Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Main stream

​Djali që dyshohet se e privoi nga jeta nënën e tij në Restelicë, kishte aktakuza të mëparshme

21 January 2026 at 12:42


Një vrasje e rëndë ka ndodhur në fshatin Restelicë të Dragashit ku dyshohet se djali 30-vjeçar, F.B e ka vrarë nënën e tij 60-vjeçare. T.B. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së mërkurës.

30-vjeçari i cili dyshohet se kreu vrasjen është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për 48 orë.

Këto i ka deklaruar për KosovaPress drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija, i cili tha se viktima ka pasur lëndime në gjithë trupin, por që në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur mjete të forta apo armë.

Faton Alija, drejtori i Policis\u00eb p\u00ebr Rajonin e Prizrenit

“Rreth orës një të mëngjesit të ditës së sotme kemi pranuar një njoftim përmes telefonit se mund të jetë një person i vdekur në një familje në fshatin Restelicë. Njësitë tona kanë shkuar në vendin e ngjarjes e kanë hasur në shtëpi viktimën femër e Kosovës. I dyshuar për këtë rast sipas hetimeve të cilat janë bërë tej tash është djali i saj rreth moshës 30 vjeçare. Lidhur me këtë është njoftuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda, po ashtu hetimet rajonale me të gjitha njësitë tjera dhe eprorë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Janë kryer të gjitha veprimet hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes. I dyshuari është arrestuar ka qenë në kontroll mjekësor edhe tash me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, tha ai.

Sipas drejtorit të Policisë për rajonin e Prizrenit në vendit e ngjarjes nuk është gjetur mjet i dyshimtë qoftë mjet i fortë apo armë. Sipas tij dyshimet janë se një konfrontim fizik apo përmes duarve ka quar në vdekjen e viktimës.

Alija theksoi se viktima e moshës rreth 60-vjeçare ka pasur lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.

“Bazuar në raportet që i kemi pranuar nga hetuesit në vendin e ngjarjes, në vendngjarje nuk janë gjetur mjete të dyshimta, mjete të forta apo armë të cilat mund të kenë qenë të përdorura për me shkaktuar pasojën e vdekjes. Dyshimet janë se do të thotë me ndonjë konfrontim fizik ka ardhur, me duar të thata deri te lëndimet me pasoja të vdekjes. Vlen të theksohet se kjo familje është katër anëtarëshe, po në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja apo incidenti, në familje kanë qenë vetëm viktima, nëna, edhe djali, sepse dy familjarë të tjerë sipas njoftimeve janë me punë jashtë Kosovës… (Mosha e viktimës) Rreth 60 vjeçare, lëndime në pjesë të ndryshme të trupit sipas shikimeve të para që janë bërë deri tash në vendin e ngjarjes, ndërsa Instituti Mjekoligjor do t'i jep raportin definitiv për lëndimet edhe shkaqet e vdekjes”, tha ai.

Edhe drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija deklaroi sipas raporteve mjekësore që i janë kryer sot ekzitojnë dyshime se i dyshuari ka probleme të shëndetit mendor.

Ai theksoi se 30-vjeçari edhe më herët kishte qenë i njohur për organet e rendit për dhunë në familje pasi në vitin 2021 dhe në vitin 2024 ishin regjistruar raste për dhunë kryesisht brenda familjes.

“Raportet mjekësore të cilat janë gjetur nga hetuesit aty, po ashtu vizita mjekësore specialistike që është bërë sot në spitalin e Prizrenit e konstatojnë një gjë të tillë sepse ai dyshimet janë se ka çrregullime psikike… Këta thashë kanë qenë një familje katër anëtarëshe edhe ky ka tre raste të regjistruara të cilat janë proceduar në polici, prokurori edhe në gjykatë, në vitin 2021 edhe rasti i fundit në vitin 2024. Të gjitha rastet janë proceduar edhe janë marrë veprimet konkrete. Rastet e tij lidhen do të thotë me sulm apo lëndim kryesisht brenda familjes”, tha ai.

Edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar për këtë vrasje të rëndë për fshatin Restelicë të Dragashi.

“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se rasti ka ndodhur brenda familjes. I dyshuari, F.B., dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në fshatin Restelicë”, thuhet në njoftimin e Prokuroriasë Themelore të Prizrenit.

Nga Prokuroria deklaruan se i dyshuari F.B edhe më herët ka pasur aktakuza për dhunë në familje dhe se për këto raste janë nxjerr aktgjykime dënuese.

“Nga të dhënat zyrtare të prokurorisë, rezulton se i dyshuari ka pasur çrregullime mendore, si dhe ka qenë më herët i përfshirë në tri (3) raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit. Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese”, thonë nga Prokuroria. /Kp/

Rama e uroi për ftesën për në Bordin e Paqes, Osmani: Faleminderit nga zemra, Edi

21 January 2026 at 12:32


Pasi kryeministri Edi Rama uroi presidenten e vendit, Vjosa Osmani për ftesën që mori nga presidenti amerikan, Donald Trump që Kosova të jetë pjesë e Bordit të Paqes, i menjëhershëm ishte reagimi i Osmanit.

Osmani përmes një postimi në platformën X ka shkruar “Faleminderit nga zemra, Edi!”.

Tutje Osmani ka shkruar se Kosova dhe Shqipëria, të bashkuara në aleancën e udhëhequr nga lideri i botës së lirë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/


Faleminderit nga zemra, Edi!

Kosova dhe Shqipëria, të bashkuara në aleancën e udhëhequr nga lideri i botës së lirë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
🇽🇰🇺🇸🇦🇱 https://t.co/zxdusD9BR8
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) January 21, 2026

Kurti në Davos u takua me kryeministrin e Luksemburgut - biseduan për synimin e Kosovës për anëtarësim në BE

21 January 2026 at 12:24


Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden.




Sipas një njoftimi për media thuhet se Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Luksemburgut për përkrahjen e saj të vazhdueshme ndaj shtetit tonë në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

Në vijim, theksoi progresin demokratik dhe ekonomik të vendit dhe synimet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO, gjersa falënderoi Luksemburgun për mbështetjen ndaj Kosovës në këto procese.

U bisedua edhe mbi fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, thellimin e bashkëpunimit përfshirë në arsim dhe investime dhe rritjes së lidhjeve kulturore mes shteteve dhe popujve tanë. /Telegrafi/


​Basha: Rugova mbetët ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare

21 January 2026 at 12:03


Ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas homazheve pranë varrit të Rugovës në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

Basha i shoqëruar me disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar në detyrë dhe zyrtarë të LVV-së, tha se Rugova mbetët ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës kosovare.

“Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se asaj kohe shumë pak dinte ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej dhe ai arriti të depërtoj në qendra kryesore botërore, duke ndërkombëtarizua çështjen shqiptare dhe duke shpërfaq terrorin dhe dhunën e Serbisë ndaj një populli të pafajshëm shqiptarë. Rugova gjithashtu ka rol të rëndësishëm në procese të ndryshëm, përfshirë në atë të Rambujesë, në themelimin e institucioneve të pasluftës, prandaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës dhe vendit tonë”, tha Basha. /KP/Telegrafi/

​Abdixhiku: Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave

21 January 2026 at 11:58


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me zyrtarë partiak ka bërë homazhe pranë varrit të ish presidentit Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

Abdixhiku tha se Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, raporton KosovaPress.

“Në 20 vjetorin e largimit të atit themeltar të Kosovës, nderojmë Rugovën, njeriu i cili jo vetëm realizoj një ëndërr historike të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi, por krijoj një projekt madhor, më të madhin të shqiptarëve të Kosovës. Në këtë 20 vjetor, Rugovën jo vetëm e nderojmë por e kujtojmë dhe nën kujtimet e tija dhe ëndrrën e tij, punojmë vazhdimisht që vendit tonë t’i japim të ardhmen e merituar, e lirë, me një shtet të fuqishëm, në familjen euroatlantike. Mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave dhe si i tillë na obligon të sillemi me dinjitet, maturi dhe përkushtim të madh për atdheun tonë”, tha Abdixhiku.

Bashkë me Abdixhikun ishin edhe anëtarë të familjes Rugova.

Ukë Rugova, i biri i presidentit Rugova falënderoi Abdixhikun, siç tha ai, për punën e mirë që po e bën më trashëgiminë e ish-presidentit dhe kryetarit të LDK-së.

“Ju faleminderit për punën e mirë që po e bëni në trashëgiminë e presidentit Rugova në LDK dhe për të mirën e Kosovës dhe për të vazhduar miqësinë e përhershme me SHBA-të dhe BE-në”, tha Rugova. /KosovaPress/

Haradinaj: Vizioni shtetformues i presidentit Rugova themel i shtetit të Kosovës

21 January 2026 at 11:50


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke theksuar rolin vendimtar të Rugovës në ditët e para të lirisë dhe të shtetndërtimit.

Në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka theksuar se ka pasur nderin të bashkëpunojë me Presidentin Rugova në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme për Kosovën, kur po viheshin themelet e shtetit të ri.

“Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme”, ka shkruar Haradinaj, duke vlerësuar vizionin shtetformues të Rugovës.

“Presidenti Rugova i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke ndërtuar dhe kultivuar miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, orientim që i parapriu pavarësisë së Kosovës dhe që vazhdon të mbetet boshti kryesor i vizionit shtetëror të vendit”, përfundoi. /Telegrafi/


Osmani pas homazheve te varri i Rugovës: Mbetet simbol i paqes dhe i lirisë

21 January 2026 at 11:36


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te varri i presidentit, Ibrahim Rugova në 20 vjetorin e vdekjes së tij.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se nderojnë presidentin historik, Ibrahim Rugovën, atin themeltar të Republikës së Kosovës.

“Nderim i përjetshëm për Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, atin themeltar të Republikës sonë, njeriun që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka shkruar Osmani duke shtuar se ”Ai mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme”.

Mirëpo gjatë homazheve në një prononcim për media, Osmani së bashku me familjen Rugova, ka deklaruar se Rugova ishte atelieri i pavarësisë së Kosovës dhe figura që bashkoi qytetarët rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ajo ka shtuar se këto aleanca u ndërtuan nga presidenti Rugova me një vizion të pashoq, i cili edhe sot shërben si udhërrëfyes për një Kosovë më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

“Presidenti Rugova, bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri pavarësi dhe demokraci, kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tanë strategjik brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq, vizion ky i cili edhe sot mbet dritë udhërrëfyese për gjithsecilin prej nesh, që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike”, tha Osmani.

Ndërsa, gruaja e ish-presidentit, Fanë Rugova u shpreh falënderuese për aktivitetet e sotshme për të nderuar presidentin historik, Ibrahim Rugova.

“Falënderoj shumë presidenten Osmani për këtë ceremoni që realizoi për nder të presidentit historik të Kosovës Rugova, për të gjitha këto aktivitete për ditën e sotshme”, u shpreh Rugova.

Në homazhe, të pranishëm ishin edhe ambasadorët e QUINT-it në Kosovë, për të nderuar presidentin Ibrahim Rugova. /Telegrafi/


Testimi i dronit “Skifteri”, nga Ministria e Mbrojtjes thonë se nuk janë njoftuar për rastin

21 January 2026 at 10:34


Pas publikimit të pamjeve nga testimi i dronit kosovar “Skifteri K1”, i cili demonstron aftësi goditëse me rreze veprimi deri në një mijë kilometra nga Ministria e Mbrojtjes kanë thënë se nuk kanë informacione në lidhje me këtë zhvillim.

Në një përgjigje dërguar Telegrafit nga ministria thonë se me drejtuesin e kompanisë Future Minds Academy kanë pasur një kontakt, mirëpo se pas kësaj nuk kanë zhvilluar ndonjë diskutim për dronin “Skifteri K1”.

Po ashtu, nga ministria thonë se “nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse”.

“Drejtuesin e kompanisë Future Minds Academy e kemi takuar në kuadër të aktivitetit Sharkathon, të mbajtur më 8 tetor 2025, i cili kishte për qëllim demonstrimin e inovacionit vendor në fushën e teknologjisë së dronëve. Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe në kuadër të këtij eventi janë testuar vetëm dronë komercialë, dhe jo ndonjë kategori tjetër e dronëve. Lidhur me dronin e quajtur ‘Skifter K1’, nuk kemi zhvilluar asnjë diskutim dhe nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse”, kanë thënë nga Ministria e Mbrojtjes.


Sipas tyre çdo testim që bëhet brenda territorit të Kosovës duhet të ketë një leje, mirëpo siç thanë nuk ka informacione për rastin në fjalë.

Nga Ministria e Mbrojtjes po ashtu thonë për Telegrafin se institucionet përkatëse janë duke e përcjellë situatën për të gjitha aspektet e nevojshme, në përputhje me kompetencat ligjore.

“Sa i përket pyetjes suaj, po sigurisht kërkohet një leje për testim, dhe përderisa nuk kemi informacion që janë ndjekur këto procedura nuk mund të themi që testimi ka qenë real apo i gjeneruar nga AI. Megjithatë, inkurajojmë dhe mirëpresim çdo inovacion teknologjik në fushën e dronëve që synon zhvillimin dhe prodhimin vendor në Republikën e Kosovës, përderisa janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Ndryshe, ditë më parë Ridvan Aliu, prodhuesi i dronëve ka bërë të ditur për Telegrafin se testimi nuk është zhvilluar në territorin e Kosovës, por jashtë vendit.

“Testimi është bërë jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit. Goditja është e vërtetë, mirëpo për shkaqe të sigurisë edhe me kërkesë të klientit tonë, pamjet janë bërë invert dhe me night vision on. Më shumë informata nuk mundem të jap”, kishte deklaruar Aliu për Telegrafin.

Sipas tij, kufizimi i informatave lidhet drejtpërdrejt me aspektet e sigurisë dhe marrëveshjen me klientin, ndërsa projekti konsiderohet i ndjeshëm për shkak të kapaciteteve teknologjike që posedon droni.

Se cila është e vërteta në këtë situatë Telegrafi do të raportojë në vazhdimësi. /Telegrafi/

Vritet një grua në Dragash, dyshohet se e vrau djali i saj

21 January 2026 at 09:07


Një 30 vjeçar dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij sot rreth orës 01:06 në fshatin Restelicë në Komunën e Dragashit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, i dyshuari ka pasur probleme të shëndetit mendor, ndërsa siç tha "Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes, nuk është vërejtur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës".

"Me datën 21.01.2025, rreth orës 01:06, Policia është njoftuar për një rast të vdekjes së dyshimtë në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit. Sipas informatave fillestare, dyshohet se një person mashkull, rreth 30 vjeçar, e ka privuar nga jeta nënën e tij, rreth 60 vjeçare. I dyshuari, sipas të dhënave paraprake, ka pasur probleme të shëndetit mendor. Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes, nuk është vërejtur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës", ka thënë Bytyqi.

Tutje ai tha se i dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për procedura të mëtejme ligjore.

"Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti", tha ndër të tjera ai. /Telegrafi/

Digjet një shtëpi në Malishevë, humb jetën një grua

21 January 2026 at 08:50


Një grua rreth moshës 53 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka kapluar një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

Sipas tij, viktima ka jetuar me babain e saj dhe ka qenë e palëvizshme.

“Një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës është përfshirë nga flakët, ku për pasojë ka mbetur pa shenja jete një grua rreth moshës 53 vjeçare e cila ka qenë duke jetu veç me babën dhe ka qenë e palëvizshme. Ende nuk dihen rrethanat e zjarrit dhe policia është duke u marr me rastin”, ka thënë Graishta. /Telegrafi/

Yesterday — 20 January 2026Main stream

Dyshime për "vrasje në tentativë", policia kërkon bashkëpunim me qytetarë për identifikimin dhe vendndodhjen e personit

20 January 2026 at 16:28


Hetuesit policorë në kuadër të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjakovë, në koordinim dhe me autorizim të prokurorit të shtetit gjatë fazës së hetimeve të cilat po zhvillohen lidhur me rastin e raportuar të veprës penale “Vrasje në tentativë” bënë publike fotografinë e personit të dyshuar i cili përkundër thirrjes policore dhe kërkimit në disa lokacione, i njëjti nuk është përgjigjur thirrjes së Policisë dhe gjendet në arrati.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për ofrimin e informatave që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe vendndodhjen e personit të paraqitur në fotografitë e bashkangjitura.

Për çdo informatë, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin e telefonit 192, stacionin më të afërt policor ose përmes e-mailit zyrtar: info@kosovopolice.com. /Telegrafi/



"I njëjti milet jemi", reagon Sllamniku: Qershiat do i hani sikur pas gabimit tuaj me 2021

20 January 2026 at 14:19


Arianit Sllamniku ka reaguar ndaj raportimeve të fundit, sipas të cilave ai dyshohet se ka përdorur tek fëmijët me autizëm medikamente që zakonisht janë të destinuara për përdorim veterinar dhe jo për njerëz.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sllamniku ka hedhur poshtë kritikat dhe ka bërë një krahasim me situatën e vitit 2021, kur ai kishte protestuar kundër vaksinimit kundër COVID-19, duke i cilësuar vaksinat si të “pa testuara”.


“I njëjti milet jemi... Në 2021 kur të gjithë pritnin rendin për vaksinim në radhë, unë dola dhe protestova në emër të ruajtjes së shëndetit të të gjithëve nga vaksinat e pa testuara! Edhe këto ditë si dikur me 2021, u quajta me fjalët më të rënda por heshta dhe prita e derisa prisja filluan të shtohen zërat që kanë gabuar se janë vaksinuar!

D.m.th të gjithë ata që më kanë shkruar në mbështetje dhe përkrahje morale, i falënderoj pa masë derisa të vaksinuarve me 2021 ju them se: "I njëjti milet jeni. Sikur në 2021 po e përjetoj tani 2026... asgjë e re. Qershiat do i hani sikur pas gabimit tuaj me 2021 por shëndetin tuaj dhe të fëmijëve tuaj nuk do e keni si më parë!". /Telegrafi/


"Barna për shërimin e autizmit", nisin hetimet për Arianit Sllamnikun, flasin nga policia dhe prokuroria

20 January 2026 at 13:33


Kanë nisur hetimet rreth rastit të Arianit Sllamniku i cili dyshohet se ka përdorë te fëmijët me autizëm medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Telegrafin se hetimet kanë nisur me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Ndërkaq edhe përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se: "Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, është duke ndërmarrë veprime fillestare hetimore në drejtim të veprave penale ‘'Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’' nga neni 256 i KPRK-së dhe ‘'Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave'’ nga neni 257 i KPRK-së, me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtim shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku".

Ndërkaq, në këtë njoftim po ashtu thuhet se: "Në kuadër të këtyre veprimeve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton të gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, qoftë materiale apo shëndetësore, që të paraqiten në ambientet e Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit".

Edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan kanë bërë të ditur për Telegrafin se policia është autorizuar të ndërmarrë veprimet hetimore në lidhje me rastin.

“Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Gjilan do t'ju mbajë të informuar lidhur me veprimet tjera”, thuhet në përgjigje. /Telegrafi/

Hakohet faqja e Inspektoratit, Komuna e Prishtinës kërkon që qytetarët të mos ju besojnë postimeve të fundit

20 January 2026 at 12:12


Faqja e Inspektoratit të kryeqytetit është hakuar dhe kërkohet që qytetarët të mos i besojnë postimeve të publikuara në këtë periudhë.

Kjo u bë e ditur përmes faqes zyrtare të Komunës së Prishtinës në rrjetin social në Facebook.

“Ju njoftojmë se faqja e Inspektoratit të Kryeqytetit është hakuar kohët e fundit. Ekipet tona po punojnë për ta rikthyer kontrollin dhe funksionimin normal të saj.

Ju lutemi të mos besoni postime të publikuara nga faqja deri në njoftimin e radhës, pasi ato nuk pasqyrojnë veprimet e institucionit. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj’, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Kosova për herë të parë udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore

20 January 2026 at 12:01


Me afro 60 shtete pjesëmarrëse përfaqësuar nga ministrat, zv.ministrat, sekretarë shtetërorë dhe liderë kyç global të sektorit të bujqësisë, Republika e Kosovës ishte pjesë e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë.

Kështu ka shkruar ministri në detyrë, Imri Delemezi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se gjatë këtij Forumi, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Regjional dhe Rural në Evropën Juglindore (SËG), për herë të parë Republika e Kosovës e udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore, duke konfirmuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv e vlerorë në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.

Si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë adresimeve të mija theksova se Republika e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern dhe të qëndrueshëm e në përputhje me nevojat e shoqërisë sonë.

Për tri ditë intensive, bashkë me delegacionin nga MBPZhR zhvilluam dhjetëra takime bilaterale dhe në margjinat e konferencës me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, si dhe Bankën Botërore, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (ËOAH), Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Në fokus ishin investimet në siguri ushqimore, ujitje dhe infrastrukturë, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtjen nga reshjet atmosferike, digjitalizimi i bujqësisë, resurset njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian.

Edhe njëherë Republika e Kosovës konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.

Republika e Kosovës falënderon shtetet mike, përfshirë Gjermaninë, që përmes GFFA-së mundëson vlerësimin pozitiv dhe promovimin e Kosovës përmes dhe gjatë konferencave të tilla.




Edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovës thuhet se Kosova u përfaqësua nga Ministri në largim Imri Delemezi dhe u takua me Ministrin Federal Gjerman të Bujqësisë, Ushqimit dhe Komunitetit, Alois Rainer.

Sipas njoftimit thuhet se takimi u përqendrua në: Përputhjen me BE-në – Acquis, plane konkrete veprimi për bujqësi dhe pylltari të qëndrueshme, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik. /Telegrafi/


Personi i raportuar i zhdukur gjendet pa shenja jete në fushat e një fshati në Klinë

20 January 2026 at 11:51


Një person i cili është raportuar i zhdukur është gjetur pa shenja jete sot në fshatin Siqevë të Klinës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai po ashtu tha se policia i njoftua nga një bashkëqytetar i fshatit i cili kishte hasur në një trup të shtrirë në një fushë.

Gashi tha se policia dhe emergjenca menjëherë shkuan ne vendngjarje dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Sot policia është njoftuar nga një bashkëqytetar fshati Siqevë të Komunës së Klinës se në fushat e fshatit ka hasur në një person të shtrirë dhe dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dal në vend të ngjarjes dhe emergjenca e Klinës. Mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës dhe policia është në vend në ngjarje”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/

Ftesa e Trump për pjesëmarrjen në “Bordin e Paqes”, Rama: Do t’i përcillet Kuvendit për miratim

20 January 2026 at 11:40


Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “X” ka njoftuar këtë të martë se i ka kthyer përgjigje presidentit amerikan, Donald Trump lidhur me ftesën për të marrë pjesë në “Bordin e Paqes” për Gazën. Rama shkruan se do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim.

Kryeministri e ka falënderuar Trump për ftesën teksa e ka cilësuar nismën e presidentit amerikan si një model transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

“Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Së shpejti angazhimi ynë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim.

Bashkëlidhur përkthimi: Republika e Shqipërisë Kryeministri Tiranë, 19 janar 2026 Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Washington, DC I nderuar Zoti President.

Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqendruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.

Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët.

Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë. Me respekt, Edi Rama”, thuhet në reagim. /Telegrafi/


Shkaktoi aksident me lëndime dhe u largua nga vendi i ngjarjes, Policia merr masa ndaj shoferit në Prishtinë

20 January 2026 at 11:31


Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit njofton se me datë 18.01.2026, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime dhe dëme materiale.

Sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes, një automjet kishte goditur dy vetura, me ç’rast ka shkaktuar lëndime trupore te katër persona, si dhe dëme materiale në automjetet e përfshira në aksident.

"Menjëherë pas pranimit të informatës, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Si rezultat i veprimeve policore, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet shoferi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi", thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për rritjen e sigurisë në trafik dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve. /Telegrafi/

Ushtroi dhunë psikike ndaj nënës së tij, arrestohet i mituri në Malishevë

20 January 2026 at 10:54


Një person (i mitur) është arrestuar pasi që i njëjti e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 19:00, në Malishevë.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Malishevë 19.01.2026-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i mitur pasi që i njëjti e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Zhduket një person në Klinë, rasti po hetohet

20 January 2026 at 10:48


Një person ka informuar se viktima ka humbur kontaktin me familjarët dhe se nuk dihet vendndodhja e tij.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 16:00, në fshatin Shtaric të Klinës.

Tutje bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar.

“Fsh. Shtaric, Klinë 18.01.2026-16:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se viktima mashkull kosovar, ka humbur kontaktin me familjarët e tij dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/

❌
❌