetur tepër i emocionuar kur u përshëndet me bashkëlojtarët e Dortmundit, me të cilët bashkëpunoi që gjashtë muaj.

Gazetari Fabrizio Romano ka publikuar momentin emocional, ku lojtarët e falënderojnë dhe i urojnë suksese.

Aaron Anselmino leaves Borussia Dortmund and returns to Chelsea. 🔵🔙 pic.twitter.com/lBPmWkYFby
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 26, 2026

Ndërkohë, Anselmino pritet që gjatë javës t’i bashkohet Chelseas dhe mund të jetë gati qysh në vikend për përballjen e radhës në Ligën Premier.

Këtë edicion futbollisti zhvilloi 10 paraqitje për Dortmundin, ku kontribuoi me një gol e një asistim. Vlen të ceket se ai ishte edhe pak i pafat, ku humbi 10 ndeshje si pasojë e lëndimit./Telegrafi

Kërkohet në Ligën Premier, Bayerni nis negociatat për ta "blinduar" yllin e skuadrës

26 January 2026 at 16:16


Bayern Munichu ka nisur negociatat për rinovimin e kontratës së qendërsulmuesit Harry Kane.

Anglezi ka qenë lojtari më i mirë që kur iu bashkua “Bavarezzëve”, megjithatë gjithnjë është kërkuar në Ligën Premier, ku thuhet se Manchester Unitedi po e ëndërron afrimin e këtij të fundit.

Sidoqoftë, Bayerni ka vendosur ta “blindojë” Kane për të mos i lënë hapësirë që të largohet.

Drejtori i gjigantit gjerman Max Eberl ka konfirmuar se negociatat kanë nisur dhe dëshira e klubit është ta vazhdojë sa më parë bashkëpunimin edhe për disa vite.

“Jemi në bisedime me Harry”, deklaroi shkurtimisht ai.

🚨💣 BREAKING | FC Bayern have officially opened talks with Harry #Kane over a new contract until 2028 or 2029.

Max Eberl confirms: “We are in talks with Harry.”

Kane is more than willing to extend as revealed. No thoughts of a move. He loves the club, the fans and the city.… pic.twitter.com/p6vlQPrN28
— Florian Plettenberg (@Plettigoal) January 26, 2026

Ndërkohë, Man Utd thuhet se ishte gati të ofronte mbi 80 milionë euro për të siguruar shërbimet e lojtarit. Mbetet të shihet nëse Kane do të bindet nga oferta e gjigantit gjerman apo do ta kërkojë rikthimin në kampionatin anglez./Telegrafi/

Eden Hazard përmend tri kushtet që Kylian Mbappe duhet t’i plotësojë për ta fituar Topin e Artë

25 January 2026 at 23:21


Pas dy golave të shënuar të shtunën mbrëma ndaj Villarrealit, Kylian Mbappe duket gjithnjë e më i favorizuar për të fituar Topin e Artë 2026. Të paktën kështu beson Eden Hazard.

Në këtë sezon, sulmuesi i Real Madridit ka regjistruar tashmë 11 gola në Ligën e Kampionëve dhe 21 gola në La Liga, shifra që e vendosin kapitenin e përfaqësueses franceze në rrugën e një sezoni historik, potencialisht më të mirin e karrierës së tij.

Forma e jashtëzakonshme individuale e bën Mbappen një nga kandidatët kryesorë për çmimin më prestigjioz individual në futboll.

Megjithatë, për të kurorëzuar këtë objektiv, ylli i “Los Blancos” do të duhet edhe sukses në aspektin kolektiv. Në një vit Kupe Bote, trofetë me klubin dhe një paraqitje e fortë me Francën do të jenë vendimtare.

I pyetur nga “Telefoot”, Eden Hazard u shpreh i bindur se ish-sulmuesi i PSG-së ka gjithçka që i nevojitet për ta fituar Topin e Artë.

“Që në fillim të sezonit, ai e ka vendosur shiritin shumë lart. A mund ta fitojë Mbappe Topin e Artë? Mendoj se po. Do t’i duhet të fitojë Ligën e Kampionëve, La Liga-n dhe të shkojë larg në Kupën e Botës. Por nuk kam asnjë dyshim për të: Topin e Artë, ai do ta fitojë”, deklaroi ish-reprezentuesi belg.

Me ritmin aktual dhe rolin vendimtar që po luan si te Real Madridi ashtu edhe te Franca, Mbappe duket gjithnjë e më pranë një sezoni që mund ta çojë në majën absolute të futbollit botëror./Telegrafi

Yesterday — 25 January 2026Main stream

Nuk ka fitues në “Olimpico”, Roma dhe Milani pajtohen me nga një pikë

25 January 2026 at 22:39


Roma dhe AC Milani kanë ndarë pikët në derbin italian të xhiros së 22-të në Serie A.

“Romakët” ishin më të mirë në periudhën më të madhe të kohës, por që epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1-1.

Roma e nisi fuqishëm duke krijuar dy raste të shpejta përmes Donyell Malen, mirëpo dështoi t’i finalizojë.

Rast të mirë kishte edhe Zeki Celik, sidoqoftë heroi i Milanit ishte Mike Maignan me një pritje madhështore.

Kur Roma po sulmonte, AC Milan zhvilloi një kundërsulm fantastik me mbrojtësin Koni de Winter që shënoi me kokë pas harkimit të Luka Modricit (62’).

Sidoqoftë, Roma u këndell shpejtë pasi Davide Bartesaghi preku topin me dorë brenda zonës, kësisoj gjyqtari akordoi penallti. Nga 11-metërshi i pagabueshëm ishte Lorenzo Pellegrini (74’).

AC Milani me këtë barazim qëndron në pozitën e dytë me 47 pikë, katër mbi Romën që zë pozitën e tretë./Telegrafi/

Liverpooli i jep përgjigje Tottenhamit për Andrew Robertsonin

25 January 2026 at 22:16


Mbrojtësi Andrew Robertson pritet të mbetet te Liverpooli, pasi klubi nga “Anfield” i ka bërë të qartë Tottenham Hotspurit se largimi i tij nuk mund të merret në konsideratë për momentin.

Pavarësisht bisedimeve të zhvilluara javën e kaluar mes dy skuadrave të Liga Premier, Liverpooli ka vendosur të tërhiqet nga çdo marrëveshje e mundshme për kapitenin e Skocisë.

Tottenham ishte i gatshëm të paguante një paketë rreth 5 milionë funte për Robertsonin, kontrata e të cilit skadon në verë, me trajnerin Thomas Frank që kërkonte më shumë lidership dhe përvojë në skuadrën e tij.

Liverpooli ka pasur parasysh kontributin e jashtëzakonshëm të Robertsonit gjatë tetë viteve e gjysmë te klubi, që nga transferimi i tij nga Hull City në verën e vitit 2017 për vetëm 8.5 milionë funte, si dhe faktin që e ardhmja e tij pas përfundimit të sezonit mbetet ende e paqartë. Megjithatë, pas shqyrtimit të ofertës dhe alternativave të tjera në atë pozitë, drejtuesit e klubit kanë vendosur të mos ecin përpara me marrëveshjen.

Robertson, i cili mbush 32 vjeç në mars, u aktivizua si zëvendësim në fillim të pjesës së dytë për mbrojtësin e majtë titullar Milos Kerkez në humbjen 3-2 ndaj Bournemouthit në fundjavë, rezultat që bëri që Liverpooli të dalë nga katërshja e parë e Liga Premier pas ndeshjeve të së dielës.

Skocezi nuk ka ushtruar presion për një transferim në Londër dhe do të vazhdojë të ketë rol në pjesën e mbetur të sezonit, teksa Liverpooli synon përmirësim të rezultateve në kampionat. “Të kuqtë” vazhdojnë garën në Ligën e Kampionëve dhe në FA Cup.

Trajneri Arne Slot e ka bërë të qartë dëshirën e tij për të mbajtur të gjithë lojtarët, edhe pas humbjes së vonshme ndaj Bournemouthit, që ishte disfata e shtatë e sezonit.

“Dua t’i mbaj të gjithë lojtarët e mi”, kishte deklaruar Slot.

Liverpooli kishte shqyrtuar mundësinë e rikthimit të Kostas Tsimikas nga huazimi te Roma, por klubi italian nuk ishte i gatshëm ta lejonte largimin e tij./Telegrafi

Ylli e fiton me mund derbin ndaj Vëllaznimin

25 January 2026 at 21:40


Golden Eagle Ylli e ka fituar një ndeshje jashtëzakonisht të vështirë ndaj Vëllaznimit, e cila u vendos vetëm në sekondat e fundit në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Skuadra vendase triumfoi me rezultat 90:85, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për pozitat e mesme të tabelës.

Pjesa e parë i takoi mysafirëve nga Gjakova, të cilët u treguan më konkretë dhe shkuan në pushim me epërsi prej gjashtë pikësh, 46:40. Vëllaznimi e fitoi çerekun e parë me rezultat minimal 22:21, ndërsa në të dytin ishte më bindës, 24:19.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pauzës. Golden Eagle Ylli realizoi një rikthim të madh në çerekun e tretë, të cilin e fitoi bindshëm 30:15, duke marrë epërsinë dhe kontrollin e ndeshjes. Perioda e fundit i takoi Vëllaznimit (25:20), por përpjekjet e “kuqezinjve” nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

Kjo ishte disfata e 12-të sezonale për Vëllaznimin, i cili numëron edhe pesë fitore, duke mbetur, së bashku me Rahovecin 029, në dy pozitat e fundit të tabelës. Në anën tjetër, Golden Eagle Ylli barazohet me pikë me Sigal Prishtinën, me nga 25 pikë gjithsej, pas tetë fitoreve dhe nëntë humbjeve.

Individ më i dalluar te skuadra suharekase ishte Scott Bamforth, i cili e mbylli ndeshjen me 25 pikë, katër asistime dhe tri kërcime. Te Vëllaznimi u veçua sërish Jericole Hellems, autor i 22 pikëve, shtatë kërcimeve dhe dy asistimeve.

Vlen të theksohet se si Golden Eagle Ylli ashtu edhe Vëllaznimi janë eliminuar më herët nga Kupa e Kosovës në basketboll./Telegrafi

“E marr përgjegjësinë për gjithçka”, Mikel Arteta reagon pas humbjes nga Man Unitedi

25 January 2026 at 20:47


Trajneri Mikel Arteta ka marrë mbi vete përgjegjësinë e plotë për humbjen 3-2 të Arsenalit ndaj Manchester United në “Emirates Stadium”, disfata e parë në shtëpi për “Topçinjtë” në sezonin 2025/26 të Ligës Premier.

Trajneri spanjoll nuk kërkoi justifikime pas ndeshjes dhe theksoi se përgjegjësia bie mbi të, ndërsa përgëzoi kundërshtarin për paraqitjen dhe rikthimin e tyre.

“Ne e pranojmë humbjen. I përgëzojmë kundërshtarët. Vazhdojmë përpara. Duhet t’ua kujtojmë lojtarëve sa të mirë që janë. Unë e marr përgjegjësinë për gjithçka!”.

Pas ndeshjes, Arteta vuri theksin te nevoja për unitet dhe mbështetje ndaj lojtarëve në një moment të vështirë, duke kërkuar që skuadra të qëndrojë e bashkuar.

“Kur humbasim, atëherë duhet të tregojmë bashkimin, unitetin. Është një humbje shumë e dhimbshme, por tani është koha të jemi pranë lojtarëve që na japin kaq shumë gëzim. Është koha të jemi shumë, shumë afër tyre dhe t’i mbështesim – ne duam të fitojmë!”

Pavarësisht këtij hapi fals, Arteta mbetet i bindur se reagimi i Arsenalit do të vijë përmes solidaritetit dhe besimit te grupi, teksa gara në Ligën Premier sapo ka hyrë në fazën më intensive të saj./Telegrafi

Meriton Korenica dhuron shfaqje ndaj FCSB, shënon parabolë të bukur

25 January 2026 at 19:57


Sulmuesi Meriton Korenica ka shënuar një gol të bukur për ta përmbysur epërsinë në derbin ndaj FCSB.

Ylli i Kosovës që po lidhet me kalimin te DC United shënoi golin e dytë pas një kundëraksioni të shpejtë.

Korenica mori një pasim të gjatë ndaj Illie, ku me një parabolë të bukur e la të shtangur portierin vendas (44’).

Për më shumë shikoni golin:

Ndërkohë, ende nuk dihet nëse DC United do të ofrojë mbi 4 milionë euro për shërbimet e lojtarit kosovar, vlerë që e kërkon Cluji për ta liruar para se të mbyllet ky afat kalimtar dimëror./Telegrafi

Paraqitje magjike e Xherdan Shaqirit në Zvicër: Het-trik dhe asist për ta mposhtur Zurichun

25 January 2026 at 18:46


Xherdan Shaqiri ka qenë ylli kryesor i Baselit në fitoren e vështirë në udhëtim te Zurichu.

Basel triumfoi me rezultat 3-4, duke arritur të kthehet dy herë nga disavantazhi, ku protagonisti kryesor ishte ylli gjilanas, me një het-trik si dhe një asistim.

Zurichu kaloi herët në epërsi përmes Phaeton, që mori një asistim të bukur nga Bledian Krasniqi (1’).

Sidoqoftë, pas një kundëraksioni, Shaqiri përfitoi nga asistimi i Otele për të barazuar rezultatin (11’).

Zurichu e riktheu epërsinë falë Keny që ishte i saktë nga pika e bardhë (43’), por gjashtë minuta më vonë – Shaqa doli sërish në skenë, këtë herë me një parabolë mahnitëse e la të shtangur portierin (45+3’).

Shaqiri pastaj dhuroi një asistim maestral te Otele, i cili shënoi për ta përmbysur epërsinë (51’).

Zurichu s’u dorëzua dhe barazoi rezultatin falë Reverson (64’), mirëpo në minutën e fundit të takimit Shaqiri shënoi sërish për ta kompletuar het-trikun dhe vulosi fitoren e Baselit (90+4’).

Kësisoj, “SofaScore” i dha notën më të lartë të mundshme, plot 10.0.

Baseli renditet në pozitën e katërt me 36 pikë ndërsa Zurichu zë pozitën e tetë me 25 sosh. Shaqa ndërkohë shkon në kuotën e nëntë golave, vetëm tre më pak se top golashënuesi i Young Boys Bedia./Telegrafi/

Barcelona fiton lehtësisht ndaj Oviedos dhe rimerr kreun e La Liga-s

25 January 2026 at 18:13


Barcelona ka shënuar fitore komode në shtëpi ndaj Oviedos, në kuadër të xhiros së 21-të në La Liga.

Skuadra katalunase triumfoi me rezultat 3-0, sfidë ku ishin larg më të mirë.

Mysafirët kishin dy raste të mira përmes Hassan dhe Chaira, megjithatë asnjëri nuk i konkretizuan me Joan Garcian që bëri super pritje.

Ishte Dani Olmo që përfitoi nga një gabim në mbrojtje për të zhbllokuar rezultatin (52’).

Vetëm pesë minuta më vonë, mysafirët bënë një tjetër gabim amator, ku këtë herë përfitoi Raphinha i cili me një parabolë e dyfishoi epërsinë (57’).

Fitoren pastaj e vulosi Lamine Yamal me një supergol gërshërë pas asistimit të Dani Olmos (73’).

Barcelona kësisoj rikthehet si lider me 52 pikë, një mbi Real Madridin kurse Oviedo qëndron në fund me 13 sosh./Telegrafi

Konfirmohet nga drejtori: En Nesyri refuzon përfundimisht Juventusin

25 January 2026 at 17:49


Sulmuesi Youssef En Nesyri e ka refuzuar përfundimisht kalimin te Juventusi në formë huazimi, këtë e ka konfirmuar drejtori i skuadrës italiane Giorgio Chiellini.

Juventusi kishte arritur marrëveshje me Fenerbahcen për huazimin e En Nesyri për pjesën e mbetur të sezonit, megjithatë lojtari ka kërkuar që transferimi të jetë i përhershëm.

Chiellini ka konfirmuar se “Bianconerët” nuk do ta blejnë lojtarin direkt prandaj marrëveshja ka dështuar.

“En Nesyri ka dyshime rreth marrëveshjes së huazimit dhe tani i shohim këto s’i negociatat të përfunduara. Ne nuk do ta transferojmë En Nesyri në marrëveshje të përhershme”, deklaroi ai.

🚨⚠️ Breaking: Youssef En Nesyri to Juventus deal, currently OFF. ❌

“En Nesyri has doubts over deal formula [loan] and now after assessing this case we consider the negotiations OVER. We will NOT sign En Nesyri on permanent deal”, says Director of Football Giorgio Chiellini. pic.twitter.com/nWEFiIzFn5
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 25, 2026

Ndërkohë, En Nesyri pritet të largohet nga Fenerbahce me Sevillën si opsion konkret.

Mbetet të shihet nëse Juventusi do të kërkojë ndonjë sulmues tjetër, ku ndër opsionet është edhe Fisnik Asllani i Hoffenheimit./Telegrafi/

❌
❌