Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha në Balkan Update se qeveria ka miratuar dhe depozituar në Kuvend projektligjin për amnisti, në bashkëpunim dhe me dakordësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Posaçme.
Ai theksoi se amnistia është një akt human dhe pjesë e një politike të re penale, që synon t’u japë një mundësi të dytë qytetarëve dhe lidhet ngushtë me procesin e integrimit europian. Sipas ministrit, do të ndërmerret edhe një reformë urgjente e Kodit të Procedurës Penale, ndërsa paraburgimi i tejzgjatur nuk mund të ketë vend në Shqipërinë e sotme.
“Në përfundim të vitit të shkuar, qeveria shfaqi vullnetin për të kryer amnistinë, së bashku me institucione si Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Posaçme, ku morëm dakordësinë e tyre. U miratua sot ky akt, duke bërë edhe depozitimin në Kuvend.
Është e rëndësishme të kemi sa më parë shqyrtimin në procedurën parlamentare për këtë dokument të rëndësishëm, duke marrë parasysh kategorinë e personave që përfitojnë, për disa që kanë kryer shumicën e burgimit dhe për të tjerë të vijojë procedimi penal për vepra të vogla.
Ishte e nevojshme, përveçse një akt human, ku të kemi një amnisti që tregon një qasje të re penale për të dhënë një mundësi të dytë për qytetarët, një politikë e re penale që lidhet me frymën për të ecur në integrimin europian, që ecën paralelisht me reformimin e sistemit të drejtësisë.
Do të ketë një reformë urgjente të Kodit të Procedurës Penale për ta përafruar me BE-në. Ne kemi pasur një konferencë të nivelit të lartë me magjistratë të nderuar, ku u theksua me shqetësim se situata në Shqipëri meriton një vëmendje të shtuar për të garantuar më shumë mbrojtje dhe qartësi.
Paraburgimi i tejzgjatur dhe i tepruar nuk mund të ketë vend në Shqipërinë e sotme”.
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të mbajtura në Oman, kanë përfunduar pa arritjen e një marrëveshjeje konkrete, por të dyja palët kanë dhënë sinjale se dialogu do të vazhdojë. Takimi u zhvillua në kryeqytetin Muskat, në një kohë tensionesh të larta që kanë rritur frikën për një përplasje ushtarake mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, duke folur pas takimit në televizionin shtetëror, tha se negociatorët do të kthehen në vendet e tyre për konsultime të mëtejshme. Ai theksoi se, megjithëse nuk u arrit ndonjë marrëveshje, bisedimet përbëjnë një fillim të mirë dhe një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve.
Sipas Iranit, bisedimet ishin të kufizuara vetëm në çështjen e programit bërthamor. Nga ana tjetër, SHBA-ja ka kërkuar që diskutimet të përfshijnë edhe programin e raketave balistike të Iranit, si dhe mbështetjen që Teherani i jep grupeve të armatosura në rajon. Këto dallime në qëndrime ishin një nga arsyet kryesore pse takimi përfundoi pa një marrëveshje.
Autoritetet e Omanit konfirmuan se ministri i Jashtëm i këtij vendi zhvilloi takime të ndara me përfaqësuesit iranianë dhe amerikanë, përfshirë të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, i dërguar i Presidentit Donald Trump. Sipas njoftimit zyrtar, konsultimet u fokusuan në krijimin e kushteve për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike në të ardhmen.
Takimi në Oman erdhi pas dështimit të raundit të fundit të bisedimeve për programin bërthamor iranian, të planifikuara për qershorin e vitit të kaluar, të cilat u ndërprenë pas një sulmi të papritur të Izraelit ndaj Iranit. Që prej asaj kohe, tensionet janë përshkallëzuar ndjeshëm, me presidentin amerikan Donald Trump që ka kërcënuar disa herë me sulme ushtarake ndaj Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje.
SHBA-ja ka rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar mijëra trupa shtesë, anije luftarake, një aeroplanmbajtëse dhe avionë luftarakë. Irani, nga ana e tij, ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me forcë çdo sulmi, duke kërcënuar objektiva amerikane në rajon dhe Izraelin.
Situata e brendshme në Iran mbetet e tensionuar. Vendi është përballur me protesta të mëdha antiqeveritare, të nxitura nga kriza ekonomike dhe pakënaqësia ndaj udhëheqjes. Forcat e sigurisë kanë reaguar me dhunë, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë për mijëra viktima dhe dhjetëra mijëra të arrestuar. Kjo ka shtuar presionin ndërkombëtar ndaj Teheranit dhe ka ndikuar në klimën e bisedimeve.
Programi bërthamor i Iranit mbetet pika kryesore e përplasjes me Perëndimin. Teherani këmbëngul se aktivitetet e tij bërthamore janë për qëllime paqësore dhe se ka të drejtën të pasurojë uranium brenda territorit të vet. SHBA-ja dhe Izraeli, ndërkohë, dyshojnë se Irani synon zhvillimin e armëve bërthamore dhe kërkojnë kufizime të forta.
Megjithëse takimi në Oman përfundoi pa marrëveshje, palët lanë të kuptohet se dialogu nuk është mbyllur. Për shumë vende të rajonit, vazhdimi i bisedimeve shihet si mënyra e vetme për të shmangur një konflikt më të gjerë, që do të sillte pasoja të rënda jo vetëm për Iranin dhe SHBA-në, por për gjithë Lindjen e Mesme. /BBC/
Shkolla është laike dhe nuk duhet të promovojë fe të caktuara, as të mësojë doktrina fetare, por një gjë e tillë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer”.
Mësuesi i anglishtes ka predikuar fenë e Jehovait me nxënësit e arsimit bazë, dhe pas shqetësimit të prindërve, profesori është përjashtuar.
Me video për dashurinë hyjnore për Zotin dhe detyra në fletore për nxënësit e fillores, që lidhen me urdhërimet e Perëndisë, si këto foto të siguruara ekskluzivisht nga Top Channel, prindërit e klasës së katërt ngritën alarmin në drejtorinë e shkollës në fillim të javës. Pas verifikimit nga komisioni i disiplinës, u vendos masa e largimit të mësuesit.
“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit.
“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit.
Dëshmitë e fëmijëve dhe prindërve janë tronditëse, teksa tregojnë përpjekjet për indoktrinimin e nxënësve brenda ambienteve shkollore. Rrëfimet zbulojnë se qasja e profesorit të anglishtes ishte e dukshme, por situata u përkeqësua kur bindjet e tij u bënë pjesë e programit mësimor.
Mësuesi i anglishtes shfrytëzonte orën e mësimit për të diskutuar tema fetare. Ndonëse shquhej si mësues i përgatitur në njohuritë e lëndës, kishte prindër pa dijeni mbi rastin ose të kënaqur me rezultatet e notave.
Një nga prindërit thotë: “Unë 5 vite e kam vajzën që bën anglisht dhe s’kam pasur shqetësim”.
Por, institucioni arsimor dhe drejtuesit rajonalë vendosën pushimin nga puna të mësuesit, si rast në shkelje të rregullores dhe ligjit që dikton arsimin laik.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinion publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka realizuar veprimet lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 22 (njëzet e dy) kryesues.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.
Rrëzohet kërkesa e Erion Veliaj për përjashtimin e gjyqtares paraprake Etleva Deda.
Seanca e fundit paraprake për kryebashkiakun Veliaj u shoqërua me debate të forta, teksa ky i fundit u largua në mënyrë demonstrative nga seanca, pasi pretendoi se gjykata nuk po e dëgjonte.
Për këtë arsye, Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, pasi sipas tij ajo i mohoi të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht.
Europa duket se po i vlerëson talentet shqiptare, teksa po jep gjithnjë e më shumë karta blu, që është një leje pune dhe qëndrimi për persona me kualifikime të larta nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian (BE).
Eurostat raportoi se që nga viti 2014 janë dhënë gjithsej 5405 karta blu për shtetasit shqiptarë. Rritja ka qenë e fortë nga viti 2019, kur nisi dhe një cikël masiv emigracioni, po këtë herë i personave me kualifikim të lartë.
Në vitin 2023 u dhanë 825 karta, ndërsa në 2024-n, ra në 592. Në krahasim me vitet e mëparshme rritja është e fortë. Në vitin 2012 ishin dhënë vetëm 15 karta të tilla, ndërsa në 2021-n, që është rekordi i deritanishëm, shifra arriti në 882.
Rritja e dhënies së kartës blu për shqiptarët ka ardhur për shkak të hyrjes në lojë të Gjermanisë. Në vitin 2021 ky shtet dha 823 karta blu për shtetasit shqiptarë, ose 93% të totalit të shteteve të BE-së. Në 2023-n u dhanë 716 leje, ose 87% e totalit dhe në 2024-n numri i tyre zbriti në 513, ose 87% e totalit. Ata që kanë përfituar këtë kartë në Gjermani paguhen me të paktë 43 mijë euro në vit (rreth 3,600 euro në muaj), që është dhe kriteri minimal për të aplikuar për kartë blu.
Në vend të dytë për kartat blu është Italia, por me nivele shumë më të ulëta në raport me Gjermaninë (23 në 2022, 41 në 2023 dhe 20 në 2024-n). Pas saj renditet Austria (11 në 2022, 30 në 2023 dhe 18 në 2024-n). një shtet tjetër që po tërheq talentet shqiptare është dhe Polonia, që dha 11 karta blu për shtetas shqiptarë në 2023-n dhe 13 në 2024-n.
Gjermania ka qenë vitet e fundit një magnet për profesionistët nga Shqipëria, kryesisht nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë, që u nxitën të punonin në ekonominë më të madhe të Europës, të joshur nga pagat e larta dhe zbutja e kritereve në shtetin që po vuante mungesën e fuqisë punëtore si rrjedhojë e plakjes së popullsisë.
Ndërsa talentet largohen, Shqipëria po e ndjen gjithnjë e më shumë ikjen e tyre. Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, tregon se rreth 23% e të arsimuarve nga vendi ynë tashmë kanë emigruar.
Shqipëria ka nivel të lartë të emigracionit në popullsinë e arsimuar në vitet 2023-2024 dhe kthime shumë më të ulëta të tyre krahasuar me 38 vende të Rajonit të BERZH.
Edhe në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve 2025, vendi ka rënë me 7 pozicione, në vendin e 63-të, duke treguar përkeqësim në zhvillimin e aftësive, cilësinë e arsimit dhe mbajtjen e profesionistëve.
Kartat blu në BE
Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga Eurostat, në vitin 2023 u dhanë rreth 89 mijë Karta Blu në nivel BE-je dhe struktura e shpërndarjes mbeti e përqendruar në disa shtete kryesore.
Gjermania mbeti vendi dominues, duke lëshuar rreth 69 mijë leje, ose rreth 78% të totalit, e ndjekur nga Polonia me rreth 7 mijë dhe Franca me rreth 4 mijë.
Për sa i përket shtetësive përfituese, shtetasit e Indisë vijuan të jenë përfituesit kryesorë të Kartës Blu, të ndjekur nga shtetas nga Rusia, Turqia dhe Bjellorusia, duke reflektuar kërkesën e lartë të tregut europian për profesionistë në sektorë teknikë dhe me kualifikim të lartë.
Çfarë është Karta blu
Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi që u jepet shtetasve jo të Bashkimit Europian me kualifikime të larta profesionale, për të punuar në një vend anëtar të BE-së.
Ajo synon të tërheqë specialistë të huaj në profesione të kërkuara, duke u ofruar atyre kushte të favorshme pune, përfshirë të drejtën e qëndrimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësi për qëndrim afatgjatë. Karta Blu jepet mbi bazën e një kontrate pune me pagë minimale të përcaktuar dhe kualifikime universitare.
Për të përfituar nga Karta Blu e BE-së, aplikantët duhet të plotësojnë një prag minimal page, i cili ndryshon sipas vendit anëtar dhe sektorit të punës. Këto pragje përcaktohen nga autoritetet kombëtare dhe zakonisht përfaqësojnë një përqindje të caktuar të pagës mesatare bruto në vendin përkatës. Për shembull, në Gjermani për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe 43,759.80 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si IT, inxhinieri dhe kujdes shëndetësor.
Profesionet me prioritet të lartë për Kartën Blu të BE-së janë Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK); Inxhinieri; Mjekësi dhe kujdes shëndetësor; Shkencat natyrore dhe matematika; Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor; Financa dhe kontabiliteti.
Qeveria ka miratuar indeksimin e pagave të administratës me 2.5%. Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.
Kush përfiton nga rritja e pagave
Presidenti i Republikës, përmes rritjes së pagës përkatëse;
Funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, për të cilat rritet paga referuese bazë;
Garda e Republikës;
Policia e Burgjeve;
Koordinatorët kundër korrupsionit;
Punonjësit mbështetës në administratë;
Specialitete të ndryshme të administratës publike;
Personeli i sistemit shëndetësor.
VENDIM PËR INDEKSIMIN E PAGËS REFERUESE BAZË PËR FUNKSIONET GJYQËSORE DHE TË PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.
2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.
3. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
VENDIM PËR INDEKSIMIN E PAGËS SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga e Presidentit të Republikës indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj.
2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.
3. Ngarkohet institucioni i Presidentit të Republikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
Kompania e Sigurimeve Dukagjini ka lansuar zyrtarisht shërbimin e saj online, duke ua bërë më të lehtë se kurrë qytetarëve sigurimin shëndetësor për udhëtim drejt Europës.
Përmes web-faqes zyrtare, tani mund të blini policën e sigurimit shëndetësor në udhëtim brenda pak minutash, vetëm me disa klikime, pa pritje dhe pa dokumente të panevojshme.
Procesi është i shpejtë, i thjeshtë dhe 100% online – ideal për ata që duan të jenë të përgatitur para se të nisen në udhëtim.
Paketa bazë e sigurimit shëndetësor fillon nga vetëm 9.00€, me 30 ditë validitet dhe 7 ditë qëndrim në Europë, duke ofruar mbulim të plotë shëndetësor gjatë udhëtimit tuaj. Për ata që udhëtojnë më shpesh, Dukagjini ofron edhe pako të tjera shumë të favorshme, si p.sh. 23€ për 365 ditë validitet dhe 30 ditë qëndrim në Europë..
Me çmime që kushtojnë sa një kafe në Europë, ju siguroni qetësi, mbrojtje financiare dhe kujdes shëndetësor në rast të situatave të papritura.
Një investim i vogël që bën një diferencë të madhe kur siguria juaj është në pyetje.
Mos e lini shëndetin në rastësi.
Sigurohuni online sot dhe nisuni drejt Europës të mbrojtur, të qetë dhe pa brenga.
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka refuzuar ankesën e Hashim Thaçit lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të tij themelore gjatë procedurave në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Përmes avokatëve Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq, Thaçi e kishte dorëzuar ankesën më 29 dhjetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në ankesën e tij, Thaçi pretendon se caktimi i gjyqtarit që autorizoi masat e veçanta hetimore, edhe si gjyqtar i procedurës paraprake, nuk ishte në përputhje me ligjin.
Përveç kësaj, në ankesë është thënë se janë shkelur të drejtat e Thaçit për respektimin e jetës private dhe familjare për shkak të masave të veçanta hetimore që janë autorizuar nga gjyqtarët në fjalë.
“Parashtruesi po ashtu u ankua se masat e posaçme hetimore dhe masat e tjera të autorizuara ndaj tij nuk ishin marrë “në përputhje me ligjin”, meqë gjyqtari i vetëm në dosjen hetimore dhe gjyqtarja e procedurës paraprake në Çështjen 12 ishin caktuar në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit. Sipas Parashtruesit, kjo përbënte shkelje të të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja i ka shpallur të papranueshme ankesat e parashtruara nga Hashim Thaçi, duke vlerësuar se ato janë të parakohshme dhe të pambështetura. Aty thuhet se sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara, individët mund t’i drejtohen asaj vetëm kur paraqitet qartazi pamja e një shkeljeje kushtetuese dhe pasi të jenë shteruar mjetet juridike efektive.
Gjithashtu, DhSK hodhi poshtë pretendimet për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, duke vlerësuar se ato ishin të formuluara në mënyrë të përgjithshme dhe pa specifikuar vendime apo masa konkrete që do të përbënin shkelje të nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Po ashtu, Dhoma konstaton se ankesa e Parashtruesit lidhur me shkeljen e të drejtës së tij për respektimin e jetës private dhe familjare sipas nenit 36 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës, për shkak të masave të autorizuara ndaj tij, është e pambështetur dhe nuk zbulon pamjen e një shkeljeje të të drejtave kushtetuese të Parashtruesit. Prandaj, edhe kjo pjesë e Referimit duhet të shpallet e papranueshme në përputhje me Rregullën 14 (f) të Rregullave të DhSK-së”, thuhet në vendim.
Ndryshe, fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar më 27 shkurt 2026.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU. Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu, të cilën mund ta gjeni KËTU. Ndërsa, atë të Thaçit KËTU. /BetimipërDrejtësi/
Qeveria e Shqipërisë miratoi këtë të enjte projektligjin e Amnistisë Penale. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas ministrit, nga kjo amnisti përfitojnë 447 persona që lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 853 të dënuar të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj, raporton euronews.al
Lamallari bëri të ditur se, bazuar në të dhënat e përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe Prokuroria e Përgjithshme, 5077 persona të dënuar me masa alternative amnistohen nga Shërbimi i Provës. Po ashtu, duke nisur nga viti 2024, pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime për vepra penale të lehta.
Ministri i Drejtësisë theksoi se amnistia ka si qëllim uljen e mbipopullimit në burgje dhe fokusimin e sistemit të drejtësisë në rastet me rrezikshmëri reale shoqërore, duke respektuar standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.
Lamallari u shpreh se pret që Kuvendi ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që efektet e amnistisë të nisin sa më shpejt. Ai theksoi se nga kjo amnisti përjashtohen subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Projektligji i amnistisë pritet të depozitohet në Kuvend, ku do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare.
Delegacioni i Forcës Ajrore Shqiptare, i kryesuar nga Gjeneralmajor Ferdinant Dimo, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi.
Në njoftim thuhet se gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Turke, si dhe nga Komandanti i Forcës Ajrore Turke.
“Takimet u fokusuan në mundësi konkrete bashkëpunimi në fushat e aviacionit ushtarak, teknologjive moderne dhe mbështetjes teknike, si dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimin e partneritetit strategjik mes dy forcave ajrore”, thuhet në njoftim.
Delegacioni zhvilloi gjithashtu vizita në kompani kryesore të industrisë së mbrojtjes, ku u njoh nga afër me teknologjitë më të avancuara në aviacion, sisteme pa pilot dhe mbështetje logjistike.
Këto aktivitete u tha se hapin mundësi konkrete për projekte të përbashkëta dhe modernizimin e kapaciteteve operacionale të Forcës Ajrore Shqiptare. /Telegrafi/
Më 17 shkurt do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” organizuar nga platforma “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E sot, Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK) u ka bërë thirrje anëtarësisë së tyre që të marrin pjesë në këtë marsh, për të dhënë sipas tyre, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.
Lexoni të plotë njoftimin:
Për mobilizim qytetar dhe sindikal
Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut, arsimtarë, mësues, profesorë dhe punëtorë të arsimit në të gjitha nivelet, Kryesia e SBASHK-ut, pas konsultimeve me strukturat sindikale në të gjithë vendin, ju fton për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.
Ky marsh është jo politik dhe përfaqëson një thirrje të ndershme për drejtësi të paanshme, si dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po mbahen padrejtësisht në paraburgim. Për SBASHK-un, kjo çështje ka peshë të veçantë sindikale dhe historike.
Shumë nga çlirimtarët ishin edhe arsimtarë e punëtorë arsimi, të larguar dhunshëm nga vendet e punës gjatë regjimit të Millosheviqit. Në vitet e okupimit, ishin mësimdhënësit ata që mbajtën gjallë arsimin shqip, dinjitetin kombëtar dhe shpresën për liri. Falë sakrificës së tyre, falë luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë, sot jetojmë në një shtet të lirë dhe sovran.
Sot, kur ata që sakrifikuan për lirinë po përballen me padrejtësi të zgjatura, heshtja nuk është opsion. Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar.
Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës. SBASHK-u qëndron qartë në anën e drejtësisë, të dinjitetit dhe të solidaritetit shoqëror. I ftojmë të gjithë anëtarët e SBASHK-ut që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.
Pjesëmarrja juaj është: zë për drejtësinë, respekt për sakrificën, dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë. /Telegrafi/
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, Brian Spahiu pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.
Përfundimi i hetimeve dërgoi në gjyq shtetasit Roland Xhaxho dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe shtetasen Ina Xhaxho për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’; shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.
“Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët Roland dhe Ina Xhaxho, raporton euronews.al.
Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficiencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.
Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.
Këto shkelje kanë konsistuar në:
– moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;
– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.
– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike”, bën me dije Prokuroria.
Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët Ina Xhaxho dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur.
Ndërkohë, nga hetimi, u provua që stomatologia Ina Xhaxho pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.
Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.
Gjithashtu, shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G. /euroenews.al/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar sot 27-vjetorin e fillimit të Konferencës së Rambujesë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare në historinë moderne të Kosovës.
Hamza në një postim në Facebook shkruan se Kosova në Rambuje për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten, duke u rreshtuar qartë në anën e paqes, lirisë dhe vlerave perëndimore, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit.
“Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar kryetari Hamza.
Ai ka shtuar se kjo rrugë drejt lirisë dhe shtetndërtimit nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e heronjve dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.
“Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit”, ka theksuar kreu i PDK-së.
Në fund të reagimit të tij, Hamza ka nënvizuar se perspektiva euroatlantike e Kosovës lidhet ngushtë edhe me drejtësinë për ish-krerët e luftës që po mbahen në Hagë.
“E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka përfunduar Hamza. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
E para e shtetit theksoi se Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve.
“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot. Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani: Kosova është e bekuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe telegrafi.com
Presidentja e vendit tha tutje se ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm.
“Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje. Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve”, tha ajo. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për disa raste të dhunës në familje të raportuara në organet e rendit.
Rastet e dhunës kanë ndodhur në Pejë, në jug të Mitrovicës dhe në Malishevë.
Sipas raportit policor, në Malishevë janë sulmuar edhe policët që kanë intervenuar në rastin e dhunës në familje.
Më poshtë raporti policor:
Pejë / 04.02.2026 - 23:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spitalin e Pejës, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
Malishevë / 05.02.2026 - 11:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Gjatë arrestimit i dyshuari ka qenë i dhunshëm ku si pasojë dy zyrtarë policor kanë pësuar lëndime. Lidhur me rastin zyrtarët policor kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në QKUK në repartin e psikiatrisë për tretman. Në lidhje me rastin është informuar dhe konsultuar edhe prokurori.
Mitrovicë Jug / 05.02.2026 – 17:59. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare dhe më pas kishte kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, pasi i njëjti dyshohet se i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës, mashkull kosovar.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Hoqë e Madhe” në Prizren, të enjten në ora 11:20.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Një grup aktivistësh, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata "Përpjekja", kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit për media, protesta do të mbahet sot, duke filluar nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Organizatorët e protestës kanë deklaruar se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar në baza vjetore, duke theksuar se kërkesat e KEDS-it për rritje çmimesh po aprovohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në dëm të qytetarëve.
Sipas tyre, qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, ndërkohë që përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, mungesë ngrohjeje dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.
Aktivistët përmendin rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po diskutohet një rritje tjetër rreth 20 për qind, të cilën e cilësojnë si të papranueshme.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç thonë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet interesi publik.