Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Bardhi: Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin

25 January 2026 at 09:50

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një reagim për mediet u shpreh se në asnjë vend të Europës kryeministri nuk mbron korrupsionin.

Duke iu referuar reagimit të kryeministrit Edi Rama, të publikuar mëngjesin e së dielës mbi protestën e opozitës, ku ai theksoi se në asnjë vend të Europës dhuna nuk është pjesë e programit të një partie politike, Bardhi nënvizon se “askund në Europë, kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit”.

“Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

“Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe u përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët”, vijon reagimi.

Sipas Bardhit, “askund në Europë kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur”.

“Askund në Europë një kryeministër nuk paracakton tenderat. Askund në Europë një kryeministër nuk cakton një koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama me Ergys Agasin. Askund në Europë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë. Askund në Europë kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë”.

“Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama, sepse vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave. As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më.

Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar”, përfundon Bardhi.

Foto e publikuar nga Kreu i grupit parlamenbtar te PD, Gazment Bardhi

 

The post Bardhi: Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

46 vjet nga nderimi i Shën Terezës me çmimin më të lartë të Indisë

25 January 2026 at 09:45

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Shën Tereza më 25 janar 1980 nderohet me çmimin më të lartë civil të Indisë, Bharat Ratna. Jetën e saj, kjo humaniste shqiptare ia kishte përkushtuar më të varfërve, dhe çmimi ishte mirënjohje për bamirësinë e saj.

Nënë Tereza ishte ideatorja e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë për të ndihmuar personat e varfër.

Në vitin 1962, qeveria e Indisë nderoi Nënë Terezën me çmimin Padma Shri, për ndihmën e saj për trupat e Indisë. Ajo u nderua me çmimin Jawaharlal Nehru për Mirëkuptim Ndërkombëtar në vitin 1969.

Në vitin 1979 ajo pranoi çmimin Nobel për Paqen dhe u shenjtërua më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II dhe u shenjtërua më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku.

/Kosovapress/

The post 46 vjet nga nderimi i Shën Terezës me çmimin më të lartë të Indisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

65 vjet nga transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë

25 January 2026 at 09:43

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ 65 vjet më parë nisi transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë.

Pra, më 25 janar 1961, miliona amerikanë panë transmetimin e parë të drejtpërdrejtë televiziv të një konference presidenciale shtypi. Presidenti John Kennedy që kishte filluar nga detyra 5 ditë më parë, iu përgjigj pyetjeve të reporterëve për rreth 35 minuta.

Kjo ishte e para e shumë konferencave shtypi, të transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni, që presidenti Kennedy mbajti gjatë më pak se tre vjetëve në detyrë. Zoti Kennedy, i cili ishte 43-vjeç kur bëri betimin si president i vendit, ishte i qetë, plot besim në vetvete dhe mendjemprehtë në konferencat e drejtpërdrejta televizive të shtypit.

Ndihmësit e tij i shihnin këto konferenca shtypi si një mjet për të bërë të njohur popullin amerikan me cilësitë dhe aftësitë komunikuese të presidentit Kennedy. Transmetimet e këtij lloji në fakt e shtuan popullaritetin e presidentit amerikan.

/KosovaPress/

The post 65 vjet nga transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

23 persona në paraburgim për falsifikim të votave, detaje nga gjykata e Prizrenit

25 January 2026 at 09:41

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Gjykata Themelore në Prizren, ka mbajtur katër seanca dëgjimore, referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj njëzetetre të pandehurve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosja, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.

Gjyqtarët e procedurës paraprake, kanë marrë vendim që njëzetenjë të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B.,   D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit.

“Ndaj një të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një  muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se  ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit. Ndaj një të pandehuri G.P.,  (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, kanosja dhe dhënia e ryshfetit”, thuhet në njoftim.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Përndryshe, Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit për 23 persona, prej tyre 21 të pandehur (Komisionerë) për veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit, një të pandehur (komisionere) për dy vepra penale falsifikimi i rezultateve të votimit dhe marrja e ryshfetit, si dhe një të pandehur (në cilësinë e vëzhguesit) për dy vepra penale – Kanosja dhe dhënia e ryshfetit.

/Kosovapress/

The post 23 persona në paraburgim për falsifikim të votave, detaje nga gjykata e Prizrenit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Prokuroria në Prizren: 109 të ndaluar për manipulim të votave

23 January 2026 at 16:16

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se 109 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Autoritetet thanë se të ndaluarit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Gjatë një konference për media, Kryeziu tha se i gjithë manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe janë prekur votat e kandidatëve për deputetë.

Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të gjithë komisionerëve, atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë politike më të mëdha në Kosovë sepse sistemi është i tillë që komisionerët në një mënyrë janë mekanizëm kontrollues”, tha Kryeziu.

Sipas tij, vetëm një vendvotim, apo një klasë, ka dalë që nuk i ka pasur votat e keqpërdorura, teksa numri i votave të falsifikuara për një kandidat ka arritur në mbi 6.000.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Nga Prokuroria thanë se tani kanë edhe komisionerë që kanë bashkëpunuar me ta dhe u kanë treguar autoriteteve se si kanë ardhur presionet se kush ka dhënë ryshfet.

Për këtë rast, asnjë kandidatë për deputetë nuk është marrë në pyetje, pasi Prokuroria në Prizren tha se nuk ka prova ndaj tyre. Ata, megjithatë, mund të ftohen në cilësinë e të dëmtuarve, tha kryeprokurori Kryeziu.

Nga Policia e Kosovës thanë se ky është një ndër aksionet më të mëdha të realizuara dhe është aksioni me numrin më të madh të të ndaluarve në rajonin e Prizrenit.

Për shkak të numrit të lartë të të ndaluarve, disa prej tyre janë dërguar edhe në qendrat e ndalimit në Prishtinë.

Ky aksion vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Kjo madje e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta nisë rinumërimin e plotë të votave, i cili është duke vazhduar tash e disa ditë.

Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet në vota ishin të mëdha.

Si pasojë, prokurorët filluan të mblidhnin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa komisioni e shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 51 për qind të votave.

Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë dhe ta formojë qeverinë e re, por shkuarja në rinumërim – i cili nuk pritet të ketën ndikim tek votat e partive – mund ta zvarrit procesin.

/REL/

The post Prokuroria në Prizren: 109 të ndaluar për manipulim të votave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gërvalla takon homologun turk në Stamboll, flasin për paqen dhe sigurinë në rajon

23 January 2026 at 14:00

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar sot në Stamboll me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Gërvalla ka bërë të ditur se takimi bilateral është zhvilluar me ftesë të ministrit Fidan, në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin.

Ajo, përmes një statusi në Facebook, ka theksuar se Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Kosovës, mbetet partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Sipas saj, Kosova përmes angazhimit në këtë platformë riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për paqe të qëndrueshme, fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Ministrja Gërvalla po ashtu ka vënë në dukje rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt.

Në fund, ajo ka falënderuar ministrin Fidan për ftesën dhe mikpritjen, duke ritheksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe rolin e Turqisë në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

/KosovaPress/

The post Gërvalla takon homologun turk në Stamboll, flasin për paqen dhe sigurinë në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrezik orteku në Brezovicë, vizitorët paralajmërohen për kujdes

23 January 2026 at 12:19

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar për një ortek që ndodhi në Brezovicë të enjten, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar, por që, sipas njoftimi disa persona janë rrezikuar, por që fatmirësisht, kanë shpëtuar pa lëndime.

Teknikët e ShKShMK kanë evidentuar shtresa të dobëta të borës, veçanërisht një shtresë bazë mbi vegjetacion, e cila rrit rrezikun e ortekëve. Reshjet e fundit dhe erërat e forta kanë krijuar akumulime që shtojnë presionin mbi këto shtresa.

ShKShMK apelon që skitarët dhe vizitorët të shmangin lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, të informohen për kushtet e motit dhe borës, të përdorin pajisje sigurie dhe të mos veprojnë individualisht në terrene të rrezikshme.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë, Sot është raportuar një aksident orteku në Brezovicë, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar. Orteku është iniciuar nga disa persona që ishin duke bërë ski, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime.

Teknikët e Kërkim-Shpëtimit Malor të ShKShMK, më datë 18.01.2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës, kanë evidentuar dy shtresa problematike në zonën e Brezovicës. Nga këto, më shqetësuesja është shtresa bazë mbi vegjetacion (Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar). Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, duke rritur peshën dhe presionin mbi këto shtresa të dobëta.

Bazuar në vlerësimin aktual, kombinimi i këtyre faktorëve ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë .ShKShMK apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, pa përjashtuar rrezikun edhe në orientime dhe pozita të tjera gjeografike

Ju lutemi: shmangni lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta; informohuni paraprakisht për kushtet e borës dhe motit; përdorni pajisje adekuate të sigurisë; mos veproni individualisht në terrene të rrezikshme.

/KosovaPress//r.e/

The post Rrezik orteku në Brezovicë, vizitorët paralajmërohen për kujdes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dyshime për keqpërdorim të votave, Policia aksion në Prizren

23 January 2026 at 12:14

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

“Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”, ka konfirmuar për media zëdhënësja e Policisë së Kosovës, major Luljeta Mehmeti.

Sipas raportimeve të para, më shumë se 100 zyrtarë të angazhuar nga KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë thërritur për t’u marrë në pyetje.

/KosovaPress//r.e/

The post Dyshime për keqpërdorim të votave, Policia aksion në Prizren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dialogu Kosovë-Serbi, vihet në punë Komisioni i përbashkët për Persona të Pagjetur

23 January 2026 at 09:20

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e radhës të dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve.

Sipas qeverisë në detyrë të Kosovës, tema kryesore e këtyre takimeve ishte vendosja në punë e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas përfundimit të takimeve, Bislimi ka deklaruar se pjesa më e madhe e diskutimeve është zhvilluar në takime bilaterale, fillimisht ndërmjet palës kosovare dhe Bashkimit Evropian, e më pas edhe ndërmjet palës serbe dhe BE-së.

Sipas tij, takimet kanë qenë të suksesshme dhe kanë rezultuar me dakordim për funksionalizimin e Komisionit të Përbashkët, duke hapur rrugën për zbatimin konkret të marrëveshjes për personat e pagjetur.

Bislimi bëri të ditur se në javët në vijim pritet që zëvendësit e palëve të takohen për të përcaktuar prioritetet e para të punës së këtij komisioni.

Ai shtoi se, përveç temës së personave të zhdukur, në takime janë prekur shkurtimisht edhe çështje të tjera, për të cilat priten zhvillime në të ardhmen, pas formimit të qeverisë, por theksoi se fokusi kryesor ka mbetur zbatimi i marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë.

/KosovaPress//r.e/

The post Dialogu Kosovë-Serbi, vihet në punë Komisioni i përbashkët për Persona të Pagjetur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot parashikohet me reshje lokale, temperaturat deri në -1°C në Korçë

23 January 2026 at 07:30

TIRANË, 23 janar/ATSh/Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet kryesisht i vranët, ndërsa reshjet e shiut do të jenë me intensitet të ulët dhe karakter lokal, të përqendruara kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe lokalisht në zonat qendrore të vendit.

Era do të fryjë e lehtë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa hera-herës, në zonat bregdetare dhe në lugina, pritet të fitojë shpejtësi deri në 10 m/s. Valëzimi në det do të jetë i ulët, i forcës 1–2 ballë.

/a.f/

The post Moti sot parashikohet me reshje lokale, temperaturat deri në -1°C në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla prezanton Gjylametin në krye të AKU: Siguria ushqimore, pjesë kyçe e integrimit në BE

22 January 2026 at 15:30

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot drejtoreshën e re të përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, në një takim me ekipin drejtues të institucionit.

Gjatë prezantimit, ministri Salla vuri theksin te rëndësia e drejtimit dhe menaxhimit efikas të institucionit, si dhe te roli kyç i sigurisë ushqimore në procesin e integrimit europian.

“Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural theksoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në funksion të qytetarëve dhe biznesit. “AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut dhe rolin e tij kyç në garantimin e ushqimit të sigurt dhe cilësor, përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesit”, theksoi Salla.

Në përfundim, ministri Salla shprehu mirënjohjen për drejtuesin e deritanishëm të institucionit dhe e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e dhënë, si dhe i uroi suksese në detyrën e re drejtoreshës së përgjithshme, Blerina Gjylameti.

1 nga 4
Blerina Gjylameti, Drejtoresha e AKU
Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

/a.f/r.e/

The post Salla prezanton Gjylametin në krye të AKU: Siguria ushqimore, pjesë kyçe e integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 3 500 sportistë priten në Kosovë për Lojërat Mesdhetare

22 January 2026 at 15:28

PRISHTINË, 22 janar /ATSh/ Prishtina do të jetë mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030, edicioni i XXI-të i këtij kompeticioni shumëdisiplinor, që do të zhvillohet nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030. Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë mbi 3 500 sportistë nga 26 shtete të rajonit mesdhetar, duke garuar në 33 sporte të ndryshme, ndërsa një pjesë e disiplinave ujore, konkretisht garat e lundrimit, do të zhvillohen në Durrës të Shqipërisë.

E drejta e organizimit iu dha Prishtinës më 8 shtator 2023, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare në Heraklion të Greqisë. Kandidatura e Kosovës fitoi mbështetje të gjerë, duke shënuar një moment historik për shtetin, i cili për herë të parë do të organizojë një ngjarje kaq të madhe sportive ndërkombëtare, që nga anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014.

Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 konsiderohet projekti më i madh sportiv i Kosovës deri më sot. Për këtë qëllim, institucionet kanë miratuar edhe një ligj të posaçëm organizativ, që synon përshpejtimin e investimeve në infrastrukturë sportive, objekteve kryesore në Prishtinë. Korniza organizative drejtohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Një rol të rëndësishëm në realizimin e projektit do ta ketë edhe marrëveshja e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri, e nënshkruar në dhjetor 2024, e cila parashikon që Durrësi të shërbejë si qytet bashkëpritës për garat e lundrimit. Ky bashkëpunim është vlerësuar si thelbësor për përmbushjen e standardeve të Lojërave Mesdhetare dhe për rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Kosovës përmes sportit.

/KosovaPress/

The post Mbi 3 500 sportistë priten në Kosovë për Lojërat Mesdhetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkëpunim me BE-në për forcimin e kapaciteteve të Shërbimit Zjarrfikës në menaxhimin e zjarreve

22 January 2026 at 11:55

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Ekspertë të mbrojtjes civile nga vendet e Bashkimit Europian, në kuadër të një misioni këshillues, i janë bashkuar Shërbimit Zjarrfikës në vendin tonë. Ministria e Brendshme njofton se në fokus të këtij bashkëpunimi është forcimi i kapaciteteve parandaluese në menaxhimin e zjarreve.

“Në kuadër të angazhimit të vendit si pjesëmarrës në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, ekspertët më të mirë të mbrojtjes civile nga vendet e Bashkimit Europian i janë bashkuar ekipeve tona të Shërbimit Zjarrfikës, si pjesë e Misionit Këshillues për Zjarret në Pyje, për t’iu përgjigjur sfidave gjithnjë e më të mëdha që paraqesin zjarret në pyje.

“Përmes këtij bashkëpunimi, forcojmë kapacitetet tona në parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje, duke u mbështetur në ekspertizën më të avancuar ndërkombëtare dhe në standardet evropiane, me qëllim mbrojtjen e pasurisë natyrore dhe sigurinë e qytetarëve”, njofton Ministria e Brendshme.

/a.f/r.e/

The post Bashkëpunim me BE-në për forcimin e kapaciteteve të Shërbimit Zjarrfikës në menaxhimin e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngrihet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025

22 January 2026 at 10:33

PRISHTINË, 22 janar /ATSh/ Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e parashikuar me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatë.

/KosovaPress//r.e/

The post Ngrihet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjendet uniformë me simbole të Serbisë, municion dhe çanta ushtarake në Leposaviq

22 January 2026 at 10:09

PRISHTINË, 22 janar /ATSh/ Policia e Kosovës në Leposaviq ka gjetur uniformë me simbole të Serbisë, maskë, municion e çanta ushtarake, të mërkurën.

Të gjitha këto, sipas raportit 24-orësh të organit të rendit, Policia i hasi në fshatin Llozno të Leposaviqit, gjatë patrullimit në rrugë fillimisht kishte rastisur në disa gëzhoja të fishekëve të armës së gjuetisë.

Më pas, gjatë kontrollit në tri shtëpi pa banorë, policia thotë se si prova materiale ka gjetur dhe konfiskuar: 80 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një rrethatore, dy gëzhoja, disa çanta ushtarake, një uniformë me simbole të Serbisë, një maskë ushtarake, dy baza me barot për mbushje, një qese me sfera metalike, dy gota barot për mbushje të fishekëve, 140 kapsula për fishekë, tri vegla pune dhe disa gëzhoja të fishekëve, raporton KosovaPress.

Bëhet e ditur se, rasti është nën hetime.

/KosovapPress/

The post Gjendet uniformë me simbole të Serbisë, municion dhe çanta ushtarake në Leposaviq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot, reshje në Ultësirën Perëndimore, temperatura nën zero në disa qarqe

22 January 2026 at 07:30

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Sipas parashikimit, moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, me alternime të herëpashershme kthjellimesh. Në Ultësirën Perëndimore parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët, ndërsa në periudha shumë afatshkurtra reshjet mund të shfaqen në formën e shtrëngatave.

Temperaturat më të ulta do të regjistrohen në Kukës, Dibër dhe Korçë, ku minimalja do të jetë -1 gradë Celsius. Ndërsa temperaturat më të larta do të shënohen në zonën qendrore dhe Ultësirën Perëndimore, ku temperaturat do të jenë deri në 15 gradë Celsius.

Sipas parashikimeve, era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, në pjesën e parë të ditës, era pritet të forcohet deri në 16 m/s, duke shkaktuar valëzim në det të forcës 2–4 ballë. Pas orëve të mesditës, era do të dobësohet, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s./r.e/

The post Moti sot, reshje në Ultësirën Perëndimore, temperatura nën zero në disa qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha: Rugova, ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare

21 January 2026 at 12:09

PRISHTINË, 21 janar /ATSh/ Ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas homazheve pranë varrit të Rugovës në rasti e 20-vjetorit të vdekjes së tij.

Basha i shoqëruar me disa prej anëtarëve të kabinetiti qeveritar në detyrë dhe zyrtarë të LVV-së, tha se Rugova mbetët ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare.

“Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se në atë kohë shumë pak dinin se ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej, por ai arriti të depërtoj në qendrat kryesore botërore, duke ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare dhe duke shpërfaq terrorin dhe dhunën e Serbisë ndaj një popullit të pafajshëm shqiptarë”, tha Basha.

“Rugova gjithashtu ka rol të rëndësishëm në procese të ndryshme, përfshirë në atë të Rambujesë, në themelimin e institucioneve të pasluftës, prandaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës dhe vendit tonë”, përfundoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

/KosovaPress//r.e/

The post Basha: Rugova, ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjimshiti rikuperohet nga dëmtimi, gati për sfidën ndaj Parmës

20 January 2026 at 14:38

TIRANË, 20 janar/ATSh/ Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti është rikuperuar nga dëmtimi që e mbante jashtë fushe.

Lojtari kuqezi, i cili luan me Atalantën në Itali, është stërvituar këto ditë me klubin bergamask dhe këtë fundjavë, në sfidën përballë Parmës, pritet të jetë i gatshëm për të nisur nga minuta e parë.

Gjimshiti u dëmtua në sfidën ndaj Torinos, e vlefshme për Serinë A, e luajtur më 10 janar.

Ky është një lajm i mirë edhe për kombëtaren në prag të angazhimeve të ardhshme në play-off-in e Botërorit, ku kuqezinjtë më 26 mars do të luajnë kundër Polonisë në Varshavë.

/a.f/r.e/

The post Gjimshiti rikuperohet nga dëmtimi, gati për sfidën ndaj Parmës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Dekriminalizohet shpifja për gazetarët, transparencë pronësisë së televizioneve

20 January 2026 at 12:30

TIRANË, 20 janar/ATSh- Arbi Fortuzi/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, njoftoi sot se një prej nismave ligjore që do të diskutohet në Kuvend, në kuadër të procesit reformues për integrimin në Bashkimin Europian, është ligji për median.

Sipas ministrit Gogu, ndryshimet përfshijnë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke forcuar dhe mbrojtur rolin e tyre në shoqëri, si dhe garantimin e transparencës mbi pronësinë së platformave televizive.

Deklaratën Gogu e bëri gjatë një konference për median, të zhvilluar në Kryeministri, me fokus “fazën e re të negociatave me Bashkimin Europian dhe angazhimin politik për t’ia dalë mbanë”.

Në konferencë ishin të pranishme edhe Majlinda Dhuka, ministre Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe Adea Pirdeni, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Gogu bëri me dije se “një pjesë e rëndësishme e nismave ligjore lidhet me median dhe rolin e saj në shoqëri. Ligji për përmirësimin e medias audiovizive ka në fokus transparencën e platformave televizive, ku publiku ka të drejtë të dijë pronësinë dhe aktorët që qëndrojnë pas medieve. Vitin e kaluar kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për luftën ndaj dezinformimit”.

Ai shtoi se “një tjetër element i rëndësishëm lidhet me mbrojtjen e gazetarëve në rolin e tyre jetik për demokracinë. Dekriminalizimi i shpifjes do të garantojë që gazetarët të jenë të çliruar nga barra e shpifjes, kur veprojnë në mirëbesim dhe përpiqen të pasqyrojnë zhvillimet e fundit. Kjo është një nga gurët themelorë të paketës ligjore, që më pas përkthehet në standardet europiane të BE-së në jetën e përditshme”.

Një tjetër paketë ligjore është ajo që lidhet me mbrojtjen e familjes.

“Familjet shqiptare janë duke u përplasur me përbindëshin e dhunës, prandaj janë propozuar ndryshime ligjore për forcimin e mbrojtjes së familjes nga dhuna, zonjave, por dhe më të dobtëve, pasi nga dhuna preken edhe të miturit, prandaj fuqizojmë mekanizmin koordinues dhe mekanizmin reagues të ndërhyrjes”, tha Gogu.

“Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit, me luftën ndaj krimit, që kanë të bëjmë me ato propozime që bëhen në Kodin Penal, edhe janë disa projektligje që forcojnë luftën ndaj narkotikëve, që janë pjesë e paketës. Më pas do të ketë dhe ndryshime në ligjin për rolin e komisioneve hetimore etj.”, tha Gogu.

/r.e/

The post Gogu: Dekriminalizohet shpifja për gazetarët, transparencë pronësisë së televizioneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Marrëveshja me Italinë për transmetimet e ndërsjella, hap i rëndësishëm për diasporën

20 January 2026 at 11:37

TIRANË, 20 janar/ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik për Diasporën, Taulant Balla vlerësoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë si një hap të rëndësishëm strategjik, me fokus të veçantë mbështetjen për diasporën shqiptare në Itali dhe forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve.

Në fjalën e tij në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Balla theksoi rolin vendimtar të komunitetit shqiptar në Itali në proceset demokratike të vendit, duke nënvizuar se diaspora shqiptare në Itali ishte komuniteti me pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhjet e 11 majit, çka sipas tij i dha qeverisë mandatin për të vijuar reformat integruese.

“Dhe gjej rastin të falënderoj diasporën shqiptare që jeton në Itali edhe për një fakt tjetër, që ishin edhe numri më i madh i shqiptarëve që morën pjesë në zgjedhjet e 11 majit. Duke votuar për herë të parë. Dhe duke i dhënë mbështetjen qeverisë sonë për të vijuar reformat integruese në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Balla.

Një vend të veçantë në fjalën e tij zuri edhe komuniteti italian në Shqipëri, si dhe komuniteti arbëresh, të cilin Balla e cilësoi si një frymëzim për shqiptarët.

“Komuniteti arbëresh është një inspirim i madh për çdo shqiptar pas 500 vitesh, një model i shkëlqyer i ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe gjuhës shqipe”, tha ai, duke përshëndetur njëkohësisht vendimin e Qeverisë Meloni për të mundësuar transmetime në gjuhën shqipe arbëreshe në kanalet e RAI-t.

Balla theksoi se një element thelbësor i kësaj marrëveshjeje historike është sanksionimi i transmetimeve të ndërsjella të kanaleve publike, çka do të rrisë mirëkuptimin kulturor mes dy vendeve dhe do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit gjuhësor të diasporës.

“Është sanksionuar përfshirja e transmetimit të kanaleve publike në territorin e palës tjetër, një hap shumë i rëndësishëm për ndërveprimin kulturor dhe qytetar mes komuniteteve”, u shpreh ai.

Në vijim, Balla u ndal edhe te marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve shoqërore, e cila tashmë ka hyrë në fuqi.

“Sot, rreth 500 mijë motra dhe vëllezër shqiptarë që jetojnë në Itali janë përfitues të kësaj marrëveshjeje, e cila u miratua në mënyrë të përshpejtuar nga të dyja dhomat e Parlamentit italian”, deklaroi ai.

Në përfundim, Balla theksoi rolin e Kuvendit në monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nxitjen e qeverisë për të zgjeruar modele të ngjashme bashkëpunimi edhe me vende të tjera partnere ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare.

“Besoj që shpreh vlerësimin e të gjithëve, është një marrëveshje e cila gëzon mbështetjen dhe pa dyshim që roli i Kuvendit është të monitorojë. Dhe të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dhe të nxisë qeverinë, që marrëveshje të tilla të negociohen dhe të firmosen edhe me vende të tjera partnere. E nënvizova Greqinë, por edhe me vendet e tjera ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët”, përfundoi Balla fjalën e tij në Komision.

/a.f/r.e/

The post Balla: Marrëveshja me Italinë për transmetimet e ndërsjella, hap i rëndësishëm për diasporën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌