Gonxhja me homologun në Madrid: Interes i shtuar i tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare
TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë qëndrimit në Madrid, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, zhvilloi takim me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës, Jordi Hereu i Boher.
Gonxhja tha se në fokus të takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe modeleve të suksesshme në sektorin turistik.
“Diskutuam mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë turizmin e qëndrueshëm, promovimin e destinacioneve kulturore, diversifikimin e ofertës turistike dhe zgjatjen e sezonit”, u shpreh ministri.
Ministri Gonxhja dhe homologu i tij spanjoll theksuan potencialin në rritje të Shqipërisë si destinacion turistik, si dhe interesin e shtuar të tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare. Po ashtu, gjatë takimit u vlerësua rëndësia e partneriteteve institucionale dhe të biznesit për nxitjen e investimeve dhe bashkëpunimit afatgjatë.
Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e përbashkët për thellimin e dialogut dypalësh, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve turistike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Spanjës dhe promovimin e vendit si destinacion gjithëvjetor të turizmit ndërkombëtar.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në intensifikimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit turistik shqiptar, duke u mbështetur në praktikat më të mira evropiane dhe standardet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Fitur në Madrid, Spanjë është tashmë një traditë e konsoliduar.
Në këtë edicion të panairit Shqipëria prezantohet me moton “Albania All Senses”, duke promovuar destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.
e.xh/j.p/
The post Gonxhja me homologun në Madrid: Interes i shtuar i tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.