Mot i paqëndrueshëm, reshje shiu dhe dëbore në zonat malore
TIRANË, 29 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Temperaturat do të variojnë nga 2 gradë Celsius minimalja, në qarqet Dibër dhe Korçë, deri në 14 gradë Celsius maksimalja në Ultësirën Perëndimore, përfshirë Tiranën dhe Durrësin.
Reshjet parashikohen në të gjithë territorin e vendit. Në zonat malore, konkretisht në Kukës, Dibër dhe Korçë, do të ketë edhe reshje dëbore. Moti do të shoqërohet me intervale të herëpashershme me diell, kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonat jugore, reshjet do të shfaqen në periudha afatshkurtra, me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave.
Në zonën e Alpeve, në verilindje mbi 900-1000 metra dhe në juglindje mbi 1000-1100 metra lartësi, priten reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar, kryesisht në juglindje.
Era do të fryjë me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e saj do të arrijë deri në 15 m/s. Detet parashikohen me valëzim të forcës 2-4 ballë.
/r.e/
The post Mot i paqëndrueshëm, reshje shiu dhe dëbore në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
